E enjte, 28.03.2024, 08:17 PM (GMT)

Speciale

Mërgim Korça: Përjetime thellësisht mallëngjyese: Kujtime të një të internuari

E marte, 06.10.2009, 06:56 PM


Përjetime thellësisht mallëngjyese: Kujtime të një të internuari

(Sipas kujtimeve të Gjon Markagjonit të Ri).

Shkruar nga: Mërgim Korça

Shtresa e gjer’e lexuesve është bërë e njohur me kryevepra të letërsisë botërore ku dhimbja, mallëngjimi si edhe lotët e bashkëshoqërojnë lexuesin fletë pas flete tek lexon ngjarjet e trajtuara në libra.   Në këtë drejtim mund t’a them pa frikë se  simbol është bërë Ditari i Ana Frankut ndonëse ... ngjarjet e përshkruara shtjellohen në kufijt e një vëndbanimi të fshehtë dhe asgjë më shumë.  Kurse ditari i Gjon Markagjonit të Ri është si një sekuencë filmike  e pafund e vargut të vuajtjeve të një familjeje përbërë nga një djalosh 6 vjeçar, xhaxhait të tij 17, (që në vazhdim arratiset jashtë shtetit), e pastaj stërgjyshes, gjyshes, nënës, dy hallave si edhe dy motrave të tija, të cilët e fillojnë vargun e pafund të vëndbanimeve në internim me Beratin e pastaj me Kuçovën, Tepelenën e deri në Gjazën e Myzeqesë.  Personazh i “ndërfutur” i herëpashershëm ësht’edhe xhaxhai tjetër i cili i alternon pesë periudhat e burgosjeve me periudha internimi !   Mirëpo ai fill’i ndritshëm që e lidh ditarin e Ana Frank-ut me atë të Gjon Markagjonit të Ri, është se që të dy “rrugëtimet e ndërsjellë e tejet të trishtë” i lidh një e përbashkët e madhe :  familjen e Ana Frankut e përndjek mizoría e një pushteti të udhëhequr nga një tiran dhe antihebré psikotik.  Edhe Gjomarkajt i përndjek mizoria e pusht-shtetit në krye të të cilit rrethanat e sollën të vihej sërishmi një psikotik që e filloi rrugën e krimeve të pamëshirë ndaj atyre të cilëve u a rrëmbeu pushtetin dhe e vazhdoi me zhdukjen e të gjith’atyre që e ndihmuan të vinte në pushtet e pastaj edhe e mbështetën si diktator !    Kjo e përbashkëta e Ana Frankut me Gjon Markagjonin e Ri.   Kurse e ndryshmja qëndron në faktin  se si vetë paranoiaku që urdhëroi krimet kundrahebraike të çmëndura dhe mizore gjithashtu edhe pushteti i krijuar prej tij, e pra bashkëpunëtorët e tij fajtorë, janë dënuar jo vetëm nga opinioni botëror, por edhe janë ndjekur penalisht e deri dënuar me dënime kapitale.    Kurse mizoría e regjimit komunist shqiptar jo vetëm që nuk u dënua, le  siç i takonte, por nuk u dënua fare.   Kështu që jo më veglat mizore e sadiste q’e ushtruan terrorin e torturën ndaj të pafajshëmve të dënoheshin, por edhe ata që ishin në krye të piramidës krimit e që i shpëtuan kokat falë servilizmit të pashoq ndaj diktatorit dhe i ruajtën kokat e tyre duke i a mbushur mëndjen diktatorit se ishin të pazarar ndaj tij, me shkërmoqjen e pusht-shtetit të tyre ... e hodhën lumin me ndonjë dënim sa simbolik e po aq edhe qesharak !   
Nisur nga hyrja e këtij shkrimi e ftoj lexuesin t’a gjej’e t’a lexojë librin e Gjon Markagjonit të Ri se ndër faqet e tij do të mësojë të vërteta që kurrë nuk do t’i shkonin ndërmënd.   Por, nga ana tjetër, e paralajmëroj lexuesin mos të presë që përgjatë kësaj analize unë t’a shoqëroj lexuesin përgjatë ndodhive të përshkruara në vëllimin në fjalë.  Jo.   Po t’a bëja një gjë të tillë do t’i a zbehja vlerat kujtimeve të përmbledhura përgjatë faqeve të librit.  Qëllimi im është që nëpërmjet paralelizmave të arrij e t’ia ritheksoj  lexuesit momente, rrethana si edhe ngjarje që nuk duhen harruar.  
Përqasja mes Ana Frank-ut si edhe Gjon Markagjonit të Ri, ndonëse njera e lindur në Frankfurt të Gjermanisë nga një familje borgjeze hebreje në vitin 1929, kurse tjetri i lindur në Mirditë nga një familje fisnike prijësish feudalë më 1938-ën, na japin të njejtin mësim :  secili prej ditarëve të tyre, marrë veçmas, na rrëfejnë në mënyrë dramatike se si daç vajza e re e gjithashtu djali i mitur, njera nga thellësit’e kampit famëkeq të Belsen Bergenit, (ku edhe i a morën jetën 16 vjeçare), e tjetri nga radha e kampeve komuniste, i përçojnë në ditët tona vlerat e mirësísë njerëzore  pavarësisht nga rrethi mizor e çnjerëzor që i rrethon dhe i shtyp !   Ana, përmes përshkrimit dramatik, ve në dukje mizorínë me të cilën vetë njeriu i nënshtron qënjet e tjera njerëzore.   Por nga ana tjetër edhe Markagjoni i Ri i rrezaton dukshëm mësimet e marra nga prindët si edhe rrethi i tij familjar për t’u qëndruar kryelartë dhe i papërkulur rrethanave çnjerëzore në të cilat e detyrojnë të rritet e të zhvillohet, për t’u radhitur kundra kësaj egërsisë  si edhe padrejtësive e për t’u bërë njeri, ashtu si e donin gjysh Gjoni si edhe baba Marku !   E me që gjyshi ndodhej larg, shumë larg përtej detit, e babai edhe më larg, në Amëshim, këtë detyrë e zbatonin ditë mbas dite e vit pas viti gjyshja krenare si edhe nëna e shumëvuajtur dhe e paralizuar për 20 vite radhazi duke u tërhequr zvarrë kampeve të internimit !
Ngjarjet janë të përjetuara në vetën e parë.   Leximi i tyre të trishton në mënyrë të skajëshme, kjo pa as më të voglin dyshim.   E pra natyrshëm lind pyetja :  pse e gjithë kjo egërsí si edhe ky shkatërrim ëndërrash për jetën e një të mituri, (e në vazhdim të riu e në vazhdim akoma derisa ai 52-vjeçar lirohet nga kampet e internineve), vetëm për faktin se ishte pinjoll i një familjeje kundrakomuniste ?   Mbi këta themele do të ndërtohej ai sistem që do të vetëquhej demokracia proletare ?   A kish se si t’i besohej në vazhdim parullës se sistemi i vetëquajtur Diktatura e Proletariatit do të ishte vërtet prototipi dhe sinteza e demokracisë së mirëfilltë kur me fakte ai sistem e tregonte hap pas hapi veten se nuk qe gjë tjetër veçse ... personifikimi i emrit të vet, një diktaturë e tejskajëshme ?
Nisim dhe e shfletojmë librin me kujtime ku lexojmë ... Shpesh herë në jetë kam qenë dhe kam mbetë në rrugë të madhe ... Ky qe fati im dhe i familjes e fisit tim.  Qysh në fëminí prej Zotit e mandej prej pjekunisë, kur fillova me mendue, me pa e me njoftë dhe me e jetue të mirën e të keqen, me të gjitha pasojat e tyne, kam dijtë me e gjetë busullën – drejtimin, kam fillue me ecë në jetë, mos me e ndalë hapin përmes vështirësive, vuejtjeve, sakrificave jashtëzakonisht të randa për mue e për familjen : ngranë e pa ngranë, veshë e zdeshë, mbathë e zbathë, unshëm për bukë, dije e kulturë ... tue e vazhdue këtë udhë të vështirë për me mbijetue.   
Rilexoji të lutem, i nderuar lexues, këto pak radhë me të cilat në faqen 19 fillon e flet Gjon Markagjoni i Ri për jetën e tij si edhe familjes së tij.  Me sa mirënjohje e ve ai në dukje se si Zoti i Madh qe ai që nuk e la përgjatë fëmijërisë Gjonin t’a humbiste drejtimin – busullën.  Kurse kush e brumosi dhe e gatoi në vazhdim që, me shikim mbrapavështrues ai në çdo rrethanë të jetës së tij sheh mos shmangie nga rruga e ndershme dhe e moralëshme, hap mbas hapi lexuesi do t’a gjejë përgjatë faqeve të kujtimeve.   
Nuk mundem të mos e ze në gojë faktin se përgjatë periudhës diktaturës, (e cila fatkeqësisht qe jo vetëm tejet e gjatë por edhe skajshmërisht e egër në Shqipëri), rreth Gjomarkajve nuk u kursyen as shpifjet as edhe shtrembërimet krejtësisht të pathemelta, si nga ata që u emërtuan historianë e të pasuar këta edhe nga shkrimtarët e t’ashtuquajturit Realizëm Socialist !   Mirëpo tashti që ai sistem u shkërmoq u krijuan mundësitë që, në mos tjetër, së pakut të dëgjohet edhe kambana tjetër, ajo e së vërtetës historike, ajo e drejtësisë.  Përgjatë kësaj hullije po sjell para lexuesit citimin që autori i kujtimeve u bën pohimeve që personaliteti i madh i kulturës shqiptare, profesor Ernest Koliqi, shpreh  rreth Gjon Markagjonit, Kapidanit të Mirditës, gjyshit të autorit vëllimit që po lexojmë :  “Rrallë njeri në breznit’e fundit paraqitej ndër ne si Gjon Markagjoni,  ngjeshun me tharmet (majaja, fara – shënim i M.K.) ma dalluese të brumit t’onë ethnik.  Në shoqni të tij, tue i a ndigjue kuvendin, kishim përshtypjen se gjindemi para prototipit të rracës shqiptare, shpëtue për mrekulli nga cënimi i kohës.  Si nji avull legjendash e rrethonte.  Edhe n’at avull ku vrumulliseshin (ushtonin – shënim M.K.) misteret e historisë sonë plot tërnim (tronditje – shënim M.K.) periudhash t’errta ai, i thjeshtë në sjellje, i përkorm (i matur – shënim M.K.) në fjalë, i ngulun në besim, qi ushqente në vlerën e përvojës stërgjyshore – e vetmja kulturë e tij, nxjerrë nga libri i jetës dhe jo nga jeta e librave – t’epte bindjen se rodi i ynë, pak i njoftun e shpesh i përçmuem, përmbledh në vetvete ende vërtyte njerzore të pazbulueme.    Me pak goditje dalte latuese e me mjeshtërí të lartë realiste, profesor Ernest Koliqi lartëson nga blloku fillestar i granitit figurën e Kapidan Gjonit si edhe virtytet e rodit tonë (kombit tonë).   Mirëpo në vazhdim, profesori i shquar sjell edhe dy momente me shumë rëndësi të cilët hedhin dritë vërtetësíe lidhur me spekullime që janë bërë rreth problemit të gjakmarrjes.  Ai pohon se si përgjatë vitit 1926 Kapidan Gjon Markagjoni “... doli nëpër bajrakë të Mirditës me ushtrue të parën zabitname (mbledhje faljeje gjaqesh – shënim M.K.), të tij.  Tue kryesue Krenët e secilit bajrak pajtoi n’at vjetë 364 gjaqe e varrë (plagë – shënim M.K.) ... Kapidan Gjoni, në marrëveshtje me qeverí qendrore, u përpoq sa muejti me shafitë (të shuante – shënim M.K.) ngatrresa e fitme (shpifje, intriga – shënim M.K.) qi ma të shumtën përfundojshin në vrasje.  Me 1928 nepër Mirditë ushtroi të dytën zabitname tue pajtue 258 gjaqe e varrë.  Kjo e zabitnames ishte si nji misjon i jashtazakonshëm qi përsritej krye tri katër vjetesh ...  
Qëndrova rreth këtyre dy pohimeve të profesor Koliqit vetëm për t’a saktësuar  pozicionimin e Kapidanëve Gjomarkaj të Mirditës ndaj gjakmarrjes.   Sa kundërthënëse kjo e vërtetë ndaj shtrembërimeve të historishkruesve si edhe letrarëve të kohës diktaturës.  Ata Markagjonajt jo që i cilësonin si nxitës të gjakmarrjeve por, nga ana tjetër, i paraqisnin edhe si përfitues materialë të drejtpërdrejtë nga secili akt  gjakmarrjeje !   Lexuesin i cili e ka pasë krijuar bindjen e tij vetëm duke e dëgjuar këmbanën e njëanëshme komuniste, e ftoj që në asnjë mënyrë mos t’a besojë pa diskutim çfarë pohon profesor Koliqi.  Në asnjë mënyrë, por sinqerisht e ftoj që të qëmtojë rreth këtyre pohimeve të cilët përgjatë diktaturës kurrë nuk u guxua të thuheshin, të bëjë krahasimet përkatëse dhe të nxjerrë edhe përfundime të themelta.
Faqeve në vazhdim u prijnë dy pohime, njeri më i trishtë se tjetri.  Që të dy ndërgjegjen e djaloshit 8-vjeçar tashmë e kanë damkosur si me një hekur të skuqur në zjarr, duke i lënë gjurmë të pashlyeshme përgjatë gjithë jetës së tij :  
a- 26 Nëntor 1944, Gjomarkajt bashkë me shumë prijës, krenë e bajraktarë të Shqipnisë  së Veriut e të Mesme i prinë popullit luftëtar dhe vijuen luftën e tyne popullore deri në vdekje kundër komunizmit.
b- 26 Nëntor 1944, fillon kalvari i familjes, i fisit Gjomarkaj, Kapidanit të Mirditës, degradimi dhe shkatrrimi i saj i skajshëm, deri në shfarosje nga bisha e tërbueme komuniste.
Autori i kujtimeve hedh dritë rreth një së vërtete të pamohueshme.  Me dhunë të pashembulltë fillimisht fizike, e në vazhdim edhe dhune shkencore, është arritur që, edhe në saje të kohëzgjatjes thuajse gjysëm shekullore të diktaturës komuniste, këto të  vërteta të jenë shtrembëruar thelbësisht !   Në këtë drejtim ai sjell faktet historike q’e shkaktuan dhimbjen e madhe të humbjes së të atit Mark Gjomarkajt si edhe të xhaxhait të tij Lleshit në përpjekje e sipër me forcat e mbrojtjes.  Mark Gjomarkaj, i caktuar si komandant i forcave kundër-revolucionare të veriut, zhvilloi asokohe veprime luftarake në udhëheqje të këtyre forcave deri më 14 qershor të vitit 1946, ditë në të cilën i plagosur dhe i rrethuar, i detyron shokët të çajnë rrethimin.  Ai vetë i mbuloi shokët me zjarr aq kohë sa mundi.   Kur e lanë forcat fizike nga gjaku i humbur, sa kohë që e kish akoma logjikën e ruajtur ... u vetëvrá !   Mendoj se ky moment e do edhe një shpjegim.  Sipas besimit katolik, akti i vetëvrasjes automatikisht çon në humbjen e shpirtit të subjektit sa i takon jetës në Amshim (përjetësí).  E pra, duke e ditur këtë fakt, mos ka menduar njeri se Llesh Marashi ose Prênk Cali ishin frikacakë që u kapën të gjallë nga forcat e mbrojtjes ?  Jo, në asnjë mënyrë.  Në çastin e fundit ata pranuan turpin e të dorëzuarit ndaj armikut por ... besimin fetar e vunë mbi atë turp !   Kurse me Mark Gjomarkajn ngjau ndryshe.  Edhe ai ishte besimtar.  Edhe ai e kishte besimin se shpirti i tij shkonte humbës po t’a vriste veten e tij.   Mirëpo në damarët e tij rridhte gjak mirditori.   E mirditori, kur vjen puna të vihet në peshore nga njera anë humbja përjetësisht e shpirtit por ruajtja e krenarísë trimërore, e krahasuar me përjetësimin e shpirtit por duke e sakrifikuar krenarínë, ai zgjedh vdekjen krenare !   E  Mark Gjomarkaj nuk kishte si të bënte përjashtim ndër mirditorë :  ai ishte udhëheqës i tyre !    

Ndërsa xhaxhai i autorit të kujtimeve, Llesh (Sandër Gjomarkaj), i mbijetoi rrethimit përgjatë të cilit u vra i vëllai, Mark Gjomarkaj dhe ishte Lleshi ai që e mori komandën e forcave kundërkomuniste që komandoheshin nga Marku.  Lleshi vazhdoi t’u prijë luftëtarëve në veprime luftarake deri më 9 gusht të vitit 1947 kur, në përpjekje e sipër me forcat e mbrojtjes, edhe ai u vra në Munexhë të Mirditës.  
E Gjon Markagjoni i Ri, në vazhdim pohon se që nga fëmijëria e përgjatë gjithë jetës së tij, mynxyra e ka përndjekur egërsisht familjen e tij :  I ati si edhe xhaxhai luftuan trimërisht për një çështje të drejtë për të cilën dhanë edhe  jetët e tyre e gjithashtu edhe familjen e tij e detyroi diktatura komuniste me dhunë të degradohej e të shkatërrohej deri në shfarosje e dhimbja e tij përmblidhet në pohimin tragjik “... komunistët shqiptarë, kundër shqiptarëve, kundër vëllazënve të vet, jo vetëm për disa vite, por gjatë gjithë periudhës pesëdhjetëvjeçare !   
Por ama nuk kam se si mos t’a ve në dukje e paraprakisht edhe t’a vlerësoj lart ndershmërinë si edhe drejtëpeshimin burrëror të Gjon Markagjonit të Ri i cili, ndonëse i vuan thellësisht vrasjet si edhe përndjekjet në familje, e megjithëse publikisht Gjomarkajt i kanë quajtur tradhëtarë (sepse kundrakomunistë), kur vjen puna edhe për persekutorët e tyre ai pohon vetëm të vërtetën.  Ja edhe ngjarja :  Xhaxhai i tij Dedë,  ka kaluar nëpër 2 vite hetuesí, 16 vite burg si edhe 30 vite internim.  Ai i ka treguar nipit të tij (Gjonit) se, në një takim me të gjithë të burgosurit e burgut të Tiranës,  drejtori i burgut Janaq Karapataqi, (dy a tri ditë mbas vrasjes së Mark Gjomarkajt e si duket edhe i informuar lidhur me trimërinë si edhe heroizmin e tij), i kishte thënë :  “... Burrat që i dalin zot pushkës edhe vdesin me të në dorë duhen vlerësuar ” edhe e kishte ngushëlluar Dedën.  
Tek i lexova këto radhë ku ndershmëria nuk e le Gjon Markagjonin e Ri për asnjë çast të mos jetë i drejtë e të mos t’ia japë hakun atij që i takon e për aq sa i takon, nuk kam se si mos të kujtohem se si ky njeri, i cili nuk i a lejon vetes të shtrembërojë pa le më të mohojë fakte, është po ai i cili kur i nisën vargun e gjatë nga Shkodra për në internim shprehej “... karvani i të mjeruemve, i të padënuemve, i të pafajshëmve ecte e ecte ... Po për ku ?  Për sa kohë ?  Në ç’drejtim ?  Si u ba kjo punë kështu ?  Kërkush s’guxonte me folë, kërkush nuk të jepte përgjigje ... Ç’ishte kjo furí e marrë, kjo stuhí e tërbueme që na shkapeste me tërbim sa andej këndej ne krijesave të shkreta e nuk na linte rehat ?  E ishim do krijesa të brishta që nuk i kishim ba gja kujt ... Sa jetë do të shuheshin para syve të mi ... me ç’të drejtë i privon lirinë ti, dhe biles i shkurton jetën që i a ka dhurue Perëndia ?!”   
Nuk e besoj se mund të ketë lexues të librit me kujtime të Gjon Markagjonit e të mos preket thellë në zemër !   Pa le pastaj se si është shtrembëruar historia, si janë deformuar ngjarjet e kaluar në heshtje periudha të tëra kohore, e t’a bëjë krahasimin          me qëndrimin objektiv e të ndershëm të Dedë Gjomarkajt tek i a rrëfen të nipit ngjarjen me ish drejtorin e  burgut në Tiranë e në vazhdim pastaj edhe qëndrimi i vetë Gjonit tek i hedh në letër kujtimet e tija me vërtetësin’edhe besnikërinë më të madhe !  
I lexoj ngjarjet e përshkruara në librin me kujtime të Gjon Markagjonit të Ri e më trondisin.   I rilexoj, e shikoj se ç’forcë u ka dhënë vuajtja edhe mynxyra femrave të familjes, duke filluar që nga stërgjyshja, gjyshja, në vazhdim nënës së paralizuar, hallave si edhe dy motrave të autorit të kujtimeve !   I mbyll syt’e përlotur edhe përjetoj mëkimin me të cilin e kanë ushqyer stërnipin, nipin, djalin edhe vëllan’ e tyre ato femra, ku ky mashkull i vetëm mes tyre, nuk ishte gjë tjetër veçse një fëmijë 6 vjeçar i cili e filloi atë kalvar të tmerrshëm hakmarrjeje ndaj tij dhe e vazhdoi derisa u bë 52 vjeçar, vetëm se ... ishte një krijes’e pafajëshme e lindur në gjirin e një familjes së shquar patriotike mirditore !  
Ja pra ngjarjet e ngulitura në vazhdim në trurin e atij tetëvjeçari tashmë dhe si i përshkruan ai :
Ishte 14 qershor i vitit 1946.  Nji rrufé e nji hatá ra mbi familjen tonë.  U dha lajmi e në gazeta shkruhej me shkronja të mëdha vrasja e babës tim, Markut.  Nana e gjyshja, sipas zakonit të grave mirditore qëndronin si burrnesha, ndërsa ne të tjerët qanim, qanim në heshtje tinëz nanave.  Gjyshja e ime, nana e Markut, kishte lëshue zanin se nuk ka vaj në shtëpinë tonë.  Markun le ta qajë Mirdita, shoqnia e populli.  Ne do të jena krenarë e me ballin nalt për këtë fli që i dhamë atdheut ... Sa fort mbaheshin ato gra, sa me forcë e përballonin dhimbjen e humbjen e njeriut të tyne ma të shtrenjtë ... Kriminelët e kuq gjakpirës, tue pa këtë qëndresë mbinjerëzore, që e përballonin me krenarí fatkeqësinë e nuk pranonin të gjunjëzoheshin e shtonin ma egërsisht luftën e tyne ndaj nesh.  Po, atë luftë të turpshme ndaj të pafajshëmve, që vetëm i keqi, mizori e mendon dhe e ban” !   I lexoj këta pohime dhe logjika e ime nxjerr dy përfundime :
Së pari, kriminelët e gjakpirësit e kuq, (siç i cilëson autori), vepronin asisoji sepse e kuptonin mirëfilli se ata vetë kurrë nuk do t’a kishin mbajtur dot atë qëndrim në rrethana të njajta dhe së dyti, sepse stoicizmi i familjes Gjomarkajve vinte nga bindjet si pasoj’e edukatës në familje.  Ndërsa ata mizorët e kuq çfarë shëmbujsh kishin trashëguar nëpërmjet geneve të tyre ?   Vetëm urrejtjen si edhe zilinë ndaj të ndershëmve, të diturve, të aftëve, të mënçurve si edhe të kamurve !   Pikërisht ky ligj trashëgimíe, (në rastin konkret i mbrapshtë), ishte ai që e lidhte të gjithë këtë kategori krijesash njerëzore, (që me njeriun e vërtetë shumë pak i kishin të përbashkëtat), me  udhëheqësin e tyre.  Ç’e karakterizonte Enver Hoxhën ?  Natyra e tij psikotike.   Ku e çoi atë trashëgimía përgjatë zinxhirit të geneve ?   Në rrugën e krimit të pashoq ndaj atyre të cilëve u a rrëmbeu pushtetin në emër të lirisë dhe të demokracisë  e në vazhdim e bëri atë tamam që si kuçedra e etur për gjak dhe e zënë sysh nga dyshimi si edhe mosbesimi ndaj kujtdo, i zhduku edhe të gjithë ata q’e ndihmuan dhe e mbështetën përgjatë luftës si edhe periudhës diktaturës vendosur prej tij.
Trysnía ndaj familjes Gjomarkajve sa vinte shtohej. Janar i vitit 1947. Të internuar në Berat.   Paraqitet një oficer me dy ushtarë e kërkojnë Marta Gjomarkajn, (hallën e Gjonit) e sapo paraqitet ajo i a recitojnë formulën se në emër të popullit e arrestonin.  Ajo zgjati duart që ... i a prangosën pavonesë.  Ngrihet gjyshja e i hedh një pallto krahëve duke e porositur “... Mos u ligshtó, qindró e fortë, mos u përkul, ashtu si të ka hije ty e ashtu si na ka hije e na dishron zemra ne !   
Unë i lexoj ngjarjet dhe me syt’e mëndjes e shoh Mrikën e Gjomarkajve tek i a hedh krahëve pallton së bijës Marta me duar të prangosura, ku ajo mirditore krenare më duket sikur është nëna spartane që i a zgjat të birit mburojën para se të shkojë e t’i vritet në Termopile !   Fantazí e çfrenuar, mund të mendojë ndokush.   Nuk e shikoj të tillë, i përgjigjem unë.   Europianët e shekullit të XX-të pikërisht këtë qëndrim si trashëgimí e lashtësisë, tashmë të harruar në vëndet e tyre, e gjenin të gjallë e veprues në malet e Shqipërisë.  Ato virtyte të trashëguara tek ne që në themel kishin besën si edhe fjalën e dhënë, ishin vlerat që na dallonin nga popujt e modernizuar, bashkëkohës tanë, por që përgjatë rrugës modernizimit  kishin ardhur duke i lënë pas dore e në vazhdim edhe harruar ato.   
 Iku skuadra partizane e mes tyre  edhe Marta e Gjomarkajve.  Nuk mjaftonin tre të parët që e arrestuan, por prisnin jashtë edhe gjashtë ushtarakë të tjerë !   E ai arrestim qe fillimi i shtatë viteve burg që pësoi ajo e që i u bashkuan edhe 39 viteve internim !  
   E se mos djallëzía e komunistëve  mos mbeti me kaq ?  Ata e kishin kuptuar se forca e karakterit si edhe qëndresa personale e secilit prej Gjomarkajve si edhe e gjithë të internuarve të tjerë lidhej me njësinë bazë, familjen.   Pikërisht atë nyje qëndrese vazhduan dhe e çbënë fillimisht, me arrestimin e Martës e pastaj me dërgimin në një kamp tjetër të motrës Martës, Bardhës si edhe mbesës tyre Kristina.  Stërgjyshja ndërroi jetë (e shpëtoi nga ai ferr komunist) kurse u dërguan në një tjetër kamp gjyshja, e ëma e Gjon Markagjonit të Ri e paralizuar si edhe vetë vogëlushi krenar që si pinjoll i denjë i asaj familjeje patriotike na i solli kujtimet e tija deri në ditët tona.
Dua të vazhdoj më tutje ... por nuk mundem.   Nuk mundem t’a kapërcej momentin e asaj nate qershori, që na e përshkruan i pafajëshmi i vogël me një përjetësim madhor, kur pushoi së lënguari stërgjyshja e tij.  Pa u zgjatur, ja edhe skena tragjike e përjetuar nga tashmë 9 vjeçari e përmbledhur me disa momente kulmore ku ai thotë :  ... duke ndigjue këshillat e udhëzimet e nanës (e paralizuar) i a mbylla sytë, e vesha me rrobat ma të mira ... e pastaj nana na mori pranë vetes për t’u lutë ... ashtu në vetmí ... u lutëm që Zoti të na ndihmonte për tu ba ballë travajeve (vuajtjeve – shënim M.K.) e mundimeve të jetës ... Nji zdrukthtar me disa dërrasa i bani arkivolin ... Nji karrocier na dha karrocën e dorës për deri te vorrezat ... Nga familja vetëm unë, nji camërdhok (vogëlush – shënim M.K.) Mirdite ... Sa hall, sa mënxyrë, ku kishte vojtë puna e jonë ... motrën e hallën që ishin në kampin e Kuçovës, nuk i lejuen të vinin në varrim.   
I lexoj këto kujtime të atij camërdhoku mirditor e më dridhet zemra !   E këto ngjisnin teksa babai dhe shëmbëlltyra për t’u kopjuar e partisë komuniste shqiptare Stalini, deklaronte me bujë se në shtetet e sistemit komunist njeriu ishte kapitali më i çmuar !   Sa paradoksale dhe sarkastike në përmbajtje kjo propagandë komuniste !   E të gjitha këto pozicionime, njerëzore në pamje, pasqyroheshin përgjatë së gjithë periudhës diktatoriale edhe në Kushtetutat e vëndit tonë socialist !    Asgjë tjetër veçse ballinë propagandistike e asaj diktature përbindëshe !    

BALLAFAQIM ME FAKTE  QË TË  BËJNË TË MENDOHESH THELLË ...
Kam patur dy shokë, njerin në klasat e para të gjimnazit të Tiranës e tjetrin në vitin e maturës në Shkodër.   Që të dy i doja shumë.  I pari ishte edhe nxënës i shkëlqyer kurse i dyti, nxënës shumë mesatar por shpirt njeriu.  Të parin pata mësuar se e kishin arrestuar 17 vjeçar kurse të dytin në mesin e vitit shkollor pak mbi të 18-tat.   Kaluan vitet.  Liroheshin të njohur të përbashkët nga burgu e herë për njerin e herë për tjetrin ... dëgjoja se ishin bërë informatorë të sigurimit.   Fillova t’i urreja me shpirt për atë mungesë karakteri.  Me raste më kishte takuar të gjëndesha në pranín’e tyre :  u rrija ftohtë.   Kaluan dhjetravjeçarë.  Mirëpo kur erdha në Amerikë dhe pata disa raste me njerëz që më tregonin nëpër çfarë torturash i kishin nënështruar që të firmosnin atë të mallkuar dokument si informator, u lëkunda në bindjet e mia dhe u lëkunda seriozisht !  Kur më tregoi njeri se si e ulnin të çveshur në një karrike me një vrimë në mes dhe e detyronin të firmoste e tek ai nuk pranonte, i a lidhnin duart nga prapa dhe e godisnin me thuprën e pushkës në organet gjenitale derisa i binte të fikët e rrëzohej me gjithë karrike për tokë ... E vetmja gjë që mund të mendoja ishte ... t’a falënderoja Zotin që nuk më kishte vënë në prova të tilla.   I rikujtoj tashti ata shokët e mij që siç thonë u thyen, e jo që nuk mundem më t’i fajësoj por edhe sinqerisht e vuaj bashkë me ta fatin e tyre.  Njeri, ai shkodrani, ka ndërruar jetë.  Për të i lutem Zotit t’a ketë në mëshirën e Tij.  Kurse për të dytin, gjirokastritin, gjithashtu i lutem Zotit t’a falë për fajet që ka bërë :   kishte qenë më e fortë dhuna çnjerëzore fizike ndaj tij se sa durimi i tij !   
I ndodhur në këtë gjëndje shpirtërore erdhi rasti dhe lexoj se si halla Martë i kishte treguar nipit të saj Gjon Markagjonit të Ri se si, mbasi e kishin lidhur e hedhur në mes të dimrit në një gropë të zezë në oborrin e burgut, e me shqelma i binin kokës të zhytej e gjitha n’atë llum e pisllëk ... ose se si halla Martë e kishte parë nga të çarat e dyshemesë të burgosurin Hekuran Zhiti, (të cilin e kam njohur personalisht në Lushnje dhe ruaj respekt për të), të lidhur duarsh e këmbësh dhe të shtrirë me dhunë mbi dyshemé e tërhiqnin zvarrë si thes tek e çonin në hetuesi me kërcënime të egra të cilëve ai u përgjigjej me stoicizëm “... o të mjerë, shpirtit tim s’keni se ç’ti bëni, e ka tjetërkush në dorë, Zoti që ma ka falë.  Ai ësht’i fortë e nuk përkulet, ndërsa trupit tim kërmë, bëjini ç’të doni, armik i përjetshëm i juaji do të mbetem !”   E unë rri e mendohem se ata dy shokët e mi të shkollës, apo halla Mart’e autorit të librit me kujtime, së bashku me qindra e mijëra të burgosur që kaluan mes asaj dhune e mizoríe të pashoqe sa qenë gjallë e ata që vazhdojnë të jenë akoma gjallë janë dëshmitarë se ndaj hetuesve si dhe njëkohësisht edhe torturuesve të tyre asnjë masë nuk u muar.  Tek ne nuk u dënuan as ata q’e ngritën dhunën në sistem e jo më të dënoheshin ata që s’ishin veçse masha e tyre dhe e ushtronin torturën në vetë të parë !    
Vij tek faqja 149 e librit me kujtime dhe ndalem në një kalim shkruar nga Gjon Markagjoni i Ri tek e cilëson “Kampin e tmerrshëm të Tepelenës” i cili e ka njollosur padrejtësisht gjithë krahinën nga veprimet e ulëta e çnjerëzore të përfaqësuesve të komunizmit.   Pohimi i tij tingëllon tamam si një thirrje, e mbrujtur me filozofin’e tij,  drejtuar brezave të ardhshëm tek thotë “... Po flas kështu dhe po  i shkruej këta rreshta të dhimbshëm për t’u thanë breznive të ardhshme, se duhet të mbledhin mendt, t’i venë gishtin kokës, se neve të gjithve na duhet punë madhore për t’ia la e shlye këto njolla turpi vendit tonë të dashtun ... !    E lexoj këtë thirrje të bërë nga një i pafajshëm, i cili në vetë të parë i vuajti mbi kurrizin e tij të stërmunduar fazat e zhdukjes thuajse totale të familjes së tij nga krahu mashkullor, e megjithatë flet në shumës tek i drejtohet brezit të ri kur i fton t’i a shlyejnë Shqipërisë njollat e turpit që la nga pas  diktatura komuniste !   E lexoj këtë thirrje e  shtati i Gjon Markagjonit të Ri fillon dora dorës ngrihet nga turma e sa vjen e merr përmasa gjigande, se duke i lënë pas krahësh vuajtjet e tmerret e hequra nga ai si edhe familja e tij, problem e ka çnjollosjen e Shqipërisë !   
Pak a shum’e njajta thirrje, por e hedhur në kohën mbas shkërmoqjes komunizmit nga drejtues të lëvizjes demokratike që as në ëndërr nuk i kishin as menduar e parë pa le  edhe hequr tmerret e asgjësimet komuniste, duke i u drejtuar popullit thirrje-pohimin “Të gjithë bashkfajtor’edhe bashkëvuajtës jemi”.   Bëj krahasimet, e figura e Gjon Markagjonit të Ri akoma më shumë merr përmasa madhore para syve të mij !  Kur ai merr drejtimin e “Caritasit Mirdita”, direktiva kryesore e tij ishte kujdesi që duhej treguar në shpërndarjen e ndihmave duke dhënë porosinë :  Asnjë diferencim në shpërndarjen e tyre !  Në asnjë mënyrë mos të shikohen krahët politikë !   E lexoj këtë urdhër të tij dhënë vartësve dhe si në një sekuencë kuadrosh filmike shikoj përbërësit tejet cilësorë q’e kanë brumosur karakterin e Gjon Markagjonit të Ri !   Atij normat kanunore i ishin mëkuar që me qumështin e gjirit të nënës tij.  Ai gjithashtu e dinte se si gjyshi e gjithashtu edhe i ati, si rojtarë besnikë të atyre normave, i vlerësonin skajshmërisht lart parimet e dala prej tyre lidhur me burrërinë, nderin si edhe fjalën e dhënë që nuk bëheshin dy !   Gjon Markagjoni i Ri e dinte mirëfilli se si në malësitë tona kreshnike nuk kishte privilegje.  Barazia mes malësorëve i ishte ngulitur mirë në mëndje pinjollit çamarrok të Derës Kapidanëve.   Ai mirëfilli e dinte se punët e përgjithëshme rriheshin e zgjidheshin ndër kuvende ku veç e drejta dhe barazia respektohej e nderohej !   E këto norma kanunore i a mbajtën gjallë grat’e tejvuajtura të familjes tij përgjatë viteve të mbushura me mynxyra, vuajtje si edhe krime ndaj familjes tij !  
Disa konsiderata në përmbyllje :    Vetë koncepti i termit privilegj nuk ka egzistuar në mënyrën e të menduarit të malësorit shqiptar.  Edhe Gjon Markagjoni i Ri, bashkë me nocionet e para që merrte, mëkohej dora-dorës me edukatën e të konsideruarit të vetes tij të barabartë me këdo tjetër.  E dinte ai se pleqësíja  i zgjidhte dhe i ndante të drejtat edhe detyrimet.  E dinte ai gjithashtu se Dera e Gjomarkut nuk u përzihesh pleqve në gjykimet e tyre por  ish ajo që i merrte vendimet dhe e ndante fjalën e fundit.  E kështu ai mësoi se, kur duket sikur Dera e Gjomarkut ësht’ajo që e ka privilegjin e fjalës fundit, në qoftë se pleqtë nuk bijen dakord me vendimin e Gjomarkut, ky i fundit e ka për detyrë të mbledhë popullin nga një burrë për çdo shtëpi dhe ata e kanë të drejtën e fjalës fundit e Gjomarku u bindej vendimeve !  Pikërisht këto parime e koncepte e udhëhiqnin Gjon Markagjoni e Ri kur u vendos Kryetar i Caritasit të Mirditës.   Dhe unë, nisur nga tmerret dhe vuajtjet e përjetuara nga Gjon Markagjoni i Ri si pasoj’e një padrejtësíje të pashembulltë ushtruar nga terrori komunist, kur Gjonit i vjen radha të gjykoj’e të japë urdhëra, e shoh se tek ai mbizotërojnë normat si edhe parimet e Kanunit të Maleve, baza morale dhe etike e të cilit nuk i humbet kurrë vlerat e pra ndryshojnë rrënjësisht ato mësime si edhe ndikimi i tyre në sjellje, krahasuar me sjelljet e bishave komuniste të mëkuara me normat e partisë tyre si edhe urrejtjen e trashëguar në gene lidhur me terrorin e tyre ushtruar ndaj familjes Gjomarkajve, familjes Pervizajve, (derë dajash e Gjomarkajve), familjeve të Merlikajve, Kupve, Kaloshve si edhe mijëra familjeve fisnike shqiptare që u masakruan nga terrori komunist, emrat e të cilave do qe nder për mua por nuk i radhis dot përgjatë këtij shkrimi.  Vijmë tashti tek thelbi i çështjes të cilit un’i shikoj disa probleme :
- A ka paradoks më të madh se sa përgjatë 47 viteve të pusht-shtetit komunist diktatorial Kanuni i Maleve, kjo perlë e bazës edukatës shoqërore, u përdhos, u keq interpretua dashakeqësisht dhe në vënd që t’i jepej vëndi i nderit në muzeun e relikeve të së kaluarës u quajt veç turpi i kombit tonë shqiptar ?   Kur Europa moderne i kish humbur ato norma të moralit si edhe të etikës, ato ruheshin e gjëndeshin akoma të zbatuara përgjatë pjesës parë të të XX-tit shekull në Malësitë tona !    Me mohimin e tyre si edhe luftën e paprincip të bërë nga komunistët që e ndershmja të quhej a pandershme, mbajtja e fjalës si edhe besës dhënë të dënoheshin dhe tradhëtia e spiunimi të quheshin nderë e patriotizëm, mori fund shqiptari !   Triumfoi njeriu i ri socialist, pjell’e ideologjisë Enver Hoxhës, i cili veç namin e keq i a ka shpërndarë an’e kënd botës shqiptarit !
- Me marrjen e pushtetit shtetëror nga ana e komunistëve, ajo llav’e zjarrtë e shkatërruese e mbrujtur dhe e farkëtuar si ideologji nga Lenini e Stalini në të largëtin vit 1917, bashkë me të tjerët shtete të asaj që u quajt në vijim Europa Lindore, erdhi e dogji çdo virtyt e vyerje që kishte Shqipëria.   Pikërisht kundra saj u organizua rezistenca kryengritëse e udhëhequr fillimisht nga Mark Gjomarkaj e me vrasjen e tij nga Llesh Gjomarkaj e në vazhdim dora dorës nga komandantët e tjerë.   E këto çeta e formacione luftarake luftuan në malet e Shqipërisë deri në vitin 1953 kur forca ushtarake shtetërore, e mbështetur nga besëshkelësit e ashtuquajtur Heronj të Heshtur e gjithashtu nga KGB-ja ruse me informatat që u kalonte Kim Filby, me dhun’edhe terror i asgjësoi !   Problemi që shtroj është ky :  Lufta e formacioneve kundërkomuniste shqiptare, me dhunë të tejskajëshme shkencore nga ana e qeverisë, është kaluar në heshtje si nga shtypi  e propaganda komuniste pa le edhe mbajtur në heshtje brënda rrethimit nga kloni vdekjeprurës.   Përfundimi ? Thuajse asnjeri jashtë Shqipërisë, e gjithashtu gati askush nga brezat e rinj, nuk e dijnë se ka patur një lëvizje kryengritëse kundraqeveritare dhe kundrakomuniste në Shqipëri që nga viti 1944 e deri në vitin 1953 !  E kjo kur kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë i kishte sanksjonuar me ligj lirin’e personit, të shtypit si edhe atë të fjalës ! (?)    Në kundërshtim me këtë fakt, kemi anën tjetër të medaljes. Është shkruar e vazhdon të përshkruhet si simbol i rezistencës së popullit hungarez Revolucioni Hungarez i vitit 1956.   Dhe hallall u qoftë studentëve hungarezë në qytetin e Budapestit që  dolën në një demonstratë kundraqeveritare.  E kur qeveria i shtypi me egërsí, në vazhdim rrëmbyen edhe armët e kryengritja u shtri edhe në qytetet e tjera kundra diktaturës Mátyás Rákosi-t !   Unë nuk kam ndërmënd të bëj historikun e asaj lëvizjeje e të analizoj në se qe revolucion apo jo.  Por nuk kam se si mos t’a ve në dukje edhe t’a nënvizoj faktin se ajo lëvizje filloi me 23 tetor dhe u shtyp me 11 nëntor 1956 !   Me gjithë kohëzgjatjen e saj sa të një xixillonje, (pa dashur fare t’ia ul ose diskutoj vlerat e saja madhore), e përsëris se u quajt Revolucioni Hungarez i vitit 1956 dhe lista emërore e heronjëve të saj ësht’e pafund.  E me shumë të drejtë ësht’e nderuar dhe e respektuar.  Kurse e gjith’ajo kryengritje e luft’e armatosur dhe e organizuar dhjetëvjeçare në Shqipëri kalohet në heshtje ! Mark Gjomarkaj si edhe Llesh Gjomarkaj, e në vazhdim Alush Leshanaku me gjithë Hamit Matjanin e me qindra e qindra heronj të rënë në luftën për përmbysjen e atij pusht-shtet-it gjakatar komunist, si edhe mijërat e familjarëve të tyre të kalbur e të vdekur në kampe përqëndrimi përgjatë diktaturës komuniste për 47 vite me radhë,  kalohen në heshtje !   
- U shkrua e u rishkrua historia përgjatë 47 viteve të diktaturës nga historianët komunistë sipas mësimeve e direktivave të partisë.  Faktet e paraqitura syresh u përshkruan me lulëzime letraro – artistike nga shkrimtarët e realizmit socialist. Çdo ribotim teksti mësimor u thosh të rinjëve shkollarë ... harrojini ata heronj që janë hequr nga teksti pararendës dhe mësoni ata t’i urreni si tradhëtarë  kurse heronjt’e rinj t’i nderoni.   Kështu u ngrys edhe ... u shkërmoq diktatura.   Mirëpo tashti ndodhemi para një paradoksi ku po ata historianë q’e shkruan historin’e 47 viteve të pusht-shtetit komunist, e duan së rishmi parësínë t’a rishkruajnë historinë edhe sot !  Ata nuk e kanë keq, jo.  Së pari, sepse të mësuar me grada e tituj shkencorë nuk e pranojnë dot qëndrimin tashmë në hije e si të paemër.  Por, nga ana tjetër, e kanë edhe një problem serioz :  patjetër që duan t’a rishkruajnë ata historinë që të tëra sa kanë pohuar ose shtrembëruar ... t’i fusin në një farë këllëfi, (e harrojnë thënjen popullore se xhamija nuk futet në thes).  Ata gjithashtu duke ulëritur me të madhe se historia shkruhet vetëm në bazë faktesh edhe dokumentash arkivale, kujtojnë se populli ha bar edhe nuk e di se arkivat edhe faktet e dikurëshme ata i kanë qethur e stërqethur e së rishmi duan t’i mbushin arkivat me përralla me mbret !   Mirëpo janë Gjon Markagjonët e Rinj të cilët kanë edhe me mijëra akoma gjallë dëshmitarë pamorë të cilët si arkiva të gjalla i dëshmojnë faktet !  Le të na thonë Ramiz Alia me gjithë Aranit Çelën me shokë, në bazë çfarë ligji e fajësimi juridik u dënua Gjon Markagjoni i Ri të internohet që gjashtëvjeçar e të heqë shpirtërisht edhe fizikisht mynxyra si të Udhës Mundimeve të Krishtit ?   Asgjë mos të rikujtojë në këtë çast lexuesi i librit me kujtime të Gjon Markagjonit të Ri, por vetëm momentin kur ndërroi jetë stërgjyshja e tij.   Vogëlushin nëntëvjeçar e udhëzoi e ëma e paralizuar se si t’ia mbyllte kapakët e syve kufomës, si t’a vishte e pastaj të nesërmen ai camërdhok Mirdite e përcolli i vetëm arkën e të vdekurit me trupin e stërgjyshes brënda, ngarkuar mbi një karrocë dore, të prehej në varrezat e ushtarëve italianë !(?)  
Për Nënën’e Kapidanit Mirditës me plot gojën mund të thuhet se i përfundoi ditët e saja tokësore :  
                             
                             Gjall’edhe vdekur ajo e internuar,
                             As varr për horr s’i a kanë lejuar ! *

* (Perifrazim i vargjeve të Nolit përgjatë Elegjisë për L.Gurakuqin).


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora