E premte, 29.03.2024, 02:53 PM (GMT)

Editorial

Naser Aliu: Patrioti Ballkanik

E diele, 01.11.2009, 06:59 PM


Patrioti Ballkanik

Nga Naser Aliu

Ky patriot ka dy fytyra: një për përdorim të brendshëm, privat dhe një për përdorim të jashtëm, publik. Nëse punon në administratë, shumë herë pas tij qëndron ndonjë  politikan dhe është e mundur se është punësuar ose duke paguar ose me intervenime. Tregu ballkanik është i hapur dhe mund të blihet çdo gjë: që nga fletëlindja, diploma e fakultetit, deri te doktoratura apo pozita. Nëse patrioti ballkanik është kryetar komune, me të do të ketë probleme qyteti. Nëse bëhet ministër, kryeministër apo kryetar shteti, atëherë kokëçarje mund të ketë kombi dhe fqinjët. Njeriu me veti tipike ballkanike profilohet lehtë. I moralshmi, idealisti,  i sinqerti e ka vështirë apo të pamundur depërtimin dhe karrierën politike.
Kur ballkanasi i vërtetë futet mirë në politikë, nuk e nxjerr as dreqi jashtë. Ai fiton edhe kur humb. Ai deklaron veten fitues pa përfunduar numërimi i votave, sepse ai qysh në fillim të fushatës din përqindjen e fitores. Nëse nuk rivotohet është e mundur të mbetet i papunë, prandaj mandatin e shfrytëzon ta përforcojë rrethin e vet ose të pasurohet: zakonisht i pasuron fëmijët. Nëse humb, është e mundur të shkaktojë një dramë nacionale. Patrioti ballkanik në teori dhe me fjalë të mëdha adhuron kombin, praktikisht pasuron veten dhe varfëron ekonominë kombëtare.
Nëse është afarist, ballkanasi tipik grumbullon aq shumë pasuri për 1-3 vite, sa një afarist  gjerman për pesë breza. Politikanët me pozita, mjekët dhe gjyqtarët në Ballkan janë më të pasur se kolegët e tyre në Perëndim.
Patriotët ballkanik kanë rrjetin e vet si merimanga dhe po të preket njëri prej tyre, mund të dridhet krejt rrjeti dhe alarmohen kolektivisht, prandaj këta janë të paprekshëm, sepse edhe ai që duhet të vendosë për drejtësi, të zbatojë ligjin, edhe ai dridhet nga një arrestim dhe tronditje periferik. Telefonatat dhe trysnia nuk pushojnë.
Si kundërshtar i patriotit ballkanik mbetet media e lirë, e pa korruptuar dhe ata që nuk varen drejtpërdrejtë nga rrogat e tyre si dhe politikani i sinqertë, që nuk ecën para nga pengesat që krijon rrjeti me imazh dhe qëndrim gati mafioz.

Vetëm në Ballkan popi stërpikë tanket me ujë të shenjtë për të vrarë sa më shumë njerëz. Vetëm në Ballkan imami përgatitet për t´i vrarë shpëtimtarët e vet!  Vetëm në Ballkan kryetari i ushtrisë kriminale ka fytyrë të kërkojë nga viktima: “ Na kërkoni ndjesë edhe ju, ekzistenca juaj na nervozoi, prandaj ju masakruam!” Vetëm ballkanasi i ngritë përmendore deri në neveri politikanit të gjallë. Vetën në Ballkan mund t' i  humbësh luftërat njërën pas tjetrës dhe prapë të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan është e mundur të tolerosh shitjen e naftës armikut, ta shkatërrosh shtetin deri në themel dhe përsëri të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan mund ta shesësh edhe detin prapa shpinës së popullit pa u dhënë llogari votuesve. Në Ballkan mund të jesh edhe kontrabandist i cigareve dhe përsëri të bëhesh kryetar shteti! Në Ballkan politikani me pozitë të lartë bëhet më i pasur se kolegu i tij në Perëndim. Në Ballkan diskriminimi pakicave konsiderohet barazi!
Patriotin ballkanik nuk e gëzon suksesi i fqinjit, kjo e dëshpëron. E quan negative dhe të padrejtë! Ai mendon se ballkanasit janë të njëjtë dhe nuk duhet asnjëri të shquhet dhe të punojë më shumë se tjetri. Ai nuk donë të mësojë nga suksesi i fqinjit, por e përfol atë.
Patrioti ballkanik njeh aq mirë historinë e kombit të vet, sa edhe të fqinjit. Ai ka urrejtjen si vlere, krenarinë dhe kokëfortësinë e tepruar si tipar dhe përbuzjen e kombit, që ka afër si moto të jetës. Çdo akademi ballkanike i prezanton kombit të vet një version të veçantë të historisë së vet dhe të fqinjit.

Në Ballkan urrejtja e së paku një kombi fqinj është traditë dhe detyrë patriotike. Patrioti ballkanik nuk lufton krimin e vet pa e detyruar nga jashtë. Sa herë arrestohet një kriminel, kombi nga vjen krimineli nuk gëzohet që është një më pak në qarkullim, por apriori  konsideron kriminelin e vet të pafajshëm; e përjeton si luftë kundër kombit të vet dhe, në anën tjetër, edhe nga gjykata ku duhet gjykuar krimineli nuk mund të pritet trajtim objektiv, sepse është gjykatë ballkanike dhe anëtar i një rrjeti tjetër. Edhe ai nuk vepron sipas ligjit, por sipas paragjykimeve dhe obligimit tjetër patriotik. Sipas urdhrave të rrjetit të vet.
Gjyqtari ballkanik me fytyrë private dhe publike ka për detyrë ta shpallë fajtor, edhe nëse nuk është. Nëse i burgosuri është i pasur, në Ballkan del jashtë, edhe me faj, nëse është i varfër, qelbet në burg, edhe pa faj!

Ballkanasit kane kuzhinën gati të njëjtë, gjuhë gati të ndryshme apo të ndryshme, fetë  gati të ndryshme dhe të ndryshme dhe paragjykimet e njëjta dhe reciproke, deri në theqafje. Kryesisht paragjykimet. Nëse një ligj është i papranueshëm apo i pazbatueshëm për Ankaranë, kjo përthyhet edhe në Sofje, Bukuresht, Zagreb, Beograd, Prishtinë, Shkup, Podgoricë,  Athinë dhe Tiranë. Kokëfortësia, këmbëngulja, mashtrimi, dyfytyrësia, keqpërdorimi, bakshish mentaliteti dhe mosndryshimi janë ide drejtuese dhe parim burrnie për patriotin ballkanik!
Ballkanasi që dëshiron pajtimin me fqinjin, nga patrioti ballkanik në kombin e vet konsiderohet tradhtar, nga kombi me të cilin dëshirohet pajtimi, njeri i sinqertë, i mirë! Në Ballkan viktima dhe krimineli peshojnë njëlloj. Çdonjëri është viktimë, çdonjëri është kriminel, varet se nga cila kodër dhe në ç´drejtim ballkanik dëshiron të hidhet vështrimi. Vetëm në Ballkan krimi mbetet pa autor!

Ballkanasit tipik nëse i heq urrejtjen, mbetet lakuriq dhe i pamotivuar, bie në depresion dhe letargji. E ndien veten të topitur. Ai nuk prodhon asgjë me vlerë me të cilën mund të krenohet. I mungon revolucioni industrial, revolucioni kulturor, revolucioni seksual; të gjitha rrymat e reja të artit dhe kulturës i kopjoi dhe kërcyen nga feudalizmi osman nëpër monarki, kur zhbëheshin monarkitë në Evropë. Nga rendi i parafundit shumica kërcyen në diktaturë komuniste nga dolën me plot trauma dhe u detyruan të përplasen në demokraci, kur panë se mbetën me gishta në gojë. Në një demokraci patologjike! Dhe tani kemi situata tragji-komike, ku kryetari i Partisë Demokratike mund të jetë komunist i djeshëm, ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste të jetë demokrat i vërtetë, i sotshëm! Patrioti ballkanik është i vetëdijshëm se i mungon çdo gjë që shërben për të ndërtuar një imazh pozitiv sot, një krenari pozitive për veten, prandaj mburret me të djeshmen, me histori, me personalitete historike dhe ata i rregullon, i krehë dhe i përshtat kohës.  Madje festojnë edhe humbjet! Nëse i mungojnë personalitetet e veta, patrioti ballkanik pa kokërr turpi ia merr fqinjit dhe e konsideron të vetin.
Në vend se ta mësojë historinë, e jeton për ditë atë dhe historia është e tashmja e tij.  E tashmja reale është boshe, me plot brenga ekzistenciale dhe kështu, në vend se të shikojë para, kthen kokën pas dhe, natyrisht rrëzohet. Patrioti ballkanik jeton në të kaluarën duke injoruar të tashmen dhe duke humbur ardhmërinë. Ai me mish e shpirt përpiqet ta paraqesë të kaluarën si të madhërishme, në vend se të punojë dhe ta ndreqë të sotmen.

Krenaria dhe mburrja ekstreme, rrena, mungesa e kompromisit janë karakteristikat e tij. Kompromisin e konsideron dorëzim, frikë dhe humbje; patrioti ballkanik qetësohet vetëm nëse fuqitë e mëdha e detyrojnë ose e nënshtrojnë. Në shikim të parë duket se janë të ndryshëm, por në mendësi janë aq shumë të ngjashëm, sa edhe sasia e urrejtjes, paragjykimeve dhe mosdurimit  është e barabartë, e njëjtë, reciproke madje edhe sasia e groshës që konsumojnë është e barabartë! Edhe e qofteve.

Patrioti ballkanik nuk është kompetent vetëm për historinë e vet: Shqiptari është ekspert për historinë e grekëve dhe sllavëve të jugut.  Grekët janë profesionalist për historinë helene, shqiptare, maqedone dhe turke. Maqedonët janë dijetarë të historisë maqedone, të historisë greke dhe me specializim të posaçëm në historinë shqiptare dhe helene. Serbet janë doktorë të historisë serbe, profesorë të historisë shqiptare, maqedone dhe kroate dhe boshnjake. Boshnjaket janë specialistë të historisë serbe dhe kroate. Kroatët  janë shkencëtare të historisë serbe, boshnjake dhe asnjëri nga kombet e lartpërmendura nuk ka aq banorë sa ka Londra me rrethinë. Madje disa shtete kanë aq banorë sa ka një qytet në Perëndim. Italia shpëtoi nga ballkanizmi falë Detit Adriatik.
Patrioti ballkanik guximin dhe trimërinë i konsideron si veti burrërore dhe është në gjendje të ngrihet kundër botës. Ai mendon se vetëm kombi i tij është i fortë! Ai mendon se kombi i tij në seks është më i forti në botë. Kjo i nevojitet për ta theksuar virilitetin primitiv dhe për të rritur vetëbesimin. Gratë e tyre janë shumë të dëshpëruara dhe zhgënjyera!
Shikuar nga perëndimi Ballkani duket si një fëmije trazovaç, hiperaktiv, që nuk len dy gurë bashkë dhe vuan nga komplekse vogëlsie dhe vazhdimisht përpiqet të shquhet: ai dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Nëse nuk mundet me të mirë, atëherë provon me qarje të bëhet i imponueshëm, nëse nuk dëgjohet,  atëherë mbush xhepat me gurë dhe gjuan fqinjët! Në Ballkan ambasadorët e shteteve të huaja nuk janë ambasadorë, por organe qortuese dhe këshilluese! Shpesh i kapin edhe për veshi kryeministrat tanë ballkanik.

Si fitohet simpatia e ballkanasit? Thuaj patriotit ballkanik me origjinë shqiptare: ti je pellazg, ilir dhe kombi shqiptari është po aq i vjetër sa edhe dheu i Ballkanit, se pranove krishterimin para romakeve, se je trim i pashoq. Se një numër i madh i perandorëve romak ishin ilir, se ndonjë papë ishte ilir. Thuaj se dje ishe qendër e botës, ai të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!
Thuaj patriotit ballkanik me origjinë greke: gjithë personalitetet e kohës së lashtë janë grek, pa Greqinë Evropa akoma do të hante me grushta, dje ishe prodhues i civilizimit dhe të tjerët ose nuk ishin këtu ose ishin barbarë. Thuaj se Maqedonia të ka marrë troje, thuaj se Shqipëria të ka marrë troje, atëherë greku me profesion patriotizmin ballkanik, të përqafon. Thuaj Leka i madh ishte grek, edhe pse nuk fliste greqisht! Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan, atëherë të beson. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patriotit ballkanik me origjinë serbe: ti je vendi  më i fuqishëm në Ballkan, je superfuqi, je komb hyjnor, fqinjët të kanë pushtuar territoret me ndihmën e huaj, Serbi është aty ku ka një varr serb, edhe nëse ka vdekur nga tuberkulozi. Je qendër e botës dhe e krishterimit, thuaj se dje ishe kombi më i ditur në Ballkan dhe se mbreti jot dinte të shkruajë, kur mbretërit e Perëndimit nënshkruanin me gisht. Thuaj se je vendi më i  rëndësishëm në Ballkan, në botë dhe viktima më e madhe, ai të përqafon! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Maqedonit thuaj se je viktime e fqinjëve, se Leka i madh ishte maqedon si ti; thuaj se grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët po ta vjedhin historinë, thuaj se dje ishe i famshëm, atëherë të përqafon. Thuaj se je viktima më e madhe në Ballkan, menjëherë të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patrioti ballkanik me origjinë turke: thuaj ti ke moral dhe të tjerët janë të degjeneruar. Thuaj se Perandoria Osmane ishte emancipuese dhe Amerika e djeshme. Thuaj se ju jeni shembullor dhe trima, se keni fenë më të mirë në botë. Ai të përqafon. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!
Patrioti ballkanik i vërtetë me veti të theksuara ballkanike është aziatik në mendësi edhe njëqind vjet pa çlirimit. Ai është çliruar fizikisht, por jo në mendësi. Patriotizmin e vet e dëshmon me peshën dhe sasinë e urrejtjes ndaj fqinjit të vet. Ai edhe kur bën marrëveshje me fqinjin, e bën sa për sy e faqe ose i detyruar nga Perëndimi, mirëpo pret një çast ideal për ta prishur atë marrëveshje.
Ata jetuan pesëqind vite nën një kulm, ruajnë me xhelozi një mendësi joevropiane dhe, edhe pse kanë fe të ndryshme, ngjashmëritë janë trishtuese. Ballkanasi krijon nga politikani i gjallë idhull edhe pse ai politikan nuk është në gjendje të krijojë as njëqind vende të punës! Nëse janë pak të këndellur dhe nuk kapardisen me personalitete historike, këtë vakum e plotësojnë me politikanin e gjallë dhe për të flasin si për Zotin. Ballkanasit kanë edhe një ngjashmëri  të tmerrshme: miqtë i kanë sa më larg vetes, armiqtë sa më afër.
Patriotit ballkanik i nevojitet së paku një pakicë kombëtare. Kjo i nevojitet për ta shtypur dhe për ta rritur vlerën e kombit të vet. Për të pasur mundësi krahasimi e kapardisje. Nëse nuk shtyp dhe nuk cenon, atëherë i mungon diçka për ta përforcuar patriotizmin provincial dhe lokal. Një pakicë, së paku një, i nevojitet për ta kultivuar sedrën e vet. “E kemi shtypur pakicën aq mirë,  varfëruar aq shumë, sa ne dallohemi prej tyre dhe dukemi si aristokrat!”

Këta patriot ballkanik, me këto tipare të njëjta mund të internohen në një ishull, dhe pas dhjetë minutave kuptojnë aq mirë njëri tjetrin, sa do të ulen të hanë së bashku: groshë, byrek, qofte e do të pinë kafe turke dhe do t´ia hedhin fajin botës.
Nëse këta patriot ballkanik futen në një thes së bashku dhe hidhen në det, atëherë Ballkani shndërrohet në Evropë. Nëse vërtetë këta hidhen në det, atëherë do bëjnë çdo gjë që është mundur, ta shpëtojnë njëri tjetrin, jo nga dashuria, por për të pasur edhe një motiv mburrjeje: “ Unë ia shpëtova jetën!”
Popujt e këtyre patriotëve ballkanik në gara të Eurovizionit votojnë për njëri tjetrin dhe këtu shihet një xixë shprese se këta një ditë do të ulen vërtetë së bashku për t´u bërë subjekt të  ardhmërisë e jo për ta zbukuruar të kaluarën apo për ta shkruar historinë e njëri tjetrit!

Çka pret patrioti ballkanik? Shqiptari shpreson ta zbulojë një armë të madhe dhe ta çlirojë atdheun deri në mes të Serbisë, diku deri në mes të Greqisë, një pjesë të Malit të Zi, Iliridën dhe Kosovën Lindore. Patrioti grek shpreson të arrijë deri në Durrës, në Stamboll, një pjesë të Maqedonisë dhe një pjesë e Italisë jugore nuk do t´ishte keq.
Maqedoni donë t´i nervozojë të gjithë: ai pret ta çlirojë një pjesë të Bullgarisë dhe Greqisë, një copë Shqipërie dhe Serbie edhe pak Kosovë. Serbi pret ta zbulojë armën e madhe ose ta kuptojë bota këtë viktimë permanente dhe ta çlirojë Kosovën, ta çlirojë Maqedoninë, ta çlirojë gati tërë Bosnjën, pjesë të Kroacisë dhe Malin e Zi  dhe të arrijë në Durrës për t´u takuar me Greqinë. Kroacia do ta çlironte Bosnjën, një pjesë të Vojvodinës dhe ndonjë copë të Sllovenisë dhe Malit të Zi. Mali Zi do ta kishte çliruar një pjesë të Kosovës, të Shqipërisë dhe pak Kroaci, do t´i ishte e pëlqyeshme. Bullgaria do ta çlironte Maqedoninë, pak Serbi dhe pak Turqi.  Bosnja do ta çlironte Sanxhakun dhe një pjesë të Malit të Zi.
Patrioti ballkanik me origjinë turke ëndërron nëpërmjet BE-së të kthehet aty ku ishte pesë shekuj dhe t´i çlirojë: Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Rumaninë. Edhe Vjenën. Ky patriot ballkanik ka dëshirë të flakët ta çlirojë edhe Spanjën. Edhe Romën.
Sigurisht edhe indianët e Amerikës kanë plane të tilla për ta çliruar atdheun e tyre nga SHBA-të.
E vërteta: patrioti ballkanik nuk mund të çlirojë asgjë pa ndihmë nga jashtë, as bythën e vet, në vend se të ndërtojë marrëdhënie me fqinjin ku ka popull të vet, ta shfrytëzojë si urë ndërtuese në dobi të kombit të mbetur jashtë kufirit, ai manipulon pakicën e vet jashtë territorit të tij dhe përpiqet t´i rrisë tensionet me shumicën ku jetojnë bashkëkombësit, natyrisht duke dëmtuar pakicën e vet, por me një qëllim madhor: ta destabilizojë fqinjin. Ky është patrioti ballkanik me banim në Ballkan. Me dy fytyra: një për përdorim privat dhe të brendshëm, tjetrën për bashkëbisedime me politikanët perëndimorë.

Ekonomia e vendeve ballkanike: Greqia shet në Perëndim ullinj, vaj ulliri, verë dhe gjethe rrushi të mbushura. Shqipëria romane të Kadaresë. Bullgaria  shet djathë të deleve. Rumania histori të kontit të Transilvanisë. Maqedonia verë të lirë. Kosova verë të lirë dhe nëpër shitore turke suxhuk Kosove që prodhohet në  Gjermani. Serbia shet hajvar ( specat të bluar e të fërguar).  Bosnja nëpër shitore turke shet “bosanski suxhuk”.  Kroacia shet vegetë dhe verë. Turqia shet speca, domate, fara të kungullit, të lulediellit dhe byrek...Kjo është industria digjitale e vendeve ballanike dhe burim i krenarisë ekstreme!
 
Natyrisht se shqiptari si popull vendës u dogj në këtë çorbë të shkrumbuar ballkanike, por me fajin e vet.  Na pushtoi Roma dhe gati u romanizuam, na pushtoi turku dhe gati u bëmë turq, erdhi komunizmi dhe gati u bëmë rus! Kur nuk u lidhëm për një kunj dhe si pasojë, kërcimet i paguam me troje. Sot kemi një mik të madh, por edhe këtë duam ta vrasim! Njeriu që ndryshon miqtë çdo ditë, nuk ka miq të vërtetë. Popujt  që ndryshojnë aq shpesh aleatët, nuk kanë ardhmëri! Vetëm integrimi në BE mund ta ftohë këtë çorbë të prishur ballkanike...


(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora