Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Sprova për demokracinë

| E shtune, 03.10.2009, 10:00 PM |


Sprova për demokracinë

Nga Ndue Ukaj

Sa janë të afta partitë politike në Kosovë për të etabluar demokracinë e shëndoshë dhe a janë të gatshme ato të tejkalojnë politikat e ngërrqeve të gjithfarshme që i karakterizojnë, në të mirë të interesave të përbashkëta, janë pyetje e dilema jo të lehta, që shtrohen në këtë vjeshtë të furishme që ka ndezur jetën politike në vend. Mirëpo, këto pyetje e dilemë prekin partitë politike dhe ekzistencën e tyre në jetën politike të Kosovës, mbase pse jo, këto çështje janë tejet kruciale për të tashmen e Kosovës dhe specifikisht për të ardhmen e saj.

Këto janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarura, andaj rëndësia e tyre, përtej funksionit politikë, është e ndërlidhur me vetë filozofinë e ndërtimit të shtetit. Duke qenë të këtilla, shpërfaqin haptazi mentalitetin tonë për shtetin dhe vlerën e tij. Ndërsa, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, ne tregojmë shumëçka nga botëkuptimet tona shtetërore, nga aftësitë për të zhvilluar zgjedhje në përkim me standardet e avancuara dhe për më tepër, tregojmë realisht nivelin e përgjegjësisë që kemi në raport me demokracinë dhe së këndejmi tregojmë qartësisht, sa është demokracia e jetësuar në jetën tonë politike. Dhe për më tepër, këto zgjedhje do të kenë rëndësi të posaçme, ngase do të krijojnë modelin politik të sjelljeve që partitë politike do të ndjekin e aplikojnë në këtë tranzicionin, nëpër të cilin po kalojmë si shoqëri e politikë. Prandaj, edhe pse janë zgjedhje lokale, rëndësia e tyre mbetet e jashtëzakonshme për proceset në Kosovë. Dhe nga këto, do të varet shumëçka për Kosovën e viteve të ardhshme. Sidomos, kur bëhet fjalë për rrugën e saj të integrimit në BE.

Përveç rëndësisë së tyre në planin e përgjithshëm, këto zgjedhje gjithsesi kanë një rëndësi jetike për shumë parti politike në vend, të cilat, zaten, në këtë dekadë të jetës së lirë plurale në Kosovë, kanë demonstruar se nuk janë parti të mirëfillta, nuk ushqehen e priren nga ideologji të caktuara e programe të analizuara, por nga instinkte inercioni, nga reminishenca e evokime, që më tepër kanë karakter poetik, sesa politikë. Partitë politike në Kosovë, deri tani kanë bërë zgjedhje me mega ide politike, tema nacionale e improvizime të gjithfarshme. Ky soj i politikës tani nuk pi ujë.

Andaj mbetet të shihet se si partitë politike do të sjellën në raport me votuesin dhe opinionin publik, kategori këto të cilat kanë krijuar një distancë të akullt me partitë politike në vend. Mbase, edhe votuesi është barikaduar në heshtje, duke refuzuar këto parti politike dhe programet e tyre shterpe. Kësaj here, nga funksionaliteti që do të tregojnë partitë politikë deri në datën e zgjedhjeve dhe nga performanca që do të paraqesin në raport me sferat delikate të jetës në Kosovë, do të varet shumë, nëse votuesi kosovar do të mposhtë indiferencën dhe me 15 nëntor do të drejtohet ka kutitë e votimeve.  

Nëse partitë politike në Kosovë, arrijnë të motivojnë votuesin, që ai të del në zgjedhje për të kërkuar alternativa, apo, për të dhënë besueshmëri ndaj këtyre të tashmeve, do të jetë një lajm i mirë për Kosovës, sikundër edhe një sinjal i fuqishëm për miqtë ndërkombëtar. Në variante tjera, zymtësia politike në Kosovë, vetëm sa do të thellohet. E, bashkë me të edhe diskutabiliteti i legjitimitetit.

Më e mira e punës që partitë politikë në këto zgjedhje duhet të bëjnë, është të reflektojnë një edukatë e kulturë politikë, ndërkaq, nënshtresën etike duhet ta kenë si premisë për çdo veprim e premtim. Kjo do të eliminonte mundësitë për tensione të panevojshme politike, por, gjithashtu do të ishte një sinjal i fuqishëm për votuesin kosovar, i cili shpeshherë di të befasoj.

Partitë politikë në këto zgjedhje duhet të dinë përfundimisht të orientojnë votuesin nga ideologjitë e caktuara, duke bërë prerjen e nevojshme, sipas modeleve të njohura. Jo çdo parti mund të jetë e djathtë. Andaj, përcaktimi për ideologji politikë, do të determinoj formën dhe përmbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Dhe kjo është një domosdoshmëri e kohës.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale me sukses, do të kuptohet e lexohet, gjithsesi edhe si një premisë, për të kuptuar sa funksional është shteti i Kosovës. Në këtë kontekst, gjithsesi mbajtja e tyre sipas parimeve e standardeve të kërkuara perëndimore, do të ndihmonte sforcimin e substancës së shtetit të Kosovës dhe do të ishte një sinjifikativ për gjithë ata që kanë pasur apo kanë dilema për këtë krijesë shtetërore.  

Duke lënë mënjanë parashikimet për forcat politike që do të fitojnë apo humbin këto zgjedhje, një gjë është e indentifikueshme, se koha për rikonfigurime esenciale politike po troket. Për këtë gjithë duhet të jenë të gatshëm. Më së shumti partitë politike dhe liderët e tyre.

Në të kaluarën, Kosova nga komuniteti ndërkombëtar ka marr lavdërata për zgjedhje, madje duke u konsideruar, si model për Ballkan. Është momenti të sforcojmë këtë qëndrim.

Partitë politikë duhet të shkëputen nga retorika e vjetër politike. Ato nuk duhet assesi të lejojnë të bëjnë veprime pa vlerë dhe të pakuptimta në këtë proces zgjedhor. Është koha, më tepër se kurrë për një realitet të ri, që do të demonstronte imazhin e një vendi demokratik. Përmes këtyre zgjedhjeve, në paraqesim para botës imazhin tonë, asnjë formë tjetër nuk mundet të na ndihmoj më shumë. Këto zgjedhje janë vetë imazhi ynë.