E marte, 23.04.2024, 05:58 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Berlin, 9 nandor 1989...!

E shtune, 07.11.2009, 08:19 PM


BERLIN, 9 Nandor 1989...!

Nga Fritz RADOVANI
                          
    Si zakonisht, vitët ecnin tue shtye njenitjetrin për me zanë vendin në kalendar...
    Jeta monotone vazhdonte me rradhët e pafund të bukës, djathit, kiles së qumështit e të mishit, fruta e zarzavadëve që, vetëm, ata shiheshin në tabelat e dyqaneve, por mbrenda tyne vazhdonte “qetësia” ma absolute që s’ishte kenë ndonjëherë. Në të gjitha ndërmarrjet vazhdonte me u realizue plani e, kryesisht eksporti i prodhimeve vazhdonte pandërpremje. Durrësi, Rinasi, Vlona e Shëngjini vazhdonin me ngarkue vaporra e kundrabanda sa zente deti...Radio e tv vazhdonin punën e tyne propagandistike edhe pse gjithkund kishte plasë hajnija tue fillue nga drejtuesit e deri ndër rojet e dyerve të ndërmarrjeve shtetnore e kooperativiste. Edhe organizatat e “masave” poashtu nuk ndalonin fare vrullin revolucionar të tyne...Në Tiranë, mu në qender Stalini pat ba rrokatën me Skenderbeun, por edhe pse doli pak në cep, kalonte kohen tue u “konsultue” për fatët e socializmit me mikun e vjetër të armëve Leninin, e shpesh edhe pinin nga një kafe në hotel Dajti. Enveri sa i qen vazhdonte me udhëheqë popullin dhe me shkrue pa pushim “vepra”, madje, edhe në gjuhët e hueja që ka pasë mësue në kabaret e Francës...Vejusha e tij, edhe ajo si gjithënjë, vazhdonte me shikue vetën në pasqyrë, për me ruejtë “linjat” e porosive të shokut të luftës. Edhe shoku Ramiz, edhe pse i vejë edhe ky, vazhdonte porositë e “xhaxhit”, që kush ti afrohet kufinit: “Plumbin ballit..!”...Duhet ta kuptonin të gjithë se, “ne nuk jemi as Lindje as Përëndim...”, sigurisht, edhe “socializmin nuk e sakrifikojmë...”. As na, nuk mendonim me ia shkelë vizën për asnjë çast. Kush ishte ai budalla që tue pa djelmët e rinjë të çveshun, të shpartalluem në gjoks e në fëtyrë nga plumbat e automatikve ndër piramida kufini, të lidhun me tela me ferra ndër hunjë dhe tue u shetitë bulevardeve të qyteteve të Shqipnisë, mund të mendonte ndryshej... se, për të veprue as, nuk i shkonte nëpër mend kujt!
Aty nga shtatori i 1989, bajti dreqi edhe një delegacion nga Gjermania Demokratike që solli “haberin” e Onekerit, se: “Gjermania Demokratike do të na ndihmonte me fonde të hollash, për me vazhdue rrugën e socializmit...tue u shkëputë nga marrveshjet me Shtrausin e Gjermanisë Përëndimore përfundimisht...”. Si shenjë mirënjohje dhe falnderimi delegacionit na i dhurueme një sasi të madhe bizhuteri argjendi dhe, pa mërrijtë mirë ata në atdhe, shkoi në Gjermani grupi i ynë i  “profesorve” Foto Çami dhe Dhimiter Dhora dhe realizuen planin socialist...tue u këthye edhe njëherë në vathën e fukarallekut e të skamit.
    Mbas vrasjeve të Rinisë Shqiptare ndër kufinjë, shkëputja nga marrëveshjet dhe ofertat e Shtrausit, asht trathtia ma e madhe që Ramiz Alia i ka ba të ardhmes dhe begatisë Popullit dhe Shtetit Shqiptar, mbas Luftës së Dytë Botnore. Mos harroni se Gjermania ishte ende e ndame!
    Të gjitha këta fakte janë të dokumentueme në gazetën “Zëri i Popullit” edhe pse askush nuk i besonte thanjet e saja, tue përfshi edhe vetë komunistët që mbushnin katër faqet e saj.
    Për një drejtues shteti që në mes të dy rrugëve, asaj të lumnisë dhe asaj të mjerimit të së ardhmes së Popullit të vet, zgjedhë vorfnimin dhe shpartallimin e Popullit dhe të Atdheut, asht krimi ma i shemtuem që nuk mund të shlyhet për shekuj të shekujve...
    Duhet pranue pa turp se “çdo Shqiptar e ndiente vetëm të ndryem përjetësisht në kafaz..!”
– Jo, kurrë, nuk mund ti shkonte mendja kujt se komunizmi ka ditët e numrueme!
Presidenti Regan posa erdhi në drejtimin e ShBA, ringjalli një shkëndi shprese, mbasi në vitin 1954, në Hollivud, Ai kishte formue një shoqatë për shkatrrimin e komunizmit. Sigurisht, nuk mund të dyshohej se në vitët 1980, Ky Burrë, do të devijonte nga ideali i Tij..!
Në Bashkimin Sovjetik, ardhja e Gorbaçovit, u shoqnue me vizita dhe veprime aktive që flisnin për ndryshime të domosdoshme, kjofshin këto edhe të imponueme nga koha...
Prof. Arshi Pipa në Institutin Pedagogjik të Shkodres, në vitin 1992, ka thanë: “Ramiz Alia desht me imitue Gorbaçovin, por Ramizi nuk kishte as trunin as bo... e Gorbaçovit..!”
Vizitat në rrangun e lartë të zhvillueme nga Regan, Gorbaçov dhe Gjon Pali II, erdhën tue krijue një shkarkim të papritun si rrufeja në një ditë me diell po, por, edhe pa asnjë re në qiell...
Me datën 12 Qershor 1987, Presidenti Regan ka thanë tek Muri i Berlinit këto fjalë: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov! Në kjoftë se kërkon paqën, në kjoftë se kërkon prosperitetin për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, në kjoftë se kërkon liberalizmin,...Hajde, këtu, tek kjo derë... zoti Gorbaçov! Hape këte derë!...Zoti Gorbaçov! SHEMBE  KËTE  MUR..!”
9 Nandor 1989...Ishte mbrame dhe, si zakonisht, po shihnim një program në televizor...
Doli një kuader sa i papritun aq i pabesueshëm...
Qindra e mijra të rinjë, të moshuem, pleq e plaka...nuk merrej vesht se çka po bahej...jo, se ishte kaus në atë mori njerëzish por, nuk i besonim as synit as ekranit, ku, me siguri si tek na, do t’ishin miljona e miljona të tjerë të shtangun që edhe ata, me siguri, nuk besonin në kenjen e vet normale, para një ngjarjes aq të madhe e të pabesueshme për mbarë njerzimin...
Ra pllaka e parë e Murit të Berlinit..!
Bota u hap...
Ra “perdja e hekurt” e komunizmit..!
Njerzimi brohoriste për Fitorën...
Erdhi Liria...!
I besonim këto që po ngjanin? – Jo, asnjë, asnjë, nuk besonte, se çka po ngjet...!
Pllakat e Murit binin njenambastjetrës...veç, kujtoj, se kam vrritë me të madhe:
“Për Zotin.. Ra..!” e, përqafoheshim si budallajtë në çmendi kur kujtojnë se janë sherue... Na përqafoheshim në podrumet tona e gjermanët në ekranin e tv...vazhdonin me rrenue e me rrëzue papushim “shemtimin e shekullit”, mu në zemrën e kontinentit plak të qytetnimit...!
Hypnin me kambë mbi ata pllaka betoni për mos me i lanë me u ngritë kurrma..!
Berlini...i Lirë..!
Evropa pa “Murë..!”...
Gjermanët nuk do të vritën ma, tue dashtë me kalue Murin... Ata janë të Lirë!...
Ja, Vullneti i Popullit, ja Forca e Vitaliteti i një Kombi që punon për Demokraci...
Ja, mendimi Përparimtar i drejtuesve të Shteteve kur punojnë për Lumninë e Popujve të vet, ja,  realizimi i veprave të pavdekshme kur, Ata, meritohen nga Vullneti i Zotit..!
Kurrma “Mure”...Kurrma luftë...Kurrma diktatura...!
Kurrma Rini të vrame... Kurrma krizma automatiku... kurrma... kurrma... kurrma plumba mbi Njeriun... Kurrma...O Popuj, mos pranoni, kurrma prangat e robnisë komuniste...!
Punoni dhe jetoni të Lirë!...
Punoni dhe jetoni me Drejtësi..!
Puna, Liria dhe Drejtësia sjellin Paqën...e Paqa sjellë Demokracinë...
Demokracia sjellë Përparimin e...
Përparimi asht Jeta e Lumtun...
O Zot, dhuroja këta vityte Popullit Shqiptar !

Melbourne, Nandor 2009.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora