E marte, 23.04.2024, 08:28 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Ali Pashë Tepelena - Politikani, diplomati dhe ushtaraku i vetëformuar (V)

E diele, 04.10.2009, 12:42 PM


ALI PASHË TEPELENA - POLITIKANI DIPLOMATI DHE USHTARAKU I VETËFORMUAR

(V)

Nga Shevki Sh. Voca

Masakrimi i Kardhiqiotëve

Episoda më e ertë dhe më e neveritshme në karrjerën e përgjakshme të Ali Pashë Tepelenës mund të themi se ishte ajo e rastit të Kardhiqit me ç’rast Aliu masokrroi 600 burra (ky numër ndryshon nga lloji i burimeve, p.sh. me një vend shkruan se atë ditë janë masakruar 800 vetë[54]). Një version të historisë së kësaj ngjarjeje e japim në vijim:

     Esmihan Hanëm Hankoja, ishte bija e Zejnel bej Konicës (i madhi Faik Konica   është stërnip i këtij), ndërsa nëna e Hankos ishte motra e Kurt Pashës së Beratit. Hankoja përshkruhet shpesh si një grua gjakatare dhe hakmarrëse sa nuk duket si njerëzore. Hobhauzi i përshkruan Hankos se të ketë helmuar të venë tjetër së bashku me të birin e burrit të saj të vdekur, dhe më pas kishte filluar luftën kundër krerëve të klaneve fqinje, duke marrë me vete në fushat e betejave djalin Aliun dhe vajzën Shanishanë. Shumë të ngjajshme  me këto të dhëna për Hankon janë edhe ato të Davenpotit dhe të Plomerit[55].

      Hankoja u detyrua pas vdekjes së shoqit që të mbajë të vetmet fëmij, djalin Aliun dhe motrën e tij Shanishanë. Prandaj ajo u vu në krye të çetës së pasuesve të burrit të saj të ndjerë, duke marrë rolin e kusarit shqiptar, dhe udhëhoqte burrat në betejat kundër

atyre që ajo i konsideronte armiq. Ndër to ishin edhe dy fshatra fqinjë, Hormova dhe Kardhiqi. Kardhiqiotët u hoqën si aleat të Hankos dhe të çetës së saj, ndërsa në realitet  kishin bërë marrëveshje të fshehtë me hormovarët për ta shkatërruar atë grua sypatrembur. Kur mori vesh për këtë komplot, Hankoja u deklaroi menjëherë luftë këtyre dy fshatrave. Pas shumë luftimesh, Hankoja dhe Shanishaja u zunë rob nga kardhiqiotët dhe u rrasën në një birucë në Kardhiq[56]. Sipas tregimeve, le të kuptohet se Hankoja dhe Shanishja gjatë qëndrimit në burg ishin keqtrajtuar tepër ç’njerëzisht. Aliu kishte pasë fatë dhe u kishte shpëtuar armiqëve, por disa herë kishte dështuar në përpjekje për t’i shpëtuar. Nuk dihet sa zgjati robëria e Hankos dhe Shanishasë. Ato u liruan në saje të një tregtari grek nga Gjirokastra, i cili kishte dëgjuar për vuajtjet e tyre dhe i kishte ardhur keq. Thuhej se ai për ta liruar Hankon dhe Shanishanë kishte paguar një shumë të madhe, prej  katër mijë sterlina angleze…

      Kur Aliu mori pashallëkun e Janinës, qytete greke e shqiptare gjysmë të pavarura të krahinës (të shtuquajturit elefterochoria) e braktisën politikën e rezistencës ndaj regjimit osman dhe u deklaruan vasalë të ndershëm të Aliut. Autoriteti dhe emri i tij në krahinë ishin të tillë sa që, është e qartë,të ishe aleat i tij ishte e keqja më e vogël, se sa të mbeteshe i pavarur dhe të bëheshe pre e sulmeve të tij. Ndër këto fshatra ishte edhe Hormova, banorët e të cilit ishin të vetëdijshëm për urejtjen e vjetër që Aliu ushqente ndaj tyre. Pashai i Janinës, nga sa rrëfehet, e pranoi nënshtrimin e tyre dhe u premtoi se do t’ua falte fajet e bëra nëse zbonin nga qyteti ato pak familje që atij nuk i pëlqenin. Pastaj, duke u shtirur si mik i madh, iu afrua qytetit me disa qindra luftëtarë shqiptarë të armatosur. Duke u thënë hormovarëve se nuk donte t’u bëhej barrë, duke strehuar ushtarët e tij të shumtë në fshatin e tyre, Aliu u sugjeroi të strehohej në manastirin e afërm të Tribukit, ku propozoi të takohej me krerët hormovarë për të nënshkruar marrëveshjen e aleancës dhe miqësisë. Hormovarët e shkretë, të etur për t’i dhënëfund armiqësisë së vjetër me Aliun, morën rrugën për në vendin e takimit. Kur mbërritën, Aliu dhe njerëzit e tij i sulmuan dhe i vranë të gjithë[57].

Vetëm më 1812, rreth pesëdhjetë vjet pas ngjarjeve që ishin në zanafillë të hakmarrjes, u plotësua kërkesa e motrës dhe e nënës së vdekur. Kardhiqotët, që nxorën mësime nga fati i keq i hormovarëve, ia arritën që për vite me rradhë të mos gënjeheshin nga premtimet dhe deklaratat e shtirurra të miqësisë së Aliut. Së fundi, edhe ata e vunë fatin e tyre në duart e tij, kur, pas vitesh të tëra “aleance” me Aliun kundër popullit të Sulit, kardhiqotët nuk u treguan të kujdesshëm duke menduar  se tashmë ai ua kishte falur

fajet e tyre të vjetra ( ose më saktë kishte falur paraardhësit e tyre, meqenëse shumica e fajtorëve të vërtetë kishin vdekur prej kohësh)[58].

      Pasi u rrethua Kardhiqi, në ditën e tretë Aliu kërkoi të shihej me burrat e vendit 16 vjeç e lart dhe të aratisurit nga Delvina e Gjirokastra. Ai doli rrëzë kalas së Shëntriadhës dhe priti në këmbë vargun e gjatë të robërve. Ai i quajti vllezër dhe djem të tij, dhe kërkoi me i pa një nga një. Duke pasë një aftësi të jashtëzakonshme me mbajtë mend fytyra dhe fakte, ai i njofti ata që i’a kishin poshtëruar nënën dhe motrën dhe kjo e bëri që të shkumbëzojë nga inati. Të tjerët i pyste për emrin, emrin e babës dhe mbiemrin. U deshtën tri orë që të kalonin para tij mshkujt e 800 familjeve, po veziri nuk tregonte shenja të të lodhurit. Në mbarim i kishte ndarë ata në dysh. Agallarët dhe farefisin e bejlerëve nga Kardhiqi e Delvina, 670 veta, i lidhi e i nisi me ushtarë për te hani i Bariagës në Valare ( një vend-pushimi  publik i cili ndodhej në mes të rrugës së Kardhiqit dhe Janinës). Të tjerët, që s’kishin ndonjë lidhje gjaku me parinë, njerëz pa ndonjë emër të dëgjuar, i la në vend. Aliu kishte arritur te hani kur robërit i kishin futur brenda oborrit dhe rojat ishin duke i mbyllur dyert. Më parë me urdhërin e tij ishin masakruar 60 bura të cilët kishin shkuar në Janinë që të bënin nënshtrimin. Thuhet se Aliu u kishte ofruar për të ngrënë ushqim të robëruarve. Ndërkaq, sapo kishin filluar të hanë, ushtarët e Aliut kishin hapur zjarë mbi ta, dhe që të gjithë ishin vrar.

      Ushtarët e Aliut, si mysliman vendës, ashtu edhe katolikët prej Mirdite, refuzuan të shtinë kundër njerëzve të çarmatosur. Ata i kishin thënë, duke treguar një guxim dhe krenari të admiruar: “Na jemi në shërbimin tend, o Vezir, dhe jemi gadi të luftojmë kudo që na urdhëron. Jepju armë këtyre burrave dhe ne do t’i luftojmë. Jemi ushtarë dhe jo kasap.” Atëherë Aliu kishte thirë Grekët të prirë nga njëfarë Thanas Vaja, dhe ata kishin kryer masakrimin barbar të gjithë atyre burrave[59].

     Në përfundim të masakrës, Aliu mbylli përgjithmonë dyert e hanit dhe urdhëroi që mbi derë të vihej një shënim në gjuhën greke. Zëri tregimtar i këtyre vargjeve  është herë ai i kardhiqiotëve e herë i Aliut:

       Kush do të shkatërrojë shtëpinë e Aliut, sigurisht që do të humbasë jetën…Kur Aliu ishte një djalë i vogël, pa baba, pa vëllezër vetëm me një nënë, ne vrapuam me armë në dorë për t’i marrë jetën. Ai shpëtoi se ishte i zoti, ndaj ne shkuam në Karxhani dhe i dogjëm shtëpitë.Tani kanë kaluar plotë pesëdhjetë vjet. Për atë faj na masakroi në han; dërgoi krerët tanë në ishullin tek liqeni i Janinës dhe aty i vrau; i shpërndau familjet tona nëpër të gjitha kazatë nën sundimin e tij; bëri rrafsh me tokën qytetintonë të pa fat dhe urdhëroi që të mbetej i shkretuar përjetë.Meqë ai është burrë shumë i drejtë, po në të njëjtën mënyrë masakroi edhe hormovarët dhe urdhëroi që asnjë prej tyre të mos mbetej gjallë...Kur mendoj për këtë masakër  të tmershme, më dhemb shpirti, dhe dëshiroj që njëkob i tillë të mos ndodhë kurrë më. Për këtë arësye paralajmëroj të gjithë fqinjët se nuk duhet të më prekin shtëpinë, port ë jenë të bindur, nëse duan të jetojnë të lumtur. Kjo ngjarje e trishtuar ndodhi më 15 mars 1812, pasdite.[60]

      Në këtë mënyrë, me një hakmarrjeje të tillë siç ishte kjo, Aliu arriti që pas një gjysëm shekulli ta qoi në vend porosinë e së ëmës së vdekur, dhe motrës Shanishasë. Ali pasha nuk kishte aftësi dhe prirje që mund të falte  ndonjë të keqe.

    Forcimi i pushtetit të Ali Pashë Tepelenës dhe synimet e tij për t’u bërë një sundimtar autonom në Shqipëri shkaktuan shqetësime në Stamboll.

    Në vitin 1812 sulltan Mahmiti II, pasi lidhi paqë me Rusinë e drejtoi vemendjen te gjendja e brendshme e vendit. Qëllimi i tiji shte të forconte pushtetin qendror perandorak që po tronditej gjithnjë e më shumë nga përpjekjet separatiste të feudalëve të mëdhej provicialë dhe nga thellimi i mëtejshëm i pakënaqësisë së kombësive të shtypura të Ballkanit. Sundimtari më i fuqishëm dhe më i rezikshëm për sulltanin ishte Ali pasha, andaj sulltani urdhëroi që Aliu ta linte Janinën dhe të tërhiqej në Tepelenë, kurse Veli pashës t’ mirret sanxhaku i Moresë. Ky urdhër i sulltanit ishte edhe si një përgjigje ndaj Aliut për shkaqe të vrasjesë së banorëve musliman të Kardhiqit. Ali Pasha që në fillim u duk që e respektoi këtë urdhër të sulltanit, por vetëm tre muaj pas  u kthye përsëri në Janinë, pasi që mori vesh për disfatën katastrofale të Napoleonit në Rusi, megjithse e dinte se një hap i tillë do t’i kushtonte shumë marrëdhënieve të tij me sulltanin. Në Janinë vuri kontakte me gjeneralin anglezë Ejre , të cilit i premtoi ndihmë për pushtimin e Korfuzit që ndodhej në duart e francezëve, por me një kusht që qeveria angleze duhet ta merrte familjen e tij nën mbrojtje. Anglezët ndërhynë në Stamboll në favor të tij pasi që donin të përfitonin nga pjesëmarrëja e Aliut kundër  ushtrive frënge, për të lehtësuar barren e tyre në pushtimin e Korfuzit. Aliu nga ana e vet synonte me këtë rast të tërhiqte nga anglezët sasi të mëdha materialesh luftarake për t’i bërë ballë ekspeditës ndëshkimore turke që pritej të organizohej nga sulltani[61].

     Pikërisht këtë koh të marrëdhënieve të tensionuara mes Ali Pashës dhe Sulltanit, kryengritja e armatosur serbe (1813) filloi të zgjerohej. Këto rrethana e shtynë Hurshid pashën të ndërhynte pranë sulltanit për të mos i acarruar marrëdhëniet me vezirin e Janinës[62]. Ndërkoh që sulltani i konfirmoi Aliut detyrën e derven pashës  dhe qeverisjen e sanxhakëve të Tërhallës e të Janinës. Të bijëve dhe nipërve të tij iu shpërndau grada e poste në Shqipërinë e Jugut. Kësisoji sulltani urdhëroi Aliun dhe birin e tij Muhtar Pashën të niseshin bashkë me ushtritë e tyre  në Serbi për të marrë pjesë në shtypjen e kryengritjes. Por që të dy nuk iu bindën urdhërit të sulltanit. Pasi që sulltani ishte i zënë me kryengritjen serbe, ai nuk vendosi të ndërmerrë ndonjë ekspeditë ushtarake. Në vitin 1814, me largimin e francezëve nga ishujt jonianë, anglezët morrën Pargën dhe e shkelën premtimin që i kishinë dhënë Aliut.  Në anën tjetër marrëveshja e paqës që u firmos në “Kongresin e Vjenës”(shtator1814-qershor1815), krijoi një konjukturë të re politike ndërkombëtare e cila i dha fund ekzistencës së pashallëqeve. Si rrjedhojë i këtij kongresi, pasoi  “Lidhja e Shenjtë”, një aleancë e lidhur në mes Rusisë, Austrisë dhe Prusisë më 29. IX.1815. Dy vendime të rëndësishme të kësaj aleance ishin: e para; për të mos ndryshuar kufijtë politikë të Evropës, dhe e dyta; për të mos mbështetur asnjë lëvizje revolucionare brenda kufijve të saj. Këto i’a mundësuan Perandorisë osmane që si në marrëdhëniet brenda ashut dhe jashtë kufijve të saj, të marrë frymë disi e lehtësuar.

    Me “Lidhjen e Shenjtë”, shtetit osman, iu hap rruga për të ndërhyrë në veprimet separatiste që po ndodhnin brenda kufijve të tij. Tashmë vendin e politikës së

kompromisit që shteti osman kishte ndjekur kundrejtë pashallëqeve shqiptare, e zuri forma e luftës së hapur kundër tyre. Kushtet e reja që u krijuan me Kongresin e Vjenës

prekën drejtpërdrejt interesat e pashallëkut. Në këtë mënyrë Ali Pasha u gjend para dy alternativave: ose të pranonte pa kushte autoritetin e sulltanit, ose t’i shkëpuste fare lidhjet me të. Ai preferoi alternativën e dytë. Meqë ndjeu nevoj për ndihmë nga jashtë Aliu iu kthye Rusisë për të cilën besonte se nuk kishte hequr dorë nga politika e saj tradicionale për të shkatërruar Perandorinë osmane[63]. Aliu zotohej se do ta ndihmonte Rusinë me 10 mijë ushtarë sa herë që ajo të ndodhej në luftë me cilindo fuqi tjetër, ndërsa që qeveria ruse propozimit të Aliut iu përgjegj se ajo nuk ka ndërmend t’i prish marrëdhëniet miqësore me Turqinë, prandaj këto propozime nuk i muerrë parasysh.

     Ali pashë Tepelenës po i ngushtohej rrethi, andaj ai një rëndësi të veçantë ia kushtoi organizatës greke “Filiqi Hetaria”, (Shoqëria e Miqëve), e cila punonte për kryengritjen çlirimtare në Greqi.  Kjo organizatë u themelue në shtatorin e vitit 1814 në Odesë nga tre tregtarë shqiptarë të besimit ortodoks[64], Emanuel Ksanthos nga ishulli Parmos, Athanasios Cakalov nga Janina, dhe Nikollas Skufos nga Arta, dy të fundit janë Epirotë. Duke qenë e fshehtë, ajo frymëzohej nga modeli masonerik me betimin, ritualin, gradat përkatëse dhe pozicionohej në vijë të drejtë me poitikën tradicionale ruse[65]. Objektivi themelor i shoqërisë ishte organizimi i kryengritjes kundër perandorisë otomane dhe ngritja e një shteti grek me kryeqytet Konstandinopojën. Pra synimi ishte ringjallja e perandorisë bizantine dhe jo krijimi i një shteti me karakter thjesht kombëtar. Në fillim Hetaria nuk pati shumë sukses. Në intervalin e viteve 1814-1816 ajo numëronte vetëm tridhjetë anëtarë, grekët e pasur nguronin të anëtarësoheshin dhe të kontribuonin me para. Në vitin 1818 qendra e shoqërisë u zhvendos në Stamboll dhe pas kësaj ajo shënoi një përparim të shpejtë[66].

    Meqë edhe vetë Ali Pasha ishte anëtarë i Feliqi Hetaries me pseudonimin “Penthero”, lidhjet e ngushta të tij me heteristët nisën atëherë kur sulltani e shpalli fermanlin. Kjo e kishte detyru atë që t’u ofroi aleancë projektuesve të kryengritjes greke.
Po atë lavërdi tashti  e kishin edhe krerët kryengritës  që të futen në bashkëveprim me Ali Pashën, ngase dihej botërisht se me potencialin ushtarak që kishte veziri i Janinës ai mund të shërbente si faktor frenues gjatë ndonjë sulmi eventual të Portës në Greqi. Ndërsa zyrtarizimi i plotë në relacionet e Ali Pashë Tepelenës me “Shoqërinë e Miqve” filloi në gjysmën e dytë të vitit 1818[67]. Në takimin që pati Aliu me J. Paparigopullin i tha haptazi se ai e përkrah veprimtarinë e “Shoqërisë së Miqve” pasi edhe vetë synonte të çlironte pashallëkun e tij nga vartësia e Perandorisë Otomane. Duke u afruar me “Shoqërinë e Miqve”, Ali Pasha e la të lirë veprimtarinë e eteristëve brenda pashallëkut.

Në fakt eteristët e përdorën pashallëkun si strehë për veprimtarinë e tyre propagandistike dhe organizative. Ata regrutuan përkrahës edhe brenda në oborrin e Janinës. Me një

marrëveshje të tillë secila pale synonte që vemendja e osmanëve të tërhiqej në kahun e pales tjetër, me synim që lëvizjet çlirimtare respektive të zhvilloheshin në kushte sa mëtë rehatshme; por zhvillimi i ngjarjeve eci në një kurs të paparashikuar për të dy palët.

     Sulltan Mahmuti II, duke parë çka po ndodhë, ai në fillim të vitit 1820 filloi kufizimin e pushtetit të Aliut. Të birin e tij  Veli pashën e transferoi nga Tërhalla në Sanxhakun e Lepantit, që ishte i dorës së dytë. Aliu mendonte se ky transferim ishte bërë me nxitjen e Pasho beut, feudal janiot i dëbuar nga Aliu, prandaj organizoi një atentat. Pas dështimit të atentatit njerëzit pohuan se ishin të vënë nga Ali pasha. Kjo e shtyri sulltanin që t’i heqë Aliut sanxhakët e Janinës, Ohrit, Elbasanit dhe detyrën e derven pashës. Veli pashës iu hoq Lepanti, ku më parë me urdhërin e sulltanit ishte transferu. Ndërkohë u urdhëruan valinjtë e Bosnjës dhe të Rumelisë, si dhe qeveritari i sanxhalut të Selanikut që të përgatiteshin për luftë.

       Ali Pasha u mundua me anën e dhuratave të mëdha që dërgoi në Stamboll të anulonte vendimin e sulltanit. Ai nisi në Stamboll delegacione pas delegacionesh të përbëra nga shqiptarë e grekë, mysliman e të krishterë, të cilët i u lutën Portës së Lartë të mos e largonte Aliun sepse me qeverimin e tij kishin qenë përherë të kënaqur. Këto orvajtje nuk dhanë fryt.

       Në pranverën e vitit 1820 marrëdhëniet me Stambollin u ndërprenë. Aliu filloi të merrte masa ushtarake për mbrojtje. Qendër kryesore e rezistencës u caktua Janina. Kalatë rreth Janinës u forcuan. Një pjesë e ushtrisë, nën komandën e Muhtar Pashës, u vendos në Toskëri, në kalat e Beratit, Gjirokastrës, Ohrit, Tepelenës dhe në vende të tjera për të mbrojtur pashallëkun nga veriu. Një pjesë tjetër e ushtrisë nën komandën e Veli Pashës, u vendos në Thesali e Lepant për të mbrojtur pashallëkun nga jugu. Pjesa kryesore e ushtrisë, nën komandën e Omer Bej Vrionit, u vendos në lindje të Janinës për të mbrojtur qendrën e pashallëkut, ndërsa  flota u ngarkua të mbronte gjirin e Artës.

     Për të mobilizuar popullsinë e pashallëkut, Aliu thirri, më 23 maj 1820, në një mbledhje të posaqme krerë shqiptarë e grekë, hoxhallarë e priftërinj. Me një fjalim të gjatë pasi u kujtoi politikën që kishte ndjekur deri atëhere, qetësinë dhe barazinë që kishte vendosur, përkrahjen që u kishte siguruar të krishterëve ndihmën që u kishte dhënë në zhvillimin e zejtarisë dhe tregtisë, në fushën e arsimit dhe të kulturës, në ndërtimin e rrugëve dhe të kishave, u kërkoi atyre të bashkoheshin me të kundër ushtrive të sulltanit. Ai u premtoi dëgjuesve të tij se po të thyheshin turqit osmanli do të krijonte një shtet kushtetues që do të përfshinte Shqipërinë e Thesalinë kurse Greqia qendrore dhe Morea do të organizohshin në një shtet autonom, nën mbrojtjen e vetë Aliut[68].

      Në korrik të vitit 1820 sulltani e shpalli Aliun jashtë ligjit, dhe urdhëroi  fillimin e luftës duke premtuar se do t’u njihte të gjitha privilgjet atyre që do ta braktisin atë. Shumica e feudalëve e braktisën vezirin kryengritës, madje edhe bijtë e tij u dorëzuan pa luftë. Kështu Brenda një muaji ushtritë e pushtetit përparuan deri në Janinë. Besnike i qëndroi popullsia e Janinës dhe e Tepelenës.

      Aliu shpresonte në sistemin e mrojtjes së kalasë ku kishte 250 topa, një garnizon të fortë dhe rezerva të shumta, si dhe në përqarjen e komandës armike. Nuk kaloi shumë dhe në shtabin e ushtrisë osmane shpërthyen mosmarrëveshje. Disa nga bashkëluftëtarët e vjetër që e kishin tradhtuar, si Tahir abazi dhe Zylyftar Poda duke kuptuar gabimin e bërë

kthehen pas, tek Aliu, i cili i komandon të nisen nëpër krahina të ndryshme për të grumbulluar forca. Suliotët të cilët s’ishin të kënaqur me Pasho beun, kaluan në anën e Aliut, i cili u dha një shumë të hollash dhe u premtoi që t’ua linte të lirë krahinën e tyre. Suliotët dhe krerët e tjerë filluan luftën guerile nga fundi i vitit 1820, dhe fillimi i vitit 1821. Me këtë, pozita e ushtrisë osmane u keqësua mjaft. Në këto rrethana Porta e Lartë shkarkoi Pasho beun dhe në vend të tij caktoi ish-vezirin e madh, Hurshit pashën[69]. Ndërkohë, në mars të vitit 1821 shpërtheu lëvizja çlirimtare greke. Përveç inkurajimit dhe ndihmave në të holla, Aliu dërgoi Tahir Abazin në Mesolongji  për veprime të përbashkëta. Kryetar i lëvizjes në Greqi A. Mavrokordato e nënvleftësoi bashkëpunimin me shqiptarët, madje ai kreu krime mbi popullsinë myslimane shqiptare. Kështu bashkëpunimi nuk u realizue. Ishte edhe qështja tjetër, sulltani kishte dërguar trupa të reja në Greqi. Në anën tjetër Zylyftar Poda kishte arritë të grumbullojë në zonat e Myzeqesë, të Tepelenës e të Gjirokastrës 6000 vetë duke u munduar që ta çante rrethimin e Janinës, por dështon[70].

    Presioni i ushtrive turke vinte duke u shtuar, dhe qeveria e saj nuk i luante fare ushtritë e veta nga Janina. Këto shkaktuan demoralizimin e bashkëluftëtarëve të Aliut. Në dhjetor 1821 filluan dezertimet. Në janar 1922 Aliun e braktisën edhe shokët më të ngushtë të tij si Ago Vasjari, Tahir Abazi, Zylyftar Poda. Forcat që mbetën ua hapën turqve portat e kështjellës buzë liqenit. Ali pasha kishte mbetur me pak shokë në kështjellë. Hurshit pasha u mundua me dredhi ta bind Aliun që të dorëzohej, duke i dhënë shpresë për falje. Aliu pranoi të dorëzohej pasi që ta shikonte me syt e tij fermanin e faljes të nënshkruar nga sulltani. Ai ra në kurthin e përgatitur nga Hurshit pasha, i cili i premtoi t’i jepte fermanin e faljes në ishullin e liqenit. Gjatë rrugës për në Stamboll e transferuan në manastirin e Shën Pantelemonit në ishullin e liqenit të Janinës, së bashku me të famshmen Vasilika, gruan e tij të krishterë, dhe me disa shokë të tij tij besnikë, Thtanas Vaja, Selfo Bono, Fehmi Çami etj. Në këtë ishull ai e kuptoi gabimin por ishte vonë. Këtu megjithë fjalën e dhënë ai u sulmua nga trupat osmane të cilëve u rezistoi edhe përkundër moshës së shtyrë, ai trimërisht luftoi me ta derisa u vra.

    Koka e tij së bashku me kokat e tre djemëve dhe një nipi[71] u dërguan në Stamboll ku u ekspozua para publikut. Një dervish shqiptar e varrosi atë pranë të bijve me këtë mbishkrim: “Këtu është varosur koka e të famshmit Ali pashë Tepelena, ish qeveritar i Janinës, i cili për më tepër se 30 vjet qeverisi i pavarur në Shqipëri”[72].

      Pas vdekjes së Ali Pashës, gruaja e tij Vasilika i mbeti besnike dashurisë e kujtimit të tij. Sulltan Mahmudi që e kishte marrë në Stamboll me ata që shpëtuan nga familja e Ali Pashës, i ofroi asaj ta mbante në haremin e tij, por Vasilika refuzoi propozimin dhe preferoi një jetë normale jashtë shtetit.

      Pasuritë e Aliut u konfiskuan të gjitha. Çifligjet e tij të shumta u kthyen, në pjesën më të madhe, në pronë shtetërore dhe në pronë të sulltanit. Vetëm një pjesë e vogël i u kthye pronarëve të mëparëshëm feudalë. Pasuritë që u gjetën në thesarin e kështjellës-rreth 18 milion grosh-u konfiskuan nga sulltani.

  Konflikti i Aliut me pushtetin qendror përfundoi me shembjen e Pashallëkut të Janinës. Shembja e tij ishte dështimi i parë i asaj pjese të klasës feudale që kishte hyrë në rrugën për të krijuar një shtet autonom të pavarur shqiptar.

    Ndoshta kishte  të drejtë Ismail Qemali, në kujtimet e të cilit shkruan: “Nëse Ali Pasha do të kishte qenë më pak burrë i kohës së tij e më shumë i pajisur me parashikimin politik, do ta kishte organizuar vetë këtë goditje me kohë dhe Shqipëria e Greqia, me gjithë Thesalinë e Maqedoninë, do të ishin ndoshta një shtet i pavarur i një rëndësie të madhe”.

Fund


[54] T. Zavallani, fq,153.

[55] Bonaparti Musli..vep..cit..fq. 174-175.

[56]Vep..e cit…më pare, fq.230.

[57] Rrëfimet e ndryshme japin data të ndryshme të hakmarrjes së Aliut kundër hormovarëve. Më gjerësisht shih në vep..e cit.. Bonaparti Musli….fq231.

[58] Bonaparti mus…fq.231-232.

[59] Sabri Godo, vep..e cit..fq.213;  Tajar Zavallani, vep..e cit..fq.153.

[60] Bonaparti Musliman…fq.232.

[61] “Historia e Popullit Shqiptar I”,fq,436,bot.1969.

[62] Petrika Thëngjilli, vep…e cit…fq.286

[63] Nuraj Bozbora,vep..e cit…fq.112.

[64] Dr. Muhamet Pirraku, në vep…e cit…fq.276.

[65] Georges castellan, vep…e cit…fq.280-281.

[66] Barbara Jelavich, “Historia e Ballkanit-shek I XVIII dhe XIX”, fq.197.

[67] Dr. Shkelzen Raç, vep..e cit..fq.30.

[68] “Historia e Popullit Shqiptar I”, fq.441-442, bot .1969.

[69] “Ana Britanica-genel kultur ansiklopedisi cilt 1” sf.389.

[70]Petrka Thëngjilli, vep..e cit..fq.288.

[71] Sami Frashëri, vep..e cit…fq.48.

[72] Petri.. Th…fq.288. “Historia e Popullit Shqiptar I”, fq.446.  



Këtë material e ka botuar para ca kohe “ZËRI”, ditor në Kosovë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora