E enjte, 25.04.2024, 09:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Zef Deda: “Më plas zemra me e ba me qeshë këtë popull”

E marte, 25.09.2007, 12:06 AM


Zef Deda
Krejtësisht i lirshëm dhe me një humor të vazhdueshëm një nga mjeshtrat e interpretimit dhe një trashëgues i denjë i të gjithë plejadës në kohë të humorit më të përveçëm, origjinal dhe krenar si shkodran, Zef Deda tregon jo vetëm idetë e tij për humorin dhe Shkodrën, por edhe për artin në përgjithësi me të gjitha vështirësitë e tij në kohën e sotme.

Zef, po futem direkt në temë. Sot a jemi duke bërë humor?

Të them të drejtën u bënë disa vite që spektatori po pyet përditë “kur po na bani ndonjë gja të re”. “Kur po na delni me na knaqë? Mund të them se ky tranzicion ka ngatërresat dhe dhimbjet e veta dhe kjo deri sa të mësohemi, por shkoi gjatë për me u mësu ose me ndryshu. Ka faj tranzicioni, por faj kena edhe veta na dhe kjo lidhet me një moment, sepse duhet të gjejmë kohë për të dalë diku, o në televizion, o në teatër, por gjithçka lidhet me financën. Në fakt mund të gjinden mundësi për të dhënë shfaqe, por unë them se “nuk po ja var kush kësaj punë”. Kjo është vështirësia dhe mund të rrimë nja gjashtë netë dimrit për tu shpjeguar se sa hall kam unë dhe ne të gjithë. Se nuk kam dëshirë, se nuk më plas zemra mund të them, se për dëshirë, përditë do të kisha dalë në skenë dhe televizion me e ba me qeshë këtë popull. Me e ndërru pak nga bota e streseve ekonomike, morale sociale që që përfshijnë përditë.

Po mirë zoti Zef, si mund të trajtohet sot arti, humori apo spektakli? Si i dilet kësaj situate?

Po, ky popull dhe flas tani për shkodranët, kanë një kulturë dhe kanë artin e humorin në gen. Të lihet mbas dore arti në Shkodër “asht si me ra nji bombë atomike”. Të gjitha kombet e qytetëruara nuk i japin rëndësi më shumë asgjëje se sa artit, arsimit dhe shëndetsisë. Vetëm me këto që thashë më sipër, kombi rritet. Po ti heqësh vetëm njërën prej tyre, fillon asfiksia. Po si mund të qëndrojnë në këtë drejtim si Shkodra dhe Tirana, por e gjithë Shqipëria, sepse kjo është sëmundje e përgjithshme. Por dikush thotë se “çfarë leverdia ka shteti, individi apo një shoqëri apo kompani me teatrin” sepse nuk dalin fitime? Unë them se nuk është e vërtetë, sepse ashtu si kundër ka përfitim me ndërtim apo me firma të ndryshme tregtare e prodhuese, mund të hidhen dhe të ndihmojnë artin se unë ju garantoj se ato dalin fitues. Ka talente jo vetëm në Shkodër dhe ka sa të duash mundësi fitimi, po të lëvizet në këtë drejtim.
 
Shkojmë ku shkojmë Zef dhe dalim te lekët. Është turp të pyesësh, por më duhet ta di. Sa e keni pagesën në teatrin “Migjeni”?

Po, nuk ashtë problem, unë që kam “rrogën ma të forte, marr 200 mijë lek të vjetra”. Ka edhe njerëz që nuk dinë si “bahet art” dhe na thonë: rrogën a e merrni, bani pra shfaqe! Mirëpo një premierë i thonë 7 milion lekë, duhet ble dekori, duhet ble teksti, muzika, duhet aranxhu ajo, duhet lyer dekori, duhen blerë veshjet dhe mbas këtyre mund të dalë premiera. Unë po ju them se premiera po qe e “furnizume në kte mënyrë, ka me dalë me siguri e mirë”.  Por në qoftëse ajo del si premierë e mirë ajo nuk jepet vetëm një herë, por shumë herë dhe aty ka edhe fitim. Abuzohet me projekte. Në ministri apo bashki shkon projekti, me demek aprovohet dhe na thonë “bajeni” dhe çojnë nji herë 1 milion të vjetra dhe pastaj edhe 500 mijë të vjetra dhe shpërdahet, e se ku humbën ato pare, se ka rrjedhin, se ka u ... aneksuan. Shteti mund të jap shumë, por ..
 
Zef ju keni ide se dhe me projekt nuk vijnë lekët?

Unë kam frikë, sepse kështu si po sillen unë them jo, nga që deri tani nuk kam parë gjë.

Atëherë çfarë duhet bërë në këtë rast?

Atëherë ka një ligj, por edhe mund të rregullohet ai dhe “futi një konçension si ndërmarrjet”. Unë nuk them pronësi, sepse teatri është i qytetit, por kur institucioni nuk është më i zoti me administru atëherë ligji si në të gjithë botën e i thotë individit të fortë merre me konçesion me të gjithë njerëzit që ka dhe me kontrata me të gjithë ato që punojnë dhe dëshirojnë të bëjnë art. Në fakt duhet përdorur kjo mënyrë, sepse ka individë që në bazë të rregullave vendosin rrezikun përpara, por ama shtetit ja japin lekët dhe fitimin ato pikërisht me artin duan ta marrin. Mund ta rrisin nivelin apo mund ta lërë në një vënd “konçensioni” por ama shfaqe do të ketë.
 
Zef, me njerzit çfarë do të ndodhë?

Asht shumë e thjeshtë. Do të kenë kontratë pune si në të gjitha vendet e botës normale. Por ka edhe testim. Unë e kam vërtetuar këtë gjë jashtë shtetit, por aty ka ligje të sakta pikërisht këtë gjë që po them.
 
Për deri sa nuk kemi një ligj të tillë, atëherë si zgjidhet në gjendjen aktuale?

Po unë dua grantin apo atë thesin e Bashkisë. Unë nuk dua 2 përqind për teatrin apo për artin. Unë dua 10-15 përqind. Me një fjalë sa më shumë për të mos folur me shifra. Po unë po kthehem në kohë dhe mund të them se kemi dhënë 220 shfaqe në vit. Janë bërë katër premiera. Pra tani po them se po bëjmë 100 shfaqe dhe në qoftëse teatri “Migjeni” kur është salla plot fiton 1 milion e gjysmë në natë që bëjnë më shumë se 100 milion të vjetra, atëherë a ka mundësi që institucioni bashkiak të na japë vetëm 50 milion që ne ti bëjmë katër premiera ? Dhe ja ku doli edhe fitimi dhe paga jonë në mënyrë dinjitoze. Po me 200 mijë lekë të vjetra çfarë mund të bëj unë?

Çfarë keni tani në program?

Po tani kemi fillu një premierë. Një komedi që e ka shkruar Qazim Çela dhe nuk kemi vendosur asnjë kusht në pagesë. Regjia është e Bardh Smajës dhe mendoj se është diçka e mirë. Po punojmë me shumë pasion. “Me e lanë artistin pa punë ashtë njësoj si me e vra”. Unë kam ndejtë në emigracion dhe atje përsëri nuk mujsha me vazhdu, sepse kasha dëshirën me u kthy në Shkodër. Kështu që edhe të tjerët që më njihnin ju thoshin atyre që pysnin se ku e kam hallin dhe përgjigjeshin si me këngë “do me shku në shpiiii”. Më merr malli për nanën, për Shkodrën dhe për teatrin dhe nuk mund të rri pa to.
Më lusin me shku në Tiranë te djemtë, por nuk du me shku. Jo, du me ndejtë në Shkodër.

Të falemiderit Zef.

Faleminderit prej teje dhe suksese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora