E diele, 21.07.2019, 07:55 AM (GMT+1)

Reportazh

Albanopolisi, këtu flenë Albanët

E hene, 27.02.2006, 07:54 PM


Shkruan: Ben Andoni

Një grup turistësh të huaj, që erdhën në erën socialiste, ishin të parët, që i bindën realisht njerëzit e këtij vendi, se ishin ndryshe nga të tjerët. Deri më atëhere, përpjekjet e arkeologëve Ceka (Plaku), Islami e të tjerë, duket se nuk u kishin bërë përshtypje banorëve të Zgërdheshit në Krujë, që punonin të qetë tokën dhe kullosnin mbi qytetin antik bagëtitë e tyre. Por, të huajt, që erdhën atë ditë të vitit ’80 nuk ishin aq indiferentë. Në skajet e fshatit, që tashmë është parcelizuar dhe mbushur me tarraca me shumë ullinj, njësoj si atëhere, flinin pa fund bunkerë. Shumë syresh aq të mëdhenj (duhet të mbanin topat e kalibrit të rëndë)sa mund të habisnin edhe indiferentin më të madh...Kuptohet, jo fokusin e turistëve, që shpejtuan të materializonin gjithshka, bashkë me kalanë, ku mendohej se mori jetë emri i Albanëve. Ajo që do të ndodhte më pas merret lehtë me mënd. Nuk shkeli më këmbë turisti, por edhe këmbë arkeologu. Ajo që ishte bërë ishte bërë. Banorët ishin zhytyr sërish në harresë. Ishte zonë ushtarake, ndërsa historianët e përkthyen më lehtë justifikimin e tyre. Sipas një rregulli të shenjtë në arkeologji, kur nuk di se çfarë të bësh, është më mirë që të heshtësh, pra që të mos gërmosh. Që atë ditë arkeologët u rralluan në këtë vend. Humbën dhe shpresat e banorëve se do ishin diçka dhe do i bënin karshillëk Krujës së Skënderbeut, që i sodiste ngultas dhe shpërfillshëm nga pak kilometra lart, prej shekujsh që nuk mbahen mënd....

Në fshatin e kalasë së Albanëve

Merit Seferin, një 55 vjeçar, që e takojmë të parin duke iu afruar kalasë së Zgërdheshit, është njeriu i parë që e shpreh hapur indiferencën e tij. “Keni ardhur në kryeqytetin e Ilirëve, na thotë patetik-këtu është qyteti më i parë i të gjithë ilirëve. Këtë duhet ta dini mirë”. Eshtë një ekspert “i vërtetë” dhe më kot, mundohesh t’i shpjegosh, se nuk është bash ashtu. Në kokën e tij Iliria është një shtet i ngjashëm me të sodit. Gruaja, që i shkon pas ish-mësuesit hesht, por në këtë memecëri miraton me shkëlqimin e syve- zgjuarsinë e të shoqit. Pak tinëzisht, na hedh disa vështrime triumfatore, që përfundojnë të prehura në fytyrën e errët dhe të rreshkur të mashkullit të saj. Ky i fundit vijon të tregojë për historianët, që kanë qenë në shtëpinë e tij. Atyre, që plaka e tij e vjetër, u shërbente dikur. Kanë qenë arkeologë specialistë (një nga një i shqipton emrat e njohur) dhe kanë pasur strehë tek shtëpia e mësuesit të fshatit. Në fakt, në ditët tona shumë prej tyre nuk janë...Eshtë i vetmi moment, që më bën ta shikoj me adhurim intelektualin-fshatar. Ky është dekiku i vetëm, që e falenderoj burrin e veshur thjesht dhe qytetarçe: që nga ana e tij, përfundon me një deklamim potencial: “Kjo është kalaja e Zgërdheshit...Albanapolisi i famshëm”.

Albanapolisi

Teksa i hedh sytë, nga më thotë ai, shikoj se asgjë nuk ka të famshme për një rishtar ky vend. Mjedis baritor. Ndërsa, sipër tij, disa gërmadha, mbushur me shkurrishtet që i kanë shpëtuar sezonit të fillimdimrit. Duke ardhur, pas një shmangie nga magjistrali kryesor, shkrimi i zakonshëm në një tabelë rrugore dhe më pas, një fjalë e vetme në një ndërtesë rurale, janë e vetmja gjë, e cila realisht të kujton Albanopolisin e arbërorëve. Por, aq dobët sa janë shkruar, ato të sjellin më shumë ndërmend emrin e një klubi...sesa një qytet hijerëndë, si u pëlqen që të nanuritet sedra e banorëve. Në shtëpitë e fshatit duket ka pak gjallërim, kurse tymi i zbehtë nga pak oxhaqet tregon se banorët duhet të jenë shpërndarë për bukën e përditshme. Janë të gjithë të paqëm. Ashtu si këto ditë dimri të qeta, që shkojnë të patrazuara, edhe në fshatin Zgërdhesh dimri është ende në frymën e parë. Më të vegjlit shkojnë në shkollë, të tjerët e shtyjnë në qendër të fshatit dhe në rrugën që lidh Fushë-Krujën me Krujën, ndërsa pjesa tjetër e mbetur (ata që nxjerrin bukën) në Gropat e gëlqeres. Këto të fundit, të fshehura me tymin e kapërthyer të tyre, që shpesh herë e kalon katin e parë dhe të dytë të shtëpive të zakonshme të fshatit, janë të llahtarshme. Afrimi ynë ngjall kureshtje, ndërsa gjërat shkojnë në vend kur mënjanohemi drejt kalasë. Kam pak minuta që e kam lënë Meritin dhe ngjitemi në kodrën, ku mendohet se është qyteti nga të cilët morën emrin shqiptarët Mesjetarë. Në të njëjtën kohë, më duhet që t’i shpjegoj një kolegeje italiane çfarë është ky qytet për shqiptarët...Më buzëqesh pa fund, por duket se pak i bën përshtypje. Nga poshtë fshatit në horizont, qytetin e famshëm të Meritit, e kam parë thjesht si një grup të vijueshëm rrënojash, që vazhdojnë dhe i ngjiten sipër kodrës, që tutje në horizont ka si mbrojtje kalanë e dikurshme të Kastriotit. Meriti, nga ana tjetër e rrugës, bashkë me të shoqen e shikoj nga tutje sesi i avitet pak nga pak qendrës së fshatit. E ndjek me sy dhe kujtoj se në këtë fshat, që tashmë numëron 370 shtëpi, ai vegjeton. Ka lënë mësuesinë, sepse i bie më mirë që të punojë si punëtor. Dikur është laureuar në Tiranë për letërsi dhe punon. Më ka thënë se mbante dhe bibliotekën e fshatit. Tani?!!!Ka gjetur një mënyrë pune në gropat e gëlqeres, që lulëzojnë mbi fshat dhe mbijeton. “Kur ka punë punon, kur nuk ka rrin”, kujtoj fjalinë e vetme shqiptuar nga goja e të shoqes. Jemi shkëputur shumë dhe tashmë i jemi drejtuar malit. Por, deri më atje, duhet që të ndalojmë në një shtëpi dhe të hamendësojmë drejt kalasë së Zgërdheshit, e cila shtrihet e gjitha mbi fshatin, e orientuar në drejtim veri-jug si qytet. Pak metrat e fundit, që duhet t’i afrohemi kalasë duhet të kalojmë dhe një tarracë të rrethuar, ku ndanë disa ullinjve tepër të zgavruar, që janë vetë ripërtëritur me disa filizë, kullosin dele, kurse përballë tyre disa kuaj rrinë të qetë dhe krenarë duke i mbrojtur. Nuk është e lehtë të përshkosh hapësira të panjohura, por ja që duhet të shkosh në Zgërdhesh...

Qyteti

Realisht në atë që quhet sot “Kodra e kalasë” e fshatit Zgërdhesh në rrethin e Krujës shquhen muret e një kalaje të moçme. Në literaturë kam lexuar përshkrimin e kujdesshëm të një studiuesi Jovan Adami, nga ku kam marrë njoftimet e para. Ky vend është bash i lokalizuar në fundin i një vargu kodrash nga lindja që zbresin në perëndim dhe nga lartësia i identifikon më lehtë. Kodra jonë, nga ana lindore, ndahet prej kodrave më të larta me një qafë. Atje gjej një bari që bërtet pa fund dhe monologon mes shkurrnajave, por që nuk ia kuptoj lehtë gjuhën e malit. Përshëndetemi nga larg. Nga ana jugore dhe perëndimore, kodra kufizohet prej përrenjsh të thellë, ndërsa “nga ana perëndimore ulet që nga maja me kuotën 252 për në fushë duke arritur gjeri në kuotën 162”. Një pikë topografike që gjej aty dhe që hamendësoj që është e shkuar, më orienton për pikat e horizontit. Duhet sqaruar se pas Luftës së Dytë Botërore, ata që u morën me këtë vend zbuluan vazhdimin e mureve antike. Gjatë gërmimeve, që u bënë në vitin 1949, kanë dalë edhe disa godina. Arkeologët panë me kalimin e kohës, se qyteti që zbuluan ata shtrihej deri në fushë dhe rrethonte krejt anën perëndimore dhe veriore të arave. “Nga pastrimi i pyllit doli në dritë jo vetëm i gjithë muri, por u arrit në konkluzion se disa kulla, të cilat dukeshin të vetmuara si godina të veçanta ishin kulla të murit”. Një kullë anash duket realisht si më e mirëmbajtura. I admiroj një hark të këndshëm, që i ka dhënë muratori antik i panjohur. Shumë afër janë rrënojat e një kishe, tek e cila dallohet apsida e thjeshtë dhe që arkeologët e kanë fiksuar në shënimet e tyre sipër një kulle të murit tërthor. “U gërrmua rreth e brenda godinës katërkëndëshe që gjendet puq me kullën e rrumbullakët të murit A. U gërmua fundi i kullës katërkëndeshë në jug të kullës së rrumbullakët të murit edhe u bënë disa gërmime rreth godinave. Gjatë kërkimeve dhe gërmimeve u zbuluan tre objekte prej balte të pjekur, një copë tjegull me një vulë me dy shkronja TI dhe 20 copë monedha të ndryshme. Në të dyja anët e kullës së rrumbullakët muret nuk vazhdojnë as nga ana jugore as nga ana veriore pasi si nga jugu ashtu dhe nga veriu formacioni i terrenit është pjesërisht shkëmb dhe pjesërisht formonte mbrojtje natyrale”, shfletoj shënimet e arkeologëve.
Historianët mendojnë se ky qytet ka qenë i formësuar tamam dhe ruan disa elementë shumë të veçantë, ku midis tyre mendohet se ka qenë rrethuar me mure mbrojtëse po ka pasur tre mure tërthore paralele. Ka fragmente ende që janë deri një metër mbi tokë, ndërsa konstruksionet e tyre zakonisht janë prej gurësh të latuar dhe pjesërisht prej gurësh të papunuar. Në një vend, pak më tutje, duken rrënojat e një fragmenti tjetër që e bëjnë atë pjesë si të vetmuar, ndërsa një gur i qoshes është gati 1,93x0,80x0,60 dhe tjetri 4,61x0,84x0,45 m. Pjesa e murit midis këtyre dy qosheve formohet prej gurësh të papunuar. Kjo si biçim kulle vërtetë nuk ka lidhje me ndonjë mur, veçse nga ana veriore ajo mbështetet pas shkëmbit...
“Poshtë kullës duket një pjesë muri pjesërisht me gur të latuar dhe pjesërisht me gur të papunuar dhe vetëm me një faqe nga ana e poshtme duket një mur terrace…
Poshtë këtij muri dhe afër 60 metra prej kullës, duket një mur i tretë paralel me muret B dhe C. Ky mur nga ana lindore nuk fillon me nëj kullë po me një mur dhe 14 m pas këtij muri duket një kullë (6) e cila si kullat e tjera të mureve pjesërisht del përjashta faqes së murit”, sqaron në shënimet e tij Jovan Adami. Prej të tri rradhëve, që duken sipër tokës, gurët janë 2,00 m dhe 2,50 m të gjatë dhe 0,80 të trashë.
Kemi një vend tjetër që duket se ka shërbyer si mur terrace. Pak më poshtë këtij muri dhe më tepër nga ana veriore, janë të preçizuara shkallë të punuara në shkëmb, të cilat të shpinin në këtë shkëmb.
Me pak fjalë, duket se kalaja e Zgërdheshit, referuar studiuesve ka patur si mure mbrojtëse murin me kullën e rrumbullakët nga ana lindore dhe muret nga ana perëndimore. Kurse nga jugu dhe nga veriu, ajo ka qenë e mbrojtur prej terrenit tepër të pjerrët dhe prej shkëmbit. Ka të ngjarë, që muret tërthorë duhet të jenë bërë kohë mbas kohe sipas zgjerimit të qytetit. Nga sipër humbas në një trung të përcëlluar nga një rrufe, ndërsa nëpër gurë has në fosile guackash, në të vetmin moment, që e bëj t’i tërheq vëmëndjen koleges së huaj. Por, kaq mjafton...

Sikur të jetonin me kalanë

Pasi kemi fotografuar këtë ngrehinë, që e kam në kokë falë artikullit skrupuloz të studiuesit të vjetër, më duhet të zbres. Por, në pamundësi, të një orientimi, përfundoj gabim dhe më duhet të përshkoj me kolegët e mi dyfish qytetin antik dhe të përfundoj në një si biçim tyrbe, ku janë dy gurrë varri, pa më të thjeshtën shenjë identifikimi. Dhjetë minuta më vonë, mikpritësi im, Halil Voka, ish-oficer këmbsorie, por që tashmë është kryeplaku i fshatit më thotë shumë dhe asgjë, kur zbres në fshat. Ushtarakisht, burri, që e ka humbur prej kohësh shprehjen e oficerit, më shpjegon me fytyrën e një nëpunësi pedant. “Gjëndja ekonomike jo e mirë. Ne jemi gati 2000 banorë dhe 370 shtëpi. Këtu jemi dy fshatra të bashkuara. Fiset janë nga më të ndryshmet. Kemi fise Karroq, Faruk, Sefer, Halilaj, Zogaj dhe shumë e shumë të ndryshëm”. Referuar tij, Karroqët, Vokët, Seferët, Halilët janë vendalinj, ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga Malësia e Krujës dhe nga Dibra e nga Kukësi. Kanë ardhur të gjithë dhe jemi inkuadruar të gjithë në fshatin Halilaj. Por, këtu kanë përfunduar, shumë dhe pas shitjes së tokave. Remineshenca e vitit 1997 është e gjallë përmes këtij fakti. Që mund t’i shtohet dhe ardhja e aventurierëve të ndryshëm, të cilët kanë kërkuar për florinj në këtë vend. Nuk mbaron këtu përralla e tij, sepse vijojnë çudirat, që më duket se i dëgjoj në jerm. Kuptohet se flet për historikun e fshatit! Fshati Zgërdhesh është fshati më i vjetër në Ballkan! “Kalaja që ishit ju, është kalaja e Arbërve, që sipas historikut kanë qenë 10,000 banorë. Asnjë investim nuk është bërë qoftë në kohën e Enverit dhe qoftë edhe në kohën e Demokracisë fare”. Nuk di kujt ti besoj. Por, atje ku kam gjetur fosilet- prej 16 vjetësh, sipas kryeplakut, ferra e mbulon njeriun e zakonshëm. “Për herë të fundit kemi parë arkeologë në vitin 1992”, më thotë duke më hedhur poshtë fjalët e Meritit, që më ka treguar interesin për këtë vend, por të vakët. Sipas tij, pak ditë më parë, ka qenë dhe Ceka (I Riu) që është ngjitur në qytet. Kryetari vazhdon dhe më tregon për një shoqatë që mban emrin e Albanapolisit dhe ai duket se është boll i pakënaqur. Ashtu si edhe me të huajt. “Kanë ardhur edhe ca francezë dhe panë... dhe u shpjegova se Ju duhet të investoni pak dhe ne investojmë me mundësitë që kemi për të bërë diçka të bukur. Të bëjmë zbulime...”. Kthehet sërish te shoqata, që më sa duket ka probleme. “Ne u kemi kërkuar dhe u kemi thënë hajde që të bashkëpunojmë dhe të njihet kalaja. Të jetë një shoqatë me këtë emër dhe të mos interesohet... është kot fare...”, më sqaron ankueshëm. I shpjegoj se ai vetë nuk ka bërë dhe mundimin më të vogël për qytetin. Kthehet me forcë. “E kam vendosur,-thotë- në xhade një tabelë”. I shpjegoj se është pak. Pak minuta më vonë, kryetari ulet: “Kjo është më se e drejtë, por me thënë të vërtetën të gjitha janë bërë privatisht. Nuk kemi ndihmë nga Bashkia as edhe një lek, që ka fondin për këtë. Janë një fond i veçantë, por asgjë nuk bën. Sepse një tabelë kushton 10.000 lekë”, më justifikohet.
Por, çudia nuk mbaron këtu. Më sqaron se mësuesit i dërgojnë gati çdo javë në qytetin sipër nxënësit. Nuk jam i prirur të besoj, sepse në qytet sipër nuk kam parë as edhe më të voglën gjurmë, që zakonisht lënë ata që e prekin një vend shpesh. Por, i dukemi, një mall i mirë për të na hedhur hi syve...Ai vazhdon retorikën dhe pak minuta më vonë të sqaron vetë..se në kohë tjetër është e vështirë të ngjitesh…

Rekuiem për varfërinë e Arbërorëve të shekullit XXI

Eshtë një varfëri e madhe dhe jetojnë me mjete private duke përdorur gropën e gëlqeres, që është në kundërshtim me të gjitha parametrat që duhen për ndotjen. “Unë kam dhënë intervistë, por nuk kanë ku shkojnë, më sqaron kryetari. Eshtë e vërtetë që kanë tokë, por ajo nuk jep asgjë”. E banorët djegin goma dhe vazhdojnë që të djegin. Gati një muaj më parë kanë dërguar një grua, që i ka rënë infarkt prej kësaj pune. Por, kush do t’ia dijë. Vetë kryeplaku ka kërkuar matje, nga autoritetet dhe përfundimi ka qenë katastrofal: Ka dalë se gjatë 24 orëve ka dalë mbi 300% të normës së lejuar, thotë duke ulur kokën. Ata, që janë më të fortë, tashmë kanë prekur të gjithë botën, si të gjithë shqiptarët duke kërkuar një alternativë tjetër. Në Greqi, Itali, Francë dhe në të gjitha vendet e botës, por jo në “kryeqytetin e Ilirisë”, që të jep kancer dhe pak lavdi.
Sepse të tillë janë banorët këtu, që në kohët e moçme e kanë njohur veten me emrin Kakariq. Kanë tokë të varfër, ndërsa vetë e kanë fjetur mëndjen, që kaq është. Sikur të mos mjaftonte kjo, në Krujë kanë prishur një rezervuar nga ku ujiteshin tokat e këtij vendi. Kështuqë sot nuk prodhohen as gjërat më elementare… as zarzavatet e veta. Ndaj, jetojnë vetëm me gëlqere dhe me punë të zeza, por edhe me emigracion. Ata të paktit në vend mezi e shesin me çmim shumë të ulët gëlqeren e prodhuar “100 lek kilogrami”.
“Ka 8-9 vjet që uji nuk shfrytëzohet sepse janë prishur kanalizimet e ujit nga rezervuaret dhe puna e keqe e gurorëve dhe inerteve ka bërë që ato të dalin jashtë përdorimit. Fshati ynë prej vitesh nuk vaditet”, më thotë në fund fatkeq kryetari.
Ia di epilogun. Duhet të vejë dorë shteti...ose monumentet e kulturës. Sipas tij, Zgërdheshi mund të thithë shumë vizitorë të huaj, sepse është një vend shumë i mirë. Gjithmonë Providenca-shtet.
...
Më duket fatkeq dhe i kotë në përpjekjen e tij. Nuk i them dot që kalaja nuk hahet.
Largohem dhe kjo është gjëja më e mirë, që të dëgjosh njerëz, që kanë lindur për tu shtypur.
Asgjë nuk e ka peshën e dikurshme në këtë vend. Këtë e shikon kur ikën. Por, Meriti dhe Halili, janë të bindur se ky vend është i veçantë. Por, e dinë, që derisa nuk është bërë, atëhere në atë kohë, shumë ka pak mundësi që gjërat të ndryshojnë tani. Kuptohet, bëjnë sikur besojnë të kundërtën. E derisa fitohet në Butrint, pse mos të fitojnë dhe ata. Në fakt, kaq dinë. Kurse Zgërdheshi rri nga sipër dhe i shikon të mjerët. Për ata, që gjeografikisht janë “kryeqytetarët e Ilirisë”. Për fat, nuk vinë më turistët e dikurshëm, por shumë historianë dhe studiues të huaj, që shkojnë dhe vinë...nuk thonë më asgjë...Kur ikin u mbetet t’i pëshpërisin njëri-tjetrit:Vallë të jenë ata kryeqëndra e Ilirëve?! Askush nuk ua thotë burrave...Kujtojnë vetëm se që nga dita kur ktheheshin arkeologët e vjetër në këtë vend nuk shkeli më askush...Fati kishte ikur bashkë me turistët e viteve të socializmit. Dimër 2006.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT