E merkure, 22.01.2020, 08:47 PM (GMT)

Komente

Aristidh Kola, rilindasi i vetëm i kohëve moderrne

E hene, 24.09.2007, 10:06 PM


Nga Albert Zholi

Si e kam  njohur, arvanitasin e  shquar Aristidh Kola

Në vend të një prologu
Pas njohjes  për herë të parë në vitin 1993, kam pasur takime të vazhdueshme me arvanitasin e shquar Aritidh Kolja, deri në vdekjen e parakohëshme dhe të papritur të tijë (kur ishte në spital fatkeqësisht munda ti shkoj vetëm njëherë, ndërsa varrimin e tij nuk mund ta përshkruaj dot, ku shoqata “Vllazërimi” e ka të filmuar)....Kohët e fundit kam vënë re se, në lidhje me njohjen që kanë pasur shumë emigrantë shqiptarë në Greqi (dhe bashkombasit tanë kudo në botë) me të,  në kujtimet e tyre, ka pasur dhe ka kundërshti në lidhje me kohën  e takimeve, bisedave, intervistave për të treguar më shumë afërsinë dhe miqësinë e tyre se sa meritat e padiskutueshme të kësaj figure të madhe. Në këtë shkrim që e botoj për herë të parë të ripunuar për mëse një vit, dua të siguroj të gjithë lexuesit se si intervita (jo e plotë pasi ishte shumë e gjatë dhe do ta paraqes në një moment tjetër), takimet, bisedat, janë të pakundërshtueshme, pasi shumica e tyre janë dokumetuar  në librin tim të parë të botuar tek shtëpia botuese e Aritidh Koljas “Thamiras”, ku ai vetë e ka korrektuar me përgjegjësi. Në gjithë takimet me të unë do të veçoja:
-Botimin e librit tim të parë “Ikja e madhe” (emigracioni i emigrantëve shqiptar në Greqi), ku sipas tij ishte libri i parë publicistik i një shkrimtari shqiptar të botuar në shtëpinë e tij botuese. 
-Organizimin e përbashkët të ardhjes për vizitë në Athinë të poetit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar që ai e kishte shumë për zemër, Dritëro Agolli.
-Mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer në krijimin e shoqatës së parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi “Vllazërimi”, ku unë jo për meritat e mia, por  si më i riu në atë kohë,  nën nxitjen e shumë intelektualëve dhe emigrantëve, për tre vjet isha kryetar i parë i saj, ku në cdo 28 Nëntor në festën e Flamurit  në krye të podiumit do të ishte Aristidh Kolja.
-Dhe (këtu ndoshta gaboj dhe kushdo që do ta lexoj këtë shkrim mund të bëj korigjimet e duhura, ku unë do ti pranoj me shumë kënaqësi), kam bërë intervistën e parë të plotë në 26 korrik 1996 në gazetën “Zëri i Popullit” (u bë në këtë gazetë jo sepse un kam qënë apo jam antar i PS, por sepse ishte dëshira e ish kryeredaktorit të kësaj gazete, gazetë që athehre ishte ndër më të shiturat, pasi PS ishte në opozitë), intervistë e cila pati jehonë në Shqipëri dhe në masën e madhe të emigrantëve tanë në Greqi. Dua të theksoj se pothuajse të gjitha fotografitë e mia me Aristidhin, librat e tij të cilat mi kish dhuruar me autograf, të gjitha revistat  “Besa”,  botime të shoqatës së arvanitasve të Greqisë, si dhe ditaret e mi ku përfshihen dhe detaje të bisedave me të, i lashë në Greqi, pasi ikja ime prej fqinjit tonë jugor për arsye të ndryshme, ka qënë e menjëhershme. Thuajse kishte disa ditë që kish ndërruar jetë arvanitasi i madh që dhe unë u largova nga Greqia. Do të doja shumë që shumë prej këtyre dokumentave ti paraqisja në këtë shkrim për ta bërë sa më të besueshëm, por që ndoshta do të plotësohen dhe nga miqtë e mi në Greqi, apo në vende të ndryshme të botës, me të cilët mbaj lidhje nëpërmjet valëve të televizionit shqiptar në emisionin e së shtunës “Emigracioni dhe Koha” (ora 08-25) apo dhe të emisionit në Radio Tirana çdo të diel në 95.8- Mhz ora 16-30.

Mirënjohje
Nga  data 6, deri më 19 shtator, të vitit 2004 Ministria e Kulturës Rinisë Sporteve  dhe Çështjeve  Jorezidente  të Kosovës, organizoi në Prishtinë “Javën e Kulturës Arvanitase”. Në  këtë  veprimtari morën  pjesë  studiues  arvanitas nga Greqia, Gjermania,Turqia, kryetari i shoqatës” “Marko Bocari”, Jorgo Goreu, tudiuesi i mirënjohur arbëresh Antonio Belushi, përfaqësues të  Institucionit të Historisë së Akademisë  së Shkencave  të Shqipërisë, studiues të  Universitetit të  Prishtinës, një  grup artistik I  këngëve  dhe valleve  arvanitase  nga Greqia dhe bashkëshortja e studiuesit  të  njohur  arvanitas Aristidh Kolja, zonja  Nansi Kolja.
 Në ditën e tretë  të këtijë   aktiviteti, ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i  dorëzoi  zonjës  Nansi Kolja (gruas së Aristidhit), një  fletë  mirënjohje  të  Qeverisë së Kosovës  për veprën dhe aktivitetin e  bashkëshortit të  saj, Aristidh Kolja, në  mbrojtje të të  drejtave  të  popullit të Kosovës. Pas kësaj, Kuvendi  Komunal i qytetit të Skënderajt, i akordoi  arvanitasit Aristidh Kolaj, titullin “Qytetar Nderi i Skënderajt”.Një  orë  letrare  me  krijime  kushtuar arvanitasve u organizua edhe  në  qytetin  e  Prizërenit. Si duket  erdhi  ora  që  shqiptarët kudo ku  janë, t’i japin  vendin  që  i  takon  këtij  njeriu   të  madh, këtij  rilindasi të  thjeshtë, këtij  publicisti, piktori, historiani dhe  avokati të  sinqertë  e  të  palodhur…

Takimet  e vecanta të miat   me Aristidh Koljan
28 nëntor 1993:  Ambasada  shqiptare  në  Athinë,  me  rastin  e  festës  kombëtare, organizsoi  një  ceremoni  festive  me  trupin  dipllomatik  të  akredituar  në Athinë  dhe të  ftuar  emigrantë. Pyeta  nëse kishte  ardhur Aristidh  Kolja  dhe m’u përgjigjën  se po. Kështu, fillova  të  kërkoja  mes  asaj  morie  njerëzish, por  më kot. Mes  shumë  njerëzish në  atë  ambient  të  ngushtë, nuk  isha në gjendje  të  shquaja  profilin  e një  njeriu  që  nuk e  njihja  drejtpërdrejtë, por  vetëm  e përfytyroja  nga  përshkrimet  e miqëve  të  mi. Për  të  mos  u  lodhur  më  tej, i  kërkova  ndihmë  gazetarit  R.Goro..
Kështu, iu  prezantova  Aristidhit, shumë i  emocionuar. Ai më  shtrëngoi  dorën  fort dhe më  përqafoi. Fliste  një  shqipe  të  bukur, shqipen  e rilindasve. Atë  shqipe  që i  ndjeri dhe i   madhi  Sandër  Prosi  e  përcillte  në  mënyrë  virtuoze  tek filmi “Udha e shkronjave”. Sa  bukur  tingëllon  ajo   gjuhë ! Për  mua, ajo   gjuhë  e rilindasve  është  tërësisht  shqiptare, pa asnjë  deformim, pa  as  një  huazim apo  shtirje. Dhe  Aristidhi  e fliste  aq  bukur  sa ç’e  ka  shkruar  Naimi. Nuk  ngopesha  duke  e dëgjuar. Mes  asaj  zhurme  nuk  mund  të  bisedohej  gjatë, ndaj i  kërkova një  kartvizitë  dhe më  pas, një  takim. Nuk  hezitoi, përkundrazi. U ndamë  si  miq  të  vjetër. E prisja  me  padurim  takimin  me të. Kur  shkova (Fidhipidhu 6, Athinë 115 26), ai më  priti tek dera e zyrës dhe  duke  më  hedhur  krahun, më  futi në  zyrë. Ishte  një  zyrë  e  thjeshtë  ku  dominonin  librat  dhe  pikturat. Në  faqen ballore  ishte  një  portret i  Marko  Boçarit, një  më  i  vogël i  Skëndërbeut  dhe figura të  tjera   arvanitase  të  revolucionit  grek. Në  faqet e  bibliotekës  gjeje  romane, novela, libra   historikë me  autorë   shqiptarë, kosovarë  dhe  grekë. Pashë dhe librin e Enver Hoxhës “Dy popuj miq”, me autografin e ish udhëheqësit komunist dedikuar Atistidhit. Ndërsa  shihja  botimet  e tij, ai  buzëqeshi  dhe  më tha: “Do të  t’i jap me  shumë  dashuri” dhe  me  buzëqeshjen  e tij, u ul  duke  më  dhënë  me  autograf  ato libra  që  unë  i  ruajta  si gjënë  më  të  shtrenjtë për sa kohë isha në Greqi (...?!!!). Në  bisedë e  sipër  e  pyeta  pse kishte  shumë  fotografi  të Marko Boçarit  e  Skëndërbeut,  dhe  ai m’u përgjigj: “Markoja  është  simbol i  arvanitasve, ndërsa  Skëndërbeu i  të   gjithë  shqiptarëve. Këta  dy njerëz  na  e lanë  amanet  gjuhën. Kjo  është  gjuhë  e Perëndisë”.
Në  Qershor  të  vitit  1996, në  organizimet e para  të  shoqatës së parë   të  emigrantëve  në  Athinë, “Vëllazërimi”  (në  të  cilin  unë  pata  privilegjin  të  isha  kryetar i  parë), mundësuam  ardhjen për  vizitë  të  shkrimtarit  të  madh Dritëro Agolli. Takimi u zhvillua në  sallën  e Lidhjes së Shkrimtarëve  të Greqisë. Ishte   një  mbrëmje  fantastike  për  emigrantët, por  edhe  për  miqtë  e ftuar  grekë. Driteroi  i  bëri një  analizë   situatës  politike  në Shqipëri foli  për  Greqinë  dhe  për  Ballkanin. Në  fund të  fjalës së Dritëroit Aristidhi më  tha: “Me  njerëz  të  tillë  të  fjalës dhe  të  penës, Shqipërisë  e  shqiptarëve  u  takon  tjetër  fat. Dhe  besoj se  do  të   vijë  dita  ta  kenë”…Mbas  takimit, bashkë  me  Dritëroin, Moikom Zeqon  e  Spartak  Brahon, Aristidhi  na  ftoi  për   darkë  në  shtëpinë  e tij. Biseda  e tij  me  Dritëroin  ishte  aq magjepsëse,  sa  nuk  e kuptuam si ikën  orët  e  drita  e ditës  tjetër  na  gjeti  po  aty, në ballkonin e shtëpisë së tij në periferi të Athinës…
Janar  1997: Shkova  tek Aristidhi  me  dorëshkrimet  e librit “Ikja e   madhe”.Kur  më  pa  me  pako  në  dorë, më tha  me  shaka: “Mos  ke  sjellë  raki  nga Shqipëria?!”. “ Kam sjellë për   botim një  libër. Dua  ta  botoj  tek shtëpia  jote  botuese, i  thashë .
“Dëgjo Alberto.Unë  do  ta  shoh njëherë  librin, pastaj do  të  vendos”, tha ai. Kur  binte  fjala  për  libra, serioziteti i  tij  ishte  absolut. Më  telefonoi  pas  dhjetë  ditësh dhe kur  e  takova, më  tha: “E kalove  provën. Librin  do  ta  botojmë. Shtëpia  botuese e ka  emrin “Thamiras”, që  në  arvanishten e  lashtë , do të  thotë  “E tha  mirë”. Edhe ti mirë  I kishe  thënë  gjërat  në  libër. Suksese!”. Dhe  libri pati vërtetë  sukses. Për  tre muaj  u  shitën  1000 kopje. Ky ishte  dhe   libri i parë publicistik  i një  shqiptari në “Thamiras”.
1999: Në  Kosovë, luftë. Në  greqi  luftë  mediatike.Kosova  digjej, mediat greke heshtnin. Por  nuk  heshti Aristidhi. Ai ishte  i  përnatshëm në   televizionet  greke. Me fakte  historike  ai  trondiste  opinionin  e dizinformuar  të  Greqisë. Akuzat dhe sharjet e ultranacionalistëve grek ishin nga më të pabesueshmet. Arritën derri aty që të shihnin origjinën në 10 breza dhe ta cilësonin agjent të shqipatrëve (Shqipëria s’mban dot veten jo më të paguaj agjent !!!!)Në  një  nga  këto  ditë, kur  ai  kishte  pak orë pushim, shkova  si  gjithmonë  tek   zyra. Dhe  pse i lodhur  nga  provokimet, ai nuk  ma  kurseu buzëqeshjen. Në  bisedë e sipër, befas  më  bie  celulari. Atë  ditë, si për  inat, dy shqiptarë  kishin  grabitur  një  shtëpi  dhe  kishin  qëlluar  me  thikë  të  zotin  e shtëpisë. Por  krimnelët  nuk  ishin  kapur .Në  telefon  dëgjoj  zërin e  një personi, i  cili  mu  prezantua si  gazetar  I  radio SKAI. Duke m’u prezantuar, ai më  thotë  se numrin e  celularit  ia  kishte  dhënë një  miku  im. Lefter Marta. Dhe gazetari  grek më  pyet se çfarë  mendimi  kisha  për kriminelët shqiptarë. Dhe  unë  i  them: “Kriminelë  ka  edhe  në Greqi dhe  në Gjermani dhe  në Rusi e Japoni. Kriminelët  kudo që  janë, kanë  një  kombësi me vete- “Kriminelë”. Aristidhi, kur  unë  përgjigjesha, më  shtrëngoi  krahun  dhe  tundi  kokën. Në  fund nuk  më tha  asnjë  fjalë, por  vetëm psherëtiu. Ai ndiente  dhimbje  për  trajtimin  jo  real të  shqiptarëve, por  ndjente  dhimbje  se për  muaj  të  tërë  në  televizionet  greke, padrejtësisht  i  vishnin lloj-lloj kostumesh  të  pamerituar, njerëz  që nuk e njihnin historinë. Por, e  drejta  e Aristidhit për  luftën  në  Kosovë triumfoi, packa  se shumë  fitore ai nuk mundi t’i shijojë në  të  gjallë.

Për  mendimin  tim, Aristidhi  hyn në  Plejadën  e  rilindasve  shqiptarë. Ndërsa  për  kohën  dhe  vendin  ku  punoi , ai meriton më  shumë . Ai e  ka  ndërtuar  vetë, me  punën e  tij, me  veprat  e tij, me  talentin e  tij, me  guximin  vetëmohimin, saktësinë, vërtetësinë, kulturën  cilivizimin, shpirtin  demokrat, piedestalin  e  emrit përkrah rilindasve. Ne  na  takon  vetëm  ta  vendosim. Me  veprën e  tij  ai ishte  parashikues  i zhvillimeve  në  Kosovë, Shqipëri, Maqedoni  e  Ballkan. Parashikimet e  tij  të  sakta  e  kishin  bazën  tek intelegjenca, studimi  dhe  mosparagjykimi. Ndaj duhet  ta  vlerësojnë  grekët  dhe ta  lartësojnë  shqiptarët. Ai vdiq  duke  thënë  “Jam  grek”, por   duke  mos  e mohuar  asnjëherë  se  kishte  gjak  Arvanitasi.
Po  le  ta  lëmë të   flasi  vetë, nëpërmjet intervistës së pjeshshme të vitit 1995, Aristidhin,  njërin nga  personalitetet  e  brezit të  mesëm  të  intelektualëve  arvanitas, mik i  madh  i  shqiptarëve, sidomos i  intelektualëve,  avokat, shkrimtar, publicist, por  edhe  botues i  njohur. Por  le  ta  lëmë   Aristidhin të  flasë  nëpërmjet  një  interviste  kështu  siç e kam  marrë  para  12 vjetëve  dhe  e kam  botuar  në  librin “Ikja e Madhe”, libër të cilin ai e ka korrektuar vetë. Intervistën po  e  botoj të pjeshme (tashmë sipas librit jo gazetës për ta bërë të besueshme), sikundër e kam marrë para 12 vjetëve .

-A keni  qenë   ndonjëherë  në Shqipëri?
Shqipërinë  e kam  vizituar  katër   herë. Herën e parë  dhe të  dytë  isha  I  ftuar  nga institucione  shqiptare. Herën  e  tretë  vajta  të  shpjegoja  mënyrat e  bashkëpunimit  ekonomik  midis  greqisë  dhe  Shqipërisë,  duke  shprehur  bindjen  se  greqia  shpejt  do të  kuptojë  se  vëllezër të  vërtetë  të  sajë  nuk  janë  serbët, por  shqiptarët. E vërteta  është  se nuk  arrita  rezultatet  që  dëshiroja, megjithatë, thellë në  vetvete  kam  parandjenjën  se një  bashkëpunim  serioz në  të  gjitha  fushat, midis  Greqisë dhe  Shqipërisë  do të  zgjidhte një  sërë  problemesh  midis  dy  vendeve. Herën  e fundit vajta incognito. Dëshiroja  t’ju  bëj  një  vizitë  miqëve të  mi, me të  cilat kalova  ditë  të  paharruara. Paralelisht  u  përpoqa  që  të  prek  dhe   të  vë në  rrugë  të  drejtë  çështjen  e  aftësive  dhe veprimtarive  artistike  e  kulturore  të  emigranatëve shqiptarë  në  Greqi,  duke  diskutuar  me  artistë të  mirënjohur.
- A vazhdoni  ta  ndiqni  jetën  e  emigrantëve  shqiptarë,  ndonëse  shumë prej  tyre  janë  ilegalë?
 Emigracioni  dhe  hyrja  në  grupe  e  shqiptarëve  në  Greqi përbën një  ngjarje të gjallë, historike me  prmasa që nuk  janë vlerësuar.Për  muia  është  një  vërtetim  I   gjallë I  teorisë  pellazge. Të  gjithë  ata  që  janë  konsideruar  si fise  të  lashta  greke si Ahhet, Jones Eolët, Maqedonasit vijnë  nga  pellazgët në periudha  të  ndryshme  nga  I  njëjti  vend I  Ballkanit veriperëndimor. Dhe  unë  që  e mbështes akoma  atë  teori, nuk  mund  ta  imagjonoja  se në  fund  të  shekullit XX, kur  shtetet   bashkëkohore  kanë intuitë konsoliduese  për  kombin. Do të  kishte  akoma  një  shpërngulje  të  tillë nga  i  njëjti  vend. Isha  natyrisht  nga  të  paktit, për të  mos  thënë  i  vetmi,  që  kisha  kapur  përmasat, shtrirjen  dhe rëndësinë  e kësajë  ngjarje  historike. Por  zëri  im  nuk  qe  dëgjuar. Në  këtë  periudhë  Greqia  u  lidh, siç përmenda,  me  politikën  serbe të Millosheviçit dhe mbante  qëndrim armiqësor  ndaj emigrantëve  shqiptar, ndryshe  nga  populli  grek  që  në fillim, siç  e dinin, i priti krahëhapur. Propaganda e  shteteve  mund  ta  bëjë  ditën natë  dhe  natën  ditë. Kështu  u  mashtrua  populli  grek  që  mbajti një  qëndrim  të  rezervuar  ndaj këtyre  nevojtarëve  fqinjë. Në  ndonjëherë  edhe  armiqsorë  e të  ashpër. Natyrisht këtë  propagandë  e ndihmuan  shumë  edhe  disa  keqbërës  të  ardhur  në  greqi. Personalisht  ruaj  marëdhënie  të  mira  me  emigrantët  shqiptarë  dhe  më  vjen  mirë  që  shumë  prej  tyre kanë  bërë  prokupi këtu, por që edhe  me  moralin e tyre  të  lartë  impononin  tek njerëzit  simpati dhe  admirim.
- Si  historian, publicist dhe  avokat, cili  është  mendimi  juaj  për  çështjen e Kosovës?
 Rreth  Kosovës  në  Greqi  ka shumë  konfuzion, pasaktësi  e mangësi dhe, në  fund  të  fundit, pikëpamje  konkrete. Në  librin  që  përmenda, “1991-1994, Greqia  në  grackën e  serbëve  të Milloshevicit”, i informoi  opinionin  dhe  lexuesin  grek  edhe  për  problemin e  Kosovës. Natyrisht me  fakte  synova  të  ndryshoj  përpjekjet propagandistike  serbe  se  gjoja  Kosova  është pjesë e  kombit  serb. Sepse, para  se të  vinin  në Ballkan sllavët dhe në Kosovë serbët, ajo  zonë  banohej  nga  fise  ilire, greko-pellazge si Dardanët dhe Peonët. Stërnipërit e  këtyre  fiseve  janë  sot shqiptarët e  Kosovës  dhe të  Shkupit,(ish-repuplika   jugosllave  e  Maqedonisë). Një  shekull më  parë, kur  serbët përpiqeshin  të nguleshin  përfundimisht  në  Kosovë politikanë të  njohur   grekë  u përgjigjeshin: “Nuk  kini  asnjë  të  drejtë  historike  mbi këtë  zonë, e  cila  banohet  nga  shqiptarët, vëllezërit tanë, nga  të njëjtat  atësi  pellazgjike,d.m.th, nga  stërgjyshë  të  përbashkët”. ( shih: Vic. Berard “Odhiporikostin Makedhonia” 1996). Prandaj shpresoj se përsëri  ndjenjat  e grekërve  ndaj shqiptarëve  do  të  bëhen  vëllazërore  dhe  do  të  forcohet  përpjekja  kosovare për të  fituar  bashkimin  me  vendin  amë. Nuk  duhet që  në Kosovë  të  luhen  tragjeditë  e Ballkanit. Nëqoftëse  politikanët  grekë  e  shqiptarë  do të  gjejnë  mirëkuptim në  këtë  çështje  do të  dalun  të  fituar. Kush  e  kuptoi, e  kuptoi!

Sa është  numri i  saktë  i arvanitasve  të Greqisë ?

Është e vështirë të  thuash  se sa është  numri I  saktë  I arvanitasve  të Greqisë. Sot  nuk  është  e mundur  të  bësh një  regjistrim  të  saktë  dhe të  thuash: “Kaq  jemi”! Ajo  që  njihet më  lehtë  janë  rajonet e  fshatrave  ku  banojnë  këta  njerëz, apo  që  kanë  banuar  më  parë, sipas dokumentave  tanimë  tani  të  gjetura.Të  habit përhapja  e tyre  dhe  depërtimi  mes popullsisë  më  të  vjetër  greke. Të shumta  janë  fshatrat  e tyre  në  Thiva, pranë  Athinës, në  Peloponez, por  edhe  në  Dodekanez e  ishujt  si Agroaonikoi, Evia e  Qikladhës, por  edhe në  Viotia, Arolidha, apo të  shtyrë  thellë në  ishullin  e madh  të Kretës, d.m.th. në  qendrat historike  të Greqisë  së Vjetër. Aty është  ruajtur  gjuha e tyre  deri më  sot, si edhe  në  disa  vende  të  Mesinias, Ahaia dhe  të  Arkadhies. Në  disa  zona  të  tjera  gjuha  humbi, si në Etoloakarnania, Lakonia e  në  ishujt  e Qikladhës.Por  gjuha  shqipe  flitet  sot edhe  në  Epir e  Tharkë, por  ajo  popullsi nuk  hyn në  arvanitasit, d.m.th. te  ajo  popullsi  që  u  vendos  në Greqinë  Jugore në  shekullin e XVI-të. Rrënjët e  grekërve  janë  tepër  të  trazuara  e të  lidhura  me  ato  arvanitase. Akoma  edhe  ata  që  erdhën  në  Greqi, pas  vitit 1992, kur  u  krijua  shteti qemalist  turk,  nga Azia  e Vogël, në  një  farë  mase  janë  me  rrënjë  arvanitase, kryesisht  ata  që  erdhën  nga Izmiri, Stambolli, Brusa etj. Një  shembull i  vogël, në  stamboll  ekziston një  lagje  që  quhej “Arnautqoi”, që   do  të  thotë  fshat arvanitas. Banorët  e  kësajë  lagjeje,  arvanitas  të  krishterë, u  zhvendosën  në Greqi. Por  pak nga  pasardhësit  e  tyre  e njohin  origjinën  e  vjetër  të  stërgjyshërve .

-Ju keni folur per 12 kryeministrat  arvanitas të Greqisë...
Për  të  realizuar  diçka  konkrete  për  të  gjitha  këto, siç  mund  ta  dini,  ne  kemi  krijuar  shoqatën  “Marko  Boçari”, të  cilin  kam  nderin  ta  kryesoj. Në  të  marrin  pjesë  njerëz  të  artit  e të kulturës, njerëz të  shtypit, të  cilët ngulmojnë  të  zbulojnë  të  gjithë  rrënjët  e  tyre  e  për të  cilat  janë  krenarë. Deri tani  shoqata  ka  botuar  disa  kalendarë –albume, të  cilat  paraqesin sipas  viteve  të   javëve, korifejt e  botës arvanitase.
Kështu  kalendari –ditar me  12  kryeministrat  me  origjinë  arvanitase  që  i  kanë  shërbyer  shtetit  grek, ka  zgjuar   interes të veçantë , por  siç është  e natyrshme, edhe  polemika. Në një  kalendar  tjetër  është ai  me  12 emrat  e piktorëve  të  shquar  arvanitas, të  vendosur  kronologjikisht  e të  ilustruar  me  ndonjë  vepër  të  tyre dhe  biografitë  përkatëse. Një  botim i  tillë i  është  kushtuar  gruas  arvanitase, duke  e  ilustruar atë  me  veshjet  karakteristike, të  cilat  ruhen edhe  sot  në  sepet  e   gjysheve, natyrisht  me  ndonjë  trazim  krahinor vendas. Zotëron  në  të  figura  e  Roza Boçarit (1818-1875) vajzës së  trimit  Marko Boçarit. Një  botim  tjetër  është “Veshja  popullore  Arvanitase”, i  cili  është  shoqëruar  edhe  me  vargje  të  poezisë  popullore, që  të  kujtojnë  nektarin  e  poezisë  së De Radës së madh arbëresh.
Në  vresta
Ne ni kucar
Këndon ni  zog
E bukur.
Tërë  vrestat
I  skova,rruss
Si buza jote ss’t
Tshova…(Të  pashë)
Kur  të shoh pleksidhet( gërshetat)
Zemra  më  dridhet.

-Dhe Lavdia  shqiptare  e Marko  Boçarit
Një  kalendar-album  i  kushtohet  figurës  madhore të  Marko  Boçarit, këtijë  arvanitasi  të  madh  që  bëri  aq  shumë  edhe për  gjuhën  tonë. Padyshim  kontributi  i luftëtarëve  arvanitas  në  Revolucionin  grek të  vitit  1921 është  shumë i  madh  dhe një  kalendar   ditor  i  tij  është  kushtuar  12 figura  më  të  spikatura. Emrat  njihen  botërisht: Kostandino Kanaris, Andrea Aiaulis, Theodhoro Grivas, Laskarina Bubulina, (bubulima  do  të  shiqiptonte  menjëherë  çdo  shqiptar), Dhimitro Plaputas, Theolloro Skurtaniotis, Jeorjas Karaiskaqis, Kiço Xhavella dhe  Marko Boçari, (Pocari do ta  shqiptonim përsëri  menjëherë). Janë  lavdia  e  kombit grek, e  dimë. Ne  duam   vetëm  pjesën e  lavdisë  sonë. Por  ne  e kemi  botuar  edhe  revistën “Besa”,  një  periodik I   cili  synonte  të   hapte  hapësira  më  të  mëdha  për  kulturën  popullore  arvanitase, personalitet   e tjerë  më  të  vegjël të  vet, por  edhe të  mbështesin  emigracionin  shqiptar të viteve  të   para. Sepse edhe  emra  të  mëdhenj  bashkëkohës janë  po  aq  vlera  tona si paraardhësit. Këtu bëjnë  pjesë  emrat  e  Melina Mërkurit, Eli Lambetit, Odisea Elitit (origjina nga  nëna  e tij), Grigori Bithikoci, Dhimo Muci, Jani  Argjiri, etj,etj.

-Dicka për librin “Arvanitasit  dhe  origjina  e grekërve”
Libri  im i  parë “Arvanuitasit dhe  origjina  e grekërve” u  botua  në  vitin 1983. Ai  ka  dy pika  referimi  bazë: Pellazgët në  lashtësi dhe arvanitasit në  periudhën  bashkëkohore. Besoj  pa  masë se  kam  transmetuar  tek shumë  historianë  bashkohorë  grek se   historia  greke  që  nuk  ka parasysh  pellazgët  dhe arvanitasit, as  grekë  dhe as  histori  nuk  është”. Në  vitin  1991 përfundova  veprën  tjetër “Gjuha  e perëndive”,  një  studim   ky  për fenë  e lashtë  greke  dhe  idhujt  e saj, por  emrat  e perëndive  e të   idhujve  dhe  lidhjet  e tyre  me  emërtime  vendesh. Fjalët, emrat  dhe toponimet fshehin një histori  të  tërë, e  cila  del në dritë  përmes  interpretimit  të   origjinës së  tyre. Libri  im  tjetër  i  botuar  së  fundi  e ka  titullin “1991-1994”, Greqia  në   grackën  e  serbëve  të  Milosheviçit”,  që  është  një  denoncim  i politikës  së  jashtëme  të  atëherëshme  greke, e  cila  e  tërhequr  nga  premtimet  e  rreme  serbe  për  gjoja  zgjidhjen  e  çështjes  së  Maqedonisë, dhe  gjithshka  për të  ndihmuar  synimet  e mëdha  të  Millosheviçit, Karaxhicit e  pasuesve   të  tyre, duke  arritur  deri  aty  sa  të  izolohen  publikisht  shtete  të  tjera  dhe  më  e keqja, duke  tronditur  marëdhëniet  e  saj me  Shqipërinë  fqinj.

Epilog
Vlerësimi  pas vdekjes për  Aristidh Koljan “Rilindasi modern”

Me  vdekjen e tij  shqiptarët  humbën një  mik  të  madh, emigrantwt njw mbështetës aktiv, ndërsa  Greqia  një  ambasador  të  paqes dhe vëllazërimit të  popujve  tanë. Aristidhi  mbetet  një  rast unik, si një  rilindas i vetëm i  kohës moderrne.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT