E enjte, 28.03.2024, 11:42 AM (GMT)

Speciale

Aleksandër Stipçeviq: Etnogjeneza e shqiptarëve nga ilirët

E merkure, 07.10.2009, 05:24 PM


Ilirologu arbëresh, Akademik Aleksandër Stipçeviq:

ETNOGJENEZA E SHQIPTARËVE NGA ILIRËT

Anton Tomazh Linhart duke u mbështetur tek Thunmani shkruan se gjuha ilire jeton edhe sot. Eqrem Çabej, zhvleftësoi shumë argumente me të cilat  mohohej  lidhja birërore ndërmjet gjuhës shqipe dhe ilire. Gjuhëtari kroat Radosllav Katiçiq  shprehet: Është normale dhe e natyrshme të konsiderohet  se gjuha shqipe ka dalë nga ilirishtja. Shën Jeronimi,  e njihte mirë situatën e pjesës perëndimore të Ballkanit të antikës sepse edhe vetë ishte i lindur ilir. Kultura e Komanit. Etnologjia, kostumografia dhe format muzikore polifone dhe homophone janë karakteristika tipike ilire. Shqiptarët e kanë emrin nga fisi ilir albanoi, “arbanitai” që janë pasardhës të fisit ilir të albanëve- shkruan në kumtesën e ilirologut, arkeologut, balkanologut e studjuesit arbëresh, Akademik Aleksandër Stipçeviq.

1. Po e filloj me J.E.Thunman

Me historianin gjerman J.E. Thunman, i cili  para më se dy qindvjetësahve shkroi për prejardhjen e shqiptarëve në librin e tij, “Hulumtime rreth historisë së popujve të Europës lindore”, nisë një varg shumë i madh shkencëtarësh, të cilët u morën me këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe interesante të paleoballkanikës. A janë shqiptarët banuesit e vjetër, sipas kësaj me grekët, populli i vetëm në Ballkan, i cili nga koha parahistorike, jeton në këtë hapsirë të njejtë, në të cilën edhe sot jeton, ose ata në këtë hapsirë kanë ardhur vonë, në kohën ose edhe pas shpërnguljes së madhe të popujve në mesjetën e hershme? Nëse shqiptarët janë autokton, ç’e argumenton këtë autoktoni dhe nëse janë të ardhur prej nga kanë ardhur?

Thunmani që atëhere duke pasë në dispozicion vetëm burimet historike përfundoi se shqiptarët janë banuesit e lashtë dhe si argument për këtë hipotezë solli dokumentet e shkruara, të ruajtura të mesjetës, në të cilët nuk hasim gjurmën më të vogël  për ndonjë shpërngulje shqiptarësh në vendbanimin e tyre të sotëm. Ky argument edhe sot është i qëndrueshëm dhe në të, me të drejtë, mbështeten të gjithë  ata që mbështesin, ose në të kaluarën kanë mbështetur tezën e autoktonisë së shqiptarëve.

Pas Thunmanit, këtë tezë ë mbrojtën shumë hitorianë, filologë, e shkencëtar të tjerë. Kështu, historiani dhe shkrimtari slloven Anton Tomazh Linhart, në veprën e tij “Pasqyrë e historisë së Kranjës dhe vendeve tjera sllavo jugore në Austri” duke u mbështetur tek Thunmani shkruan se gjuha ilire jeton edhe sot, edhe pse jo e pastër, në mallet shqiptare, (und noch heute, abwohl nicht mehr rein in den Gebirgen Albanienslebt). Në qindvjetëshin e 19-të, tezën e autoktonisë së shqiptarëve e mbështesin shumë shkencëtar, ndër ta vend jashtëzakonisht  të rëndësishëm zë konsulli austriak dhe njohës shembullore i të kaluarës dhe i kulturës shqiptare, Johan Gerog fon Hani, me veprën e tij të rëndësishme “Studime shqiptare I-III”. Hani, duke i mbështetur konkludimet e veta në njohjen e thellë të burimeve historike dhe të historisë  së gjuhës shqipe, është i pari, që tezën e autoktonisë së shqiptarëve e vendosi në baza të shëndosha e solide shkencore.  Meritë e tij e veçantë është se tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor kah toponimistika, si lëndë e rëndësishme për studimin e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Shpjegimi i tij i disa emërtimeve ilire të vendeve, me ndihmën e gjuhës shqipe, si p.sh. Dalmacia nga delme = dele, Ulcinium nga ulk = ujk dhe shumë e shumë të tjerë, që deri më sot mbeten në fuqi.

2. Në shekullin e XIX vazhdojnë hulumtimet

Teoria e autoktonisë së shqiptarëve dhe e prejardhjes së drejtëperdrejtë nga ilirët qe e pranueshme në tërsi, deri në fund të shekullit të XIX-të, kur disa gjuhëtar, njohës të mirë të gjuhëve të vjetra ballkanike, nisën të theksojnë se gjuha shqipe nuk është  zhvilluar nga ilirishtja, por nga trakishtja dhe sipas kësaj, as shqiptarët nuk mund të konsiderohen pasardhës të ilirëve, por të trakasve.  Përfaqsues kryesor të kësaj teorie, në fillim, ishin filologët e njohur K. Pauli (1891) dhe H.Hirti (1898), e pas tyre edhe shumë të tjerë.  Sipas kësaj teorie, gjuha shqipe nuk ka mundur të zhvillohet në  zonën në të cilën ajo flitet sot, por në brendësi të Ballkanit, në zonën në të cilën, në kohën antike, jetonin trakasit dhe prej saj del se shqiptarët nga këto treva janë vendosur në trojet ku jetojnë sot. Për mendimet e këtilla si argument sillen ngjashmëritë ndërmjet gjuhës rumune e shqipe.

Nëse është e vërtetë kjo që, sipas kësaj teorie dëshirohet të argumentohet si e tillë, shtrohet pyetja: kurë shqiptarët nga brendia e Ballkanit u shpërngulën kah perëndimi? Sipas të parëve  (V.Parvan) kjo ngjau ne shekullin e III ose të IV të erës sonë, pra që në kohën e mbretërisë romake, ndërkaq sipas të dytëve, u vendosën në kohën e dyndjeve  të popujve në mesjetën e hershme (K. Juriçeku) dhe sipas të tretëve mendohet se tek kjo dyndje gjithsesi arrihet pas vendosjes së sllavëve në këto anë (A.M. Selishçev, J. Popoviq), ndonjë prap beson se shqiptarët atje kanë mundur të paraqiten në kohën  turke (F. Kordinjano).

Megjithate, teoria trakase nuk është e vetmja me të cilën përpiqet të pengohet autoktonia e shqiptarëve dhe prejardhja e tyre ilire. Linguisti bullgar Vlladimir Georgiev gjeti ngjashmëri ndërmjet gjihës shqipe dhe asaj dako-mizike andaj përfundon se shqiptarët janë shpëngulur nga vendbanimet e Dacisë antike. Të tjerët prap, gjithnjë duke u nisur nga studimet gjuhësore, arrijnë në përfundimin se shqiptarët rrjedhin nga simbioza gjuhësore iliro-trakase, sipas kësaj edhe  i simbiozës etnike (N. Jokli), të tjerët tek shqiptarët shohin pasardhësit e trakasve të ilirizuar etj.

3. Eqrem Çabej argumenton lidhjen e gjuhës iliro-shqiptare

Mirëpo, duke studjuar këtë çështje, shumë përfundime në të cilat arrijnë gjuhëtarët e së kaluarës i mbështesin në hulumtimet e pamjaftueshme të gjuhës shqipe, sidomos të historisë së saj. Hulumtimet intensive që kohën e fundit i ndërmorrën gjuhëtarët shqiptar në rend të parë gjuhëtari Eqrem Çabej, zhvleftësuan shumë argumente me të cilat deri sot mohohej  lidhja birërore ndërmjet gjuhës shqipe dhe ilire. Pikërisht njohja e pamjaftueshme e lëndës gjuhësore shqiptare nxiti shumë shkencëtar të përfundojnë se shqiptarët nuk kanë terminologji vetiake detare dhe peshkatare dhe këtë e merrnin si argument se shqiptarët nuk kanë mundësi  t’i banojnë zonat bregdetare, ku kjo terminologji ka qënë e nevojshme, pra pranë detit.  Por, u tregua se, ky përfundim është i pasaktë, sepse shqiptarët kanë terminologji shumë të pasur detare dhe peshkatare, për ç’gjë gjuhëtarët e moçëm, thjeshtë nuk dinin se ekzistonte.

4. Radosllav Katiçiqi: gjuha shqipe ka dalë nga ilirishtja

Është interesante së gjuhëtarët, natyrisht jo të gjithë, të cilët argumentet e veta i mbështesin gati kryesisht në studimin e gjuhës shqipe e të gjuhëve ballkanike, mohonin lidhjen ndërmjet shqiptarëve dhe ilirëve, në kohën më të re, gjithnjë sjellin argumente më të shumtë, me të cilat këtë lidhje e argumentojnë dhe kështu pikërisht gjuhëtarët u bënë kundërshtarët kryesor të teorisë së autoktonisë së preajrdhjes së shqiptarëve. Dhe, këto argumente vërtetë janë bindëse. Në mesin e tyre është p.sh. edhe e dhëna se në gjuhën shqipe janë ruajtur huazime nga dialekti dorik i gjuhës së vjetër greke, të cilat, është e qartë, i huazuan ilirët në periudhën antike nga kolonistët grek në trojet ilire (Apidamnos, Apollonia, Orikon etj), me të cilat ilirët jetuan në simbiozë një kohë shumë të gjatë. Sa për ilustrim po përmendim fjalët  b l e t ë e cila ka prejardhje nga fjala greke fjala  m o k ë n ë, mulli rottaiv dore në të cilën dallojmë fjalën greke etj.  Emrat e shumtë të vendeve të kohës antike janë ruajtur në gjuhën e sotme shqipe, në ato forma në të cilat më shpesh mund të shpjegohen me ligjshmëritë fonologjike të gjuhës shqipe.  Në rezultate të ngjashme kanë arritur gjuhëtarët  duke studjuar antroponiminë dhe çështje tjera gjuhësore. Kjo pati si pasojë se edhe gjuhtarët gjithnjë e më shumë po përqafojnë teorinë e prejardhjes së drejtëpërdrejtë të gjihës shqipe nga gjuha ilire (V.Pisani, Ë. Cimohovski etj.), ndërkaq gjuhëtari zagrebas Radosllav Katiçiq, qëndrimin e vet për këtë çështje e ka përmbyllur në fjalinë: “Është normale dhe e natyrshme të konsiderohet  se gjuha shqipe ka dalë nga ilirishtja”. Ky gjuhëtar hodhi poshte prejardhjen trakase, sepse mendon se ngjashmëritë ndërmjet gjuhës shqipe e rumune nuk mjaftojnë për të nxjerrë përfundime për lidhjen e tyre gjenetike.

Teorinë trakase e kundërshtoi ashpër edhe filologu Italian Vitore Pizani, i cili me të drejtë vëren se “ nëse në periudhën antike në Shqipëri është folur gjuha ilire, nuk shoh se si popullsia e Shqipërisë këtë gjuhë ka mundur ta zëvëndësojë me trakishten”, gjegjësisht, “ nëse pandehim se ata deri në okupimin romak kanë folur ilirishten, nuk shoh se si kanë mundur ta zëvëndësojnë gjuhën e vet me gjuhën e një populli tjetër i cili kurrë nuk e ka sulmuar ose okupuar Shqipërinë”. Mirëpo, sadoqë lënda gjuhësore dhe interpretimi i saj është me rëndësi të dorës së parë për studimin e problemit të etnogjenezës së shqiptarëve, prap duhet theksuar se kjo lëndë nuk është e vetmja, me të cilën përpiqet të ndriçohet  ky problem. Me rëndësi të veçantë janë rezultatet e reja të hulumtimeve arkeologjike, të cilat gati në heshtje të plotë të burimeve  historike, për periudhën nga shekulli i VI e deri ne shekullin e XI se çka ngjarë në këtë pjesë të Ballkanit, ofrojnë mbështetje më bindëse për ndjekjen e fatit  të banorëve të vjetër gjatë mesjetës së hershme. Në Këto rezultatet duhet konsideruar edhe ata që, në kohën më të re, kanë shënuar shkencat tjera, p.sh. etnologjia, antropologjia etj. Me hulumtimin e këtij problemi kompleks sot mirren shumë specialistë, në rend të parë shqiptar. Për problemin e etnogjenezës së shqiptarëve është diskutuar në tubimin shkencor, i cili u organiua në Tiranë më 1969. Në aktet e këtij tubimi, të cilat më parë u botuan në gjuhën shqipe e pastaj edhe në gjuhën frengjishte me titull “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve, (Tiranë 1971), hasim punime në të cilët këtë problematikë  e ndriçojnë nga aspekti gjuhësor (E.Çabej, J. Gjinari etj). Edhe një konferencë e ngjashme me titullin “Konferenca kombëtare për gjenezën e popullit shqiptar, gjuhën dhe kulturën e tij”, me pjesëmarrje të shumë specialistëve të huaj, u mbajt në Tiranë më 1982. Këtij problemi pjesërisht i kushtohet edhe Kuvendi i parë i studimeve ilire (Tiranë 1972), poashtu me pjesëmarrje të specialistëve të shumtë të huaj, në mesin e të cilëve pati edhe nga Jugosllavia titiste.

5. Ndihmesa e disiplinave tjera shkencore

Gjithë kjo pati për pasojë, se sot problemet që lidhen me etnogjenezën e shqiptarëve pakrahasueshëm janë me të njohur se sa kanë qënë para njëzet vjetësh.

Të shohim tani se si me ndihmenë e disiplinave shkencore i shkoi përdore specialistëve të hudhin shkëndija drite në rrethanat e kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor, në kohën e mesjetës së hershme dhe se si sot, përballë shumë paqartësive dhe problemeve të panjohura mund të përcillet procesi etnogjenetik, i cili solli krijimin e popullit shqiptar në hapsirën gjeografike në të cilën jeton sot.

Në kohën parahistorike, në hapsirën ku sot jetojnë shqiptarët, kanë jetuar fise të ndryshme ilire, në mesin e të cilëve edhe një, i cili për problematikën tonë, është me rëndësi të veçantë, emrin e të cilit nuk e ka ruajtur gjeografi grek Ptolomeu në qindjvetorin e dytë të erës sonë. Ky është fisi Albanoi me kryeqytetin Albanopolis. Dimë se ky fis është ne pjesën qëndrore të Shqipërisë së sotme dhe se Albanopolisi, sigurisht ka qënë në Zgjerdhesh në afërsi të Krujës, ku janë zbuluar relikte monumentale të fortifikimeve, ndërtimeve etj. Në kohën e sundimit të gjatë romak në disa krahina, sidomos nëpër qytete dhe në rrethinën e tyre është krijuar një lloj simbioze, më parë greko-ilire e më vonë edhe iliro-romake. Në qytetet e mëdha siç kanë qënë: Apollonia, Scodra, Dyrrachiumi, Lissusi e të tjerë, në kohën romake vijnë kolonistë italic, të cilët imponojnë gjuhën e vet latine, si gjuhë të administratës , ushtrisë dhe në përgjithësi në jetën publike. Ata me veti sjellin teknologji, më të përparuar për ndërtimin e enëve të baltës, për përpunimin e metalit, ndërtojnë rrugë të shkëlqyera, nëpër të cilat, bashkë me ushtrinë do të vijnë nga Italia dhe nga krahinat tjera të Perëndorisë romake prodhime të ndryshme kulturore, si dhe ide të reja e religjione të reja.  Prodhimi serik i mallit të konsumit të përgjithshëm, do të sjellë stagnimin dhe rënjen e kulturës tradicionale materiale vendase dhe në bazë të pranisë së punëtorive romake, në qytetet e vendbanimet ilire, ka nxitur shumë hulumtues të sotëm, ta mbiçmojnë intensitetin e romanizimit. Fakti se ilirët as në jug, as në pjesët tjera të Ballkanit nuk kanë hartuar alphabet kombëtar dhe se mbishkrimet varrore e në objekte tjera i kanë shkruar kryesisht në gjuhën latine ose greke dhe më shumë i ka kontribuar sjelljes së përfundimeve të pasakta për romanizimin e krahinave ilire.

Në të vërtetë, anasit e vjetër të Ilirisë Jugore, përkundër ndikimit në një kohëzgjatjeje shumëshekullore të bashkëjetesës që kanë ushtruar kolonistët grekë, pastaj romakë, vazhduan ta jetojnë jetën e vet, ta flasin gjuhën popullore, të besojnë në hyjnitë e veta të moçme, të shërohen me ilaçe të moçme popullore etj. Ndërkaq, romakët nuk kanë qënë gjithaq të interesuar patjetër të denacionalizojnë vendin që kanë okupuar, andaj në ato vende kanë pasur qëndrim tolerant ndaj vendasve, ndaj kulturës së tyre, gjuhës e religjionit.  Pikërisht në Ilirinë e Jugut, për këtë kemi argumente bindëse: jashtë vendbanimeve urbane, kazamateve ushtarake, qendrave xehëtare dhe vendkruqëzimeve të mëdha nuk gjejmë mbishkrime në gjuhën latine. Në brendësi, populli, pa u penguar nga ardhësi-ardhacakët, vazhdoi ta jetojë jetën e vet e ta flaës gjuhën e vet. Sa i përket gjuhës, kemi argumente pikërisht nga antika e vonë, për më tepër Shën Jeronimi, i cili sigurisht e njihte mirë situatën e pjesës perëndimore të Ballkanit në kapërcyell të antikës sepse edhe vetë ishte i lindur ilir, shënon në shekullin e V, në jetëshkrimin e vet për shën Hilarionin, se në rrethinën e Epidaurumit (Cavtatit të sotëm), flitet në gjuhën e vendit e këtë gjuhë të vendit e përmendë edhe një herë në komentet e veta të Isaisë si “gentilis barbarusque sermo”.

6. Emrat e përdorur ilir

Fundin e antikës dhe dyndjen e popujve dhe dyndjen e popujve, krahinat e ilirëve të jugut e pritën me popullsi romane e me vendëse të romanizuar ose gjysëm të romanizuar në qendrat urbane e me popullsi autoktone në brendësi. Sidomos, kjo popullsi e paromanizuar qe e pranishme në vendkalimet malore, vështirë të arritshme, të cilat kurrë nuk kanë qënë të nënshtruara procesit të romanizimit. Megjithëkëtë, edhe ajo shtresë e popullsisë vendase që u romanizua nëpër qytete ose në afërsinë e tyre, nuk e kishte harruar prejardhjen e vet, siç mundet bukur mirë të argumentohet me faktin se me këmbëngultësi, fëmijve të vet i vënë emra të vjetër ilir, si p.sh. Pletor, Gentius, Tata, Anula dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët i lexojmë nëpër monumentet mbivarrore të shkruar në gjuhën latine ose greke. Përveç tjerash në këto monumente, jo rrallë hasim të latuar heronj vendës të veshur me rroba popullore, nga e cila mund të shihet mirë se me çfarë këmbëngulje ilirët ruanin tiparet kombëtare dhe identitetin e vet nacional.

Ndarja e mbretërisë në qindvjetëshin e katërt të erës sonë në ate të lindjes dhe të perëndimit, e cila ilirët e jugut i mbërtheu në përbërje të perandorisë lindore romake, si dhe shtegëtimet afatshkurte të gotëve e hunëve në qindvjetëshin e pestë nuk sollën kurrfarë ndryshimesh të rëndësishme etnike. Ndryshime të këtilla nuk ndodhën as në periudhën e dyndjes së popujve as shtegëtimeve të  avarëve e sllavëve, sepse e kemi të njohur dhe të ditur nga burimet historike, se kjo zonë ilire, në këtë kohë, nuk u gjet në sulmin kryesor të valës migracionale avaro-sllave. Shprishje më të mëdha etnike nxiti përqëndrimi i mëvonshëm i sllavëve si pasojë e invazionit bullgar nga gjysma e dytë e shkullit  të IX deri në fillim të shekullit të XI dhe ate pikërisht në jug të Shqipërisë së sotme, si dhe zgjërimi i elemntit sllav në Shqipërinë Veriore.

Burimet shumë më të mangëta historike nga mesjeta e hershme, që kanë të bëjnë me zonën e krahinave jugore ilire, vështirë mund të na ndihmojnë për rekonstruimin e gjithë asaj që ka ngjarë me popullsinë e vjetër banuese, por që për etnogjenezën e shqiptarëve ka rëndësi shumë të madhe. Sa ka qënë numri i ardhacakëve, në rend të parë atyre sllavë,  në atë zonë dhe a kanë pasur sukses tia imponojnë  vendësve gjuhën e kulturën e vet deri në atë masë, sa që ta ndryshojë përbërjen etnike të popullsisë, ashtu siç ka ngjarë kjo në zonat tjera të Ballkanit perëndimor?

7. Arkeologjia- Kultura e Komanit

Për zbërthimin e kësaj pyetjeje themelore kemi në disponim një lëndë shumë të pasur arkeologjike, të rrëmihur në pjesën më të madhe në këta dhjetëvjetëshit e fundit, pastaj edhe rezultatet e disiplinave tjera shkencore.

Më parë, të shohim ç’thonë për këtë çështje gërmimet arkeologjike. Në kalimin nga shekulli i kaluar në këtë shekull, në Shqipëri, në afërsi të Kështjellës “Kalaja e Dalmacies”, në fshatin Koman, është zbuluar e para nekropolë e rëndësishme e mesjetës së hershme. Gjetjet e shumta më të reja të kësaj kulture, e cila sipas gjetjes së parë u qujat “Kultura e Komanit” dhe, e cila pati lulëzuar ndërmjet shekujve VI dhe VIII të erës sonë, arkeologëve u mundësuan të kenë njohuri në detaje për kulturën materiale pikërisht të kësaj periudhë, e cila fort pak, ose aspak, ka qënë e njohur nga burimet e shkruara.

Në kohën e njohjes së pakët të kësaj kulture, specialistët supozonin se bartësit e kësaj kulture janë sllavët dhe të tjerët, ndërkaq në tipologjinë e mjeteve të gjetura vërenin tipare të kulturës avare dhe në bazë të kësaj argumentonin praninë e sllavëve, gjegjësisht avarëve në Shqipërinë veriore. Lidhur me këtë kulturë, sot shumëçka është më e qartë, prejse arkeologët gjetën dhe hulumtuan tridhjetë nekropola me material shumë të pasur, i cili tipologjikisht i përkiste kësaj kulture.  Që në fillim u tregua se lënda e gjetur në këtë nekropolë, në pjesën më të madhe nuk është e përpunimit as sllav, as avar, por i përkiste popullsisë e cila edhe më parë banonte aty. Padyshim, materiali i zbuluar nga gërmimet në varreza, kishte karakteristika të kulturës autoktone ilire dhe mjeteve tjera të stolisjes, të cilat tipologjikisht ndërlidhen drejtëpërdrejti me ilirët. Dukuria e disa simboleve religjioze ilire, në disa nga këto mjete, të cilat për nga forma dhe përmbajtja, dukshëm janë identike me simbolet religjioze ilire parahistorike, tregon qartë se punonjësit e tyre dhe ata që i kanë mbajtë ato mjete në mesjetë i kanë dhënë atyre atë kuptim të njëjtë simbolik, që kanë pasur ato në kohërat parahistorike në këtë hapsirë. Për lidhshmërinë e kësaj kulture mesjetare me ate parahistorike, flet edhe fakti se forma e varrezave është identike si edhe në kohën parahistorike. Bartësit e kësaj kulture mesjetare kanë varrosur të vdekurit e vet në varreza të cilat kanë qënë të ndërtuara me pllaka vetikale gurore, ashtu siç kanë vepruar ilirët e kësaj hapsire para shumë qindvjetëshëve.

Megjithate në këtë kulturë mund të vërehen lirisht elementet e kulturës së vonë materiale të provincës romake, elemente të kulturës bizantine, gjithashtu edhe elemente të kulturës slave dhe avare. Gjithë kjo na zbulon se në mesjetën e hershme në zonën e Ilirisë Jugore u shprehën në kulturën materiale dhe shpirtërore të vendësve të gjithë faktorët relevant etnik, politik dhe kulturorë të kësaj kohe në këtë pjesë të Ballkanit.

Por, prania e elementeve të përmendura joautentike në kulturën e Komanit nuk ndryshojnë veçoritë kryesore të kësaj culture. Jashtë çdo dyshimi, se kjo kulturë është kulturë dhe vepër e popullatës vendase dhe se elementet joautokton, që u përmendën nuk mund të shpjegohen si faktorë për pjesëmarrje të rëndësishme të popullatës jovendase në krijimin e kësaj kulture, si dhe as për prani të rëndësishme të elementeve të huaj etnik, të cilët dukshëm do ta shprishnin strukturën etnike të këtyre anëve në mesjetën e hershme.

Përkundër kësaj teze, shpesh përdoret fakti se në Shqipërinë mesjetare, shumë të shpeshta janë emrat sllav të vendeve me ç’gjë, dëshirohet të argumentohet se elemnti etnik sllav ka luajtur një rol të rëndësishëm për ndryshimet etniketë këtyre anëve, se sa që tani del nga materiali arkeologjik.

Ky argument vetëm sipërfaqsisht sjell në dyshim konstatimet e dhëna më lartë. Mirëpo, është e vërtetë se janë të shumta toponimet slave në Shqipërinë mesjetare, një numër mjaft i madh sosh është ruajtur deri në ditët e sotmeqë mund të shërbejë si argument i pranisë slave në këto anë, ku është formuar populli shqiptar, por poashtu është e vërtetë se në këto anë edhe atëhere edhe sot, jetojnë shqiptarët, që tregon se ardhacakët sllav gjatë kohës, janë asimiluar, respektivisht të shqiptarizuar dhe se ata u bënë njëri nga elementet konstituive të etnogjenezës së shqiptarëve. Lidhur me këto toponime slave, duhet shtuar se ata më tepër janë argument i shtrirjes së shtetit bullgar, maqedonas dhe serb në këto krahina, se sa dokument për praninë e madhe të elementit etnik sllav. Për ate se është kështu, vërteton edhe e dhëna se mbreti Konstantin Porfirogenet, në qindvjetëshin e dhjetë, disa qytete në Shqipëri ende i quan me emrat e tyre të moçëm (antik) dhe shumë shpejt pas kësaj këto qytete të njejtë në burime që do të dalin i quajnë me amra sllav.

Emri i ilirëve për shenjëzimin e popullsisë vendase në këtë pjesë të Ballkanit për herë të fundit del në shekullin e VII në aktet “ MIRACULA SANCTI DEMETRII”, kjo ndërkaq është koha e lulëzimit të kulturës së Komanit. Lidhur me këtë shtrohet një pyetje qenësore: ç’ndryshime janë bërë në përbërjen etnike të popullatës vendase në shekuj pas përmendjes së fundit të ilirëve deri në përmendjen e parë të emrit të shqiptarëve në shekullin e XI dhe pse përgjithësisht ka ardhur deri te këmbimi-zëvëndësimi i këtij emir? Poashtu, lidhur me këtë na imponohet edhe një pyetje tjetër, poashtu e rëndësishme: pse banorët e lashtë si emër të tyre kombëtar pranuan emrin e një fisi ilir nga brëndia e vendit, i cili në periudhën parahistorike dhe antike nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm, e nuk morën emrin e ndonjë nga fiset më të njohura, bie fjala të taulantëve, pirustëve etj?

Shumë më lehtë është të shtrohen pyetje të këtilla se san ë ato të jepen përgjigje. Fakti se banorët e lashtë në brendi i kanë ruajtur shumë më mirë doket e veta, gjuhën dhe kulturën e vet kombëtare se sa ata në pjesët bregdetare të Shqipërisë së sotme të cilët ishin të ekspozuar procesit shumë më intensive të romanizimit, mund të na shërbejë si mbështetje për shpjegimin e pyetjes pse albanoit e moçëm (antik) u bënë faktor kaq i rëndësishëm  në Shqipërinë mesjetare. Gjithsesi, nuk është i parëndësishëm fakti se kultura e hershme mesjetare e Komanit u zhvillua më intensivisht në brëndinë e Shqipërisë së Mesme dhe Veriore dhe se njëra nga nekropolat më të mëdha të kësaj kulture gjendet në Shqipërinë e Mesme, në Krujë, pra pikërisht në atë zonë, në të cilën në kohën antike jetonte fisi ilir ALBANOI, dhe ku gjendej qyteti i tyre kryesor ALBANOPOLIS. Asgjë e jashtëzakonshme, pra, që banorët antik vendas dhe ata të moçëm, të cilët emrin e vet kombëtar e ruajtën gjatë okupimit romak, e ruajtën po këtë emër edhe atëhere kur Perandoria Roake u shpartallua. Në çrregullimet e shumta që ndodhën në fund të antikës dhe në mesjetën e hershme , zona në të cilën jetonte ky fis u bë jashtëzakonisht e rëndësishme. Këtu do të zhvillohet një nga qendrat më të forta  kulturore të kulturës autoktone mesjetare, ndërkaq albanoitët do ta ruajnë emrin e tyre nacional  të cilin shkrimtarët bizantin nga qindvjetëshi i njëmbëdhjetë e këndej do ta quajnë popull të zonës Albanon e cila qendrën e vet e ka pasur në Krujë. Prandaj, nuk duhet në mënyrë të veçantë të argumentohet se arbanonët, të cilët shkrimtarët bizantin i quanin “arbanitai” e ngjashëm, në të vërtetë janë pasardhës të fisit ilir të albanëve.

Kjo ruajtje këmbëngulëse e emrit fisnor, në të njejtin vendbanim, më parë dëshmon për vazhdimësinë etnike dhe veç kësaj përjashton mundësinë se arbanitait mesjetar kanë ardhur  nga diku, sepse është e pabesuar që ardhësi dhe ardhacakët ta kenë lënë emrin e tyre nacional dhe ta kishin marë e pranuar emrin e një fisi të huaj të cilin e gjetën në atdheun e ri. Në të vërtetë, pikërisht fakti se në mesjetë është ruajtur emir fisnor i albanëve ilir për shenjëzimin e banorëve të kësaj ane është dokumenti më bindës i vazhdimësisë etnike iliro-shqiptare.

Indicie për rolin e rëndësishëm që albanoit kanë luajtur në mesjetë më shumë se sa në kohërat e vjetra gjejmë në faktin se Kruja një kohë të gjatë ka qënë qendër me rëndësi e Shqipërisë mesjetare. Këtu e ka pasë selinë e vet kryeipeshkëvi, i cili është quajtur “EPISCOPUS ALBANENSIS”, këtu ka qënë edhe qendra politike e Albanonit. Me kalimin e kohës emir arbanoi, albanenses e të ngjashëm, i cili më parë ka shenjëzuar banorët e zonës Arbanon, që ka qënë shtrirë si duket në Shqipërinë e Mesme, ndërmjet Durrësit dhe Dibrës, do të shtrihet edhe tek pjestarët tjerë të këtij populli, kurse gjuha të cilën ky popull e ka folur do të quhet gjuha arbëreshe.

8. Etnologjia, veshjet ilire-xhubleta këmbanë

Përveç argumenteve të përmendura gjuhësore dhe arkeologjike, në dobi të vazhdimësisë iliro-shqiptare, vlen të përmendet se edhe shkencat tjera, në kohën e fundit kanë identifikuar lidhjet gjenetike ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve. Rezultate të rëndësishme kanë sjellur etnologët, të cilët në kulturën materiale dhe shpirtërore  të shqiptarëve të sotëm zbulojnë elemente të kulturës ilire.  Kështu, qysh Franc Nopça, më 1910, pat konstatuar se ca forma të veshjes popullore shqiptare vijnë drejtëpërdrejti nga veshja që ka qënë në përdorim në këtë hapsirë nga koha parahistorike. Këtu në rend të parë është fjala për tipin e fustanes së mbledhur në formë të këmbanës (zilit), të quajtur chubletë, e cila është pasqyruar në shuë monumente ilire të kohës antike dhe e cila pandryshuar është ruajtur deri në ditët tona në krahinat kodrinore të Shqipërisë Veriore, mandej në zonat e fisit të Këlmendasve në Kosovë dhe tek shqiptarët në Mal të Zi. Ky tip i veshjes në Ballkan është shumë i lashtë  dhe nuk e kanë përdorur  vetëm ilirët, por fakti se është ruajtur vetëm tek shqiptarët e vendeve malore dhe vështirë të kalueshme, ku përndryshe janë ruajtur edhe shumë reliktë të tjera të kohës parahistorike, është një argument  bindës se xhubleta është me prejardhje ilire.

Shqiptarët kanë rajtur edhe një numër shumë të madhe elementesh  tjera të veshjes popullore, të cilët në periudhën parahistorike dhe antike kanë qënë pjesë përbërëse  e veshjes ilire. Me rëndësi të veçantë është veshja e gjatë, të cilën romakët e quanin “dalmatica”. Edhe kjo është ruajtur tek shqiptarët, por edhe tek popujt tjerë të Ballkanit. Rast i ngjashëm janë edhe opingat, prejardhja e të cilave nga koha parahistorike është e padiskutuar, mandej mbulesa të lloj-llojshme të kohës etj etj. Secili nga këto elemente të veshjes popullore shqiptare veç e veç  nuk flet në mënyrë eksplicite për vazhdimësinë iliro-shqiptare, siç është rasti me xhubletën, port ë gjitha këto relikte të veshjes popullore  ilire së bashku, krijojnë  inventarin e veshjes   shqiptare, të cilat mbështesin teorinë autoktone të preajrdhjes së shqiptarëve.

Etnologët na kanë dhënë shumë elemente tjerë të cilët mbështesin këtë teori. Të përmendim rastin e kalendarit shumë të lashtë,  i cili vitin e ndanë në tetë periudha kohore me 45 ditë për secilën dhe vitin e niste më 25 prill, dmth në fillim të përtrirjes së ciklitbiologjik në natyrë. Ky kalendar tërheq rrënjët e veta të thella që nga kohërat e lashta parahistorike dhe antike, sigurisht edhe nga koha parailire, ndërsa është ruajtur i pandryshueshëm  tek malësorët e Bjeshkëve të Nemuna, bjeshkë të pashkelura de të lashta, që janë si dëshmitar i gjallë i vazhdimësisë antike në këto male, që nga parahistoria e deri në ditët tona të sotme. Më tej, rëndësi të madhe ka fakti se në folklorin bashkëkohor muzikor shqiptar paraqiten disa karakteristika (format polifone në jug e ato homophone në veri) që shpjegohen me dallimet e formave muzikore që kanë ekzistuar në këtë hapsirë që në periudhën parahistorike. Këtë dukuri, ndërmjet tjerash, poashtu e kemi edhe në Bosnjë e Hercegovinë, që konsiderohet poashtu relikt i kohës së lashtë ilire.

9. Religjioni dhe simbolet e kultit

Shumë të gjalla, poashtu janë reliktet ilire në besimet popullore shqiptare lidhur me gjarpërin, kafshën, e cila në religjonin e lashtë ilir, sidomos në religjionin e besimit të ilirëve jugor, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, mandej nesimet lidhur me kalin si kafshë autoktonike etj.et. Analizat në imtësira të onomastikës popullore, pastaj e disa riteve të vdekjes, vallëzimit popullor dhe të shumë fshave  tjera të jetës të shqiptarëve na çojnë në burime të largëta ilire dhe nëse nuk është e mundur për secilën nga ngjashmëritë ndërmjet dokeve ilire, shqiptare, besimeve etj të konstatohet se paraqesin argument për vazhdimësinë iliro-shqiptare, nuk mund të mohohet vlera e atyre ngjashmërive për studimin e kësaj vazhdimësie.

Teza se shqiptarët në periudhën antike ose në mesjetë, në trojet ku sot jetojnë janë të ardhur nga diku dhe se nuk ekziston lidhja etnogjenetike ndërmjet banorëve të lashtë ilir dhe shqiptarëve, niset nga supozimi se ilirët janë zhdukur që para ardhjes së shqiptarëve, se ilirët janë zhdukur si popull, dmth, janë romanizuar në atë shkallë sa që në periudhën antike kanë humbur gjuhën e vet dhe identitetin e vet nacional. Një hipotezë e ketillë ndërkaq jo vetëm që është e kundërt me faktet prej të cilëve disa i sollëm por edhe metodologjikisht është e gabuar, sepse  pikënisjen e ka në mendimin e papranuar  për ekzistimin e shtresave etnike të ndara ashpër, të cilat në atë hapsirë janë zëvëndësuar njëra pas tjetrës. Dihet se shtresat e këtilla në histori janë jashtëzakonisht të rralla dhe se rregullisht ardhacakët përzihen me vendasit dhe se nga kjo përzierje lindin krijime etnike, amalgame etnike të cilat  herë bartin emrin e ardhacakëve e herë emrin e vendasve.  Në Ballkan në kohën e antikës, së vonë, dhe të mesjetës së hershme, popujt sllavë, të cilët nga lindja kishin vërshuar pjesën perëndimore të Siujdhesës Ballkanike, në të cilën kanë jetuar ilirët, vendasit e romanizuar dhe ardhacakët nga Italia e nga vise të tjera të perandorisë romake, asimiluan pjesën më të madhe të popullatës vendase, duke ua imponuar gjuhën dhe kulturën e vet. Në të njëjtën kohë ata nga vendësit pranuan shumë doke, njohuri teknologjike, besime, forma muzikore, veshje, etj. Mirëpo sllavët nuk arritën t’i  sllavizojnë menjëherë qytetet e mëdha përgjatë detit  si dhe zonat në të cilat sot jetojnë shqiptarët. Këtu, në këto anë, elementi vendës arriti ti asimilojë atë numër të vogël enklavash slave dhe të tjera dhe kështu ta ruajë gjuhën dhe identitetin e vet kombëtar.  Ky process i asimilimit nuk është e mundur  të konstruktohet, porse rezultatet në të cilat ka rritur shkenca për prejardhjen e shqiptarëve  shprishi shumë dyshime të mëparshme dhe shpjegoi shumë paqartësi. Për më tepër, teorive për dyndjen e shqiptarëve  në zonat në të cilat sot jetojnë nuk i shkoi për dore  as më heret të japin përgjigje  gjegjëse  në pyetjen të cilën qysh Thunmani e pat shtruar dhe të cilën edhe sot e konsiderojmë  shumë të rëndësishme për problemin e etnogjenezës së shqiptarëve. Ti shtojmë këtij argumenti  pyetjen: a është e mundur që një dyndje e këtillë të mbetej e pavërejtur dhe e paregjistruar në aktet bizantine e të ngjashme dhe në burimet historike të asaj kohe.  Nuk duhet të harrojmë se, sikur këto teori për ardhjen e shqiptarëve të ishin të vërteta, atëhere shqiptarët do të duhej të vendosen në afërsi të Dyrrachiumit dhe të qyteteve të tjera të rëndësishme nën administratën bizantine  dhe sigurisht do të duhej ta vërenin ardhjen e tyre, njësoj siç kanë regjistruar dyndjen ose bile edhe vetëm kalimin e popujve tjerë në kohën e mesjetës. Jo vetëm në burimet historike, por as në traditën popullore të shqiptarëve nuk hasen gjurmë për ndonjë ardhje të tyre në këto anë dhe një gjurmë e këtillë  sikur të ekzistonte, do të ruhej në përralla ose këngë dhe të shpjegonte se ka ngjarë një dyndje e këtillë.

10. Përfundim

Gjithë ate që sollëm në këtë shënim, padyshim flet për shqiptarët si banorë të lashtë, gjegjësisht si pasardhës të drejtëpërdrejtë të ilirëve të moçëm. Nga kjo, natyrisht, nuk nënkuptohet se vetëm ilirët morën pjesë në etnogjenezën e shqiptarëve, por ama, elemnti i vendasve të moçëm ilir, ka qënë ai faktor i cili  në atë etnogjenezë ka luajtur rol vendimtar. Por nuk ka fije dyshimi se shqiptarët janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të ilirëve.

(Ky studim i ilirologut arbëresh Akademik Aleksandër Stipçeviq, është botuar në sllovenisht në edicionin “Albanci”, në “Cankarjeva založba” Ljubljana, më 1984.)


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora