E merkure, 21.04.2021, 10:07 PM (GMT+1)

Kryeshkrim

Gjon Keka: Krimbat e perandorisë

E diele, 01.11.2009, 07:58 PM


Krimbat e perandorisë

Nga Gjon KEKA

Gjersa kombe të tjera të dala nga periudha dhe luftëra të ndryshme gjatë historisë kanë arritur të konsolidojnë dhe të vënë në vendin e tyre çështjen e identitetit kombëtar dhe shtyllat e tij të rëndësishme, në gadishullin ballkanik, respektivisht te kombi shqiptar, gjërat kanë shkuar në drejtimin e mjerueshëm, duke lënë që ndërtesa e tyre e kulturës dhe identitetit kombëtar të ndërtohet me anë të copave të Perandorisë Otomane dhe të ndërtesës së fundit të ish-Jugosllavisë. Duke ditur se kombi shqiptar është një ndër kombet më të vjetra të gadishullit ballkanik, që ka një gjenezë etnike prehistorike e të lashtë ilire, sot ka mbetur i copëtuar, i veshur me petk të huaj dhe i mbushur me krimba orientalë të Perandorisë Otomane.

Tani, ky komb, pas këtij aksidenti tragjik të historisë së tij, ka veshur rroba të huaja orientale dhe është mbështjellë një rrjet merimangash brenda tij, duke humbur dita-ditës identitetin e tij origjinal dhe kulturën e tij të lartë të civilizimit.

Prandaj, nga kjo duhet thënë se nëse një komb prodhon më shumë primitivizëm, injorancë, urrejtje, nacionalizëm të kuq dhe mohon identitetin e tij, edhe shpirti i këtij kombi mbetet larg shekujve, civilizimit modern dhe zhvillimit bashkëkohor. Këto prodhime orientale të mbetura nga pluhuri i Perandorisë Otomane po i trashëgojnë disa krimba që nuk dëshirojnë që kombin shqiptar ta shohin duke lulëzuar dhe duke pasur një faqe të ndritur në historinë e kombeve moderne, por ata dëshirojnë që kombin shqiptar ta gërryejnë dalëngadalë me anë të këtyre dukurive të errëta orientale që sot në shekullin XXI duken sheshit në mbarë trojet shqiptare. Një komb mund ta helmojnë shumë gjëra duke u nisur nga ideologët satanikë, doktrinat e thata, ëndërrimtarët e verbër e deri te miu helmues dhe krimbi gërryes.

Sidomos tani bota është e mbushur me ëndërrimtarë satanikë dhe rrëfimtarë të çmendur të kohërave të shpellave të errëta, prandaj në lidhje me këtë kombi shqiptar nuk duhet të lejojë të terrorizohet nga krimbat, madje edhe minjtë orientalë, sepse do të mund të vijë në rrezik shuarja e kombit në përgjithësi.

Turpi më i madh i një kombi është kur ai mban si te vetën një rrobë (identiteti) të pushtuesit të huaj si pjesë të identitetit të tij dhe mendon se me këtë veshje ata mund të mbulojnë kujtesën historike dhe të vërtetën. Por një komb pa kujtesën e tij historike është një komb pa tru dhe pa të ardhme. Forca e një kombi qëndron në integritetin e tij të plotë të identitetit, kulturës, kujtesës dhe të vërtetës së tij historike, pastaj civilizimit në përgjithësi dhe ruajtja e kësaj shtëpie integrale me dashuri ashtu që pamja ndaj botës të jetë rezonuese.

Vlera e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor duhet të jetë një qellim në vetvete dhe një pasqyrë që ne ia ofrojmë botes, e jo një vello të huaj që të mos na shohë askush dhe të mos na zbulojë askush se kush jemi në të vërtetë, po ashtu jo një pasqyrë e thyer ku dalin në shesh shumë fytyra të deformuara të kombit nga sundimi i Perandorisë Otomane, sepse në këtë mënyrë e tërë bota do të qeshte me pamjen dhe do të habitej me veshjen e kombit shqiptar me rroba të huaja orientale. Është e udhës që kombi shqiptar të fillojë të përpiqet thellë për të korrigjuar gabimet e brendshme të tij (gabimet shpirtërore ku është këputur lidhja me rrënjët, identitetin dhe të vërtetën e tij historike) vetëm në këtë mënyrë kombi shqiptar do të tregohet i mençur, komb me vizion të qartë dhe një komb që miraton brenda vetvetes së tij shikime të reja drejt një të ardhmeje të ndritshme dhe të civilizuar.

Prandaj, vetëm nëse në zemrën e një kombi janë këputur zinxhirët e skllavërisë dhe ka ndodhur ndryshimi rrënjësor, mund të fillojnë t’i japin leksione për lirinë dhe ndryshimin të tjerëve, në të kundërtën do të mbesin gjithnjë të demoralizuar, pa të ardhme dhe me një rrëfim të trishtuar të historisë së tyre.

Nga kjo mund të thuhet se nëse ne e dimë historinë dhe e kuptojmë thellë identitetin tonë, rrënjët tona, kulturën, atëherë nuk do të mashtrohemi aq lehtë nga elita politike, qeveritë që vijnë njëra pas tjetrës apo ideologët partiakë, intelektualët, studiuesit dhe historianët me qasje orientale, sepse pikërisht të vetmen gjë që një shtet, një individ, apo institucion, apo disa nga krimbat e minjtë orientalë nuk mund të burgosin apo ta shkatërrojnë, është e vërteta e historisë së kombit shqiptar. Një mrekulli nuk është asgjë më shumë ose më pak se kjo, që çdo komb që ka ardhur në dijeni të identitetit të tij të vërtetë, ka zbuluar në vetveten e tij një pasuri të çmuar që do t’i shërbente edhe botës në përgjithësi si një vlerë e përbashkët. Jo rastësisht në lidhje me pjesën e çmuar të një kombi pra kulturës, identitetit dhe qytetërimit të tij shkrimtari politik, filozofi dhe diplomati francez, Joseph Marie de Maistre, ka nënvizuar se “kudo që është gjetur një altar, aty ekziston qytetërimi”,në kuadër të kësaj dihet se trojet shqiptare janë të mbushura me altarë të cilat tregojnë qartë historinë, traditën dhe kulturën e tyre të civilizimit perëndimor. Por, sot, në këtë kohë e sidomos gjatë periudhës së pushtimit të Perandorisë Otomane, dhe tani këta altarë apo këto gjurmë janë mbuluar nga pluhuri i Perandorisë Otomane, duke ndërtuar mbi këto gjurmë historike të së vërtetës të kombit shqiptar një kulturë dhe një element djallëzisht të huaj, i cili po e dëmton dhe po e çon në dekadencë kombin shqiptar. Dhe atëherë kur një komb gjendet ne dekadencë, gjithmonë nevoja e tij e shpëtimit lidhet në referencën e të vërtetës historike, rrënjëve dhe identitetit të tij origjinal, pastaj referencat e njerëzve të urte të tij që lindin për ta shpëtuar nga shuarja e tij e plotë. Dhe krejt në fund, nganjëherë kombet dhe individët mendojnë si bretkosa, shndërrohen në krimba dhe minj që në një mënyrë apo tjetër janë rreziku më i madh i humbjes së vizionit dhe i identitetit të plotë të kombit shqiptar, sepse kur dihet se shumica e njerëzve të kombit shqiptar nuk është me të vërtetë e lirë, pa identitetin dhe kulturën e tyre të vërtetë, atëherë ai është i izoluar nga krimbat orientalë dhe minjtë e Perandorisë Otomane, të cilët gjoja se gdhendin nga jashtë ndërtesën e bërë nga copat e pluhurit të Perandorisë Otomane dhe asaj bizantine, ndërsa brenda është humnerë dhe tmerr. Por, kur një komb ka identitetin e tij të vërtetë dhe vizionin e tij të qartë, atëherë ky komb ka një të ardhme të sigurt, sepse një komb me vizion dhe identitetin e tij të vërtetë nuk ka vend për t'u frikësuar, nuk ka asnjë arsye për frikësim, por detyra e tij është që të ecë në rrugën e tij të progresit dhe të zhvillimeve moderne, duke u bërë kështu pjesë e botës së qytetëruar dhe demokratike. Kombi shqiptar duhet t’i tregojë botës se ai dëshiron të jetë një rrëfim i mirë dhe një tregim i suksesshëm i ecjes në shinat e zhvillimeve të përbashkët krah për krah me botën demokratike në proceset e saj zhvillimore. Gjithashtu, duhet nënvizuar se është koha që kombi shqiptar me një përgjegjësi të madhe historike të hapë dhuratën e tij të fshehur në vetvete, aty ku e kanë mbuluar perandoritë e huaja dhe të zhveshë në tërësi veshjen e rrobave orientale, ashtu që të vishte me përgjegjësinë e tij kombëtare, të identitetit, kulturës dhe në këtë mënyrë kombi shqiptar të ecë dhe të ndiejë i sigurt se është pjesë e qytetërimit botëror dhe një aktor i rëndësishëm në botën demokratike e jo një komb apo një mjedis tragjik i Evropës dhe botës. Duhet të mendojmë edhe siç mendohet Presidenti i njëzet e tetë amerikan, Woodrow Wilson, në lidhje me përkatësinë e kombeve dhe të qytetërimit të tyre se vërtet “ne jemi qytetarë të botës. Tragjedia e kohës sonë është se ne nuk e dimë këtë”.


(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora