E merkure, 24.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Speciale

Erika Camaj: Jeta ime me Martinin

E shtune, 10.10.2009, 07:42 PM


Erika dhe Martin Camaj
Erika dhe Martin Camaj
Arkivi Camaj në Mynih pret shqiptarët ta pronësojnë


Nga Bashkim Kuçuku

Në muajin prill 2009, me ftesë të Zonjës së nderuar Erika Camaj, së cilës i jemi thellësisht mirënjohës për privilegjin, patëm kënaqësinë e veçantë të hulumtonim në arkivin vetjak të shkrimtarit, gjuhëtarit dhe profesorit të shqipes në Universitetin e Mynihut, Martin Camaj. Zonja Erika, bashkëshortja e tij, mjeke kardiologe, e pasionuar pas poezisë dhe muzikës si një poete e vërtetë, e dashuruar gjithë jetën me Martinin, i ka krijuar kushtet më të përshtatshme në familje që ai t’i kushtohej tërësisht letërsisë dhe shkencës, pa kursyer as të hollat për botimin e tyre. Me humbjen e të shoqit, ajo ka sistemuar dhe mirëmban si në arkiv profesional gjithë trashëgiminë e tij. Dorëshkrimet, letrat dhe dokumente të tjerë i ka dorëzuar në Arkivin Shtetëror të Mynihut, ndërsa kopjen e tyre e ruan në arkivin e shtëpisë. Duke dëgjuar vazhdimisht Martinin, që i fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe e familjarizuar me miqtë dhe kolegët më të afërt, bashkatdhetarë të tij, ajo e njeh mirë botën shqiptare, dhe, sikurse thotë vetë, e dashuron atë. Punën hulumtuese na i lehtësoi mjaft albanologu, përkthyesi i njohur i poezisë shqipe në gjermanisht, Hans-Joachim Lanksch, për të cilin falënderimet tona të përzemërta nuk na duken të mjaftueshme.

KA QENË DIKUR NJË MARTIN CAMAJ, I PËRJASHTUAR PREJ TË VETËVE

Ka qenë dikur një Martin Camaj. 44 vjet jetoi, punoi dhe krijoi larg atdheut, në Beograd, Romë, Mynih. Me përjashtim të disa intelektualëve shqiptarë të diasporës (Itali, Gjermani, Zvicër dhe SHBA), si dhe pak shkrimtarëve në Prishtinë, deri më 1990, askush nuk e dinte, që ishte edhe një poet, prozator, gjuhëtar dhe profesor i shqipes me formim letrar e shkencor evropian bashkëkohor. Institucionet e shtetit amë, si dhe institucionet e Kosovës, nën trysninë urdhëruese të Tiranës dhe të Beogradit, e kishin mohuar dhe përjashtuar krejtësisht nga e drejta e komunikimit njerëzor, letrar e shkencor me të vetët, sepse, sipas tyre, ishte armik dhe tradhtar, shkrimtar borgjez dekadent. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, njohjen e lexuesit me veprën e tij e pengonin me të gjitha mënyrat dhe mjetet.
“Jam ngushtë për punën e librave letrarë të mij, në çdo pikëpamje, i shkruan mikut të tij, Atë Danjelit… prej të katër anëve ka fillue nji sabotim që mos të shpërndahen këta libra, as në diasporë, as në Kosovë e në Shqipni, jo që jo! Më kanë blokue krejtisht: prej kompletit të parë kanë hy në Kosovë nja 30; tash-asnji! Edhe njerëzit që njoh prej asaj ane, rrudhin shpatullat e më thonë “Martin, çdo (gjâ) bâj për ty, por librat tu s’guxoj as me i hapë! Rueji këtu! Zoti do e shlirohet puna”… P.S. Puna âsht e kjartë: blokimi vjen prej Tiranës e Belgradit.” (Letër Patër Danjelit, 6.2.82)
Ndërkohë, i vetmuar mes të huajve, dhe, larg e pa afinitetin e “njerëzve të tij”, siç shprehej, ai kishte shkruar një lloj poezie moderne bashkëkohore të cilësisë evropiane, të panjohur e të pangjashme me asnjë në tërësinë e letërsisë shqipe, një prozë realiste e moderne, një korpus studimesh gjuhësore, si edhe poezi e proza, botuar në anglisht, gjermanisht, italisht.
Dhe, krejt veprat letrare i ka botuar me sakrifica ekonomike, me paret e veta dhe të së shoqes, Erikës, duke kufizuar kërkesat e jetës. Po ashtu, 25 vjet ligjëroi shqipen në Universitetin e Mynihut (Gjermani), ku mësoi dhe formoi dhjetëra albanologë të huaj, ndër të cilët edhe Hans-Joachim Lanksch-in, nga miqtë e tij më të afërt.
Jetën, talentin, inteligjencën dhe gjithçka tjetër ia kushtoi letërsisë, studimit dhe mësimdhënies së gjuhës e kulturës shqiptare, të cilat ua la trashëgim shqiptarëve. “Edhe vullnetin me jetue e kam prej letërsisë”, pohon në një letër tjetër.
Me rënien e mureve politiko-ideologjikë midis shqiptarëve, në një vit e pak të pluralizmit, gazetarë, shkrimtarë, madje dhe krerë të politikës nga shteti amë dhe Kosova iu drejtuan me letra vlerësimi, me pyetje për intervista, me kërkesa për të botuar veprat e tij dhe për t’i ndihmuar e mbështetur ata në proceset demokratizuese, me ftesa për ta nderuar atë me tituj, etj. I sëmurë rëndë, edhe pse nuk i njihte vetat që i drejtoheshin, ai i mbështeti dhe i ndihmoi aq sa pati mundësi. Vetëm atëherë, poezitë dhe prozat e tij filluan të qarkullonin lirshëm në botën shqiptare. Kur ai, më në fund, mund të ishte me të vetët dhe të gëzonte komunikimin e lirë me ta, veçanërisht leximin dhe vlerësimin e veprës- dëshirën-ëndërr më të madhe, fatkeqësisht, u nda prej jetës (1992), pa i përjetuar kënaqësitë e mezipritura.

MARTIN CAMAJ ENDE NË MËRGIM DHE I MËRGUAR

Në afro 20 vjetët e institucioneve demokratike, poezia dhe proza e tij, kanë zënë vendin e merituar në programet dhe tekstet shkollore të së gjitha shkallareve, si dhe në studimet universitare dhe akademike në mbarë hapësirën kulturore shqiptare. Mirëpo, kjo ka qenë më e lehta dhe është arritur më tepër në sajë të pasionit, detyrimit shkencor e moral, sidomos të vlerësimit të njëmendtë të saj prej profesorëve. Veprat, edhe si libra, fillimisht në atdhe i dërgoi dhuratë autori, dhe, më pas, i solli lokomotiva TGV-e e vlerave të rëndësishme për të cilat letërsia shqipe kishte nevojë të ndjeshme, veçanërisht në ballafaqimin e saj me letërsitë e tjera evropiane. Po atje, në Mynih të Gjermanisë, kanë mbetur jeta, veprimtaria, bëmat, dorëshkrimet, fotografitë, orenditë dhe objektet vetjake muzeore, si dhe eshtrat e tij, për të cilat nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lloj interesimi për të sjellë prej tyre, diçka si shenjë në atdhe, prandaj, mund të thuhet se Martin Camaj është ende në mërgim, “të tijtë” vazhdojnë t’i rrinë larg e mos ta afrojnë, sikur të kishin mëri me të.
 Është riatdhesuar vepra në përgjithësi, por nuk është riatdhesuar shkrimtari me gjithçka tjetër, që ka mbetur e panjohur. Në Arkivin Shtetëror ose të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë nuk ka asnjë dokument, faksimile të shkrimtarit ose fotokopje të tyre, madje në Arkivin e Shtetit nuk ka as dosje me emrin e tij. Për të, si dhe për institucionet e tjera të larta, siç ishte i paqenë dhe i panjohur më parë, ashtu është edhe sot. I paqenë dhe i panjohur ka qenë edhe për katër kryetarët e shtetit, që nuk i ka dhënë asnjë dekoratë, për “katërdhetë” kryeministrat që nuk i ka dhënë asnjë titull, për bashkinë e Shkodrës e të Tiranës që nuk dimë t’i kenë venë ndonjë institucioni arsimor e kulturor emrin e tij, etj., që do të thotë se, zyrtarisht, nga lart, ai nuk është riatdhesuar, ndërkohë, që, në Gjermani, në Mynih, me nisjativën e albanologut Hans-Joachim Lanksch është krijuar Shoqata Kulturore Gjermano-Shqiptare Martin Camaj, që ka për qëllim studimin, përhapjen dhe organizimin e veprimtarive për veprën e shkrimtarit.
Më 1996, me ndihmën financiare të Ministrisë së Kulturës, dhe, pa i dhënë asnjë shpërblim trashëgimtares, u bë një botim i pjesshëm në pesë vëllime, i cili, edhe ai, për interesa lëndore të dikujt, i u dha një Shtëpie Botuese të dorës së fundit, siç ishte Apollonia, që, nuk është më e për pasojë, prej 13 vjetësh ato nuk ridalin. Botimet e herëpashershme të Shtëpisë Botuese Camaj-Pipa, të cilat, thuajse nuk e kalojnë dot perimetrin e Shkodrës, si dhe ndonjë botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Prishtinës, i paracaktuar për studiuesit, janë, gati, edhe ato të paqena, në krahasim me botimet e vijueshme e qarkullimin e gjithandejshëm që meritojnë të kenë vepra të tilla. Praktikisht, me përjashtim të ndonjë librarie modeste në Shkodër, ato nuk gjenden në asnjë librari dhe, po ashtu nuk propagandohen në Panaire të Librit Shqip.
Sot e kësaj dite, asnjë institucion a botues privat, p.sh., nuk ka kërkuar të blejë të drejtën e botimit, sikurse blihet kudo në botë, ose, së paku, t’i ribotojë veprat rregullisht, duke paguar copyright-in, nga që mendohet se nuk sjellin shumë fitime, megjithëse do të zotërojnë një kapital kulturor kombëtar. Për arsye të tilla të rëndomta, ato përsëri nuk janë në qarkullim të përhershëm e në mbarë hapësirën shqiptare, dhe, ky, siç thoshte vet shkrimtari dikur për  mbylljen e shtigjeve që i bënte censura, është një “blokim”, sigurisht, tjetërsoj, me ndryshimin, se këtë herë nuk vjen prej shtetit dhe nuk është tërësor, por vjen prej pandjeshmërisë e mosinteresimit karakteristik shqiptar për ata që kanë qenë e janë larg, pra, edhe jashtë  vlerësimeve klanore, ose, që nuk kanë prej tyre ndonjë përfitim politik apo lëndor.
Interesimi i jashtëzakonshëm për veprën dhe vet Martin Camajn, SA QE GJALLË në PERËNDIM, në FILLIMET E PLURALIZMIT, nga institucionet qendrore kulturore, akademike dhe universitare, si dhe nga politikanë, shkrimtarë, studiues e profesorë, madje  edhe pjesëmarrja e Kryetarit të Republikës së Shqipërisë më 1997, në një përvjetor përkujtimor të zakonshëm, dhe, më vonë, pas vdekjes, braktisja e veprës dhe e veprimtarisë së tij, fatkeqësisht, sikur e pohon edhe në këtë rast, që kjo sëmundje e vjetër e mendësisë dhe e praktikës shqiptare vazhdon të zotërojë në to dhe në drejtuesit e tyre.
Publicistë, shkrimtarë e studiues me vlerësimet e tyre, sado të rralla, dhe, zakonisht, pa shkencë të mirëfilltë, kanë krijuar, mendimin e përgjithshëm të drejtë, se vepra e tij zë një nga vendet më të rëndësishme në letërsinë shqipe bashkëkohore. Gjithsesi, edhe ky mendim i meritueshëm njihet në disa rrethe tepër të kufizuara, në ato universitare e akademike, pa arritur  gjerësisht te mësuesit dhe nxënësit e shkollave parauniversitare, te mediat dhe, thuajse fare te lexuesit e brezave të mëparshëm. Me këtë njohje, që mund të quhet edhe rastësore dhe voluntariste, me këtë interesimin anësor, si për një shkrimtar të zakonshëm e të kuriozitetit, edhe pse tekstet e shkruara prej tij, tashmë, janë në atdhe e studiohen prej një pakice specialistësh, prapë se prapë, Martin Camaj, me veprat dhe bëmat e tij ende mbetet i mërguar nga të vetët dhe për të vetët. Ai do të shkulet prej mërgimit dhe do të bëhet i tyre kur të njihet e studiohet gjerësisht dhe, të propagandohet si të gjithë shkrimtarët e shkallareve më të larta të letërsisë shqipe.

SHTËPIA, BIBLIOTEKA, ARKIVI VETJAK

Shtëpia e Martin Camajt është në Lengris (Lenggries), me qetësi dhe rregullsi idilike të shekujve të kaluar, 50 km larg Mynihut, rrëzë Alpeve, në kufi me Austrinë, sikur shkrimtari ta kishte zgjedhur këtë vend për t’u çmallur me Alpet e vendlindjes. Fshati i vogël, por me një kishë të madhe në krahasim me banorët, është përhapur në mënyrë simetrike në një lëndinë, të ndarë me gjerdhe druri në pjesë të mëdha me gjelbërim të përhershëm prej barit, jonxhës, tërfilit, si dhe drurëve pyjorë, e, mes tyre, shtëpitë-vila dy-trekatëshe, qarkuar nga lehe lulesh të shumëllojta, e, diku, anash tyre hangari i orendive të blegtorit. Disa km larg Lengrisit është varreza, ku prehen edhe eshtrat e Martin Camajt, vetëm me një pllakë te koka, dhe pa asnjë salltanet tjetër, siç është e zakonshme në Gjermani, ku është shkruar emri, mbiemri dhe vitet e jetës, e, mbi to e qark tyre lule dhe bar. Tej mureve të saj të përzishëm fillon pylli i pafund që ngjitet malit përpjetë e shpërndahet gjithandej sa të ha syri në tokë e lart në qiell. Ata që marrin rrugën e pyllit për shëtitje, hyjnë apo nuk hyjnë në varrezë, pas trishtimit që u krijon ajo, sapo shkelin në pyllin madhështor, paanë e pafund, çlirohen menjëherë, dhe, kur janë në brendi të tij ngazëllehen sikur të kenë kaluar në kufijtë e një bote tjetër, absolute e të përjetshme.
Edhe shtëpia Camaj dykatëshe dhe me papafingo është mes një bahçeje me gjelbërim bari, drurësh dhe shumëngjyrësie lulesh, me një pellg uji, përbri të cilit është skulptura e një lope ulur. Nga dhoma e madhe e ndenjes nëpërmjet dyerve-dritare dilet në verandën e shtruar me gur, ku është edhe oxhaku që ndizte Martin Camaj për të kujtuar ritin e fëmijërisë në fshatin e tij, në Temal, e, prej andej kalohet drejt e në bahçe. Dritarja e kabinetit të punës së Martinit është nga kjo anë prej nga duket fshati, lëndina dhe fillimi i pyjeve, një fushëpamje tepër çlodhëse. Tryeza e punës, ndenjësja e rëndë, kompjuteri, stilolapsat dhe letrat janë gati si të presin shkrimtarin të kthehet nga universiteti ose nga pylli ku mblidhte drutë për zjarrin. Faqet e të tre mureve  janë krejt me rafte librash: enciklopedi, fjalorë të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, libra të madhësive, me lidhje dhe mbulesa nga më të ndryshmet, nga më cilësoret, cilësore dhe të zakonshme, në shqip, gjermanisht, italisht, anglisht, më shumë albanologjikë. Seria e librave studimorë për gjuhën e letërsinë shqipe, numra të revistës Nëntori, Studime Filologjike, romane të Ismail Kadaresë dhe Jakov Xoxës, dhe të autorëve të tjerë shqiptarë, duke përfshirë edhe disa të realizmit socialist, si edhe romane të këtij lloji nga më të dobëtit të shkruar prej amatorëve (nga prania e tyre na shpëton padashje një buzëqeshje ironike), tregojnë vëmendjen e rigorozitetin shkencor me të cilat e ndiqte ai zhvillimin e tyre në atdhe.
Në mjedisin e ngucur me libra dhe revista është gjetur vend edhe për vitrinën katërkëndëshe të breshkave, e ngritur ndonjë metër dhe e mbyllur me qelq nga të katër anët, për të krijuar, me sa duket, jo vetëm idenë e ekspozitës, por edhe për t’u mbrojtur nga shpërdorimet. Guaska natyrore dhe artificiale të breshkave të llojeve, madhësive e ngjyrave nga më të ndryshmet, sa nuk mund të të ketë zënë syri ndonjëherë. Breshka ka qenë gjallesa më e adhuruar prej tij, madje, në mendje dhe në krijimtari, e ngritur në mit. Titulli i veprës së tij të famshme Dranja, vjen nga emri heroinës së saj alegorike, që është një breshkë. “Ja, edhe breshkat e famshme”, thashë me zë, duke parë koleksionin e tyre. Dhe, me që jam në kërkim të zanafillës bio-psikologjike të këtij pasioni a obsesioni të shkrimtarit për breshkën, i u drejtova Zonjës Erika:
- Përse e adhuronte breshkën Martini?
- Do ta sqarojmë edhe këtë, - më premtoi ajo.
Por, pyetjet e mia, në bisedat e pandërprera,  në mëngjes, gjatë ngrënies, në shëtitje dhe pasmesnate, ishin aq të shumëllojta, dhe dy ditët e ndenjes aq të pamjaftueshme, sa nuk na ra më ndërmend për breshkën.

_______________

Erika Camaj: Jeta ime me Martinin

Për herë të parë, bashkëshortja e Martin Camajt, tregon për jetën me shkrimtarin dhe studiuesin e shquar shqiptar. Si u njoh me të, çfarë e tërhoqi tek i riu, që ende nuk e fliste mirë gjuhën gjermane. Si punonte Martini, cilat ishin anët e tij më të mira, por edhe të metat.Si ndjeheni mes këtyre librave të shumtë, por pa Martinin?

Jo aq mirë. Megjithëse, ai është i pranishëm në tërë shtëpinë. Në studion e punës, te portreti i tij ka gjithmonë lule të freskëta. Po ashtu, edhe te portreti i tij në shtëpinë e nënës sime, e cila e donte si birin e vet. E kemi bërë traditë, dhe nuk shmangemi dot prej saj. Zakonisht, ka 24 trëndafila, pasi kemi qenë të martuar 24 vjet. Kemi qenë një çift kurdoherë i dashuruar. Them se deri diku e kam ndihmuar. I kam ndenjur pranë si bashkëpunëtore për t’i lehtësuar jetën praktike dhe punët e tij krijuese.

Si jeni njohur?

Në universitet, me rastin e festës të mikes sime, studente, e cila mbronte doktoraturën (ndofta, diplomën universitare, sqarimi ynë) për albanologji te historiani, profesor Shtadmyler. Ajo ishte, gjithashtu, studente e Martinit. Në dije, në mësime ishte e dobët, por shumë e bukur. Në provim nuk u përgjigj mirë, prandaj qau shumë. Martini nuk e duronte të qarët. Një nga profesorët, Shmaus, albanolog, mendonte që mos e kalonte, ndërsa Martini tha le të kalojë, se i kishte ardhur keq, kur kishte qarë. Prandaj, ajo bëri festën, ku kishte ftuar edhe Martinin, sepse e mori vesh që ai e kishte ndihmuar për të marrë doktoraturën. Në këtë festë u njoha me Martinin, në një dhomë studentësh.

Ju tërhoqi që në fillim?

Jo, nuk ka qenë dashuri që me shikimin e parë. Unë nuk e dija se kush ishte dhe as nuk e pyeta. Ishim ulur pranë e pranë. Në fillim dhe për disa kohë kujtoja se ishte student, edhe pse flokët e zinj kishin filluar pak t’i zbardheshin. Nga gjuha që nuk fliste mirë e kuptova që nuk ishte gjerman. Më foli për Shkodrën dhe për peshkun e Shkodrës, krapin. Në fund të festës, pas mesnate mezi begenisi të më shpinte në shtëpinë time, megjithëse kishte automjet. Nuk kishte dëshirë apo nuk ishte i vendosur për këtë, ndërsa mua nuk më pëlqeu, sepse isha mësuar prerë, këtë e bëj, këtë nuk e bëj. Kur u ndamë më mori adresën jo se ishte i interesuar për mua, por nga që unë sapo isha kthyer nga një universitet në SHBA, dhe ai, po ashtu, kishte një ftesë për studime  atje. Më pyeti se si është Amerika dhe u befasua nga përgjigja ime, kur i thashë «Si margaritari në vesh të derrit!», pasi isha krejt e zhgënjyer. Unë e kisha harruar. Në prill, për Pashkët (festa e mikes sime ishte në shkurt) më dërgoi një kartolinë nga Roma me shumë gabime. (Qesh se i kujtohet ngatërrimi prej tij i një fjale në gjermanisht me një tjetër me kuptime të kundërta dhe negative). Pas ca kohe më mori në telefon dhe në maj u takuam. Nuk kishim asnjë interesim për njëri-tjetrin. Biseduam gjatë për letërsinë. Më shumë fola unë për Holderlinin, për poetin tim më të dashur, por tepër të vështirë dhe Rilken. Unë ende nuk e dija se kush ishte. Ai ishte profesor dhe nuk më kishte treguar. Diskutuam për poezinë dhe nuk më tregoi se ishte poet. Nuk fliste shumë, por me ato që thoshte dhe ashtu si i thoshte, të magjepste.

Magjepsja është fillimi i dashurisë ose dashuria ende e pa kuptuar nga vetja. Ndoshta, kështu filloi?

Më vonë shkuam në Itali, tek Atë Valentini, që ka qenë mësuesi i tij në gjimnazin e Shkodrës. Më 1969 u martuam.

Si punonte Martini?

Ishte i rregullt. Pëlqente shumë disiplinën dhe rregullin gjerman. Kështu, Gjermania u bë atdheu i dytë i tij.
Çoheshim herët, hanim mëngjesin, gjithmonë kos me mysli (përzierje drithërash). Kosin e bënte vetë Martini, në mënyrë artizanale, si në Shqipëri. Qumështin e merrnim te fshatari. Kosi bëhej i përsosur. Zakonisht, më 7.30 ishte te tryeza e punës.
Edhe zjarrin në oxhak, të cilin e kishte pasion, e ndizte vetë, sidomos në Kërshëndellat. E ndizte me buzm (me copa druri) si në Shqipëri. Këtë e kishte zakon që nga fëmijëria. Drutë i gjente në pyll. Këtu drutë nuk i pret kush në pyll, se është e ndaluar. Ato blihen, prandaj kisha frikë se do ta gjobisnin, kisha dhe pak marre se do të mendonin që i vidhte, por ai e kishte për pasion. I lutesha të mos shkonte. Ai më thoshte: “Po më kapën, do paguaj gjobën”, por asnjëherë nuk e kapën.

Çfarë mangësie kishte Martini?

Nuk ishte fare praktik në jetë, as për punët në shtëpi. E kishte vështirë dhe nuk dinte të sillej me pedagogji me fëmijët. Por i donte shumë dhe ata e donin shumë. Fëmijët e të afërmve, të miqve, të kolegëve sa njiheshin i vareshin në qafë dhe e ndiqnin kudo, duke e thirrur “Martilen, Martilen!”. Ai i linte bisedat me ne dhe luante me ta. Kështu, ka bërë mjaft foto dhe incizime. E donin veçanërisht, ndofta, nga që ai u plotësonte çdo dëshirë dhe sillej siç u pëlqente atyre.

A ju ka shpjeguar pse është larguar nga Shqipëria?

Kjo pyetje është me rëndësi. Nuk më ka folur shumë për këtë punë, por më ka treguar që ka qenë në Koplik në ilegalitet dhe ka ikur, sepse kishte marrë vesh që ishte në listë për t’u pushkatuar. “Po të mos isha larguar, më ka thënë, do më pushkatonin”. Dhe e kuptoj që ishte tepër e rëndë. Më shumë kam dëgjuar prej të tjerëve, më vonë. Janë larguar në dimër, në kohë dëbore. Kanë kaluar përmes një lugine të gjatë, para majës së Jezercës dhe kanë dalë në Guci. Ishin një grup afro 30 vetë. Më të afërt kishte Atë Danielin, me të cilin rrinte vazhdimisht. Ai ishte 10-15 vjet më i madh dhe kujdesej për të. Pasi është larguar nga fshati ka ndenjur gjatë në një shpellë, afër Prekalit, me Atë Danielin. Bënte shumë ftohtë dhe që të zinin ngrohtë flinin shpinë më shpinë. Në bjeshkë mësuan të gjuanin me armë. Kishin varur një mace të ngordhur dhe qëllonin në të. Martini nuk goditi asnjëherë në shenjë, ju thashë se nuk ishte aspak praktik. Këtë histori ma ka treguar disa vjet pas martesës, dhe, kur ma tregoi që nuk gjuajti asnjëherë në shenjë, i thashë: “Këtë ta besoj plotësisht!”. Të njëjtën histori ma ka treguar edhe Atë Danieli.

A ka ndonjë dorëshkrim apo ndonjë tekst të botuar në të cilin përshkruhen rrethanat dhe shkaqet e largimit nga Shqipëria?

Me sa di unë, për këtë nuk ka asnjë shkrim biografik. Për këtë janë vetëm poezitë.

Çifti Camaj ka pasur ndonjë ide apo dëshirë për të ardhur në Shqipëri?

Për t’u kthyer në Shqipëri? Për këtë jo. Nuk kishte ndonjë fantazi të tillë. Të gjitha dëshirat dhe fantazitë i ka në poezi.

Si e përjetonte krijimtarinë letrare?

Me atë jetonte. Botimin e veprave e përjetonte thellë, vuante. I kishte si fëmijët dhe kur i nxirrte në dritë, i dukej se po ndahej prej tyre. Këtë gjendje të shtypur/opresive e kishte sidomos kur mendonte se vepra e tij nuk lexohej, nuk receptohej. Ky ishte problemi dhe vuajtja e tij e përhershme. Ishte specialist i fushës, dinte çfarë shkruante dhe çfarë botonte, por nuk kishte asnjë jehonë.

Ç’mendim keni për botimin dhe qarkullimin e veprës së tij në botën shqiptare, në këto vite, pas heqjes së censurës dhe rënies së mureve midis shqiptarëve?

Tani për tani nuk është mirë. Martini ka një poezi Tingujt e parë në të cilën thuhet: “Shkova me njerzit e mij/ shtigjeve të ngushta  t’ malit/dhe pata û e èt”. (Vargjet i reciton në shqip). Ai thoshte “njerëzit e mi”, nuk thoshte asnjëherë populli im. Këto vargje, sidomos  shprehja “njerëzit e mi” kanë kuptim të thellë. Njerëzit e mi, më shpjegonte, ndoshta nuk janë pjekur për këtë lloj poezie, por do të vijë koha. Te kjo poezi janë edhe këto vargje: “Tingujt e currilave në lagsina/me mote n’mue janë rritë,/lule gjaku në shullâje,/për të dalun kangë nji ditë.
Dhe kishte bindjen se do të zinte një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe. Edhe pse jo sot, mendonte se do të vijë dita.

Sa herë keni ardhur në Shqipëri?

Pesëmbëdhjetë herë. Prej 1993-it, pas vdekjes së Martinit, deri më 2008-ën, vajtje-ardhje. Këtë vit nuk kam mundësi të vij, vitin tjetër filloj përsëri.

Pesëmbëdhjetë herë pa Martinin dhe nuk mbaroi nostalgjia?

Nuk është nostalgji, është dashuri. Nuk mbaron asnjëherë. Martini për shqiptarët, sidomos për malësorët më ka folë shumë, që në fillim të njohjes dhe gjatë gjithë jetës. Më ka folë për besën, traditat, zakonet, aq sa më ka krijuar mendimin më të lartë për ta. (Mallëngjehet).


Arkivi i Camajt në Mynih pret shqiptarët ta pronësojnë

Vizita në shtëpi, biblioteka dhe arkivi vetjak

Në dhomën e katit të epërm, apo, si i thonë me gjuhën moderne, në papafingo, mbyllur me çelës, në atë që ajo e quan “dhoma e fshehtë” dhe “dhoma e thesarit” janë fotokopjet e dorëshkrimeve, letrave, dokumenteve të tjerë, dhjetëra fotografi të shkrimtarit, në kohë dhe vende të ndryshme, me bashkëshorten, miq e kolegë, më shumë me shqiptarë të diasporës. Atje janë edhe nga disa kopje të së gjithë librave të tij. Fillojnë me Nji fyell ndër male (1953), nxjerrë në dritë në Prishtinë nga Mustafa Bakija, vazhdojnë botimet në Mynih në shqip, në gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht, italisht, dhe përmbyllen me botimet e fundit nga Camaj-Pipa në Shkodër. Si breshka e tij e adhuruar, që “kudo që vete e merr shtëpinë me vete”, edhe ai prej Beogradi, në Romë e në Mynih e ka mbartur me vete të gjithë fondin e botimeve dhe bibliotekën. “Dhoma e fshehtë” a “dhoma e thesarit” është si një bibliotekë-arkiv. Krejt hapësira e saj është me rafte që arrijnë në tavan, në të cilët, në mënyrë të rregullt dhe metodike janë vendosur librat, dorëshkrimet, letrat, këto dy të fundit të klasifikuara në dosje më vete sipas emrit të atij që i drejtohet. Përveç shqipes, disa syresh janë në gjermanisht, italisht dhe anglisht. Tërë këtë punë, mbledhjen, klasifikimin, sistemimin, mirërregullimin e ka bërë zonja Erika. Për ta kryer sa më mirë, në këto vite, ka mësuar edhe më shqipen. Ajo është tepër e kënaqur, që miqtë dhe kolegët i kthyen kopjet e letrave që u kishte dërguar Martini dhe shpreh keqardhjen, që dy-tre prej tyre nuk iu përgjigjën kërkesës së saj.
Një nga befasitë e shtëpisë Camaj është “Dhoma shqiptare”, të cilën Zonja Erika ua tregon miqve me kënaqësinë të veçantë. Ajo është një mikromuze. Sapo hyn te dera ndjen se je në një mjedis familjar shqiptar.  Tryeza e madhe e drurit me ndenjëse të rënda e të mëdha; tepsi, gjyma, pjata dhe orendi të tjera bakri; punime zbukurimi punuar në lesh me motive karakteristike, ngjyrat kuqezi dhe, natyrisht, diku, edhe shqiponja dykrerëshe. Dhe, më tërheqësi, oxhaku i madh me trungje, që për të shtuar ngrohtësinë e kësaj pritjeje ndizet edhe kur nuk është ftohtë. Këtu darkuam natën e fundit të ndenjtjes, ku shijuam gjellë karakteristike gjermane, sigurisht, edhe nga birrat e famshme të Mynihut.
-Kjo, na shpjegon Zotëri Lankschi, është edhe zyra e Shoqatës Martin Camaj, ku zhvillohen mbledhjet e kryesisë ose veprimtari të ndryshme për Martinin.
 Të nesërmen u kthyem me tren. Kaluam në atë stacion të vogël fshati, përshkuam atë hekurudhë, ndoshta, edhe me një nga trenat me të cilët Martini e ka bërë këtë rrugë me dhjetëra e qindra herë, kur shkonte të jepte mësim në Mynih. Në tren biseduam gjithë kohës. Një grup grash dhe vajzash herë pas here na shikonin, sa unë, si i huaj, u vura disi në pozitë. Pas disa minutash që na dëgjonin me vëmendje, njëra prej tyre, ajo që kishte parë më shpesh nga ne, u ngrit dhe iu drejtua zoti Lankschit:
-Mund të më thoni se ç’ gjuhë flisni?
-Shqip, - iu përgjigj ai.
Papritur u dëgjua një duartrokitje e fortë që tronditi gjithë vagonin, dhe disa prej tyre që i thoshnin: “Fitove, të lumtë!” Ajo, për të mos e keqkuptuar ne, na kërkoi të falur dhe na shpjegoi se diskutonin me njëra-tjetrën se ç’gjuhë flisnim. Mendimet ishin të ndryshme. E krahasova me gjuhët që kisha njohuri, - vazhdoi ajo, dhe nuk më dukej as ndonjë gjuhë baltike, as hungarisht, dhe atëherë u thashë shoqeve, se ishte shqip, meqë për shqipen nuk dija asgjë dhe nuk kisha dëgjuar ndonjëherë të flitej. Por, të them të drejtën, - sqaroi ajo, mua më dukej se ky zotëria fliste italisht, kurse ju, i tha Lankschit, shqip.
-Shikon, ç’dallim kanë dialektet e shqipes? - mu drejtua Lankschi. Ti që flisje toskërisht atyre u dukej se flisje italisht.
Sapo zbrita në Mynihun me qarkullim tepër rigoroz automjetesh dhe njerëzish, bëja përpjekje që trysnia e qytetit të madh me veprat e shumta të artit, historike a shoqërore mos të m’i shqiste nga kujtesa mbresat e Lengrisit dhe të shtëpisë Camaj.


Nga letrat e Martin Camajt, drejtuar miqve

Lenggries, 27. 8. 81

I dashtuni Atë Danjel, megjithëse kaloi fort gjatë pa ndigjue për njeni tjetrit (n), sigurisht s’jemi harrue! Dhe s’kemi se si të harrohemi. Petraqi me të cilin në kohët e fundit kam mbajtë gjithnji kontakte edhe për punë të korrekturave të shtypajve të librave më ka dhanë lajme se je mirë me shëndet e punë. Së fundi më dha adresën tande në telefon. Padër, si je? A e di se përpara rrumbullak 33 vjetësh jemi ndeshë për të parën herë në Valbonë? Më duket si me pasë qenë në nji tjetër jetë. Shpresoj se do të më shkruesh gjanë e gjatë tue më kallëzue si i ke punët. Tash po të tregoj për vete, ma tepër për punë, mbasi kështu po kalon jeta. Kemi zanë vend nja 50 km larg Münchenit, në hymje të alpeve; ndërtova nji shpi ma tepër për të strehue librat se u shumuen aq sa askush s’jepte me qefë banesë mbasi thonë se librat janë të randë për katet e epra. Ka edhe asish këtu që i shikojnë punët tepër hollë. Shkoj e vi për München kur kam mësim ose tri herë në javë, në çdo stinë.
Kam pasë shum të çame kreje edhe në çashtje të kathedrës së albanologjisë, mbasi ishte ad personam e unë dosha kontinuitetin. Ka njerëz që kam pregatitë me vjet dhe janë në gjendje me ba punë të mëdha. Tash për tash ashtë sigurue ekzistenca, por ligjët dhe sistemet universitare janë tue ndërrue dita ditës: gjithkund kursime prej kah rrjedh mandej edhe prioriteti i dishiplinave (Fächer). Albanologjia, thonë këta edhe ndër sy, e mbramja birë e kavallit. Po, disesi shpresoj se ndreqet puna përndryshej pa sigurinë e kontinuitetit jam i paralizuem e nuk mund të zhvillohen programe afatgjata. Këto janë vështirësitë që më kanë lodhë ma tepër se puna në vetvete.
Për nji kohë nuk kam qenë mirë as me shëndet: kisha nji aritmi të fortë dhe më kapi pak friga. Me të thanë të drejtën (mes nesh) kjo më qiti ndërmend me i mbledhë të gjitha dorëshkrimet letrare e me i vu për fije, me mend se nji ditë mund të kërkohen prej ndokuj dhe mos të humbin. Kjo punë para 5 vjetësh. Ndërkaq kisha mbledhë landë të madhe edhe rreth “standa(r)dizimit të gjuhës”, këndej doli edhe ideja, bile bindja, se tradita letrare e Veriut nuk asht aq e keqe sa mos të lavrohet dikund: kisha marrë mësim edhe prej historisë së gjuhës të teksteve të vjetra prej Buzukut e këndej (mbë këtë pikë ma poshtë!), se ndihmesa kryesore asht me botue edhe nëse njeriu nuk asht i bindun qind për qind në vlerën e shkrimeve të veta. Edhe nji rrethanë tjetër më dha zemër me ia hy botimit të një pjese të shkrimeve letrare: Erika si mjeke kishte kursye pak të holla me mend me krijue nji nisjativë private ose me financue disa zgjanime në shpi dhe për takamisje. Kështu qe rasti me i lanë mbasdore krejt këto plane dhe u vendos me botue të pesë vëllimet letrare. Pos punës shkencore e mësimit më doli tash edhe redaktimi  e rendimi i këtyne veprave. Kjo zgjati ma se pesë vjet, sistematikisht së paku deri 5 orë në ditë. Ndërkaq, në vend që me vojtë ma keq me shëndet, u përmirësova fare dhe tash jam në rregull! Duhet ta njoh se Erika më ka përkrahë gjithsesi në këtë punë, ndonëse ajo s’di aq shqip sa me marrë vesh se çka përmbajnë këto vepra. Prej disa përkthimeve “roh Uebersetzung” tash kupton ngapak edhe përmbajtjen...

Me përzemërsi Martini

____________

Arkivi i Shtetit hap dyert për vizitorët

Nuk ishte një përvjetor solemn. Pa podiume e referate. Por një hapje dyersh. Në 60-vjetorin e krijimit të tij, Arkivi Qendror i Shtetit hapi dyert për vizitorët. Në ambientet e institucionit, që dikur ruhej me ushtarë e qen kufiri, dje kishte shumë njerëz. Ish-punonjës, studiues, kuriozë... të gjithë për të marrë pjesë në një ceremoni të veçantë, e cila ndryshe nga herët e tjera u kremtua me hapjen e një muzeu modest me dokumente dhe pajisje të vjetra. “Ne menduam një arkiv me të gjitha dyert e hapura, që do të thotë që të gjithë të ftuarit, miqtë e arkivit, të vijnë e të shikojnë me sytë e tyre se ç‘përmban ky institucion, si punon, si ishte, si është dhe si mendojmë ne që të bëhet”, thotë drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika. Muzeu i cili mësohet se do të jetë i përhershëm, përbëhet nga ca stenda me fotografi e faksimile të dokumenteve që datojnë qysh në shek. VI, deri në fundshekullin XX. Gjen aty faqe të Kodikut të Purpurt të Beratit, formulën e pagëzimit të Pal Engjëllit, akte shitjeje e noteriale të kohës së Perandorisë Osmane, të Rilindjes Kombëtare, letërkëmbime patriotësh, procesverbale mbledhjesh të rëndësishme gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si në rastin e Konferencës së Labinotit, vendime e ligje që lidhen me arkivat, një letër e Nënë Terezës, drejtuar ish-Presidentit shqiptar, në vitin 1990, etj. Si edhe libra, dokumente e objekte origjinale, të mbuluara me xham, kërkesat për shkollën shqipe, drejtuar Perandorisë Osmane, ditari i At Palë Dedaj, Kodiku i Beratit nr.1, pergameni i shekullit të XIV-të e shumë të tjera. Por edhe disa pajisje të vjetra, si tavolina, karrige e makina shkrimi të përdorura në vitet e para të hapjes së arkivit. Pak nga të gjitha periudhat. Nika i quan me fat, të gjitha dokumentet që ruhen në këto arkiva. “Mund të ketë pasur një periudhë të keqe, kur ka qenë brenda Ministrisë së Brendshme, por dokumentet që kanë hyrë këtu, janë me fat, sepse i shpëtuan furisë së kohës, që do të thotë jo vetëm nga institucionet e diktaturës mund të vinte shkatërrimi i një dokumenti, fotoje, apo libri, por edhe njerëzit vetë e bënin një gjë të tillë nga frika, që të mos i prishnin punë vetes. Ndërsa dokumentet që arritën të futen tek ne në çfarëdo lloj rruge, qoftë edhe përmes sekuestrimit, konfiskimit, shtetëzimit, pra në rrugën e shtrembër, pa asnjë dokument, apo edhe në rrugën e dhurimit, apo të shitjes, kanë shpëtuar dhe janë në gjendje shumë të mirë “shëndetësore”, nuk kanë moshë, thotë drejtoresha Nika. Arkivi Qendror Shtetëror u krijua si organ qendror, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave, në 8 qershor 1949.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora