E shtune, 21.09.2019, 10:13 AM (GMT+1)

Reportazh

Oborri i Lemerise

E merkure, 27.09.2006, 07:30 PM


Shkruan: Ben Andoni

Po të kërkosh do gjesh/…, atë që ti do/ dhe larg syve të njerëzve ti do të thurrësh ëndrrën tënde/…për pak jetë/, dhe i qetë do t’i falesh shpirtit tënd… “.
Një rome simpatike, që jetonte në Angli dhe më ka treguar për his torinë e familjes së saj, ia atribuoj këtë këngë, që tingëllonte këndshëm me gjuhën rome të saj, që është aq e bukur dhe e qashtër. Ajo, vetë, ma tregonte dikur me gjuhën rome dhe sikur të njiheshim prej kohësh ma shpjegonte me durim me një anglishte perfekte.
Por, pak kilometra nga Tirana, ekzotizmi i këtyre fjalëve, e ka humbur kuptimin. Bashkë me të edhe ngjyrën. Jemi në realitet, teksa era e skamjes na lbyr fytyrën dhe ata, banorët që kanë populluar një pjesë të Shkozës, pa i thënë askush, afrohen dhe afrohen nga të gjitha anët…, kur pikasin mbërritjen e të panjohurve në Oborrin e tyre të Lemerisë. Një si biçim meksikani më përshëndet me një iriq në dorë…dhe nga ana tjetër, mban pa kujdes një bebe të porsalindur…

Ky komunitet ka pak kohë që ka ardhur në Tiranë. Më mirë, është ngulur në atë që më parë quhej Uzina Traktori. Larg një ngrehine në Shkozë, rreth tre kilometra nga qendra e metropolit të shqiptarëve, dhe të patrazuar nga askush, një komunitet i tërë i romëve ka ngritur çadra, kartonçina dhe ata më të suksesshmit tip banesa nomadësh me dërrasa dhe mbajtësesh provizore gjithfarëllojesh. Mjeshtër të përshtatjes, aty mund të shikosh, sesi gjërat deri më të panevojshme kanë zënë thjesht vendin e tyre?!. Një magnetofon i thyer shërben si mbajtëse veglash personale, një ish-send plastik…si depozitë dokumentash, dy hekura pa origjinë si shtylla mbajtëse…të një portali pa “derë”, një masë betoni, si vend larje rrobash…

Romët e Uzinës Traktori

Si dy pika uji, kështu janë mijëra shtëpitë e tilla nëpër Shqipëri dhe më pak në Ballkan, në vendet, ku ata jetojnë. Por, këta, që kanë pushtuar këtë vend bosh të Uzinës Traktori, poshtë të cilit kalon Lana e varfëruar dhe tashmë e zgjyrët, janë prej pak motesh këtu. E vetmja pikë kontakti me qytetin është ngrehina para tyre, që dikur duhet të ketë qenë një pjesë e krenarisë mekanike socialiste, dhe itenerari i hareshëm i fëmijëve dhe grave, që dalin në çdo mëngjez për të lypur, ose për të mbledhur kanaçet e hedhura të qytetit plot zhurmë.
Mustafa Mehmeti, 67 vjeç, që është njeriu i parë që takoj pas zhdukjes së ngrehinës, më duket as më pak dhe as më shumë si një nga indianët e West-it të egër. Simpatik, i ve, rri i qetë dhe mediton. Eshtë tejet fisnik dhe i pashëm…Por, nuk dëgjon mirë dhe mezi më shpjegon se nga është. E vigjëlon nusja e të birit, që në fillim më duket në moshë si ndoshta e shoqja. Të ngratit i ka vdekur prej kohësh bashkëshortja, ndërsa gruaja, që lan ose bën sikur lan rroba tej...në një si tip govate alumini, bën përkthyesen. Ai, edhe e gjithë gjindja e tij, kanë ardhur nga Elbasani. Ashtu, si shumica e shtëpive këtu, kanë ardhur nga Peqini apo rrethinat e Elbasanit...më pas, ata që banojnë pak më tej, janë nga Fieri. Kështu kanë ngritur minilagjet në qytetin e tyre, pa dyqane, pa institucione, pa asgjë ...Plaku, që është futur në muhabet, sakaq më tregon një grup të tërë Mehmetash, që pa pritur t’i thërrasë kush kanë filluar refrenin: Jemi të varfër. Shteti...Çfarë ke sjell…Më kqyrin nga të gjitha anët sy të errët, flokë gështenjë dhe fëmijë me flokënaja bjonde?!... Më vonë do marr vesh se janë 450 frymë. Më të vegjlit i fusin duart gjithkund. I gjithë leksiku i lypjes të vjen mbytazi, por pa forcë…sepse të kërkojnë të gjithë.
O Zot, kuptimi i këtyre për shtetin- është një barkmadh, i cili u jep të gjithëve që të hanë ngapak. Sikur t’i ketë thirrur dikush me trumpetë- kanë ardhur shumë syresh, edhe ata më të largtit, që të shikojnë deri në bebe të syrit. Fëmijët vazhdojnë të më prekin kudo, më të vjetërit të kërkojnë direkt...ndonjë qindarkë, ndërsa gratë të ankohen në kor, sipas mënyrës së tyre. Një grua, gati 60 vjeçare, më shpjegon se ka lënë Elbasanin t’i ndihmojë të bijës dhe dhëndërit. Ka lënë pallatin, të shoqin dhe ka ardhur në këtë gazep. “Jam në këtë barraken…”, më fton. Mban fëmijët e të bijës, sepse më të vjetërit duhet me bredh për ndonjë lek. “Shkruaje që u dogjën dy fëmijë…Na…shkrumba u banë...”-më thotë dikush me pëllëmbën e hapur. Çoroditjen dhe zgurdullimin e syve tanë e mbart me një kënaqësi të paparë... “Ja e shikon”- më thotë, teksa më tregon me gisht diku në horizont, një katrama në formë shtëpie, ku nuk shoh shenja zjarri. Po, fëmijët...?!-e ndjek me ankth. Ah..fëmijët...Ata, që më kanë rrethuar ma shpjegojnë sipas mënyrës së tyre. E humbas fillin. “Janë fëmijët e mi”,- më thotë dikush, që vjen pa u ndjerë. 15 minuta më vonë, kuptoj se fëmijët janë lënduar prej një qiriri, të mbetur ndezur, por të paktën janë mirë. Kuptohet se nuk kanë energji, ndërsa e vetmja kërkesë e tyre, që arrin të artikulohet…mes gjërave “pa kuptim”, është e thjeshtë: Duan rrymë. Po kush t’ua japë?! Kuptohet se për qyqarët, kujtohen vetëm në momentin, kur flitet për votat. Në atë kohë, vinë më shumë edhe nga shoqatat e tyre…Skënder Veliun, që e kam pyetur në Tiranë dhe është një nga eksponentët e tyre, më ka folur me respekt për banorët. Çuditërisht, këta, nuk e njohin aspak?! Dalëngadalë nuk kuptoj më shqipen e shumë romëve, që më flasin njëherazi. Marr përgjigje negative për profesionet, sepse të gjithë të thonë janë të papunë dhe mënyrën sesi jetojnë. Njeriu me iriq më shikon i patrazuar dhe torturon prenë e tij me një copë fije. Bëhet, sakaq, edhe më e vështirë që në morinë e grave që më rrethojnë dhe që kanë gjetur motiv për të lënë punët (nuk e di nëse punojnë), që të orientohesh. Të ftojnë të gjitha në shtëpi...Preferoj një grua të hijshme...që më gënjen paq... Sikur të ketë gjetur budallain më të madh në botë më tregon se ka disa fëmijë dhe burrin e ka shumë të sëmurë. Ky i fundit, quhet Adrian...duhet që të operohet menjëherë në Selanik. Duhen 12 milionë lekë veçse...O Zot, më duket se vdekja i vigjëlon në çast. Pres një fytyrë të përdëllyer. Sakaq..katrahura ka filluar...Si në ditën e Shën Gjergjit..ca këndojnë, të tjerë kujtojnë se kam sjellë ndihma...Por, Adriani, faqekuq, që shfaqet befas para të shoqes, në rrugën drejt shtëpisë më çudit. Sinqerisht është i veshur shumë më mirë se ne...Më ndalon. Duhet ti marr leje edhe atij...Një tjetër më fton në shtëpinë e tij. “Do jemi më qetë”, më thotë. Shikoj nga larg, që ka një konglomerat sendesh, që duken që tutje…, por të gjitha të mbledhura (kuruara) me kujdes nga plehrat,-ma shton. Përfundoj te Adriani, kinse i sëmurë.
Nga shtëpia e burrit duket një nga karriget e vjetra të Pogradecit, një mbulesë plastmasi e Lushnjes së dikurshme...Një foto e një D.J. iks dhe dy shalë të stërgjata të një gruaje me ngjyrë. Burri me iriq më ndjek në hesap të tij dhe më tregon sesi do t’i heqë korracën me gjëmba iriqit, që nuk i shpëton dot. Më ndjek me një kënaqësi të pafundme. Më vjen keq për iriqin, por nuk i ndih dot. Më duhet që ti krijoj pak komoditet vetes në shtëpinë e Adrianit. Më ha koka gjithandej, trupi më keq...Një burrë i ri, që çuditërisht..mban një bluzë të stampuar...”Take it easy”....më tregon nga cepi i dhomës një banjo fushore, nga pas plastmaset, që kryejnë në këtë rast funksionin e mureve ndarës. Banjoja “xheniere” është mbi atë që ata e quajnë Lanë...”Këtë e kemi bërë të gjithë. Ke siklet..”, më thotë dikush..”Jo”- i përgjigjem, por kuptohet nuk shkoj...Sytë më rrëshkasin tek fëmijë biondë...femra të reja...me gjokse të lirshme dhe shumë të mbrujtura dhe patjetër burra të ngeshëm...Nuk e di se ç’duan të gjithë në këtë si tip tende mongolësh, ku banon Adriani me të shoqen.
Mustafai nuk më nget më. Tashmë më ka lënë në perandorinë e tij. Jam me sa duket mes besës së komunitetit peqinas...
“Unë jam një njeri-rom dhe jo një rom-njeri. Kjo moto e ka shoqëruar personalitetin tim dhe përfaqëson dhe pozicionin tim kombëtar. Kjo do të thotë që jam i lidhur në themel me vlerat më të mira njerëzore dhe asnjëherë nuk jam shqetësuar për qënësinë rome. Si qytetar kam mendimin se nuk mund të jepen medalje për të vërtetën, qoftë në Lindje dhe qoftë në Perëndim. Ndërsa si një rom kam bindjen e plotë: që do të isha shumë më i nderuar sikur të isha njësoj si njerëzit që kanë statuset më të larta (jo rom). Kështu do të isha të paktën tre herë më mirë madje edhe se njerëzit më në gjëndje. Kur të ndryshoj ky koncept, do të dini që do të jetojmë në një botë të vërtetë normale”.
Janë fjalët e Rajko Xhuriç, skenaristit të Dom Za Vessanje, që nuk më braktisin, por sërish e kam vështirë, që t’u jap kuptim jetës së tyre. Përpos faktit, që ata duhet të jenë më afër thelbit pagan të jetës...

Në një shtëpi...

Eshtë sajimi më normal. Për dysheme është toka natyrale...Ka një kontrabufe, që duhet të jetë marrë nga ndonjë vend plehrash fatlumë për familjen...e Adrianit. Rrethuar me plastmasë, që mbahen nga trarë, pak të brejtur, një stufë e kamotshme...dhe rrethnajë me mindere. I ftuar në shtëpinë e Adrianit, ndjej se edhe pa ftuar askënd (këtu ka kode të tjera), është derdhur i gjithë ngulmimi. Jam i ulur në një si tip minderi, ndërsa përballë kam një vend të stërmadh që shërben për fjetje dhe që më jep të gjithë kuptimin e një vendi nomadësh. Teksa fëmijë pa fund më demostrojnë kollotumba... Një minder 8000 leksh (të vjetra), kushedi se ku është gjetur, e kam përballë. Tani e zgjidh më në fund rebusin dhe interesin e tyre. Besojnë se kam ardhur për ndihma. Çfarëdo që flas, ata duan t’u shënoj emrat. “Shëno dhe Sanijen, Ibrahimin, Tanin. Elmazi...është i sëmurë, por hajde shikoje vetë”, më thotë një i ri. Në këtë kakofoni të gjithë më kërkojnë tu shënoj emrin. Janë seriozë për këtë dhe arsyetimi im i kundërt nuk pi ujë:...”Eh..do me na e fut”, u thotë një njeri me një mjekër të varfër të tjerëve...”Prit ta shoh emrin tim”-konfirmon dikush. “Po ti më the që nuk di shkrim e këndim”...”Emrin tim e di”, më thotë me pushtllik. Ndërkohë, si Plaka Nicë, e Zonja e shtëpisë (e shoqja e Adrianit) më ka plasur para syve një thes të stërmadh me kanaçe dhe më thotë, që vetëm më këtë jetojnë. I shoqi, që e ndjen veten të begenisur, dhe që sërish na bën përshtypje se është i veshur më mirë se ne...shikon dhe më mashtron integralisht...Ky është “keq”...me shëndet. Nuk ka se ç’të hajë...Në fakt, gruaja është e mbuluar me flori, ndërsa ai vetë i qetë, me aspak pamjen e njeriut që e vigjëlon vdekja...Nuk e zgjidh dot ende se ku lahen, por dikush ma zgjidh rebusin, kur më thotë se e marrin diku larg. Hamendësoj se nga uzina përballë duhet të kenë mbetur ende depozitat e ujit...Por, pa e fshehur aspak- familja ka një shishe të madhe “Birra Tirana”, dhe zahire të tjera, gjë që tregon se nuk janë në zgrip të varfërisë...Nuk ia them..më duket si një argument që ti hedh në tuç. I lejojmë të na gënjejnë...Më shumë më gënjejnë, gratë, sidomos ato, që e kanë gjoksin “të florinjtë”...

Ku mbijetojnë

Të gjithë frontin e punës e kanë në Rrugën e Elbasanit. Kështu më thonë të paktën. “Ky po nuk nxori kaq, më thotë një grua për një fëmijë- nuk vjen në shtëpi”. I vogli, sipas saj, i ngjitet vetë autobuzit, dhe është rrugëve... Të transformuar në aktorë, të gjithë lypin, mbledhin kanaçe dhe mbijetojnë. Me të gjitha llojet e llojeve...dhe sferës të ankimimeve. Arifja...që edhe kjo, duhet ta ketë mbiemrin Mehmeti, e ka lënë punën dhe më tregon të gjithë veprimtarinë: “Të gjithë i ke te stacioni për në Rrugën e Elbasanit”, më shpjegon. Kuptohet dhe fëmijët, që këtu nuk është nevoja, që t’i thonë kujt, që në moshën që arrijnë të gjykojnë pak, duhet që të jenë të gjithë atje. Më kot mundohem që të orientohem nga muhabetet, sepse të gjitha shkojnë sipas llogjikës së tyre... E vetmja pikë orientimi është burri me kapele, që tashmë ia ka dalë që të rrjepi iriqin. Nuk e di nga ka arritur ta marrë zanatin, por derisa arrin dhe e rrjep, duket se ia di zanatit... “20 lek është kilja e kanaçave”, më bërtet dikush. Të tjerë më thonë 50 lek dhe kaq mjafton që të fillojë përleshja verbale, ku unë jam si biçim arbitri hipotetik. “Po, bakri që kushton 4500 lek...”.

Largim

Tashmë kam mbetur me burrat. Nga larg shikoj sesa në mënyrë të fisme qëndron Mustafai. Eshtë shumë simpatik dhe krenar. Për jetën mbase. Duhet t’i falet, sipas mënyrës së tij, sepse e ka shtyrë dhe e ka lënë ende të gjallë.
Askush nuk di gjë për shoqatat e romëve prej tyre...Skënder Veliun, kryetarin e Amaro Drom, që më ka bërë një leksion sipas standarteve për romët, kuptoj se nuk e njeh askush. Por, njohin mirë një italiane që ndan ndihmat dhe që i njeh mirë. “Si nuk ngatërroheni, kur u jep ndihmat”- i them Adrianit. Ajo i ka të shkruar kryefamiljarët. Italiania duket që është bash e mençme. Kujtoj se një të tillë llogjikë e kanë pas përdorur osmanët për rregjistrimet dhe nuk gabonin. Këtë herë historia është kthyer ndryshe. Italianen e duan të gjithë dhe këtë e ndjej , kur na kujtojnë si njerëzit e saj...I vetëm, një fytyrë tepër e varfër, fillon një bisedë filozofike dhe më bën një lojë të vërtetë fjalësh. “Dil në qytet- i them- dhe protesto”. Po ndaj kujt! Atij i duhet që t’ja sjellin këtu objektin. Adriani ka kapur situatën. Më zgjat një Winston dhe nuk çuditet që e shoh me dyshim “skamnorin”. Sakaq kujtoj përgjërimin e të shoqes, që ky i shkreti duhet të shkojë në Selanik për tu kuruar dhe duhen 12 milionë lekë. Eshtë më i fortë se unë...Nga pak një turmë e gjallë fëmijësh kanë filluar të improvizojnë gjërat e tyre. Gratë janë të parat, që janë shpërndarë. Mbetem me burrat, që më përcjellin dhe fillojnë e më pyesin për gjëra kot. Por, më shumë për shoqatën e tyre. Më kujtohet filmi i Kusturicës dhe më duket se ata janë pjella më e mirë e vendit tim. Ku ashtu si edhe në realitetin e gjallë- marrin pjesë shumë e shumë personazhe (nga të cilët tek Kusturica parakalonin avokatë, gjykatës, pushtetarë, kisha, spitale etj). Kjo pamje e hidhur nuk është vetëm trishtimi që vjen nga një vend, ku tashmë është bjerrur krejt sistemi politik dhe shtetëror, por kanë humbur edhe shumë të gjitha normat njerëzore dhe vlefshmëria. Madje edhe Zoti dukej i huaj në këto institucione tepër të çuditshme (kisha), sinqeriteti dhe mendimi i të cilës mbetej vetëm i fiksuar në përhapjen e slloganit të njohur “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.”, më kujtohen fjalët e skenaristit të Kusturicës.
...
Dua të largohem një orë e më parë. Por nuk kam shumë shanse..Një privat, që flet një gjuhë që e ngatërroj nga veriu na ka bllokuar makinën, sepse ka futur scrap-in dhe tërheq inerte. Nga tutje, shikoj se vendin tim e zënë dy misionare të Jehovait. Të krehura bukur, të pastra sikur kanë zbritur nga përtej, shkojnë dhe ato predikojnë tek këta qyqarë. Me vete libra për Jehovain dhe Njerëzimin, tek njerëzit që i ka harruar Jeta. Ata, vetë, edhe veten e tyre. Por, vajzat janë të bindura për këtë. Bota vdekëtare për to është ndryshe. Simpatike, më duket si çudi që duhet të predikojnë tek njerëz, që kuptohet se nuk do t’i marrin kurrë seriozisht. Gjithsesi, ato vazhdojnë, ndërsa ata i presin këtë herë pa zhurmë...Janë mësuar me sa duket me predikimin e tyre...I pari shikoj se u afrohet sërish burri me iriq dhe tregon sesi e ka lënë gollomesh kafshëzën e gjorë...
“Po të kërkosh do gjesh”,-kujtoj refrenin e mikes sime rome-që ishte e shkolluar në Londër dhe që tashmë ishte nga fatlumet e pakta të komunitetit të saj, që bënte projekte..kuptohet rëndom në kurriz të bashkënjerëzve të saj...Ishte krenare, që ishte rome...dhe që jetonte në Londër, ndërsa unë i afrohem pak nga pak zhurmës së qytetit tim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT