E merkure, 03.06.2020, 12:55 AM (GMT+1)

Komente

Ngacmim publicitar

E diele, 23.09.2007, 08:01 PM


Nga Edmond Tupja

Zyrtarë të të gjitha posteve e ngjyrave që ngacmojnë seksualisht vartëset e tyre, shefa që ngacmojnë seksualisht sekretaret e tyre, pedagogë (nga më i thjeshti deri te dekani e më lart) që ngacmojnë seksualisht asistentet apo edhe studentet e tyre) etj., etj., bëjnë pjesë në atë dukuri që po kthehet në një realitet të rëndomtë në Shqipërinë e sotme. A nuk kemi parë në televizion edhe njëfarë videoklipi ku profesori ngacmon një nga nxënëset e tij, ndërsa këngëtarja thotë ndër të tjera se “Profesori me vështrim prej horri..., katër ma nxori”, etj., etj.? Për të mos ua ngrënë hakun profesioneve të tjera, do të merrja guximin të propozoja që herë pas here këngëtarja në fjalë emrin “profesori” ta zëvendësonte radhazi të paktën me emrat “shefi”, “drejtori”, “dekani”, “rektori”, “deputeti” e “ministri” për të mos u ngjitur edhe më lart në piramidën shtetërore.
Deri këtu kemi ngacmime të elementit femër nga elementi mashkull, dhe, me sa duket, shihet e dëgjohet (nuk thashë as “preket”, as “shijohet”), të paktën deri tani, elementi femër nuk e ngacmon elementin mashkull. Me një përjashtim: kur bëhet fjalë për publicitet jo vetëm në gazetë, radio apo televizion. Po shpjegohem.
Një ditë të bukur të verës që sapo kaluam, kur njeriut i vinte të zhvishej edhe nga lëkura e vet për t’i shpëtuar vapës së tmerrshme, ra telefoni në shtëpinë e mikut dhe kolegut tim të ri Françesk Armadhi. Një zë i këndshëm femre të edukuar i foli atij për një firmë (amerikane, sipas saj) që tregtonte aparate fantastike të pastrimit të ajrit shtëpiak nga shumë parazitë mikroskopikë, shkaktarë të lloj-lloj sëmundjesh e alergjish; zonja apo zonjusha në fjalë tha se specialistët e firmës vinin dhe e vendosnin vetë në apartamentin e klientit, se çmimi ishte i arsyeshëm (siç doli më vonë, në gojën e saj të padukshme “i arsyeshëm” kishte kuptimin “shumë i lartë”), se miku im do të ngelej i mrekulluar etj., etj. Por më interesantja ishte se zonja apo zonjusha në fjalë përmendi disa emra personalitetesh politike, deputetë e anëtarë kryesish të disa partive të mëdha, që e kishin blerë aparatin në fjalë e që kishin mbetur tejet të kënaqur. Sigurisht që Françesk Armadhi, me shumë takt e mirësjellje, nuk pranoi, por zonja apo zonjusha në fjalë nuk i shqitej që nuk i shqitej. Më në fund, bëri si bëri, ai u shkëput prej kthetrave ledhatare të zërit të saj. Por pas disa kohësh, një tjetër zë, po i së njëjtës firmë, iu vërsul me një këmbëngulje të ëmbël dhe përsëri ai e pati shumë të vështirë të shkëputej nga rrjeta sythngushtë e peshkatares publicitare, e cila, përballë mospranimit të sjellshëm të mikut tim, përdori si argument të njëjtin fakt objektiv si pararendësja e saj: ajo përmendi disa emra personalitetesh politike, deputetë e anëtarë kryesish të disa partive të mëdha, që pasi e kishin blerë aparatin çudibërës, paskeshin mbetur tejet të kënaqur.
I të njëjtit tip është edhe ngacmimi shpirtëror që praktikojnë përfaqësuesit endacakë të disa sekteve fetare, të cilët, duke u shkuar shqiptarëve derë më derë, u bëjnë një publicitet asfiksues e marramendës për besimin e tyre. Në fillim, ishin gjithmonë dy meshkuj që u zinin derën bashkatdhetarëve të mi, u rraseshin brenda dhe u ënjtnin kokën me orë të tëra; më vonë njëri syresh ishte mashkull, kurse tjetri u zëvendësua me një femër, sigurisht në funksion të gjinisë së personit që u hapte portën. Këto kohët e fundit, janë shfaqur edhe dy femra (me sa duket, krerët e lartë të besimeve në fjalë, e dinë dobësinë e theksuar të shqiptarëve, përfshirë edhe timen, për seksin e bukur) jo fort të shëmtuara, madje disa syresh edhe të këndshme, që të shikojnë mu në bebe të syrit e jo vetëm të syrit të zakonshëm, e gjitha kjo pa ua bërë syri tërr, i zakonshëm apo i jashtëzakonshëm qoftë ai. Sigurisht, këta lloj përfaqësuesish, si meshkujt edhe femrat, nuk përmendin emra personalitetesh të njohura politike të pozitës apo opozitës, por emra njerëzish (atë, nënë, grua, motër, vëlla etj., etj.) të afërm me personalitetet në fjalë. Mikut e kolegut tim të ri Françesk Armadhi këto vitet e fundit i vijnë vetëm përfaqësuese, pra, femra, të sekteve në fjalë, të cilave, ngaqë e flasin shumë mirë shqipen, u pëlqen me sa duket erotizmi i theksuar i emrit dhe mbiemrit të Françesk Armadhit, të cilin erotizëm asnjë nga të dashurat e shumta të këtij të fundit nuk e ka përgënjeshtruar deri më sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora