E premte, 19.04.2024, 07:53 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kosovë, Pavarësi & Siklet

E merkure, 27.06.2007, 08:06 PM


Shkruan: Ben Andoni

Jemi ngjitur bashkë në një furgon shkatarraq, që përshkon me një uturimë mbytëse Kërnajën dhe i drejtohet rrugës së saporregulluar të Tropojës në drejtim të Gjakovës. Brinjaz është Qazim Uka, 70 vjeçar, me një xhup blu dhe me një plis të bardhë në kokë duke i mbajtur ngrehur sytë dhe veshët që e kanë lënë. E ndiej kur më pyet dhe nuk më kupton. Një treshe tropojanësh të shëndoshë qeshin nga dialogu ynë absurd. Ai vetë shakatohet sepse nuk e kuptoj gjuhën, që i duket shumë zbavitëse. “Do shkoj në protestën e Vetëvendosjes”-më sqaron shkoqur me çapkënllëk. “Edhe ti aty!”. Pohoj me kokë. Të shohim- ia kthej. Plaku shpërndan gaz ngado dhe vazhdon një muhabet lokal me tre të tjerët, që i kuptoj me vështirësi. Hare e tipit gjakovar mbase, sepse në fund të çdo fjalie, plakut i thonë “Heu mos vdeksh Qazim...breeee”.

Në Kosovë

Pas një peizazhi të egër dhe një rruge që ngjitet tutje rrugtojmë në Kosovë. Tre tropojanët merren me një gjenerator, që do e depozitojnë, tek një teknik. Nuk e rregullojnë dot në qytetin e tyre, që ka Hidrocentralin me fuqinë më të madhe të instaluar në Shqipëri. Unë, vetë, humbas në peizazhin, që ndryshon gati 50% me shqiptarët e andejshëm të Malësisë së Gjakovës. Kaloj për herë të parë këtu. Rrugë, disi më të rregullta, njerëz në punë të tyre dhe më shumë nikorqillëk në shtëpitë e qarkuara hijshëm dhe me më shumë dritë . Dy orë më vonë në Gjakovë jam në një ditë të errët, ku retë i bëjnë garë mërzisë të paradites, me banorët që e kanë shtruar punën e tyre. Por, gjithsesi, me një kulturë pune tejshkuar shqiptarëve. Nuk bërtasin, por, në pak radionicat, punojnë. Jo ngjitur si ne, por seicili në hesapin e tij. Ka larmi shërbimesh, ndërsa Pazari i vjetër, tash i ngritur nga fillimi, më tërheq për shkak të rregullsisë së kabinave të drurit, por edhe një kalldrëmi të punuar me talent. Në mes, mjeshtrat, kanë lënë një vijë uji. Bajram-currësi që me sa duket është pronari i elektromotorit hesht, para saj. Ikje-ardhjet e dritave e kanë shkatërruar energjinë, por edhe biznesin. “Ma mir me nejt n’Itali”, thotë përhumbtas. Çudi, sepse veriorët tanë nuk ankohen. Të pastër, të drejtë, të gjatë i kënaq ky realitet. Të paktën është PD në fuqi.

Kosova dhe Shqipëria-një

Kjo nuk mjafton gjithsesi matanë kufirit. Në Vermicë, në një nga pikat kufitare mes dy tokave shqiptare, Shërbimi Doganor i Kosovës ka filluar të marrë masa. Ajo ka lajmëruar drejtuesit e mjeteve të vogla të Kukësit, që të mos bien pre e tregjeve të shumicës, sepse kështu shkaktojnë evazion fiskal në Kosovë. E një ditë, që do t’i ndalojnë, kjo mund të rezultojë fatale. Por, shoferit tim tropojan, pak i bën përshtypje. “Bajmë si t’duem. Janë të arsyeshëm!”,-më thotë. Në fakt, është një marrëveshje, por që zakonisht ndodh me Kukësin, për të bërë tregtinë e përditshme me Kosovën për arsye familjare, por ama mos të kalojë si vlerë malli 300 Euro. Shqiptarët, këtë e bëjnë disa herë në ditë. “Ne e dimë që një autoveturë për nevoja familjare nuk është nevoja të udhëtojë tre, apo katër herë në ditë me nga 300 euro mall”, ka thënë një zyrtar për “Kosova Sot”. Në fakt shumë furgona tash e kanë gjetur rrugën e tyre. Ai që udhëtoj unë nga BC as nuk e ka paguar ndonjëherë taksën. Ndaj nuk i bën përshtypje, që nisemi vetëm tre veta dhe rrugës e mbush me dy pasagjerë. Eshtë kaq pak, sa nuk ia vlen të funksionojë ndryshe. Në qytetet kryesore të Kosovës ndodhen një shumicë magazinash të qytetarëve shqiptarë, sidomos të Kuksianëve, që tash kanë dhe magazinat andej. Falë tyre nga Kosova në Kukës dhe madje deri në Tiranë, malli vjen pa kaluar filtrat financiarë dhe as i kontrolluar nëse është apo jo abuziv, si janë shumë nga mallrat që merren në Kukës. Ndaj, çmimet e gjërave të shumicës në skajet e vendit, janë të lira. Në Morinë një gjë e tillë tolerohet më lehtë. Dhe, kur doganierët bëjnë detyrën, rëndom “viktima” dëgjohet që vikat: “Po më hiqni bukën e cullave, bree...”.
...
Në Gjakovë ndahem me patriotët. Kurse plaku nuk e shikon të arsyeshme të më flasë. Shkrihet normalisht me banorët. Plisi i tij humbet në një kalldrëm të harruar të Gjakovës.
Njerëzit duan të hanë dhe pak u bën përshtypje, mendoj. “Vetvendosjen” e has dhe këtu, ndërsa në një frigorifer shikoj të shkruar: “Bojkotoni mallrat serbe!” Veçse, koha po i tradhton, ndërsa kosovarëve u duhet të fitojnë. Llogarisin që të bëhen më shumë mbjedhje pranverore dhe këtë vit në Kosovë janë planifikuar për mbjedhje gati 113.435.3 ha, ku dominon misri. Kosovarët ndryshe nga ne kanë filluar të marrin masa. Duket se po i kthehen fshatit, kurse më të rinjtë, zakonin: mësyjnë të gjithë Botën. Më të vjetërit kanë filluar të bëjnë kërkesë për mekanizmat dhe janë duke u interesuar për plehrat kimike. Më nikoqirët do të përdorin dhe misrin e vitit të shkuar. Me misër do mbillet 73.121 ha, elb 1.372 ha, me tërshërë 6.126 ha, me thekër 229 ha dhe me bimë foragjere 9.255 ha. Shtuar dhe me bimët industriale 15 ha, perimet 14.884.5, dhe me patate 7.557 ha -atëhere gjërat duken në vijë. Zyrtarisht, Kosova nuk i përmbush nevojat e saj. Kosova e pasur me toka, ka filluar që të ndiejë nevojën e shtimit të sipërfaqeve dhe mundësinë e rritjes së kultivimit të bimëve, ngaqë janë duke u zvogëluar për ditë e më shumë kapacitetet natyrore të tokës. Kurse, Fshati kosovar po e ndjen realisht braktisjen...

Borxh

Kjo do të ndikojë në të ardhmen dhe më shumë, kur fshati do t’i rëndohet qytetit. Për kosovarët shpejt do të afrojnë dhe rëndesat. Në një nga pikat e shumta të pakos së Ahtisarit thuhet se Kosova do të marrë pjesën e saj të borxhit ndërkombëtar nga Republika e Serbisë. “Me mbajt dhe thesin e shkive në lexh”, më thotë një mik. Në fakt, ky thes do të zbraset përmes negociatave, që dihet mirë se nuk i del lehtë fundi. Pas shpërbërjes së Republikës Federale të Jugosllavisë edhe kosovarët duhet të mbajnë diçka. Brënda një viti, palët duhet të negociojnë për borxhin. Kuptohet se edhe kjo do të përfundojë të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar, sepse shqiptarët dhe serbët janë gjithmonë e më larg. Popullit të thjeshtë pak i bën përshtypje edhe pse faktet janë kokëforta. Njerëzit janë të fokusuar më shumë në përditmërinë. Jo më kot. Papunësia, sot, ka kapur më shumë se 50% të pjesës rinore të popullsisë .”Për çdo linjë kreditore do të diskutohet veç e veç, asnjë cent as s’do t’iu mbesë borxh atyre, as s’do të na marrin ata për budalla”...Flitet për dy borxhe që Kosova ka krijuar ndaj kreditorëve ndërkombëtarë . Ai është borxhi i alokuar që ka të bëjë me KEK-un, ujësjellësin në Batllava apo Hidrosistemin e Ibër Lepencit ose ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës, por ka qenë dhe borxhi i paalokuar, (ku nuk dihet se kush ka qenë përfituesi i fundit) , sepse Federata ka marrë borxhe për balancimin e pagesave në nivel të Federatës. Për fat, do jetë Fondi Monetar me burokratët e saj që do bëjnë kalkulimet...Edhe, kjo, ka pak rëndësi. Seksioni Ekonomik i Grupit Negociator nuk i pranon detyrimet nga viti 1990-deri më 1997 ndaj kreditorëve qoftë dhe kamatën, përkatësisht interesat dhe detyrimet e veta sepse në atë koha Kosova nuk i menaxhonte dot asetet e saj...

Prishtina

Prishtinën e mbërrij në muzg. E dua për infrastrukturën e paqtë, por më shumë për sensin, që kosovarët kanë për rregullin. Edhe pse janë po aq kaotik sa ne. Por, 300 vjet më parë Çelebiut i pëlqen, madje shkruan se në këtë vend ishin 300 dyqane. Kuptohet se duhet të jenë 10-15 herë më shumë sot, mbushur me klube (sëmundje kombëtare), rrjete integrale fast-food, dhe pafund barnatore. Më duket çudi, që gjithë ky popull vital, të akomodohet tek ilaçet. Por, me sa duket nuk kanë alternativa të tjera për biznes...
Edhe Prishtina është pushtuar nga Hodavendiqari, i cili e shkatërroi dhe shembi menjëherë fortesën e saj. Prishtina ndodhet në lindje të Fushë Kosovës, ka dy mijë e gjashtëdhjetë shtëpi me dy kate krejt prej guri, të mbuluara me tjegulla dhe të rrethuara me oborre të gjera e kopshte të bukura. Qyteti ka një kadi me 150 akçe, i cili rregullisht ka pesë qese në vit. Autoritetet e Prishtinës janë Qehajai, serdari i jeniçerëve etj. Pallati i Allaj Beut dhe i gjykatës janë me famë, ndërsa në xhaminë e Tregut ka shumë dyndje njerëzish.
Në Prishtinë ka njëmbëdhjetë hane, ndër të cilët më me emër është hani i Haxhi Beut. Qyteti ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg e tjetra është banja e vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut është gazitur një i shenjtë, për këtë arsye kjo banjë quhet si e shenjtë dhe në të bëhen vozita. Në Prishtinë ka 300 dyqane, të cilat për këtë qytet janë pak. Ka rrush e dardha shumë të mira. Parësia e Prishtinës, i nderon dhe i pret mjaft mirë miqtë e nuk rri dot pa ta, shkruante Çelebiu në shekullin e XVIII.

Drejt “Vetvendosjes”

Fatmirësisht në muzg, kur udhëtoj nga Peja në drejtim të Prishtinës askush nuk e ka mendjen tek ata. Kanë dhënë garanci. Djemtë e “Vetëvendosjes”, pas vrasjes së dy të rinjve, duken të paqmë. Ndërsa, kryetarin, ua kanë izoluar në Pejë. Kontraversal, Albin Kurti, nuk ka firmuar asgjë, ndërsa ka mtuar se me të sillen mirë. Por, afër “Vetvendosjes”, gati 200 metra në jug të “Grand” të rinjtë e kishin një destinacion. Kanë depozituar bojë të kuqe për të gjuajtur makinat e UNMIK-ut dhe të institucioneve dhe kanë bërë fletë-volante pa fund, me një kod për protestën. I admiroj për kulturën qytetare kosovarët, por më shumë për ndjesitë e tyre. Në Prishtinë ka ditë që flitet për ta, kurse më vjen keq që shqiptarët këtej dinë njësoj sa të huajt përtej. Gjithsesi, të gjithë presin që të ndodhë diçka. “Nuk besoj. Mbase mund të ketë ndonjë incident të vogël...”, më thotë me siguri Baton Haxhiu, duke e parashikuar në mënyrë preçize.
Në fakt, është një e vërtetë. Pak ditë më parë, protesta e tyre ka sjellë viktimizimin e dy njerëzve, që tash janë simbolet e tyre. Glauk Konjufca, lideri i tyre, një student që i duhen dhe gjashtë provime të mbyllë studimin në Filozofi, është i nervozuar dhe pak minuta para protestës jep e merr me median dhe me organizimin. Ndërsa, krahu i fortë, Liburni, duket më i egër. I kërkoj një bluzë si shenjë. Heziton, premton. “Duhet të ikim. Nuk ka kohë”, më thotë. Pak minuta më vonë, është njeriu kryesor që drejton turmën. Pas orës 14.00 të 3 marsit 2007, hipur në majën e një kamioni, i jep ultimatum ‘ushtarak’ SHPK-së dhe Policisë së UNMIK-ut, që të hapin rrugët gjysmë të bllokuar para ndërtesës së UNMIK. Ndërsa Glakun, që është kryesor tash pas ikjes së Albinit, e lënë për të folur. Pak teatral, ai duket se është shpirti i turmës laramane, që i mungojnë qytetarët, por me sa duket e përmbush qëllimin e saj. Glauku dhe Albini, të dy i kanë prindërit të angazhuar me UNMIK-un. “Luftë brezash”, ironizon një gazetar. “Ora është 15.40 e deri në 15.50 të zhbllokohet rruga. Nëse nuk ndodh, unë do të jem i pari që do ta shpërthej kordonin. Ju keni plumba ndërsa ne kemi gjoksin”, dëgjoj me megafon Liburnin, që bëhet disi patetik. Në fund, SHPK-ja ka hapur rrugë. Marshimi ka filluar nga qyteza Pejton drejt Sheshit “Nënë Tereza”, vëzhguar nga qytetarë indiferentë, por me një turmë të admirueshme. Pak para përplasjes, përballë institucioneve të Kosovës është mbajtur 2 minuta heshtje për dy viktimat e 10 shkurtit. Kurse, para Parlamentit, djemtë kanë hedhur kutinë e qelqit, që simbolizonte shkatërrimin e kutisë së Ahtisarit. Glauk Konjufca, ka theksuar se kjo pako nuk sillte Pavarësinë e Kosovës. Me gjasë ka përmendur edhe emrat e gjashtë njerëzve, që kemi qeshur bashkë pak më parë dhe ai i ka vendosur si “Wanted”. Si për paradoks, njerëzit, që kanë qenë më të lidhur me luftën si Agim Çeku dhe Hashim Thaçi nuk i kanë shpëtuar stigmës së tyre. Por, njësoj edhe Presidenti Sejdiu, Kolë Berisha, Veton Surroi dhe Kosumi. Para derës së UNMIK-ut është lënë një parudhë e madhe e cila është fiksuar me shkronjat “Vrasës” në disa gjuhë: shqip, anglisht, rusisht, polonisht e tjerë. “Poshtë UNMIK”, “Poshtë Ekipi Negociator”, “UÇK”, “Lironi Albin Kurtin” e të tjera më të egra kanë qenë para syve të forcave të SHPK-së dhe UNMIK-ut, që janë marrë me menaxhimin e situatës. Bashkë me ta edhe forca të Pakistanit, të pajisur me kallashnikov, që qëndronin para turmës. Në fund, të gjithë janë mbledhur nga erdhën dhe krenarë se asnjë incident nuk ka ndodhur. Madje, në fund, ata kanë deklaruar se është realizuar gati 90% e skenarit të tyre.
...
Mes të gjithëve më është shfaqur plaku, që kam udhëtuar nga Bajram Curri...O Zot, mbante një flamur të shkruajtur keq... që e ka vënë ngulur në gjoks. “Ky është flamuri i bashkimit të trojeve”, i thoshte kujdo. Eshtë kthjelluar, kur jam afruar. Nuk dëgjon, sërish, por mëndjen e ka në vend “A po me qet në televizion? Je ai i Tiranës?”, më thotë shkoqur...Iki. Për fat, si unë e mësynë dhe të tjerët...Pak orë më vonë, Glakun e takoj sërish...Shkëmbejmë kartvizitat. I kërkoj foto dhe bluzën. Kuptohet se nuk ma jep...

Biznes

Në muzgun e lodhur, Kosova është njësoj. Një letargji e kaplon ngado. Qepenat mbyllen herët, ndërsa deri vonë janë shitoret e shumta, sidomos ato që kanë lidhje me ngrënien. Biznesi, realisht, po përballet me uljen e fluksit të punës, si pasojë e shterimit të resurseve ndërkombëtare, që vërshuan në Kosovë pas lufte. Në masë, ndërtimi vendas ka humbur tregun e krijuar nga ndërtimi i bazave të ushtrive dhe organizmave të huaj. Ndërtimet, që po krijohen, tash u atribuohen pasanikëve të rinj. Rinia kosovare ka humbur vendet e punës si përkthyesë në zyrat e pafundme humanitare. Por, të paktën e kanë shkërbyer me slang-un që e përdorin kudo dhe që ia eksportojnë dhe Tiranës si modernizëm. Edhe fondet për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta kanë mbaruar. Rreth 25 mijë vetë kam lexuar diku, që kanë qenë të punësuar te ndërkombëtarët pas lufte, tashmë janë të papunë. Në të njëjtin vend kam lexuar se dhjetëra ndërmarrje janë blerë nga biznesi vendas për më shumë se 200 milionë euro. Një situatë disi e keqe. Çuditërisht dhe në këtë kaos kanë përfituar fqinjët e hidhur. Jo më kot, “Vetvendosja” ka shpallur një parrullë kundër importeve të produkteve serbe dhe stimulimit të produkteve vendase. Pak vite më parë, fushata që ndoqi sloganin “konsumo produkte vendase” u duk e suksesshme si marketing, por jo shumë e vlefshme ekonomikisht. Kosova, prej kohësh, nuk ka ndonjë prodhimtari të madhe konkurruese me mallrat e importit. Me pak fjalë, Euro është vështirë të nxirret, kurse tregu i qerave nuk lulëzon si më parë. Të huajt janë shfryrë në vend. Në një gazetë lexoj se edhe ushtarëve amerikanë do t’ua presin beneficet, sepse vendi ku shërbejnë, nuk mendohet aq problematik. Varfëria është në rritje dhe shikoj një stepje të përgjithshme. Duket si fat, që maxhoranca fshatare, ata që plotësojnë mitingun e “Vetvendosjes”, lejojnë gjithsesi mbijetesën. Ndërkohë edhe Çmimet e jetesës në Prishtinë kanë rënë ndjeshëm në krahasim me euforinë e viteve të shkuara. “Duhet me punu shumë dhe nuk na leverdis”, më thotë Nestreti, një 46 vjeçar i stërmadh në trup. Sa ka inaguruar një servis dhe është tepër i punës. Kohën e luftës e ka përfunduar në Australi dhe është kthyer në Kosovë duke e filluar suksesshëm nga fillimi. Nga goja e tij, dëgjoj se ka një histori të dhimbshme grabitjeje në Shqipëri...O Zot, si mund të jemi kështu kaq të keq për njeri-tjetrin.
Ulja e kërkesës ka ndikuar disi edhe në çmimet, por e kam vështirë të gjej statistika. “Gjatë viteve 2000-2003, donacionet e huaja në Kosovë ishin 4.1 miliardë euro dhe hyrjet private nga jashtë ishin edhe 2.4 miliardë të tjera. Një rënie e shpejtë e ndihmës së huaj, fundi i bumit të rindërtimit të shtëpijave që solli paslufta dhe gapi fiskal, sollën një situatë të vështirë ekonomike”, - shprehej Fondi Monetar Ndërkombëtar në studimin e tre viteve më parë për Kosovën. Por, duket se ardhja e Berishës në Shqipëri i ka dhënë shumë jetë idesë së rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë. Në Shqipëri ka filluar të punohet, dhe ky është i vetmi element, që kosovarët kanë filluar të ndiejnë pas reagimeve ambigue të pushtetit të Tiranës. Kuptohet se, pak u bën. Kryesore është Pavarësia, ndonëse tani, gjithmonë e më shumë, e shikojnë si absurd. Tash kanë filluar të tallen paq me Drzhavën e tyre, dhe kjo më duket se është shenjë e mirë e vetëdijes së tyre për shtet.

Turizëm

“Në toka të shqiptarëve duhet të kalosh me arin e thatë, çorape të thata dhe barutin e thatë”, kam dëgjuar një përcaktim të hershëm serb për shqiptarët. E ka shkruar kosovari serb Aleksandër Tijaniç, një publicist i njohur, që ka qenë deri ministër me Koshtunicën. Përveç barutit, që tash ka filluar “tu laget” pak, besoj se dy të tjerat janë prezente edhe sot e kësaj dite. Në mesjavën e shkuar, një shoferi pejan 60 vjeçar më është dashur më shumë se 10 minuta që t’i shpjegoj se ç’është Patriarkana dhe pastaj dhe një 3 minutësh që ti konfirmoja se ç’më duhej të isha atje. Më ka sorrollatur nëpër qytet për qejf të vet. Një kujtim i dikurshëm i keq nga Peja më ka stepur, por jo njerëzit. Njerëz simpatikë e ndiejnë se janë pjesë e një qyteti me shumë histori. Fatkeqësisht, që asnjëherë, duket se nuk do bëhet i përshtatshëm për turizmin. Një leksioni klubi të një pejani- i jam përgjigjur shkurt, se turizmi nuk ka vend këtu. Madhështia e Bjeshkëve të Nëmura ose Prokletisë, si i thonë serbët, nuk u mjaftojnë këtyre njerëzve, që stërhallen kot të bëjnë diçka ndryshe. Të varguara përreth me borën, që i qëndron si plis, janë të vetmet gjëra që më duken se veç Patriarkanës mund të joshin. Por, pejanët janë indiferentë. Nacionalistë dhe me gra të larta të shikojnë me indiferentizëm. Në moment, ngatërrohem me një grup shumë të sjellshëm muslimanësh, që kanë mbaruar adetin e të premtes. Kam dëgjuar një sllogan se duan ta kthejnë nga një qytet industrial në një kopsht me gjelbërim. Nuk e besoj, sërisht. Qyteti është kaotik dhe njerëzit ecin bash rrugëve, ashtu si edhe dy police, që më orientojnë. Turistët që do të josheshin pas arkeologjisë, shëtitjes, kulturës, nuk u duhet një vend i tillë, ku duket se mungon hapur infrastruktura. “Shtuar dhe faktin se komuna e ka pezulluar parkimin para hoteleve”, më thotë një barist.
Peja mbetet më e bukur për mua për ngarkesën e saj dhe për një ujë të mrekullueshëm që të kalon nën vete. Shtuar dhe me shqiptarët, që janë nga Peja, të cilët i adhuroj. Shkurt, vërtetë e bukur në orientalizimin e vet, por kurrë tash për turizëm. Kështu më kap atë ditë ikja e diellit...

Fëmijët dhe varfëria

Dy fëmijë më orientojnë në Stacion, ndërsa kudo luajnë me të vegjël. Në fakt, në Kosovë ka fëmijë pa fund. Por, ajo, që është më e dhimbshme është se edhe shkalla e vdekjes së tyre, është nga më të lartat në Evropë. Dr. Lulëzim Çela, i cituar nga Fokus- pohon se Kosova ka numrin më të lartë të fëmijëve në Evropë, që vdesin pa i mbushur një vit. Llogaritjet e bazuara në shërbimin demografik të shëndetit, të kryera për 2002-2003 e rendisin në një shkallë ndërmjet 35-49/1000. Me vendet fqinje, ajo është trefish. Shqipëria është 20/1000, Bosnja- Hercegovina dhe Maqedonia e ka 13 deri në 16/1000. Kosova, në fakt, trajtohet si një bashkësi e varfër, ku deri më 15 përqind jetojnë në varfëri ekstreme dhe gati 55% e popullatës së saj në skaj të varfërisë. Një arsye është e besueshme: 40 përqind e femrave janë të pashkolluara dhe nuk kanë fare qasje në shërbim. Problem është edhe shërbimi në vetvete dhe kriza që ka kapluar Kosovën. Sistemi i dikurshëm “Sistemi Semanjsko” kishte shumë mjekë dhe prekje, të cilat nuk kanë më lidhje me financimin e kësaj kohe. Kosovarët dhe shqiptarët e këtej kufirit, duket se do e vuajnë pa fund mosreformimin e shëndetit të tyre. E sikur të mos mjaftojë kjo, si pasojë e tymit, djegies së mbeturinave dhe mbingarkimit të rrugëve, niveli i ajrit është shumë i ndotur. Kuptohet se ndotësit kryesorë janë termocentralet gjigande të Obiliçit. Këta gjigandë prej gati gjysmë shekulli, prej amortizimit të madh, tani po dëmtojnë veç edhe shëndetin e njerëzve. E kur shtohet edhe era atëhere aty është katastrofë. Në rrugë të mbyt pluhuri dhe për këtë fakt, duket se vëllazëria me Tiranën është e garantuar. Shtuar me varfërinë e kosovarëve që tash blejnë makina me naftë, kjo do të thotë që të ketë më shumë probleme. Në Kodrën e Diellit, dikur një oaz i pastërtisë, tash mund të vdesësh paqësisht nga vlerat maksimale të niveleve të ndotësve. Tejkalimi i standarteve për pluhurin total shpesh është 30 herë më i lartë sesa normat e lejuara.

Energjia dhe akuzat

“E sotmja e errët e Kosovës është rrjedhim logjik i një vargu vendimarrësish në sferën e energjitikës, nënkuptohet; në një kontekst më të gjerë dhe politik. Veprimet dhe mosveprimet e vazhdueshme në sferën e energjitikës e kanë sjellë vendin në një gjëndje të mjerueshme socio-ekonomike, por edhe në një gjëndje të pafuqisë së skajshme të politikës vendore, të vetmet që mund të pretendojnë që kanë legjitimitet”, lexoj tek “Express” një deputet të ORA-s. Pushtetit lokal i mungon sovraniteti, ndërsa vetëm Prishtina tashmë është një lubi, që kërkon të gllabërojë pa fund energji. Ajo harxhon 100 mgW. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Konsorciumit Kosmocell, Rocco Castrignano, ka akuzuar qeverinë, ART-në dhe Ekrem Llukën rreth tenderit të dytë për telefoninë celulare. Po ashtu, edhe Begjet Pacollin, e akuzojnë për korrupsion...Kronikë allashqiptare.

Serbët

Ndërkohë serbët janë ulur. Në Graçanicë dështon mbledhja për themelimin e Kuvendit Kombëtar serb të Kosovës. Të 151 delegatët kanë mbetur të shtangur, kur në sallë kanë hyrë “të fortët” serbë. E shikoj Oliverin, që me takt mundohet t’i shmanget një serbi agresiv, që e shan me katalog. Një flamur matanë me shenjat klasike, që i kemi parë në luftë, thotë më shumë. Kërkojnë përfaqësues nga fshatrat “e duhura”. “Juve jeni vetzgjedhur dhe askush nuk ju ka zgjedhur”, vazhdonte i forti. Ndërkohë, Oliver Ivanoviç, Gojko Saviç dhe Dragisha Krstoviç i tregojnë me gisht, duke i ofenduar dhe sharë pa fund. Kuptohet se policia ka munguar. Kjo iniciativë është marrë nga Milorad Pupovac, deputet në Kroaci dhe këshilltar në Misionin e OSBE-së në Kosovë. Vetë serbët prej muajsh janë shkërmoqur, ngaqë anija e Kosovës po ankorohet tash në Pavarësi. Më kot, Këshilli Kombëtar serb dhe përfaqësuesit e Këshillit të Partive, nuk e kanë mbështetur këtë. Nojkiç, arrogant, ka deklaruar se nuk do të paraqitet pa miratimin e Beogradit. Njësoj, si më parë, Ivanoviçin e shikoj të rënë. Nuk ia përtojnë shumë tashti ish-komandantit të rojeve të Urës. “Ku merret vesh këtu. E shikon ku flasim”, e kujtoj kur më ka thënë kohë më parë...
...
Kosovarët janë tulatur, sepse kjo është Kosova para Pavarësisë. Ankth, siklet dhe stepje në qasjen e shtetit të parë të historisë së tyre. Shqipëria është tash një shtet fqinj dhe këtë e kuptoj nga largimi i qetë i miqve të mi kosovarë. Një mëngjez kam marrë udhën sërish për Tiranë. Mundohem të shoh plakun, që të më plotësoj kuadron e udhëtimit tim, por udhëtimin në invers e bëj me tre kosovarë. Atbotë, më “trimin” prej tyre, Nusretin, shqiptarët e kanë plaçkitur barbarisht. Të tre kanë bajagi vite që nuk vijnë. Policia jonë e ka mbajtur pafund për të identifikuar të grabiturin?! Një tjetër, shofer kamioni, me një look tipik serbi, ka qenë vetëm një herë në 1991 dhe që atëhere nuk ka zbritur...
Më ruajnë! I ruaj, që mos t’i fyej! Më respektojnë, bisedojmë. Qeshim. E ndiej se janë të zhgënjyer. Me Shqipërinë, me gjithçka...me jetën. Po, agon Pavarësia e Kosovës. Eshtë pranvera e vitit 2007, dielli lodron mbi fytyra të vrerosura shqiptarësh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora