Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Loja me imazhe

| E enjte, 29.10.2009, 07:22 PM |


Loja me imazhe

Nga Ndue Ukaj

Etimologjia e fjalës imazh, sipas shpjegimit të fjalorëve, rrjedh nga frëngjishtja dhe domethënien figurë. Nëse e analizojmë më tutje këtë term, ai nënkupton një figurë të riprodhuar të një sendi, pra diçka që del nga pasqyrimi i tij. Po ta simplifikojmë, ky term nënkupton një lloj shëmbëllimi, i cili mund t’i ngjasoj realitetit, por edhe jo. Duke analizuar këtë kontekst, mu ngulit në mendje vendimi i qeverisë së Kosovës dhe entuziazmi i pashembullt, për të angazhuar një kompani ndërkombëtare për promovimin e Kosovës në planin ndërkombëtar, pra, për të transfiguruar Kosovën në figurë, në imazh. Dhe me këtë akt, presupozohet se mund të ndikohet në vende të caktuara, për të ndërruar qëndrimin në raport me Kosovën, apo, në variante tjera, për të konsoliduar një qëndrim më të shëndetshëm për vendin tonë. Në të vërtetë, promovimi i Kosovës në planin ndërkombëtar, është një domosdo që s’do alternativë, mirëpo, forma dhe modelet, duket se do të jenë me efekte të pakta. E gjithë kjo, jo për fajin dhe as për mungesën profesionalizmit të kompanisë izraelite “Saatchi& Saatchi”, mirëpo për formën e gabuar, me të cilën institucionet e Kosovës, dëshirojnë të bëjnë asgjë më shumë se veprime të pakuptimta dhe aspak me vlerë, me arsyetimin se gjoja po bëhet diçka e madhe për Kosovën. Në fakt, kjo edhe mund të duket diçka e madhe për ata që torollasen pas këtyre imazheve në mediat e fuqishme ndërkombëtare, duke u dalldisur me mburravecërinë tonë provinciale, mirëpo, për ata që njohin sadopak trendët ndërkombëtare, e dinë fare qartë se janë vetëm shpenzim i kotë i atyre milionave, nga të cilat Kosova s’do të përfitoj asgjë.

Kjo formë e krijimit të imazheve është krejtësisht atipike me modelet perëndimore, me shtet demokratike ku na u synoka të përmirësohet imazhi ynë. Sepse, asnjë shtet e shoqëri normale, nuk mund të tjetërsojë bindjen përmes sajimeve të ndryshme dhe reklamave të çfarëdoqofta .  

 Me këtë reklamë, përveç tjerash, mëtohet të harrohet apo anashkalohet realiteti i brendshëm, i cili është vetë imazhi i Kosovës, të cilin asnjë pasqyrim ndryshe nuk mund ta tjetërsoj. Sepse ai është i tillë çfarë është. Mbase, me këtë formë vetëm demonstrohet fuqishëm se dikasteret e caktuara, të cilat janë përgjegjëse për t’u marr me çështje të këtilla dhe reprezentim të Kosovës jashtë, janë totalisht të paafta, jo kreative në opinionbërje, sidomos në planin e ndërkombëtar.

Kosova mund të përmirësojë imazhin e saj, më shumë se me çdo lloj reklame, duke çrrënjos njëherë e përgjithmonë shumë fenomene dhe dukuri çoroditëse që shoqërojnë jetën e njeriut tonë. Kosova mund të prezantohet denjësisht në planin ndërkombëtar, vetëm duke pasur qeveri funksionale, e cila funksionon çdo ditë dhe në çdo pore të jetës. Kosova mund të prezantohet denjësisht në planin ndërkombëtar, duke zhvilluar një ekonomi të shëndoshë, duke luftuar korrupsionin, politikën mediokre, mburravecërinë e pashembullt, nepotizmin, provincializmin, e dukuri të tjera degraduese. Kosova mund të prezantohet më mirë para botës së përparuar, vetëm atëherë kur kaosi katastrofal urbanistik fillon të merr kontrua të mirëfillta, kur arsimi bëhet shënjues i Kosovës dhe fizionomi reale e tij, dhe mbi të gjitha, kur Kosova të ketë një kulturë reprezentative, sport të përparuar, arte të pranuara në botë, etj. Këto janë segmentet esenciale që e tjetërsojnë imazhin e një vendi. Si shembull, të marrim vetëm Kroacinë, e cila vetëm përmes sportit dhe turizmit të zhvilluar, ka thyer gjitha paragjykimet dhe sterotipet e ndryshme karshi këtij vendi.

Institucionet e Kosovës, para se të synojnë të tjetërsojnë imazhin dhe t’iu hedh këtë imazh mediave ndërkombëtare, duhet të mos vendnumërojnë, por duhet të ecin përpara, duke flakur tej mbeturinat ideologjike dhe të formave tjera që na kanë lënë pushtimet e shumëfishta.

Intencë e idesë për të prezantuar Kosovën në planin ndërkombëtar, duket se rrjedh nga domosdoja për të përmirësuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, pra si referencë e gjithë kësaj mbetet nevoja për të përmirësuar apo pasqyruar imazhin tjetër të Kosovës. Shikuar realisht, kjo i vije, përkthyer në retorikën politike allashqiptarçe, për të mashtruar botën, se gjoja ata nuk e ditkan realitetin tonë, ndërsa ne tani do t’i yshtim të njohin këtë realitet përmes imazheve të bukura dhe rinisë kosovare. Edhe naivët më të mëdhenj, do të beson pak në këtë mision. Ndërsa ata që e dinë si funksionojnë shoqëritë e zhvilluara, e dinë se këto efekte mund vetëm të imagjinohen.

Kosova nuk është referencë për atraksione turistike, për të bërë kureshtare mendjet entuziaste që rrinë para TV-ve me renome që të vijnë dhe ta vizitojnë Kosovën. Madje, vendi ynë me gjymtime të shumta, i dalur nga lufta, para se të bëhet referencë e një modeli të këtillë, për njeriun perëndimor është reminishencë lufte, krize, pasigurie, një shteti e shoqërie fragjile. Duke e njohur këtë kontekst, atëherë vetvetiu në shtrohet pyetja e dileme, si duhet lexojmë dhe kuptojmë efektet e kësaj fushate? Ata që njohin mirëfilli modelet kulturore dhe politike perëndimore, e kuptojnë fare mirë se shoqëritë europiane dhe ajo amerikane, ku synohet të ushtrohet një ndikim me këtë lloj fushate, nuk priren të besojnë, e hiq më pak të ndërrojnë mendje nga imazhe të caktuara. Madje, përkundër kësaj, elitat politike, kulturore, mediatike, pra këto kategori qenësore, që kanë influencë të madhe dhe krijojnë opinion në shoqëritë e caktuara, nuk janë kategori që yshten apo ndërrojnë mendje e qëndrime, nga një reklamë televizive apo gazetareske. Sepse, ato janë kategori që më së paku bazohen te imazhet, ngase shëmbëllimin e kërkojnë nëpër esenca, që i nxjerrin nga kontekste të caktuara, që për barometër matës kanë standardet kulturore, gjendjen sportive, ekonominë, artet, infrastrukturën, etj. Nëse e shikojmë realitetin kosovar në dritën e këtyre kategorive, imazh ynë është trishtë.

Çfarë do të mund të bënte Kosova më mirë për të përmirësuar imazhin, apo për të pasqyruar vetën në planin ndërkombëtar?

Puna e parë, esenciale dhe shumë e rëndësishme që Kosova do të duhej të bënte pas shpalljes së Pavarësisë, do të duhej që të kompletoj një histori të mirëfilltë të saj, të hartuar nga ekspert të shumtë shqiptar e të huaj dhe e njëjta, të ju dërgohej gjitha bibliotekave, mediave të fuqishme botërore, universiteteve, instituteve e organizatave të ndryshme që merren me çështje globale. Kjo do të ishte një referencë e fuqishme për çdo intelektual në botën perëndimore. Dhe si e tillë, do të shërbente jashtëzakonisht shumë në botën akademike, mediatike e politike, aty ku krijohen opinionet. Nëse dikush mendon se për Kosovën dihet mjaft dhe nuk ka nevojë të bëhen projekte të këtilla, vetëm le të shkojë në ndonjëra nga bibliotekat e mëdha në Skandinavi dhe sheh se aty nuk ndodhet, madje asnjë tekst i rëndësishëm që flet për Kosovën, as në planin historik dhe as në atë aktual. Le më nga autorë shqiptar. Përkundër kësaj, ekzistojnë dhjetëra botime nga Serbia që e paraqesin vendin tonë me paragjykime, të cilat i dimë ne, një Kosovë të dizajnuar sipas pasioneve dhe apetiteve të tyre. Dhe, çfarëdo të ndodhte me një student të historisë, ta zëmë, i cili kërkon në Suedi një libër për Kosovën. Suedezet, nga eksperienca që kam, sidomos ata të kategorisë intelektuale, nuk i besojnë asgjëje përpos shkrimit. Ata kanë tejkaluar tanimë dekada më parë oralitetin, imazhet dhe priren nga esencat. Madje, ata përqeshin modelin tonë oral të prezantimit, me megalomani tipike ballkanase.

Perëndimi ka ndërtuar një standard të tillë të dijës e opinionbërjes, që ndërlidhet esencialisht me kulturën, me rrafshet kulturore, prej ku ndërtohen qëndrimet dhe gjykimet për vende e kombe të caktuara. Prandaj, më lehtë mund të ndikohet me një libër të mirë në botë, se me reklama vizuale.

Në fakt, ideja për këtë promovim, megjithatë në planin e jashtëm duket e mirë, sepse i jep shans për herë të parë Kosovës të paraqitet në planin ndërkombëtar, në mediat prestigjioze. Kjo referencë do të jetë funksionale, vetëm atëherë kur ne të heqim mbeturinat e shumta nga vendi ynë, kur të krijojmë një model të kulturës e sjelljes universale dhe duke flakur provincializmat e përçudnuara, të cilat i kemi pjesë të mendësisë.

Akulturimi i një kombi është vrasja më e tmerrshme e tij. Dhe pra, që të prezantojmë dinjitetshëm vetën, duhet të kthejmë besimin tek idealet e përbashkëta, të luftojmë akulturimin, i cili po degradon Kosovën, për të ecur përpara, në edukimin e shoqërisë sipas standardeve të mirëfillta demokratike e perëndimore, ku aspirojmë të jetojmë dhe të integrohemi. Në këtë mision, tok të bashkuar duhet të kontribuojmë.