E marte, 23.04.2024, 09:45 AM (GMT+1)

Editorial

Minella Aleksi: Qosja - Mohuesi i madh shqiptar i letërsisë shqiptare

E marte, 29.09.2009, 11:00 PM


Qosja - Mohuesi i madh shqiptar i letërsisë shqiptare

Nga Minella  Aleksi

Shkrimi i Arben Kallamatës për fushatën antiNobel ndaj Kadaresë pasqyron një punë sistematike, të mirëstudjuar, të një grupi të caktuar, këmbëngulës në keqinterpretimin e argumentave dhe fakteve historiko letrare. Si pjesë e një mekanizmi harmonik ishte organizimi i seminarit të Shkupit dhe deklarata “gojore” e historianit të letërsisë Qosja për letërsinë shqipe.

Qosja dha intervistë në Gazetën Shqiptare, shoqëruar në krye edhe me një fotomontazh. Binte dukshëm në sy përmasa vigane e fotos së Qosjes ulur si në piedestal dhe vendosja lilipute e fotove të shkrimtarëve shqiptarë në sfond. Përse ky injorim dhe ngrefosje foshnjarake?! A nuk përbën kjo një Kitch art gazetaresk, siç i pëlqen Qosjes të shprehet në raste të tjera?! Kur futesh brenda reshtave për të lexuar intervistën, merr me vete edhe shijen e hidhur të këtij fotomontazhi shoqërues.

Mjerimin e provincializmit Qosja e sjell si një argument më shumë për të kundërshtuar shkrimtarët reagues shqiptarë. Qosja shprehet me zë të fortë se është mjerim kulturor, është provincializëm, që të pranosh se një shkrimtar është i madh vetëm atëherë kur e mendojnë dhe e thonë të huajt dhe pa marrë në konsideratë se çfarë mendon ti vetë për atë shkrimtar. Shqiptarët, që lexojnë, i dallojnë mirë shkrimtarët e tyre, prandaj nuk e morën me seriozitet, madje u tallën, kur Diana Çuli u propozua si kandidate për çmimin Nobel nga disa aventurierë vendas me kompetencë vule të Lidhjes së Shkrimtarëve. Shkrimtarja Çuli nuk është marrë ndonjëherë nga shqiptarët në konsideratë as të krahasohet me shkrimtarë të mirë, si Fatos Kongoli apo Rudolf Marku. Mos vallë duhet ta injorojmë mendimin e huaj vlerësues për Kadarenë  dhe të mbivlerësojmë mendimin vendas për të, sepse vetëm kështu i shpëtojmë rënies në provincializëm alla Qose?! Le të na e thotë Qosja se çfarë niveli kulture tregojmë para botës së qytetëruar  në qoftë se propozojmë Çulin si kanditate për çmimin Nobel dhe jo Kadarenë! Le të na e thotë ai pse dora nuk ia mori penën për të shkruar diçka për këtë sjellje të papërgjegjëshme dhe antishqiptare! Kështu heshti ai edhe kur   Besnik Mustafaj deklaroi pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, të Kosovës sonë dhe të tijës. Heshti Qosja, por u deklarua me tonet më të larta Kadareja kundër kësaj pavarësie të kushtëzuar. Ku ishte Qosja, apo nuk i lexonte gazetat dhe nuk i shihte lajmet në TV.

Argumenti që sjell Qosja se deklarata e tij gojore në Seminarin e Shkupit nuk është një intervistë e firmosur dhe e aprovuar nga ai vetë, nuk  mund ta justifikojë atë.  A mund të fshihesh pas një justifikimi të tillë, duke kërkuar protokoll më shumë se diplomatiko-burokratik, sikur të mos jesh një personalitet që shpreh ato që mendon, dhe duke thënë tjetër gjë në një intervistë të firmosur e tjetër gjë gojarisht, tjetër në një seminar e tjetër në një libër të shkruajtur?!

Vjetërsia e të marrurit me studimin e diçkaje, sikurse pohon Qosja për veten e vet, nuk është argument përmbyllës goje se gjithëçka që Qosja pohon është padiskutueshëmërisht e saktë. Perfeksioni, pagabueshmëria në bindje është mjaft relative, gjë kjo që nuk i jep të drejtë Qosjes të marrë autoritet Zeusi të njohësit të letërsisë e të deklarojë se “veprat e Kadaresë nuk kanë patur atë vlerë që kemi kujtuar”. Atëherë, çfarë e detyroi që të ndryshojë mendim, duke na treguar kështu se paska qënë i gabuar në gjykim më parë për Kadarenë?! Qosja flet në numër shumës, çka përbën spekullim nga ana e tij. Ai ka ekzaktësisht të njëjtën moshë me Kadarenë. Kur Kadareja shkruante kryeveprat, Qosja, me sa duket, ishte i MITUR dhe i magjepsur prej tyre, gjë që nuk i ndodh sot që është në moshë të PJEKUR. Një justifikim i tillë nuk shkon as për një lexues të rregullt e jo më për një akademik.      

Për gjenitë nuk krahasohen sistemet apo rrymat, por krijimet gjeniale apo novatore që sjellin, sepse mund të jesh gjeni por jo novator dhe anasjelltas ose të dyja bashkë. Për ta konkretizuar, po sjellim opinionin vlerësues të përgjithshëm lidhur me gjenitë në fushën e muzikës. Moxarti p.sh. ka qënë një gjeni i pa arritshëm i muzikës por aspak novator në formë ose në harmoni. Ai ka përdorur thjesht materialin e kohës së tij, por me një gjenialitet të pakapshëm. Haydn, bashkëkohor i tij, ka qënë shumë më novator, por pa të njëjtin gjenialitet. E njëjta gjë mund të thuhet për Bach, kompozitori më i madh i historisë, i cili “vetëm” përmblodhi në formën më të përkryer gjuhën muzikore të kohës së tij dhe të shekujve më parë, ose Brahms të cilin shumë e quanin retrograd kur në të njëjtën kohë Wagner shpikte një gjuhë shumë më moderne, e cila prodhoi më vonë Arnold Schönberg dhe serializmin vienez, ndërkohë që Beethoven, List etj, janë gjeni të mirënjohur duke qënë edhe shumë novator në artin e muzikës. I solla këta shembuj nga krijimtaria muzikore, si analogji të një fushe tjetër artistike, të letërsisë, e cila, si art, nuk mund të zhvillohet sipas një sistemi të caktuar. Shkrimtari zgjedh dhe krijon gjithëçka sipas natyrës dhe nevojave të tij të brendëshme e jo sipas sistemeve. Kjo nënkupton se sistemet letrare nuk funksionojnë sipas sistemeve shoqërore. Studjuesit përpiqen të bëjnë kategorizime të veprës së autorëve të mëdhenj, mirëpo asnjëherë autori nuk niset të krijojë sipas kornizave të një sistemi. Madje e kundërta, thyerja e kornizave në formë e stil dhe krijimi artistik sipëror në botën që zhvillohet brenda trurit të artistit, përbën individin gjenial krijues. Këtu është vendi që të kujtojmë një shprehje të poetit të madh gjerman Rainer Maria Rilke: Veprat e artit janë frut i një vetmie të pafund.

Mos vallë Migjeni, të cilin Qosja e klasifikon te Ekspresionizmi, i vuri detyrë vetes që të krijonte artin e tij sipas kësaj rryme detyrimisht? Shumë faktorë shoqëror bashkë me talentin gjenial të Migjenit, shpërthyen atë krijimtari që konceptohej në botën shpirtërore migjeniane. Edhe komparatisti i lavdishëm Paul Van Tieghem, që përmend Qosja, krahas të tjerave dallon një veçori në zhvillimet letrare. Ai pohon se krijimtaria artistike nuk ndjek gjithmonë një proçes logjik vazhdimësije, sidomos kur flitet për personalitete të fuqishëm. Mediokrët, mesatarët mbase edhe ngjajnë dhe përbëjnë një proçes evolutiv që herë pas here ulet e ngrihet dhe për arsye më të thjeshta studimore e skolastike  përbën materialin e krijimit të sistemeve apo zhvillimeve atipike, të shpejtuara, letërsi e popujve nën sundim otoman etj etj. Ndryshon puna me komunitetin e shkrimtarëve gjenialë, komunitet i cili përbën një botë krejt të veçantë ku influencat nuk kanë të bëjnë me kufijtë e gjuhës dhe shumë herë të kohës ose të kulturës. Gjenitë përbëjnë atë komunitet, ku influencat kalojnë nga njëri te tjetri në sajë të përkitjeve të brendëshme shumë të holla. Qosja bën një lloj sociologjie të letërsisë, që mbetet gjithmonë pak trashanike, ngaqë nuk merr vërtetë në konsideratë eksepsionet, ndërkohë që, janë eksepsionet të cilat bëjnë artin e madh. Tradita, shkollat, sistemet, vlejnë shumë më tepër për mediokrët dhe shkrimtarët mesatarë dhe pak ose aspak për të talentuarit dhe gjenitë.

Këshu mund të sjellim rastin e dramaturgut francez Jean Racine i cili është kritikuar shumë në kohën e tij për mungesën e incidentit në tragjedinë e tij Berenice (1670). Kritikuesve të tij, të cilët më së shumti ishin autorë dramash, ai u përgjigjej: "Tragjeditë e mëdha jo domosdoshmërisht konsistojnë në gjakderdhje dhe vdekje". Linja e tij poetike Aleksandrine përbën një eksepsion në harmoninë, thjeshtësinë dhe elegancën e saj, por kjo ishte shprehja më e lartë e botës së tij të brendëshme. Asnjëherë nuk e kanë kataloguar sipas një sistemi apo rryme letrare, por në kohën e tij e kanë gjetur të afërt me të madhin Pierre Corneille. Pra, për gjenitë nuk krahasohen sistemet, por afinitetet te njëri tjetri.

Termi letërsi botërore u përdor nga Goethe në vitin 1827 përgjatë komentit të dramës së tij Tasso (Torquato Tasso), të përkthyer në frëngjisht, ku disa herë theksoi se mendimi i tij pikësynon një letërsi botërore të niveleve më të larta të unifikuar në të cilën diferencat midis letërsive të vendeve të veçanta do të zhdukeshin. Këtu kishte mirë parasysh nivelet më të larta të gjenive krijues, vepra e të cilëve i përkiste asaj që ai e quajti letërsi botërore.

Veprat më të vlerësuara të Kadaresë, si Pallati i Ëndrrave etj., lidhin në mënyrën më direkte universalen me rrethanat ku janë prodhuar, dhe fakti që janë pëlqyer me pasion nga lexues që nuk kanë pasur asnjë informacion nga ajo që ndodhte në atë kohë në Shqipëri, është prova më e mirë për këtë. Në këtë kontekst Kadarenë e kualifikojnë si shumë të afërt me Kafkën ose Remarkun në shumë vepra të tij por jo të afërt me Migjenin apo Koliqin e të tjerë.

Në se merita e Kadaresë është vetëm servilizmi ndaj regjimit komunist dje dhe të fuqishmëve sot (Qosja opinion) gjë që e ka çuar në notorietetin dhe respektin që ka në botë, përse nuk ka ndodhur kjo dhe me qindra shkrimtarë tipikë të realizmit socialist, të cilët nuk ishin keq per karierizëm dhe servilizëm partiak si Shuteriqi, Gjata, Xoxe, Siliqi. Në fakt përse nuk ka ndodhur as me një të vetëm? Si është e mundur që Kadareja paska një talent të atillë sa ta kthejë në sytë e specialistëve dhe editorëve nëpër mbarë botën servilizmin e tij në talent? Në këtë rast na paska vërtetë diçka gjeniale në makiavelizmin e tij, që mbase në fund të fundit, qoftë edhe për këtë arsye, duhet respektuar nga Qosja, që e analizon me kaq siguri një kapacitet kaq të rrallë në vlerat negative..

Ka aq letërsi sa ka shkrimtarë. Iluzionin e letërsive nacionale ose letërsi periudhash e jep gjuha. Por po të kalojmë në muzikë, ku gjuha është e njëjtë, dihet që kufijtë nuk egzistojnë dhe në të vërtetë ashtu është, kjo përbën veçorinë e gjithë krijuesve gjenialë në letërsi, mungesa e kufijve në artin e tyre. Vazhdojmë arsyetimin. Si do ta katalogojmë psh, Ornela Vorpsin, e cila ka një stil dhe ndërtim të veprës shumë individual (mund të thuhet modern në formë, me miniaturat e saj), që shkruan në italisht ndërkohë që është shqiptare dhe që njëkohësisht është edhe piktore e fotografe shumë e vlerësuar në Europë krahas librave që ka shkruar! Pra ka vetëm individë krijues të artit të madh. Qosja flet për letërsinë krahasimtare dhe rrjeshton disa emra autorësh shqiptarë (Kadare, Agolli, Bashkim Shehu, Fatos Kongoli, duke ua vënë përballë emrave të gjenive Eskili, Dante, Shekspiri, Goethe.  Por vallë kaq naiv na konsideron Qosja sa mund të marim për të krahasueshëm nivelin e letërsisë së Kadaresë me atë të Agollit e të tjerët më pak të mëdhenj? Këtu mendoj se argumenti krahasues i Qosjes ka humbur shumë nga pesha e vet, pra bie edhe për një lexues të thjeshtë. Qosja e bën këtë krahasim në grup të shkrimtarëve shqiptarë sepse i trembet logjikës së argumentit krahasues të shkrimtarit të vetëm gjenial Kadare me Kafkën, apo Orëellin, sikurse kanë deklaruar njohësit e mëdhenj të letërsisë së botës. I grupuar bashkë me të tjerët Kadare humbet shumë dhe këtë Qosja e di mirë prandaj dhe e servir si argument, por po ta pyesësh vetëm për Kadarenë si eksepsion gjenial dhe i nivelit më shumë se europian, atëherë do dëgjonim ndonjë shpikje sui generis të tij.  Ka një diskordancë të qartë mendimesh në opinionet e shprehura nga Qosja në lidhje me përkthimet e letërsisë ballkanike e asaj shqiptare. Qosja na deklaron se letërsia më e përkthyer sot në botë është ajo pornografike, politike, kriminalistike etj. Ndërkohë diku tjetër thotë fuqishëm me nota krenarie se letërsia serbe, dhe kësaj, për të mos e lënë vetëm se kështu del shumë proserb, kinse i shton pastaj edhe atë kroate, përkthehet sot në botë nga tridhjetë, njëqind e deri tre qind përqind. Me gjithë zellin e madh, nuk jep asnje shembull shkrimtari të madh serb, së paku të përmendëte Emir Kusturicën që njihet njëkohësisht edhe si antishqiptar i deklaruar. Për çfarë letërsie e autorësh e ka fjalën në këtë rast, sepse nuk qëndrojnë këto dy argumente përballë njëri tjetrit. Ose kemi të bëjmë me letërsi konsumi ose kemi të bëjmë me lajthitje të qëllimshme argumentash. Qosja na bën të ditur se ambasada serbe në Paris publikon buletin letrar mujor dhe fton autoritetet shtetërore që të planizojnë librat që duhen përkthyer në gjuhë të huaj. Praktikë më tipike realiste komuniste nuk mund të gjëndet sot në shoqërinë e tregut të lirë. Në këtë mënyrë Qosja fton shtetin që të përkthejë me fondet e tij ata që janë shkrimtarët politikanë, njëlloj si Kasem Trebeshina, që ankohet se shteti nuk i boton veprat e tij. Në vazhdim të argumentave të Qoses dua të shpreh opinionin se “modernizmi” nuk mund të konsiderohet si kualiteti kryesor për të përcaktuar një vlerë në letërsi. Po perifrazoj disa vlerësime të kritikës të asaj letërsie që Qosja e njeh mirë. A nuk do ishin në panteonin e letërsisë franceze Alain Robe Grillet ose Butor të cilët kanë mbetur si tentativa interesante për specialistët? Dhe në fakt përcaktimi i vlerës në letërsi në fund të fundit është një debat i kotë nëse tentohet të argumentohet si një shkencë objektive e aq më tepër sociologjike me një zhvillim sistematik. Sipas kësaj logjike cilët duhet të ishin kulturat që do prodhonin letërsinë më të madhe sot, kinezët, iranianët,egjyptianët apo grekërit!! Dhe më tej. Nëse argumentat e Qoses do ishin të vërteta dhe evolutive, si ai i paraqet, atëhere një shkrimtar i sotëm francez si Eric Emanuel Schmit duhet të ishte me më shumë vlera sesa Molieri, Racine dhe Jean D’Ormesson, më i mirë sesa Balzak e Flaubert, etj.

Qosja e njeh mirë një fakt shumë domethënës nga letërsia ruse. Gjuha e shkruar zyrtare dhe letërsia ruse ka filluar me veprat e Gogolit dhe Pushkinit e Dostojevski më mbrapa tyre. Pra, këta gjeni me veprat e tyre në mungesë të asaj tradite që njohim për vende si Franca e Anglia, konsiderohen modele për më të vonshmit dhe përbëjnë vlera të pashlyera të letërsisë botërore. Mungesa e traditës në letërsinë e një vendi përbën një farë force innovative, kërkon gjeninë i cili shpesh shërben si model për të tjerët.

E mirënjohura Peggy Guggenheim e pyetur me rastin e dorëzimit të koleksionit të saj të njohur të pikturave se çfarë pëlqente më shumë, surealizëm, kubizëm apo modernizëm abstrakt u përgjigj: “Më keni drejtuar pyetje të pa formuluar mirë. Mua më pëlqejn dhe vlerësoj vepra me talent krijues të veçantë”.

Shkurt, sistemet janë gjithmonë të kufizuar në këto fusha që ndërtohen nga shumë aksidente të paparashikueshme.

Së fundi argument i fundit në intervistën e Qoses, faktori islamik. Të paktën, në studimin Identiteti europian i shqiptarëve Kadare shpreh respekt dhe admirim për kulturën islame. Kjo ka ndodhur edhe në mjaft raste të tjera, por te Identiteti edhe një herë më shumë e më theksueshëm. Kadare, si çdo qytetar i civilizuar është kundër fondamentalizmit islamist sikurse vet bota islame e dënon fondamentalizmin islamist dhe bota kristiane ekstremizmin fetar fondamentalist. Atëhere për ata që nuk e durojnë dot Kadarenë është me interes që të ndërsejnë fondamentalistët kundër shkrimtarit në emër të anti islamizmit dhe ndoshta vjen një ditë dhe del ndonjë fatva për eleminimin e shkrimtarit. Ndërkohë për këtë kontribut nuk mbetet pa përfituar nga Lindja edhe vet kontribuesi erudit. Duke folur shpesh për të njëjtën gjë diçka mbetet dhe kjo rrit shpresat e atyre që e synojnë rrëzimin e shkrimtarit.

Një shqiptar i ditur ka thënë-shqiptarin e vret e bukura. Sot mund të themi se - lavdia e një shqiptari i pëlcet shpirtin një shqiptari tjetër.


(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora