Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë

| E hene, 05.10.2009, 07:59 PM |


Nënë Tereza me Lume Jukën
Nënë Tereza me Lume Jukën
Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë


Bisedë me zonjën Lume Musa Juka, ose “sister” Lumen siç e thërrasin motrat e Nënë Terezës.

Bisedoi Këze Kozeta Zylo

Botoi gazeta “Ilyria

    Zonja Lume Juka është një intelektuale e Diasporës, ajo punoi si profesore e frëngjishtes një jetë të tërë, por dhe pse e detyruar të largohej qysh në moshën fëminore nga Mëmëdheu, ajo kurrë s’e harroi vendin e të parëve, vendlindjen e saj, Shkodërlocen e bukur.
Eshtë në nderin tonë si shqiptarë, që kemi midis nesh këto figura të ndritura dhe që kanë punuar kaq shumë për Kombin, është në nderin tonë që të mos heshtim…!
Nga biseda telefonike që pata me këtë zonjë, ajo rrezatonte mirësi, gati-gati hyjnore, thjeshtësi të pazakontë, ajo nuk donte të fliste kurrë për vehten, por vetëm për dashurinë e motrës së saj, profesore Safete Jukën, familjen e saj, si dhe për Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.
Kam mbështetur idenë që profesore Safete Juka të shpallet “Nderi i Kombit”, por deri tani në vesh të shurdhët.
Unë me këtë rast dua të falënderoj z.Eduard Dilo, mikun e afërt të familjes Juka, si dhe pinjollin e familjes mëmëdhetare dhe të persekutuar Dilo me dekada të tëra, që më mundësoi këtë bashkëbisedim kaq të ngrohtë dhe tepër njerëzor.

C’zë i bukur më tingëllon në telefon, sikur të jeni një vajzë e re?
 
Vajzë e re jam, (qesh), shpirti nuk më plaket kurrë!
Kur kam kenë e vogël, gjithmonë dëgjoja për të më moshuarit urimin:
“Pleqni të mbarë”!
Nga ana tjeter thoshja me vehte: “Pse ja kujtojnë kaq shumë pleqninë”?
Në fakt plaku respektohej shumë atëhere, e vijshin në qoshe, në krye të oxhakut dhe e dëgjonin për fjalët e mençme!

Sadete Juka
Kur u larguat nga Shqipëria?


Unë u largova në moshën 11 vjeç dhe u vendosëm në Egjypt së bashku me familjen time.
Egjypti ka kenë qendra e kundërshtarëve të politikës komuniste.
Atje u takuam me Ali Kërcyrën, Koco Mukën etj… ata u bashkuan së bashku.
Babai im ndërroi jetë në Aleksandri.

Ju jeni vajza e Musa Jukës, ish ministrit në kohën e Zogut, c’kujtoni për babanë tuaj?

Babai im ka udhëhequr tri Ministri, Ministrinë Botore, të Ekonomisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Qenka një rast i rrallë që të mbikqyrësh tre ministri?

 Po, kjo është një e vërtetë, ai i drejtoi ato me profesionalizëm dhe kulturë për atë kohë.
Ai ishte shkolluar në Stamboll.  Prindërit e mi vinë nga familje të pasura, nga Shkodra, por i kam dëgjuar shpesh, që thoshnin se ju vinte turp që ishin të pasur në atë vend të varfër.  Shtëpia ka kenë e hapur për të varfërit, nuk kemi pasur shërbyese.  
Shtëpia jonë është djegur dy tri herë.
Mbaj mend njëherë, se vëllai i vogël kishte ardhur prej shkolle dhe po dridhej së ftohti.  Nana e pyeti, se ku e kishte xhaketën që kishte veshur në mëngjes?  
Ai iu pergjegj se ja kishte falur një shoku, që kishte më shumë ftohtë se ai.
Kur baba i jepte ndonjë pare, ai gjithmonë i ruante dhe shkonte me shokët në kinema.
Mirësia ka qenë tipari i dallueshëm tek prindërit e mi.  
Babai im ka qenë një burrë i heshtun.
Babai im dhe në burg kur bisedonte me njerëz të ndryshëm, iu thoshte, se të gjithë përpiqemi për Kombin tonë, por në mënyra të ndryshme.
Prindërit e mi e kanë admiruar shumë Faik Konicën, ata e kane vlerësuar mençurinë dhe diplomacinë e tij.

Ju flisni një gjuhë të kulluar, si është e mundur që e keni ruajtur kaq të pastër si bora e bjeshkëve të bardha?

Gjuha e pastër imja, është merita e prindërve.  Edhe kur nuk e gjejshim ndonjë fjalë, ata na thoshnin gjej fjalën shqipe, mos e zëvendëso kurrë me fjalë të huaj.
Ne në shtëpi flisnim vetëm shqip, ata nuk na lejonin të flisnim gjuhë tjetër.
Ishin shumë të merakosur që ne të mos e harronim kurrë gjuhën tonë.

Kur keni shkuar në Shqipëri për herë të parë?

Për herë të parë kam shkuar në Shqipëri në vitin 1995 dhe kam ndenjur pranë familjes Petrela në Tiranë.
Ata kishin katër djem të mirë, punonin shumë dhe të gjitha të hollat ja dorëzojshin babës së tyre.
Për këtë gjë i çmoja së tepërmi, familjen shqiptari e ka pasur të shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit.  Aty pashë nga afër këtë traditë të familjes shqiptare, respektin reicprok që duhet të kemi për prindërit dhe fëmijët.

Arsyeja që ngulmova disa herë për t’ju intervistuar ishte, se kohët e fundit lexova në disa gazeta amanetin e motrës suaj, profesore Safete Jukës.  Ajo kishte dhuruar një shumë 40 mije dollare, për t’i vënë në shërbim të Bibliotekës Kombëtare.  Ç’mund të na thoni më tepër për këtë gjest sa fisnik po aq dhe human?
Ndërkohë ju i dërguat letër drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z.Plasari, ku e sqaronit për më shumë.

S. Juka
Kam kenë tepër e emocionueme, nuk e prisja që ajo letër kaq e thjeshtë do të kishte kaq emocion, kaq lexues.  Motra ime këtë veprim e ka bërë në heshtje.

Mua më lajmëroi Banka Amerikane, që ajo kishte depozituar 40 mijë dollarë, për Bibliotekën Kombëtare.

Kam lexuar shpesh për prof.S.Jukën, kam mbështetur idenë, që ajo të shpallet “Nderi i Kombit”…

Unë kam dashur me shpirt të të falënderojë, që ju e vlerësoni të bukurën, intelektualizmin e çdo gjë.
Une ju falënderoj si familje për shkollën shqipe dhe për hapjen e Televizionit.
Kur lexova shkrimin tuaj për Diloiadën, lotët më rridhnin papushim, qava.  
E kam njohur nga afër atë familje të persekutuar.
Motra ime e kishte në shpirt Kosovën.  Nuk ka lënë një demonstratë pa shkuar për Kosovën, në shi dhe në borë.  Ajo nuk dilte nëpër podiume, po e dini se cfarë bënte?  Rrinte midis popullit dhe kur kalojshin të huajtë, ajo gjithmonë ju fliste për Kosovën, për genocidin serb, për popullin e vuajtur të Kosovës.
Ka pasur një personalitet tepër të thjeshtë, por gjithmonë më mundonte ndërgjegja se a është dashur me e lënë në heshtje, apo duhet t’i shkruaja letër Bibliotekës për amanetin e saj?
Iu luta Zotit për këtë veprim.

Kadareja e ka vlerësuar prof.Safete Jukën si një Dora D’Istria të dytë, keni komunikuar direkt me shkrimtarin e madh?
 
Kadareja këtë gjë e ka vënë në dukje, nëpërmjet Dr.Moikom Zeqos.
Më 1994, në Bibliotekën e Durrësit, Dr.Zeqo ka gjetur librin e saj me titull “Kosova”, dhe është magjepsur kur ka parë dokumentacionin e saj.  Ai ka shkruajtur një artikull në gazetën “Koha Jonë”, për të.  
Ka kenë i pari që ka shkruajtur rreth saj.  I jam mirënjohese dr.Zeqos.
Ajo mbrojti doktoratën në filozofi në Sorbornë të Frances, më 1969.
Ka organizuar konferencën shkencore për Kosovën, në New York, dhe më vonë botoi librin “Kosova”, ku jep mjaft të dhëna për shqiptarët me dokumente historike.
Motra ime ka shkruar shpesh dhe në gazetën “Dielli”.
Ajo e donte këtë gazetë dhe bashkëpunonte me këtë organ të Vatrës.
Ishte shumë e shkëlqyeshme kur dëgjova që do të ribotohet përsëri gazeta “Dielli”, njëherë në muaj dhe editor do të ketë Dalip Grecën.  E kam njohur qysh në Shqipëri Dalipin, i lexojsha shkrimet tek Suplementi dhe ishin shumë interesante.  
I jam shumë mirënjohëse që shkruajti artikullin për motrën time dhe e publikoi në gazetën e Diasporës, Illyria” me botues z.Vehbi Bajrami. Edhe Zenepe Luka ka shkruar dhe mbështet mendimin për ta shpallur prof.Jukën “Nderi i Kombit”.  Për mua S’ka rëndësi fare në se nuk ja japin, ajo punoi me shumë zemër.  Janë të hapura dorëshkrimet e saj.  
Mua më është coptue zemra, Safetja dhe vellai im i shtrenjtë shkuan herët në atë botë, në të njejtin vit.

Ju jeni bashkëpunëtore e motrave Nënë  Tereza dhe e keni takuar Nënë Terezën disa herë, c’kujtoni nga takimet me të?

Une ju thashë që në fillim të bashkëbisedimit tonë zonja Kozeta, që nuk dua të flas për veten, dua të flas vetëm për disa kujtime me motrën time Safete Jukën.

Ju lutem znj.Lume, unë e kuptoj thjeshtësine tuaj, por duhet ta bëni këtë vetëm për lexuesit, pasi mesazhet tuaja janë tepër njerëzore, janë për Kombin tonë të përbashkët.

OK atëhere, në se unë nuk jua prishi qejfin dua të flas vetëm për experiencë shpirtërore.

Une kam dhënë mësime të gjuhës frënge, por ka dhe një gjuhë më të bukur se të gjitha gjuhët e botës, ajo është gjuha e zemrës, gjuha që ta duam njeri tjetrin.
Kur jepja mësim, nxënësit rrinin në klasë edhe pas mësimit, sidomos ata që kishin dicka për të diskutuar ose ndonjë paqartësi.  Unë pasi mbaroja korrigjimet ulesha dhe diskutoja me ta me kënaqësi.
Njerëzit shpesh gjykohen nga diplomat, por duhet të gjykohen se cfarë bëjnë për të tjerët.  Unë gjithmonë i lutem Zotit së bashku me murgeshat, unë jam bashkëpunëtore e motrave “Nënë Tereza”.
 
Ka ndonjë shqiptare tjetër së bashku me ju kur luteni?

M. Juka
Vonë kanë ardhur dy shqiptare prej Kosove që janë bashkuar me ne.

Në vitin 69 kishja një dhembje dhëmbi, dhe po prisja të shkoja tek dentisti.  
Në dhomën e pritjes tek zyra e dentistit, lexova revistën që nuk del më, “Look”, brenda saj kishte shkrimin “Imagjinoni një yll të bardhë”
Unë po kaloja në një krizë shpirtërore, ishja idealiste.  Kur e lexova që shkrimi fliste për një shqiptare, u emocionova pa masë!  Nënë Tereza ishte shumë pak e njohur nga Diaspora.  
E mora revistën dhe me entuziazëm të madh, u fola te nesërmen studentëve për Nënë Terezën.  Unë ju fola të gjithëve për Nënë Terezën, bamirësinë e saj dhe mbi të gjitha që ishte një shqiptare.
Revistën e ruaj dhe sot, e kam në shtëpi, në Tiranë.  
Une pashë dhe filmin “Disa gjëra të bukura janë harruar”, që i kushtohet Nënë Terezës. Autori ka kenë shkrimtar anglez, gazetar dhe punonte në TV.
Ja si e përshkruan autori Nënë Terezën, kur ajo ishte e ftuar në studion e tij:
“Po shoh se po vjen një murgeshë, nuk dija gjë me saktësi për të.  E pyeta ku i keni shënimet?  Tereza m’u pergjigj, se fjalët që kam me thanë, i  kam nga Zoti.  Filloi me folë, dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk kërkoi ndihma, kurse të gjithë të tjerët  kërkuan ndihma.  Gjysmë ore ishte programi, intervista me të ishte në orën 3 e gjysmë të mëngjesit, dhe në këtë orë nuk e shikojnë shumë, por ajo që më habiti më vonë ishte, se nuk pushuan ndihmat për të”.
Nga frymëzimi që pati gazetari për të, ai donte të shkruante një libër.
Kështu qe ai realizoi filmin për Nënë Terezën.
Gjatë kohës së filmimit ai kujton, se kur kishte ardhur koha me filmue, me fotografue femijët që ishin në rruge gjysmë të vdekur, s’kishte pasur dritë aparati.  
Ajo i kishte thënë, mos u mërzit, filmoi dhe kështu pa dritë, është drita e Zotit brenda.
Kur autori shkoi në Angli dhe e lau filmin, fotografitë ishin më të bukura se të gjitha ato me dritë.  Ai ishte ateist, por pasi u takua me Nënë Terezën dhe motrat e saj, ai u bë i besimit katolik.  Ai ndjeu forcën e Zotit i cili thotë:
“Njeri, kam nevoje për ty, kam nevoje për zemrën tënde, unë me zemrën tënde shpreh dashurinë time në këte botë”…
Ai na ka lënë të lire me zgjedh.
Ka qenë forca e Zotit, që e mori Nënë Terezën për ta çuar në Indi, dhe për t’i shërbyer të varfërve.  Ajo ka bërë dicka që se ka bërë kushdo tjetër.  Autori e ka vënë në dukje, se cfarë ka bërë ajo në Kalkuta, ku njerëzit hidheshin në rrugë gjysmë të vdekur, ndërsa nënë Tereza i merrte dhe i vendoste në shtratin e saj.
Ajo i ka marrë një nga një për t’i pastruar. Ajo thoshte se po ju afroj një vdekje të bukur.  Era e tyre dhe krimbat që ishin brenda trupit, bënte që asnjera prej tyre nuk e kishte guximin për me i pasture, vetëm ajo i merrte dhe i pastronte.
Në momentet e fundit të jetës së tyre, ata thoshnin se kemi jetuar si shtazë, por tani po vdesim si ëngjëj.

Si jeni takuar me Nënë Terezën?

Une jam bashkëpunetore, shkoj shpesh me motrat Tereza, motër Lume më thonë.  
Më 5 shtator të ketij viti ishte përvjetori i vdekjes së saj.  Unë shkova në meshë, u luta dhe pasi mbaroi mesha, më thoshnin se jam pjesë e saj…
E kam njohur shumë afër, kam banuar në kuvend me të, më shumë se dy muaj këtu në New York.
Në vitin 1969 erdhi vëllai i Nënë Terezës dhe u njoha me të direkt.  
Ishte njeri me kulturë.  Më 1976 erdhi dhe Nënë Tereza dhe i thashë motrës të shkonim.  Kur shkuam atje ajo, na mori për dore dhe na çoi në një dhomë të vogël.
Na i mori duart të dyjave në prehërin e saj dhe filluam të bisedonim për shumë gjëra.  
E pashë që kishte shumë pak kohë, por ajo na ka mbajtur për tri orë.

Si e realizuat takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka?

Takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka e organizova unë së bashku me motrën Andrea.
Iu luta Zotit qe të takoheshin.  Kur unë i telefonova Motër Andreas, se kishja dëshirë që Nënë Tereza të takohej me mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka, ajo më tha se Nënë Tereza është shumë e zënë, dhe është në lutje natë e ditë.
Iu luta që të bënin diçka të pamundur. E telefonova prapë dhe i thashë: Po Nënë Tereza a ha bukë?  Po, - m’u pergjigjën ato, ja çojmë ushqimin me tabaka.
Atëhere i them, - ju lutem vendosini një shënim, se mbretëresha Gjeraldinë donte ta takonte, jo si mbretëreshë, por si besimtare dhe vendosni emrin tim mbi të.
Ato e pranuan këtë variant që iu afrova.
Pasi Nënë Tereza e kishte lexuar shënimin kishte pranuar takimin me ne.
Motra Andrea më telefonoi në orën 11 e gjysmë të darkës dhe thotë se Nënë Tereza ju prêt ne orën 6 të mëngjesit.  Motrat Tereza çohen çdo ditë në orën 3 e gjysmë të mëngjesit dhe bëjnë lutjet.
E gëzuar mora princin Leka për takimin.  Unë shkova herët dhe prita në holl.  
Aty gjej mbretëreshën Gjeraldinë dhe më tha që ishte dita më e lumtur e jetes së saj, që do takonte Nënë Terezën.
Nëna Terezë po na priste në kapele, aty na hapi derën një motër e bukur si pranverë.  Shkuam në nje dhomë, ndenjëm të tria, ndërkohë i tha Mbretëreshës, se nuk merrem me politikë, por dhe mbretëresha iu përgjegjegj: - as unë.  Nënë Tereza i tha se jam lutur gjithmone për ju dhe familjen tuaj.  Mbretëresha iu pergjegj: -se e kam ndie gjithmonë se dikush i lutej Zotit për mua dhe për djalin tim.  Në këtë kohë, ngadalë, ngadalë u tërhoqa, dhe i prita jashtë.  Kur dolën të dyja ndritshin me një dritë hyjnore.  Kishin pasë të dyja dëshirë të madhe me u takue me njëra tjetrën.
Nënë Tereza vazhdoi bisedën ne lidhje me gjuhën shqipe.  Ajo pohoi se i kam shkruajtur nënës sime vetëm në shqip.
Nënës së saj i thirrte nënë Loke.  Edhe me vëllain flisnin shqip.
Unë personalisht shpirtin e kam me Nënë Terezën.  Nuk di me u ndal për të.  Njëherë na kishin thënë me shkue në orën gjashtë në kuvend, se do të hapej dega e lutjeve shpirtërore, në New York, ngase ishte habitur me vetminë që jetojshin njerëzit.  
Nëna Tereza kishte dhimbje të madhe për njerëzit, prandaj dhe e hapi këtë degë.  
Ate e shoqëronte një shkrimtare irlandeze.  Ajo tregonte se kishin  shkuar bashkë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, për të marrë vizë, për me pa nënën e saj, por fatkeqësisht i ishte refuzuar viza.
Ishte hera e parë që e pashë duke qarë vazhdoi ajo.  Kuptova që vuajtjet e saja e bën që të kuptonte vuajtjet e të tjerëve.

Faleminderit Zonja Lume për këtë bisedë kaq të ngrohtë, e admiroj shumë thjeshtësinë tuaj, kishja se c’të mësoja nga ju.

Edhe unë e kishja dëshirue shumë komunikimin me ju, ishte një bisedë shpirtënore.

New York, Shtator, 2009