E enjte, 28.03.2024, 12:09 PM (GMT)

Editorial

Cila data e çlirimit të Shqipërisë: 28 apo 29 Nëntori?

E marte, 25.09.2007, 06:04 AM


Duke ndjekur emisionin OPINIONE.  

Shkruar nga Mërgim Korça

Mërgim Korça
Me vëmëndje dhe përqëndrim të madh e ndoqa emisionin në fjalë  të drejtuar nga z.Blendi Fevziu, tashmë moderator shumë i afirmuar. 
Nga ana tjetër kuptohet lehtë përse isha aq kureshtár lidhur me debatin shkencor që mbas pak do të ndiqja :   vetë personaliteti shkencor i të katër historianëve të ftuar në studio nga z.Fevziu, profesorët Kasem Biçoku, Xhelal Gjeçovi, Paskal Milo si edhe Muharrem Dizhgiu e gjithashtu edhe analisti i njohur Fatos Lubonja, i jepnin prestigj takimit.  
Duhet pohuar se nuk kisha se si të isha i çliruar nga paragjykime, përkundrazi, isha i prirur të shijoja një diskutim niveli të lartë shkencor në fushën e historisë e doemos edhe të përfitoja nga horizontet e pjesëmarrësve si në fushën e mirëfilltë të historisë e pastaj edhe doemos lidhur me etikën që do t’ish e praníshme përgjatë paraqitjes së pikëpamjeve të ndërsjella.  
Moderatori z.Fevziu, duke patur një barrë të madhe përvoje mbi supe, dijti t’i japë puls (mbase një çikë tejmase takikardik) startit të diskutimeve.  Duke iu drejtuar me radhë secilit bashkëbisedues me pyetjen  “ simbas jush, cila është dita e çlirimit të Shqipërisë ?”, u pa se historianët u pozicionuan menjëherë dy e nga dy.   Analisti doemos e lëvizi gjilpërën e peshores nga ana e profesorëve K.Biçoku dhe M.Dizhgiu që për datë çlirimi me bindje e mbronin datën e 28 Nëntorit.   Kësisoji, duke mbajtur moderatori në mënyrë mjaft të matur drejtpeshimin e betejës, profesorëve që mbronin 28 Nëntorin si ditë e çlirimit të Shqipërisë që i mbështesnin argumentat e tyre në dokumenta fac simile të qëmtuar me kujdes edhe këmbëngulje, gjenin doemos tek analistit F.Lubonja një mbështetje logjike, konsekuente sa edhe racionale.   Kjo përshtypja e ime e parë.  
Duke mos patur tashti si qëllim në vetvete t’i bëj një analizë të detajuar diskutimit (për të mos e quajtur debat), unë dua sinqerisht të nxjerr disa përfundime fare pa mllef, të më kuptojë mirë lexuesi i këtyre radhëve, por të cilat lanë gjurmë të thella e të pashlyeshme tek unë, mendoni pastaj auditorin në sallë (i cili në masën mbi 80 % përbëhej nga të rinj), çfarë shëmbujsh që pa !   
Do t’a filloj me z.Milo, sepse ai për mua presupozohej të ishte modeli i mirësjelljes, me të kaluarën e tij prej kryediplomati që përfaqësoi vite me radhë shtetin tonë.   Dokumentacioni që paraqiti si artilieri e rëndë ishin ato të Shtabit Mesdheut si edhe dokumentat e arkivit të ministrisë Jashtëme amerikane.   Të mendosh të vërtetosh datë historike i bazuar në dokumenta të përgjithëshme ku vetë Shqipëria ishte një sasi e papërfillëshme pa le një datë e ngjarjeve të saj, të them të drejtën nuk mu duk shumë bindëse.   Po pastaj të marrësh e t’u japësh kujtimeve të një të panjohuri vlerësimin si dokument bindës, kjo shkel çdo kriter shkencor !  Pa le që atij, duke dijtur se kish të bënte me një personalitet të diplomacisë shqiptare, ç’i kushtonte një gënjeshtër e vogël të fitonte híret e këtij të fundit ?   Përgjatë këtij konteksti nuk kam se si të mos e rikujtoj edhe paraqitjen që i bëri kohë më parë profesor Milua letrës së shkruar nga Mehmet Shehu para … vetëvrasjes, ku nuk na u dha teksti i plotë me justifikimin e ruajtjes së sekretit arkivor për tre dhjetvjeçarë por, ashtu i cungët, duhej pranuar nga ne si dokument historik !(?)  
E përgjatë kësaj vazhde profesor Milua, duke mos e përballuar dot më trysnínë dokumentare të profesor Biçokut si ndaj tij e gjithashtu edhe ndaj profesor Xh.Gjeçovit, të cilit i ballafaqoi dokumenta me data të shtuara më vonë, profesor Milua i u drejtua profesor Biçokut fillimisht me : ik ore, ik more  historian i Mesjetës.   Mirëpo vetëpërmbajtja e profesor Biçokut, duke  patur  për themel edukatën e tij qytetare, bëri që të ngjiste e pabëra.  Profesor Milua e humbi fare  vetëkontrollin  e në vazhdim  guxoi e i tha publikisht :  ik more, ik more, ti që nuk ke kulturë !   Shprehje mëndjemadhësíe ndaj një kolegu apo mungesë e dishkaje shumë më serioze ?   Si t’a konsideroj këtë shfaqje të profesor Milos ?   Sa më ka zhgënjyer kjo sjellje e tij.
Sa i takon çiftit tjetër të profesorëve, profesor Dizhgiu për mua qe shëmbull në ruajtjen e gjakftohtësisë si edhe luajalitetit në mes kolegësh.   Ai erdhi duke e rritur vazhdimisht shkallën bindëse të argumenteve të tij, mbështetur kjo në një etikë për t’u marrë shëmbull.    Përballë tij, faktet që administronte profesor Xh.Gjeçovi, e doemos edhe para fac simileve dokumentare që i paraqiste profesor Biçoku, vlerat argumentuese të profesor Gjeçovit zbeheshin e zbeheshin vazhdimisht.  Ai la shumë për të dëshiruar lidhur me ato që ai i quante fakte.   Sa për një shëmbull mbështetës të argumentit profesor Biçokut lidhur me autenticitetin e dyshimtë të dokumentit të hartuar toskërisht në qytetin e Shkodrës, (që paraqiste profesor Gjeçovi), mjafton t’u referohemi dokumentave arkivale në Arkivin e Shtetit lidhur me shkëmbimet e telegrameve në mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, (i pari në Shkodër dhe i dyti në Tiranë), si me rastin e pushkatimit të 12 viktimave të Kryengritjes Malësisë Madhe e gjithashtu edhe vendimet e tjera gjyqësore për pushkatime po në Shkodër, ku si telegramet e gjithashtu proces verbalet e gjyqeve janë shkruar gegërisht.   
Mbresa shumë bindëse la analisti F.Lubonja.   Ai e shtroi, e trajtoi dhe arriti në përfundimin se dhënja rrugë problemit se me ç’datë është çliruar Shqipëria, është çështje e cila nuk arrihet dot pa një konsensus.   Tek 29 Nëntori, siç e administroi një dokument në mos gaboj profesor Gjeçovi, u arrit me votim.    Nga numurimi i votimit, siç theksoi z.Gjeçovi, pesë vota ishin kundra 29 Nëntorit.   Dakord.   E pranojmë dhe e besojmë plotësisht, se qenë muajt e parë të mbas t’ashtuqujturit çlirim.   Po me kalimin e muajve pa le të viteve, përgjatë periudhës së lavdishme të diktaturës, si vallë shkonte halli i raporteve pro edhe kundra i votimeve ?   Profesor Xh.Gjeçovi bukur e tha se nuk duhej politizuar problemi.   Unë marr lejen dhe e pyes z. Gjeçovi, a i ka kaluar ndonjë herë atij në mëndje të votonte kundra,  përgjatë dhjetravjeçarëve kur parti e popull ishin një e të pandarë ?   Kurse tashti tamam, ai predikon gjykime jashtë politikave.   Po a na e jep ai shembullin personal ?     Marr gjithashtu lejen t’a pyes z.Gjeçovi, nga ajo fotografi e 28 Nëntorit 1944 që ai paraqiti, kur triumfalisht komandanti Enver Hoxha parakaloi para Hotel Dajtit, nga të gjithë komandantët dhe udhëheqësit që e rrethonin atë, sa ndërruan jetë në mënyrë natyrore e sa nuk u burgosën si armiq e tradhëtarë, (veç Hysni Kapos e Myslym Pezës ?)  Le t’a shikojë z.Gjeçovi fotografinë, t’i bëjë llogaritë e të nxjerrë përfundime.  
Insistonin të dy historianët e nderuar se 29 Nëntori ka fakte dokumentare të padiskutueshme se qe i tillë.   Dakord.    Marr lejen dhe i pyes shkencëtarët, që sot duan të na japin neve leksjone se historia duhet gjykuar e papolitizuar, sa herë përgjatë dhjetvjeçarëve të diktaturës u janë ndërruar emrat në tekstet e historisë komandantëve të njësive e formacioneve  partizane ?   Sa shëmbuj të tillë duan zotërinjtë historianë t’u sjellim për  ata që për veprime heroike gjatë luftës dhe të dekoruar mbas çlirimit me tituj heronjësh, jo që u janë hequr emrat sikur kurrë nuk i kanë komanduar ato formacione partizane por edhe mbas hymnizimit për tridhjetë vite radhazi pastaj papritmas u janë harruar meritat e kaluara ?   Këto po, janë gabime që janë bërë (pranojnë sot të papolitizuarit), kurse data 29 Nëntor, jo, ajo nuk u dashka ndryshuar, jo !    Mjafton të kujtojmë autorin e nderuar të teksteve historike për P.P.Sh.-së profesor Ndreçi Plasarin, i cili tri herë, (gjatë periudhash të ndryshëme), botoi tekste historike me të dhëna diametralisht të kundërta !   Cilit prej teksteve të tij t’i besojmë ?
Së fundi, lidhur me shijen e hidhur që më la në gojë mënyra se si profesor Milua i u drejtua kolegut të tij profesor Biçokut tek i tha në fund … hë more, di ti se ç’u tha në Jaltë, marr lejen shumë përvujtësisht e t’i ve në dukje profesorit të nderuar se mos merr yrysh e më thotë edhe mua … e ku di ti që s’je as historian e si pasojë je edhe injorant, e merresh me histori.   Unë sa për kujtesë u  them zotërinjëve Milo edhe Gjeçovi se me sa di unë, e ata e dijnë shumë më mirë se unë, që e kam me të dëgjuar, në  Mbledhjen  e dytë të Avnoji-t, që i zhvilloi punimet në qytetin Boshnjak të Jaice-s nga data 21 e deri më 29 nëntor të vitit 1943, Titua e shpalli Avnojin si autoriteti madhor ekzekutiv.   Ndër rezolutat e asaj mbledhje qenë :
a-Të krijohej Jugosllavija Federative e mbështetur në të drejtën e vetvendosjes dhe  popujt sllavë të jugut, serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit si edhe malazestë të            jetonin në republika kushtetuese me të drejta të barabarta.
b-Të krijohej Komiteti Kombëtar i Çlirimit të Jugosllavisë (NKOJ) me qendër Jaicen  dhe të vepronte si qeveri provizore. 
c-Të caktohej Titua mareshall i Jugosllavisë si edhe kryeministër.
Rezolutat e tjera dalin nga interesi i kësaj paraqitje, (po ju betohem se i di, mos mendoni se nuk i di, profesorë të nderuar).   Pra data 29 Nëntor, dita e mbylljes së mbledhjes së dytë të AVNOJ-it,  u vendos të jetë edhe festa kombëtare e Federatës Jugosllave.  
E tashti vijmë edhe te thelbi i problemit që trajtojmë.   Titoja, me politikën e tij tashmë të stërnjohur të ëndrrës sllave për t’a gëlltitur Shqipërinë, si i kishte ndërtuar themelet e asaj ëndërre ?   Hap mbas hapi ai e kish themeluar Partinë Komuniste Shqiptare si edhe drejtuar gjithë aktivitetin e saj me piksynimin që Shqipërinë së bashku me Kosovën t’i bënte republikë të Federatës Jugosllave.   E profesorët duhet t’i dijnë dokumentat që disponohen në Arkivin e Shtetit, (derisa një syresh e kam parë edhe unë), se si Enver Hoxha i drejtohej Titos me dëshirën e madhe që sa më parë të bëhej aneksimi i Shqipërisë si një nga republikat jugosllave.   Këtu qëndron i gjithë sekreti se përse fillimisht vetë E.Hoxha deklaronte si festë të çlirimit 28 Nëntorin që përputhej edhe me festën e pamvarësisë, (në fjalimin e mbajtur me 28 Nëntor tek tribuna prirët me Hotel Dajtin), e pastaj kohë më vonë, me vendim, (të votuar me vota të fshehta), u vendos të shpallej 29 Nëntori !(?)  
Me kaq e bëra edhe unë paraqitjen e pikëpamjes time të pakërkuar nga askush, por mbështetur thjeshtë në ndjenjë kombëtare si edhe logjikë.  Duke e mbështetur me argumenta të ditur nga profesorët, partizanë dogmatikë të 29 Nëntorit, analizën që z.F.Lubonja i bëri problemit të shikuar më gjerë se sa e lagu apo s’e lagu, dua të bëj një përgjithësim si edhe një thirrje.
Jo me fjalë por vërtet me ndjenjë kombëtare e pa hije politizimi, t’a marrim shtruar problemin e të vijmë në një pleqërim të çështjes.   Historikisht nga veriu si edhe nga jugu na e kanë shikuar atdheun tonë si objekt xhvatje.   Veçanërisht tashti që problemi i pavarësísë Kosovës është kaq i mprehtë edhe aktual, t’a pyesim veten :  a ka vënd që ndërsa Stambolli digjet  të përdalat të krihen ?    Kujt i shërben ajo këmbëngulja që festa jonë e çlirimit të përkojë me ditën e fundit të vendim-marrjeve të AVNOJ-it ?   E kuptoj, jeni nostalgjikë të kohës diktaturës.   Ësht’e drejta juaj.  Po lerini këto ekstremizma të pashoqe dhe bëjani pyetjen vetes a i sjell ndonjë dobí çështjes kombëtare ky konformizëm atavik i rrjedhë nga koha e diktaturës së egër ?
Këtej nga Amerika e largët shohim se si debatohet lidhur me 28 apo 29 Nëntorin.   Në parlament paraqitet mocjoni kundër korrupsjonit, opozita del nga salla !   Në mbledhje mbas mbledhjesh diskutohet pafund a duhet ndërtuar TEC-i në Vlorë apo jo e kur vilet mendimi i disa pjesëmarrësve të papërgjegjshëm, del njeri e thotë Vlorën e kemi na, vlonjatët, pastaj e ka Shqipëria  e kërcënon edhe se po u fillua nga ndërtimi i TEC-it do bëjnë revoltë.   Tamam, të bukur shëmbull marrin nga kamikaxet që po e masakrojnë popullatën irakene.   Pa le pastaj kur na del që edhe problemet tona kushtetuese me vrap e në Venezia apo në Strasburg t’i zgjidhim.   Si ka mundësi që ne nuk duam t’a kuptojmë se duke filluar që nga debati historik, nga i cili mora shkas t’i hedh mendimet e mia në letër, e pastaj në vijim duke u sjellur kësisoji, vetëm se ia ulim vlerat dhe  respektin vëndit tonë në syt’ e botës e asgjë më shumë !

Detroit Nëntor 2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora