E merkure, 24.04.2024, 03:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nata e përmbytjes

E shtune, 31.10.2009, 07:45 PM


Blerim Rama, i mbijetuari i tragjedisë së Tisës
Blerim Rama, i mbijetuari i tragjedisë së Tisës
Varka është fundosur sapo i është ndezur motori. Ka dëgjuar britma e piskama të grave e fëmijëve që mbyteshin në lumë. Dy fëmijët e tij mezi i ka shpëtuar. Nuk ka menduar se mund t’i mbytet gruaja, ngase ajo ka ditur not. Blerim Rama, i mbijetuari i tragjedisë së Tisës, rrëfen për Express tmerrin e natës së 15 tetorit.


Nga Jeton Musliu, Express

Duket ende si i mpirë nga çfarë i ka ndodhur atij, gruas dhe dy fëmijëve. Blerim Rama nga Prishtina, së bashku me fëmijët, 2 dhe 3 vjeç, mendohet se janë të vetmit të mbijetuar nga tragjedia në lumin Tisa në Hungari.

Në bisedë për Express, Blerimi tregon ngjarjen e llahtarshme të natës ndërmjet 15 dhe 16 tetorit. Me personat që do t’i dërgonin në Perëndim, ishte marrë vesh të mos i binin andej nga ka ujë.

“U kam thënë se, ‘nëse kam me kalu diku ujin, nuk vij’. Por më kanë thënë se ‘nuk do të kaloni askund ujin”, shpjegon Blerimi, me pamje të lodhur, duke mos dhënë detaje për mënyrën ose shumën e pagesës.

“Kemi kaluar nga Gjilani. Me veturë kemi shkuar deri në Suboticë”, shpjegon i mbijetuari i tragjedisë së Tisës.

“Nga Prishtina deri atje, vozitësit kanë qenë të ndryshëm. Atje prijësit kanë folur serbisht, e çfarë kanë qenë nuk e di”, tregon babai i dy fëmijëve.

“Nga Subotica jemi nisur në orën 8 të mbrëmjes. Kemi menduar se do të ecim nëpër mal dy orë. Kemi ecur 15 minuta në mal. Unë kam qenë i fundit në rresht, veç kur e kemi parë ujin dhe varkën aty”, thotë Blerimi, duke sqaruar se me personat e tjerë nuk është njohur më parë. “Të kundërshtoja, isha i fundit në rresht dhe gruaja e djali veç kishin hipur në varkë, se jam tutë boll. Por meqë hipën gruaja dhe djali, nuk kisha tjetër rrugë”, tregon Blerimi.

Blerimi rrëfen se nga bregu i lumit në anën serbe të kufirit, ata kanë mundur të shikojnë bregun e lumit Tisa, në anën hungareze. “Gjithçka shkoi mirë deri në momentin që nuk e ndezën motorin e varkës”, shpjegon dëshmitari i kësaj ngjarje të rëndë. “Pjesa e përparme e varkës nuk ka qenë e zakonshme, por ka qenë në formë katrore. Si e ka marrë hazin, varka është mbushur me ujë. Unë i pari kam rënë në ujë, e çikën e kisha në dorë”, deklaron Blerimi.
“Kur i kam dëgjuar zërat e fëmijëve, më ka ndihmuar Zoti dhe jam ngritur. E kam kapur çikën, e kam çu lart, e kam dëgjuar gruan tuj bërtitë, djali, djali. E kam kapë djalin edhe i kam thënë gruas, shpëtoje veten se fëmijët i marr unë”, rrëfen Blerimi, çastet ku dyshohet se kanë humbur jetën 15 persona.
“Gruaja ka ditë not. E kam kapë djalin, jam kthyer e kam kapë çikën. Me dy fëmijët në duar, i kam thënë gruas shpëtoje veten edhe jam nisur me dalë në breg. Kur kam dalë aty, i kam dëgjuar disa zëra, por kam sharruar në baltë”, kujton Blerimi me emocione atë moment të mbijetesës.

“Deri në bel sharrova në baltë. As nuk dalsha, as nuk mund të kthehesha, përveç fëmijëve që jua kam dhënë ndihmën e parë pasi ata kishin pirë ujë dhe mundohesha t’ua nxjerr ujin”, thotë ai. “Dikur dola nga balta, u kapa për një dege. Fëmijët mundohesha t’i qes nalt, por ata rrëshqitnin prapë poshtë. U mundova të ndez një zjarr, por nuk ndizej, binte shi. I kam mbështet fëmijët për një lisi që të mos i rrihte era dhe kam bërtitë, kam kërkuar ndihmë”, rrëfen Blerimi ngjarjen e asaj nate.

“Nuk e dija as ku jam. I shikoja fëmijët që donin të vdisnin, e nuk dija çka të bëj. I mora herë njërin e herë tjetrin edhe i largova nga mali, sepse mendoja se nëse i lë aty, nuk do t’i gjej më kurrë”, shpjegon Blerimi, i trishtuar e i përhumbur.

“Fëmijët i lash në një breg të mos i rrihte era. Djali ka qenë pa vetëdije, veç që merrte frymë. Edhe kam filluar të vrapoj e të kërkoj ndihmë. Rreth dy orë fëmijët kanë qëndruar vetëm aty”, vazhdon rrëfimin ai.

“Kam hyrë te një shtëpi, pronari m’i lëshoi qentë. Kam shkuar te një tjetër, i kam rënë ziles, ai më doli me pistoletë. Pas dy orëve, kam gjetur policinë, të cilët pas dhjetë minutave kanë ardhur e m’i kanë marrë fëmijët”, shprehet Blerimi.

Sipas tij, policia hungareze i ka dërguar në spital, duke i lënë së bashku derisa ka kuptuar se djali i tij është kthyer sërish në jetë. “Më për gruan nuk kam ditur asgjë, deri pas nëntë ditëve, kur policia më ka lajmëruar. Vetëm unë kam pasur pasaportë të Serbisë. Gruaja dhe fëmijët kanë pasur pasaporta të Kosovës. Hungaria vetë më ka dhënë azil, sepse nuk kam dashur të largohem nga aty pa e ditur se çfarë do të bëhet me gruan time”, thotë Blerimi.

Sa i përket të ardhmes, ai shpjegon se “e di vetë nëse do të kërkoj ose jo drejtësi”.

Sipas Blerim Ramës, në atë varkë kanë qenë 18 persona, 9 fëmijë e 9 të rritur. “I kam lajmëruar të gjithë të afërmit e atyre familjeve që kanë qenë në atë varkë. E dinë kush janë ata dhe nuk ka nevojë të dihen emrat publikisht”, thotë Blerimi.

I pyetur se cilat janë shkaqet që e kanë shtyrë atë të niset në këtë rrugë, ai thotë shkurt. “Janë arsye personale”. 29-vjeçari nuk dëshiron të tregojë as për emrat e mundshëm të përgjegjësve të kësaj tragjedie. “Nuk janë me rëndësi këto pyetje”, mbyll rrëfimin e tij Blerim Rama.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora