E enjte, 25.04.2024, 08:04 PM (GMT+1)

Faleminderit

Nga mbrëmë nuk rrnon për me tregue Padër Zef Pllumi

E marte, 25.09.2007, 11:51 PM


Nga Fahri Balliu - 55

Për njerëzit e sërës së Padër Zef Pllumit nuk shkon kurrë fjala “vdiq”. Lasgushi pat qëmtuar për këto kualitete njerëzore një tjetër fjalë, të thjeshtë e pa mort, fjalën “shkoi”. Kështu nga mbrëmë nuk rrnon për me tregue Padër Zefi, se shkoi

Për njerëzit e sërës së Padër Zef Pllumit nuk shkon kurrë fjala “vdiq”. Lasgushi pat qëmtuar për këto kualitete njerëzore një tjetër fjalë, të thjeshtë e pa mort, fjalën “shkoi”. Kështu nga mbrëmë nuk rrnon për me tregue Padër Zefi, se shkoi.
Shkoi nga kjo botë njeriu që me talentin e tij brilant e pasqyroi dhimbjen dhe tronditjen njerëzore, fatet dhe historitë makabre të ferrit komunist, si askush tjetër. Themi si askush tjetër se nëse do të merrnim një model që bota e pranoi si të naltë, Solzhenicinin, me gulagët stalinistë, Padër Zefi shkoi ma larg me heshtën e tij të dhimbjes e të drejtësisë njerëzore, e të diktaturës mizore. Nga mbrëmë në eterin e lajmeve erdhi njoftimi se padreja nuk do të zbresë më me zhgunin e tij në Tiranë. Tek miqtë dhe tek të tjerët. Ai na njihte të gjithëve. Ishte mbi të gjithë ne, vetëm shpirti i tij që shkoi e din notën që na vuri secilit.
Për mua ora që ma njohu Padër Zefin ka qenë një orë e lumtur. Ka qenë një njohje e thjeshtë përmes një mikut të tij, më saktë një miku të përbashkët, me të cilin pati vite të suksesshme bashkëpunimi për ringjalljen e Hyllit të Dritës dhe në përgjithësi të kulturës që pat përçue kjo revistë e famshme. Që nga ai çast, rrethanat qenë edhe më të lumtura, pasi ai jetonte në votrat e miqve të mi të zemrës, e të lidhur prej kohësh me mua, pa e ditur kurrë lidhjen me Padër Zefin. Kështu që kam pasë orë të mjaftueshme, por sigurisht të etshme pafund, për ta lexuar jo vetëm veprën e Padres, por edhe shpirtin e tij, retiçencat e të pathënat. Sepse ai kishte të pathëna, dhe një pjesë do thuhen tani e pas, por ai nuk ngrinte furtuna zemërate, edhe kur i afroheshin duart e ndonjë dobiçi diktature, që mbron vrasësit dhe themeluesit e Sigurimit. Padreja ishte prift, përndryshe ishte atë. Dhe si atë, me rrëfenjat që kish situr në dëgjimin e tij, ishte shumë lart për luftërat tona të egra dhe me shpata që bëjmë sot. Por kjo nuk do të thotë, dhe nuk do të thoshte aspak se ai nuk e dallonte grurin nga egjra, por përpiqej me mish e me shpirt, e me zemër në dorë, ta fundoste konfliktin dhe pakënaqësinë, edhe kur biba që shkojnë pas modelit të Pezës i përgjëroheshin për gegnishten. Për hir të së vërtetës, shëmbëlltyra e padres, fuqia e tij për të falur, na e pat ndalur dorën për me e pa kockën e vërtetë të disa “dhimbsuranëve” të “melodisë turke”.
Aq sa thashë, në këtë moment dhimbjeje, e thashë në emër të parimit të jetës së tij. Padër Zefi ishte Atë, jo në kuptimin zyrtar, ai ishte Atë në kuptimin e modelit njerëzor, ai ishte tolerant pa i shkelur parimet e tij. Aktualisht një figurë e tillë shfaqet shumë rrallë në historinë gjaknxehtë të shqiptarëve, por Padër Zefi ia mbërriti, me ndritjen e talentit të tij, të bëhet një formulë njerëzore pajtimtare. Por gjithsesi, pasi të krasitet thelbësia e së keqes në mesin e shqiptarëve, se nuk mund të shkojë puna deri aty saqë ta trajtojmë librin “Rrno për me tregue”, një gjenialitet të tij, sikur ky e shkroi duke ndenjur në qelë. Harrojmë që ky ishte prift i futur në burg dhe i kërcënuar nga vdekja me urdhrin më të zi serbo-rus për të mbyllur dyert e qytetërimit perëndimor në Shqipëri. Nuk duhen harruar xhelatët. Nëse vendosim t’i falim, është një tjetër çështje, por duhet t’i tregojmë me gisht, sepse nëse ai s’do të kishte qenë në burg, ai Zef Pllumi, malësori, do të ishte akoma më jetëgjatë. Padër Zefi, kjo pikë bashkimi besimesh, shpirtrash, karakteresh, sot që “shkoi” ban dritë për rrugë, që ta ndjeki gjithsecili që e do të vërtetën. Ai ishte simboli i persekutimit të klerit katolik shqiptar. Ai ishte emblema e rrugës qytetërimore shqiptare, drejt Perëndimit. Ai ishte mbrojtësi dhe përkrahësi i idesë se në Evropë do të shkojmë të gjithë shqiptarët, me këto besime që kemi dhe kjo s’është kurrfarë pengese. Ai u bë kështu një nga prokursorët e thirrjes kombëtare mbarëshqiptare për ta çuar kombin në Evropën prej nga ka dalë e ka lindë.
Sigurisht morti i tij asht i randë, ndër të gjithë njerëzit që e kanë njohë e e kanë dashtë. Por sigurisht asht ma i randë ndër ata që s’kanë dashtë të marrin prej tij, por atë t’ia japin të tjerëve. Dhe ky është një ndryshim i madh. Sot që ai shkoi, mund të themi se mbështetja dhe frymëzimi i tij rilindi shumë sene, siç thoshte ai me gjuhën e tij, në Shqipëri. Tabllotë historike, memorialistike që shpalosi Padër Zefi janë të cilësive të tilla që shumë shpejt, nga serm e xhevahire, do të kenë vezullimin e diamantit që do të shpërndajë dritë për të gjithë çka do të vijnë pas nesh.
Sa pa fund mund të zgjateshim, por duhet dhe heshtje.

Mbylli sytë ati i rezistencës

Nga Elsa Demo - Shekulli

Dje ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare Pater Zef Pllumi. Nga spitali "Gemelli" i Romës trupi i pajetë mund të sillet sot në atdhe. Thuhet që për këtë figurë "Nderi i Kombit" fretërit françeskanë në Shkodër do t'i marrin përsipër gjithçka të funeralit
Dje, e martë e 25 shtatorit 2007, rreth orës 22.30 mbylli sytë si pasojë e kolapsit kardiak At Zef Pllumi. Kleriku, historiani, shkrimtari, humanisti, 83-vjeçari, ndërroi jetë në spitalin "Gemelli" të Romës. Përmes telefonit e bëri të ditur lajmin e hidhur për të gjithë ata që e njohën dhe do ta njohin at Zefin, Ardian Ndreca, njeriu që i ka ndenjur te kryet deri në çastet e fundit të frymës. "Gjendja kishte dy ditë që ishte përkeqësuar. Thoshte nuk ndjej dhimbje. Zemra e la para gjysmë ore". Gjendja shëndetësore e At Zef Pllumit ishte rënduar prej disa muajsh në kthinën e tij, në kuvendin e fretërve françeskanë të Gjuhadolit prej nga u largua për mjekim drejt Romës në muajin gusht. U kthye për pak ditë në Shkodër dhe përsëri drejt "Gemellit" ku dha shpirt dje. Sipas Ardian Ndrecës do bëhet ç'është e mundur që trupi të kthehet në Shqipëri në mos ndoshta nesër. Dhe për funeralin thuhet se do të kujdesen kleri françeskan, udhër të cilit Pater Zefi i kushtoi jetën.

At Zef Pllumi u lind më 7 prill 1924 në katundin Mali i Rrencit, rrethi i Lezhës. Që në moshë të vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Ndoqi mësimet fillore e të mesme në Lyceun "Yllyricum" në vitin 1942. Për rrethanat e ashpërsimit të luftës, ndoqi mësimet e larta teologjike në Kuvendin Françeskan, në Shkodër. Në 1946 kur u mbyll ky Kuvend, atë me shumë klerikë të tjerë e arrestuan më datë 14 dhjetor. U dënua nga një gjykatë ushatarake në fillim të vitit 1948 me tri vjet burg të cilat i kaloi në Shkodër, ne Beden të Kavajës e në Orman-Pojan të Maliqit. U lirua mbas tri vjetësh e u kthye në Kuvendin Françeskan, te Arra e Madhe në Shkodër. Në vitin 1958 u transferua ndër Malësitë e Dukagjinit, ku ndenji derisa u mbyllën kishat në pranverë 1967. Në fund të shtatorit e arrestuan përsëri dhe u dënua me 25 vjet të cilat i kaloi në Spaç të Mirditës, në Krypore të Vlorës, në Ballsh të Fierit, në Zejmen të Lezhës e në Përparim (Shën Vlasil) të Sarandës. U lirua më 11 prill 1989 mbasi kaloi shumë sëmundje. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku mban meshën e parë të lirë. Nga kjo kohë e deri para pak muajsh kur në faqet e Shekullit iu botua analiza e fundit "Periudha njiqindvjeçare e tranzicionit - Shikime rreth historisë sonë kombëtare", ai ka qenë aktiv si njeri i dijes, kulturës duke shprehur hapur e në mënyrë të pakompromis qëndrimet e veta ndaj situatës së klerit në Shqipëri, ndaj ekspansionit të klerit të huaj dhe deri tek qëndrimet kundër mjerimit politik dhe kulturor të sotshëm të vendit.

Përmes autobiografisë "Rrno vetëm për me tregue", një vepër në tri vëllime, rrëfimeve për kalvarin e burgjeve dhe persekutimin jo vetëm individual, jo vetëm të klerit katolik por të çdo individi që pa me sy brenda dhe jashtë burgut ferrin e diktaturës, ai dha një leksion së pari njerëzor dhe së fundi. Për këtë vepër në vitin 2006 u vlerësua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin "Penda e Artë", pak pasi ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu do ta nderonte me urdhërin e lartë "Nderi i Kombit" me motivin që përfaqëson "në mënyrën më bindëse disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane". Po këtë vit i botohet një tjetër vepër voluminoze "Historia kurrë e shkrueme". Në intervistën e fundit që pat dhënë në faqet e kësaj gazete Pater Zefi kishte thënë se kishte frikë që nuk do të mund ta çonte në fund veprën "Saga e fëminisë".

Ardian Ndreca na tha dje se keqardhja e fundit e At Zef Pllumit ishte një vdekje larg Shqipërisë. Prandaj pyeste si ishte moti që të fluturonte me balonë për në atdhe.

Lamtumire At!

Nga Blendi Fevziu

At Zef Pllumi, i fundmi i brezit te arte te franceskaneve shqiptare, u shua dje ne Rome. 83-vjecari, qe kishte ecur neper nje jete plot ulje dhe ngritje, duhet te kete qene ne momentet e fundit, se paku i qete per dicka: ne jeten e tij te trazuar, ai arriti te permbushe amanetin qe i lane sivellezerit e tij te besimit. Ai arriti te dilte tej kufijve te njeres prej diktaturave me te ashpra te botes, te triumfonte mbi vuajtjet, vrasjet, zhdukjet, per t’i deshmuar brezave qe vijne nje nder krimet me te qarta dhe me ngjethese te Evropes: zhdukjen e klerit katolik per arsyen e vetme se nuk pranonte komunizmin.

Ithtar dhe trashegimtar i Fishtes, Arapit, Palajt dhe nje grupi te jashtezakonshem klerikesh, qe po aq sa te tille qene edhe figura te rendesishme te kultures dhe shkences shqiptar, i formuar ne shkollen me serioze qe Shqiperia kishte ne ate kohe, ate franceskane, At Zef Pllumi pati fare pak mundesi ta ushtroje besimin e tij. Fare i ri u arrestua nga komunistet qe erdhen ne fuqi ne Shqiperi. U torturua dhe u denua me disa vjet burg. Dalja nga burgu, ne fund te viteve ’40-te qe e perkohshme. Pas disa kohesh liri, ai u arrestua serish, per te vuajtur ne burgjet komuniste plot 26 vjet te tjere. Duke pasur ne qeli, per shume vite dhe ne shume rrethana, padyshim eliten e intelektualeve shqiptare.

Jeta e tij, eshte po kaq e pabesueshme. Refuzues per t’ju nenshtruar regjimit; i afte per t’ju pershtatur dhe per te mbijetuar ne kushtet e burgut; i bindur ne drejtesine e bindjeve te tij dhe i paepur ne qendrese, me nje qellim te vetem: mbijetesa per te deshmuar ate qe kishte goditur familjen e tij te besimit. Ai besoi deri ne fund. Besoi te Zoti dhe drejtesia, besoi se e verteta vonon, por nuk harron dhe realisht kjo ndodhi. Nje dite, ai u kthye serish aty ku e kishte lene karrieren dhe besimin e tij, 46 vjet me pare. Me dhimbje, i trishtuar, por edhe i lodhur, ai nuk u ankua, por vijoi tutje ne kohen tjeter. Kur 67-vjecar ai arriti te dale ne brigjet e nje Shqiperie te lire, si pak te tjere, ai mendoi se duhej te fitonte kohen e humbur. Ne 17 vjet, ati i nderuar iu fut rimekembjes se tradites franceskane, ringjalljes se bibliotekes se saj, trashegimise se mrekullueshme, ribotimit te veprave dhe monografive dhe, mbi te gjitha, shkrimit te kujtimeve te tij. Kujtime qe u botuan nen titullin: “Rrno vetem per me rrefye”! Nje liber i jashtezakonshem, ngjethes, por edhe reflektues. Nje liber, qe perben padyshim korpusin qendror te momuaristikes se burgut e me gjere ne vitet e komunizmit, por qe perben nje monument te rendesishem per gjithe vuajtjen e klerit ne Evropen Lindore komuniste.

At Zef Pllumi u shua pardje, vone, ne mbremje. Ai iku, duke lene pas nje kujtim te mrekullueshem. Kujtimin e nje njeriu, qe besimi dhe kuraja e ngjiten nga ferri ku e kishte hedhur koha, ne Parajsen ku me siguri duhet te prehet tashme. Ai iku, pasi kishte arritur ne nje jete te trazuar, te permbushte amanetin qe iu kishte dhene mesuesve dhe ithtareve te tij: rrefimin. Ai iku, me ate qetesi qe shkon gjithkush qe beson se ne jete ka bere ashtu sic duhet te beje dhe qe nuk perse te pendohet per asgje. Ai iku pa pendesa, duke na lene pas nje biblioteke te mrekullueshme, nje shembull ne jete dhe fjalen e tij monumentale: gjithkush merr ne jete ate qe meriton… Lamtumire At!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora