Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Komnino: 40 vjet pas vdekjes, Fan Noli akoma enigmatik per Shqiperine

| E diele, 03.06.2007, 09:13 PM |


40 vjet pas vdekjes, Fan Noli akoma enigmatik per Shqiperine

Nga Entela Komnino

Është kthyer dy herë në jetë nga vdekja e sigurtë dhe rreth një shekull pasi ai ka filluar të shkruajë dhe 40 vjet pas vdekjes provokimi i tij te lexuesit hap një botë enigmash të përafërta me dilemat e jetuara të tij. Gati të të njëjtit puls me ato të fëmijës me heronj që rikthehen ndër të gjallët. Ngaqë e “kish të shkruar” me sa duket ritin e kthimit “sa të ketë emër”.

Shtegu i çelur për të pritur vdekëtarin, që e solli trupin e tij dy herë nga e përtejmja për të “treguar” se çfarë pa “andej” dhe pse mbeti në jetë, ashtu si jo rrallë i pelqeu Nolit të vetëshpjegohej, i ka bërë lexuesit e çdo kohe dhe dëgjuesit bashkëkohës të tij të mbartin në një njëfarë mënyre përkimin me magjinë e ëndrrës - mision të shprehur prej tij. Përkim ky, i vënë jo rrallë në pikëpyetje nga muzgu i disa fakteve biografike. Të gjitha udhët e kërkimit të Nolit flasin për prirje, për bëma herojsh. Pasi ishte shtrënguar ta linte pas jetën private të Egjyptit, detyra e tij përqëndrohej në bashkimin e turmave “amorfe të shqiptarëve, të cilët ishin ndarë në tri grupe fetare... Lipsej të mblidhte të holla nga njerëz skamnore, të cilët, sikurse të gjithë shqiptarët, ishin me kursimtarë se skotlandasi i njohur koprac. Kish për detyrë të gjente një udhëheqës të volitshëm për ta, dhe udhëheqësi nuk duhej të priste një rrogë të mjaftueshme për të jetuar. Kishte për detyrë ta emanciponte kishën ortodokse shqiptare nga kthetrat e patrikanes së Stambollit, të cilët e kishin sunduar atë afro dymbëdhjetë shekuj. Kishte për detyrë të çlironte afër dy milionë shqiptare nga Perandoria Turke, e cila kishte një popullsi prej mëse gjashtëdhjete milionë banorësh, lipsej të fitonte simpatinë e fuqive të mëdha të Evropës, të cilat ishin tërësisht të krishtera, për shqiptarët, të cilët ishin në pjesën dërrmuese muslimane, dhe urreheshin dhe nga vetë turqit. Kishte për obligim të siguronte dhe fitonte përkrahjen e opinionit publik botëror, ndërsa nuk e kishte mënyrën të ndikonte në këtë opinion, veç disa revistave shqiptare të cilat i lexonin fare pak ata që nuk ishin shqiptarë, për të qenë puna dhe me pisk, ato lipsej të ndikonin në shqiptarët, kurse shqiptarët nuk dinin të lexonin shqip!” Detyra është shqyrtuar përmes tre heronjve të tij të Ibrik-Tepesë: Napoleoni, Skënderbeu dhe Krishti. “Vota ishte unanime. Kështu dhe Fan Noli eci përpara duke shpresuar atje ku s’kishte shpresë, duke pasur besim te Zoti dhe në drejtësinë e çështjes, që kishte marrë përsipër”. Një mision shenjti do të shënonte fillimin. Nolit 25-vjeçar iu kërkua autoriteti i tij i parë për t’u ushtruar: të “dorezohej” prift shqiptar. Kjo ishte “ndeshja e duhur”. Profesioni i mundur për të. Vepra e mjaftueshme për heronj... Vepra e kishës e parë me kulminacion si vepër e madhe politike edhe pse e kryer në Amerikë, është një nga çastet e shënuara me krenari për të gjithë shqiptarët me emrin e Nolit. Kisha dhe atdheu, që në këtë rast ishte i largët, ka funksionuar si një vlerë e zhvendosur mbi bazën e binomit retorikë-atdhe. Afrimi me auditorin përmes kishës është modeli me spërkatje rilindjeje sipas nje modeli që Zamputi e jep për Fishtën me “binomin Atme e fe”. Përtej ngërçit që ka kërkuar në vite justifikime për Nolin prift, kisha i ngjan veprave shqiptare edhe me kryerjen e saj jashtë kufijve. Ngjarjet e saj provuan se ajo ka qenë një nga institucionet që mund të bëhej pa patur atdheun e pushteteve civile, në raporte gati të tilla si ato që sollën dhe lëvrimi i letrave dhe publicistikës shqipe. Po ashtu të ndërtuarit e kishës shqiptare jashtë Shqipërisë është në vazhdën e realiteteve, që kryhen për të kryesisht jashtë kufijve. Titulli i tij zyrtar ishte: “Mitropolit i Durrësit, Gorës dhe Shpatës, primat dhe zëvendëspatriark i gjithë Ilirisë, detit perëndimor dhe gjithë Shqipërisë”. Mes një të përditshmeje krijuese dhe ne auditorin e kishës ai ishte publik siç dëshironte dhe mund të jetonte, si prift. Kisha, që funksiononte dhe si partnere mediatike, ose adresa ku ishte mbajtur ose demostruar çështja e javës për komunitetit shqiptar e botuar me pas dhe në gazetë, ishte atmosfera që e çoi Nolin sipas Lames në drejtimin e “Dielli”-t. “Prifti u bë gazetar; me 8 qershor 1919, prifti dorëzohet peshkop dhe peshkopi zgjidhet deputet i Vatrës në Parlamentin e Shqipërisë… mëshon në kishë, mëshon dhe në shtyp.” Kontributi për ndërtimin e këtij rrjeti mediatik të shqiptarëve të Amerikës, solli me një frymë 12 shekuj zhvillimi. Noli predikoi llojin e fundit të quajtur situativ para një auditori me “atdheun” e largët. Eshtë “pretenca” e formimit të tij që e çon kah modernia e shekullit në të cilin jetoi, modernizëm, në themel përshtatjeje me jetën civile. Manifestimi i tij tregoi se mund të tregonte Shqipërinë moderne edhe pa qenë këtu e qe aq më pak moderne. I prirur për të përqafuar misione të mëdha, ose për t’i afruar ato me rastet e jetës së tij, përveç kishës bashkë me gazetën, rruga shumë shekullore e retorikës në shoqërinë njerëzore, mësyu me veprën e Nolit drejt e në nivelin e saj bashkëkohor. Dhe për me tepër në shqip. Kjo ka ndodhur njëkohësisht me rimarrjen e pushteteve dhe administratave në gjuhën shqipe. Situata është vërtet e rëndësishme dhe kushtezuese në pikëpamje historike institucionale. Ka qenë vështirësi e madhe të punoje në një terren bosh thuajse pa atdhe si ai i Nolit, por nga ana tjetër, të ishe në një situatë të tillë luftarake të imponuar, kushtet ishin thuajse të llojit ideal për kombinimin e kapaciteteve folëse (përfshirë retorikët) me ato konfliktuale të mjedisit. Sepse vetëm atëherë, mund të luheshin skena heronjsh, qoftë dhe një Daniel në strofkullën e luanit (kupto nje parlamentar si Noli te fshehur nën karrike për t’iu shpetuar plumbave). Në marrëdhënien e të përditshmeve të Nolit, retorika ka vazhduar të fitojë terren civil, madje dhe në mjediset e kishës, ashtu siç ka udhëhequr me intuiteën e tij Noli i njësuar prej “madheëisë” së misionit. Vlerat e mbetura të gjuhës vijneë pikërisht nga këto madhësi.
Noli e Konica – Heronjt e Homerit.. Në një vepër për Nolin, Lefter Lame Dilo -shkruesi i parathënies mendon se autori ishte shoku i “pandarë të idealit të pastër” për Konicën. Konflikti kishte shpërthyer me forcë “të mëdhenjsh” mes rreshtash, si ato të Konicës për ngjarjet e ’20-’24. Drama “politike me tre akte” e Shqipërisë ishte si vijon: Akt i Parë- Ahmet, Zogu, në lidhje me marrëveshje të plotë me Fan Nolin dhe shokët, bëri një luftë të fortë për Partinë e Indipendencës të përfaqësuar nga Vatra, kundra Partisë së Kollonizimit italian të përfaqësuar prej Luigj Gurakuqit. Zogu triumfoi dhe Gurakuqi u mund.
Akt i Dytë- Gurakuqi ahere u përpoq dhe arriu të kllase Fan Nolin me shokët në qarkun e influencës së tij, organizoi një kryengritje me përkrahjen e Italianëve dhe përzuri Ahmed Zogun nga Shqipëria.
Akti i Tretë- Ahmed Zogu organizoi dhe ay një kryengritje me përkrahjen e Serbëve, përzuri Gurakuqin me Fan Nolin nga Shqipëria, çliroi njerëzit që kish burgosur Gurakuqi, vuri njerëz të tjerë në burg, dhe u bë i zoti i Shqipërisë.” Po sipas Konicës, njerëzit e Qershorit 1924 vunë Nolin në krye sepse “besimi i tyre ka qenë së Fan Noli i lirë nga intrigat lokale, i lirë nga zemërime dhe klecka malokësh, i lirë nga një të shkuar ngatërresash nënë dhe do të qeveriste me frymën e re të një njeriu me ideale të ndryshme”. Noli është larguar nga Shqipëria pas ardhjes së Zogut nëpërmjet Italisë “(Dhjetor 1924) ftuar nga Musolini”, siç dëshmon Elsi. Pas një përthyerje joheronjsh në veprën e tij politike, pasojnë dhe disa të tjera siç ishte pranimi më në fund sërish prej tij i Zogut, madje rendimin në një llogore me të, pasi i kishte kërkuar pension kur ai kishte qenë ende mbret i shqiptarëve. Konica është një nga kujtimet e Nolit në një nga përmendjet ose reagimet e fundit publike të tij dhe pikërisht në fjalimin me rastin e 50 vjetorit të gazetës “Dielli”. “Sa i përket punës së tij gazetareske, ju të gjithë dini se nuk ka qenë i shkëlqyeshëm, ngaqë ndonjëherë e zhyste penën në acidin e gurkalit të stilit të vërtetë francez…”. Ky njeriu i kishte lënë testamentin e jetës së tij Lame Kodrës e priftit Noli, që pritshëm do t’i këndonte mbi varr, por jo me rezervat e paimagjinuara të një grindjeje. Zamputi sjell Maleshoven për vleresimin që ai e sheh treskajor Konica-Noli-Fishta. Për të ata “janë fytyrat me të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës”.
Noli – misioni politikan?
Roli “magjepsës dhe fatal njëkohësisht” i “korifej i popullit dhe vendit”, siç e kanë quajtur me shumë figurë kryeministrin gjashtëmuajsh të ’24-ës, ka disa referime. Duke iu afruar politikës nga pathosi i komunikatorit dhe nevoja e lindur nga mungesa e atdheut, bëhet e qartë që ky nuk mund të ishte profesioni i tij. Përveç rrethanave të tjera, mosmenaxhimi i të cilave, në njëfarë mënyre ishte përgjegjësi e postit që kishte marrë përsipër. “Një kohë më parë” se Noli të hynte në histori, atdheu i kërkuar i Nolit që jetonte në modelin-vepër “...ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, ushtroi mes kërkimeve të shumta precedentin e pushtetit të katërt- publicistikës - pa një shtet të qartë me pushtetet e tjera në Shqipëri. Në mungesë të shtetit shqiptar, vepra kulturore e shqiptarëve hynte në tregun me të çuditshëm që mund të kishte patur ndonjëherë. Për auditore që nuk mund të silleshin kurrësesi pranë: autorët shqiptarë që ishin edhe vetë në formim, i drejtoheshin popullsisë shqiptare me kufizime dhe rretheve politike me forcë vendimi mbi Shqipërinë. Realiteti (vendimmarrës) jashtë Shqipërisë, më i rëndësishëm se ai brenda saj dhe lejet për botim të drejtuara nga administrata të huaja rezultojnë sot me një inventar të thjeshtë se, shqiptarët kanë shkruar dhe botuar në disa kontinente, shtete dhe rreth e rrotull nëpër Ballkan ndoshta më shumë se brenda Shqipërisë. Në njëfarë mënyrë, të prodhoheshe personalitet shkrimi ose dhe veprimtar kombi jashtë Shqipërisë, nuk ishte e rrallë, për të mos thënë që u bë lloj zotërues. Dhe autorë të tillë si Mithat Frashëri gjejnë se “ca nga ca, në mënyrë inkoshiente, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij ... vendin e një besimi fetar”. Noli veçon me shumë nga të gjithë duke na afruar çudinë e të lindurit shqiptar në një komunitet shumë të ngushtë e të kufizuar siç ishte ai i një fshati në Turqi të treguar shumë vite më pas mes përkëdhelisë së misioneve në Autobiogafi: “duket sikur misioni i Ibrik -Tepesë ishte sa për t’i dhënë një pionier si ju Rilindjes shqiptare. Pasi mbaroi atë mision, ajo u zhduk nga harta si një ngulim shqiptar në Thrakë”. Atdheu i ka munguar Nolit dhe disa autorëve të tjerë bashkëkohorë një lloj si publicistikës. Ai ndjen dukshëm nevoja identiteti profesional dhe ekzistencë materiale, ngjyra këto që i ngjajne një të përditshmeje të vështirë për t’u jetuar dhe aq me pak për të ndërtuar vizione misionesh. Ose dhe aq me shumë për të ëndërruar me lendë heronjsh mundjen e një realiteti të vështirë. Vetë ardhja ne Shqipëri drejt e nga metropolet e zhvilluara është gati në kufijtë e një perralle. Në terma të shtetit, pamundësia për të ushtruar një të tillë shqiptar solli një kontradiktë të qartë. Kur rasti i shtetit shqiptar erdhi, figurat që kishin sjellë kontribute të medha edhe pa të, nuk arriten të ushtronin as mjeshtëritë fillestare për shtetin. Noli është më tipiku për këtë, por jo i vetmi.
Autorët e kanë vërejtur pashmangshëm fondin e “misionit” dhe sipas veprash të ndryshme ose përshtypjesh të përgjithshme,kanë konkluduar për forcën e (mos)veprimit, sidomos në rastet kur kanë marrë për bazë krahasimi,heronjtë e shpallur të Nolit ose ata të përafruarit pej tyre. Përhumbja e përmasave të tij konkrete, sidomos në rastet kur nuk janë me vlerën e mitit, vijnë sipas Qoses, në një përshtypje krijimi që “Noli ka pasur qejf të madh pastaj, që si krijues, si historian t’i kapë heronjtë për fyti dhe prej piedestalit të tyre të lartë e të paprekshëm, t’i zbresë në mesin e njerëzve të thjeshtë, tek do të jetojnë, të gëzohen dhe të vuajnë, të ngadhnjejnë dhe të dështojnë bashkë me ta”. Noli dhe heronjtë frekuentojnë njeri/tjetrin, duke shkëmbyer sipas rastit përmasat mitike me ato njerëzore. “Gjatë rrethimit të rrezikshëm të Parlamentit, që zgjati afërsisht katër ore, Fan Noli për herë të parë në jetë, nuk e pyeti veten:” Si do t’ia bente Napoleoni, ose Skënderbeu, apo Jezui në një rast të tillë?” 1. Një hero i harruar apo i pamundur? Paraprakisht Noli e kishte larguar modelin e tij politik të fëmijërisë, Napoleonin, përmes shqyrtimesh që tingellojnë ndoshta naive në autobiografi, por që dukshëm nuk e lejojnë të përqaset në gjithë veprimin e tij politik me formula të njohura individësh ose ideologjish dhe që gradualisht është shndërruar në gjasë me shumë dilema. Modeli politik përmes heroit të fëmijërisë, është pjesa me pa përfaqësim gjatë gjithë jetës së Nolit, dhe për këtë arsye ajo me pa fizionomi,edhe atëherë kur mbetet mes komunitetesh e aksionesh të majta. Këtu nuk është fjala për emrin konkret të heroit, sepse për një moment heroi tjetër është gati. “Ai e dinte se kësaj pyetjeje të tij i gjendej përgjigja tek “Dhiata e Vjetër”, në episodin ku flitet për Danielin në strofkullen e luanit”2. Përtej asaj që shumë studiues e përkufizojnë si romatizëm e idealizem të tij, Noli e “pëson” nga moskonsiderimi i atyre që nuk shqyrtohen nga këto misione. Autori që ecën “Anës lumenjve” nuk është Noli, siç zgjodhi dhe siç u shfaq. Qartësisht, Noli nuk është shfaqur vendimtar për politiken ose nuk ka reflektuar sukses me aksionin e tij politik, perjashto rastet kur ishte shumë i mbështetur. Brenda konstelacionit të misionit, me të cilin shfaqet aftësia për të menaxhuar postet e karrierës, nëse do të ndaleshim tek ai vetëm si politikan, atëhere do të ishte e vështirë të zbulonim cilësi domethënëse. Jo vetëm sepse ai dështoi në kulminacionin e kësaj vepre, duke sjellë më shumë se gjithçka, mospërmbushjen e “pritjes”, që ishte ndërtuar për të edhe nga vepra politike. Njeriu luftarak i letrave, strategu i rrallë i tekstit, vrojtuesi më largpamës dhe më i hollë i shtresave të krijimit, armata më e fuqishme e prodhimit të suksesshëm e voluminoz, madje dhe vepruesi me përfundim në çështjen ortodokse shqiptare dhe atë diplomatike të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, nuk ishte aspak i tillë si “i pari” i Shqipërisë. Brenda kuadrit të shfaqjes së tij dhe kthesave që pësoi dhe Shqipëria nga kjo shfaqje, pjesa më e debatuar e Nolit, politika, është shpërndarë në këto diskutime si vezhgim, për të vlerësuar aftësite e tij dhe përmes kësaj, rëndësinë e shtuar apo pakësuar në veprën “Atdheu”, e cila nuk ia kishte sjellë gjithashtu “pritjen” e tij të madhe, duke e nderur mes dilemash fillestari në përpjekjet për ta mbajtur brenda tij me forcën e mëparshme. Këtu nuk është fjala për emocionin e dashurisë ndaj vendit, që nuk e mundi si politikan, por për vullnetin që ndërtohet dhe nga kompetenca e përfaqësimit të komunitetit.
Por nuk duhen harruar dhe kushtëzimet si ato për të cilat bëjnë fjalë burime të sotme gojore të administratës për Shqipërinë në Departamentin Amerikan, të cilat janë shprehur publikisht se, kjo njohje nuk do të ndodhte për sa kohë Noli nuk do të provonte me zgjedhje të lira, sepse ai përfaqësonte vullnetin e vërtetë të popullit. Kurse përsa i përket programit të tij qeverisës, të njëjtat burime pohojne se ai ishte diçka e pamundur praktikisht prej Shqipërisë në atë periudhë. “Bisedonjësit të gatshëm”, i kërkohej veprim sipas detyrës politike me të cilën vinte. Teksti politik i Nolit, i dukur si “parathënia” edhe e një veprimi të suksesshëm politik, ka diferencë të dukshme me aksionin politik. Dhe kjo është mbetja e vetme nga tekstet i tij. Në kuptimin konkret politik, programi i qeverisë së Revolucionit të qershorit, kishte shumë më tepër nga ç’mundej Shqipëria në përgjithësi. Por kjo e fundit, është prova që ka ndodhur pas hartimit të tekstit. Një aksion është tashmë i sigurt: Noli vetë, është “shqipëruar” plotësisht si individ, deri në të qenurit përfaqësues politik i komunitetit, gjuhën e të cilëve pasi e mësoi e tejkaloi. - E shqipes u bëftë!

Pak fjalë për Fan Nolin
Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur megjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18-vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri. Vetëm më 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori. Për të siguruar jetesën, hyri në një shoqëri tramvajesh e më pas si sufler në një teatër. Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra” si dhe gazetën “Dielli”.
Noli është dëgjuar ose lexuar si prift, gazetar, shkrimtar, politikan, kritik letrar, diplomat, historian, përkthyes, madje dhe si muzikant në kohën e vet. Në vite nuk ka qenë e mundur të diskutohet mbi Nolin në vetëm njërin prej këtyre “profesioneve”. Një jetë në kufijtë e legjendës ka nisur me portretet e përfytyruara të tij. Mes te cilave ngrihet:
Heroi i misionit të kryer Biri i vetëm që “duhej me doemos... të plotësonte ambiciet e... kota” të babait të drejtuara nga të qenurit prijes ishte njeriu që “i pëlqente aq shumë adhurimi i heroit sa dhe muzika”. Njeriu që 18 vjeç nuk ishte me në vendin e tij të lindjes, por në një shtet e komunitet nëse mund të thuhet “i kundërt”(në pikëpamje të fesë dhe rivalitetit rajonal për ndikim) me atë te Turqisë, Athinë, që “të gjente një punë atje dhe të vazhdonte studimet në universitetin e Athinës” - si “karrocier trolejbuzi, kopist, sufler, aktor”, kishte qenë “Fan Noli në imagjinatën e tij, duke mbajtur Dhjatën e Re të Kristoforidhit në njerën dorë”, që “kerceu mbi kalin e tij Rosinant dhe u bë kalorës i Skënderbeut si dhe misionar i Krishtit midis popullit shqiptar”. Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” etj dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar. Ai vdiq më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

Konica, miku dhe armiku më i madh i Nolit
Një tjetër hero i Nolit brenda etikës që i nevojitej shqiptarëve, është ai që ka gjetur Konica: “Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjet. Fan Noli, (njeriu që ka lojtur roll aqë të madh në lëvizjen t’onë dhe është aq i njohur munt t’i përmendet emëri pa ndonjë titull si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli)…Heronjt’e Homerit ç’këmbejin fjalë t’ashpëra, pastaj bashkoheshin, si me parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam lëftuar aqë shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kundërshtar”. Heroi tjetër i Homerit - rivali i Nolit, me sa duket nuk ka qenë thjesht armiku i pakthyeshëm i tij. Faik Konica - njeriu që e pa Nolin si oguri i bardhë, ka mbetur padrejtësisht deri vonë fajtori i konfliktit të të dy të mëdhenjve. Prifti i bërë për herë të parë i tillë në komunitetin që udhëhiqej nga Konica, i ngritur me kalimin e kohës në meshtar, peshkop e deri kryeministër, ishte vlerësuar “me plot gojën.. . nga shoku i tij Faiku, që mbeti gjithnjë Faik i thjeshtë me penë në dorë..” “Kabineti i Fan Nolit është më i miri që munt të bëhej;...”. Kështu e gjykon Faik Konica kabinetin e shokut dhe të bashkëpunëtorit të vet Theofanit. Ai që mbeti Faik, dhe në mërgim për gjithë jetën, edhe kur u shtruan, këtu meshë, u ngritën pallate, e që grumbulluan pasuri nga njerëz, që nuk e deshën kurrë Shqipërinë, e që as e dinin në kishte një komb të tyre, “nga tryeza ku punoi Fan Noli prift” jep vlerësimet maksimale për të.

Panorama. - Nr. 880, 13 mars, 2005, f. 12 - 13