Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Për ata që pavarsinë e Kosovës e kërkojnë në Islamabad

| E merkure, 23.05.2007, 09:04 PM |


Nga Ardian Ndreca

Ardian Ndreca
Javën që kaloi u shkrue edhe nji kapitull tjetër i turpshëm i politikës sonë të jashtme.
Nji delegacion i përbamë prej Edith Harxhit, Adhurim Banaj, Elsa Kosova, Saimir Repishti dhe Zafar Ansar përfaqsoi vendin tonë prej datës 15 deri me 17 maj në Islamabad në sesionin e XXXIV të Konferencës Islamike të Ministrave të Jashtëm të vendeve antare.
Ishte qysh prej vitit 1912 që vendi ynë nuk përfaqsohej në botë me funksionarë të ministrisë së jashtme me pasaportë turke, kush do ta besonte se zoti Berisha do të na falte rishtas këtë gëzim të pashoq.
Ndër çështjet e randësishme që u diskutuen në atë tubim figuron edhe: gjendja në Irak, Somali, Qipro, agresioni i Armenisë ndaj Azerbajxhanit, dënimi i sanksioneve të SHBA-së ndaj Republikës Arabe të Sirisë, dënimi i regjimit Sionist për mbajtjen e armëve atomike, solidariteti ndërmjet vetë antarëve të Konferencës, koordinimi dhe konsultimi ndërmjet shteteve antare të Konferencës islamike për mbajtjen e nji qëndrimi të vetëm në arenën ndërkombtare, forcimi i bashkimit islamik, çështje legale të gjykatës ndërkombtare islamike, çështje ekonomike dhe shkencore, rrugë dhe mjete për rritjen e strategjisë kulturore të botës islamike, çështje të kalendarit Hixhri, promovimi i Vakufeve, çështje të edukimit dhe të riedukimit islamik etj.
Asnji pikë e rendit të ditës nuk i kushtohej çështjes kosovare edhe pse përfaqësuesi i Kosovës ishte pritë zyrtarisht prej sekretarit të Konferencës islamike Ihsanoglu qysh me datën 7 maj 2007.
Po të ishte e vërtetë se kjo Konferencë do të mbështeste Kosovën, ajo kishte kohë të mjaftueshme prej datës 7 deri me 15 maj me shtue nji pikë në rendin e ditës, por qysh këtu nis mashtrimi i zgjebove aventurierë me pasaportë të huej që përfaqsojnë gjoja interesat e vendit tonë
Disa heresh grupe apo edhe intelektualë të veçantë i kanë tërheqë vemendjen kësaj qeverie dhe parlamentit shqiptar që të deklarojë si antikushtetuese pjesmarrjen e vendit tonë në atë konferencë, por ndjeshmënia dhe përgjegjësia e shumicës së parlamentarëve shqiptarë shumëzohet me zero, sapo të cënohen interesat e tyne dhe pushteti i përkohshëm që gëzojnë.
Disa sish i kanë ra mohit hapun vlerave qytetare, europiane dhe demokratike; por ata harrojnë se nesër kur koha efimere e pushtetit të tyne do të perëndojë përgjithmonë, kanë me mbetë me nji njollë të pashlyeshme turpi, para Shqipnisë, para etënve të vet e para bashkëqytetarëve, turp që nuk e lajnë as paret e marruna nën dorë, as udhtimet zyrtare, as iluzioni se kanë komandue dy a tre gur të pagojë shahut në fushën e zezë të veprimtarisë së tyne.
Me rastin e tubimit të majit në Islamabad u deklarue nga qeveria se atje u shkue për të mbrojtë interesat e Kosovës, bile me shtymjen e Tiranës me datën 7 maj sekretari i përgjithshëm i Konferencës islamike kishte pritë të dërguemin e Kosovës Lutfi Haziri.
Problemi asht se prej tubimit të Islamabadit nuk doli asnji rezolutë zyrtare ku mbështetet pamvarsia e Kosovës, ndërsa nji prej komunikatave për shtyp, prej 11 rreshtash, s’asht veçse nji deklaratë e pangjyrë ku «vlerësohet», «shpresohet» e «dëshirohet» nji bashkëpunim mâ i gjanë me Kosovën.
Kaq, të tjerat janë andrra që i kanë pa me sy hapë mitomanët e Tiranës dhe të Kosovës, të cilët janë aq të papërgjegjshëm saqë për me justifikue pjesmarrjen dhe pagesat e kuotave të antarsisë në atë Konferencë nuk ngurrojnë me hedhë dritë të keqe mbi çështjen e Kosovës edhe përpara opinionit ndërkombëtar.
Dihet që Konferenca islamike interesohet, mbron dhe jep asistencë të gjithanshme ndaj vendeve islamike.
Kush asht ai budalla që mendon se po të paraqitet sot Kosova si vend beniamin i Konferencës islamike - atëherë shteteve si Rusia, Kina apo Britania e Madhe do t’u zbutej zemra dhe do të mbështesnin pamvarsinë e saj?!
Në gjithë këtë lojë të pandershme ndihej si leit-motiv parulla se gjoja Konferenca islamike do ta mbështesë pamvarsinë e Kosovës në OKB.
Çështja e pamvarsisë nuk diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pse ajo mvaret prej Këshillit të Sigurisë dhe aty Konferenca islamike jo vetëm që nuk ka za si e tillë, por tue qenë se kjo Konferencë nuk rresht së dënuemi politikën e SHBA-së, të Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe, Izraelit – merret vesht sesa kredi kanë n’at forum opinionet e saja dhe rezolutat që ajo aprovon.
Asht e vërtetë se në Këshillin e Sigurisë bajnë pjesë edhe dy vende islamike siç janë Indonezia dhe Katari, por mos të harrojmë se ato janë antarë të përkohshëm pa të drejtë vetoje, ashtu siç janë Belgjika, Gana, Italia, Peruja, Kongoja, Panamaja, Sllovakia dhe Afrika e Jugut.
Po çka mund t’u themi atyne që kanë mâ afër në hapsinën interiore Katarin se Belgjikën, apo Indonezinë se Sllovakinë!
Kah ana tjetër nuk duhet harrue se kush janë pesë antarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë: SHBA, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe, secila prej tyne me të drejtë vetoje.
Atëherë pse e gjithë kjo komedi e pështirë, kjo lojë me fatet e nji populli që ka derdhë gjak për pamvarsinë? Mos po kërkohet në këtë mënyrë me ba që vendi ynë së bashku me Kosovën të rrëshqasin së bashku në orbitën e vendeve islamike?
Faktet janë kokëfortë e përpara tyne bahen shumë qesharake fjalimet bombastike të mbushuna me Nanë Tereza apo me Perëndim e me NATO.
Reagimi ndaj kësaj politike të mbrapshtë shërben jo për me mbrojtë krishtenimin, por thjesht vlerat laike të shoqnisë shqiptare, ato vlera që Kushtetuta republikane i garanton dhe që sot shkelen hapun. Duhet te theksojme se mbrojtja e laicitetit te shtetit shqiptar në kufijte strikt kushtetues dhe ndërtimi i nji Kosove laike, demokratike dhe evropiane janë dy sfidat ma të para me të cilat ndeshen shqiptarët e vitit 2007.
Që s’bahet fjalë me mbrojtë krishtenimit e tregon fakti se mbrenda në parlament, ato që kanë za dhe mundësi me folë dhe që nuk përtojnë me ngrehë shamata për musteqet e Çelos dhe karriken e Moisiut, heshtin dhe shohin interesat e veta të gjithmonshme.
Kah ana tjetër, fatkeqësisht, intelektualët shqiptarë (jo ajo pjesë që vuen prej sëmundjes së duartrokitjeve) - nuk e çojnë zanin, tue u ba bashkëfajtorë përpara kombit për avancimin e idesë se pamvarsia e Kosovës mvaret dhe mbështetet prej vendeve islamike, ide kjo e rreme në formë dhe në përmbajtje.
Mos kujtoni të dashur intelektualë se përban nji ngushëllim fakti se përpara nji rreziku të madh asht mâ mirë me u mshehë, me shpresën se ujku do t’ju hajë në fund fare!
Duhet të zgjohemi dhe të ndalim aventurierët që duen me shkallmue andrrat mâ të mira që ka pasë kombi jonë tue nisë prej rilindasve, të punojmë pa shikue fenë apo mungesën e saj që të rindërtojmë nji Shqipëri dhe Kosovë Europiane, Demokratike dhe Perëndimore, pjesë e vërtetë e Bashkimit Europian.