E premte, 19.04.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Editorial

Shqipëria, sërish më e korruptuara në gjithë Ballkanin

E enjte, 27.09.2007, 06:45 PM


Sipas "Transparency International", vendi ynë renditet i 100-ti mes 180 shteteve të botës

Pavarësisht nga përmirësimet në krahasim me një vit më parë, Shqipëria vazhdon të ngelet vendi më problematik në të gjithë rajonin për korrupsionin. Transparencë International ka publikuar klasifikimin më të fundit botëror për korrupsionin, duke monitoruar 180 vende të botës. Në renditjen botërore, Shqipëria është klasifikuar në vendin e 100-të, duke u vlerësuar me notën 2.9. Shumë larg notës 10, e cila tregon shkallën më të pastër të një vendi i cili është larg ryshfeteve dhe shumë pranë notës zero, e cila tregon se korrupsioni është më i lartë, Shqipëria nuk arrin të kalojë as Maqedoninë dhe Malin e zi, të cilat renditen në pozicione më të mira se vendi ynë lidhur me zbatimin e strategjisë antikorrupsion. Megjithëse ndodhet 11 vende më sipër në krahasim me vitin e kaluar, përfaqësuesit e "Transparency International" në Shqipëri kanë pohuar se nuk është pozicioni ai që tregon shkallën e korrupsionit, por koeficienti. Sipas raportit të TIA-s, Shqipëria edhe këtë vit ka ngelur në klasë. Për vitin 2007, Shqipëria ka një përmirësim në renditje, si dhe në koeficientet e vlerësimit.

Klasifikimi

Shqipëria vazhdon të cilësohet nga raportet ndërkombëtare si një vend me rrezik të lartë korrupsioni. Vendi ynë renditet në kuotat nga vendi i 100-të deri në të 105-in dhe vlerësohet me koeficientin 2.9. Pesë vendet që ndodhen në vendin e 100-të janë Shqipëria, Argjentina, Bolivia, Burkina Faso, Djibouti dhe Egjipti, të cilat kanë të njëjtin koeficient vlerësimi. Për vlerësimin e kuotave të Shqipërisë janë përdorur gjithsej 6 burime dhe për këtë, niveli i besueshmërisë së këtij indeksi është shumë i lartë. Sipas përfaqësuesve të TIA-s në Shqipëri, ky raport është 99% i besueshëm. Drejtori i CAO-s, Kreshnik Spahiu, ka bërë me dije se "pjesa më negative e këtij vlerësimi është se Shqipëria ende figuron si vendi më i korruptuar në rajon, madje as Maqedonia, e cila është e parafundit në klasifikimin për vendet e rajonit paraqitet afro 20 shkallë më lart se Shqipëria në renditje".

Renditja në vite

Të dhënat e këtij raporti tregojnë se qeveria, politika dhe administrata shqiptare nuk kanë bërë mjaftueshëm në lidhje me luftën antikorrupsion. Një vit më parë, Shqipëria renditej në vendin e 111-të dhe është vlerësuar me notën 2.6 për nivelin e korrupsionit. Në vitin 2005, i cili është edhe viti më negativ për vendin tonë në luftën antikorrupsion, Shqipëria është vlerësuar me notën 2.4 dhe është renditur e 126-ta në klasifikimin botëror. Tre vjet më parë, midis 145 vendeve të monitoruara nga TIA, vendi ynë është pozicionuar në vendin e 108-të. Në vitin 2003, vendi ynë është klasifikuar nën qindëshen e atyre vendeve më pak të korruptuara, duke kapur vendin e 92-të në klasifikim.

Fillimi dhe fundi

Më pak të korruptuar, janë vende si Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda, koeficienti i të cilëve është 9.4. Gjermania renditet në vendin e 16-të me koeficientin 7.8, Franca pozicionohet e nëntëmbëdhjeta, ndërsa USA në vendin e njëzetë. Në fund të renditjes botërore për korrupsionin, janë vende si Somalia, Myanmar, Irak dhe Haiti, me koeficiente 1.4 dhe 1.6. Duke bërë një krahasim me raportin e TIA-s vitin e kaluar, Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda vazhdojnë të kryesojnë renditjen e vendeve më pak të korruptuara, por këtë vit, ato janë 0.2 nota më pak se vitin e kaluar, çka tregon se gjatë 2006-ës ka pasur më pak korrupsion sesa gjatë këtij viti. E njëjta gjë ndodh edhe me vendet e tjera. Partizane të vendeve të fundit në renditje vazhdojnë të jenë të njëjtat vende ashtu si një vit më parë.

Kreshnik Spahiu: 10 kërkesat e ndërkombëtarëve për Shqipërinë

Drejtuesi i CAO-s, Kreshnik Spahiu, ka treguar shkaqet që vazhdojnë ta rendisin Shqipërinë në një ndër vendet me rrezik më të lartë korrupsioni. "Reforma në drejtësi mbetet një reformë në letër, nëse ajo nuk shoqërohet me reformë njerëzore", tha Spahiu, i cili kërkoi me ngulm mbështetjen dhe realizimin e menjëhershëm të reformave të propozuara nga Presidenti i Republikës në lidhje me reformën në drejtësi. Fajtor për shkallën e lartë të abuzimit të shtetit nga zyrtarët e lartë, Spahiu ka dënuar edhe ndryshimin e politikave penale nga prokuroritë, duke kërkuar rritjen e cilësisë së gjykimit nga ana e gjyqësorit. Bazuar mbi të dhënat e raportit të TIA-s për vitin 2007, Spahiu u shpreh se kjo organizatë rekomandon "pastrimin e prokurorisë dhe gjykatave nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe rritja e zbatueshmërisë së ndëshkimeve penale ndaj korrupsionit". Po kështu, Spahiu ka denoncuar publikisht edhe mostransparencën e partive politike gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007, ku asnjë nga forcat politike nuk u tregua e hapur dhe e qartë në lidhje me financat e tyre. "Kërkohet themelimi dhe vendosja në axhendë e transparencës në financimin e partive politike, veçanërisht gjatë fushatave elektorale", tha ai. Megjithëse Shqipëria ngjit shkallët e klasifikimit botëror për luftën ndaj korrupsionit, vendi ynë vazhdon të jetë shtet i korruptuar. Ndonëse vitin e kaluar, drejtori i CAO-s i përcolli katër sugjerime shtetit shqiptarë në luftën kundër korrupsionit, këtë vit rekomandimet për Shqipërinë nga TIA kanë qenë më të mëdha në numër. Ndër 10 sugjerimet që TIA i adreson vendit tonë për këtë vit veçohet përfundimi, shpallja dhe vënia menjëherë në zbatim të strategjisë antikorrupsion, nga ana e qeverisë, thellimin e transparencës, në funksionimin dhe organizimin e administratës publike, përmirësimin e punës në sektorët e shërbimit publik, ku ryshfeti mbetet në nivele shqetësuese. Në renditjen e vendeve të Ballkanit, Shqipëria ndodhet e fundit. Para saj janë vende si: Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja. Turqia, Kroacia, Greqia dhe Italia. E vetmja që ka marrë notë kaluese në rajon është Italia, e cila ka koeficientin më të lartë të vendeve të rajonit, të cilat renditen ndër më të korruptuarat. Italia kalon klasën për shkallën e korrupsionit me notën 5.2, ndërsa Greqia, Kroacia dhe Turqia ndodhen nën notën 5, të pasuara nga Serbia, e cila renditet në vendin e 790-të me indeksin 3.4. Mënyra e nxjerrjes së këtyre të dhënave dhe renditja e vendeve në lidhje me shkallën në të cilën korrupsioni perceptohet se ekziston në radhët e politikanëve dhe zyrtarëve publikë është marrë nga sondazhet me ekspertë dhe biznese të zhvilluara nga institucione të pavarura dhe të njohura. E.A

Tetori

TIA monitoron qeverinë dhe administratën

Nën monitorimin e "Transparency International" ndodhet edhe administrata shqiptare dhe ministritë, ku niveli i korrupsionit është i lartë. Drejtuesi i CAO-s ka bërë me dije se gjatë muajit tetor, TIA, do të bëjë publik raportin përfundimtar për vitin 2007 për klasifikimin e korrupsionit në administratën shqiptare.

Megjithëse Shqipëria ngjit shkallët e klasifikimit botëror për luftën ndaj korrupsionit, vendi ynë vazhdon të jetë shtet i korruptuar dhe përbën një rrezik të lartë. Këtë e tregon edhe fakti që Shqipëria është shteti më i korruptuar në të gjithë Ballkanin. Një muaj pas publikimit të klasifikimit botëror për abuzimet nga zyrtarët e lartë, "Transparency International" në Shqipëri do të sjell edhe monitorimin e 14 ministrive dhe administratës publike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora