E shtune, 20.04.2024, 01:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Irgis Hysenaj: Në kërkim të eshtrave të të ekzekutuarve nga komunizmi

E premte, 09.10.2009, 06:52 PM


Në kërkim të eshtrave të të ekzekutuarve nga komunizmi

Nga Irgis Hysenaj

Eshtrat e gjetura para pak kohësh në Sukth të Durrësit ende janë pa emër, edhe pse thuhet se ato i përkasin një prej mijërave të ekzekutuarve nga regjimi komunist. Sidoqoftë, ato tani mund të konsiderohen më “me fat” se rreth 4 mijë të tjerë të ekzekutuar e të zhdukur nga regjimi në gjithë Shqipërinë. Gati 20 vjet që nga rënia e komunizmit, gjurmët e tij janë të dukshme. Vetëm fakti që regjimi i ka lënë vendit një varr të madh ende të pahapur, e bën atë edhe sot terrorizues. Por duket se familjarët e të gjithë viktimave politike të diktaturës do të kenë mundësinë që të gjejnë “kockat e mbetura” të të afërmve të tyre dhe t’u japin atyre një varrim të denjë.

Prej më shumë se një muaji, nga Ministria e Drejtësisë ka dalë një urdhër, i cili kërkon ngritjen e një grupi pune të përbërë nga disa specialistë, që do të bëjnë të mundur gjetjen dhe identifikimin e të gjitha viktimave dhe kthimin e eshtrave të tyre familjarëve. Ky do të jetë një proces i vështirë, pasi për të arritur në rezultate të mira duhet që të ketë një bashkëpunim të suksesshëm midis disa institucioneve.

Sipas Dr. Prof Besim Ymaj, drejtor i Mjekësisë Ligjore, “procesi për identifikimin e tyre është shumë kompleks. Duhet të kemi parasysh që eshtrat që gjenden janë mbetje kockore. Pra, për të bërë të mundur identifikimin e tyre duhet që të kryhen kërkime konkrete. Më pas të dhënat e mbledhura ballafaqohen dhe mund të çojnë në arritjen e një rezultati. Por i gjithë ky proces kërkon kohë”. Ndërkohë që pjesë e grupit do të jenë edhe mjekët ligjorë, të cilët do të ndihmojnë në identifikimin e mbetjeve kockore apo eshtrave të gjetura. “Kemi marrë një urdhër nga Ministria e Drejtësisë prej gati një muaji, i cili thotë për krijimin e një grupi pune ku do të ketë edhe doktorë nga mjekësia ligjore, të cilët janë caktuar, që do të merren me gjetjen e eshtrave të të gjithë personave të zhdukur dhe për identifikimin e tyre”, - vazhdoi ai. Në përbërje të grupit do të ketë specialistë nga Ministria e Drejtësisë, ajo e Brendshme, nga mjekësia ligjore dhe Prokuroria e Përgjithshme. Puna e të gjithë pjesëtarëve të grupit do të bëjë të mundur kryerjen me sukses të këtij misioni.

Gjatë dy dekadave të fundit, përpjekje të mëdha janë bërë, që të gjithë personat e vrarë mizorisht nga sistemi komunist të mund të kenë një varr dhe ku të afërmit e tyre t’i kujtojnë ata dhe veprën e tyre. Por këto kanë qenë individuale dhe shpesh të pasuksesshme dhe zhgënjyese. Kjo, sepse mungojnë shumë të dhëna, për vendndodhjen e varreve masive, si dhe informacione të tjera që bëjnë të mundur identifikimin e tyre. Ndërkohë që problemet janë të shumta. Që nga numri i saktë i të gjithë të ekzekutuarve nga regjimi, për të vazhduar pastaj tek vendndodhja e këtyre varreve masive, informacionet që mund të çojnë në gjetjen e identitetit të viktimës dhe më pas rezultati përfundimtar. Por pikë së pari, duhet informacioni fillestar, ai i cili të tregon se ku janë varret dhe personat e eliminuar, që sipas drejtuesit të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Adrian Kati, ekziston, por ende nuk është bërë publik. “Gjatë kohës së diktaturës komuniste, procesi i eliminimit të të dënuarve politikë ka qenë shumë i rregullt. Shënoheshin vendi i ekzekutimit, i dënuari, deri edhe tek emrat që morën pjesë në skuadrat e pushkatimit”, - shprehet ai. “Këto të dhëna janë ende të ruajtura në Prokurori”. Por shumë të vrarë të tjerë ka pasur edhe në kufi. Sipas ish-të dënuarit politik, shkrimtarit dhe studiuesit Agim Musta, “të gjithë personat që tentonin të arratiseshin, vriteshin. Trupat e tyre më pas lyheshin me naftë, digjeshin dhe hidheshin në greminë”.

Pyetjes se pse regjimi komunist zhdukte të gjithë trupat e të dënuarve politikë, duke i groposur ata në fshehtësi dhe pa ua dorëzuar familjes, Kati i përgjigjet:

“Qëllimi i regjimit ishte që regjimi të shndërrohej në sytë e njerëzve si një makineri frike. Duke përçuar frikën, ata kishin mundësi që ta kishin popullin në kontroll. Të gjithë personat të cilët dënoheshin me vdekje me pushkatim, kishin një tjetër të dënim, atë të heqjes së të drejtave civile për pesë vjet. Ky është një detaj shumë interesant. Regjimi i pushkatonte të dënuarit dhe i varroste ata në mënyrë të fshehtë, duke i hequr mundësinë familjes që të merre trupin e tyre. Viktimat ishin pa varr dhe familja e tij nuk mund të shkonte në vendin ku ai ishte varrosur për ta kujtuar. Me këtë veprim, regjimi jepte mesazhin që jo vetëm që të vriste, por edhe të zhdukte, që ti mos të kujtoheshe, që vepra jote mos të kujtohej nga të afërmit e njerëzit e tjerë”.

Numri i të vrarëve

Edhe pse kanë kaluar rreth 20 vjet nga rënia e diktaturës, ende nuk ka një numër të saktë të të vrarëve nga diktatura komuniste. Sipas drejtuesit të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Adrian Kati, duhet të jetë shteti ai që të llogarisë numrin e saktë, pasi shoqatat shpesh herë nuk janë plotësisht të sakta.

“Nëse flasim me shifra, ne nuk kemi një numër të saktë të të gjithë personave që janë vrarë nga diktatura komuniste. Kjo, pasi duhet të jetë shteti ai që të japë një numër të saktë, nëpërmjet arkivave që ai ka. Por ende nuk është hapur asnjë arkivë, kështu që s’ka një shifër konkrete. Nga ana jonë, ne mendojmë se numri i të vrarëve është mbi pesë mijë, por këto nuk janë të sakta, pasi janë të vërtetuara”, - u shpreh ai. Ndërsa shkrimtari dhe studiuesi Agim Musta, i dënuar politik, shprehet se numri i të vrarëve është rreth 6000. Shumë të vrarë e të zhdukur ka pasur në kufi gjatë tentativave për t’u arratisur. “Shumë persona janë vrarë në kufi. Trupat e tyre më pas lyheshin me naftë e u vihej flaka. Më pas ata hidheshin në greminë”, - shprehet ai. Ndërkohë që shumë viktima ka pasur edhe në burgjet dhe në galeritë ku të burgosurit politikë punonin.

Kërkimet nga familjarët

Familjarët e viktimave kanë bërë vetë kërkime për gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre të vrarë. Por kjo ishte tepër e vështirë, pasi përveç shpenzimeve të mëdha, shpesh të dhënat nuk ishin të sakta. Sipas studiuesit Agim Musta, që ka bërë kërkime të shumta në lidhje me vrasjet e kryera nga regjimi, numri i të vrarëve të gjetur është rreth 1200. “Nga rreth 6000 mijë persona të cilët rezultojnë të zhdukur nga diktatura komuniste, numri i familjarëve të cilët kanë arritur që të gjejnë eshtrat e njerëzve të tyre nuk përbëjnë as 20% të kësaj shume. Është shumë e vështirë që të arrish të gjesh këto eshtra”, - u shpreh ai. Ndërkohë që janë edhe rreth 4 mijë persona të tjerë, të cilët janë diku të groposur në territorin shqiptar.

Periudhat e terrorit

Ka pasur disa periudha kur janë ekzekutuar shumë njerëz, për shkak të bindjeve të tyre të ndryshme nga ato që regjimi kërkonte. Sipas drejtuesit të QSHRTT, Adrian Kati, ka tri etapa kohore ku diktatura ka kryer krimet e saj. “Etapa e parë ka qenë kur Enver Hoxha mori pushtetin pas vitit 1943. Ai filloi që të eliminonte që të gjithë personat, të cilët ishin kundër tij, gjatë periudhës së luftës. Kështu nisën eliminimet e të gjithë intelektualëve, ata që ishin shkolluar jashtë, në universitetet perëndimore, ish-administrata e mbretit Zog, si dhe persona të tjerë të cilët paraqisnin rrezik për Hoxhën”, - u shpreh ai. Më pas ai shton se etapa e dytë ka qenë në vitin 1947, kur diktatura me porosi të Titos nisi vrasjet e të gjithë personave, të zbatuar nga Koçi Xoxe, të atyre që ishin kundër komunizmit, kundër ish-Jugosllavisë si dhe armiqtë e tjerë të diktaturës. “Ndërsa etapa e tretë ka qenë ajo e viteve ‘60-‘70, ku filloi goditja e të gjithë intelektualëve shqiptarë, të cilët ishin shkolluar në vendet komuniste të Lindjes. Ndaj tyre u mor masa e fundit nga ana e diktaturës”.

Hapja e dosjeve

Përveç hapjes së varreve masive në territorin shqiptar, ku fshihen rreth 4 mijë skelete të të dënuarve politikë të vrarë nga regjimi, një çështje me rëndësi është edhe hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Brenda tyre ka informacione të plota, të cilat ndihmojnë në marrjen e të dhënave të sakta për të gjithë personat e ekzekutuar. Megjithatë ky proces ka ngelur në vend. Kjo, për shkak të problemeve teknike midis partive politike. Hapja e këtyre dosjeve është me rëndësi për të gjithë të afërmit e të zhdukurve, të cilët më në fund do të kenë mundësi që të gjejnë eshtrat e tyre dhe të kenë një vend ku t’i nderojnë. Por një proces i tillë duket se pengohet nga persona të caktuar, të cilët nuk duan që këto dosje të hapen, pasi mund të preken nga ato çfarë përmbahet aty brenda. Nga kjo duket se penalizohen edhe familjarët e viktimave të diktaturës, të cilët vazhdojnë të kërkojnë në mënyrë individuale, me shumë raste dështimesh, pa pasur një të dhënë konkrete, që mund t’i ndihmojë ata në realizimin e qëllimeve të tyre. Para disa kohësh u diskutua midis përfaqësuesve të partive politike shqiptare në lidhje me këtë çështje, por nuk u arrit që të gjendej një marrëveshje. Ndërkohë që edhe ndërkombëtarët kanë ofruar ndihmën e tyre në lidhje me modelin se si duhet të kryhet ky proces. Por nëse faktorët politikë nuk do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë kjo do të penalizojë edhe familjarët e viktimave të komunizmit, të cilët do të duhet të përballen me shumë zhgënjime nga kërkimet e kryera në mënyrë individuale.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora