E marte, 27.10.2020, 05:51 PM (GMT)

Reportazh

Thethi, një vend takimi me Zotin...

E hene, 24.09.2007, 10:45 PM


Rrugëtim mes Alpeve, ku shqiptarë e të huaj mahniten nga bukuritë që natyra i ka falur Thethit

Mrekullia “fshihet” pas 5 orësh rrugë të mundimshme. Shtëpitë alpine bujtën 5 mijë turistë këtë vit.

Nga Vladimir Karaj

THETH - Kemi udhëtuar 9 orë për të arritur deri këtu, ku mendimet fillojnë e kondensohen, shndërrohen në mjegull dhe fluturojnë tatëpjetë prej majave në humnerë, duke u ndalur herë këtu e herë atje nëpër ahishte apo duke u ardhur vërdallë shkrepave me forma të mbinatyrshme. Arrijmë të shqiptojmë vetëm “uau” mahnitjeje dhe ndër të rrallë, shkëmbejmë ndonjë fjalë, ndërsa ngjeshim hundën në xhamin e ftohtë të mikrobusit që ngjitet me vështirësi të përpjetës në Qafën e Thores, 1800 metra mbi det e bëhet gati për të zbritur teposhtë, ku hapen luginat e zbukuruaranga gjethe të arta vjeshte e avuj gri, pas të cilave fshihet Thethi. Këtu fryma të meket dhe 8 pasagjerët e furgonit që mezi merr kthesat e ngushta duke u hedhur përpjetë pas çdo guri, lëshojnë në të rrallë psherëtima dhe përsërisin mrekulli, aq herë sa u shkrep në kokë. Nuk ka tabela informuese, por nëse do të kishte, duhej të shkruanin: “Mirëserdhët në Theth, një vend takimi me Zotin”...

Rruga

“Nuk mendoj se Gjermani ka vende kaq të bukura”,- thotë Arjana një studente nga Eseni, e cila ndodhet për vizitë tek mikja e saj në Tiranë, Lira. Të dyja rrugëtojnë me ne, në udhëtimin që organizon Ambasada Gjermane, GTZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik) dhe KFË (Banka Gjermane për Zhvillim). Ne vetëm ia pohojmë fjalinë mysafires, edhe po të ketë vende kaq të bukura dikund tjetër, kjo nuk ka fortrëndësi kur je duke parë nga dritarja dhe ndodhesh buzë një humnere të mbuluar me mjegull, kur zemra ca prej oksigjenit më të rrallë e ca prej një lloj frike fluturimi, edhe pse ndodhesh në tokë, fillon të rrahë çuditshëm. Ora është 18.00 e pasdites së 20 shtatorit, që përkon me ditën e parë të udhëtimit tonë 3 ditor. Në makinën që tani zbret më lehtë drejt Thethit, jemi të gjithë të lodhur. Në Tiranë u nisëm rreth orës 9.00 të mëngjesit dhe duke mos llogaritur aty tek 4 orë ndalesa e rrugën deri nëShkodër, i bie të kemi afërsisht 5 orë udhëtim dhe në pjesën më të madhe, në një rrugë ku makina kërcen pupthi mbi gurë, duke i shkaktuar gunga në kokë Lirës, studentes shqiptare të ekonomisë në Gjermani, e cila thotë se ndodhet këtu për të fituar eksperiencë në projektet e GTZ-së. Në automjetin, i cili nuk duket shumë i përshtatshëm për këtë rrugë, jemi dhe 6 të tjerë bashkë me shoferin që është mjaft i mërzitur me kthesat e rrezikshme dhe gurët që i ngatërrohen në rrota...

Edhe 30 minuta...

E ndërsa dielli ka perënduar e poshtë në luginë ka filluar të erret, Arjana do me doemos të dijë se kur do të mbërrijmë. “Edhe 30 minuta”,- i themi dhe duke parë prej së larti fundin e gropës që ka filluar të humbasë në hijet e natës, ndërsa i afrohemi gjithmonë e më shumë dhe ne na duket mjaftueshëm. Por kur i kemi kaluar të 30-tat, e kuptojmë që kthesat na kanë mashtruar paq, ndërsa një gur që futet si për inat në mes të dy gomave, duke na detyruar të ndalojmë edhe për nja 15 minuta të tjera, e bën krejt të pavlefshme kohë-matjen. Arjana qesh me parashikimin tonë, por fundja ne nuk jemi gjermanë që të jemi kaq të përpiktë për punë oraresh, e për më shumë as ne nuk kishim si i shpëtonim magjepsjes prej mrekullisë, që na qëndron përbri dhe nuk pyet për orët, vitet, shekujt që i kanë kaluar përmbi, pa i ndryshuar asgjë. Makina niset sërish dhe më në fund jemi në Theth. Gjithçka prehet në errësirë dhe e vetmja gjë që shihet janë majat e bardha të Alpeve që duket sikur digjen të ndriçuara prej një çerek hëne.

Të tjerët, bashkë me ambasadorin e ri të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt dhe bashkëshorten e tij, kanë mbërritur më parë falë fuoristradave apo furgonëve më të vegjël, të cilët janë më të këshillueshëm e më të përshtatshëm, nëse ju duhet të ndërmerrni udhëtim në rrugën e pashtruar drejt Thethit. Organizatorja na tregon se jemi caktuar të bujtim tek Mëhill Çarku, një nga 7 shtëpitë e Thethit që me ndihmën e GTZ është përshtatur për të pritur turistë dhe ne na duhet të kthehemi pas nja 2 kilometra deri në hyrje të fshatit, aty ku një tabelë e vënë së fundmi shkruan emrin e të zotit të shtëpisë. Një grua rreth të 70-tave na pret duke na përkëdhelur e duke na sajdisur me fjalë të ëmbla, që i shkojnë për shtat një gjysheje nga Thethi, ndërsa na rregullon një vend afër dhomës me oxhak. Nga dhoma tjetër, një grup të huajsh të shtruar për të ngrënë darkë na përshëndet me një “Hello”, ndërsa në tavolinën tonë janë shtruar menjëherë gotat e rakisë...

Hollandezë e gjermanë

Turistët e parë që takuam në Theth, po të heqim këtu veten tonë, janë një grup i përzier rastësisht mes hollandezësh dhe gjermanësh, një britaniku dhe udhërrëfyesit të tyre shqiptar. Ata si edhe ne kanë një vend në shtëpinë e Mëhillit, ku siç na tregon i zoti i shtëpisë, qëndrojnë prej tre ditësh dhe do të nisen të nesërmen një pjesë për marshim në Alpe dhe të tjerët drejt Shkodrës. “Tre gjermanët i kam miq. Është hera e tretë që vijnë, kurse të tjerët tani kanë ardhur”,- thotë Mëhilli, duke bërë me kokë nga dhoma tjetër. Ata janë ulur rreth në një tavolinë të madhe ngrënieje, ku veç llampës që mezi bën dritë janë vënë të digjen edhe qirinj. Në një dhomë krejt si për turistë, të zbukuruar me një radio të vjetër “Iliria” dhe ornamente të punuara me dorë. “Shqiptarët janë të mrekullueshëm dhe shumë miqësorë”, -përsërisin si me urdhër njëri pas tjetrit, kur i pyesim sesi ndjehen këtu, ndërsa qeshin me batutat mbi gjyqtarin e ndeshjes Shqipëri-Hollandë dhe shtrëngojnë fort gotat e rakisë së kumbullës.

Këtu u njohëm me Lis, një holandeze që e ndikuar edhe nga rakia, qesh sa për gjithë grupin, ndërsa lëshon herë pas here batuta dhe mburr natyrën shqiptare; dy miqtë e saj nga vendi i tulipanëve dhe ata po aq të qeshur, britanikun Morrou, një 70 vjeçar të heshtur, i cili ishte aksidentuar duke ecur në Alpe dhe flet vetëm për të thënë. “Shqiptarët të ndihmojnë sa herë që ke nevojë apo ndjehesh keq, madje edhe pa e kërkuar, përndryshe nga njerëzit në Ukrahinë apo gjetkë në lindje”,-thotë ai, ndërsa buzëqesh lehtë kur të tjerët bëjnë shaka me apartin fotografik që i është dëmtuar gjatë rrëzimit. Gjithashtu takuam zotin Musonic, një profesor gjerman të dashuruar me Alpet shqiptare dhe Thethin, i cili thotë se ishte nismëtar i një bashkëpunimi me Universitetin e Shkodrës për të përmirësuar turizmin e këtyre anëve dhe që së bashku me dy miq vinte këtu për herë të tretë. I ulur në krye të tavolinës, Musonic, apo kështu ia kuptuam ne emrin, duket se është mjaft i kënaqur me atë që gjen në Shqipëri dhe në shtëpinë e Mëhillit, ku ka ardhur për herë të parë në mes të viteve 90’.

Udhërrëfyesi

E ndërsa hollandezët, që nga pamja duken mbi të 50-at janë dendur me raki dhe kanë shkuar të flenë, Klajdi Kruja, udhërrëfyes i “AutdoorAlbania” gjen kohë për të folur shqip, pasi kishte kaluar orë të tëra në male duke shoqëruar turistët. “Pjesa më e madhe thuajse ikin duke qarë prej këtej”, -na thotë Klajdi, kur e pyesim nëse ata që shoqëron prej 3 vjetësh mbeten të kënaqur. Dhe kur ne lëshojmë një “vërtet?!” dyshuese shton: “ne jemi një vend i vogël me një dendësi të madhe bukurish natyrore dhe njerëz miqësorë që ata nuk i gjejnë në vendet e tyre... Sa herë ndahem në aeroport, i lë të përmalluar”. Por Klajdi vetë nuk është aq i kënaqur nga vendi i tij. “Shkruani noj gjo për plehrat mor amon”,-thotë duke theksuar fjalët në dialekt, ndërsa na tregon se zihet ngushtë sa herë ata që ai shoqëron, e pyesin për mbeturinat e hedhura andej këndej në rrugë gjithmonë në vende të papërshtatshme. Klajdi thotë se është e çuditshme se si për hedhjen e plehrave vend e pavend thuajse nuk flitet fare dhe askush nuk mendon për fshehjen e tyre. Ndërsa bisedat ndanë oxhakut shterojnë dhe ne shkojmë për të fjetur, Klajdi na lë porosi të mos harrojmë të shkruajmë dhe për plehrat, që ai të mos jetë i detyruar t’ua shpjegojë sërish këtë situatë të huajve.

Një shkollë e re për Franin

Këtu është e vështirë të flesh dhe të mbetesh pa parë. Për këtë arsye duket se të gjithë janë në këmbë që herët në mëngjes, kur dielli përkëdhel duke përshkuar tej gjethet e drurëve dhe duke krijuar dritëhije mahnitëse. Programi thotë që duhet të mblidhemi tek shkolla, rikonstruksioni i të cilës i financuar nga ambasada gjermane, do të inaugurohet në praninë edhe të zëvendësministres së Turizmit, Suzana Turku dhe këshilltarit të Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj. Nga ora 10.00 e paradites, të gjithë janë aty, duke përfshirë edhe të sapoardhur nga Tirana dhe një grup të rinjsh vullnetarë, të cilët me ndihmën e GTZ dhe GEF (Projekti i grandeve të vogla) po punonin për shenjimin e shtigjeve malore, për të ndihmuar në këtë mënyrë turistët. Inagurimi zgjat ca,pasi duhet të flasin të ardhurit nga qeveria, që kanë përsëritur të njëjtat premtime për përkrahje dhe turizëm që zhvillohet me hapa të mëdhej, që i dëgjojmë gjithmonë nga Tirana, por që nuk dinë të thonë se pse qeveria, madje asnjë qeveri nuk ka qenë e pranishme deri tani në Theth, qoftë edhe për të sistemuar plehrat.
 
Në fund, ambasadori gjerman premton sërish mbështetje, ndërsa hapen dyert dy-kanatëshe të shkollës me dy klasa kolektive, ku mësojnë 20 nxënës. Banka të reja, një kompjuter, dritare më të mira dhe një turrë me materiale mësimore, dhuratë nga stafi i ambasadës gjermane, të cilat e bëjnë të qeshë me sy dhe me gojë Françesko Harushën, nxënës në klasën e dytë, ndërsa përpiqet të hapë një kuti me lapsa me ngjyra dhe njëkohësisht t’i përgjigjet mikrofonave që i janë vënë përpara dhe e pyesin se çfarë dëshiron të bëjë. “Do rri në Theth, do merrem me turizëm”,- thotë ai, duke u përkëdhelur. Ndërsa ne dalim jashtë, kësaj radhe të gatitur për marshimin dhe një takim me Zotin...

Ndiqni shenjat

Nuk mund të numërosh sa jemi, pasi me t’u dhënë shenja e nisjes, të gjithë shpërndahen duke u bërë thuajse të padukshëm. Ku po shkojmë dhe ku do shkojmë, e dinë vetëm udhërrëfyesit që heqin rrugën, përmes lëndinave që të ngjallin dëshirën për të vrapuar, para kullave gjysmë të rrënura nga pesha e historisë e viteve, e mes- përmes asaj çka Zoti e fali, e ne njerëzit nuk mund veç të mos e duam. Bashkohemi me të rinjtë, ata që ecin herë duke rendur në mes të barit dhe herë duke u kthyer pas, e marrë poza për aparate që shkrepen njëri pas tjetrit, ndërsa shenjojnë me gisht maja malesh. Ai që di më shumë duket se është Niku, një djalë nga Dibra i pajisur me kovat me bojë me të cilat do të vërë shenjat në shkrepa dhe këmbët më të shpejta të grupit të vullnetarëve, që bashkë me të kanë numëruar shtigjet e maleve mbi Theth. Me Nikun është Elna, Shpresa, Endriti, Sorini dhe Koli, vendaliu që bën gjithmonë shaka. Të gjithë rreth të 20-ave e të dashuruar me natyrën, aq sa për zbavitje na thonë që bëjnë kollotumba në lëndinat me bar dhe kur ndodh të çmenden fare edhe të lahen në ujvarën me ujë brisk të ftohtë, para së cilësgjuetia e manaferrave që na zë të gjithëve, duket gjë e vogël. E ndërsa ecim, na vjen keq që nuk kemi të tjerë sy për të parë dhe mbrapa, të kemi një tjetër gojë dhe të dimë edhe nja 5 gjuhë, për t’u thënë të gjithëve sa bukur duket Radohima që ka vënë për rreth një si shall mjegulle. “E mrekullueshme”, -thotë në gjermanisht Arjana, ndërsa ngjitemi e zbresim në kodrina, apo hyjmë e dalim nga kulla, frengjitë e të cilave të nxisin për të shtënë. “Është vërtet shumë bukur dhe rakia është shumë e mirë”, -vazhdon ajo, ndërsa i kënaqet fotos me një të moshuar që na pret në pragun e kullës dhe na qeras me gota të mëdha rakie. Gurët me forma të çuditshme në lumenj të tharë prej shterpësisë së qiellit, shtigje dhish në të cilat rropatemi, parcela me misër që i bashkohen koloritit të pakrahasueshëm, një kishë e rikostruktuar nga djemtë e Thethit në Amerikë dhe gjurma të kuqe dhe të bardha që shënojnë malin dhe duket sikur thonë: “vazhdo, vazhdo”, deri në pafundësi.

Ditëlindje në Theth

Por pafundësia nuk është aq larg. Ajo mbaron tek ujvara me ujë kristal dhe stërkala që krijojnë ylberë. Del nga shkëmbi dhe përplaset fuqishëm po në shkëmb, vrapon për t’u fshehur tëposhtë gurëve të zallit e zabelit me shkozë e ferra. Pasi kemi ngrënë biskota dhe reçel fiku, që dikush është kujtuar të marrë me vete, zbresim poshtë për nga kanioni, në një tatëpjetë që të bën të rendësh, për t’u ndalur vetëm para rrënojave të një qyteti 2800 vjeçar, të zbuluar nga një arkeolog amerikan, ku mund të kënaqemi me ç’ka kanë bërë paraardhësit e që për t’ia marrë shijen, e bashkojmë me lahutën që na shoqëron gjatë drekës të shtruar në lëndinë, pasi jemi kthyer tashmë në Theth. Këtu, Arjana thotë se është vegjetariane e thuajse mbetet pa ngrënë, ngase treçereku i pjatës përbëhet nga mishi i pjekur. Sidoqoftë, ajo mund të kënaqet me rakinë dhe dollitë, ndërsa në tavolinën ku ndodhen edhe të tjerë të huaj, gjermanishtja përzihet me frengjishten, kjo me italishten e ndonjëherë anglishtja u merr pjesë të gjithave, ndërsa nga sytë që qeshin, kupton se merremi vesh, ndodhemi tamam ku duam të jemi, aty ku Babeli humbet kuptimin. Pasditja kalon me një shëtitje në Ndërlysë, ndërsa nata për ata që kanë ende këmbë dhe ia kanë ngenë argëtimit, vazhdon me këngë dhe leksione kërcimi, apo me një tortë të sajuar për ditëlindjen e Nikut, ku në vend të kremit për të shkruar urimin, janë përdorur arra të çara dhe qirinjtë e vegjël janë zëvendësuar nga një i zakonshëm, por mjaftueshëm për të kënduar “shumë urime për ty”, rrëkëllyer raki, mësuar salsa dhe qeshur me stonaturat dhe tra la la -të pas vargjeve të harruara, treguar pafund histori,deri sa gjunjët fillojnë e këputen, sytë mbyllen vetiu dhe drutë në oxhak janë djegur....Ne që për të fjetur na duhej të shkonim ca më larg se vendi i festës, sigurisht që qemë ndër fatlumët. Ca qindra metra nga Tërthorja, ku ende dëgjoheshin zhurma feste, deri te Mëhilli, ku ndodhej shtrati, mund të shijonim natën, të kërkonim me sy Arushën e Madhe, të ngjetheshim pas zhurmës së ketrave në degë të arrave dhe të ndjenim ajrin që na vërshonte ndër mushkëri me 1 mijë aroma, ndërsa ngrinim kokën për të parë majat e Alpeve që megjithë errësirën, dukeshin të bardha, si të mësuara me dëborën që këtë vit u mungonte kësulave të tyre. Nëse jeni këtu, mos u nxitoni të flini. Kohë për gjumë ka plot në Tiranën e zhurmshme, ku ju duhet të ktheheni. Në Theth hapni sytë katër dhe shijojeni deri në fund se si zhurmon përroi që rend tëposhtë luginës, heshtni dhe ndjeni si pëshpërisin ahishtat dhe arrat, që kur të ktheheni, të keni mundësi të tregoni se çfarë shijuat në takimin me Zotin...

Bernd Borchardt vlerëson si mjaft të mira mundësitë për turizëm të Thethit

The run way Ambasador...

Nuk është titull filmi. I kushtohet totalisht një prej marshuesve më të mirë që kishim me vete, zotin Bernd Borchardt, ambasador i Shqipërisë në Tiranë. Për t’i shkëputur ca fjalë, ndërsa shëtisnim nëpër Theth na u desh të vraponim, deri sa ta arrinim, sepse ai ecte shumë shpejt. Megjithë rrugën e rrëpirë e patëm të vështirë ta ndiqnin, edhe pse ai e ngadalësoi hapin. Zoti Borchardt na thotë që ka mbetur i mahnitur nga gjithë sa ka parë, ndërsa nuk përton të bashkohet me të tjerët që mbledhin thana apo manaferra, një punë mjaft larg diplomacisë, por që atij duhet t’i duket po aq e bukur. “Ky vend ka mundësi mjaft të mira për turizmin. Jam shumë i kënaqur që ndihma gjermane ka funksionuar dhe siç më thanë, vetëm këtë vit këtu kanë qenë 5 mijë të huaj”, -thotë ambasadori. Ai na shpjegon se ndihma do të vazhdojë, ndërsa shton se perspektiva për të pasur një turizëm është mjaft e madhe dhe do të ndihmonte jashtëzakonisht familjet e varfra të kësaj zone të bukur. Borchardt ka pak kohë që ndodhet në Tiranë, por ka mësuar tashmë të përshëndesë shqip dhe ndërsa ne e lëmë të vazhdojë përpara, ai nuk përton të takojë njerëzit që gjen gjatë rrugës apo të futet në kullat e rrënuara dhe të pista e të dëgjojë për historitë dhe ligjet e kanunit, mënyrën si përdoreshin frengjitë apo kapanxhat e rënda prej druri ku fshiheshin ata që kërkoheshin për t’u vrarë. I veshur si teksan, i shoqëruar nga bashkëshortja, po aq e dhënë pas natyrës, ai duket të ketë mbetur mjaft i kënaqur nga shëtitja e paradites, sa nuk përton të jetë edhe në shëtitjen e dytë për në Ndërlysë, ndërsa na tregon se është i mahnitur nga natyra dhe bukuritë e Thethit, që herë zgjerohet, herë ngushtohet nëpër lugina deri sa përfundon me horizonte shkrepash që presin si thikë qiellin. Gjatë udhëtimit, ambasadori mori pjesë në disa takime me krerët lokalë, ku kanë investuar apo dhënë ndihmën kompani dhe fondacione nga Gjermania. Kështu ai mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të ujësjellësit në Reç, i financuar nga KFË, në një takim me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës ku u fol për mundësitë e investimeve gjermane në këtë qytet, ndërsa ambasadori vizitoi edhe punishten e prodhimit me dorë të maskave veneciane në Shkodër.

Zviceriania: Përse i dua malet e Shqipërisë..

Barbara është zviceriane, por në vend të maleve të famshme të vendlindjes, preferon ato të Shqipërisë. “Kam pyetur edhe shumë zviceranë të tjerë që kanë ardhur këtu dhe më kanë thënë se diferenca është tek historia që kanë këto vende dhe fakti që ato janë prekur më pak nga industrializmi”,- tregon gruaja e thinjur me një buzëqeshje që duket se nuk i hiqet nga fytyra. Këtu mësojmë se ajo kishte ardhur mjaft shpesh në Theth, ku së fundmi ka marrë përsipër të instruktojë të rinjtë që vendosin shenja në shtigjet e Alpeve për të ndihmuar turistët. Barbara është kundër ndërtimit të një rruge të asfaltuar. “Mos të asfaltohet rruga, është mirë që të mos i ndërhyhet kësaj natyre të mrekullueshme. Ajo vetëm duhet zgjeruar dhe mbajtur sa më e natyrshme dhe të bëhet e kalueshme edhe në dimër”,- thotë ajo, ndërsa vëren mungesën e një qendre spitalore, e domosdoshme qoftë për banorët që dimërojnë këtej, qoftë edhe për turistët e shumtë.

GUIDË

Ku të shkosh në Theth...

Pak familje kanë mbetur në Theth, por që të gjitha mund të presin turistë. Veç një hoteli të ndërtuar në hyrje të fshatit, aty ku dikur ka qenë kampi shtetëror i pushimit, me ndihmën e GTZ dhe fondacioneve të tjera 7 familje kanë përshtatur banesat e tyre për turizëm familjar dhe në të gjitha këto familje mund t’ia kalosh në mënyrë të mrekullueshme. “Projekti ka mbështetur deri tani 7 familje që kanë përmirësuar ndjeshëm kompletimin e shtëpive të tyre, duke filluar nga kompletimi i dy banjave, kompletimi i 2-3 dhomave për fjetjen me 8-12 krevate, komodina e rafte të thjeshta, kuzhinat si dhe krijimin e një atmosfere të përshtatshme për turistët”,-thotëzv/drejtor i GTZ për Shqipërinë. Këto 7 familje kanë tashmë një kapacitet prej 63 shtretërish, ndërsa dy familje të tjera po ndërtojnë infrastrukturën me ndihmë të një fondacion holandez. Një guidë turistike dhe një hartë janë në punim e sipër, ndërsa janë shpërndarë informacionet dhe të dhënat për vendet ku mund të qëndrosh në Theth. Për të shkuar atje mjafton të kontaktosh në numrat e telefonit që çdo familje ka në dispozicion të turistëve dhe të prenotoni shtretërit që ju duhen. Kostoja varion nga 1500 deri në 2500 lekë në natë, duke përfshirë të ngrënët dhe ndihmën e nevojshme për të kaluar shtigjet dhe për të mos humbur rrugën.

Familjet

Mëhill Çarku, Gjeçaj, 0693164211/ 15 shtretër
Gjon Deda, Okol, 0693118693/ 10 shtretër
Fran Molla, Gjeçaj, 0682180228/ 8 shtretër
Prek Tërthorja, Gjeçaj, 0683644788/ 15 shtretër
Prek Harusha, Qendër, 0692770294/ 11 shtretër
Dedë Nika, Ndërlysë, 0693346423/ 6 shtretër
Rrok Stani, Ndërlysë, 0693164726/ 6 shtretër



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora