E merkure, 17.07.2019, 02:46 PM (GMT+1)

Reportazh

Në trojet e legjendës së Lekë Zaharisë

E marte, 27.03.2007, 08:26 PM


Shkruan : Ben Andoni

Nuk ka mbetur më asgjë. Ka qindra vjet, që edhe bari, ka harruar të mbijë në këtë vend. Në vend të tij, shkurre pa fund dhe mbeturinat e shoqërisë së konsumit, të ngjitura lbyrshëm në shpatet e Vaut krenar, rrethojnë Kalanë e Danjës. Për fat, të paktën, nuk ka humbur shesh-shikimi. Poshtë meandron prej vitesh i mpakur Drini, ndërsa dy diga të stërmëdha i ka bërë fre në anën tjetër, lumit më të madh të shqiptarëve...Pesë shekuj më vonë, njerëzit e Danjës nuk kanë kujt ti marrin taksa, ndërsa pas ndërrimit të sistemit rrotullohen më kot, për t'i vjelur tribut hiçit. Një i tillë, Gjon Beja, gati 60 vjeçar, që pretendon se është nga fiset më të vjetra, vjen sapo dëgjon të huaj në Dejë...Ka qenë bash i ri, kur komunistët e hodhën në erë kapelën e vogël, ku preheshin eshtrat e Lekë Zaharisë. Nuk ka bëzajtur. Ishte koha e Qoftëlargut.

Drejt Vaut të Dejës

Janë më pak se 20 minuta, që të duhet të përshkosh rrugën në të dalë të Shkodrës dhe t'i afrohesh Dejës. Deri më aty, nuk ka asnjë shenjë rrugore, ndërsa për amatorët e pak-mbetur të turizmit kulturor, mungon dhe tabela më e vogël e orientimit. Por, kjo nuk do të thotë se edhe atje, nuk do të gjenden policë. Në krye të detyrës, një i tillë syresh, me barkun e fshehur dhe i vetmuar bashkë me rrugën boshe ndanë hekurudhës, të bën me shenjë të ndalosh. Duket qartë se ka nevojë për muhabet. "A mund të na orientosh drejt Kalasë së Danjës", e pyes pa më pyetur. "Nga ta di une", përgjigjet polici, që i dukemi si një njësit të çmëndurish. "A po t'duket vetja në film", ma kthen. Çuditërisht, një anëtar i policisë i veshur civil beratas, tregohet i gatshëm..."Do shkosh në fshat, pastaj do marrësh majtas, para digës së Hidrocentralit e do të ngjitesh sipër", më sqaron. "Nuk kam lënë kala pa parë", më thotë pak minuta më vonë me krenari. Kaq mjafton. Nga ai marrin drejtimin e vetëm të udhës sonë. "Ju duhen rreth 30 minuta, po i dilet. E kujt ka qenë...", pyet. Historia e Lekë Zaharisë e kënaq dhe këtë e shpreh me shpupulisjen e qerpikëve të shuar. Nuk ka faj, këtu ka vetëm gurë, ndërsa asgjë nuk i shkon masturbimit të tij mendor.
"Dy orë e gjysëm larg Shkodrës, mbi bregun lindor të Drinit të bashkuar, ndodhet kalaja malore e Danjës (Daino), që njihet nga historia e Skënderbeut, por që tashmë është e shkatërruar...". Referenca e Hanit, nuk na hyn në punë. Kanë kaluar 100 vjet ndërsa mjetet e përdorimit i kemi krejt të kundërta. Ai me kal dhe me udhërrëfyes që e kuptonin me vështirësi, ndërsa ne me një benz të tipit të vjetër..., por me njerëz gjithaq të pakuptueshëm. Në fakt nga Shkodra për në Vaun e Dejës ka ekzistuar një rrugë që në kohët e lashta, sepse marrëdhëniet e këtij qyteti me banorët e maleve, e bënin shpesh të nevojshme këtë gjë. Duke iu afruar shikohet qartë se gjithmonë vendi më i përshtatshëm ka qenë gjithmonë atje për të kapërcyer Drinin. Hamendësoj se ka qenë njësoj, qysh në kohën kur lumi kapricioz- dilte dhe merrte rrokopujën drejt fushës…Ndaj në të majtë të Vaut, njerëzit e qëmotit e peshuan se do ishte mirë, që atje majë shkëmbit të ngrihej kalaja e Danjës. Leka Zaharia ishte i fundmit, që e mbajti titullin... Specialistët nuk mëdyshojnë se në atë vend duhet të ketë pasur fortifikime që në kohët e lashta. E parë nga poshtë, ku nuk duket fare, kjo hipotezë është mëse e besueshme. E kur mendon se nga Vau i Dejës takohej dikur edhe rruga që vinte nga Lezha nëpër Zadrimë, atëhere bindesh. Kështu, të dy rrugët të bashkuara në një, i kalonin vendasit më pas përmes maleve për në Kosovë, Maqedoni dhe Danub…më poshtë.

Duke gjetur rrugën

Bëjmë ashtu si na thonë. Futemi pas malit në një peizash që duket si imagjinar, ku perspektiva mbyllet në një grykë malesh të larta, që i ka çarë në shekuj Drini. Ndjekim pjesë rruge pa rruge pas malit të Dejës dhe aty ndalemi para Drinit, që është vendosur në zap nga historia e krahëve të fortë të Enver Hoxhës. Një banor i mbetur, tmerrësisht i shkurtër, me një palë syze të trasha, është e vetmja krijesë në këtë vend. Para njërës prej digave të Vaut të Dejës, ky personazh dalë nga kuadrot e hershme të filmave vizatimorë, duket se ka vendosur të ekranizohet i gjallë. Ndaj, teksa rreket poshtë këmbëve të mia, që të imbarkojë një komordare të madhe zetori, e shikoj i habitur. Pa gojë e ndjek e bindur e shoqja. Por, ajo që shikojmë pak minuta më pas, është më shumë se mbresëlënëse…Ngjiten me të shoqen sëbashku dhe në ujin e ftohtë, hedhin një rrjetë të stërmadhe, që të sajojnë mbijetesën e tyre…

Në Kala

Me burrin e shkurtër merremi vesh thjesht, dhe ai na tregon monopatin nga ku do pushtojmë Dejën. E lemë pas peisazhin surreal, ku dominon peisazhi grykor dhe një digë e madhe përpara, për të fituar lartësi drejt kalasë. Për 20 minuta pastaj rreshtin fjalët, sepse përmes një shkurrnaje ngjitemi drejt Kalasë, duke dihatur. Ndërsa ngjitemi, pak objekte të hedhura, të lenë të kuptosh se të tjerë kanë mbërritur para teje. Për çfarë? Pelegrinazh! Ajo që duket pak nga pak është mbresëlënëse, por më e çuditshme është mbartja e të vdekurve, që banorët i kanë prehur në Kishën në masë të Dejës. Ky na zbulon edhe misterin e mbeturinave të rrugës. Pa kulm dhe rrethuar me varre të rinj, kisha e Shën Markut, qëndron e vetme në këtë mal. Pak orë më vonë, banorët do na tregojnë se banorët autoktonë e kanë për nder të varrosen aty. E lemë për ta riparë, pak më pas, sepse ajo që duam të arrijmë është Kalaja...
Dhe ja pesë minuta më pas shfaqet ajo. Të duket se zotëron të gjitha rrugët e vjetra të kohëve, kurse e gjithë fusha poshtë saj, bindet e shtriqur në një zali motesh. Kur mbërrijmë tek ajo, është i pashmangshëm zhgënjimi i arsyeshëm. Një grumbullnajë gurësh, ndërsa format e mureve duket se i shkojnë më shumë terrenit. E përbërë nga dy pjesë, për njerëzit- interesant mbetet vetëm një pirg i rrumbullakët i anës jugore, që duket se e forcon hyrjen kryesore. Përbërësit e saj janë gurë të thjeshtë, por të lidhura tmerrësisht keq me llaç. Vite më parë, studiuesit e Institutit të Monumenteve kanë parë diku të skalitur vitin 1465 dhe inincialet I.H.S. Në të majtë shikohen ende kanalet e boshteve, ku mbaheshin dyert, ndërsa shtriqet pa fat një trakt harkade. Qartazi ka vite që askush nuk ka mundur të jetë ngjitur këtu. Të gjitha traktet e mureve janë dëshmi se paraardhësit nuk kanë punuar me ndonjë interes të veçantë. Kalaja ka një sheshnajë, relativisht të madhe, por mjeshtrit e kanë përshtatur të gjithë sipërfaqen e saj konform relievit. Specialistët besojnë se ka pasur ndërtime qysh më parë se koha mesjetare. Më duket pak si e stërholluar, që ky vend ka qenë kaq i dashur për Venedikasit. Por faktet i hedhin poshtë argumentat. Flamuri i Shën Markut ka qenë valëvitur këtu. Ky vend ka qenë një shkak i vjetër sherri i Zonjës së detrave dhe Skënderbeut. Këtu ndalojmë, ndërsa ambjentohemi në pikat e horizontit, ia vlen të kujtosh historinë e dashurisë së Lekës, princit shqiptar...

Një histori e madhe dashurie

Vërtet. Ka kohë në këtë zbrasëti, teksa hulumtojnë një peisazh të mrekullueshëm, që të rrethon nga poshtë. Dikur ky vend, ashtu si e gjithë edhe Zadrima bënte pjesë në zotërimet e Dukagjinëve. Disa qëndra të zhvilluara të saj, ishin në zotërimet e Zakariasve dhe të Dushmanëve. Deja, që tashmë është gërmadhë, kishte të ardhura të mira për arsye se kishte kontrollin doganor të tregëtisë së Venedikut (përfshirë edhe tregëtinë vendase të rrethinave të Shkodrës, Lezhës, Drishtit e Ulqinit) me Prizrenin, Nishin e brendësinë e kontinentit, ndërsa Shati (zotërimi tjetër i Zaharisë) ishte qendër administrative religjioze...E kush do të mund të martohej me Jerinën, të bijën e Lekë Dushmanit që kishte në zotërim prona të konsiderueshme do të trashëgonte edhe tokat pjellore në Zadrimë, që ishin "Hambari" i Shqipërisë veriore të asaj kohe...Por ishte gjallë Leka i madh.

Dashuri mesjetare

"Dukagjini oe paemër, Dukagjini oe tradhitur" është një këngë e Llesh Dukagjinit. Ajo i kushtohet dashurisë së madhe së Zaharisë për Irenën dhe vrasjes së pabesë, që atij iu bë në pusi nga Dukagjini. Lekë Zaharia iu bë pritë nga një grup njerëzish të panjohur, kur po shkonte të kërkonte dorën e Jerina Dushmait. Ai u vra sëbashku me mikun që e shoqëronte. Ishte Bozhidari, nipi i Stefan Crnojeviçit, kapedani i Malit të Zi. Ndërkohë që Lekën e kishin paralajmëruar të ruhej nga Lekë Dukagjini, "sepse mund të hakmerrej" për shkak të Jerinës dhe të plagëve, që ai i kishte falur Dukagjinit në duelin e famshëm të Muzakinës. Sipas një gojëdhane tjetër, Lekë Zaharia u vra në Ishull të Lezhës ku kishte qenë i ftuar prej Lekë Dukagjinit për të gjuajtur derra të egër. Sirdani, që citohet, shton se megjithëse e ëma e kishte paralajmëruar…
Duke filluar nga Tivarasi/Biemi dhe Barleti deri te Gegaj e Noli të gjithë e bëjnë autor të kësaj vrasjeje Lekë Dukagjinin. Barleti shkruan se Lekë Zaharia u vra me të padrejtë nga Lekë Dukagjini, biri i Palit, "ky (Leka) qe një burrë i dëgjuar për sukseset e shumta që pati në qëllimet e veta të këqia", e citon Tonin Çobani në monografinë e tij kushtuar Lekës Dukagjini…
Jerina Dushamani tërhoqi në atë kohë vëmendjen e dy princërve, të cilët njëri pas tjetrit kërkuan dorën e saj duke ia lënë në dorë zgjedhjen vetë princeshës. E padjallëzuar, pinjollia e Dushmanëve, i thirri zemrës duke marrë përsipër në histori, edhe tragjedinë më të madhe princërore shqiptare. Ajo zgjodhi Lekën Zaharia. Dukagjinasi nuk mund të pranonte zhgënjimin, ndaj i kërkoi duel kundërshtarit duke e kthyer gati në mort dasmën e Kastriotëve me Topiasit më 26 janar të vitit 1455. Noli, si zakonisht i përçartur, për t'i bërë gjërat homerike e eksagjeron pa masë: "Njëqind e pesë të vdekur dhe pothuaj dyqind të plagosur kishin mbushur fushën e betejës". Duhej të futeshin Kont Urani dhe Vladan Juriçi, nipi i Skënderbeut, që gjakrat të pushonin. Ajo që rrodhi më pas ka mbetur e pazbuluar, por shumë ia kanë veshur në kurriz Lekë Dukagjinit. Noli e eksagjeron: "Njëqind e pesë të vdekur dhe pothuaj dyqind të plagosur kishin mbushur fushën e betejës".

Pjesë nga historia

Që nga vdekja e Lekës ky vend nuk do gjente më qetësi. Dhimitër Frangu, citohet të thotë se kjo vrasje u bë shkak i luftës shqiptaro-veneciane. Lufta filloi vërtetë pas vrasjes së Lekë Zaharisë dhe kuptohet se synoheshin pronat e tij. Të interesuar për pronat e tij ishin venediakasit, por edhe vetë Skënderbeu. Ky i fundit kishte një kontratë morale me Zaharinë, sipas të cilës, kush do të vdiste i pari prej tyre dhe nuk do të kishte ende fëmijë trashëgimtarë, principatën do t'ia linte shokut. Nëse vdiste Zakaria, marrëveshja e bënte Skënderbeun zot të Dejës dhe të Shatit, pasi të kishte vdekur Bora, e jëma e Lekës. Pas vrasjes në pritë të Lekë Zaharisë, Skënderbeu dërgoi në Dejë Kont Uranin me një kontigjent ushtarësh për të siguruar pronën e tij të ardhshme.. Por ishte vonë, sepse Bora Zakaria kishte ngritur ndërkaq flamurin e Venedikut. Gruaja e vjetër kishte kërkuar ndihmën e Venedikut duke ua dhuruar pronat atyre dhe duke injoruar marrëveshjen e të birit me Skënderbeun…
Por Dukagjinasit nuk qëndruan në hije: Nikollë Dukagjini pushtoi pronën tjetër të Zakarisë, qytezën e Shatit disa kilometra më në jug. Një marrëveshje u bë mes 18 gusht 1458, ku thuhet se "Skëndërbeu duhet të fillojë luftën kundër Lekë Dukagjinit dhe të vazhdojë krahas Sinjorisë deri në shkatërrimin e plotë të tij. Pasi Leka të shkatërrohet, Sinjoria do të marrë Dejën dhe tokat e juridiksionit të saj, të cilat ajo i ka pasur më parë. Pjesa tjetër do të ndahet mes Sinjorisë dhe Skënderbeut", përmëndet në një referencë të Kristo Frashërit...

Dejanët e sotëm

Historia mjafton për ta riparë, por teksa ulemi na duhet të gjejmë rrugën më të mirë drejt fshatit. E gjejmë rrëzë një tubi, uji që zbret nga Deja. Pak përpara shikojmë kishën e Shën Markut, që tashmë ka mbetur pa dritare dhe kulm, ndërsa njëra anë e saj shikon mi digën e liqenit. Pak varre të rinj të thonë se banorët e lakmojnë këtë truall. Ulemi poshtë, por fshati është i mbushur ma gardhe, që nuk kalohen dot. Pak histori ka mbetur për tu hulumtuar nga dejanët e sotëm. Ata janë të ardhur prej Malësisë së madhe, kur shumica janë bërë dora-dorës muslimanë nga vitet e 1600-ës. Banorët e parë që has në fshat, kur zbres më orientojnë tek ai. Amator dhe kulturdashës, ai shfaqet menjëherë dhe i gatshëm të flasë. Pa e ngucur fare, Gjon Beja, ish-kryeplaku simpatik, më tregon toponiminë e vendit, por edhe fiset e sotme: Elez Aga, Muhamet Hoxha..ose Lan Mehmeti... Hoxha, Piraj. Po katolikë?-e pyes. "Vendalinj jena na", më thotë krenar.
"Kena ken katolik. Kemi qenë e vetmja shtëpi sepse të tjerat ishin muslimanë. Janë gati 400 banorë dhe 100 shtëpi. Që nga salla e makinerisë dhe deri këtu jemi na. Ka dhe Shpendë. Këta janë prej veriut dhe kanë ardh të tan nga hidrocentrali. Të gjithë janë të ardh. Ky asht invalid dhe mundohet për më majt familjen", më thotë për dikë, që më qesh pafajësisht. Ka dukagjinas, por të gjithë për ironi të Princit të tyre shkojnë mirë me ta, ose më mirë pak e dinë. Gjoni ka një vajzë në emigracion, ndërsa dy "djeltë i ka këtu". Më tregon se ka qenë i ri në Ardenicë dhe ka bërë kryqin, që ta besonte roja dhe donte të shikonte vendin, ku dikur ka luftuar Lekë Zaharia me Lekë Dukagjinin. E pyes për vorret sipër. Më tregon se banorët e një lagje, i bartin atje të vdekurit e tyre dhe të varrosesh në Dejë, sipër, është krenari. Por, të rinjtë e sodit, janë pak krenar, për ato që tregon Gjoni. Do të më dërgojë në kishën e Shën Mërisë (Marinës), atje ku është varrosur Leka. "Kanë gjet një kryq ari, kur ka shpërthy. Atje në fund ka studiuar Dhorka Dhamo bashkë me Fatbardha Shkupin". Por shkëputet, sepse rrëfimi i tij tash ka formën e vrasjes, që i bënë kishës së njohur komunistët.
"Kolonën e kanë ba me dinamit, ndërsa ketu tek absida kanë fut minat. Kur kanë vu minat kisha asht ba si kryq. Kanë vendos minat ma thellë. Ka qenë Mehmet Shehu në kohë të partisë që i thanë që duhej me e hedh. Në fakt, kur kalonin njerëz bënin kryq. Doli uj ...dhe gurët u deformum. Copat e kishës janë aty, ato janë copat e kishës së vjetër...", më rrëfen pak çapraz, teksa i jemi afruar me këmbë në qendër të Vaut të Dejës kishës së përfolur. Në këtë kishë ka meshuar Dom Nikoll Sheldia, Dom Suma, Dom Lazër Leci. "Bash në këtë kishë. Kjo është ngritur në kohë të hershme me t'bardh veje. Këtu kanë ken kolonat e hajatit të kishës më parë, tash", më tregon me keqëardhje rrënojat e kishës shpërhapur ngado. "Kam qenë 13 vjet kryeplak. Pisllëk i madh dhe bashkia nuk vu dorë në kët vend..Bashkia ka shtru një rrugë deri te shtëpia e kryetarit dhe një rrugë deri te xhamia dhe kaq...".

Për Kishën

E ndërtuar në këmbët e malit të Dejës, kisha e Shën Mërisë përmëndet si qendër peshkopale, që në vitin 1361. Kjo kishë njëfeshe ka qenë romaniko-gotike dhe e veçantë në stilin e saj. Ka qenë kapelë. "Por Dom Nikoll Mazreku punonte dhe kujdesej për pikturat duke i bërë me dorë. Ai punonte dhe si marangoz", më shpjegon Gjoni, që i pëlqen të flasë pa fund . Në kohë të kapriçove të Drinit, uji e fuste lymin brenda. Gjithsesi kohë të shkuara. Ngaqë, në vënd të saj, tashmë kanë mbet gërmadha, ndërsa gurët janë të përhapur ngado. Në kishën e re, që është shumë më e madhe por me më pak histori, shikojmë dhe ish-kishën e vjetër, që të zhgënjen me përmasat e saj. Në absidën e të vjetrës, besohet se është varrosur Lekë Zaharia, por asnjë shenjë nuk e provon këtë. E ndërtuar me mermer të bardhë, e vjetra, përbën një dëshmi me vlerë për zbukurimet e përdorura në kishë dhe shijen arkitekturore të kohës kur është bërë. Pragu i saj njëcopësh zbukurohej me një shirit trekëndshëshash në pjesën e sipërme dhe me shumë motive të stilizuara në pjesën e poshtme..Muret e kishës ishin ndërtuar me gurë gëlqerorë të gdhëndur dhe të lidhur me llaç gëlqere me fuga të holla në anën e jashtme. Kisha ka qenë mbuluar me çati dyujse e tjegulla vendi të lidhura me llaç gëlqereje për shkak të pjerrësisë së madhe...
Aty është mali i Raboshit, këtej herë Zeqana e Bushatit dhe këtej Deja..., më kthjellon Gjoni.
Këtu mbyllet. Dhe, kaq të mjafton nga Kisha e Vaut të Dejës. Nuk di ç'te them më, sepse shumë nga dejanët e sotëm, as nuk kanë qenë ndonjëherë sipër. Sytë na treten tek një zadrimore e vjetër, që më shikon e patrazuar. Dielli e përkëdhel në ikje, fytyrën e saj të rreshtur, që është në prehjen e fundit bashkë me perëndimin e ditës. Kjo dëshmitare e kohës së re, hesht, ndërsa ne rendim sikur duhet me e kap në ikje Perëndimin. Nga larg shfaqet sërish Danja dhe historia e saj. Por, tashmë e pushtuar. E përsëri kotet në pafundësi. Dimër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT