E premte, 19.04.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Agresion kundër identitetit kombëtar shqiptar në Fyrom

E shtune, 07.11.2009, 09:00 PM


Agresion kundër identitetit kombëtar shqiptar në Fyrom

Nga Valon Kurtishi

Para ca kohësh, komisari i OSBE-së për çështjet e pakicave kombëtare, Knut Volebek, paraqiti një propozim-dokument për “sistem të integruar arsimor”, i cili u mirëprit krahëhapur dhe u përkrah menjëherë nga qarqet nacionaliste në qeverinë e Gruevskit. Për më tepër dhe duke u bazuar në këtë propozim “europian”, qeveria duke mos e bërë çështjen aspak transparente dhe në klandestinitet të plotë nxitoi të miratonte një konkluzë me të cilën kërkohet nga Ministria e Arsimit aplikimi sa më i shpejtë i këtij plani në shkollat fillore të vendit. Me këtë, gjuha dhe prospektet kulturore të popullit shqiptar u gjendën papritmas nën një agresion të hapur shumëplanësh i cili mund të ketë pasoja të kobshme për identitetin kombëtar të shqiptarëve të këtushëm.
Së pari është shumë e rëndësishme në këtë rast të sqarohet dhe nënvizohet roli dhe pozita e komisarit norvegjez Knut Volebek në gjithë këtë histori. Knut Volebek është trashëgimtari i një parardhësi shumë më të famshëm se ai, Maks Van der Shtul. Këta janë burokratë të OSBE, një organizatë ndërqeveritare kjo e cila ka në organikën e saj edhe struktura që meren me çështjen e minoriteteve të ndryshme. Në këtë kuadër, Knut Volebek nuk ka ç’kërkon me shqiptarët në IRJM, pasi shqiptarët këtu nuk janë pakicë. Shqiptarët përbëjnë më shumë se 35% të popullsisë së këtij vendi dhe ata asesi, kurrësesi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të emërtohen apo trajtohen si pakicë kombëtare. Thjesht, shqiptarët në IRJM nuk janë minoritet. Ky është një realitet i pamohueshëm historik, biologjik dhe gjeografik i cili nuk mund të mohohet nga askush, qoftë edhe nga komisari i OSBE-së për pakicat kombëtare.
Përveç kësaj, ky propozim-dokument përmban në vete një numër të madh të mangësive që do ta çojnë arsimin e këtij vendi drejt degradimit të mëtejmë. Shikuar nga ana pedagogjike, futja e tre gjuhëve që në klasë të parë të fillores është një ngarkesë e tepërt si për fëmijët shqiptarë ashtu edhe për çdo fëmijë tjetër si dhe e pengon sipas ekspertëve zhvillimin normal të intelektit (aftësive psiko-motorike) të fëmijëve.
Nga ana tjetër, imponimi i maqedonishtes për shtatëvjecarët shqiptarë nuk mund të çojë drejt një interaktiviteti apo mirëkuptimi të ndërsjellë siç qëndron në këtë dokument. Përkundrazi, futja e kësaj gjuhe në këtë fazë të zhvillimit mendor të fëmijëve tanë rrezikon të shpërfytyrojë ata si dhe të çojë drejt asimilimit të ngadalshëm por të sigurtë të tyre. Në këtë kuptim, ky dokument nuk çon drejt integrimit më të madh të komuniteteve, por në një periudhë afatgjatë çon drejt asimilimit të pjesëtarëve të kombit shqiptar në kulturën mbizotëruese sllave këtu.
Shikuar nga aspekti juridik gjuha shqipe është zyrtare në këtë vend dhe nuk mund të trajtohet si gjuhë minoritare. Me vetë faktin se dokumenti e bën një gjë të tillë dhe vendimi qeveritar e aprovon atë, konkluza është plotësisht antiligjore dhe antikushtetuese. Për rjedhojë, gjuha shqipe nuk mund të jetë në kompetencat e komisarit e as të ministrit të arsimit apo kryeministrit, pasi “gjuha që e flasin së paku 20% e popullsisë është gjithashtu gjuhë zyrtare”. Me këtë, edhe propozim-dokumenti dhe vendimi i Qeverisë nuk duhej të kishin të bënin fare me gjuhën shqipe. Formulimi, “është nevojë absolute që nxënësit që u takojnë bashkësive etnike të zotërojnë gjuhën e shumicës”, është i papranueshëm, pasi me këtë gjuha shqipe dhe komuniteti shqiptar krahasohen me gjuhët tjera minoritare të cilat bashkërisht nuk bëjnë më shumë se 5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Fyromit. Edhe termi gjuhë e shumicës nuk mund të përdoret, pasi në Maqedoninë e pasvitit 2001, ka dy gjuhë zyrtare dhe një numër të bashkësive etnike apo komuniteteve tjera, ku bëjnë pjesë si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit. Në këtë dokument bëhet edhe një ndarje diskriminuese në përdorimin makiavelist të terminologjisë spjeguese. Kështu aty thuhet se për maqedonasit “është e preferueshme” që të mësojnë ndonjërën nga gjuhët e bashkësive joshumicë, kurse për shqiptarët dhe të tjerët është e “detyrueshme”, që të mësojnë gjuhën e bashkësisë shumicë. Edhe ky formulim është absolutisht i papranueshëm për shqiptarët, pasi sipas kushtetutës së këtij vendi,“gjuha që e flasin së paku 20% e popullatës është gjithashtu gjuhë zyrtare. Me këtë, me automatizëm, gjuha shqipe është gjuhë shtetërore apo gjuhë e shumicës.
 Formimi i paraleleve të përziera në të cilat mësimi do të zhvillohet në gjuhën e shumicës është një projekt i ri i vjetër i cili te shqiptarët ngjall kujtime të hidhura nga vitet 80 të shekullit të XX. Në atë kohë, shkaku i një nxënësi të vetëm sllavishtfolës një klasë e tërë me tridhjetë nxënës shqiptarë detyrohej të mësojë në gjuhën shtetërore sllave. Është interesante të kërkohen burimet e frymëzimit të komisarit norvegjez kur propozon një modul të tillë socialisto-shovinist të përforcimit të “interaktivitetit” mes etnive të ndryshme. Ky propozim duket shumë më afër me praktikat neokolonialiste të kolonizatorëve anglezë e francezë me gjuhët e tyre respektive në Afrikë, sesa me praktikat e autonomisë dhe pavarësisë kulturore aq shumë të propaganduara e reklamuara si vlera të mirëfillta europiane nga Bashkimi Europian. Formimi i paraleleve të përziera do të shkaktojë shtimin e animoziteteve etnike dhe mosdurimit kombëtar me pasojë shtimin e konflikteve fizike mes etnive dhe nuk i zvogëlon ato përmes ritjes së interaktivitetit.
Qasja që qeveria të mos financojë në meremetimin dhe ndërtimin e shkollave që nuk pranojnë të zhvillojnë mësimin me turne të përziera është krejtësisht radikale dhe tërësisht jashtë kohës së sotme të integrimeve të vullnetshme e demokratike.
Shikuar në përgjithësi, ky vendim apo kjo konkluzë e qeverisë së IRJM-së, do ta thellojë edhe mëtej diskriminimin e tmershëm etnik që u bëhet shqiptarëve në këtë republikë ish jugosllave. Ai do të kontribujë në thellimin e hendekut të thellë mosbesues mes shqiptarëve dhe sllavëve të Maqedonisë duke hapur perspektiva të errëta për rajonin në tërësi. Pikërisht për këtë, komuniteti shqiptar këtu duhet të jetë i bashkuar në refuzimin e fuqishëm dhe të plotë të këtij vendimi. Konkluza në fjalë duhet të tërhiqet urgjentisht, ose nëse nuk ndodh kjo, atëherë së paku gjuha shqipe të jetë njëjtë si maqedonishtja e detyrueshme për gjithë nxënësit e këtij shteti. Nëse organet kompetente nuk tërhiqen nga vendimi në fjalë, atëherë nxënësit shqiptarë duhet të fillojnë me bojkot të organizuar të orëve të maqedonishtes në të gjitha nivelet e sistemit edukativo-arsimor. Ndoshta atëherë Knut Volebeku dhe faktorët e tjerë do të kujtohen për diskriminimin e madh dhe të pamerituar që ia bëjnë kështu gjuhës shqipe, njërës prej gjuhëve dhe kulturave më të vjetra, më autentike dhe bazike në kontinentin europian.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora