E enjte, 25.04.2024, 03:52 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kështu ndodhi Tragjedia e Tisas

E premte, 30.10.2009, 08:26 PM


Nga Jeton Musliu, Express

Me personat që do t’i dërgonin në perëndim, ishte marrë vesh të mos i binin andej nga ka ujë.

“Iu kam thënë se ‘nëse kam me kalu diku ujin, nuk vij’. Por më kanë thënë se ‘nuk do të kaloni askund ujin”, shpjegon Blerim Rama, me pamje të lodhur, duke mos dhënë detaje për mënyrën ose shumën e pagesës.

“Kemi kaluar nga Gjilani. Me veturë kemi shkuar deri në Suboticë”, shpjegon i mbijetuari i Tragjedisë së Tisas.

“Nga Prishtina deri atje, vozitësit kanë qenë të ndryshëm. Atje prijësit kanë folur serbisht e çfarë kanë qenë nuk e di”, tregon babai i dy fëmijëve.

Intervistën e plotë me Blerim ramin, të mbijetuarin Tragjedisë së lumit Tisa në Hungari, mund ta lexoni të plotë nesër në Gazetën Express.

Përndryshe, Blerimi rrëfen ngjarjen e tmerrshme të 15 tetorit, mënyrën si ka arritur t’i shpëtojë dy fëmijët e tij, arsyen përse nuk e ka shpëtuar gruan, dhe tërë mbijetesën e asaj nate.

Tragjedia e Tisas-varrosen edhe dy viktima

Dafina Myrtaj

Janë identifikuar edhe dy kufoma të tragjedisë së Tisës, të cilat tashmë janë sjellë në Kosovë.Bëhet fjalë për bashkëshortët Florim dhe Elfete Ademi nga fshati Karaqë të komunës së Vushtrrisë, varrimi i të cilëve bëhet sot.

Të dy bashkëshortët humbën jetën në tragjedinë e lumit Tisa, derisa ende nuk dihet për dy fëmijët e tyre, Albertin dhe Florianin, të cilët konsiderohen ende të zhdukur.

Ndërkohë Policia Rajonale e hetimeve, ka realizuar një kontroll me bastisjen e katër lokaleve në Vushtrri. Bastisjet janë realizuar mbrëmë në kërkim të provave ose arsyeve të tjera në lidhshmëri me informatat e mbledhura operative në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Policia nuk bën të ditur nëse ky kontroll ka të bëjë me rastin Tisa. (RTK)

Tragjedia e Tisas, edhe një i mbijetuar


Policia e Kosovës bën të ditur se një person, që dyshohet se ishte në grupin e të zhdukurve në tragjedinë e lumit Tisa, është i gjallë. Ai thuhet se është një adoleshent, i cili gjendet në një qendër paraburgimi në Austri.

Një person, që gjendej në mesin e të zhdukurve në tragjedinë e lumit Tisa, mund të jetë i gjallë. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, ndihmësdrejtori për hetime në Policinë e Kosovës, Kadri Arifi.

“Një e kemi të konfirmuar nga autoritetet austriake, një është në Austri nga ajo lista me 16 persona. Domethënë, një është gjallë në Austri dhe ai është në qendër paraburgimi në Austri, për shkak të kalimit ilegal. Por, është gjallë, është i konfirmuar”, tha Arifi.

Arifi, përveçse bëri të ditur se bëhet fjalë për një adoleshent, nuk dha detaje tjera mbi identitetin e të arrestuarit.

Autoritetet austriake nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me këtë rast.

Varka e përmbysur, ditë më parë, në lumin Tisa në Hungari, bartte 19 persona. Policia hungareze dhe ajo serbe kanë konfirmuar vdekjen e 5 personave; tre janë gjetur të gjallë në Hungari dhe të tjerët konsiderohen të zhdukur.

Nëse konfirmohet se adoleshenti në Austri i përket këtij grupi, atëherë të zhdukur mbesin edhe 10 persona.

Por, edhe pse tashmë viktima e parë e kësaj tragjedie, Elvira Jaha, është varrosur në Prishtinë, vdekja e saj si dhe e katër të tjerëve nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kosovare.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha:

“Kjo vjen në vijë shtetërore dhe fillimisht informohen familjarët nga autoritetet e jashtme. Por, konfirmim zyrtar nuk kemi. Pritet të na vijë në mënyrë diplomatike nga shteti prej nga vijnë, nga Hungaria. Përderisa nuk kemi dokumente, është vështirë konfirmimi”.

Autoritetet e Hungarisë dhe të Serbisë kanë thënë sot se nuk kanë gjetur trupa të tjerë. Në këto dy vende nuk ka asnjë të arrestuar.

Ndërkaq, Kosova po i kërkon katër të dyshuar në lidhje me këtë rast të trafikimit të qenieve të gjalla. Personi i pestë i dyshuar, i vetëdorëzuar në polici, tashmë gjendet në shtëpi.

Kadri Arifi tha se vendimi për lirimin e tij është marrë nga prokurori i EULEX-it.

“Të pestin e kemi intervistuar dhe ai është në shtëpi për momentin. Por, edhe ai është në pjesën e atyre që dyshohen, por roli i tyre ndoshta nuk ka qenë primar. Mbetet të shihet përgjegjësia e tij, eventualisht penale. Është vendim i prokurorit të EULEX-it. Ai ka kërkuar që të lirohet në procedurë të rregullt”, sqaroi Arifi.

Por, kryeprokurori publik i Prishtinës, Osman Kryeziu, tha se po të kishte dyshime të bazuara, i vetëdorëzuari do të gjendej prapa grilave.

“Varet se sa ka qenë dyshimi i bazuar. Kjo vlerësohet nga prokurori, çfarë deklaratash ka thënë. Por, po të ishte ashtu si ka dalë në mjetet e informimit, ai sot do të ishte i ndaluar. Me vetë faktin që e kanë lëshuar, nuk kanë pasur dyshim të bazuar”, tha Kryeziu.

Bëhet fjalë për personin, për të cilin EULEX-i ka konfirmuar se është dorëzuar vullnetarisht në Policinë e Kosovës, duke pranuar përfshirjen e tij në rastin e lumit Tisa. Ai i ka thënë policisë se u ka marrë familjeve që ishin kontrabanduar përtej kufijve nga 6 deri në 8 mijë euro. (RFE)

Na tradhtuan trafikantët

Pas kthimit në Kosovë, Blerim Rama, i mbijetuari në tragjedinë e ndodhur në lumin Tisa, ndihet i tradhtuar nga trafikantët. Ai pohon se rrugën ilegale për në perëndim të Evropës e kishte marrë duke mos ditur që bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël do t’i duhej të kalonte mbi ujë.

“Na kanë pre në besë. Nuk e kam ditur që ne do të kalojmë lumin”, ka deklaruar Blerim Rama për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Me këtë rast, ai ka pohuar se në barkën me të cilën po lundronin mbi lumin Tisa kanë qenë 18 persona, nëntë fëmijë dhe nëntë të rritur.

Ndërsa, Fadil Mirena, kushëriri i të zhdukurit Rrahim Mirena, ka konfirmuar se nga biseda që ka pasur me të mbijetuarin, Blerimin, ka kuptuar se familja pesanëtarëshe e kushëririt të tij, ka qenë në barkën e fundosur.

“Unë jam takuar me Blerimin. Ai më ka thënë se e njeh Rrahimin dhe vajzat e tij. Ai më ka thënë se një natë kanë fjetur bashkë në një shtëpi në Serbi, ndërkaq të nesërmen ata janë nisur me barkë për të kaluar lumin. Nuk e di nëse ata kanë mundur të mbijetojnë nga përmbytja”, thotë Fadil Mirena.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së enjte autoritetet kosovare nuk kanë zbuluar ndonjë detaj lidhur me këtë rast, pasi që sipas tyre me këtë çështje ka kaluar në kompetencë të prokurorit të EULEX-it.

“Ne e zbatojmë atë që kërkon prokurori dhe hetimet i udhëheq prokurori. Dhe sigurisht në këtë fushë ne do t’i marrim veprimet e nevojshme që duhet . Ju lutem, ne po bëjmë punën tonë”, u ka thënë mediave drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti.

Ai thotë se informatat të cilat posedon PK-ja, janë nga EULEX-i dhe Interpoli, e jo nga Serbia. “Ato informata kryesisht i marrim nga kolegët tanë nga EULEX-i dhe Interpoli, sepse me Serbinë nuk kemi një miqësi të bëjmë”, shtoi Sheremeti.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se hetimet e policisë për kapjen e personave të dyshuar janë duke vazhduar me intensitet. Deri më tani, ai e cilëson si sukses punën e PK-së, e cila ka arritur t’i identifikojë katër persona të dyshuar si trafikantë të qenieve njerëzore.

“Hetuesit policorë janë në ndjekjen e arrestimin personave, ndaj të cilëve është lëshuar fletarresti. Është sukses që janë identifikuar kush janë ata persona. Tani, detyrë e hetuesve është të dinë nëse këta persona janë ende në Kosovë, apo kanë ikur jashtë vendit”, tha Kelani.

Express të enjten ka kontaktuar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Megjithatë asnjë detaj rreth tragjedisë nuk është dhënë me arsyetimin se kjo çështje ka kaluar në kompetencë të PK-së.

“Të gjitha punët tona shkojnë në polici. Policia i ka të gjitha informacionet. Ne kemi folur deri në momentet që policia ka marrë rastin në dorë. MPJ është kyçur për rastin në fjalë, vetëm pse kjo u ka ndodhur qytetarëve jashtë Kosovës”, tha zëdhënësja e MPJ-së,
Albana Beqiri

Tragjedia e kosovarëve në lumin Tisa dhe informacionet e pakta lidhur me këtë rast, për zyrtarët e KMDLNJ-së, tregojnë brishtësinë diplomatike të Kosovës dhe pafuqinë e saj për të ndikuar në vendet, të cilat edhe e kanë pranuar Kosovën si shtet.

“Institucionet e Kosovës janë munduar të bëjnë atë që ka qenë në mundësinë e tyre. Në fakt, këto tragjedi e qet në pah pafuqinë e Kosovës, për të ndikuar në vendet të cilat edhe e kanë pranuar Kosovën si shtet. Meqë lumi Tisa është në mes të Hungarisë dhe Serbisë, ka qenë e pamundur të vendoset një kontakt i drejtpërdrejt me Serbinë”, tha Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Megjithatë Shala kritikoi partitë politike të Kosovës, të cilat as për një ditë nuk e kanë ndërprerë fushatën politike, për t`u solidarizuar me viktimat e kësaj tragjedie dhe me familjet e tyre.

“Natyrisht, është dashur që së paku një ditë ta ndërpresin fushatën. Së paku, në mënyrë simbolike, të solidarizohen me viktimat”, tha Shala.

Lidhur më këtë rast, të enjten për media është prononcuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai thotë se për shkak të informatave ende të paverifikuara, deri tani nuk është shpallur ditë zie për personat e humbur.

Kuçi ka mohuar se institucionet e Kosovës nuk janë interesuar për këtë tragjedi. Me këtë rast ai ka përmendur vizitën e ambasadorit të Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmari, i cili ka shkuar në Hungari me kërkesë të kryeministrit Hashim Thaçi dhe vizitën e hetuesisë nga Policia e Kosovës dhe prokurorët e Kosovës.

“Fatkeqësia ka ndodhur në një shtet tjetër. Institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kompetenca direkte që të merren me këtë rast. Por, unë jam i bindur që kemi pasur kapacitete të plota dhe jemi të gatshëm që të merremi me atë fatkeqësi, e cila ka rënduar edhe institucionet dhe qytetarët e Republikës”, ka thënë Kuçi.

Numri i viktimave të konfirmuara në tragjedinë e lumit Tisa ka shkuar në pesë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora