E enjte, 28.03.2024, 12:30 PM (GMT)

Editorial

Albert Vataj: Niset për nga amshimi At Zef Pllumi

E merkure, 26.09.2007, 08:49 PM


Nga Albert Vataj
 

At Zef Pllumi
At Zef Pllumi u nda përgjithherë nga të afërmit, nga Shkodra, nga admiruesit, nga gjithsekush e njohu, ndigjoi për të dhe lexoj prej tij. At Zef Pllumi, i fundmi i brezit të artë të françeskanëve shqiptarë, atyne që kulmuen në pjedestal tiparet me të spikatuna të kulturës dhe qytetarisë, lirisë dhe devotshmërisë, përkushtimit dhe dashnisë. Zemra e tij pushoi së trokituri në Romë në moshën 83-vjeçare. Jeta e tij, si e çdo kleriku tjetër shqiptar, e çdo predikuesi të fjalës së Zotit, të të vërtetës kishte ecur nëpër një kalvar golgote. Së paku ma s’fundit ai mundi të ketë kenë në momentet e fundit i qetë për shumëçka, përsparit, në jetën e tij të trazueme, ai arriti të përmbushë amanetin që i lanë sivëllezërit e tij të besimit dhe hekakeqët e ferit komunist. Ai arriti të dilte tej kufijve të njërës prej diktaturave më të ashpra të botës, të triumfonte mbi vuajtjet, vrasjet, zhdukjet, për t’i dëshmuar brezave që vijnë një ndër krimet më të qarta dhe më ngjethëse të Evropës: zhdukjen e klerit katolik për arsyen e vetme se nuk pranonte komunizmin.

Ithtar dhe trashëgimtar i Fishtës, Arapit, Palajt dhe një grupi të jashtëzakonshëm klerikësh, që po aq sa të tillë qenë edhe figura të rëndësishme të kulturës dhe shkencës shqiptar, i formuar në shkollën më serioze që Shqipëria kishte në atë kohë, atë françeskane, At Zef Pllumi pati fare pak mundësi ta ushtrojë besimin e tij. Fare i ri u arrestua nga komunistët që erdhën në fuqi në Shqipëri. U torturua dhe u dënua me disa vjet burg. Dalja nga burgu, në fund të viteve ’40-të qe e përkohshme. Pas disa kohësh liri, ai u arrestua sërish, për të vuajtur në burgjet komuniste plot 26 vjet të tjerë. Duke pasur në qeli, për shumë vite dhe në shumë rrethana, padyshim elitën e intelektualëve shqiptarë.

Jeta e tij, është po kaq e pabesueshme. Refuzues për t’ju nënshtruar regjimit; i aftë për t’ju përshtatur dhe për të mbijetuar në kushtet e burgut; i bindur në drejtësinë e bindjeve të tij dhe i paepur në qëndresë, me një qëllim të vetëm: mbijetesa për të dëshmuar atë që kishte goditur familjen e tij të besimit. Ai besoi deri në fund. Besoi te Zoti dhe drejtësia, besoi se e vërteta vonon, por nuk harron dhe realisht kjo ndodhi. Një ditë, ai u kthye sërish aty ku e kishte lënë karrierën dhe besimin e tij, 46 vjet më parë. Më dhimbje, i trishtuar, por edhe i lodhur, ai nuk u ankua, por vijoi tutje në kohën tjetër. Kur 67-vjeçar ai arriti të dalë në brigjet e një Shqipërie të lirë, si pak të tjerë, ai mendoi se duhej të fitonte kohën e humbur. Në 17 vjet, ati i nderuar iu fut rimëkëmbjes së traditës françeskane, ringjalljes së bibliotekës së saj, trashëgimisë së mrekullueshme, ribotimit të veprave dhe monografive dhe, mbi të gjitha, shkrimit të kujtimeve të tij. Kujtime që u botuan nën titullin: “Rrno vetëm për me rrëfye”! Një libër i jashtëzakonshëm, ngjethës, por edhe reflektues. Një libër, që përbën padyshim korpusin qendror të momuaristikës së burgut e më gjerë në vitet e komunizmit, por që përbën një monument të rëndësishëm për gjithë vuajtjen e klerit në Evropën Lindore komuniste.

At Zef Pllumi u shua pardje, vonë, në mbrëmje. Ai iku, duke lënë pas një kujtim të mrekullueshëm. Kujtimin e një njeriu, që besimi dhe kuraja e ngjitën nga ferri ku e kishte hedhur koha, në Parajsën ku me siguri duhet të prehet tashmë. Ai iku, pasi kishte arritur në një jetë të trazuar, të përmbushte amanetin që iu kishte dhënë mësuesve dhe ithtarëve të tij: rrëfimin. Ai iku, me atë qetësi që shkon gjithkush që beson se në jetë ka bërë ashtu siç duhet të bëjë dhe që nuk përse të pendohet për asgjë. Ai iku pa pendesa, duke na lënë pas një bibliotekë të mrekullueshme, një shembull në jetë dhe fjalën e tij monumentale: gjithkush merr në jetë atë që meriton… Lamtumirë At!

Këto ditë të mbushuna plot me përkushtim, punë, angazhim duket se rrojti vetëm për me tregue, e tregoi aq sa mujti për një nga periudhat më satanike të historisë së kombit shqiptar. Ai solli edhe Shqipërinë e tij të trazueme, lënguese, të dhunueme, të shkelun, të nëpërkëmbun dhe këtë e bëri ma mirë sbahet, nëpërmjet një vepre tepër voluminoze, “Histori, kurr e shkrueme” At Zef Pllumi, Ati i vuajtjeve e i qëndresës, u shua larg strehëzës së tij, larg godinës së Kuvendit Françeskan në Shkodër, larg kishës së meshave të tij, larg oborrit të kuvendit, larg Shqipërisë. Sa kohë rrnojti e mori frymë, pati një qëllim të madh, e tani misionin do e kryejë vepra e tij, përpjekja titanike për të dëshmu, për të tregu, për të rrfy. që është një pasuri e çmuar e memories sonë kombëtare, e historisë sonë të molepsur nga ideologjizmat bolshevike. Dhe tanë këtë e bani për të mos lejuar në këtë mënyrë rikthimin e diktaturave, në të gjitha format e tyre, gja e cila asht një kërcënim serioz, një rrezik që kaplon gjithçkatejërgja në rrugën e logjikës së pranimit të gjanave. 

S’ka reshtur asnjëherë, edhe atëherë kur nuk lejohej të përcillte kalvarin e gjatë të vuajtjeve, që nuk ishin vetëm të tijat, nën një gjuhë të pasur, me një forcë vërtetësie që vetëm vullneti i një njeriu të devotshëm, një njeriu të përkushtuar të Krishtit mundi, diti dhe e bëri. Tançka që ai tregoi janë fakte të pamohueshme dhe rrjedhshmëri, që ngjall kureshtje për vijuar leximin e rrëfimit të atit të përvuajtur. Ai jo vetëm rrnoi për me tregu, por guxoi për me dëshmu për gjithçka që vujti vetë dhe gjithë ajo pjesë shqiptarie që lëngoi nën thundrën e diktaturës Hoxhiste.Jeta e tij s’qe aspak e lehtë, plot dhembje, vuajtje dhe sakrifica, që i kapërcyen kufijtë e njerëzores. E jo më kot mbi zhgunin e tij qëndroi edhe medalja, që Presidenti, Alfred Moisiu, nderoi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Madje në fjalën e tij, mëse një vit të shkuar, Presidenti Moisiu theksoi: “Rasti e solli që katër vjet më parë të jap dekoratën më të lartë për shkrimtarin, patriotin, politikanin dhe intelektualin e shquar Gjergj Fishta, ndërsa tani pata fatin të nderoj nxënësin e Fishtës, shkrimtarin, historianin dhe publicistin, At Zef Pllumi”. E fundvitin që shkoi, u nderua edhe me çmimin “Penda e Artë”, si një prej legjendave të vetme, të mbetura gjallë prej asaj vuajtje të madhe e që na la si pasuri veprën e tij, dëshmi e madhe e së shkuarës.

E megjithatë kurrkush ma fort nuk gjuejti mbi murin komunist që s’bzajti se sa vetë At Zef Pllumi. Ai dëshmoi kjart duke ndriçu një nga natat më të errta të historisë së pasluftës, e pse jo edhe ma t’pusten që ka njoft ku popull, lëngatës komuniste. Tash ai nuk asht ma mes nesh, por përjetësi ka thirr shpirtin e tij të dlirë për me i’a rrok përmasat e amshimit.

Krishti e pastë në Parajsë

Amin



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora