E premte, 29.03.2024, 03:20 PM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Patër Gjergj Fishta akoma i trajtuar si “gogol” Sa keq!

E marte, 25.09.2007, 05:51 PM


Ç’fatkeqësí për kombin tonë!
 
Shkruar nga: Mërgim Korça

Patër Gjergj Fishta
Këmbëngulja me të cilën vazhdohet të insistohet në drejtim të ruajtjes së  shtrëmbërimit të të vërtetave historike por në mënyrë më të sofistikuar, që të duket sa më i besueshëm shtrëmbërimi, parimisht më revolton shumë. Shtysë që t’a trajtoj problemin siç do t’a shihni në vazhdim, u bë pohimi i një personaliteti të mirëfilltë në fushën e studimeve shoqërore i cili së fundi ishte pozicionuar duke thënë pak a shumë ... mos t’i shkojë në mëndje njeriu të shajë personalitetet e shquara të letërsisë tonë se do të nxjerr në dritë disa letra të Fishtës ku ai i shan toskët...
Ky pohim kërcënues, i bërë pikërisht nga ana e një studiuesi, i lidhur me pohime e konsiderata të së njejtës natyrë të bëra nga njerëz me vlera tejet të diskutueshme niveli kulturor, (pavarësisht nga titujt edhe gradat shkencore që mbajnë), më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me një sindromë e jo më me çfaqje simptomatike. E sindromat, po nuk u trajtuan, çojnë drejtë sëmundjesh të thella e dëndur edhe të pashërueshme.
Hyjmë tashti në temën e mirëfilltë : cili shqetësimi kryesor imi ? Patër Gjergj Fishta, shkrimtari i anatemuar përgjatë diktaturës komuniste, nuk ka qenë as grek, as serb e as kamerunas. Ai ka qenë shqiptar dhe veprat e Tija kanë qenë vepra të një shqiptari të flaktë. Nga ana tjetër shtroj pyetjen : a ka person të përkryer dhe pa gabime në jetë ? Si tha Krishti kur qe fjala të goditej me gurë gruaja e përdalë ? “Le t’a hedhë gurin e parë ai që ësht’i pa mëkatë “. (E doemos askush nuk guxoi t’a godiste mjeranen). Prandaj si të gjithë njerëzit e gjallë, para Fishtës si edhe mbas Tij derisa të shuhet bota, gjithsecili kanë bërë gabime si edhe faje e do të vazhdojnë të bëjnë të tilla. E me që Fishta paska edhe anë të errëta përgjatë jetës së Tij, fjalë është kjo të kërcënojmë se do t’i bëjmë publike ato në qoftë se kritikohen personalitete të shquara të letërsisë tonë ? Është fakt i pamohueshëm se vetëm atje ku ka shumë dritë mund të qëmtohen edhe hije ! Kujt ësht’i zhytur në errësirë nuk i shquhen hijet, por ama as dritë ai nuk ka ! E pra pa dashur t’u themi atyre që kërcënojnë,  t’a hedhin ata vetë shikimin prapa e t’a shikojnë udhën e përshkuar prej tyre duke u krahasuar me Patër Gjergj Fishtën e t’a gjykojnë veten e tyre, por vetëm i ftoj të mendohen mirë dhe t’a pyesin veten se kujt i shërbejnë duke vepruar kësisoji me një personalitet shqiptar i cili ka fituar respekt e konsiderata ndërkombëtare ? Ky kërcënim për t’i a hedhur në fytyrë një qëndrim të gabuar një personaliteti të tillë, është qëndrim që i ka hije vetëm një kategorie shqiptarësh : Piros Dimas-ve (ish Pirro Dhima) me shokë ! Nga ana tjetër problemi, në themel, nuk është as të fshihen e të mbulohen fakte e bëma të lidhura me jetën e cilitdo, por kryesorja është këto të studjohen e të analizohen lidhur me kohën si edhe rrethanat kur u përjetuan. Por ama në asnjë mënyrë të mos trajtohen si kërcënime. Ky, po, është faj dhe faj i rëndë !
Personalitete poliedrike përmasash si ai i Patër Gjergj Fishtës, për qëllime pragmatiste politike të caktuara, u anatemuan përgjatë gjithë periudhës diktatoriale pa i u njohur atyre asnjë meritë qoftë kombëtare, artistike apo qoftë edhe shkencore. I zi u etiketua Patër Gjergji dhe u luftua si i tillë. As që pranohej të shquhej një e mirë sado e vogël tek Ai ! Dhe e keqja më e madhe qe se për t’a mbështetur këtë qëndrim lloj, lloj shtrembërimesh u sajuan rreth Tij si edhe veprës së Tij ! Kjo qe një taktikë, një direktivë partie.
 E njejta gjë u bë me figurën e Mustafa Merlika Krujës. Nuk i mohohet dot atij se qe bashkënënëshkrues i Aktit të Pavarësisë në Vlorë. Pa as më të voglin dyshim Mustafa Merlika Kruja ishte gjuhëtari më i shquar ndër bashkëkohësit e tij, por në asnjë tekst të botuar gjatë periudhës diktaturës s’është zënë në gojë ky fakt. Kurse, për interesa politike të ngushta të regjimit komunist, figura e Mustafa Krujës u etiketua vetëm si fashist e si kuizling, akuza edhe këto vetë shumë të diskutueshme !
Vazhdojmë me fizikantin Selaudin Toto të cilit i qenë pushkatuar dy vëllezërit si antimonarkistë, vetë qe internuar nga fashizmi italian e pastaj, kur pa asnjë faj dënohet me vdekje dhe pushkatohet nga diktatura komuniste, dhunshëm i harrohet emri edhe si fizikant. Po ky nuk qe fizikant, dhe aq. Ishte nxënës i shquar i të madhit Enrico Fermi që me këmbëngulje desh t’a mbante në grupin e asistentëve të tij kurse Selaudin Totua nuk e pranoi karrierën e shkëlqyer që i hapej ... sepse desh të vinte e t’i shërbente Atdheut (që ia hëngri kokën).
I solla shëmbujt e mësipërm vetëm me vetëm që të sqaroj sadopak se sa e dëmshme është për interesat kombëtare t’i trajtojmë figurat e shquara të kombit tonë nisur nga mllefe edhe pasione që në themel kanë arsye politike e këto pastaj mbështeten nga njerëz të pakarakter dhe që ushqejnë cmira profesionale.
Vazhdojmë tashti me argumentin tonë të fillimit, Patër Gjergj Fishtën. Përse u anatemua Patër Gjergji nga diktatura ? Përse u bë e pamundura që atij vigani të kombit as mos t’i zihej në gojë emri i Tij ?
Të shumta ishin fajet që ai mbarte mbi kurriz : së pari, qe intelektual i shquar klerik. Nga ana tjetër, ishte ai që hodhi në letër nëpërmjet vargjeve të Lahutës Malcís “Historin’e Shqipërisë” në marrëdhënjet e saj me fqinjin tonë verior sllav duke trajtuar një periudhë kohore që nga 1858-ta e deri më 1913 me frymën e së vërtetës e duke e skalitur e nxjerrë në pah shovinizmin serb ashtu siç ishte me të gjitha atavizmat e tija antishqiptare. Si klerik ai domosdo ishte edhe antikomunist sepse e njihte mirë e me themel si ideologjínë komuniste e gjithashtu edhe bindjet e skajëshme ateiste të përkrahësve të saj. Patër Gjergji pikëpamjet ateiste që kishin filluar e përhapeshin në Shqipëri mbas Luftës I-rë Botrore e deri në vitet kur filloi Lufta e II-të, i kish përcaktuar si “ Të mishnuemt e ateizmit mâ të rafinuem t’Oksidentit e i egërsísë mâ të ftoftë t’Orientit “.  E me që të gjitha virtytet e Patër Gjergjit duheshin kthyer në faje të tij, u përdor edhe helmi i mashtrimit djallëzor duke e akuzuar si antikombëtar e gjithashtu edhe si fashist.

Për hir të së vërtetës, në vijim, t’i hedhim një sy fluturimthi pikave më kulmore të veprimtarisë patriotike të Patër Gjergjit, e pastaj japim edhe përgjigjet e mirëfillta.
I referohemi studiuesit të madh arbëresh Gaetano Petrotta i cili ka pohuar : Fishta është ndër të parët e më të mëdhenj atdhetarë të cilët në kohët më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmísë dhelparake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që ishte çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e gjallë të vetën, zgjonte prej gjumit më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.
Duhet thënë që në fillim se prof. Petrotta nuk i kishte të pambështetura konsideratat e tija për At Gjergjin, por ishin veprat si edhe veprimtaría e prelatit të madh që e çuan studjuesin e madh arbëresh në këto përfundime. T’i shikojmë.
Për Patër Gjergjin nuk kish të ndalur përkushtimi atdhetar : kur e ardhmja e kombit të Tij ishte e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë edhe kur Bismarku Shqipërinë e shihte si “ një shprehje gjeografike ” duke shtuar edhe “ ... shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë … “ Ai e kuptoi se asnjë përpjekje për themelimin e shtetit shqiptar nuk mund të kishte sukses në qoftë se nuk hidheshin themelet e gjuhës shqipe të shkruar. Sot, të folurit edhe të shkruarit shqip brënda kufijve shqiptarë, duket si një gjë krejtësisht normale. Mirëpo duhet të kthehemi në vitet e para të kapërcyellit shekujve të XIX-të si edhe të XX-të (gjë të cilën ne nuk e konceptojmë dot sot), dhe të përjetojmë atë që e ka përcaktuar me një pohim sa lakonik e gjithashtu kuptimplotë studjuesi i thellë i historisë dhe i gjuhës shqipe, Mustafa Merlika Kruja “... nën sundimin tyrk, kur filluen me na u çelë syt neve, shkrimi e këndimi shqip përbânte nji delikt kundra shtetit.”
E pra, në ato kondita, kur pushtuesi otoman rrekej me çdo mjet t’a pengonte popullin tonë mos t’a lakmonte pavarësínë e Shqipërisë e gjithashtu mos t’i binte mbrapa lavrimit të gjuhës shqipe që e ka mbajtur gjithmonë në këmbë ndjesínë e kombësísë, Patër Gjergji me të gjitha fuqít’e Tija i luftoi këto qëllime të prapta t’armikut ! E tërë veprimtaría e Atë Fishtës kishte si shtysë idealin e mbarë jetës Tij që qé Shqypnía zojë n’védi mrenda kufîjve ku flitet shqyp ! Dokumentim i këtij përkushtimi është fakti se si në bashkëpunim me atdhetarin e shquar, Abatin e Mirditës Imzot Prengë Doçin, si edhe të mbështetur nga atdhetarët e tjerë si Ndoc Nikaj, Pashk Bardhi, etj. në vitin 1899 themeluan shoqërinë letrare “Bashkimi “ ku Imzot Fishta, duke qenë krahu i djathtë i Abatit, ishte anëtari më aktiv. Pikërisht alfabeti i gjuhës shqipe, i formuluar si alfabet shkencor, qe vepër e shoqërisë letrare Bashkimi e prandaj Patër Gjergji, i cili ishte ndër krijuesit e këtij alfabeti, në nëntorin e vitit 1908, duke i peshuar edhe drejtpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njeri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit. Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi ynë në një shtet të mirëfilltë kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit apo me “krrabat” osmane që për më se 500 vjet u kishin ngecur në fyt shqiptarëve ! Zgjedhja e tij si Kryetar i Komisísë së Alfabetit Shqip flet qartë për ndikimin e madh bindës që ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit dhe me ndikimin e personalitetit të Tij alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi, me shumë pak ndryshime, u shpall pastaj nga Kongresi i Manastirit si alfabeti zyrtar i gjuhës shqipe ! Pra, Patër Gjergji, lojti rol kryesor duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, në atë kapërcyell shekujsh !
Patriotizmi i Tij shquhet dukshëm edhe në lidhje me dasínë fetare të cilën fqinjët shovinistë, (së bashku me mungesën e gjuhës së shkruar), i konsideronin armë të mprehta dhe prova evidente të mosekzistencës një kombi shqiptar. E pikërisht për t’iu kundërvënë këtyre insinuatave që në kancelerit’e Europës kishin zënë vënd, më 1913-ën, në shënjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit. E, në shënjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes muslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderollë dritash Kishën me minaren e Xhamisë së Fushë Çelës. Çuan atëherë “qeveritarët e huaj” dërgatën e tyre që mes kërcënimesh frikësuese urdhëruan uljen e flamurit por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximshme i dërgoi mesazhin e Tij sundimtarit të Shkodrës, admiralit britanik Sir Cecil Borney ku mes të tjerash i shkroi : “Flamuri jonë e ka për ndérë të gjuhet prej topash t’ huej”. Dhe admirali vërtet që nuk iu përgjigj letrës Atë Fishtës por ... as nuk dërgoi forca t’ia ulnin flamurin!
Patër Gjergji qe ai që pohonte botërisht:             

Si t’kshtênë, si muhamedan, / Shqypninë s’bashkut t’gjith e kan,
E prandej t’gjith do t’qindrojmë, / Do t’qindrojm’e do t’luftojmë,
Kem m’u bâ kortarë-kortarë, / Priftën, fretën, hoxhallarë
Për Shqypní !

Pa le pastaj kur Patër Gjergji derdhte mllefin e Tij të skajshëm kundra gjith’atyre që nuk punonin për të patur një Shqipëri të fortë. U sulet prelati atyre me forcë që luftëtarët më të ashpër do t’ia kishin zilí e nuk ndalet as para mëkatit të agresivitetit edhe ndaj vetë Perëndisë, e thotë :
O Perendi a ndjeve, / tradhtarët na lane pa Atdhé.
E Ti rrin e gjuen me rrfé, / lisat n’për male kot !
Kurse kur vjen puna tek gjuha e Tij amtare, meshtári patriot shkruan vargje që për nga lirika e tyre mund të quhen me plot gojën tipike e në vazhdim ata përfundojnë me një dramaticitet të përkryer, vërtet shëmbullor :

Porsi kânga e zogut t’verës, / Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i âmbli fllad i erës, / Qi lmon gjit e drandofillit;
Porsi vala e bregut t’detit, / Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e njaj tërmetit, / Njashtu â’gjûha e jonë shqyptare.

E pastaj vazhdon Poeti me një vrull të shquar patriotik edhe thotë:

Prá, mallkue njaj bir shqyptari, / Qi kët gjûhë të Perendis
Trashigim qi na la i Pari, / Trashigim s’ia lên ai fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja, / Që përbuzë kët gjûhë hyjnore;
Qi n’gjûhë t’huej, kur s’âsht nevoja, / Flet e t’vetën lên mbas dore.

Por Patër Gjergji aq sa ishte patriot i skajshëm, aq me takt dinte edhe të shkruante. Homeri i kombit tonë, (siç e ka quajtur albanologu gjerman Maksimilian Lambertzi), në vargjet e Lahutës Malcisë, nuk i lejoi vetes në asnjë rast të çfaqeshin as armiqësítë klasore, as dasítë e fiseve e aq më pak çfaqjet e fanatizmit. Ylli Polar i Tij qe : “Mâ s’parit të bâhej Shqypnija, mandej ajo të zbukurohej e të stolisej !”  Për atë “Lahutë” të përbërë nga 30 këngë të gjata me kompleksivisht 16.838 vargje, të cilat përshkohen nga hove dhe shpirt luftarak, e që janë të mbushura me burrní, njomësí si edhe limontí njëheresh, Poeti punoi jo pak por 30 vite !   
Vijmë tashti tek akuza e komunistëve se Patër Gjergji qe antikombëtar.
Si provë e kësaj fajësíe janë paraqitur vargjet e Tija tek “Metamorphosis” e Ânzave të Parnasit ku autori shprehet :
T’a dijë Shqypnija / Pra, e shekulli mbarë
Se mâ mbas sodit / Un s’jam shqyptar.

Duke e gjykuar tashti akuzën si edhe ata që e mbështesnin akuzën e tyre në këta vargje, mundësítë janë dy : ose keqdashje e skajëshme si pasojë e urrejtjes së paprincip ndaj një kollosi të patriotizmit si edhe kulturës, ose injorancë aq e pakufíshme sa që vetë Patër Gjergji, Patër Anton Harapi ose Baba Rexhebi me të gjithë atë plejadë kollosësh ... do t’i mëshironin ! Sa i takon keqdashjes, nuk kemi pse të merremi me të si edhe me bartësit e saj, do të qe kohë e humbur. Sa i takon padíjes së të gjithë atyre që mendojnë se janë në gjëndje t’a gjykojnë kollosin Fishtë duke i lexuar vargjet e Tija pa asnjë bazë përgatitjeje, e ndjej për detyrë t’u shpjegoj se në “Metamorphosis” autori evokon ndërrimet apo kuptimin e anasjelltë duke marrë si shëmbull kryeveprën e poetit të madh të Romës lashtë, Ovidit. Kurse, shprehur pa krahasime simbolike, me ata vargje Poeti shpreh zemërimin e Tij skajor dhe nxjerr mllefin e grumbulluar brënda shpirtit të Tij patriotik kundra bashkatdhetarëve shqiptarë të kohës, dallkaukë e mjeranë ! E për t’ia paraqitur thjeshtë edhe qartë lexuesit vullnet-mirë idén’e Mjeshtrit Fishtë, aq sa i ka lartësuar Ai virtytet e besës edhe burrnisë së shqiptarit në apoteozën e Lahutës, po aq e ka fyer, tallur edhe poshtëruar në Anzat e Parnasit vesin si edhe përçudnimin e virtyteve shqiptare nga ana e njerëzve të pakarakter !
Akuza tjetër, e propaganduar me harsh mes katër erërave nga diktatura komuniste, qe se Fishta ishte fashist sepse pranoi të bëhej anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë e domosdo duke u bërë kësisoji ithtár i fashizmit, e miratoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Argumentet për t’a hedhur poshtë këtë akuzë janë të shumta. Mjafton që lexuesi objektiv i këtyre radhëve të gjykojë me logjikë të paanëshme faktet që do të paraqiten e pastaj, po deshi të thellohet e të qëmtojë më thellë, të tëra i gjen të dokumentuara ndër arkiva.
Qeveria fashiste italiane, me dekret mbretëror, e dekoroi Patër Gjergjin me dekoratën më të lartë që akordonte ajo. Ky qe hapi i palës italiane për t’a heshtuar zërin e fratit françeskan i cili me vargjet e tija patriotike mbushte zemrat e shqiptarëve. Dhe reagimi i Patër Gjergjit ndaj kësaj fyerjeje që i bëhej personalitetit të tij n’aspektin patriotik, (siç e mendoi Ai), qe i menjëhershëm : E refuzoi t’a pranonte dekretin mbretëror duke u shprehur : Kjo dekoratë nuk âsht për mue !
Në vijim Akademia Italiane, anëtarë të së cilës ishin personalitete nga më të shquarat në botë, shumë edhe lauratë të çmimit Nobel, ngarkon Atë Agostino Gemellin, Rektorin e Universitetit të Zemrës së Krishtit në Milano dhe mik i Patër Gjergjit, të merrej vesh me të në se Ai pranonte t’emërohej anëtar i Akademisë. Dhe Atë Gjergji pranoi, ndonëse dekoratën e fashizmit e ktheu mbrapsht. Ai pranoi së pari, sepse një pjesë e madhe e akademikëve ishin të njohur si antifashistë duke filluar që nga filozofi Benedetto Croce, kompozitori i famshëm Pietro Mascagni, Maestro Perosi, vetë Atë Agostino Gemelli e të tjerë me radhë. Kurse nga ana tjetër Ai u pohoi studentëve të Tij e ndërmjet tyre edhe Atë Danjel Gjeçajt që e ka publikuar se “ ... kurkush nuk thotë se aj qi e pranon çmimin Nobel u bâ suedez ... e në luftë s’pëvetë kush se ç’fabrike i ke armët, por se si i ke përdorë ato ... un sot për sot si akademik mund vyej mâ shum për Shqypni ... ” Edhe vetë Ati i Shënjtë Papa Piusi i XII-të, (i cili dihet se nuk qe fashist), gjatë pritjes që i akordoi Patër Gjergjit në vitin 1940, mes të tjerash i tha : “ ... Emnimi yt si akademik i Italisë âsht nji nderë për Fé edhe për Kombin t’ând.”
Vijmë tashti tek një fakt tjetër tejet kuptimplotë. Nga data 10 dhjetor 1940 Mjeshtri po përjetonte ditët e spasme të jetës Tij. E viziton Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, dhe Fishta i thotë :
“Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja.”
Edhe kur u varros, arkivoli i Patër Gjergjit, simbas dëshirës Tij, u mbulua me flamurin kombëtar autentik të Dedë Gjo’ Lulit, flamur pa sopatat e Liktorit të qindisura mbi të, (të cilat u hoqën kur Mustafa Merlika Kruja e vuri këtë si njerin nga kushtet e tija, kur pranoi të formonte qeverinë e tij).
Mendoj se me të gjitha këto argumente, të cilave studjuesi i mirëfilltë dhe pa komplekse politike mundet t’u gjejë edhe dokumentacionin mbështetës arkivor, hidhen poshtë të gjitha akuzat çpifëse edhe dashakeqe ndaj Poetit tonë Kombëtar, Patër Gjergj Fishtës !
Para epilogut të këtij shkrimi, nuk mundem mos të radhis pohimet e disa prej personaliteteve nga më të shquarat të kombit tonë që janë shprehur duke e vlerësuar Atë Gjergjin dhe veprën e Tij.
Profesor Eqrem Çabej, pa asnjë mëdyshje ndër studjuesit më të thellë të gjuhës shqipe, ka pohuar në një kartolinë të cilën ia pat dërguar Lasgush Poradecit : “ Lexova Lahutën e Malcisë dhe u mahnita. Jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës . “
Profesor Kostaq Cipua na e ka pohuar në klasë : “… tek vepra e Fishtës shkriheshin në një atdhedashuria me mjeshtrinë poetike. “ Profesor Cipua gjithashtu është shprehur me shkrim duke e quajtur Atë Gjergj Fishtën, “Patriarkun e letrave shqiptare.” 
Sejfulla Malëshova është shprehur në shtyp: “... mëndjes së fuqishme të Fishtës Shqipëria duhet t’ia dijë poezitë më të mira epike, lirike, dramatike. “
 
Hafëz Ali Korça, klerik musliman dhe mësues i gjuhës shqipe, shprehej lidhur me Atë Fishtën : “ ... Me këmbënguljen e tij gjuha jonë e lashtë gjeti sintetizim të shkruar … Nuk kam si t’a harroj me sa dashuri më përqafoi dhe më përgëzoi, (kur qemë takuar shumë vite më vonë me Fishtën), që në demonstratën e madhe të Korçës më 1910 kundër shkruarjes së gjuhës shqipe me shkronja arabe, unë bekova shkronjat latine të abecesë shqipe të Kongresit Manastirit dhe thashë edhe një lutje për to …”
Shkrimtari Petro Marko ka thënë : “ Fishta është elefant i mbuluar nga pluhuri gjatë dekadave të regjimit komunist. “
Poeti i i madh Lasgush Poradeci e ka përcaktuar Fishtën “shkëmb i shpirtit shqiptar – Vigan i Kombit. “
Vijmë tashti edhe tek epilogu i këtyre radhëve.
Analistët e indoktrinuar mund të qëmtojnë kalime nga shkrime ose epistolari i Patër Gjergjit ku Poeti i Madh të jetë shprehur pa respekt kundra toskëve. Nuk e ve fare në dyshim. Po studjuesi në fjalë duhet atëhere të bëjë edhe një analizë “sasiore” ku të verë në ballancë sa herë është shprehur Atë Gjergji kundra gegëve e sa herë kundra toskëve. E vetëm kësisoji analistit do t’i rezultojë se në 90 % të rasteve Patër Gjergji ka kritikuar, sharë e shpotitur gegët dhe mjedisin e tyre e vetëm 10 % toskët. Dhe arsyeja është evidente : sepse Gegërínë edhe gegët Mjeshtri i njihte me rrënj’e me themel ! Prandaj jo pa qëllim, nga moría e personaliteteve shqiptare si edhe të huaja që janë shprehur me vlerësime dhe respekt sipëror ndaj Personit si edhe veprës Patër Gjergjit, radhita vetëm pozicionimin e figurave të shquara nga Toskëria të kombit tonë !
Mbas kësaj analize dhe ballafaqimi faktesh historike, vërtet e ndjej veten dishka të lehtësuar, por prap me kokë ulur dhe i dëshpëruar i mbyll këto radhë dhe shtroj pyetjen : përse duhet kërcënuar se po u mundua njeri të kritikojë shkrimtarë tanë të shquar që shkëlqimin e morën me veprat e tyre gjatë periudhës Realizmit Socialist, me vrap do t’u kundërvihen e t’a kritikojnë viganin Fishtë?  Pse, frika e nxjerrjes në dritë të hijeve të kollosit Fishtë duhet t’ua evidentojë dritën, që eventualisht kanë, ata shkrimtarë e t’ua fshehë hijet e tyre? Jo zotërinj. E vërteta historike kërkon që drita dhe hijet e secilit jo vetëm të nxirren në shesh por edhe të krahasohen. Ky i vetmi kriter simbas të cilit do të shquhet kush është titan e kush pigmé!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora