E premte, 29.03.2024, 12:19 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Shpërthimi i Universiteteve

E merkure, 26.09.2007, 09:24 PM


Nga Revista Mapo

Ngjan me një video “rock” ndërsa ka edhe muzikë tekno në back-ground dhe të rinj tërheqës kërcejnë ndërsa flasin. Por nuk është një video-muzikore. Është pjesë e një fushate publicitare të një universiteti privat shqiptar. Pak a shumë një zgjidhje të ngjashme ka bërë edhe vetë qeveria amerikane për të tërhequr studentët kinezë në kolegjet dhe universitetet e SHBA-ve. Për herë të parë në historinë e vet Uashingtoni e marketon në mënyrë aktive sistemin e vet arsimor përtej detit, sipas javores “Newsweek”. Videoja ka mbërritur tek 180 milionë kinezë përmes televizionit. Peisazhi universitar po ndryshon kësisoj në të gjithë botën. Me sa duket kjo po ndodh edhe në Shqipëri. “The race is on!” Titulli i “Newsweek” konvenon edhe me rastin shqiptar ku gara me të vërtetë është ndezur. Megjithëse në shoqëritë e dala nga komunizmi si Shqipëria, por edhe vende të tjera si Rusia apo Kina si dhe vendet e Amerikës Latine, universitetet orientohen ende nga burokracia qendrore, fenomeni i krijimit të universiteteve private po e transformon peisazhin në mënyrë esenciale.
Ka ikur koha kur shkollat më të mira të botës si Harvard dhe Yale, Cambridge dhe Oxford e kishin të garantuar mbërritjen e studentëve më të mirë. Qeveritë anekënd globit dhe sidomos në Kinë dhe Indi po derdhin shuma të pazakonta në ndërtimin dhe përmirësimin e universiteteve të tyre, por po shpenzojnë miliona edhe për t’i shitur ato jashtë. Edhe Evropa po e unifikon sistemin e vet të frakturuar për ta bërë më tërheqës. Universitetet private po mbijnë ngado dhe aty ku nuk kanë ekzistuar kurrë më parë, në vendet në zhvillim. Me plot risi por edhe probleme. Ka universitete vetëm si emra, të vendosur në apartamente dhe me legjitimitet të diskutueshëm sipas një raporti të “Tribune neëspaper”. Megjithatë në epokën globale duket se çdokush kërkon “emrin e duhur” në rroba, makina, por edhe në diploma. Shumë vende po shohin si model për të mbijetuar Amerikën. Këtë duket se kanë vendosur të bëjnë edhe një grupim universitetesh private në Shqipëri. Bëhet fjalë për Universitetin “Luarasi”, “Universitetin Evropian të Tiranës”, “Polis dhe “Marubi”, të cilët janë bashkuar në një konsorcium për t’u shndërruar në një grup presioni dhe sepse “çdo sektor i ri ka nevojë të artikulohet si grupim interesi” sipas tyre. Reputacioni i sistemit është një arsye tjetër për t’i bërë bashkë “konkurentët”. Para së gjithash e kanë njohur njëri-tjetrin për cilësorë, duke u distancuar nga “markat” e dyshimta universitare në tregun e ri të këtij lloji në vend dhe do të nënshkruajnë së shpejti një kartë të parimeve të përbashkëta që i udhëheqin ata në arsimin e lartë.
Mund të shihej edhe si përplasje qytetërimesh kur bëhet fjalë për Universitete katolike, myslimane, amerikane... Në Shqipëri duket se “The Crash” është mes Universiteteve private dhe gjigantit të plakur publik. Nga ana tjetër universitetet krejt të reja private, që shpesh e shohin veten të paragjykuar, megjithëse ndonjëherë jo edhe aq me të padrejtë, problemin kryesor shohin atë me shtetin. Burokrat i pandreqshëm, “privatët” kërkojnë prej tij të vendosë standardet dhe sidomos të respektojë barazinë në trajtimin e universiteteve publike dhe private. Modeli amerikan shikohet si shpëtuesi. “Ka një paradoks në funksionimin e sistemit në Shqipëri, sepse nga njëra anë është shteti si “ent rregullator” dhe sërish shteti si investitori më i madh. Sigurisht ne e njohim rolin e shtetit në edukim, por ai duhet të limitohet në kryerjen e arsimimit për degë të cilat nuk kanë treg, të ndihmojë kategoritë në nevojë për t’u arsimuar, të nxisë të shkëlqyerit”, - shprehet një nga iniciatorët e konsorciumit, Henri Çili, sipas të cilit pabarazia nis që nga hapësira për student në universitetet private dhe shtetërore. Kur në ato publike është 0,6 për student, në ato private duhet të jetë 2,5 për student. Teorikisht për të mbështetur idetë ‘avangardiste” të grupimit të interesit të universiteteve private, shërben edhe Rawls. “Një subvencionim që u jepet barabartë individëve që nuk kanë nevoja të barabarta është një pabarazi edhe më e madhe”. Ideja është sigurisht liberale dhe bëhet fjalë për revolucionarizmin e sistemit. E thjeshtëzuar do të përkthehej në shndërrimin e universiteteve në treg pa e fundosur “skeletin publik”.

Luarasi, një markë pa reklamë

Pas 30 vjetësh për profesorin Aleks Luarasi, ikja nga Shtetërori ishte një domosdoshmëri. Kujton se e ndiente veten të vetmuar aty dhe se mbeti ndër të fundmit profesorë të parë të Fakultetit Juridik për një farë kohe. Shumë nga kolegët dhe profesorët dhe personalitetet juridike ishin larguar. Por kishte edhe një arsye tjetër po kaq emocionale. “Kisha punuar gjatë në Universitetin Shtetrëor por nuk qeshë i lirë ta formoja juristin sipas përfytyrimit tim. Vetëm tek shkolla private mund ta bëja këtë. Burokracitë shtetërore nuk të lejojnë”, - shprehet akademiku i ligjeve. Është i kënaqur se pas 4 vjetësh dhe kur nga Universiteti ‘Luarasi” kanë dalë të diplomuait e parë, ka arritur të përmbushë 10 reformat e tij të dashura, të cilat nisin që me konceptin e klasave të vogla vetëm me 40 studentë në leksione dhe 20 syresh në seminare, tek detaje të formës që bëhet përmbajtje si tavolinat e seminareve në formë ovale, por edhe futjen e instrumentave të rinj si projektorët dhe kompjuterat në procesin e mësimdhënies dhe në përgjithësi një infrastrukturë më e mirë.

Iluzionet e rreme të Juridikut

Ndërsa shumë publicitet i duket element tregtie duke shtuar se ndoshta është edhe çështje mendësie, profesor Luarasi është kritik sidomos ndaj atyre që konkurrojnë në mënyrë të pandershme dhe ofrojnë siç shprehet ai shkollë të lartë me çmime kopshti. Pa dashur të përmendë emra, Luarasi shprehet se ka nga ata universitete private të porsakrijuar që pranojnë deri në 400 studentë për juridik, duke tejkaluar mundësitë e tyre. Në vend numërohen madje 10 fakultete juridike, tre prej të cilëve janë shtetërore ai i Tiranës, i Shkodrës dhe i Vlorës, si edhe shtatë të tjerë privatë. “Fakulteti shtetëror është zgjeruar gjithashtu pa masë dhe këtë vit ka pranuar 600 studentë për të cilët nuk ka as ambientet. Ai fakultet ka vetëm tre salla leksionesh dhe objektivisht e shoh të pamundur të bëhet mësim. Kur nuk i jep dot një karrige studentit, as profesoratin e nevojshëm nuk ia jep dot. Ideja për t’i futur të gjithë në shkollë të lartë është iluzore”, - shprehet profesori. E cilëson tregun aktual anarkik dhe shprehet se një pjesë e operatorëve janë joprofesionalë duke e parë tregun e mendjes vetëm si biznes dhe duke ndërmarrë aventura. Pohon nga ana tjetër se në universitetin e tij këtë vit nuk kanë trokitur ende më shumë se 30 studentë, të regjistruar, por profesori shprehet i kënaqur pasi kriteri i tij është cilësia. Vitin e parë ka patur 160 studentë por numri ka ardhur në rënie, edhe nga shtimet e kuotave për juridik në universitetin shtetëror por edhe nga rritja pranimeve të lira në universitete të tjera private. Shqetësimi mbetet megjithtë, sepse sipas tij u janë dhënë licenca njerëzve të papërgatitur për të ngritur universitete. “Strategjia ime është e ndryshme nga e të tjerëve, pasi unë kam hapur një Fakultet të vetëm, atë Juridik, por këtë vit kam aplikuar edhe për Fakultetin e Administrimit Publik, pasi i kam të gjitha potencialet për ta çelur atë”, - shprehet profesori duke shtuar se vazhdon të udhëhiqet vetëm nga pasioni dhe se fitimet i ka riinvestuar të gjitha në këto vite. Sipas tij në Shqipëri ka një paragjykim të jashtëzakonshëm në lidhje me universitetet nga opinioni publik dhe që vjen nga e shkuara moniste e vendit dhe që është se shkollimi i lartë duhet të jetë falas. Opinioni publik duket se vazhdon ta identifikojë arsimin privat vetëm si ndërmarrje biznesi, ndërsa dihet fare mirë që shërbimet publike në Shqipëri janë në ditë të hallit, jo ato private.

Risitë
 
Duket se risitë janë kali i betejës për universitetet private në Shqipëri. Të bësh ndryshimin apo të sjellësh stilin perëndimor të mësimdhënies. Kurrikulat janë sipas profesor Luarasit më të rëndësishmet në këtë aspekt dhe shton se në fakultetin juridik të Universitetit “Luarasi” zhvillohen lëndë të cilat tradicionalisht nuk janë dhënë si për shembull “E folura publike” por edhe të tjera lëndë të hartuara sipas nevojave të tregut si “Regjimi juridik i tokës” që studion mënyrat e regjistrimit të pronësisë apo ‘Urbanistika ligjore” meqënëse vendi ynë ka shumë probleme të urbanizimit. Si model kryesor për kurrikulat e “Luarasi” kanë shërbyer programet mësimore të Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Gjenevës, Zvicër. Profesori ka marrë me vete edhe shtëpinë botuese ‘Luarasi” e shndërruar tanimë në “Luarasi University Press” dhe një nga titujt më luksozë të botuar kohët e fundit për të cilin profesori shprehet me humor se ka shpenzuar sa për një apartament, edhe pse libri nuk ka treg të gjerë, është “Historia e filozofisë të së drejtës” nga Guido Fasso, të cilin e quan një vepër të artë të kulturës juridike. Në fakt veç karrierës akademike, Aleks Luarasi që prej 12 vjetësh vjetësh merret edhe me veprimtari botuese. Një vazhdë botimesh juridike, përkthimesh si të Kontratës së Rusoit e të “Frymës së ligjeve “ të Monteskjesë. Ka botuar më shumë se 100 tituj juridikë në gjithë këta vjet. Një pjesë prej tyre kanë autorësinë e Prof. dr Aleks Luarasit. Ndërsa karriera e tij akademike daton shumë më herët. Ai njihet si një nga baballarët e Fakultetit Juridik. Është emëruar pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1972, pasi ka kryer studimet e larta në këtë fakultet në 1963 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar. Gjatë 30 vjetëve në fakultet ka shkruar tekste universitare, monografi dhe artikuj në fushën e shkencave juridike, disa prej të cilave janë botuar jashtë vendit. Disa nga librat e tij kryesorë janë “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut” dhe “Studime për të drejtën zakonore shqiptare- Marrëdhëniet familjare”, vëllimin e dytë të cilit është duke e përgatitur. Aleks Luarasi ka punuar në fillim të viteve ’90 si Sekretar i Përgjitshëm i Këshillit të Ministrave dhe prej vitit 2003 rektor i Universitetit privat “Luarasi”.

“Marubi”, Termi “arsim privat”, mbeturinë staliniste

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” e cila është pjesë e konsorciumit të parë universitar shqiptar, është tashmë anëtare e një rrjeti të fuqishëm amerikan dhe europian të pedagogëve më në zë në fushën e filmit dhe multimedias. Falë këtij rrjeti, kjo akademi, e krijuar katër vjet më parë, ka siguruar një shkëmbim të frytshëm mes studentëve dhe profesorëve, të gjithë pjesë e këtij rrjeti. Janë plot 27 profesorë amerikanë dhe europianë që japin mësim çdo vit në këtë akademi, e cila tashmë ka nxjerrë brezin e parë të specialistëve të diplomuar pranë bankave dhe studiove të saj të punës. Përtej metodikës didaktike që përdoret në sistemin e trashëguar arsimor shqiptar, kjo akademi ka zgjedhur një metodë tjetër: teori e ndërthurrur me praktikë. Plot 12 orë film prodhojnë gjatë studimeve të tyre të një viti, studentët e “Marubi”-t, disa prej të cilëve kanë marrë pjesë me sukses në festivale ndërkombëtare të filmit, kryesisht atij me metrazh të shkurtër. “Përcaktimi aktual i sistemit tonë arsimor në arsim privat apo në arsim publik, në fund të fundit mbetet një mbeturinë e mentalitetit të vjetër stalinist, sipas të cilit çdo iniciativë private ishte absolutisht e papranueshme”, thotë themeluesi i kësaj akademie, kineasti Kujtim Cashku.

Ç’vlerë ka për Akademinë Marubi të qënit pjesë e një konsorciumi të tillë?
Kujtim Çashku: Unë mendoj se ka ardhur koha që ta konsiderojmë sistemin tonë arsimor si një kostelacion. Shkollat e ashtuquajtura private janë tashmë prezente në peisazhin e përgjithshëm arsimor në Shqipëri. Në këtë peisazh, një konsorcium i tillë do të na ndihmojë në përpjekjet për të krijuar standarte të reja në perceptimin e arsimit. Dhe këtu nuk flas vetëm për standarte që lidhen me cilësinë. Piksëpari duhet të kuptojmë se në këtë kostelacion të sistemit arsimor, unë mendoj se nuk duhet të ekzistojë fare termi arsim privat. Përcaktimi në këtë mënyrë i një forme arsimi vjen si pasojë e një mentaliteti të vjetër Stalinist në Shqipëri i kundërshtisë së iniciativës private, sipas të cilit çdo iniciativë e tillë ishte absolutisht e papranueshme. Si mund të flasim me terma të tillë si arsim privat, kur në fund të fundit, produkti i tij, pra studentët e diplomuar janë ekskuzivisht të lidhur direkt me interesin publik të shoqërisë?! Të marrim një shembull: një jurist i ardhshëm, i diplomuar në një universitet që sot preferohet të përcaktohet me termin universitet privat, do të jetë jurist njësoj si një tjetër që do të diplomohet në universitetin shtetëror. Kujt do t’i duhet kur në një të ardhme, ky jurist të jetë në marrëdhënie pune, se ku është diplomuar?! Mendoj se termat e duhur për të bërë një përcaktim të arsimit do të ishin shkolla të pavarura dhe shkolla shtetërore.

Kujt i referoheni kur përdorni terma të tillë?
K.Ç. Mund t’ju sjell këtu rastin e sistemit arsimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte senatori Claiborne Pell ai që e reformoi totalisht këtë sistem duke përmbysur termat privat dhe publik. Ai u nis nga gjykimi i produktit final: Çdo student i diplomuar në çfarëdo universiteti, në fund të arsimimit të tij do të vihej në shërbim të shoqërisë. Mbi këtë logjikë u bë edhe kjo reformë ku një vend shumë domethënës që shpjegon gjithë teorinë ze mënyra e shpërndarjes së bursave për studentët. Ndryshe nga sistemi arsimor shqiptar ku fondet për arsimin shkojnë nga lart direkt në universitet, këtu flasim për një sistem tjetër që investimin e tij e bën direkt tek studenti, përmes një bonusi që përkthehet në kesh vetëm në universitete, studentët që përfitojnë bursa kanë të drejtën që atë ta përdorin në atë universitet që përmbush kërkesat dhe nevojat e tyre për dije. Në këtë mënyrë studenti vihet në një dimension shumë më të fuqishëm përgjegjësie. Nga ana tjetër edhe vetë profesorët bëhen pjesë e një dimensioni shumë më të fuqishëm përgjegjësie që bazohet në një sistem konkurrence dhe cilësie, pasi askush prej tyre nuk do të donte të humbiste studentët më të mirë. Në këtë kontekst, që të kuptohemi, konsorciumi ynë nuk ka të bëjë fare me çështje armiqësie mes universiteteve, por ka të bëjë vetëm me çështje konceptesh.

UET, Liberalët shumë strikt
   
Ata janë kundër shkollës së mërzitshme. Edhe për këtë arsye iu larguan Universitetit Publik pasi provuan fillimisht të vënë në lëvizje ingranazhet e ndryshkura të tij dhe hodhën ide të tilla si krijimi i Universiteteve publik 2 dhe 3. Sistemi lëvizte aq ngadalë sa vendosën t’i braktisin projektet e nxitura por të pambërritura me kurrikula plot risi dhe ingranazhe që lëvizin me shpejtësinë e ideve. Për grupin e akademikëve të rinj dhe shumë mediatikë alternativa e vetme për të ndjekur pasionin universitar sipas vizionit të tyre mbeti krjimi i një universiteti privat. Një sipërmarrje në arsim për të mbërritur tek modernizimi dhe modelet e tyre të preferuara: Një universitet i ri në nocion dhe në frymë. Risitë janë pjesa të cilës i mëshojnë më fort. Duke filluar nga struktura, metodat dhe deri tek forma. Struktura e kërkuar është ajo interdisiplinare ose e kombinimit të disiplinave, sipas interesit të studentit. Modeli është tërësisht anglez dhe amerikan. Më joshësi për studentët nga e gjithë bota. Por i paeksperimentuar ende plotësisht në Shqipëri. Çunat e “Evropianit” e kanë marrë përsipër ta sjellin këtë model dhe kanë shpejtuar të implementojnë edhe formën “Tutorials”, një nga më të kushtueshmet dhe më të mirënjohurat në universitetet angleze dhe ato amerikane. Një tjetër risi drejt të cilës janë të vendosur të shkojnë është përfshirja e studentit në ndërtimin e programit të vet. Këtë liri kaq të lakmuar të cilët mund ta kesh vetëm në shkollat jashtë vendit ku ke mundësinë të kombinosh dhe të zgjedhësh mes një spektri lëndësh dhe madje edhe disiplinash, Universiteti Evropian i Tiranës e ka sjellë në auditoret e veta me ofertat e lëndëve opsionale. Por në lirinë e vet, gjithçka duket shumë strikte. Jo vetëm seminaret por edhe leksionet angazhuese, statistika të larta pakalueshmërie në vitin pasardhës dhe “tutorim” i vazhdueshëm.

Të etur për risi

Por një Universitet modern nuk është vetëm një mjedis ideal për krijimin dhe transmetimin e dijeve, sipas konceptit të “Evropianit”. Një universitet aktor shoqëror, pjesëmarrës në debatin kulturor, akademik dhe mediatik, që parasheh një lidhje të fortë me praktikën, një universitet aspak i izoluar nga shoqëria, ky është modeli prefekt që kanë në mendje ata të “Evropianit”. Janë vetëm në vitin e tyre të dytë të ekzistencës, por nuk presin të moshohen për të aplikuar idetë e tyre dhe e kanë nisur me futjen e metodave të reja të mësimdhënies, më dinamike dhe interaktive. Format e eseve, portofolave, raporteve kanë zëvendësuar testimet tradicionale. Janë parashikuar edhe veprimtari të tilla si një vizitë në Prishtinë për studentët e vitit të parë, një vizitë në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel, Strasburg, Frankfurt për studentët e vitit të dytë dhe një vizitë në institucionet e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Vjenë dhe Romë. Shkrimi akademik, metodat e kërkimit apo e folura publike janë lëndët risi. Përveç detyrave të kursit dhe provimeve, çdo studenti i kërkohet të përgatisë një temë përfundimtare diplome. Edhe sistemi i vlerësimit është rinouar në UET. Ai është i shumëfishtë ndryshe nga sistemi i deritanishëm universitar në Shqipëri, që do të thotë se fati i vlerësimit të studentit nuk varet vetëm nga një provim në fund të lëndës, por bëhet nëpërmjet eseve, testeve të shumëfishta, pjesëmarrjes dhe prezencës së tyre në klasë.
Nga tradita anglosaksone e universiteteve Harvard, Cambridge dhe Oxford, UET ka huazuar sistemin e “tutorials”, ose udhëheqjes së studentit. Studenti zgjedh nëpërmjet një shorti si tutor një pedagog të UET-së që ta mbikëqyrë dhe ndihmojë në ecurinë e vet gjatë mësimeve. Pedagogu mban një dosje me shënime për studentin dhe për mbarëvajtjen e studentit diskuton më pas me këshillin shkencor si dhe ka për detyrë të mbajë të paktën një herë në muaj një seancë këshillimi kokë më kokë me studentin ku ta pyesë dhe këshillojë për problemet mësimore, akademike, përzgjedhjen e lëndëve, profilet e ardhshme të karrierës. Duke i marrë të gjitha liritë dhe përdorur gjithë fleksibilitetin e mundshëm, aq të munguar tek strukturat shtetërore, një risi tjetër që ka parashikuar UET është mundësia për të marrë një diplomë të dytë universitare me vetëm një vit tjetër shtesë studimi. Kësisoj me katër vite studime mund të merren dy diploma. Për këtë studentit i duhet megjithatë të marrë me sukses rreth 15 lëndë të tjera në një vit të katërt.

Fushata e universiteteve

I ngjan një fushate të vërtetë në fakt fillimi i vitit të ri akademik në Shqipëri vitet e fundit. Posterat e UET i gjen në bill-boardet e stacioneve të autobuzave dhe kudo nëpër qytet, ashtu si edhe ato të universiteteve të tjera që kanë zgjedhur të bëjnë marketing të fuqishëm. Shtypi i shkruar është i bombarduar me imazhe universitare dhe nuk mungon publiciteti as në ekranet e televizioneve. Investimi për imazhin është shumë i rëndësishëm për UET dhe këtë vit ata kanë përfunduar një investim shumë të madh në godinën e re universitare në Bulevardin Gjergj Fishta, pranë kryqëzimit “Vasil Shanto”, ndërsa aspirata e radhës është ndërtimi i një kampusi universitar modern për studentët. Por kompeticioni është global në fakt. Kësisoj edhe vende si Amerika ndiejnë kompeticionin real nga pjesa tjetër e botës për të tërhequr më të mirët dhe më të shkëlqyerit, për të siguruar burime dhe garantuar mjedise që edukojnë dhe frymëzojnë. Kjo nuk do të thotë që universitetet më të mira amerikane nuk janë më lidera në zbulim dhe nocion. Ata janë. Por edhe në vende si India, Kina, Brazili apo gjetkë po lulëzojnë universitetet e reja. Dhe një pjesë e madhe e tyre janë duke përdorur format e reja të marketingut për të mbërritur tek studentët, për t’u bërë interesantë dhe logo “Cool”. Ka edhe klasifikime të universiteteve më “hot” në rang global. Prirjet dhe parashikimet flasin për një humbje të monopolit të Amerikës dhe Evropës për diplomat prestigjioze pasi edhe Australia, Kanadaja, Rusia dhe Hong Kongu konsideron “hot spots” për arsimit e lartë momentalisht.

Polis: Nuk jemi vetëm biznes, kemi përgjegjësi sociale

Në universitetin “Polis”, studentët kanë mundësi që të vlerësojnë pedagogët e tyre, përpara se këta të fundit të vlerësojnë studentët. Kjo ndodh sepse në këtë universitet, pedagogu respektohet, por ama nuk i shpëton dot sfidës së përballjes me studentët përmes argumentave. “Studentët tanë stimulohen për të menduar në mënyrë kritike, aq sa nëse kanë argument mund të kundërshtojnë këdo profesor”, thotë një prej themeluesve të “Polis”, Besnik Aliaj. Nuk bëhet fjalë për një kapriço, bëhet fjalë për një mënyrë të re të konceptimit të arsimit. “Produkti final i çdo universiteti, duhet të jetë i vlefshëm për realitetin”, thotë Sotir Dhamo, bashkëthemelues i “Polis”. Një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëse stimulohet proçesi i kërkimit shkencor, nëse të rinjtë vihen përballë përgjegjësisë dhe nëse u krijohet plotësisht hapësira për të krijuar. Bashkimin në një konsorcium universitar, “Polis” e lidh ngushtë jo vetëm me arsye parimore, morale që shërbejnë në ngritjen e standarteve të reja për arsimin shqiptar, por edhe me arsye thelbësisht ekonomike. “Ne jemi të gatshëm të lobojmë për të siguruar qëndrueshmërinë tonë institucionale, por nga ana tjetër ne nuk jemi vetëm një biznes. Ne kemi një përgjegjësi sociale në këtë vend”, thotë për MAPO-n Aliaj.

Pse një konsorcium? Pse “Polis”?
Sotir Dhamo: E shikoj konsorciumin si shumë të rëndësishëm në situatën aktuale kur universitetet janë shtuar në vend. I njëjti koncept si me individin: është më i fortë kur bashkohet. Dhe sigurisht në një grupim ka dhe interesa të përbashkëta. Universiteti “Polis” deri më sot nuk ka patur asnjë problem në mbarëvajtjen e tij. Megjithatë konstatoj shpesh tek vizitorët të cilët sapo shkelin këtu për herë të parë impresionohen nga ajo që shikojnë. Kështuqë mendoj se një interes i përbashkët për konsorciumin është edhe fakti që universitetet e reja paragjykohen, pa të drejtë. Nga ana tjetër mendoj se një interes i përbashkët në këtë konsorcium është edhe nevoja për të ridimendionuar mënyrën si ne e konceptojmë universitetin dhe sistemin arsimor në tërësi. Cfarë është universiteti? Sigurisht që nuk mund të jetë vetëm banka, klasa, mësimdhënia, etj. Kërkimi, mendoj unë është thelbi i një universiteti, pjesë kjo e lidhur me aktivitetet që një universitet duhet të bëjë. Një mentalitet të tillë synojmë të fusim në mendimin dhe konceptimin për sistemin arsimor të lartë. Ne mendojmë se universiteti, mbi të gjitha, duhet të prodhojë diçka që i vlen realitetit, shoqërisë.

Mendoni se universitetet shqiptare janë në gjendje që përmes punës së tyre t’i ofrojnë qeverive dhe institucioneve vendimarrëse ide për politikat e tyre?
Sotir Dhamo: Sigurisht që po. Praktikisht ne këtë gjë e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë. Këtë mënyrë të menduari synojmë të krijojmë në shoqërinë shqiptare. Ama duhet të kuptojmë se kjo mund të realizohet vetëm atëherë kur universitetet shqiptare heqin dorë nga praktika funksionimi që mund të kishin vlerë vetëm 30 vjet më parë.

Pse mendoni se universitete të ndryshme, si Polis për shembull, duhet të bashkohen në konsorciume? Pse ju e ndjeni nevojën e një bashkimi të tillë?
Besnik Aliaj: Bashkimi është relativ dhe mund të bashkohesh, në fakt, për shumë arsye dhe interesa të përbashkëta. Në rastin tonë mund të flasim për arsye thellësisht parimore dhe morale që synojnë mbi të gjitha bashkimin e atyre që synojnë të arrijnë disa standarte dhe cilësi. Por veç kësaj do të thoja se një arsye thelbësore që sqaron nevojën tonë për bashkim është ajo ekonomike. Bashkarisht mund të jemi pjesë e një proçesi të shkëmbimit të ndërsjelltë të kapaciteteve dhe aseteve tona, të profesorëve, të studentëve, ashtu siç fare mirë mund të ngrejmë bashkarisht një kampus me të gjitha funksionet e tij. Nga ana tjetër bashkarisht mundet që edhe të bëjmë një marketing më efikas. Pra, dua të theksoj se arsyet ekonomike janë thelbësore dhe krejt të justifikueshme në këtë bashkim. Veç kësaj, bashkarisht ne ndajmë perceptime dhe pozicionime të përbashkëta ndaj tregut, ndaj legjislacionit, përgjithësisht ndaj mjedisit shqiptar. Dua të përmend gjithashtu, se ka një iniciativë tjetër të një bashkimi më të gjerë në formën e një forumi të të gjitha universiteteve të reja të krijuara këto vjet. Ama ai është një organizim që ndryshon nga konsorciumi ynë dhe që të dyja së bashku nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. I yni është një konsorcium, siç ju thashë, nisur nga arsye morale dhe parimore po aq sa edhe ekonomike (dhe kur flasim për arsye ekonomike, këtu duhet të jemi të qartë se jo kushdo mund të jetë pjesë).

A e perceptoni këtë konsorcium si një mënyrë më efikase për të lobuar për interesa të përbashkëta?
Besnik Aliaj: Ne jemi gati të lobojmë, Jemi gati të lobojmë për të garantuar qëndrueshmërinë e institucioneve tona, ashtu siç jemi gati të lobojmë për legjislacionin duke qenë në oponencë me të por edhe duke e mbështetur nëse e shikojmë të arsyeshme. Duhet të kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: Universiteti “Polis”, ashtu si dhe partnerët tanë, ka mbi të gjitha një përgjegjësi sociale. Ne nuk jemi vetëm biznes. Ne po krijojmë mjedise cilësore akademike ashtu siç po krijojmë edhe bërthama të mirëfillta të kërkimit shkencor. Ne synojmë të sjellim një frymë të re në shoqëri si edhe standarte të reja në fushën e arsimit.
Sotir Dhamo: Në këtë kontekst mendoj se ndihmojmë edhe arsimin publik, i cili kështu mund të ketë një pikë referimi të shëndetshme. 

Belina Budini
Kristi Pinderi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora