E shtune, 20.07.2019, 09:08 PM (GMT+1)

Reportazh

Në viset e Makbethit

E marte, 27.02.2007, 08:33 PM


Shkruan : Ben Andoni

Të zgjohesh në grinë e motit të Mbretërisë së Bashkuar dhe me detajet e arkitekturës skoceze përpara, nuk të duket se dita do të dhurojë ndonjë shenjë të mirë. Si për inat të fjalës shqipe se: moti i mirë duket në mëngjes, këtu funksionon ndryshe. Më thjesht, nuk funksionon me asgjë Shqipëria. Në soditje e sipër, duke nxjerrë avujt e të ftohtit, ke mundësi të hamendësosh se pse dikur skotët këtë vend e quanin Auld Reekie (tym i shkuar). Në fakt, kur thuhej kjo për Edinburgun, oxhaqet e këtij vendi që më përvijojnë peizazhin urban, vidhnin në eter qymyrin dhe drurin. Kështu bëhej më i zi qyteti, që gëlonte nga fantazmat. Për ironi të fatit, për të ngjallur këtë traditë, edinburgasit e sotëm, të veshur me redingotat e shkuara, e përsërisin lojën. Një luzmë turistësh i ndjek dhe ata sakaq fillojnë mbajnë ligjërata për shpirtrat, shpesh në mënyrë groteske, pranë monumenteve të qytetit, apo në ngushtinë e errët të rrugicave. "Auld Reekie", si thirrej dikur Edinburgu, ka edhe kuptimin e kushteve shumë të këqija ku jetonin dhe që "Reek" do më shpjegojnë më vonë se ka kuptimin e aromës në Skocinë e ulët. Tani veç tre lypësve, që i shoh përditë në Old Town... nuk i dalloj dot të varfërit, por klasat filloj e i shquaj nga veshja dhe mondaniteti që i rrethon.

Në qytet

Nga ky meditim solitar- më tërheq befas ajo që shikoj të shkruar në një vend dhe që i atribuohet bardit të Skocisë. Për të qenë të sinqertë, nuk është se e kanë pasur shumë për zemër në këtë qytet, Robert Burns-in, por "Now, God in Heaven bless Reekie's town"... u pëlqen ta shkruajnë. Paradoksalisht, në dyqanin ku është shkruar kjo sentencë, pas tij sheh një njeri me veshjen klasike të Sikhve, kurse nga brenda një erë e rëndë parfumi tulat melodinë sublime të Gajdes me tre pipa. Por s'ka gjë. Kryeqyteti i Skocisë, që nga 1437, të trand me emrin e tij, që skocezët me fantazinë e zhvilluar e identifikojnë me Athinën e Veriut. "Thjesht që kanë topografinë njësoj dhe pjesa e vjetër e qytetit i ngjan Akropolit", më thotë një nga njerëzit e Parlamentit skocez me të cilin presim rezultatet e zgjedhjeve. Vendasit e quajnë edhe Dunedin, një fjalë që rrjedh nga galët skocezë: Dùn Èideann më shpjegon burri. Keltët dhe shqiptimet e ndryshme ma humbasin gjithçka.
Burns-it, që rrekem pa fat që t'i gjej shtëpinë ku ka qëndruar, dhe Robert Ferguson përdornin emrin latin për qytetin, Edina. Unë vetë më pëlqen të mbetem tek Sir Walter Scott, që e ka përcaktuar qytetin si "Perandoria Jonë e veriut". Poshtë një memoriali, ai qëndron me sytë e fiksuar diku, pikërisht në vendin ku edhe Kadare ka pozuar, pas marrjes së çmimit prestigjioz në të njëjtin vend. Në fakt, pak e njohin në këtë vend. Aq sa edhe Shqipërinë. Më duhet ta identifikoj me Kosovën dhe po ashtu me Greqinë dhe Italinë, që t'i ftilloj pak.

Në Edinburg

U falet. Në këtë mishmash globalizmi, këtyre njerëzve nuk u kërkohet më shumë. Dy gjëra duket se e godasin impresionin e njerëzve, që shkojnë për herë të parë në Edinburg. E para pjesa e vjetër dhe e dyta natyra disi kompakte e qytetit. Vërtet, e vendosur sipas një koncepti romak, mbi kodrina, Edinburgu i tejkalon të gjitha përshtypjet. Qendrën e qytetit e përshkon Royal Mile me një drejtim lindje-perëndim, dhe nga kjo rrjedhin Castle Hill, Laënmarket, High Street dhe Canongate. Për fat mungojnë shumë emrat e njerëzve nëpër rrugë, megjithëse në Edinburg duhet të ishin me dyzina. Kam ciceronë të këqij dhe këta të momentit, sepse turistët më shumë kanë interesa pragmatiste: Pub, Kala... Stepem kur mendoj se për qytetin kanë shkuar poetë, shkrimtarë dhe rrëfimtarë të shumtë. Më duket se një shkrim i ri është një palimpsest i shkruar keq mbi ish-shenja të vendosura mirë. Prapashtesa "Burg" më ngatërron dhe më, paçka se një njeri me ngjyrë me gojën e stërmadhe ma përsërit sesi duhet të shqiptoj Edinburg. Në fakt, të 450.000 banorët që përbëjnë qytetin, nuk është se thonë shumë veçse indiferencës. Bëhen të këndshëm në pije, por edhe falë edukatës nordike. Më interesantë bëhen në stadium, ku shfaqin një nga fytyrat reale. Shajnë me libër shtëpie. Në ndeshjen e Hibernians kundër Gllazgout shpalosen të gjitha ofendimet dhe gjestikulacionet e mundshme. Jam pas një femre që shan më shumë se i dashuri i saj. Kurse një pijanik afër meje, pas bataresë së të sharave, ku unë mbaj mënd vetëm "Fuck off"... i kthehet me "politesë" një arabi, duke i thënë se ndalohet duhani. Nuk kuptohen, por çuditem nga kjo lloj etike me spektër nga e shara në lutje. Por, ja që ndodh. Tifozët e Gllazgout e shfaqin hapur që janë shumë më tepër se edinburgasit. Kuptohet në futboll.

Të tjera

Kanë një muze gurësh afër parlamentit, që e ka konstruktuar një spanjoll i avantgardës- por për fat, janë pak më realistë se ne që e shkrijmë prejardhjen tonë, deri atje ku është formuar toka. Vendasit e quajnë këtë vend "Arthur's Seat". Kanë mbledhur shkëmbinjtë më të vjetër dhe tregojnë. Natyra të duket se ka bërë një shfaqje këtu. I gjithë ky spektakël i natyrës përmbush një shikim tredimensional, që të lbyr sytë dhe të zhvendos nga Mesjeta e vonët e skotëve deri në kohët më moderne... Në një ditë të tillë, sapo braktis Royal Mile, duke u ngjitur solitar për në Kështjellë, has një burrë të vjetër. I veshur me kiltin klasik me kuadrate, beretën me xhufkën me një palë doreza fine, një palë këpucë klasike ecim të dy përbri... Ai më sjell traditën, Rob Roy-n etj, por është shumë më i pashëm. Fisnik dhe me një spile të veçantë sjell mondanitetin. Janë të dashuruar skocezët me kiltin. Kujtoj Sër Fergusonin e Mançesterit, aktorin Sër O'Conor, pilotin e F-1 Coulthard etj., etj. E lë të kalojë dhe bashkë me të dhe gjithë këtë përfytyrim. E respektoj çapitjen e tij, ndërsa ngjitemi të dy në një distancë, që e mbush një i ri me një bagpipe (gajden e tij), që interpreton melodinë klasike skoceze. Eshtë i përditshëm dhe rri poshtë monumentit të David Hume. E pres dhe e dëgjoj me shumë ëndje. Njësoj si unë, mbase edhe Kështjella e Edinburgut, vendi i ngritur fatalisht mbi një shkëmb shumë të madh, nga ku vigjëlon në perëndim ndërtesa e Parlamentit skocez dhe në ekstremin tjetër Pallati i Holyroodhouse në lindje.

Arti

E përcjell me qetësi të përditshme këtë realitet. Edinburg ka një traditë fantastike kulturore, e cila shkon pas që nga koha e Rilindjes skoceze. E kuptoj dhe ma thonë me krenarinë e tyre, por më shumë librave, që i qëmtoj me kujdes në second hand. James Boswell, Robert Louis Stevenson, Sir Arthur Conan Doyle dhe Walter Scott kanë jetuar dhe kanë punuar në Edinburg. Humbas në librat dhe vëllimet e tyre të poezisë. Këtyre u shtohet një shkrimtar, që ka bërë letërsinë e krimit Ian Rankin, apo punët e Irvine Welsh, që ka shkruar në skotisht, një gjuhë që më duhen ditë të mjedisohem, për të mos thënë, që e kam shumë të vështirë ta kuptoj. Kaq. Mjafton respekti dhe heshtja. Eshtë qyteti i parë në botë për letërsinë. Të paktën sipas tyre. J.K.Rowling, "nëna" e Hari Potter, është prej këndej dhe vëllimin e fundit të Harry-t e ka shkruar pikërisht në Elephant House. Nuk e gjej dot. Shtuar dhe me filozofin David Hume dhe pionierin e ekonomisë, Adam Smith atëherë... çfarë të duhet më shumë. Për të qenë të sinqertë, mrekullia dhe eleganca e qytetit është e shënuar me sa duket edhe nga mrekullia e atyre që kanë jetuar në këtë vend prej shekullit të XVIII dhe formuan atë që thuhet Rilindja skoceze. Monumenti i David Hume është pika ime e preferuar, sepse çdo mëngjes më duhet të rri sa vjen scottish-man veshur me kostumin kombëtar, që i dëgjoj repertorin e ri në bagpipe. Adam Smithi (monumenti) është më vetmitar. Bashkë me Hume, këta personazhe kaq të mëdhenj, hodhën shumë dritë në tokat e reja intelektuale për filozofinë dhe ekonominë, duke ndërtuar një reputacion të madh për mjekësinë, ligjin dhe madje edhe shkencën veterinare në universitetit e famshëm, themeluar më 1583. Kujton se mbaron. Jo. Gjeni dhe shpikës të tillë si Alexander Graham Bell dhe shkencëtarë si Joseph Lister, janë qenie që kanë shumë rol në shkencat humane. Për të ardhur në ditët tona, ku Edinburgu vazhdon që të shpërthejë me një brez të tërë intelektualësh, duke u bërë një nga qendrat më aktive në mjekësi dhe bio-teknologji. Qoftë dhe me ikonën e klonimit delen Dolly. Njësoj financierët mund të mburren me ekzistencën e bankës së Skocisë, që daton që nga vitit 1695, kohë që ka lidhje me ngritjen e shumë qendrave të investimit dhe Sigurimit, krijuar që nga era viktoriane. Më vjen të qesh kur has në një vend "Kafe Banka". Vetëm ne dhe skocezët kemi të tillë emërtesa.

Realitet

Pas vështirësisë së gjuhës, problemi më i madh në ditët e fundit,ishte kur i pyesje për të ardhmen e Skocisë, Referendumin. Që pas vitit 1999, kur morën "pavarësinë", ata janë më pak entuziastë për ndarjen nga Britania. Këtë e predikon SNP, Partia Nacionaliste, që fitoi pjesën më të madhe të vendeve në Parlament. Janë indiferentë dhe tash pak përshtypje u bën. Veçmas luftës, që duket se nuk ua ka më ënda. Sa për pijen: bujrum. Bëhesh mik dhe mund të diskutosh pa fund. Eshtë e vërtetë dhe përfytyrimi më i mangët shpesh e kalon atë që mendon ti për këtë qytet. Galeria Kombëtare e Skocisë (për fat shikoj Rafael, Tician, Rembrandt, Velaskez, Gaugain, Van Gogh etj.), Kështjella, Ndërtesa e re e Parlamentit, Kopshti Botanik, Kopshtet e Princeshave, Monumenti i Skotit, Thesaret mbretërore në kështjellë, Holyrood Park & Salisbury Crags, të gjitha bëjnë një lloj lidhje e tillë, që të bëjnë të humbasësh në mrekulli.

Pak histori

Origjina e Edinburgut është nga "Din Eidyn", kryeqyteti i njerëzve që njiheshin nga romakët si Votadini apo si e shqiptonin: Gododdin anglezët. Këta të fundit i kanë mundur vendasit më vitin 638 pas Krishtit, duke e bërë anglisht emrin e qytetit në "Edinburgh". Më duhet shumë ta shqiptoj, sepse vendasit e shqiptojnë ndryshe. Ia dal më në fund me një skocez, ndanë një Guiness, që ta kaloj këtë vështirësi të fundit. Humbet G dhe shtohet një oe në fund. Për më shumë se njëmijë vjet qyteti është ngjitur që nga linjat e sipërme që janë nga Royal Mile. Nga dritarja, që bie bash mbi rrugë, e shikoj dhe më duket se shikoj një film të vjetër. Janë shtëpitë që në atë kohë ngriheshin mbi njëra-tjetrën prej dendësisë së njerëzve, që po u ëmbëlsohej qytetit. Do ma shpjegojë më vonë qartë një pronar i një shitore të mrekullueshme me grafika. I gjithë ky dinamizëm dhe një shoqëri shumë mikse dërgoi në të vërtetë në një revolucion të vërtetë intelektual. Robert Louis Stevenson ka lënë gjëra të mrekullueshme për të. Por shitësi ka mllef dhe nuk ndalet. "Pronarët e rinj po ndërtojnë në mes të qytetit dhe askush nuk i ndal", më thotë. "Ik këtu pas varrezave, të shikosh vetë". Në fakt, ka të drejtë. Skocezët ruajnë fasadat kryesore dhe pastaj punojnë pas tyre për interiorët ose skeletet. Shtimi i popullsisë bëri që në shekullin e XVIII, banorët të shkonin në një pjesë poshtë kështjellës, ku morën jetë pak nga pak Princes Street, George Street dhe Queens Street, që kanë formuar zemrën e New Town xhorxhian. Nga këtej e tutje, këtu do ishin klasat e sipërme dhe të mesme nga qyteti i vjetër. Kurse të rinjtë, tahsmë janë të shpërndarë.

Natë mbi qytet

Qyteti i vjetër është shtëpia e shumë prej atraksioneve historike, të tilla si kështjella dhe pallati. Por Royal Mile është gjithashtu edhe shtëpia e Qendrës së Trashëgimisë Historike të Whiskey, të Katedrales së St Giles', Shtëpisë së John Knox, Canongate Kirk, dhe kuptohet shumë Pub-e, kafeve dhe dyqaneve mbushur me suvenire, që kuptohet se janë "Made in China". Nëpër Royal kaloi Mbretëresha para pak vjetësh me suitën e saj veshur me simbolet monarkike për të dhuruar simbolet mbretërore skoceze.
Në këmbët e Royal Mile është ndërtesa e re e Parlamentit skocez, ndërsa shumë afër duke parë mbi Salisbury Crags, është muzeu fantastik i shkëmbinjve ose "Dynamic Earth". Kurse në jug të High Street është kuartieri komplet i Universitetit me National Museum. Pak më poshtë është stacioni i vetëm hekurudhor, Waverley, që shtrihet në thellësinë në mes të New Town dhe Old Town. Nëpër ca rrugica shumë të ngushta, ku 'fshihen' duke pushuar aziatikë, që punojnë në fastfood-ve mund të zbresësh dhe të ngjitesh në pjesën e vjetër të qytetit...

Në Elgin

..."Kur rrëzohet mbrëmja... diku do të ndjesh shpirtrat e atyre që nuk janë më. I ruajnë këta zogj të mëdhenj, që ne i quajmë... Ata ruajnë të gjallët"... Ky monolog rrjedh nga goja e një pijetari me t-shirt dhe që sytë i kanë mbetur nga përsëritja e golit të tretë të Milan. Nuk i bën përshtypje asgjë. Kuptohet dhe unë, me të cilin ndajmë një tavolinë rrethore me ca stola gjigantë, si prej qëmoti. Jemi në një PUB klasik skocez në Elgin, qendrën e Moray... vendit ku disteleritë e Whiskey janë si kërpudhat në kontinent. Jam gjashtë orë larg Edinburgut në ndjekje dhe në një mbulim foot-by-foot të kandidatit nacionalist të SNP, partisë që do të fitojë zgjedhjet. Kandidati im, Richard Lochhead, është deputet i Parlamentit skocez dhe madje është rizgjedhur. Prej ditësh, falë "British Council", duhet të mbulojë fushatën e tij, ashtu si 20 gazetarë të tjerë nga e gjithë bota në Skoci dhe në Wells, ndër kandidatë të tjerë. Unë jam në këtë 'humbëtirë'. Pasi më bien këmbët me të duke shpërndarë leafletë dhe duke folur... mbrëmjen e kaloj i vetëm në qytetin, ku ka më shumë shpendë se njerëz. Realisht, nuk ka njerëz. Ku janë?! Vetëm se është davaritur grija e zakonshme e Unionit dhe këtu dielli të qesh kudo. Sipas një shprehje të vjetër: Elgin dhe Moray kanë 40 ditë më shumë diell sesa çdo pjesë tjetër e Skocisë. Nëse drita e diellit është testi i verës, atëherë kjo do të jetë plotësisht e vërtetë këtu. Mesatarja e temperaturës përgjatë të gjithë vitit është tepër e lartë. Qyteti dhe Royal Burgh e Elgin është një nga qytetet më të ndritshëm dhe më piktoreskë në Skoci dhe është mrekullisht rreth 5-6 milje nga deti. Nga luginat e mëdha të Speyside drejt plazheve gjithë rërë të Moray Fifth, cilësia dhe vlerat e florës së Moray të japin shumë frymëmarrje. Këto i has në almanakët e tyre kulturorë. E kuptoj se pse ndodh kjo. Golfstream krijon një mikroklimë, paçka se jam në skajin më verilindor të Skocisë.

Vendi i Makbethit

Në histori, origjina e emrit të Elginit ka humbur. Dhe sipas anglezëve nuk ka një qytet të dytë në Skoci, ku legjenda origjinale të jetë kaq e dyshimtë. Favorit është vetëm njëri prej tyre ngritur nga "Helgy, gjenerali i Armatës së Siguidit, Earl i Orkney nga Norvegjia që pushtoi në kohën e tij Caithness, Sutherland dhe Moray rreth vitit 927", lexoj në një almanak. Si emri por edhe qyteti i Elginit kanë qenë një vend me rendësi të konsiderueshme në një kohë të hershme. Kështjella e saj ka qenë që herët, por kujtoj pse është i veçantë: Mbreti Dunkan vdiq këtu, pasi u plagos në Bathgowan nga Makbethi. Ky i fundit, i pikturuar më katran sesa ishte nga dora e Nolit, nuk ishte ai qyqari egërsirë i Shekspirit, por thjesht një nga princët egoistë dhe me ambicie të skocezëve për fron, që e zgjidhte në këtë rrugë konvencionale karrierën e tij. Më 1057 fitorja mbi Makbethin e Malkolmit III, njohur si Canmore (Kokëmadhi) shënoi fillimin e ndryshimeve për shoqërinë skoceze... Në këtë biçim qyteti, që mund t'i shërbente më shumë Hitchcocok, për filmat e tij kaloj kohën time të mbetur në Skoci. Qendra e Elgin dominohet nga kisha e St.Giles, dizenjuar nga Archibald Simpson-arkitekti i Institutti Anderson. I ndërtuar me stilin e tempujve grekë, qyteti është një kopje e monumentit Koraig të Lisikratit në Athinë-ngritur rreth 112 këmbë. Kisha është e rrethuar nga "pllakat e gurit" nga Këshilli i Qytetit që më 1785. Ladyhill, në pikën dominante të qytetit, është vendi i kështjellës së Elginit dhe një rezidencë mbretërore deri më 1297. Kapela e Kështjellës i është dedikuar Shën Mëri Virgjëreshës, që vendasit e quajnë Ladyhill
Kolona, gati 80 këmbë e lartë, është ngritur më 1839 në kujtim të Xhorxhit të V, Dukës së Gordonit dhe realizuar nga një skulptor i Elginit me emrin Thomas Goodwill më 1855.
Ndërtesa më e vjetër e qytetit në High Street është The Tower. Ka mbetur në ditët tona vetëm një pjesë, e cila është ndërtuar më 1643 nga Andrew Leslie dhe Jean Bonyman. Ndanë saj, kaloj kohën më të madhe, sepse afër është një Pub, ku mblidhen banorët që mungojnë dhe që janë në qytet vetëm në orët e paradites. Pas orës 16.00 këtu hesht gjithçka vetëm zogjtë. Vendi më i paqtë i qytetit është Katedralia e Moray, bekuar më 1224, por shkatërruar nga zjarri më 1270. E tmerrshme sesa frikë është në Britani për zjarrin. Gjuha e zjarrit të ndjek kudo, ngaqë në fakt, Britania dhe Skocia e kanë pasur shpesh në kurriz rrezikun e tij. Më 1390, katedralia është goditur nga Wolf i Badenoch si hakmarrje që ai është shkishëruar nga Peshkopi, derisa më 1506, një nga katedralet më të mëdha të Britanisë dhe të veriut të Evropës është shkatërruar përfundimisht. Shijen e saj ma zbehin një grup adoleshentes, që i qepen me gur një çifti dhe paskëtaj një turisti. "Bastard, take care...", u them duke zgjedhur më mirë ikjen sesa batarenë e gurëve.

Në qytetet përreth

Kjo është jeta në Elgin, por unë duhet të rend, sepse në mëngjes duhet të zgjohem dhe të paraqitem në kuartierin e SNP-së, ku më pret një staf i axhituar, që pret të ndajë sipas një skeme, lefletë dhe postera për fitoren. Një grup prej katër vetash shkon kudo dhe unë jam një nga ata. Më bie të dëgjoj shpesh Richard dhe të trokas vetë duke "propaganduar"... Derisa vjen dita e votimit. Këtu mbyllet historia dhe zgjedhjet historike, që mund t'i japin jetë pavarësisë. Këtu e mbyll dhe unë dhe largohem. Sërish në Edinburg, pas pak orësh .

Epilog

Qytetin e gjej njësoj, por me mesditë me diell. Ai fillon gjallërohet pak nga pak prej stinës, por edhe se për çdo verë bëhet qendra më e madhe botërore e artit të rrugës. Veç festivalit të Edinburgut vijojnë: International Festival, Jazz and Blues Festival, International Book Festival, The Fringe, International Film Festival, Edinburgh Military Tattoo. "Duhet të bësh prenotime që më parë", më kthjellon dikush me një buzëqeshje standarde, që ngrin para ngrysjes sime. Unë e kam të vështirë të besoj se do shkel ndonjëherë me atë ritëm breshke, që ka vendi im drejt Evropës, por i kthej një buzëqeshje. Sytë i plazmoj sërish në peizazhin e lartësuar gotik dhe viktorian të qytetit. Dua të më mbetet në kujtesë bashkë me oxhaqet e tij, që çuditërisht shkëlqejnë nga dielli. Eshtë mes prilli dhe fillim maji i vitit 2007.

Gardianët e trashëgimisë së Edinburgut

Godina e Trashëgimisë Botërore është në të njëjtën ngrehinë me rezidencën e Kryeministrit skocez në Edinburg. Vetëm dy dyer më pas. Kaq të mjafton të ndjesh se ajo përbën krenarinë e skocezëve edhe interesin e madh të vendit për trashëgiminë. Në një interior, mobiluar me stilin e vjetër dhe rreth një tavoline rrethore, ndiej nga pas afrimin e saj. Një grua elegante, e veshur bardhësisht dhe me syze, me një brishtësi frënge, futet pa ceremoni në sallë. Quhet Jane M.Jackson dhe është nëndrejtoreshë e "Edinburgh World Heritage". Pak më pas do marr vesh se ka qenë në Jorkshire, ndërsa ardhja këtu duket se është një upgrade për profesionin e saj. Prezantohemi dhe bisedojmë thjesht. Më duhet t'i shpjegoj me pak fjalë si procedohet te ndërtesat shqiptare, fokusuar më shumë në trashëgiminë e Beratit dhe Gjirokastrës. Nuk e njeh fare Shqipërinë. Më dëgjon me kureshtje, pa më ndërprerë. Gjallërohet kur është puna për të dënuar kundërvajtësit. Më pas, rrëfimi i saj është krejt linear: Qyteti i ri dhe Qyteti i Vjetër janë të dyja të listuara në sitin e Trashëgimisë së UNESCO-s, që nga viti 1995. Janë mbi 4500 ndërtesa të listuara brenda limiteve të konservimit, ku përfshihen bashkë me to edhe plot 22.000 prona. Kjo do të thotë më shumë se në çdo qytet tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Shtëpitë janë pjesë e trashëgimisë dhe fondet vijnë nga një agjenci, që lidhet direkt me qeverinë e Skocisë. Ajo bashkëpunon me Këshillin Bashkiak, që ka një strukturë e cila merret me shpërndarjen e fondeve, konform nevojave të restaurimit. Janë konvecionalisht 1 milion paund në vit për riparimin dhe për restaurimin".

Për banorët dhe pronarët e trashëgimisë

Qyteti, sipas saj, është me fat, sepse që nga vitet '60 dhe '70 banorët janë shumë më koshientë, që këtë përvojë ta përcjellin te brezat e rinj. Për çfarëdo granti që aplikohet nga banorët, duhet të asistohet nga një këshilltar shumë profesional, sidomos për konservimin. Ata plotësojnë formën e aplikimit dhe përgatisin Deklaratën e Konservimit. "Kjo do të vlerësojë sesa propozimi juaj ka lidhje me pjesën e Trashëgimisë Botërore dhe të shpjegohet sesi mund të fitosh. Dhe, kriteret për këtë janë si më poshtë: Vlerat arkitekturale; Interesi historik; Vlerat për qytetin; Evidencat për rrezikun e pasurisë dhe mjedisit historik; Kërcënimi për vlerat universale; Përshtatja me politikat dhe objektivat e planit të menaxhimit të sitit dhe planit të aksionit; Sigurimin e konditave ekonomike dhe shoqërore; Punët reale që duhen dhe që kanë domethënie historike. Banorëve u bëhet e qartë se kjo strukturë nuk financon: Mirëmbajtjet rutinë dhe riparimet e vogla; Rregullimet dhe punët e brendshme private; Dëmtimet e brendshme; Upgrading e shërbimeve; Pastrimin e gurëve etj". Në fakt, për këtë të fundit, më thotë zonja duhet pak kujdes, sepse nuk është e lehtë. Gjithsesi, ka një sistem që i ruan dhe, nëse nuk veprohet konform rregullave, atëherë shkohet deri në gjoba ose dënime penale. Në fakt, aq konservatorë sa janë banorët për kulturën e tyre, më duket se nuk ka shanse për kundërvajtje flagrante...Këtu mbyllet gjithshka. Ndahemi dhe ne.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT