Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Manastiri i Ardenicës…Ku shqiptarët piskasin në vend të lutjes

| E diele, 27.05.2007, 07:29 PM |


Shkruan : Ben Andoni

Kapela e Shën Triadhës gjendet në pjesën verilindore të manastirit të Ardenicës. Aty ka qenë jetë e mot. Të paktën, kështu thonë. Specialistët e monumenteve e llogarisin atë të krijuar që nga kohët pagane, kur njerëzit këtu i dedikoheshin kultit të Artemidës. Me kalimin e kohës, emri do shndërrohej e ndryshohej në gojën e banorëve… derisa do të mbetej me fjalëzën Ardenica. Turqit në regjistrimin e tyre të 1431-’32, e përmendin se në nahijen e Myzeqesë ekzistonte fshati Ardenicë me tetë shtëpi. Ishte aq i njohur nami i kapelës, saqë edhe Skënderbeu nuk mund t’i shpëtonte tundimit që të celebrohej aty. Epo në atë moshë, ku burrat rëndom quheshin të vjetër, e shumë syresh ishin të vdekur prej motesh, ajo ishte boll grishje. Deri atëherë Perëndia e kishte ndihur jo pak. Të paktën e kishte lënë gjallë dy herë: nga natyra dhe nga turku.
Peshkopi i Kaninës, nga të afërtit e familjes së Arianitëve, kishte miratuar vendimin e Feudalit trim të Matit për ta celebruar. Dhe, kishte marrë përsipër vetë të gjithë ceremonialin. Më 21 prillin e vitit 1451, në mesditë, Gjergji dhe Andronika u afruan të dy bashkuar në kishëzën e Shën Triadhës… dhe ai u shkëmbeu kurorat mbi kokë… Pak minuta më vonë, Skënderbeu do të ngulej me vështrimin e tij sipër drejt këmbanares…

Në këmbanore sot është vështirë të ngjitesh. Kjo, ngaqë dërrasat e shkallëve janë rrëgjuar. Por, po të kesh fatin të ngjitesh do të rrokësh me një vështrim Krujën, malin e Dajtit, Tomorrin, Adriatikun e paanë, Karavastanë dhe deri në jug malet e Labërisë. “Eshtë me rrezik”, më thotë At Dhimitër Rredhi, që më lexon mendimet, por më shumë lutjet. Në fakt, dua t’i shpëtoj zallahamisë që kanë krijuar ca të rinj, që e kujtojnë Manastirin si kamp pushimi dhe nuk e respektojnë qetësinë. Një fëmijë më plas gati para syve një molto greke, kurse dy të tjerë… rreken të ngacmojnë një buçkane të vogël… Të gjitha para sheshit, ndanë derës kryesore të manastirit.
Dera u mbyll me zhurmë. Çelësi i stërmadh ciati frikshëm. Prifti Marko hodhi dhe një sy përreth dhe u nis. Pak ditë më vonë lajmi do merrte dhenë. Ai gjeti kufomën e shenjtit Kozma të hedhur në lumë nga suvarinjtë turq. Në “Martirdogun”, Shën Kozma Etollosit, përshkruar nga Shën Nikodhimi do të shkruhej: Pas tri ditësh një prift i përkushtuar, i quajtur Marko, që shërbente në manastirin e Ardenicës, pranë fshatit të Kolkondasë hipi në një trung, bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Gjatë ecejakeve të tij me barkë përgjatë lumit Seman ai gjeti trupin e të shenjtit, i cili qëndronte mbi ujë sikur të ishte i gjallë. Pasi e nxori nga lumi ai e veshi kufomën me rrasën e vet dhe e varrosi atë në kishën e Shën Mërisë së Kolkondasit. Vite më vonë, Ali Pashë Tepelena do të ngrejë manastirin e Shën Kozmait, këtë qendër të rëndësishme të kristianizmit në Myzeqe.

Sot…

Me At Rredhin përshkojmë me hapa të ngadaltë hapësirën, duke iu shmangur me kujdes fëmijëve dhe të rriturve, që më duken po kaq të rrëmujshëm. Pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret përrreth manastirit krijojnë edhe me natyrën paqen e mrekullisë. Këto nuk thonë shumë për turistët vendas. Të imbarkuar me autobusë të mëdhenj, nxënës, studentë, vijnë, shikojnë, ikin pa asnjë emocion një nga mrekullitë e ortodoksisë shqiptare. Pak e respektojnë kishën e madhe, ku është punuar mrekullisht në afresket nga duart hyjnore të Zografëve. Kudo has në piskama dhe nxënës që luajnë gati ngriva-shkriva. Disa nëna, bërtasin më shumë se fëmijët. I pafuqishëm, një nga punonjësit e mirëmbajtjes, mundohet të verë rend, por duke u çapëlyer më kot, në të gjithë hapësirën e kishës. Dikush vikat nga froni, ku lexohet ungjilli, kurse fëmijë dhe të rinj të tjerë kalojnë me vështrime të hardallosura dhe prekin ikonat… “Kur vinë grupe dhe shkolla të larta, ata janë më të shfrenuar se fëmijët... Nuk ngacmojnë, por janë të zhurmshëm”, ul kokën turpshëm prifti. Nga amvona, ku dhjakoni sipër lexon ungjillin, dëgjoj çapitjen e dy vogëlushëve, që i trimohen njëri-tjetrit. Të mjafton, një shikim i përgjithshëm për të kuptuar respektin për religjionin. Në këtë shushatje, më kthjellon sërish prifti. “Në manastirin tonë nuk kanë njohuritë e duhura për këtë punë. Vinë shkollat, grupet. E quajnë thjesht si pikë turistike, sepse kaq u kanë thënë. Kur u themi që duhet ruajtur qetësia... ata nuk e kanë idenë se çfarë është manastiri”, shpjegon ati. “Nga fshati ka një grup katekizmi dhe një grup që ka mbaruar shkollën e Shën Vlashit. Ata merren...”. Për fatin tonë, ai është duke pritur një grup që do të shoqërojë një besimtar, që do të pagëzohet. Por, ata nuk duken. Më tepër as nuk lajmërojnë. Kohën që mbetet e shfrytëzojmë ne.
“Unë jam prifti i kishës së manastirit derisa të ketë një komunitet të mirëfilltë vëllezërish... atëherë manastiri do të jetë vetëm për murgjit. Banorët e fshatit Ardenicë dhe Kolonjë janë njerëzit, të cilët janë edhe më të lidhurit me meshën”. Jam kurioz për murgjit. “Ka disa gjëra, rrëfen prifti. Kujt i vjen duarsh, bën gdhendje, kujt me pikturë ikonografi dhe pak gjëra të tjera… dhe kemi marrë edhe ullinjtë e manastirit në kujdestari. Janë të integruar me jetën e vëllazërisë, sepse ai vjen me vullnetin e tij të lirë. Pas një kohe që quhet kohë prove, që zgjat minimalisht 3 vjet, shikohet dhe vlerësohet ecuria dhe jeta e tij dhe ai mundet të qethet. Por, janë ata vetë që duhet të vendosin. Jeta e tyre është e thjeshtë dhe nuk ka preferenca dhe komunikime. Ai kreshmon. Ushqehet pa vaj, pa bulmet dhe pa mish”... Por, manastiri ka ende problem me pronat, ashtu si objektet fetare në përgjithësi. Ndërsa, Ati i ri, që ka kryer shkollën gjatë viteve 1993-1995, nuk dëshiron t’i futet këtij diskutimi pa fund.

Shkatërrimi

Ndalet ndanë Shën Triadhës: “Shkatërrimi kaloi dhe erdhi një periudhë tjetër shndërrimi i manastirit për turizëm. Qelat u kthyen në vend hoteli, ndërsa mjediset e tjera taverna, bare...dhe ... “Kjo është kisha e Shën Triadhës. Ne themi Paraklisë”... Në vitin 1922 u rindërtua themelisht Shën Triadha dhe katër dhomat prej kujdestarit të këtij manastiri ..Bozo…”, është shkruar diku. Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, ndërsa pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike dhe një bazoreliev, që besohet se mund të jetë Artemida. Sot, ajo të trondit me punët dhe kujdesin ndaj saj. Kanë futur kaloriferë dhe në përshtatjen me kohën e re, ajo nuk të grish për asgjë historike.
“Këtu ka qenë dykatëshe, dhe këtë e kam dëgjuar nga ata që e kanë jetuar dhe kur nuk kishte spitale- këtu mbaheshin të sëmurët mendorë...Poshtë ishin katakombet dhe këtu kanë qenë edhe varrezat... Eshtrat i vendosim sërish këtu...”. Ky kryendërtim ka shumë edhe nga realizimi arkitektonik: “Nuk bëhet fjalë për burime, por është manovruar me ujësjellësin që vjen nga Libofsha dhe shkon në Kolonjë. Këtu ka qenë një depozitë uji dhe ne kemi instaluar dhe e sjellim deri këtu. Dikur ishte një stere e vjetër dhe i gjithë uji ishte në funksionim me stere dhe me ulluqe”. “Shiko këtu!”, më thotë befas... Është kjo stera dhe në harkoren poshtë ka një çezëm me ujin e shiut.

Arkitektura

Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks dhe ka një sipërfaqe me konaket, që i janë shtuar më vonë, prej 2.500 m². Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri i vajit, furra, stalla etj... Mullirin nuk e hapim dot, por ai është në hyrjen kryesore. Kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi, është kryevera e këtij vendi, por që e shijoj vetëm kur largohen të rinjtë pak nga pak. Kjo kishë e tipit bazilikal është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Kurse mjediset e saj janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, dhe këmbanorja e lartë 24 m. Nuk e kam fatin që t’i ngjitem. Një “Jo” miqësore rrjedh nga sytë e priftit. Portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe është në jug. Ndërsa, naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe mjediset e narteksit dhe egzonarteksit.

Një qendër e jashtëzakonshme kulture

Në një vend ku tash duken gjurmët, sesi mund të kish qenë më parë, dikur ka qenë një bibliotekë. Prifti i thjeshtë e mburr dhe më rreshton një varg pa fund mrekullish.
Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Ishte aq e pasur saqë nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. At Rredhi, falë njohjes me një prift grek, ka parë dhe disa nga manastiret e Malit Athos. Shekulli XVII - XVIII, me ndihmat e shoqërisë voskopojase “Shoqata e Manastirit të Ardenicës”, sillte librat nga Evropa Perëndimore dhe bashkë me to edhe nga Hungaria e Polonia. 32.000 vëllimet e çmuara të tij u dogjën nga zjarri në vitin 1932. Në fakt, qysh prej vitit 1780, në Manastirin e Ardenicës u hap edhe një shkollë e tipit të ulët në gjuhën greke. Qëllimi i saj ishte përgatitja e klerikëve të thjeshtë, për nevojat e kishës ortodokse. Lëndët bazë ishin Bibla, Liturgjia dhe greqishtja. Gjatë rilindjes kombëtare shkolla e Manastirit të Ardenicës u bë një nga vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku doli një brez i tërë shkollash. Në vitin 1817, shkolla e ulët në manastirin e Ardenicës u shndërrua në gjimnaz, i cili ishte pajisur edhe me konvikt, shkak ishin lëndët bazë të kësaj shkolle. Nga bankat e saj dolën edhe priftërinj që u ngritën në karrierë, si për shembull: Peshkopi i Beratit, Josifi.

Rekuiem shkatërrimi

Nga aty erdhi dhe u afrua Imzot Banushi, që tash e kishin katandisur në një të internuar të thjeshtë. Turma po vinte të shkatërronte gjithça. Ishte katrahura e viteve ’60. “Ka qenë një peripeci. Kryepeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Iren Banushi, një nga figurat më të shquara të klerit ortodoks kaloi vitet e fundit të jetës”. Nuk u mbyll me kaq. “Në vitin 1997 e mbrojtën vetë djemtë e fshatit, ndërsa ata që ishin ato ditë u identifikuan më vonë se nuk ishin vetëm myslimanë... Na vjen keq. Ata nuk ishin nga përreth, por ishin nga fshatrat e Lushnjes dhe vinin për të shkatërruar. Ata vinin për të marrë vlerat dhe për t’i shitur...”. Ndërrojmë bisedë. “Edhe disa ikona na i kanë marrë nëpër muzera, por nuk kthehen. Kemi kërkuar që t’i kopjojmë dhe t’i sjellim. Në kisha të tjera nuk kanë fare të paktën”. Por, shkatërrimet nuk ishin kaq. Dikur ka pasur një bibliotekë, e cila është djegur herët më 1932 aksidentalisht...
Ndërsa, Imzot Banushi nuk mundej më, kur dëgjonte të tallurat e të rinjve fshatarë, që kishin ardhur të prishnin mbeturinat e fesë. Ai u ka dalë grupeve të shtyra që të shkatërronin dhe u foli: Nëse ju do të shkatërroni këtë manastir, nuk është vetëm se do të shkatërroni një institucion fetar, por po shkatërroni kulturën e një vendi. Ky ishte frenimi i parë. Pastaj ishte ushtria në dhomat përreth, ku ndodheshin qelat e murgjit, që la edhe ajo shkatërrimet e saj. Epilogu ishte kur nuk kishte më dorë fare dhe shirat binin dhe pak nga pak shkatërruan çatitë...dhe afreskat. Këto sot kanë mbetur si provë, në skajin më të epërm të një konaku ndanë Shën Triadhës. Dora e një mjeshtri kishte vendosur katër pjatëza porcelan, muruar. Aty gjenin të zbaviteshin oficerët e Armatës Popullore shqiptare në vitet ’70. Oficerët e rinj, të pamësuar me luftë, por që dëgjonin në çdo kohë luftë, e gjenin në këtë mënyrë argëtimin e tyre… “Kanë qenë katër pjata në formë kryqi dhe në kohën e ushtrirë bënin qitje oficerët me pistoletë...Ja ku duket që ka shpëtuar vetëm njëra..”, më tregon me keqardhje At Dhimitër Rredhi. Pak minuta më vonë, të dy tresim vështrimin mbi hapësirën që zë shteg nga kodrina e manastirit, që ruan lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit. Eshtë vetëm 10 kilometra nga qyteti i Fierit dhe në një vend, që mund ta prekësh pas një udhëtimi prej gati 1.5 orë nga Tirana, të duket se mbetet veshur me mister. Pas një udhëtimi në “fund të botës”, nga punimet e pafundme në këtë segment, ti mbërrin mes vuajtjeve të rrugës që nuk mbarojnë.

Ikonografia në të

Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore. Më 1282 Ishte perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Historianët mendojnë se ka qenë pikërisht kapela e vogël e Shën Triadhës, që e ka stimuluar këtë vendim. Pranë këtij tempulli kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Zografët na kanë lënë punë dhe në bazilikat e Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin Athos në Greqi, ku kanë treguar talentin e tyre. Ikonografia e saj pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt”, etj… Nga Dr. Zeqo njoftohem se në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar edhe muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, falë bujarisë së esnafëve të bakërxhinjve dhe muratorëve voskopojarë, ç’ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan Pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj. Besohet se në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar edhe princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë. I gjithë ky përshkrim, që mund ta marr nga gjërat që kam lexuar të sjell dhe nderimin për klerikët e përkushtuar. Në këtë vend Igumeni, Nektar Terpo me origjinë nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja, e shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në shkollë nga grekët. Teksti shqip i shkruar në alfabetin grek është i tillë: “Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete”, nënshkruar nga autori: Hieromonah - murgu, Nektarit.

Ardenica nuk mbaron këtu. Njësoj Skënderbeu atë ditë kishte pse të krenohej. Po lidhej me Arianitët dhe po e merrte uratën, pikërisht në këtë tempull të mrekullueshëm të Zotit. Koha do tregonte se nuk gaboi, kur e mori bekimin këtu. Mbetem me një plakë gati të verbër, që gjoja na ruan makinën. Të bijtë e kanë lënë, ndërsa ajo më bekon ngatërrueshëm. Ndahem mirë me të dhe i uroj jetë të gjatë, ashtu si edhe manastirit, që më ka falur ndjesi aq të paqme. E kam dëshmitar “Lindjen e Shën Mërisë” për këtë. Kthehem në normalitet. Aksi Fier-Lushnjë është një mësues i mirë për këtë. Eshtë pranvera e mesit të vitit 2007.