E enjte, 18.04.2024, 10:44 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjergj Marku: Edisoni, dhimbja e qytetit tim!...

E enjte, 29.10.2009, 08:08 PM


Edisoni, dhimbja e qytetit tim!...

Nga Gjergj Marku

Ka tri ditë që në desktopin e kompjuterit tim mbaj foton e një të riu të bukur, është vetëm 20 vjeç, Edisonit! Më mirë të themi "ishte" se tashmë i tërë qyteti po e përcjell për në banesën e fundit.


Lotët më pengojnë udhës për të hedhur këto fjalë dhimbjeje e ngushëllimi, jo vetëm për dy prindërit, Markun dhe Martinin, teksa i pashë që mbaheshin për të mos ua parë kush pikën e lotit. Por qyteti, i tëri vajtonte, nuk kam parë mortje më të dhimbshme, duket si një rënkim i gjithë qytetit tim të bukur, të hijshëm e të qetë!


Po, po, të qetë!... Qyteti që nuk pati as dhe një gërvishtje në vitet e mbrapshta '97, qyteti që nuk u mbyll brenda, por e sfidonte mungesën e shtetit në sajë të vetëdijes vetëqeverisëse të moçme që e kishte nxjerrë nga "sëndukët" e historisë, pikërisht atëbotë kur i duhej, atëbotë kur nuk kishte shtet në asnjë cep të Shqipërisë.


E sfidonte duke mos e ndërprerë xhiron tradicionale në shëtitoren kryesore në mes të natës edhe pse armët e çdo kalibri kërcisnin nga çdo anë për lart në qiell, por në asnjë rast drejt në trup njeriu! Se kështu kujtohej ajo thënia e pleqve tanë të urtë: pushkën e mbush shejtani, kurrë mos shenjo drejt! E qyteti kësisoj shpëtoi pa asnjë vrasje apo plagosje në ato vite tmerri!


Por ja që ngjet pas 12 vitesh nga ajo kohë mënxyrë, dhe kjo e ka një shpjegim.
Por le të vazhdojmë me atë që po ngjet në ritualin mortor të përcjelljes së 20 - vjeçarit.


Prej natës së parmbrëmshme kur njomëcaku Edison u vra në një pusi kriminale në hyrje të pallatit pak metra larg Komisariatit (nëse e quajmë kështu këtë institucion të shtetit, i cili edhe pse 30 metra larg viktimës së kallur në pellg gjaku që po kërkonte ndihmë, nuk guxoi të hapte dyert!), qindra të rinj nga e tërë Mirdita i kanë bërë "natën - rojë" bashkëmoshatarit të tyre dhe lotët nuk e kanë pritur njëri - tjetrin për t'u tharë në faqet e njoma.


Edisoni ishte njëri prej tyre dhe ata plumba mund të kishin marrë secilën jetë, sepse ishte një vrasje e paralajmëruar, qyteti im i dashur, prej kohësh është marrë peng nga njerëz të krimit.


Politika e ka harruar qëkur ia hoqi një e nga një institucionet shërbyese të rendit e sigurisë; ia hoqi edhe Prokurorinë, edhe Gjykatën, ia gjymtoj Policinë, duke e katandisur si mos më keq në një grusht uniformash të frikuara!


Tashmë, qyteti im nuk ndodhet as në dorën e shtetit dhe as në atë të Kanunit, por të 12 "hunjve" të çeliktë që i kanë mbetur si kujtesë e unitetit 12 bajrakësh vetqeverisës në mes të sheshit me emrin e Abatit të nderuar të Mirditës, por pa pikën e funksionit as si kujtesë e as si institucion veprues, sepse njerëzit e krimit nuk njohin as ligj e as kanun.


Prej disa vitesh, përbri këtyre „bajrakëve atavikë", nuk e kanë pasur për gjë ta rrokullisin qytetin tim të dashur, të zihen e të "ngujojnë" njerëz të pafajshëm, rrugës, në lokale, në shëtitje apo xhiro të qeta me fëmijë a të moshuar, të terrorizojnë e të kallin datën ndaj qytetarëve të pafajshëm.


Sepse këta lloj njerëzish e kanë nuhatur mirë se shtet në këtë vend nuk ka, se Mirditën e ka harruar edhe Qeveria, edhe Parlamenti, edhe Presidenti, edhe pse është Qytetar Nderi i Rrëshenit tonë!


Shteti ua ka lënë në dorë Mirditën, pikërisht një grushti njerëzish nga bota e krimit, që po nëpërkëmbin nderin e një visi që dikur quhej Kreshta e Krenarisë Kombëtare.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora