E enjte, 25.04.2024, 11:39 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Kombëtarja dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë II

E marte, 25.09.2007, 12:30 AM


Nga Besnik Dizdari

Dhe kemi një njoftim të ri, të fundit. Papritmas Shqipëria bie plot 12 vende në Renditjen e FIFA-s për muajin shtator. Kur në gusht qe e 66-ta midis 200 shteteve të Botës. E prapseprap, edhe e 78-ta na duket deri diku normale. Tash për tash Shqipëria nuk mund të lëjë mbase më tepër se 140 apo 150 shtete të botës me Kombëtaren e saj, që janë më shumë se gjysma e Botës. Renditja e FIFA-s, sigurisht nuk tregon gjithçka, ndonëse me ndryshimin e llogaritjes së koeficientëve të saj, FIFA ia ka arritur ta afrojë tejet ate në përkim me renditjet e tjera, mbi të gjitha me renditjet që secili shtet ka në garat kualifikuese për Kupat kontinentale dhe botërore.

Le ta shohim tash disi në mënyrë më përimtuese se çka ngjau që Shqipëria zbriti 12 shkallë në Renditjen e FIFA-s mbrenda një muaji dhe mbas një ndeshje të vetme, ate me Holandën për Kupën e Evropës. Shkaku zbulohet menjëherë: humbja me hollandezët, të cilët kanë fituar 71 ndeshje në Kupën e Evropës, ndërsa Shqipëria vetëm 10 në 45 vjet! Dhe Shqipëria e cila nuk ka mundur të përfitojë prej kësaj ndeshjeje një rezultat sado pak të mirë, bie fjala një barazim me gola, që do ta kishte rritur në mënyrë befasuese, sepse rendësia e ndeshjeve të këtilla që varen prej rëndësisë së rivalit, është pika më e lartë e koeficientit të FIFA-s. E dyta është ajo që FIFA e përcakton si “forca e kundërshtarit”. E treta është ajo që quhet “forca rajonale”, kur dihet se sa peshë ka në futbollin botëror Evropa, rajoni ynë kontinetal, nëse mund ta përcakonim kështu. Shqipëria ka humbur një mundësi me humbjen :”dinjitoze” me Holandën dhe ka zbritur në e 78-ta. Ose e 36-ta në Evropë. Dhe është kjo që na intereson më fort se asgjë: Evropa, Renditja e FIFA-s për Evropën, të cilën ia vlen ta japim të plotë, për këte syzim tonin përimtues:

1. Italia 1488
2. Gjermania 1330
3. Holanda 1246
4. Franca 1220
5. Spanja 1178
6. Portugalia 1169
7. Anglia 1165
8. Kroacia 1151
9. Rep. Çeke 1082
10. Rumania 1037
11. Skocia 1025
12. Greqia 940
13. Polonia 926
14. Ukraina 900
15. Suedia 888
16. Turqia 883
17. Serbia 877
18. Rusia 851
19. Danimarka 794
20. Norvegjia 763
21. Rep. e Irlandës 733
22. Izraeli 732
23. Bullgaria 727
24. I.Veriut 707
25. Bosnja – H. 686
26. Zvicra 683
27. Finlanda 678
28. Sllovakia 663
29. Uellsi 551
30. Hungaria 544
31. Belgjika 509
32. Maqedonia 455
33. Qipro 452
34. Bjellorusia 445
35. Sllovenia 429
36. SHQIPERIA 420
37. Islanda 414
38. Moldavvia 413
39. Lituania 398
40. Austria 395
41. Armenia 393
42. Letonia 364
43. Gjerogjia 327
44. Azerbaixhani 287
45. Kazakistani 259
46. Malta 250
47. Estonia 238
48. Lihtenshtejn 166
49. Andora 60
50. Luksemburgu 44
51. Mali i Zi 21
52. I.Faroe 17
53. San Marino 6

Në gjithë këte Renditje, të FIFA– Evropë, del se Shqipëria lë mbas 17 vende, midis të cilëve me futboll më të mirë se ajo është vetëm Austria, rënia e së cilës sa është sensacioni më i madh në Evropën e sotme të futbollit, po aq është e paspjegueshme. Dijmë ndërkaq se një shqiptar, Roland Gërcaliu, nipi i Met Metanit, portjerit të dëgjuar të Shqipërisë të viteve ’50-’60, vazhdon të veshë fanelën e saj– rast ky i shqiptarit të vetëm në histori i dalë prej futbollit shqiptar dhe që ia ka arritur të veshë fanelën e një Kombëtareje të një shteti tjetër! Histori tjetër kjo, e treguar me kohë prej nesh këtu në “TemA”. Dhe mu kjo Austri, përfaqësuesja tipike e futbollit të madh të ashtuquajtur danubian, e cila do të organizojë EURO 2008, krejt papritmas është mbas Shqipërisë, e 40-ta në Renditjen e Evropës dhe e 85-ta në atë të Botës!

E çka ka që turret asisoji Shqipëria e një futbolli modest?

Le ta lëmë retorikën, megjithate. Të 16 ekipet e tjera, përjashto Austrinë, me gjithë situatën e përkohshme të vështirë që kalon, shumica e kanë futbollin më poshtë se sa Shqipëria, ose pak a shumë të barabartë me te. Ky përimtim tregon se Kombëtarja Shqiptare si të thuash, nuk del nga qerthulli i nivelit të saj. Këtu është paradoksi. Shqipëria ka rritur nivelin e lojës së saj, zhvillon ndeshje të nivelit të lartë më shpesh se asnjëherë tjetër, dhe për çudi nuk ngjitet lart në renditjet.

Shqipëria është krejt ngjitur me Slloveninë, e 35-ta, dhe me Bjellorusinë, e 34-ta! Që janë dy skuadrat me të cilat ajo lufton për vendin e katërt në grupin e saj G të kualifikimeve në rrugë e sipër për Kampionatin e Evropës. Duket kësisoj se është në kufijtë e një lufte “kufitare” të çuditshme. Që nuk dihet nëse do ta fitojë. Pra, që të mposhtë një Slloveni dhe një Bjellorusi. Përfundimisht Kombëtarja është ngushtuar vetëm në këte luftë. Humbja me Hollandën, ashtu e ngushtë dhe mbas një ndeshjeje niveli, del se ka qenë vërtet e idhët, edhe pse u pësua prej skuadrës aktualisht e treta në Evropë dhe e pesta në Botë.

Të kalojmë tash te një Renditje tjetër, ajo e përgjithshme për EURO 2008 simbas pikëve që ka marrë secila prej përfaqësueseve të shteteve evropiane pjesëmarrës. Dhe vërejmë se me vetëm 9 pikë të fituara, Shqipëria lë mbrapa këto shtete:

Armeninë, Kazakistanin, Azerbaixhanin, Gjeorgjinë, Ishujt Faroe, Hungarinë, Maltën, Moldavinë, San Marinon, Maqedoninë, Estoninë, Anndorrën, Islandën, Letoninë, Lihtenshtejnin, Bjellorusinë, Letoninë.

Janë 17 shtete. Kjo do të thotë se simbas pikëve të fituara deri tani, që janë vetëm 9, Shqipëria renditet e 31-ta midis 48 pjesëmarrësve të kualifikimeve të EURO 2008. Risia në këte përimtim, ashtu si në rasin e Austrisë në renditjen e sipërpërmendur, është Hungaria, gjithashtu një përfaqësuese historike e futbollit të madh danubian, e cila po me 9 pikë, por me 10 ndeshje, 1 më tepër se Shqipëria dhe me golaverazh më të keq, mbetet mbrapa vendit adriatik, siç i thotë ndokush prej të huajve Shqipërisë sonë.

Të gjithë të tjerët që lë mbrapa Shqipëria e kanë futbollin ose më të dobët se ai shqiptar, ose aty aty. Siç shihet, sinkronizimi me Renditjen e FIFA-Evropë simbas koeficientit të FIFA-s, thuajse është i plotë.

Shqipëria ende është larg rritjes në pikët e fituara. Vetëm në një fakt nuk ka sinkronizim: për herë të parë në histori, Kombëtarja Shqiptare bën pjesë midis 17 skuadrave që kanë pësuar më pak gola. Nga e para që është Anglia- pësuese e vetëm 2 golave - dhe Shqipëria e 17-ta (midis 48 shteteve) - pësuese e vetëm 7 golave. Dhe për herë të parë në histori kur gara ka kaluar gjysmën e rrugës Kombëtarja jonë është me golaverazh pozitiv: 8-7. Për herë të parë në histori kjo rritje krejt befasuese është mu në ate që ne e kritikojmë më shpesh: mbrojtjen! Paradoks që ndoshta mund ta rrëzojnë ndeshjet e ardhshme.

A është faji te ndeshjet e mëdha të sipërpërmendura që Shqipëria ka lënë pikë pa meritë? Mundet. Ose pa padyshim që është edhe kjo tjetra: Shqipëria nuk arrin t’i kthejë në kahun vet lojërat e bukura që zhvillon.

X X X

Shqipëria merr pjesë tash 45 vjet në kualifikimet evropianobotërore. Të përshkohemi tash në këte përimtim që është më i rëndësishmi, më thelbësori, më historiku dhe më me kuptimin zhvillues të rritjes në tanësi.

E pra, cila është rritja e saj në gjithë pjesëmarrjet e saj? Tek janë radhazi pjesëmarrjet e Shqipërisë duke dhënë vendin që ajo ka zënë në grupet e saj (në fraksion numri i skuadrave që ka pasë grupi) si dhe mesatarja e pikëve të fituara për ndeshje:

KB 1964-66 4/4 0.16

KE 1966-68 3/3 0.25

KE 1970-72 4/4 0.50

KB 1972-74 4/4 0.33

KB 1980-82 4/5 0.25

KE 1982-84 5/5 0.25

KB 1984-86 3/4 0.66

KE 1986-88 4/4 0.00

KB 1988-90 4/4 0.00

KE 1990-92 5/5 0.28

KB 1992-94 7/7 0.33

KE 1994-96 5/6 0.60

KB 1996-98 6/6 0.30

KE 1998-00 5/6 0.60

KB 2000-02 5/5 0.25

KE 2002-04 4/5 0.75

KB 2004-06 5/7 0.75

KE 2006-08 5/7 0.87

Këtu janë 18 pjesëmarrje, ndonëse në tanësi ato janë 19. Mungon e para, ajo për KE 1962-64, ngaqë turneu nuk është zhvilluar me grupe, por vetëm me dy ndeshje, eliminim i Shqipërisë nga Danimarka (0-4 dhe 1-0) në 1/8 e fundoreve, pjesëmarrje që i ka dhanë Kombëtares kuqezi fitoren e parë në rang kupash kontinentale dhe botërore: 1-0 Danimarkës në Tiranë më 30 tetor 1963. Eshtë pjesëmarrja e një gjesti të paprecedent të “luftës së nxehtë” të dikurshme dhe të “luftës së ftohtë” të atëkohshme: Greqia nuk pranon të ndeshet me Shqipërinë për shkak të Luftës italo-greke dhe 3-0 në vendim për Shqipërinë falë UEFA-s që na përfshin aty ku nuk do të mbërrinim kurr më sot e kësaj dite: në 16 skuadrat më të mira të Evropës!

Pa e zgjatur, në këto 18 turne grupues, Shqipëria ka qenë e fundit në grup për herë të fundit në KB 2000-02. Pesë skuadra pjesëmarrëse dhe Shqipëria e pesta, e fundit. Mesatarja e pikëve të fituara është tejet e ulët, vetëm 0.25 pikë për ndeshje. Shqipëria ka qenë e fundit në grup plot 11 herë ndër 18: KB 66, KE 68, KE 72, KB 74, KE 84, KE 88, KB 90, KE 92, KB 94, KB 98 dhe KB 02. Kështu, qysh nga 2002 Shqipëria nuk renditet më e fundit në grup. Kjo vazhdimësi treedicionesh pa qenë i fundit, ngjet për herë të parë.

Pjesëmarrjet më të mira të Shqipërisë kanë qenë këto:

KB 86, vendin e 3-të midis 4 skuadrave dhe 0.66 pikë për ndeshje;

KE 96, e pesta midis 6 skuadrave me 0.60 pikë për ndeshje:

KE 00, e pesta midis 6 skuadrave me 0.60 pikë për ndeshje;

KE 04, e 4-ta midis 5 skuadrave me 0.75 pikë për ndeshje;

KB 06, e 5-ta midis 7 skuadrave me 0.75 pikë për ndeshje.

Këto dy të fundit janë pjesëmarrjet më të mira. Në këte më të fundit, ate për KE 06, për herë të parë në histori, Shqipëria la mbrapa jo një, por dy skuadra. Edhe për shkak të grupit me 7 skuadra, por kjo kurr nuk është dhe aq treguese. Nëse shtohet numri i skuadrave në grup, do të thotë se shtohet gjithmonë e pakta edhe një skuadër që është më e fortë se Shqipëria. Shpesh edhe një më e dobët ose e përafërt me te.

Në tabelën e mësipërme kemi vënë edhe situatën në përshkim, këte të edicionit për KE 08, ku edhe në këte rast Shqipëria është e 5-ta midis 7 skuadrave, pra lë mbrapa dy skuadra, dhe mesatarja e pikëve është më e larta në histori: 0.87 pikë për ndeshje. Por turneu nuk ka mbaruar.

Atëherë, ndodhemi pranë rritjes rekord?

Janë përpara dy ndeshjeve tejet të rënda: Sllovenia – Shqipëria, Shqipëria – Bullgaria. Vendimtare për një rritje të dukshme ose të një vendnumro, e ndoshta papritmas, edhe të një rënieje.

Ajo që del qartë është kjo: Në tre edicionet e fundit Shqipëria ka rritjen më të lartë të mesatares së pikëve për ndeshje, 0.75 dhe ndoshta 0.87. Por … Sllovenia, Bullgaria… .

Rritja është nxitëse, por tejet graduale. Një gjë është: që mesa duket, Shqipëria ka dalë prej emërtimit “skuadër e vogël”. Kurrsesi nuk është më e vogël për lojërat që zhvillon. Nuk është e madhe kurrsesi. Eshtë një Kombëtare në rritje, mesatare, që mund të befasojë, por që nuk ia arrin të sinkronizojë cilësinë e lojërave të saj me pikët dhe renditjet, megjithë qëndrueshmërinë që ka në tre edicionet e fundit. 0.75 pikë për ndeshje dhe dy skuadra mbrapa në grup. Normale mbase për një vend me 3 milion banorë, i një zhvillimi ende të ultë ekonomik, ku futbolli në jetën kulturore të tij nuk është dhe aq i rëndësishëm, ose është i rendësishëm vetëm nja tre katër herë në vit, që do të thotë vetëm kur luan Kombëtarja.

X X X

Këtu është dhe gabimi; ose thelbi i problemit.

Tri ditë mbas ndeshjes me Holandën, ishte ndeshja “e madhe” e Kampionatit të Shqipërisë, ajo Partizani – Vllaznia. Dhe… mjerim i plotë. Nja 1500 spektatorë, tribuna bosh! Madje e boshatisur edhe tribuna së cilës në mënyrë tejet artificiale vitet i fundit i thonë “VIP”, ku asesi nuk kishte ndonjë “VIP” sadoqë ndonjë jo fort me cipë, duke u ulur aty jashtë çdo protokolli të sotëm, ngaqë dikush ia lejon, kërkon me ngulm që me prepotencën e funksionit që ka pasë në kohën e Regjimit që shkoi, të të bëjë të harrojë të kaluemen. Eshtë naiv. Ai duke rrëmbyer me pa të drejtë vendin e VIP-it veçse na kujton mu të kaluemen e tij… I mjerë si vetë rënia e ndeshjes Partizani– Vllaznia, në krahasim me ate të Kombëtares me Holandën. Edhe ky një problem për t’u përimtuar, por një herë tjetër… . Mjaftonte pra, edhe vetëm ndeshja Partizani – Vllaznia për t’u bindur se ajo që kemi thënë një javë më parë, kur titulluam “Kombëtarja dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë”, që në dukje të jashtme janë një dyshe unike, në të vërtetë, kështu siç kanë shkuar punët, janë dy gjëra edhe të ndryshme, madje shpesh edhe të largëta me njëra tjetrën. Për këte mjaftonte fakti më i parë i ndeshjes me Holandën ku nga 19 lojtarë, plot 6 (Beqaj, Curri, Dallku, Vangjeli, Cana, Rustemi) nuk i ka lindur, rritur, formuar futbolli që luhet mbrënda mureve të Republikës së Shqipërisë. Çka nënkupton se Shqipëria është absolutisht i vetmi shtet në Evropë midis të 48-tëve që marrin pjesë në EURO 2008, e cila një të tretën e lojtarëve të saj nuk i ka krijuar vetë, pra futbolli i saj, futbolli i Republikës së Shqipërisë që rrezikon “të ndahet” nga futbolli i Kombëtares së Shqipërisë.

Asnjëherë në gjithë këto 15 vjet të çlirimit edhe të futbollit tone kombëtar, askush nuk don të humbasë më kohë me futbollistë shqiptarë të tokës së Republikës. Autori i këtij shkrimi ka qenë partizani më i madh që të përfshihen sidomos futbollistë të Kosovës në Kombëtaren e Shqipërisë. Dhe është gjithnjë. Mirëpo, kurr deri aty saqë sytë e atyre të cilët në Shqipëri janë ngarkuar të drejtojnë futbollin, të shohin vetëm jashtë kufijve të Shqipërisë, kur fjala është për Kombëtaren. Po tashmâ po kërkohen lojtarë jashtë Shqipërisë edhe për skuadrën e 21-vjeçarve, edhe për ate NEN 19, e ndoshta deri edhe për ate NEN 17. Ndjenja e masës po bie në greminë kësisoji. Le të kërkohen natyrisht, dhe nëse ka talente të mëdha, edhe pse kanë lindë bie fjala, në Greqi, e nuk dijnë as të flasin shqip, nëse duan të luajnë me Shqipërinë, nëse vërtet ajo është ende e tyre, mirë se të vijnë. Por jo synim në vete e gjithë kjo, apo jo? Deri aty sa kur përshembull, një Behrami, apo një tjetër që papritmas i thotë “jo” Kombëtares së Shqipërisë, gati konsiderohet fatkeqësi.

Kombëtaret e Shqipërisë kanë nisur t’i largohen me shpejtësi futbollit të Republikës së Shqipërisë. Me gjithë rritjen, nuk besojmë se kjo është rruga. Kjo rrugë ka flakur tej Kampionatin Kombëtar, të cilin e ka shndërruar në një garë rutinë, spontane, që mesa duket, i paracaktuar si një fabrikë që nxjerr prodhime skarco, do t’i largohet edhe më Kombëtareve të Shqipërisë që është një synim për çdo futbollist, një ëndërr e bukur, me të cilën ai jeton gjatë edhe nëse ajo nuk realizohet. Siç ngjet gjithmonë me ëndërrat.

Si i bëhet pra, që të bashkojmë futbollin e Kombëtares me futbollin e Republikës së Shqipërisë?

Nuk ka dyshim, se sidomos trajnerëve të huaj që drejtojnë Shqipërinë, iu vjen më për shtat që të qarkullojnë në Evropë, të zbulojnë të rinj shqiptarë dhe t’i thërrasin ata në Kombëtare. Për shumë shkaqe: luajnë në klube më profesionistë, janë të gatshëm, kanë një stil më perëndimor sportiv dhe jetese, punojnë me trajnerë më të mirë, dhe nga ana tjetër, janë zbulime të mirëfillta të trajnerit të Kombëtares, që gjithë këto vite është një i huaj. Edhe kjo jo keq. Në fund të fundit Shqipëria kërkonte një dorë të huaj të sprovuar edhe në Kombëtaren e saj, çka dukshëm ia ka rritur nivelin, ndonëse pa sinkronizuar fuqimisht pikët me nivelin e lojërave, lartësitë e Renditjes me futbollin që paraqet, aftësinë e fitores që ende mbërrihet me aq vështirësi me të mëdhenjë, po dhe me të barabartët për Shqipërinë. Për fat, tash tre vjet asnjë fitore me një të madh, qysh nga Shqipëria – Greqia 2-1 më 4 shtator 2004. Ndonëse pikët në futboll janë njësoj, si ato që fitohen ndaj të vegjëlve si ato ndaj të mëdhenjve. Mirëpo, ja që nuk mjaftojnë pikët e të vegjëlve për të konfirmuar rritjen, madje për ta përvetësuar rritjen. Duhet edhe ndonjë pikë prej të mëdhenjve…

Shqipëria e përjetoj humbjen me Holandën me të gjithë “urrejtjen” shqiptare të krenarisë – mbetje e një sistemi. Ndërkaq UEFA ruajti rendin e emocioneve të saj dhe çoi në spikamë gjestin e lojtarit tonë më të mirë, Lorik Cana, tri ndeshje me moslojë! Dhe le të presim nëse do të bëjë diçka me gjyqtarin Mike Riley, ndonëse çkado që të bëjë, asgjë nuk do ta ndryshojë gjendjen e Kombëtares. Janë të tjera ato që do të mund të ndryshojnë 9 pikët, vendin e 5-të në grup, të 31-tin në Renditjen e përgjithshme të grupeve, të 78-tin në Renditjen e FIFA-s, të 36-tin në Renditjen e Evropës simbas FIFA-s, dhe mbi të gjitha, largimin e pamshirshëm të Kombëtares prej futbollit të Republikës së Shqipërisë.

X X X

Atëherë si mund të afrohen?

Më e para: ngritja në këmbë të përhershme të Kombëtares së Kampionatit, e gatshme për t’i qëndruar pranë Kombëtares së vërtetë, për ta furnizuar me talente, për t’u përfshirë në një rivalitet të mirë dhe ambicioz me te. Por kjo është pak. Ka diçka tjetër: të forcosh Kampionatin Kombëtar, deri në atë masë sa ta bësh ate ai që ka qenë përherë: baza e Kombëtares. Ta bësh të rëndësishëm ate, sepse i ka humbë keqas mu rendësia. Ndonëse në çdo shtet ai është shumë më i rëndësishëm se një Kombëtare, sepse vetëm ai është i përjavshëm për çdo komb dhe shtet.

E kemi shumë të vështirë të besojmë se një mbështetës financiar i Sportklub Tiranës, i cili dihet se jep një kontribut të madh për këte klub, të ketë dhënë ultimatumin: “Unë kthehem po të largohet trajneri Sulejman Starova!”. Sepse ende nuk besojmë se një personalitet futbolli, që në këte rast është një nga trajnerët më të mirë të vendit, qenka diçka kësisoj e nëpërkambun. Jo pse ndërrohet si trajner, sepse kjo është bashkëudhëtare edhe për trajnerët më të mëdhenj të Botës. Por ngaqë tregon se Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, i cili në gjashtë edicionet e fundit ka regjistuar 211 ndërrime trajnerësh, është bërë vërtet i rrezikshëm për drejtuesit teknikë të skuadrave të tij.

Shqipëria bën mirë të heqë dorë sa më parë nga mbidoza e publicitetit të financuesve të skuadrave, të cilët flasin më shumë se trajnerët, të cilët mbushin titujt e gazetave më fort se trajnerët e futbollistët, të cilëve iu botohen në shtyp fotot më shpesh se rekordmenëve e kampionëve të Shqipërisë, të cilët pushtojnë ekranet e TV më fort se shumkush. Ndonëse nuk janë as kampionë dhe as futbollistë, as lojtarë dhe as rekordmenë. Të vjen keq ta thuash, por gati gati ndodhemi përballë një tiranie sui generis, që sidomos futbollit modest shqiptar nuk i shkon asesi. “Një kërcënim i rëndë shfaqet qartë në horizontin e zhvillimit të futbollit evropian: gjithëprania ogurzezë e parasë”, shkruan Presidenti i UEFA-s, Michel Platini në letrën që iu ka dërguar këto ditë kryeministrave të shteteve të Evropës.

Nuk i kemi rregulluar punët e futbollit mbrenda Republikës së Shqipërisë, sportit më popullor të saj, që me fillimet “antike” të tij ka një shekull jetë edhe ndër ne. Forca e futbollit të Republikës së Shqipërisë paraqitet tejet e brishtë dhe shumë ndikuese edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të futbollit kombëtar.

Pavarësisht nga rritja e periudhës, Kombëtarja e Shqipërisë nuk do të mund të luajë rolet që presim, sado modeste që të jenë ato, nëse thellon kësisoji largimin e saj prej futbollit të Republikës së Shqipërisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora