E premte, 19.04.2024, 02:03 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Marrëveshja e ujërave me Greqinë, 'Shekulli' organizon sot dëgjesë publike

E hene, 12.10.2009, 06:49 PM


Nga Shekulli Online

Takimi në hotel "Tirana", bashkëbisedim mes ekspertit Pashaj dhe të ftuarve për skandalin e shkeljes së integritetit territorial

TIRANE - Një tjetër dëgjesë publike për skandalin më të rëndë të muajve të fundit, faljen e një pjese të territorit të Shqipërisë nga qeveria, do të bëhet sot. Takimi i organizuar, me shtysën e gazetës "Shekulli" do të mbledhë prej orës 10.00 në hotel "Tirana Internacional", përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave dhe personalitete të jetës publike dhe politikanë.

I menduar si një bashkëbisedim mes panelit dhe pjesëmarrësve, koloneli në rezervë, Myslym Pashaj, do të shpjegojë edhe një herë për të pranishmit studimin e tij për marrëveshjen për ndarjen e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe më tej do të ketë edhe përgjigje për pyetjet e të ftuarve.

Kjo është dëgjesa e parë publike për një temë kaq të nxehtë, dhe pason takimin me përfaqësuesit e mbi 70 shoqatave, që u mbodhën pak ditë më parë, për të kundërshtuar ratifikimin nga Kuvendi i Shqipërisë të kësaj marrëveshjeje që cenon integritetin territorial të vendit dhe shitjes së interesave kombëtare për qëllime momentale të politikës qeverisëse.
Ashtu siç pritej, në dëgjesën e sotme nuk do të jenë të pranishëm përfaqësues të qeverisë, grupeve parlamentare që përbëhen vetëm nga shumica e djathtë dhe të ministrive, megjithëse organizatorët i njoftuan disa ditë më parë. Bojkotimi i takimit është nxitur edhe nga deklaratat e kryeministrit Berisha, i cili në një prononcim televiziv të premten e shkuar, e mbrojti nënshkrimin e marrëveshjes, si një punë ekspertësh dhe se sqarimi i saj nuk mund të bëhet me seanca dëgjimore.

Hartuesi i studimit prof. asoc. dr. Myslym Pashaj, kolonel në rezervë dhe mjeshtër kërkimesh, është shprehur se marrëveshja "për përcaktimin e kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë" e nënshkruar në maj 2009 është një nga skandalet më të mëdha, të cenimit të mëvetësisë, si dhe të shpërfilljes së interesave tona kombëtare. Kritikave të tij pak muaj më parë vetë kryeministri Berisha iu përgjigj duke anatemuar mediat si të "shitura", "antikombëtare" dhe "trilluese primitive". "Është e jashtëzakonëshme, të shkosh në negociata dhe të hartosh një marrëveshje, ku me lapsin, kompjuterin, firmën tënde, t'i presësh vetes një gjeohapësirë kaq të madhe, të cenosh lirshëm mëvetësinë e Atdheut, të shpërfillësh historinë dhe gjeohistorinë shqiptare, të braktisësh interesat e tua ekonomike dhe të ulësh asilloj, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare" - shprehet z. Pashaj. Mjeshtri i kërkimeve, Pashaj, në studimin e tij i është referuar UNCLOS, Konventës së Montego Bay-it si edhe legjislacionit shqiptar. Baza hartografike dhe gjeodezike, ka qënë ajo ndërkombëtare.

I mbrojtëm me sakrifica, ua falim të huajve

Pandeli Bardhi

Historia e këtij vendi është e mbushur me heroizma e sakrifica të panumërta për mbrojtjen e çdo pëllëmbe toke. Këto, të udhëhequra nga idealet e mëdha që buronin nga dashuria për vatanin. "Vatan, nder e liri", ishte trinomi që ka udhëhequr njerëzit e ndershëm të kësaj toke për të bërë sakrificën më sublime; flijimin e jetës që të huajt të mos e preknin asnjë fije. Amaneti i të parëve tanë.... "asht toka jonë, të parët na e kanë lënë, kush të mos e preki se desim të tanë", buçet akoma e ndez gjakun e çdo shqiptari, kur është puna për të mbrojtur kombin. Tek hedh në jetë këto kujtime mendja më shkon 35 - 40 vite përpara, kur shërbenim në vijën e parë të frontit, në pararojën, në ishullin e Sazanit e në gadishullin e Karaburunit. Interesat e kombit e kërkonin të ishim të gatshëm me sekonda në mbrojtje të hapësirës sonë detare, tokësore apo ajrore. Bashkë me dhjetra, qindra shokë të tjerë si: Naim Muhaj, Ibrahim Gaxholli, Ilo Thimjo, Festim Tefa, Vladimir Beja etj. për vite me radhë e bëmë "harram" gjumin e natës, apo gëzimet familjare. Të mbledhur nga të gjitha krahinat e vendit na bashkonte një ideal i vetëm, patriotizmi. Nëntor 1977 - Natë e errët pus dhe det i trazuar. "Verifikoni një objekt në X kuadrat dhe Y koordinata në thellësi të ujërave tona". Anija e gatshme nuk e përballonte dot detin. Menjëherë vihet në lëvizje një anije e madhe luftarake dhe në kohë rekord u gjet në vendin e ngjarjes. Jemi ekuipazhi italian me anije peshkimi, kemi ngatërruar ujërat... I keni ngatërruar juve, por jo ne! - iu përgjigj prerë komandant Festim Tefa dhe u jep ultimatumin: "-Tërhiquni menjëherë!" "Mama mia...." Ekuipazhi deshi s'deshi iu bind, por sa e sa të tjerë të pabindur janë shoqëruar për në portin e Vlorës, qofshin këto skafe apo "anije peshkimi" të huaja. Në X kuadrat, një objekt që nuk dallohet qartë të verifikohet menjëherë, është sinjali. Dhe sakaq anija e gatshme u gjet pranë skafit italian me një çift holandez që bënin "pushime" në ujërat tona territoriale. Lartësia X, kuadrati Y, zhurmë avioni, dhe brenda pak sekondave grykat e artilerisë kundërajrore dhe mitralozët kundërajrorë e shoqëronin "mikun" e paftuar. Raste të tilla ishin të përditshme. Ato, si të thuash, ishin bërë natyrë e jetës sonë, por përballoheshin me vullnet e përkushtim, pa shpërblime e ofiqe. Situata të tilla ishin të vazhdueshme në kohë të mirë apo të keqe, ditën apo natën. Këto sakrifica ishin të asaj natyre që edhe shtëpia ishte e lëvizshme në anije luftarake apo edhe e palëvizshme pranë pozicioneve të zjarrit për çdo kuadër. Edhe hasmi këtë e kishte të qartë. Pyetjes së një gazetari në vitet e para të proceseve demokratike se, a ju ka shkuar ndonjëherë në mend të sulmoni Shqipërinë, gjenerali serb në "Zërin e Amerikës", i përgjigjet: "Mund të them se duhej t'i bënim mirë llogaritë në qoftë se do ta bënim një gjë të tillë". Sot mbas kaq vitesh ata që u kanë rezistuar dhimbjeve të sëmundjeve nga vështirësitë e sakrificat e jetës, i takoj në rrugë në një gjendje si mos më keq, në një gjendje të mjeruar ekonomike, me një pension qesharak si "shpërblim", për vitet që kaluan në izolim të plotë për shkak të detyrës ndaj Atdheut. Këta qindra e mijëra nuk e kaluan jetën në male, as si soditës dhe as si turistë, por në mbrojtje të kufijve. Të zhgënjyer nga qeveritarët e sotëm ata enden rrugëve, në kërkim të një jete më të mirë për kontributet që kanë dhënë për kombin e për vatanin. Të gjitha këto durohen, por nuk mund të durohen që pjesë nga vatani e nga ujërat territoriale u falen të huajve si dhuratë. Dhe falja u bëhet pa asnjë shpërblim. U falet sepse këta njerëz, qofshin dhe qeveritarë nuk sakrifikuan, dhe sot marrin shpërblime të majme, duke ndërtuar vila e duke bërë plazhe nëpër dete. Kjo bëhet nga ata që pretendojnë se janë "rekordmenë" në garat e notit apo në ngjitjen e lartësive, sepse nuk u ka "kërcitur kurrizi" si neve. Edhe armët u shitën për të mbushur xhepat e disave, ato armë që ne i shërbyem si nëna birit të vetëm dhe që sot janë bërë objekt tregtie për disa dhe që të pafajshmit i paguajnë me viktima. "Shashka tymuese", sikur ne nuk paskemi patur kufij detar apo tokësorë me Greqinë, i dëgjon nga krerët qeveritarë. Këto "shashka" ngjajnë si ato të "martesave gay", apo zëvendësimin e lekut me euron. Jemi mësuar të dëgjojmë, tashmë, dhe mblidhen qindra të mençur, organizata qeveritare e joqeveritare e nuk i japin dot "dum". Sot nuk ka nevojë që të huajt të na sulmojnë, as me armë e as me "shoqata gjuetarësh", por vijnë me duar në xhepa dhe ne i falim gjithçka që na kërkojnë, qofshin këto dhe troje të kombit tonë. Kjo për neve që kemi punuar për mbrojtjen e këtyre trojeve është e patolerueshme, për ne e për çdo njeri të ndershëm si ne.
*(Artikullshkruesi ka shërbyer për 40 vite si ushtarak dhe një pjesë të kësaj kohe edhe në ishullin e Sazanit)

Deti dhënë Greqisë, linja e Otrantos gati më 2020

Edmond Hoxhaj

Sipas projektit të prodhimit të energjisë së pastër, pjesa e rrjetit shpërndarës që do të kalojë në Otranto duhet të përfundojë brenda vitit 2020. Në një prej hartave të studimeve të kryera për projektin në fjalë, janë cilësuar se kush rrjete shpërndarëse do të kenë prioritetin të përfundojnë para vitit 2020 dhe të tjerat që mund të instalohen pas vitit 2020. Kështu, rrjetet e shpërndarjes me ngjyrë blu, sipas ikonës së hartës specifikojnë përfundimin e ndërtimit të tyre para vitit '20. Janë disa rrjete shpërndarëse, një prej të cilave kalon në Otranto, duke lidhur Greqinë me zonën e Leces në Itali. Në hartë vihet re se segmenti në fjalë kalon në pjesën veriore të ishullit të Korfuzit. Linja e dizenjuar në hartë përshkruan edhe territorin detar shqiptar (pjesën shqiptare të Otrantos), të cilin sipas marrveshjes së qeverisë sonë me atë helene mund t'i kalojë së shpejti Greqisë. Ndërkaq, si prioriet për përfundimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë janë edhe disa segmente të tjera. Dy linja të rrjetit nisen nga Tunizia drejt Sicilisë në Itali dhe një tjetër drejt Sardenjës. Gjithashtu, dy segmente bashkojnë Afrikën Veriore me Spanjën, si dhe dy të tjera kalojnë nga Evropa Veriore drejt Gadishullit Skandinav. Këto janë disa segmente të rrjetit shpërndarës të energjisë, të cilët sipas projektit, duhet të përfundohen brenda vitit 2020. Gjithashtu, në hartë janë paraqitur edhe pjesët e tjera të rrjetit, punimet e të cilave do të përfundojnë pas vitit 2020. Projekti ka si qëllim prodhimin e një energjie me kosto të ulët, si dhe mosndotjen e ambjentit me CO2.
Gjatë një mbledhjeje të Bashkimit të Vendeve të Mesdheut presidenti francez, Sarkozy, ftoi vendet e Bashkimit Evropian për të nisur dhe ndërtuar bazat e revolucionit diellor në dhjetë vitet e ardhshme, nga 2012 deri më 2020, kur do të jetë e nevojshme të përgatiten të gjitha infrastukturat me qëllim për të mos u gjetur të papërgatitur nga ajo që mund të jetë fundi i energjisë së naftës. Në këtë kontekst nis edhe projekti për të kapur energjinë diellore në shkretëtirën e Saharasë, që do të hyjë në kuadrin më të gjerë të TREC (Trans-Mediterranean Renewable Energy Cooperation) e ideuar dhe e vënë në lëvizje nga Club of Rome, Hamburg Climate Protection Foundation e NERC (National Energy Reasearch Center of Jordan).
Disa muaj më parë, qeveria shqiptare dhe ajo greke nënshkruan një marrëveshje, lidhur me kalimin e një pjese të trerritorit detar të vendit tonë, shtetit helen. Edhe pas disa muaj reagimesh nga opinoni publik dhe media, autoritetet e shtetit shqiptar nuk kanë dhënë një shpjegim lidhur me arsyen e kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq, ministrja e Jashtme greke e quajti atëherë si një arritje strategjike marrëveshjen. Sipas marrëveshjes në fjalë, shteti shqiptar kalon në favorin e shtetit grek rreth 354.4 kilometra katrorë të territorit detar, në zonën e Otrantos. Pikërisht, në këtë zonë mësohet se do të kalojë një prej segmenteve të shpërndarjes së projektit të prodhimit të energjisë së pastër që pritet të startojë pas dy viteve.

Ndërtimi i projektit do të kushtojë mbi 200 miliardë dollarë

DESERTEC - është emri i një projekti të madh të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë diellore. Sipas propozimit, stacionet e mbledhjes së energjisë termike diellore do të vendosen në shkretëtirat e Afrikës Veriore. Sipas projektit në fjalë, energjia e përfituar nga dielli do të plotësojë një të gjashtën e nevojave të Evropës me energji. Sipas studimit, ndërtimi i gjithë sistemit prodhues dhe shpërndarës së energjisë mund të realizohet për 30 vjet, me një kosto prej më shumë se 200 miliardë dollarë. Rrezatimi diellor i lartë në shkretëtirat e Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut bën që humbja gjatë transmisionit të energjisë të ndryshojë 10 - 15% nga rajonet e shkretëtirës nga ato të Evropës. Kjo do të thotë se impjantet diellore termike të energjisë në rajonet e shkretëtirës janë më ekonomike se të njëjtat lloje të bimëve në Evropën Jugore. Sipas përllogaritjeve, nëse impjantet diellore termike që prodhojnë energji elektrike do të ndërtohen në një numër të madh në vitet e ardhshme, kostoja e parashikuar e energjisë elektrike do të vijnë poshtë 0,09-0,22 euro për kwh, deri në 0,04-0,05 euro /kwh.

Shkeljet ligjore që nxorri në pah studimi i prof. Pashajt:

1- nuk është zbatuar Neni 7 = Article 7 i UNCLOS vijëdrejtat bazore
2- nuk është zbatuar Neni 7.6. mbi mosaplikimin e vijëdrejtave bazore që presin Detin Shtetëror të shtetit që ndodhet kundruall.
3- Nuk është zbatuar neni 10 = Article 10, i UNCLOS , mbi gjiret, në qartësimin e parashikimit të të drejtave të "gjireve historikë"
4- nuk është zbatuar Neni 15 = Article 15 i UNCLOS për përcaktimin e Detit Shtetëror midis shteteve që janë ballëpërballë
5- nuk është zbatuar Neni 47 = Article 47 , mbi vijëdrejatat bazore të Arkipelagut,
6- nuk është zbatuar Neni 47. 5 = Article 47.5, mbi vijëdrejat bazore në arkipelag që mund të presin Detin Shtetëror dhe të Hapësirës së Veçantë Ekonomike (Exclusive Economic Zone) të shtetit tjetër.

Pikat e errëta të marrëveshjes

1.Marrëveshja e përcaktimit të kufijëve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë është një hartim i errët dhe hermetik, akt diplomatik i shpejtë dhe i dyshimtë, i cili dokumenton, përulësi të dinjitetit kombëtar.
2. Vëzhgimi gjeo - hartografik, në të gjithë sythet e marrëveshjes nxjerr në pah një shpërfillje të jashtëzakonëshme të interesave kombëtare shqiptare.
3. Ky akt diplomatik është arritur në një "Vakum ligjor shqiptar, mbi Detin, gjiret historike dhe Ujrat e Brendshme" që i shërbejnë Ligjit të Detit.
4. Haset cenim i hapur i mëvetësisë së Shqipërisë në Ujrat Detare, Detin Shtetëror (Territorial Sea), Hapësirën e Afërt Vijimore (Contigous Zone) Shtratdetin Kontinental dhe Hapësirën e Veçantë Ekonomike ( Exclusive Economic Zone), si më poshtë:
4.a. Cënim i mëvetësisë kombëtare në vijën hyrëse në Ujdhesën Tongo, kundruall Korfuzit në një gjatësi të humbur në pikën fillimore prej 3,24 km dhe humbje të sipërfaqes ujore detare të Detit shtetëror prej: 2.9 km2.
4.b. Cenim i mëvetësisë Kombëtare të Shqipërisë në Shkëmbin Barketa, i cili është konsideruar si fund skajor i vijëdrejtës bazore, kundruall brigjeve të Ksamilit, në një sipërefaqe prej: 1.5 km2.
4.c. Cenim i mëvetësisë Kombëtare në Detin Shtetëror të Sarandës, i cili nuk është konsideruar si gji historik, por është përdorur si vijë bazore normale, duke shërbyer si largësi deri në Korfuz, për përcaktimin e vijës së mesme (mdian line), duke humbur në detin Shtetëror një sipërfaqe prej:15 km2
4.d. Cënim i mëvetësisë Kombëtare duke filluar prej pikës nr. 125 deri në pikën 140, prej një gjatësie vijore, prej 22 km.
4.e. Cenim Mëvetësisë së Kufizuar në Hapësirën e Afërt Vijimore (Contigous Zone) të Shqipërisë deri në pikën 150, me gjatësi prej 21 km, duke humbur një sipërfaqe prej 335 km2.
6. Ngushtesa e Otrantos, kjo urë natyrore ujore e Ballkanit Jugperëndimor, kjo gjeohapësirë detare tradicionale, gjeohistorike midis Shqipërisë dhe Italisë, është një synim i drejtëpërdrejtë i jetësimit të kësaj marrëveshjeje, në disfavorin e Shqipërisë, duke u shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë UNCLOS.
7. Gjiri Historik i Sarandës përbën një "harrim" dhe "humbje" fatale, gjeohistorike, strategjike dhe ekonomike për Shqipërinë.
8. Shqipëria, humb një pjesë të vetvetes së saj, në shtratdetin Kontinental Jonik, një sipërfaqe ujore prej 354 km2, në një nga gjeohapësirat më mgjepsëse, të pasura, dhe gjeostrategjike, në Jugperëndimin e saj.
Qëndrimi më i fundit i kryeminstrit të Shqipërisë se "asnjë metër nuk i është falur Greqisë" është një nga dëshmitë më të freskëta të ngulmimit dhe të mbrojtjes së një prej marrëveshjeve më të dyshimta, të një skenari, ende të paeksploruar, të shopërfilljes së madhe të interesave kombëtare.
Ka ardhur koha që të gjendet një instrument modern demokratik, studimor, juridik, për të ndalur për një farë kohe, ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, sa të plotësohet një panoramë sigurie dhe vertetimi të plotë të studimit që paraqitet.

E DREJTA E PADREJTË

Prof. Asoc. Dr. Myslim PASHA

E drejta e fqinjit nuk është e drejtë. E drejta jonë është e pranuar si e drejtë, por ata që e pranuan, nuk e dinë se si e qysh, është kjo e drejtë. Duke bërë këtë pranim, pala fqinjë merr bashkëveprën dhe marrëveshjen. Ajo e di të vërtetën, por duke anuar drejt të padrejtës, e kthen këtë të dytën, në të drejtë, sepse merr bekimin e fqinjit, i cili nuk pyet për ujanën e madhe, por për marrëveshjen që ka qënë një problem në shekuj me fqinjët. Fqinji është dyfish i ruajtur, tani dhe i firmosur në ekranin e madh të syrit të botës. Mirpo cytja që u bë dhe fjala që doli, s'dihet nga ku dhe si, trazoi detin që në ditën e parë të firmës. Kësisoj, në flegrat e hundës së detit, erdhi një çast dallgor, që e ndihmoi era që fryu, jo nga Deti për tek Dheu por nga Dheu për në Det. Dheu dhe Deti kishin qënë në marrëveshje. Janë pajtuar në dallgëzimin prurjet sedimentare dhe erozionin që s'ndal, kanë pranuar këtë luftë që nuk pushon kurrë dhe s'do të pushojë asnjëherë. Mirpo këtë që bëri marrëveshja e një shteti me shtetin tjetër, duke firmuar këtë ndarje, bëri atë që nuk është bërë që nga krijimi i Detit e Dheut. Gërryerje e brigjeve tokësore nga lufta e dallgëve është shumë e vogël, megjithatë ekziston përherë. E drejta e Detit i takon vetëm Dheut. Këtu është pika e gabimit fatal. Duhet pyetur edhe Deti. E drejta e pavendosur gjer para dy muajësh, rrinte aty, përmidis, me një vijë kufiri ujore, të pranuar pa bërë ndonjë matje dhe ishin mësuar me të. Ishte për bukuri në gjithë këtë kohë që edhe pse nuk kish një marrëveshje, ajo ekzistonte heshturazi nga të dyja palët.
Të heqësh dorë nga drejtësia e një zbatimi gjeodezik, të ikësh nga liria gjeodezike, të shkurorëzosh vetveten, në mënyrë që ta lësh të lirë tjetrin të zbatojë një "standard të gënjeshtërt", kjo do të thotë që ke hequr dorë nga të drejtat. Ndërkaq, i ke dhënë shtetit tënd një të drejtë që nuk është e drejtë. I ke dhënë padrejtësinë.
Gjeodeti dhe juristi kanë nga pas bashkësitë njerëzore të kombit të tyre. "Të kisha mundësi" - thoshte në blog një shqiptar i larguar - "që të vija në Vlorë, të merrja një shkëmb e ta vendosja, diku aty përballë ishujve grekë të Arkipelagut të Korfuzit, përtej Dhërmiut që të përfitonim diçka". Shëmbëllimi i kësaj prurjeje shkëmbore, është marri që e ka shkaktuar matja dhe prurja ndarëse të Gjeodetit, në atë modelim të gënjeshtërt. Kur gjeodeti, gjeografi, hidrografi, heq dorë, ose me indiferencë largohet dhe nuk merr pjesë në diskutim, pra në të drejtën e tij shkencore detare, atëherë, në heshtje kjo e drejtë i kalohet tjetrit.
Koordinatat, hartat, vijat nuk kanë të sharë, janë në një sistem koordinativ të caktuar dhe paraqesin vlerat matematike dhe gjeometrike, mbi të cilat janë ngritur. Mirpo, ato përkojnë me një marrëveshje, ku është pranuar paanësia. Mirëpo kjo është mosmarrëveshje.
Në rastin që po flasim, nuk jemi përballë armiqsh, por të fqinjëve, me të cilët, në një kohë tjetër janë përcjellë ndryshime të mëdha. Ndoshta, më tepër se gjysmë milioni shqiptarë punojnë dhe jetojnë sot vetëm në Athinë. Ndërthurrja e dikurshme fqinjore iliro-helenike, po ngjallet. Pse të na dalë prej atyre thellësive që thamë, ky alarm i panevojshëm i dyshimit, se vija ndarëse ujore nuk është e vërtetë? A thua se kjo është një thirrmë dhe atavizmë, e cila duhet që të mposhtet sapo ngre krye? Edhe pse jemi në një kohë tjetër, ka mendësi armiqësish të vjetra, të cilat kanë qënë të shumta dhe vijnë prej së shkuarës. "Ja kush na janë shqipatarët. Vet qëndrojnë në tavolinë bisedimesh dhe marrëveshjesh, e bëjnë atë, shtrëngojnë duart dhe buzëqeshin hareshëm dhe ja ku na dalin!" Nga këto dyshime, shteti edhe pse nuk e jep veten, ka një lloj tronditjeje, jo të vogël, të cilën kërkon ta mbulojë, me atë Biblën e Detit, UNCLOS. Këta që dyshojnë, vetëm këta, mund të jenë atentatorët e marrëveshjes. Në anën shqiptare sido që të merret, del një version, sipas së cilit, kur bëmë veshmarrje, dhamë edhe besën ballkanase, por që më shumë është besë shqiptare. "Ju vetë dolët besëprerë." Thoni atëherë se kush janë fajtorët!
Nga thellësia e Detit vijnë nimfa, hyjni, Circja, Ciklopi dhe vet Poseidoni, si një jehonë, jo vetëm e mitologjisë së përbashkët edhe në një det fqinj të përbashkët. Ngushtesa që ndan dheun shqiptar me atë korfuzian është një udhë e madhe. Ka transportuar jetën dhe vdekjen. Ajo është edhe një univers i veçantë, një takim duarsh, por dhe prerje të tyre, gjithashtu. A mund të hamendësojmë se ata që e paraqitën për herë të parë në tavolinë versionin e ndarjes, kishin në vete veç kostumit modern ballkanas edhe atë xhokën e breznive të shkuara, me sytë dhe veshët e të ikurve, të mbyturve, të hedhurit në det, dhënie - marrjet andej e këndej, pastaj prerje të duarve, nxjerrjen e syve, mallkimin, që deti i mban mend. Ata e panë Biblën e të Drejtës Detare, si një përshtatje e bukur dhe e butë, e asaj që rronte ndër ta, nën kryefjalën e Olimpit, Zeusit, birit të tij Poseidonit, e në mirëkuptim e firmosën. Kujtuan se hodhën poshtë xhokën e vjetër dhe kishin veshur kostumin modern!! Ishte e kundërta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora