E premte, 19.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Lirimi i Boshkovskit dhe fushata për lirimin e Tarçullovskit

E merkure, 04.11.2009, 09:30 PM


Lirimi i Boshkovskit dhe fushata për lirimin e Tarçullovskit

Nga Valon Kurtishi

Me Rezolutën 827 të  Këshillit të Sigurimit të OKB të propozuar nga ministri i atëhershëm gjerman i punëve të jashtme, Klaus Kinkel, më 25 maj 1993 u themelua Gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi, më e njohur si Tribunali i Hagës. Kjo Gjykatë u themelua për të dënuar katër lloje të krimeve dhe për të gjykuar përgjegjësitë individuale të kriminelëve të luftës në territorin e ish Jugosllavisë. Në vitet në vazhdim, kjo Gjykatë ka dhënë një numër të madh të vendimeve me të cilat është përpjekur të vërë sadokudo në vend drejtësinë për viktimat e luftës gjatë agresioneve sërbe të viteve 90-të në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, si dhe të krimeve maqedonase mbi civilët shqiptarë në luftën e vitit 2001 në IRJM.
Duke qenë produkt i një kompromisi të fuqive të mëdha e për pasojë shprehje e balancave ndërkombëtare, kjo Gjykatë gjatë veprimtarisë së saj ka dhënë disa verdikte kontradiktore të cilat kanë lënë me gojë hapur shoqatat e viktimave si dhe organizma të ndryshëm ndërkombëtarë që meren me  mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Që në fillim kjo Gjykatë ka dhënë dënime shumë të ulta për kriminelët sërbë të luftës të cilët kanë masakruar civilët kroatë në qytetin e rrethuar të Vukovarit si dhe në pjesë tjera të këtij shteti. Në vazhdimësi, kjo Gjykatë është treguar tejet e butë me kriminelët sërbë në Bosnjë dhe Hercegovinë të cilët janë përgjegjës për gjenocidin më të tmerrshëm pas luftës së dytë botërore në Europë ku humbën jetët e tyre mëse 250.000 qytetarë. U tmerrua një botë e tërë nga rrethimi katërvjeçar i Sarajevës, 5 prill 1992 – 29 shkurt 1996, ku u pushkatuan “live” para kamerave të gjithë botës “demokratike” mbi 12,000 mijë qytetarë të pafajshëm prej të cilëve mbi 1500 fëmijë; nga kampet e përqendrimit në të cilat u zhdukën pa gjurmë me dhjetëra mijëra të rinj boshnjakë; nga përdhunimet e më shumë se 50.000 mijë grave; nga shkatërrimet e llahtarshme të gjithë potencialit ekonomik dhe infrastrukturor të një shteti në mes të Europës. Dhe për gjithë këto barbarizma tmerruese, Gjykata e Hagës dha dënime gati qesharake për një numër shumë të vogël të bishave me fytyra njeriu, përgjegjëse për gjithë këtë llahtar të ngjashëm me skenat më të errëta të apokalipsës biblike.
Pamja e njëjtë e masakrimit të pashoq të popullatës civile dhe aplikimit të taktikës së tokës së djegur u pa edhe në vitin 1989 në Kosovën shqiptare. Edhe këtu makineria sërbe e luftës u hakmor në mënyrën më brutale e të çmendur të mundshme në popullatën civile shqiptare për humbjet që pësoi nga sulmet tre mujore të Aleancës së Atlantiku të veriut si dhe në përballjet me njësitet e armatosua dobët të UÇK-së.
Ljube Boshkovski
Ljube Boshkovski
Skenat e njëjta të llahtarshme por në një hapësirë më të kufizuar kohore dhe territoriale ndodhën edhe në IRJM gjatë vitit 2001. Policia, ushtria dhe njësi të ndryshme paramilitare të përforcuara me mercenarë terroristë nga shtete të ndryshme sllave u vërsulën kundër shqiptarëve të pambrojtur në këtë vend. Rezistenca heroike e UÇK-së si dhe fitoret e ndryshme të saj në shumë zona operative, shkaktuan një atmosferë disfatiste në radhët e makinerisë sllavo-maqedonase të luftës. Të gjendur në këto pozita, si dhe për të ngritur moralin e rënë përtokë, kreu ushtarako-politik maqedonas organizoi dhe realizoi në kohë dhe vende të ndryshme një numër të aksioneve klandestine me të cilat synohej që me anë të akteve terroriste të masakrohej popullsia civile shqiptare dhe të rrëzohej morali i lartë i luftëtarëve e të lirisë dhe i popullatës civile shqiptare në përgjithësi. Një nga këto masakra të tmerrshme u krye më 12 gusht 2001 në fshatin shqiptar Luboten, reth 10 kilometra larg Shkupit, ku u masakruan 10 fshatarë shqiptarë dhe u maltretuan qindra të tjerë. Pamjet televizive që u xhiruan nga vetë TV shtetëror maqedonas nuk lënë vend për të dyshuar. Në to shihet qartë ministri i punëve të brendshme i asaj kohe, Lube Boshkovski duke dhënë urdhra policore pikërisht në atë ditë dhe në atë zonë ku ndodhi kjo masakër e tmerrshme. Për këtë, ministri në fjalë pas mbarimit të luftës dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, nga 13 gushti i vitit 2001, dhe në kuadër të kërkesave të drejta dhe shumë të natyrshme për dënimin e krimeve të luftës, nën një presion të fuqishëm ndërkombëtar u ekstradua në Hagë. Me këtë, familjarët e qytetarëve shqiptarë viktima të krimit shtetëror u qetësuan duke shpresuar në drejtësinë ndërkombëtare, si  një instancë e fundit ku do të mund të realizohej zbardhja e krimit shtetëror të faktuar edhe me xhirime televizive të vetë TV shtetëror maqedonas. Megjithatë, nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm politikë si dhe në favor të ruajtjes së balancave të brishta politike në këtë republikë ish jugosllave, Gjykata e Hagës e liroi nga përgjegjësia komanduese ministrin kriminel të asaj kohe. Me këtë veprim të sajin, kjo Gjykatë u demaskua përfundimisht si një organizëm joserioz, pre e lehtë e ndikimeve të ndryshme politike që s’mund të kenë asgjë të përbashkët me parimet kombëtare dhe ndërkombëtare të drejtësisë dhe së drejtës.

Të shtyrë siç duket nga ky sukses i papritur në relativizimin dhe mjegullimin e krimit shtetëror, qeveria e tanishme e  Gruevskit i ka ndezur kohëve të fundit gjithë motorët dhe ka mobilizuar aktorë të ndryshëm në një përpjekje të dëshpëruar dhe shumë të çuditshme për të aritur lirimin edhe të një krimineli tjetër të luftës të implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me gradën e kolonelit në Luboten: Jovan (Johan) Tarçullovskit. Vërehet qartë një fushatë e mirë orkestruar në media të shkruara dhe vizive për t’ia aritur këtij qëllimi kriminal. Nuk kalon ditë që të mos organizohen debate dhe takime të ndryshme me një pjesëmarrje të gjerë të funksionarëve shtetërorë, deputetëve, familjarëve, figurave të ndryshme publike e deri klerikë të lartë, të bashkuar  në këtë detyrë të “shenjtë” kombëtare: lirimin nga burgu i Hagës të këtij krimineli të luftës. E gjithë kjo propagandë e shfrenuar dhe cinike në favor të krimit, bëhet në emër të drejtësisë dhe financohet me paratë e taksapaguesve si maqedonas ashtu edhe shqiptarë.
Nga ana tjetër, në bllokun etnik shqiptar vërehet një stepje dhe heshtje e pashpjegueshme dhe shumë enigmatike për këtë rast shumë të dhimbshëm për gjithë popullin shqiptar këtu. Deputetët shqiptarë si dhe bartësit e ndryshëm të funksioneve publike të këtij komuniteti, as që meren me gjëra të tilla të “vogla” e të “parëndësishme” për ta. Madje sipas informacionit të Top Channel  nga 13 gushti 2009, asnjë forcë politike nuk i ka përkujtuar këto viktima të terrorit policoro-ushtarak maqedonas. Faktorët politikë dhe shoqërorë shqiptarë i ka kapluar një heshtje e pajustifikuar e cila në këto kushte mer përmasa kriminale të largimit të përgjegjësisë nga vetja për të mbrojtur interesat e atyre që i votuan: qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. Qytetarët shqiptarë të Lubotenit të cilët u ndodhën krejtësisht të pafajshëm para tytave dhe thikave të kriminelëve shtetërorë në vitin 2001, duhet të meren urgjentisht në mbrojtje komunitare dhe shtetërore. Shoqëria civile shqiptare duhet të dalë vendosmërisht në mbrojtje të këtyre banorëve dhe të demaskojë fuqishëm krimin shtetëror në Luboten. Shoqëria civile shqiptare, në mungesë të reagimit të politikës shqiptare këtu, duhet ti thotë një jo të madhe, të prerë dhe të argumentuar lirimit të kriminelëve të luftës, amnestimit nga faji si dhe relativizimit të krimeve të tmerrshme shtetërore maqedonase ndaj civilëve shqiptarë në vitin 2001. Nëse rastësisht, Tarçullovski lirohet nga Gjykata e Hagës, kjo do të jetë kulmi i poshtërsisë dhe i padrejtësisë ndërkombëtare e kombëtare bashkë. Kjo do të ishte disfatë e turpshme për drejtësinë si dhe një argument më shumë që do të faktojë për të satën herë me radhë, se politika shqiptare në IRJM definitivisht ka rol të pastër shërbëtori dhe krejtësisht dekorativ në pushtetin sllavo-maqedonas. Komuniteti shqiptar në këtë vend duhet të mendojë seriozisht për alternativa të reja politike dhe për njerëz krejtësisht të rinj në moshë dhe në ide, të cilët do ti mbronin interesat nacionale pa asnjë kompleks inferioriteti dhe në reciprocitet të plotë me pjesën sllave të politikës këtu.   


(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora