E diele, 17.11.2019, 01:19 PM (GMT)

Reportazh

Jala, ndal këtu fillon parajsa

E marte, 16.01.2007, 06:36 PM


Shkruan: Ben Andoni

Aty e kishte lënë Ai. Më pas heshti. I duhej të merrej me armiqtë, t’i ndiqte kudo bokërrimave të këtij vendi të nëmur. Fitoi, vdiq dhe u harrua, por la pas një rrugë që e përshkuan për disa shekuj karvanet me barbarët, njerëzit e Bizantit me tunikat e çuditshme, sllavët, venedikasit, Napoli, turqit, grekët...italianët. Një ditë, përmes “rrugëve të bardha” ata vetë, fshatarët e Himarës, shkuan ta sqaronin punën me lebërit për të caktuar kufijtë në Llogara me fshatin e Dukatit. Kush do të ishin këtej e tutje sinoret e tyre. Kur mbaruan punë, teksa ktheheshin faqebardhë, dolën përballë Çikës për t’i treguar se ishin sërish aty...Poshtë ishte deti, rëra, ullinjtë dhe shtëpitë e tyre. Kaptuan Llogoranë të qetë dhe shkuan në istikamet e tyre për të vazhduar jetën mbushur me halle...U shpërndanë, edhe vunojtësit e shkuan në det, aty në Jal për të vazhduar jetën me detin...me pafundësinë. Kështu më rrëfen në këtë janar, kapluar me re të stërzeza në Jal, plaku Kristo. Kaq di. Nuk di më shumë.

Nga rruga e Çezarit...
 
“Rrugët e Bardha”, nga vinin fshatarët atë ditë, i ndërtoi për legjionet e tij Jul Çezari. Por, edhe nëse shumë nuk u bënë prej tij, ato i mbetën emrit të tij të madhërishëm. Si ndodh në vendet, ku lindin histori- legjendat lidhen vetëm me personalitete të tilla. Epo, kush mund t’u bënte ndryshe karshillëk, të parëve të himariotëve. Vërtetë, rrugët e dikurshme, që katragjyshërit e këtyre njerëzve i quanin me këtë emër, nisin nga dremitja e maleve të Vetëtimës dhe përfundojnë në një fushëzë të Palasës për të përfunduar cipës së tejdukshme të detit Jon. Një sy i vëmendshëm, që ka përshkruar Qafën e Llogarasë, aty ku sapo fillon e tatëpjeta, do të dallojë që nga larg “Rrugët e Bardha”. Të gjitha bashkë nisen nga aty, ku Çezari në çadrën e tij i mendonte se do i shërbenin më vonë për të mposhtur krejt armiqtë. Të ngërthyera në këtë reliev të frikshëm- e duke u zgjeruar në drejtim të detit, ato i mbijetuan kohës, dhe mbetën në përrallat, që pak syresh i kthyen edhe në rrëfenja të bukura. Jo më kot, vendasit e kanë hobi që të tregojnë, kurse lundërtarët e këtyre anëve, piratë me nam, i lidhën me shenjat e tyre personale të detit. Në fakt, edhe pse tashmë është rrudhur me gjashtë fshatra: Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Kudhësi, Piluri dhe Qeparoi, legjenda e Himarës jeton me mbetjen e saj...gurët, gërmadhat dhe antropologjinë e veçantë të njerëzve.

...Në Jal

Teksa kemi përfunduar rrugën me Palasën, kemi përshkruar Dhërmiun dhe pasi kemi kaluar dhe Idhjazin i afrohemi Vunoit. Kemi braktisur ëndrrën natyrore, e cila lidhet në të djathtë me toponiminë me “Rrugët e Bardha”, për të shkuar drejt asaj, që banorët e njohin me emrin e ultësirës së Jaliskarit. Një ballkon i madh natyror rreth 300 metra mbi det u bën roje pemëve të pafund me ullinj, ullinj dhe ullinj prapë, ku thellima dhe muratura të ndërtuara, për t’i mbrojtur nga dheu kapriçioz i kuq, i rrethojnë ngado. Aty këtu ndërtuar ndonjë rezervuar, pjergulla, portokalle, limona, fiqadhamë dhe lule sendërtohen kudo. Bash të egra, si fytyrat e tyre.
Pasi e kemi lënë edhe Vunoin, 500 metra më tutje- një tabelë e shëmtuar, të drejton në Jal. Nuk ka gardhe këtej, por të gjithë e dinë se të kujt janë edhe kokrrat e ullinjve. Seicila ka vendin e vet. Aty has një të vjetër, të parin syrëesh. E pyes për pronat e të parëve. “Këtu janë”- më thotë me indiferentizëm. “Ku i mban mënd”,-e pyes pak me keqësi, duke aluduar për moshën. “Po i mbaj, sepse ato janë jeta ime”, ma kthen hazërxhevap. Ajo që marr vesh nga rruga është vetëm se ka gjuajtur për peshk. I shkurtër, me mustaqe, dhe tepër simpatik, ai është i qetë dhe kopetent. Ka gjuajtur për peshk, në fakt, kuptohet lehtë nga trasta. “Me dinamit-e pyes. “E, ç’të duhet ty”,- më thotë. Në fakt, nuk më duhet sepse teksa kemi lënë fushën poshtë dritareve të makinës shfaqet Parajsa me emrin Jal. E harroj plakun, që tashmë e kam në makinë. Në horizont shfaqen dy vila ushtrie dhe poshtë disa vila, ndërtuar pa ndonjë lloj arkitekture të veçantë. Eshtë një Jal tjetër, me atë që kam lënë unë 20 vite më parë. Një nga funksionarët më të lartë ushtarakë të shtetit komunist, ushtaraku Andon Sheti, ndërtoi një vilë për ushtrinë në majë të një kodre në Jal. Nuk e gëzoi, sepse në mesin e viteve ’70, ai ishte një nga puçistët, që do përfundonte në pranga. E vetmuar, e pabanuar, vila në kodër-breg shërbeu vetëm në fotot e rralla, që bëheshin në atë kohë në këtë vend, për të treguar bukurinë virgjërore të turizmit shqiptar. Me disa shkallë gati 200 metra të gjata, ajo lidhej me detin, por askush nuk lihej aty. Në një farë mënyre, dukej si shtëpia e një perëndie…Poseidonit, mbase do i shkonte më për shtat. Ushtarët, të cilët do të vendoseshin në një ndërtesë afër, e përshtatën sipas mënyrës së tyre, derisa vila mbeti një shprehje e së shkuarës. Pakkush e vizitoi në kohën e viteve të komunizmit ndërtesën, e cila lartësohej e vetme dhe ushtarët e lyenin me gëlqere. Në të gjithë Jalin me rërën dhe detin e mrekullueshëm, shtuar me peisazhin hyjnor- ishin vetëm tre shtëpi. Një e Jorgo Andonit-një burri epik me mustaqe tip Muji; një e nënoficeri musliman, që më kujtonte kapterin te Fan Fan Tulipani ardhur nga larg; dhe një tjetër më në cep. Një kamp provizor mblidhte fëmijët dhe funksionoi dy vjet për fëmijët e fshatit, kurse në një vend në skaj një mol i mbetur nga kohët e arta të Vunoit ishte poshtë një kabine, të braktisur. Nga aty, dikur niseshin anijet e vogla dhe bënin tregëtinë e fshatit me Greqinë. Shqipëria mungonte. Ishte përtej maleve.
Rreth e përqark, pastaj pemë. Kishte shumë agrume, që mblidheshin në kohën e kooperativës. Plaku Jorgo me egërsinë e tij natyrore shërbente dhe si roje për vreshtat pa fund të kooperativës...

Në “rërën e artë”

Kaq di për këtë vend. Tashmë ka vdekur Jorgo Andoni dhe ka vdekur dhe nënoficeri Nazif, me fëmijët e të cilit, luanim dhe bënim gara noti. Tani ka mbetur e vetme Jali, ngërthyer me vila dhe shtëpi, por jo me klasin që i takon një vendi të tillë. Në verë ngërthehet nga të rinj nga e gjithë Shqipëria me çadra dhe me gjithshka dhe kjo ka mjaftuar që namin tash ta pushtojë e gjithë Shqipërinë. Por për “rërën e artë” pak kush e di. Më duket si “Bashka e Artë”, në fakt. Pyes dikë për kuptimin e Rërës së artë. Ngre supet. Eshtë një konvencion nga banorët dhe kuptohet jo nga udhëtarët e shumtë, që kanë qenë këtu. Sepse banorët mbetën gjithmonë të fashinuar me këtë vend. Jo më kot, e kanë si Mekë për të treguar se nuk kanë ikur kurrë nga fshati, të paktën me përfytyrime. Eshtë kështu dhe kaq. Nga e gjithë zona, vinin dhe kuronin reumatizmin e tyre, ndërsa doktorët e matanë detit në Korfuz, ua këshillonin pacientëve të tyre, që t’i bindeshin autoritetit të “Rërës së Artë” të Jalit. Kasnecët e parë të kësaj vetie, ishin vetë banorët që duke e njohur efektin shërues të rërës në fjalë, e përhapën kudo në vendet pas detrave. Për ata që nuk e dinë, njerëzit që shkonin në Jal, vinin pasi kishin qenë të emigruar në të gjithë Botën. Në agoranë e fshatit, që sot hesht, dukej se luheshin të gjithë lojrat e letrave që qarkullonin në botë- dhe që vunonjatasit bashkë me kapelet e ndryshme, i sillnin nga kurbeti i tyre. Banorët e këtij vendi më rrëfejnë sesi Andon Sheti, që nuk e gëzoi kurrë vilën e tij dhe që emrin e tij për ironi të fatit e mban vila, që vigjëlon mbi Jal, dikur solli një ushtar të paralizuar. Ishte kaq i sëmurë, saqë mjekët e kishin harruar se do rreshtohej ndër të gjallë. Por, mrekullia e kurave praktike të banjos në rërë, bëri që pas dy muajsh, ai të largohej nga Jali me këmbët e tij. Neço N. 62 vjeç, teksa fërkon ca vop (lloj peshku) në zjarr me vaj ulliri nuk mi hedh sytë fare. Më flet sikur i flet vetes. Një orë më parë sëbashku me një kushuririn e tij janë futur në det. E shikoj me admirim për mundimin që tregon për mua. I kërkoj të lahem det. Nuk ma ka ngenë, por ma bën me kokë. “Po ta mbajti ec...”. Sigurisht, që ma mban, i përgjigjem. “Eja...eja...” (që përkthehet ik, ik më thuhet qetazi)...E ndjej që këtu është një mrekulli. Dhe, nuk është fare pa bazë. Tregojnë se në vitet ’60, një grup studjuesish të huaj, kur erdhën në Jal u mahnitën nga përfundimet e analizave të tyre. Ngaqë kur e vlerësuan realisht përbërjen e kripërave dhe përqindjen e lartë të jodit, panë një përqindje që e kalonte atë të gjithë Shqipërisë, biles edhe në Ballkan. Por këtë dimër, ashtu si çdo vit njësoj- Jali hesht. Kthehet në origjinë dhe mbetet vendi i qetë i banorëve, që flasin për pranverën, verën dhe kohën kur do rikthehen njerëzit e tyre. Kështu heshtin dhe treten gjatë. Pas Jalit janë plazhe të shumta, që janë njësoj të virgjëra- dhe që gjenden kudo .”Rrugët e Bardha”, “Rërë e Artë”, më ngatërrohen dhe më duken si përralla, por ato janë pjesë e thesareve që mban natyra në këto anë dhe që përbëjnë një pasuri të pallogaritshme. Jo më kot, banorët e Himarës i kanë mbrojtur dhe i kanë pasuruar. Ata i kanë ruajtur njësoj të pastër si vendin e tyre, ashtu edhe rërën dhe plazhet e tyre. Paçka se tash janë larg këtij përfytyrimi. Kanë bashkëjetuar me natyrën e me vendin e tyre, me aleatët e tyre të përjetshëm. E janë pa gojë, sot, kur ndodh që dikush vjen të grabisë rërën e tyre dhe pyllëzon keq me kasolle e kioska, me tip hotelesh demode apo konakë të shëmtuar, si shprehen banorët. Kjo i prish pak traditat e tyre të bukura shekullore, por ja që ndodhin.

Udhëtim si në Parajsë

“Rrugët e Bardha” të dërgojnë në vende, ku jo vetëm shpaloset historia interesante e këtyre trevave, por edhe për një manual turistik edhe material të pafund për tu shfrytëzuar.
Kisha e Shën Spiridhonit, Manastiri i Shën Theodhorit, Gryka e Djallit në Ngjipe, Shpella e Piratëve, Shtegu i Dhenve, Shkëmbi i Peristerëve, Guri i Shquar, Istikami i Janos, Foletë e Bardha, mund të jenë në vetvete fillesa për ture të mrekullueshme turistike. Në Ngjipe, ku fshihet një shpellë e mrekullueshme me emrin Gryka e Djallit, thuhej se dikur bëhej kontrabanda e cigareve, ndërsa vite e vite të shkuara, qetësimi i piratëve pas presë në det. Këto mi tregojnë pak më vonë në fshat, në kafenenë e vogël që është në buzë të rrugës. Por, mrekullitë tashmë janë gjithmonë e më të pakta, ashtu si një grua që shikoj nga larg dhe është e vetmja e afërme e largët, që më ka mbetur në Vuno. E këndshme dhe e fortë, 80 e kusur vjeçarja, që është e ngërthyer me shpatullat e mbledhura, nën peshën e një barre dru më shikon me dritë. Shikon jetë...shikon njeri. Ka ende shenja bukurie dhe një palë syze shumë të bukura të fisme. Qesh, por, nuk ngazëllehet. “Jeto...je i biri...i të shkretës...”. “Po”,- i përgjigjem. Këtu flitet me shkretanë vetëm. Tradicionalisht, këto qënie respektojnë traditën, zakonin, i cili është një ligj i pa shkruar, por me një forcë jetësore për këdo, që do të guxojë që ta shkelë. Bëj një copë rrugë me të vjetrën kapur dorazi, para një peisazhi të mrekullueshëm. Në një të tillë, peisazhisti Lear, tregon për banorët e atëhershëm të Vunoit dhe sesi vuri një shenjë diku për kujtesë. Kurse Eqerem bej Vlora tregon sesi dikush nga familja e Kasnecëve, në kohën e tij kishte në kullën e tij të murosur simbolin e Shën Markut, marrë në Venedik, një vetëdije për t’u treguar të tjerëve, që ishin familje jo si të tjerët.
Por, pak shtëpitë e ndërtuara, janë pak për të besuar se ka jetë në këtë vend. Çuditërisht Vunoi i bukur, që ngjan me një fshat arbëresh, mbushur me thollo (tunele) dhe rrugë poshtë tyre- ka plehra dhe mungesë serioze të duarve të njerëzve. Shquajnë gërmadhat e erës së fashizmit dhe kujtimi i trishtë mbi shtëpitë, që kurrë nuk u ngritën më, ndërkohë që pak njerëz kanë filluar të ndërtojnë kudo. Edhe pse kudo në bregdet tashmë ka shtëpi të reja, rrugë të reja, kisha të rindërtuara, kanalizime, ujësjellësa, klube e shtëpi pushimi, qendra turistike në Dhërmi, Ngjipë, Jal, Himarë, Palermo, Qeparo...aty është ndalur...
...
“Këtu i kemi ullinjtë”, më tregon në kthim, Kristo N. 70 vjeç. Kështu mbyllet dhe rrëfimi ynë për Jalin. Nga rruga që erdhëm, patjetër edhe do largohemi duke lënë pamjet e mahnitshme, që të ndjekin pas. “E bukur është”-kthjellohet Dhimo, që do të na bëj konak sonte në kullën e tij. Rrugës më tregon rezervuarin dhe sërish ullinjtë ...dhe të gjyshit...”E ka fal Zoti këtë vend, ndaj shkojmë rehat në Shën Spiridhon”-më thotë.
Eshtë vendi i fundit i vunjotësve atje ku presin pushimin e pasosun dhe si për ironi të kohërave shikon sërish nga deti nga Jali...atje ku rreshtin rrugët e Çezarit. Edhe ky është privilegj hyjnor për njerëzit që kanë jetuar me Jalin...Eshtë janari i vitit 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT