E enjte, 28.03.2024, 07:11 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Në shpellën e Sari Salltëkut

E marte, 27.02.2007, 07:17 PM


Shkruan : Ben Andoni

Legjenda e Sari Salltëkut më shkundet si jehonë në kokë. Ngatërrohem. Dikush ma ka shpjeguar se ai ishte thjesht ai që quhet Shën Spiridhoni në Korfuz, një kult, që respektohet sot e kësaj dite në kishën e madhe të Vunoit, kurse një bullgare dikur rrekej të më shpjegonte se kulti i tij është tutje në Dobruxhë. E shpjegonte paqëm sikur fliste me martirin, që duket se e shkeli Ballkanin kohë para hordhive të frikshme të azapëve, që do të shkundnin gjithçka...I kam të fiksuara më tej prej penës së një shkrimtareje fushat e gjëra, që ledhatojnë grurin e paanë të Dobruxhës, dhe besoj se ky shenjtor, që është i gjysmuar-duhet të grishë...Por, asgjë më shumë. Ata që pyes, më shpjegojnë se kanë shkuar në shpellën e tij...Kaq. Të gjithë e dinë, por askush nuk të tregon të veçanta për të. Kuptoj, që nuk dinë asgjë. Për fat, momentet e fundit gjej referatin e një historiani kosovar. Këtu filloj e zbërthej pak e nga pak enigmën e tij...
Sërish humbas në terren dhe shtuar edhe thëniet e mangëta të njerëzve, amnezohem në hapësirat ku hamendësoj sesi ka qenë ky Martir: i shenjtë, apo kushedi se çfarë...
Në Krujë, kur gjendemi në pazarin e qytetit, na duhet të orientohemi fillimisht për të shkuar. Krutanët e papunë, nuk ta kanë ngenë. Të zhytur në përditmërinë, qytetarët e saj, dikur tregëtarë të njohur, më shumë e kanë mendjen te shenjtëria e jetës praktike. Japin e marrin, më të shumtët venë baste deri në Hollandë e tutje. Këtu qarku i tyre mbyllet. Njësoj si unë, disa mësuese elegante, por prej hallit të veshur me rroba dimërore, po e zgjidhin më paq këtë punë. Me hiret e tyre ia kanë arritur të prenotojnë një furgon dhe mundohen t’i mbushin mëndjen shoferit për pazarin. Krutanit, nuk ia hedhin dot, por edhe të humbësh rrugën me këtë njësit femrash, s’ia vlen. Lëkundet i llastuar trashë burri. Janë një grup zyshash të vjetra dhe të reja, që shkojnë më këmbë atje...Kanë një tog me rroba me vete dhe secila do i blatojë për pak kohë, atje, që t’u sjellë fat. Kaq kuptoj. Njoh komshijen time, mësuese e gjeografisë dhe historisë, që hiqet si kompetente, por njësoj si të tjerët, edhe ajo nuk di asgjë për Sari Salltëkun...

Drejt Sari Salltëkut

Gjëja më e vështirë në qytet më duket se është që një krutani, t’i kërkosh me shqipen standarte, se ku ndodhet Sari Salltëku. Si për ironi të fatit, janë vetëm dy rrugë në qytet. Njëra drejt kalasë, kurse tjera bigëzon majtas dhe që afërmendsh të dërgon në Sari Salltëk. Të rinjtë nuk të kuptojnë, ndërsa më të vjetërit të duhet të shpjegojnë se duhet të ngjitesh...të ngjitesh dhe në fund me një “Zoti ju ndihmoftë”, mbyllet gjithçka.
Duhet të jetë një rit normal, sepse në përgjithësi, njerëzit paqëtohen kur të tregojnë rrugën drejt tij. Pavarësisht se nuk gjen sot në Krujë ndonjë njeri që të shpjegojë legjendën e Sari Salltëkut, të gjithë dinë mirë një gjë: që po të shkosh atje ke vendosur të jesh ndryshe. Të bëhet mirë. Do të bësh mirë, paskëtaj. Të bëhet mirë për jetën për pamundësinë, që ke hasur deri më atëhere. Por, ajo që rrjedh nga rruga në të majtë të Ekuestrit të Heroit Kombëtar, është pak që ta besosh...Një rrugë, që ngjitet drejt shkëmbinjve dhe ku fusha bëhet e madhe dhe e madhe, mbi detin, që nuk e lë të zgjerohet më shumë pas vetes. Mësueset kanë shkarë me shpejtësi dhe duken nga përtej xhamave sesa gëzojnë. Të gjitha kanë torba të stërmëdha. Kujtoj se kanë marrë gjëra për të ndenjur. Nuk e hamendësoj dot vendin. Ndërsa, Benz-i ynë gulçon dhe qetësisht i ngjitet malit, më shumë si sfidë e prodhimit historik, sesa mundësi.
Ikën në një rrugë të ngushtë, që është bërë gjithnjë e më e ngushtë dhe nga pas lëshon ndërtesat e fundit të qytetit . Gjithmonë djathtas, duhet t’i ruhesh depresionit të frikshëm të një mali krejt të thepisur, që ka humbur prej shekujsh jeshillëkun. Rruga nuk duhet të ketë qenë kurrë e trajtuar, pavarësisht se në Krujë besojnë se pas zgjedhjeve do të ndryshojë diçka. Siç ndodh rëndom, nuk ndryshon asgjë. Vetëm po erdhi, ai vetë Sari Salltuku (i thonë banorët) si Shën Gjergji i kaurëve, mbathur me rrobën e një burri plak, për t’i shpëtuar banorët nga Kuçedra, mund edhe të ndryshojë diçka. Peizazhi dhe rruga, që vazhdojnë monotonisht në mrekullinë e egër, të dërgojnë në një pjesë tjetër të Shqipërisë turistike, ku ndahen frikshëm dy rrugë: Ose në Sari Salltëk ose në greminë. Rrugë të mesme nuk ka. Nuk ka makina, veç makinës së mësueseve, por vetëm shkëmbi, që sido që valëzon, mbetet, po aq i frikshëm në theqafjen e tij. Furgoni me zyshat është para dhe shoferi duket se e ka adrenalinën e mjaftueshme për të kaluar me më pak lodhje këtë hapësirë.

Edhe Durhami, nga e njëjta rrugë

Në të njëjtën rrugë, gati 100 vjet më parë, Miss Durhami mundohej ti kuptonte diçka, të thënave të përkthyesit të saj, për Sari Salltëkun. Ai ia konfuzonte pa fund, por gruaja kishte humbur në përfytyrimet, sesi mund të luftohej në atë kohë. Në fund, Durhami, kishte mbetur e kënaqur nga fakti, që pak çaste më parë, askush nuk i ishte përzier me bezdi në qytetin e heroit. E fashinuar pas historisë së Skënderbeut, bindet dhe shkruan se në këtë zonë gjen njerëz kaq të bindur, por edhe punëtorë. Shumë punëtorë?! Një imazh, që historia nuk e ka treguar shumë në kohët e mëpasshme, por ç’ti bësh?! Askush nuk i kërkon pasaportën, madje një polic ishte fyer kur ajo i nxjerr pasaportën... Kjo ishte koha kur sytë e gruas u shqitën prej kalasë, për të cilën e dinte historinë më mirë se banorët, dhe i kishte prehur në shkëmbin e lartë...
...
Në fakt, rruga jonë nuk premton shumë, ndërsa makina e ulët i dorëzohet frikës se mund të prekë. Për dreq, shkurret e shumta, dhe vendi i zhveshur, që lë pas gjysmës së rrugës egërsinë e shkëmbinjve, ka të vetmin dëshmitar për kaluesit- vijën e vajit që kanë lënë makinat kryeneçe, që kanë dashur të ngjiten në këtë rrugë të pashtruar...Si ndodh rëndom, vendet ndryshe të Shqipërisë turistike, janë larg axhendave “të tejfryra” të kryetarëve të bashkive, që rendin më kot të fashinojnë me gjëra të stërthëna. Duke u zhvendosur në legjendë, di se në këto vende, Skënderbeu, mundi që të mbronte principatën e tij nga ushtritë e panumërta turke, ku u shquan ato të dy sulltanëve të mëdhenj Muratit II dhe Mehmetit II. Eshtë pikërisht vendi, nga ku ai fshihej për të sulmuar më pas egërsisht. Por, peizazhi, që të kalamend humbet nga hamendësimet, sepse tash rruga gjarpëron pas shkëmbit, ku të duhet të kalosh me një kujdes të tejmatur. Në rrugë e mbërrijmë furgonin me zyshat, që nuk janë më aq optimiste sa në fillim. Kanë ardh nga Tirana, por nuk e dinë, se në këtë vend mund të mbetesh dhe askush mos të të kujtojë, edhe pse ti ke ardhur për Sari Salltëkun. E bëjmë rrugën të patrazuar, por tashmë Mercedesi i është afruar përfundimisht furgonit, që është prehur i lodhur.

Në Tyrbe

Këto janë mundimet e fundit, sepse sikur të jetë me dorë, arrijmë në një sheshnajë. Të mbetet dhe një ngjitje e vogël, për të qenë në majë të malit. Privatët e kanë gjetur dhe këtu mundësinë, sidomos për besimtarët e shumtë që vijnë nga e gjithë Shqipëria, për t’i grishur që të vijnë dhe në pritje të rrobave, që i lënë tek Sari Salltuku, të hanë diçka. Por, pastërtia dhe njerëzit që shërbejnë, të stepin. Të bie më mirë ti kënaqesh një kanaçeje, që e di se është bërë në ndonjë stabiliment bodrumi, sesa mikpritjes së tyre.
Ngjitemi me këmbë tash. Dikush ka ngritur një vilë në majë të malit, ndërsa bash poshtë saj,... me disa shkallë të bukura, është shpella ku është teqeja e Sari Salltëkut. Më e vjetra e mësueseve është dorëzuar dhe ngjitet me një gulçitje të frikshme. Ajo na tregon se ku është tyrbja... E kam llogaritur si një tyrbe të thjeshtë, që duhet të ishte diku mbi sheshnajën, por mahnitja është e madhe nga konceptimi dhe bukuria e saj, që duken vetëm kur i afrohesh. Pas gati 100 metrash zbret drejt në një vend. E sërish brenda mrekullisë së saj të duhet që të zbresësh sërish e sërish, brënda saj.
Ka një çezmë dhe pranë saj, një vend nga ku janë tre varre të shenjta...Në një qoshk, është e hapur shpella- dhe atje ndizen qirinj. Era e rëndë e parafinës së keqe e bën këtë vend që të step dhe të ngjall paqti e disi mistikë në errësirën sublime, rrethuar me imazhet e baballarëve të dikurshëm të teqesë.
Në një si tip mbështetëse ndodhet një qirimbajtëse 4 metra, ku janë vendosur qirinj dhe njerëz që luten. Nuk bërtasin. Këtu ka qetësi...Kudo imazhet e baballarëve të Teqesë.
Në një cep jashtë, ku është gdhëndur një send i çuditshëm, është një mbishkrim, i vetmi, që tregon se nga vihet... “Besimtarë ky vend i shenjtë u prish në vitin 1967”... Përzierja e feve nuk më duket asgjëkundi si këtu, ndërsa “të vërtetën për shenjtin dhe dervishin s’arrita ta zbuloj”, thotë Durhami. Në të vërtetë, ndaj këtë vend e frekuentojnë njerëz të të gjitha besimeve. Në zgavrën e mëposhtme, është një hapësirë tjetër ku prehen disa si mumje të mbuluara, ndërsa kudo rreth tyrbes së konceptuar në shkëmb, ka vende nderimi.
Me ca shkallë zbritet drejt ujit dhe të gjithë pinë pak ujë, që të freskohen, por edhe të kujtojnë se ishin në Sari Salltëk. Ata që shkelin si fillim, janë më shumë të konfuzuar- ndërmjet atyre që vijnë më shpesh. Kuptohet se mësueset janë më zhurmë-mëdhatë dhe pyesin vazhdimisht dikë prej tyre, që hiqet si kompetente. Nuk ka njerëz që shërbejnë, veç një familje që kujdeset. Mbretëron qetësi, por edhe rregull. Eshtë mbase një nga vendet më të rregullta të besimit, ku pastërtia të duket si simbol. Zbuloj misterin e grave. Kanë sjellë nga kryeqyteti rrobat e gjithë familjarëve dhe i lënë diku në një vend, për t’i marrë më vonë.

Sari Salltëku dikur

Prej të gjithë vendeve, që kanë çfarëdo lidhje me Sari Salltëkun, jo vetëm në këto vise, por edhe deri në Bullgari, ku ekziston kulti i madh i Sari Salltëkut, gjurmët më të shumta për të i hasim në Krujë të Shqipërisë. Këtë herë këtë njoftim e kam prej një studiuesi kosovar, që fati e ka sjellë të bëj një studim interesant për këtë vend, në zgrip të ateizmit. Hasan Kaleshi ka bërë një studim impresionues, por edhe tregon si pakkush, për një shenjt, që të konfuzon shpesh.
“Nja 600 metra sipër Krujës, asht një majë, të cilën e quajnë mali i Sari Salltëkut, kurse në majën e këtij mali asht teqeja e quejtun ‘Teqja e Sari Salltukut’. Në kët teqe, qi gjendet në shpellë, njerëzit hyjnë nëpër shkallë. N’anën e djathtë ekzistojnë dy vorre, ku janë varrosë dofarë shehlerësh. Prej shkambit buron ujë, me të cilin marrin abdes dhe të cilin e pijnë si ilaç për shërimin e dhimbjes së kresë, kurse gratë që nuk bajnë fëmijë, e pijnë tue shpresue se mbas kësaj kanë me pasë fëmijë. N’anën e majtë të teqes është një derë e vogël. Kur e hapin kët derë, duket dheu, të cilin njerëzit e marrin dhe e përdorin si hajmali dhe e mbajnë në shtëpi. Posa të mirret dheu, aty fillon me buron uji. Thonë se prej andej ka ikë Sari Salltuku dhe ka shkue në Dro, një lagje të Krujës.
Tue dalë prej Krujës dhe tue shkue “Rrugës së Kalldrëmtë” për të mbërritë në fshatin e Krujës asht një tyrbe tjetër pa vorr. Aty gjindet një teqe tjetër , të cilën e quajnë “Teqja e gjumër Shejnit” (Në të vërtetë “Teqja e gjurmës Shejtit”). Në një guri aty, asht gjurma e një shpute të kambës. Thuhet se Sari Salltuku e ka vu kambën tue ikë prej Kruje.
Kjo teqe në majën e malit të Sari Salltëkut asht një prej tyrbeve ma të famshme në Shqipni, ndonëse në të nuk banojnë dervishët, por ndizen qirinj vazhdimisht. Një shtëpi e Krujës asht e caktueme me i ndezë aty qirinjtë rregullisht. Dervishët bektashi në Krujë mburren që në rradhët e tyre ka qenë një bektashi i këtillë, si ishte Sari Salltuku, i cili bante mrekullira. Prej Baba Qazimit, i cili ka shërbye shumë vjet si sheh i teqesë në Krujë dhe prej një gruaje shumë inteligjente nga Krueja, e cila ka kalue atje tanë jetën, edhe mbarë familja e saj, si prej babës ashtu edhe prej burrit u takon bektashinjve-kam shënue këtë legjendë, që është e ngjashme me atë që e ka shënue M.Harapi dhe e ka botuar më 1933...

Kthim... më pas

Kaq...Më duket se e kam prek sadopak legjendën e Sari Salltëkut. Tash të mbetet të soditësh, por edhe po të mos dish ritualin, të ndjesh se ai do të mbrojë. Dhe, vërtet ky martir të mbron...Tash je më i qartë. Më i kthjellët. Të duket vetja më i paqëm. Tek e mbramja, qartësohesh sadopak dhe për njeriun, për të cilin prej shekujsh, qarkullojnë pafund legjenda. Ishte në shekullin e XIII, koha kur Ballkani nuk kishte gdhirë ende Azi. Për fat, puna e tij, mbahet si një nga punët më të ndritura për të përhapur Islamin, ende pa vënë këmbë turqit në këto troje.. Shkencëtarëve u mbetën të hulumtojnë edhe më gjerë për këtë periudhë, por edhe të kenë dritë të tjera për avitjen e muslimanëve në trojet tona. Kjo ka pak rëndësi. Tash duhet me zbrit. Mësueset ia kanë shkrepur fotove dhe tashmë bëhen “zullumqare”. E kanë kryer dhe këtë punë. Njësoj në kohën e tij edhe Sari Salltëku, i është dashur të plotësojë shumë. Të paktën për të respektuar, tarikatin dervishli të bektashinjve, pjesë që ai besohet se i takon. Por, mua më duket se kjo qënie është më afër Shën Gjergjit, me fitoren e tij ndaj kuçedrës, sesa drejtimeve të tjera.
E përfytyroj me zhgunin e priftit, që mundohet të bëj propogandën e tij për Islamin, dhe e respektoj për misionin e tij, që tashmë sjell paq.
Duket e besueshme ajo që thotë një moment studiuesi kosovar se në shekullin e XV, Sari Salltëku ka qenë aq i lavdishëm, saqë bektashinjtë e kanë përvetësuar për ta futur tek njerëzit. Në fakt, ai të imponon paqe dhe këtë e shikon nga mirësjellja që shoqëron shkëmbimin e rrallë të shoferëve. Janë më të sjellshëm për njëri-tjetrin, kur kthehen që andej.
Një orë më vonë nuk është më kështu. Të gjithë kthehen në origjinë. Mësueset nuk pushojnë së qeshuri. Krutanët i kanë dhënë fund ditës, ndërsa nata mbulon pak nga pak gjithçka. Në një ditë të tillë, më shumë se një gjysmëshekulli të shkuar- gjermanët mundoheshin të qëllonin Sari Salltëkun, ku mbroheshin komunistët, por dikush, si për dreq, ua devijonte predhat. Sari Salltëku, për fat, nuk ishte asgjë, ai thjesht donte mirësi dhe jo këtë luftë mes njerëzish. Këtu mbaron legjenda dhe kthehemi në realitet...ashtu si komunistët që e kthyen në identitet. Eshtë dimër. Sari Salltëku bëhet më i vogël, teksa zbresim ullinjtë e Krujës dhe na përpin fusha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora