Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: Prof. dr. Nexhat Abazi, Personalitet i shquar i shkencave pedagogjike dhe i kulturës shqiptare

| E hene, 09.11.2009, 09:00 PM |


 Prof. dr. Nexhat Abazi
Prof. dr. Nexhat Abazi
Me rastin e vdekjes se Prof..Dr. Nexhat Abazi


Prof. dr. Nexhat Abazi, Personalitet i shquar i shkencave pedagogjike dhe i kulturës shqiptare

Nga Prof.dr. Avzi Mustafa
                
Është vështire te shkruash për një mik,  koleg, bashkëvendës, për një njeri me të cilin vite me radhë ke qenë bashkë në fakultet, në ndeja të ndryshme kudo që e kërkonte nevoja dhe nevoja për të punuar ose për të respektuar ashtu siç dinte ai të punojë e të respektojë.  
 Të pish kafenë dhe t’i shikosh fotografitë e kujtimeve të rinise dhe të bësh shaka e batuta e nesër papapritur ta humbësh e ta mbulosh me dhe në varr është e pabesueshme dhe e dhimbshme. Dhimbja është e madhe si për familjen ashtu edhe për te gjithë ata që e njihnin, sidomos për koleget e studentet. Me te degjuar lajmin e hidhur per vdekjen e Nexhatit, secili prej tyre kishte se ç’thoshte e të tregonte për të.

NEXHATI MBETET SHEMBULL

Punoi me përkushtim, shkroi e botoi me shume se dy dekada. Ai la një trashëgimi të pasur të botuar në mbi 200 artikuj, la 5 libra të botuara e 5 dorëshkrime si dhe një arkiv të pasur e një biblioteke me një numër mbi 5.000 titujsh. Ai mbetet një nga dijetaret dhe hulumtuesit e denjë në fushë të pedagogjisë e të kulturës shqiptare në përgjithësi.  
Megjithatë caktimi i Zotit ishte ndryshe – Ai na e mori Nexhat Abazin dhe  bashkë me të edhe një thesar, një drite dijesh një njeri me virtyte e karakter të rallë. Me të vërtetë është e pabesueshme dhe shume rëndë te bindesh se fizikisht nuk do ta kemi  më Nexhatin. Por, kur e kemi ndër mend punën e tij studiuese ne lëmin e pedagogjisë, brenda dhe jashtë Maqedonisë, mbi të gjitha për mënyrën e konceptimit dhe paraqitjes ne ligjërata, mbetemi të bindur se megjithatë emri i tij mbetet i pavdekshëm. Ai shquhej për mjeshtëri të veçantë në mësimdhënie. Ligjëratat e tij nga ndiqeshin me shumë interes, sepse ai dinte t’i përgatitë me nivel shkencor e me një paraqitje shumë të qartë e te kuptueshme, duke komunikuar ashtu siç e kërkonte mësimi bashkëkohor. Ishte i lirshëm në komunikim, i afërt me studentet, i papërtueshëm në dhënien e ndihmës, e sidomos në ngritjen e kuadrit të ri. Ai ishte  shumë modest.
Nexhatin do ta kujtojmë si njeri të dashur, njeri gojëmbël dhe buzagaz. Kështu e kishte falur Zoti: të qetë, tolerant, bujar, të dashur e të ndergjegjshëm. Nexhati te gjithëve u hynte ne zemër, sepse ai dinte se cfare gjuhe të përdorte në raste hidhërimi  ose gëzimi. Ai ishte zemërgjerë e shpirtmadh.

SHKENCETAR I SHQUAR  

Humbja e prof. dr. Nexhat Abazit, përveç dhimbjes së thellë që u ka shkaktuar njerëzve të tij të dashur e familjes si dhe miqve e kolegëve të shumtë, pa dyshim është një humbje e madhe edhe për shkencën e pedagogjisë në Maqedoni e më gjerë. Sigurisht që jeta, përkushtimi, shembulli dhe personaliteti i tij shkencor e humanitar do të mbeten të paharruara përjetë.
Vdekja e profesorit Nexhat Abazit na ka tronditur të gjithëve, veçmas neve që e nojohëm dhe e patëm mik e koleg, për te cilin gjithmonë do ta ruajmë kujtimin si për një njeri  të matur si me fjalën, ashtu edhe me veprat e tij.
Ndonëse ai na iku  herët dhe sigurisht do të na mungoje, megjithatë personaliteti dhe vepra e tij është me ne dhe do te na shërbeje neve dhe gjeneratave të reja. Vdekja është një fenomen natyror, mirëpo kur njeriu lë pas vetes vepra të mira siç na la i ndjeri  Nexhat Abazi, ikja nga jeta shenjëzon çastin e përjetësimit të emrit të tij si gurrë të dijes  e përvojës.
Niveli i tij shkencor, kulturor, si dhe aftësitë e tija organizative, sidomos niveli intelektual, shfaqen kudo ku ai punoi si profesor në gjimnaz, si këshilltar pedagogjik e si profesor në disa universitete e qendra studimore në Maqedoni dhe jashtë. Merita e tij qëndron në faktin se ai dinte të kapet pas hallkave kryesore e problemeve aktuale, duke i lidhur e duke na prezantuar ide e teza me probleme të rëndësishme nga fusha e arsimit e shkollës tonë kombëtare.
Tërë puna e Nexhatit ishte ne shërbim të kërkimit e të zbulimit të rrënjëve të  arsimdashësve shqiptarë, duke e harmonizuar kërkimin në vështrimin historik bashkë me vlerat që i ka tradita për të sotmen. Prandaj, pa mëdyshje Nexhat Abazi na paraqitet si studiues i historisë se shkollës dhe mendimit pedagogjik, jo vetëm ne Maqedoni, por edhe mbarëkombëtar shqiptar. Këtë më mirë e dëshmon akademik Bedri Dedja, njëri nga oponentët për mbrojten e dokroratës së Nexhatit, i cili shprehet kështu: ”Çdo studiues i historisë së shkollës dhe mendimit pedagogjik mbarëkombëtare shqiptar befasohet nga puna e thelle hulumtuese e Nexhat Abazit. Dhe, mbetem i mendimit se ai na jep një model të studimeve të mëtejshme”.
Prof. Dr. Nexhat Abazi në fushën e historisë së arsimit shqiptar punonte me pasion. Kudo mblidhte të dhëna për figurat e mëdha të arsimit shqip, duke gjurmuar arkiva e duke konsultuar burime te ndryshme, si dhe duke na i prezantuar sa më realisht pikëpamjet dhe kontributet e tyre. Te  Nexhati shohim edhe referate e kumtesa nëpër simpoziume të ndryshme në vend dhe jashtë, ku ai përkrahte dhe praktikonte ide të avancuara në pedagogji. Ai me kujdes dhe maturi i ndiqte ndryshimet arsimore gjatë ndryshimeve të sistemit politiko-shoqëror pas viteve 90, duke na i paraqitur edhe ndryshimet pozitive dhe risitë, si dhe duke na bindur pa u ngutur në reformat arsimore, sepse ai ushqente bindjen për një kalim të natyrshëm, duke na i konfirmuar efektet e pritshme të reformave të shkollës ne Maqedoni e më gjerë. Këto pak të dhëna  dhe mendime i dhash për të argumentuar se Nexhat Abazi në trajtesat e tij dëshmon se ka ditur të zgjedhë tema e probleme të kohës.
Prof, dr. Nexhat Abazin do ta kujtojmë çdoherë ne kuptimin më pozitiv dhe më të plotë të fjalës, si edukator, pedagog dhe intelektual të rangut të lartë, që gjatë gjithë jetës e deri në frymën e fundit diti që dijen dhe aftësitë e tija intelektuale pa ngurrim t’ua përcjellë gjeneratave të reja kudo ku e kërkonte nevoja.