Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Milush Kopili dhe beteja e Kosovës

| E diele, 27.09.2009, 09:00 PM |


Milush Kopili dhe beteja e Kosovës
Nga Qazim Namani
Qazim.Namani@ks-gov.net

Deri më tani është shkruar se sulltan Muratin I e ka vrarë Milush Kopili shqiptar ortodoks, në literaturën serbe është përvetësuar kjo figurë heroike, dhe emri  tij haset si Millosh Kopiliqi. Një fshat sot mbanë emrin Kopiliq në Drenicë. Pothuaj të gjithë historianët emrin e këtij fshati e lidhin me lindjen e Milush Kopilit. Te popullata shqiptare në malësinë e Gallapit është ruajtur brez pas brezi rrëfimi rreth zhvillimit të kësaj beteje.
Luan Malltezi bëri një përmbledhje të shkrimeve nga autorë e huaj për Milush Kopilin. Ai shkruan se shkrimet e studiuesve të ndryshëm për Milushin (Milloshin) janë të karakterit tregimtar dhe letrar. Pra studiuesit i kanë marrë të dhënat për Milloshin nga eposi shqiptar dhe serbo-kroat, si dhe nga kronikat e ndryshme bizantine, Osmane, perëndimore etj. Për vetë natyrën e tyre si burime të dorës së dytë, që karakterizohen nga një varg kufizimesh e mangësish, siç është karakteri subjektiv, i njëanshëm i tyre etj. Historianit i duhet në këtë rast të ketë tepër kujdes gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të tyre. Kjo sidomos vlen për rastin kur dëshmitë kundërshtojnë njëratjetrën. Burimet arkivore, si burime të dorës së parë, që do t’i jepnin një zgjidhje të lehtë dhe të pa diskutueshëm problemit, mungojnë krejtësisht. Studiuesi i shquar austriak Hammeri, që ndër të parët iu qas problemit për përkatësinë etnike të Milloshit, ngurroi të japë mendimin e tij, por na la megjithatë një këshillë me vlerë: që të jemi të matur, t’i peshojmë me kujdes të gjitha të dhënat për të parë se kah anon e vërteta. D. Kostiq i cili i ka kushtuar një studim të gjerë çështjes së emrit, mbiemrit, vendlindjes dhe pozitës shoqërore të Milloshit, pohon se sipas origjinës është dinarian “I dalë prej simbiozës serbo-shqiptare, pra ballkanas i serbizuar”. Kronistët Osmanë për Milloshin shkruajnë pa dhënë të dhëna për përkatësinë etnike të tij. Ahmediu e quan “një nga të pafetë”. Shukurllahu thotë: “një i pa fe vetëflijues, një nga sundimtarët e fuqishëm të të pafeve..”. Ashik Pashazade: “ ishte një i pa fe me emrin Bilesh Kuble, të cilin e njihnin me emrin Millosh Kuble”. Neshriu: “një i plagosur …ai i mallkuar i plagosur”. Nishanxhiu: “Një bej nga ushtria e të pafeve me emrin Millosh”. Aliu: “Një pagan mëkatar, një i pafe i quajtur Millosh”. Nga kronistët Bizantinë, Sfrances nuk e përmend fare Milloshin si vrasës të sulltan Muratit I, sipas tij Muratin e ka vrarë Llazari me dinakëri. Halkokondili shkruan se vrasësi i sulltanit quhej “Miloin” dhe se ishte serb. Serb e konsideron edhe Dukas. Njoftimi për përkatësinë serbe është i dyshimtë, sepse që të dy këta kronistë bizantinë niseshin nga koncepti politik, dhe rrjedhimisht, i quajnë “serbë” të gjithë nënshtetasit e atij shteti, pavarësisht nga përkatësia etnike. Konstantin Jireçeku mendon se është serb dhe tërheq vëmendjen se një familje kobiliq ishte në atë kohë në Dubrovnik. Një Kobiliq ishte më 1390 knjazi zhupës. Çështja e emrit Millosh është krejt pa rëndësi për ta marrë në konsideratë, kur është fjala për të hetuar përkatësinë etnike.
 
Për Milush Kopilin thuhet se stanet i ka pasur në fshatin Mramur të komunës së Prishtinës.  
Të dhënat në terren dëshmojnë se në kufirin e fshatit Mramur dhe Kukavicë vërtet ekziston lokaliteti “Quka e Kopilit” dhe- pusat e kopilit, jo larg Qukës së kopilit, sot jeton popullata serbe të cilët shqiptarët i quajnë kopilakët për të cilët thuhet se kanë qenë shqiptarë ortodoksë si shumë fshatra tjera të Kosovës. Kjo dëshmohet edhe te Qylkovit, sot logje serbe në fshatin Bostan të Artanës (Novobërdës) ishin shqiptarë që jetuan më parë në Qylk të gjytetit të Marecit, por u serbizuan dhe sot quhen shumakë, rikujtojmë se edhe banorët e fshatit Marec dhe fshatrave tjera për rreth, quhen malokë nga banorët e vendeve më të ulëta. Shqiptarë ishin edhe korçiqët që jetojnë sot në fshatin Zebincë, pra dihet se janë vëllazëri me familjet korça që sot jetojnë në Tyxhec, Gjilan, Prishtinë dhe vende tjera të Kosovës.
Shqiptarët e kanë traditë prej të kaluarës që t’i përcjellin njohuritë për kisha dhe mure të vjetra të këtyre vendeve. Ata i dinë çdo rrugë, çdo kodër dhe male në rrethinën ku banojnë, por edhe shumë larg vendbanimit të tyre. Serbët dinë vetëm për rrethinën e afërt të tyre, a në të vërtetë nuk i njohin as ato!  
Sipas analit të Pejës nga shek. XVIII, beteja e Kosovës u zhvillua në mes të lumit Llap dhe Sitnicë, dhe se kufoma e Milush Kopilit është varrosur në afërsi të lumit Llap, në një kishë, në altarin e së cilës buron uji mineral dhe mjekues. Shumë shkrime të mbështetura në mitologji pas betejës së Kosovës, si, bie fjala, në analin e Pejës, udhëpërshkrimin e E. Qelebiut, udhëpërshkrimin e raguzanit Ivan Kubaka   (i cili shpesh udhëtoi nëpër këto treva dhe një kohë jetoi në Stamboll), udhëpërshkrimi i Nikolla Boshkoviqit (baba i matematikanit dhe astronomit zulmëmadh Rugjer Boshkoviqit), i cili kaloi këndejpari në shek. XVIII, hasim të shkruhet për fshatin Sollobajë (kisloboj, kisha e Milloshit), emri i këtij fshati lidhet me siguri nga tradita se në këtë kishë është varrosur kufoma e Millosh Kopiliçit.  
Për betejën e parë të Kosovës deri më tani nuk janë publikuar dokumente të kohës: as në arkivin e qeverisë turke por as në arkivat e qeverive perëndimore. Tregimet më të vjetër lidhur me këtë ngjarje janë kronikat e shek. XV, tregime këto të hartuara në bazë të gojëdhënave, disa dekada pas zhvillimit të ngjarjes në fjalë.
Duke marrë me rezervë burimet e shkruara për këtë ngjarje, dhe duke u mbështetur në rrëfimet e ndryshme, po japim rrugëtimin e ushtrisë osmane drejt Fushës së Kosovës. Ushtria osmane prej Qystendilit arriti në Ulov (Fusha e madhe), pastaj në Kratovë 70 km në anën veri-lindore prej Shkupi. Prej Kratove është nisur në drejtim të Kumanovës. Është e diskutueshme që ushtria osmane marshon në të majtë të maleve të Karadakut, por besohet se marshuan në të djathtë pranë Preshevës, pasi që flitet për një përleshje të popullatës vendase dhe ushtrisë osmane. Pastaj nëpër luginën e lumit Morava arrin në Gjilan. Prej Gjilanit arrin në qytetin e argjentit (Novobërdë) dhe pastaj kalon nëpër malin Koznicë (mal në fshatin Marec, Q.N) dhe nëpër fshatin Mramur, i afrohet Fushës së Kosovës në afërsi të Prishtinës. Ushtria osmane lëshohet në fushë në të djathtë të Prishtinës, përmes përroit të Bërrnicës dhe aty përqendrohet.
Përveç rrugëtimit të ushtrisë osmane, Nikolajeviqi përshkruan dhe udhëtimin e ushtrisë serbe. Sipas tij, përqendrimi i ushtrisë serbe ishte në Krushevc. Prej Krushevci kalon nëpër Rrasi, e cila pastaj vazhdon rrugën e vjetër nëpër Toplicë, arrin në Krshumlinë e sotme (Hammeuma), kalon Merdaren dhe nëpër lumin Llap arrin në Prishtinë.  Gjatë përshkrimit të këtij udhëtimi, jepen edhe këto të dhëna për Bervenikun. Në pjesën jugore të rajonit të Llapit, në hapësirën ku Llapi bashkohet me Bervenicën, ishte varoshi i quajtur Bervenik. Berveniku ishte jo larg urës në anën lindore të lumit Llap, nëpër të cilën kalonte rruga Prishtinë-Kurshumli.  Mendojmë se këtu autori i shkrimit e ngatërron Gllamnikun me Bervenikun.
Nikollajeviqi jep të dhëna edhe për një rrugë tjetër prej Prishtine nëpër Gollak (Gallap) deri në Deve (Medvegje), e cila përdoret për këmbësorë, kalorës dhe shtazë tjera të ngarkuara, por shkruan se për kerre kjo rrugë nuk është e përshtatshme.  
Nga të dhënat që i përshkruan Nikollajeviqi, kuptojmë se udhëtimi i ushtrisë osmane nëpër lokalitetet dhe qytetet e cekura më lartë, është ruajtur edhe te popullata shqiptare e Kosovës. Të gjitha rrëfimet për këtë ngjarje tregojnë se sulltan Murati u përqendrua në Kosovë, se beteja u zhvillua në Kosovë. Nga kjo kuptojmë se këtu kemi të bëjmë me qytetin Kassova, i cili sipas disa burimeve shtrihej diku 7 milje në verilindje të Prishtinës. Suka e Grashticës (suka e Kassovës, Q.N) nga popullata shqiptare e këtyre anëve edhe sot quhet sulltan tepe, kurse kroni në anën veriore të sukës (territor i fshatit Radashec, Q.N) edhe sot quhet kroi i mbretit. Kjo sukë shtrihet në anën perëndimore të fshatit Grashticë, ku kufizohet me fshatin Radashec dhe gjendet në jug të lokalitetetin gjyteti, në fshatit Sharban, me  një distancë rreth 6 km. Nga kjo sukë duket edhe Prishtina edhe vendi ku thuhet se u zhvillua beteja e Kosovës.
Për pushtimin e Kosovës nga osmanët, të dhënat e kohës nga shkrimtari turk Mehmet Neshriut, të shekullit XV, tregojnë se Ali Pasha-djali i madh i Candrali Kara Halit (Hajredin Pashës), pasi e pushtoi Gerinxhen (Gjezixhe), i dërgoi njerëz sundimtarit të Kosovës dhe kërkoi që t’i nënshtrohej. Sundimtari i Kosovës nuk e përfilli fjalën e pashait dhe ju përgjigj: “Ne nuk i bëhemi kryengritës princit tonë dhe nuk i bindemi osmanëve. Ali Pasha dërgoi Pazarlu Dogan Begun që ta digjte, grabiste, gratë dhe djelmoshat t’i merrte robër dhe ta shkatërronte Kosovën. Pazarlu Dogan Begu e sulmoi dhe e rrënoi kështjellën e Kosovës, gratë dhe djelmoshat i mori robër. Të pafetë erdhën e ju lutën pashait që të lirohen robërit e zënë në luftë, përkundrejt dorëzimit të kështjellës së Kosovës. Pashai robërit e zënë i mori nga duart e ushtarëve osmanë, jua dorëzoi të pafeve dhe e mori kështjellën e Kosovës. Mbasi u vendos në kështjellë, urdhëroi që robërit të ju ktheheshin prapë osmanëve. Osmanët i morën përsëri nga duart e të pafeve robërit. Pashai i cili e pushtoi kështjellën e Kosovës, u shpërngul prej andej dhe shkoi në drejtim të Tërnovës, kryeqendër e Shishmanit.  Nga kjo e dhënë kuptojmë se në atë kohë ekzistonte një kështjellë me emrin Kasova në territorin e Kosovës së sotme.
Haxhi Kallfa (1650) jep të dhëna për këtë qytet se ishte kadillëk i Sanxhakut të Vushtrrisë që ndodhej në rrugën Prishtinë-Kushumli, dhe ka 19 ditë rrugë nga Stambolli. Banorët e këtij qyteti kryesisht ishin xehetar.  Kuptohet se Kassova në shekujt e më hershëm, por edhe në këtë kohë si qytet xehetar e kishte dhe ligjin e vet, kurse nën juridiksionin e këtij qyteti xehetar ishte pjesa dërmuese e Fushës së Kosovës, andaj Fusha e Kosovës nuk ka të bëjë me Fushën e mëllenjave si është përshkruar në historiografinë serbe, por me fushën e qytetit Kassova.
Rrugëtimi i ushtrisë serbe është shumë i dyshimtë, por nga ky përshkrim kuptojmë se ushtria serbe në atë kohë ishte e koncentruar në Krushevc, kuptojmë se rruga Kushumli-Prishtinë kalon në anën lindore të lumit Llap përmes urës në vendin ku Llapi bashkohet me bervenicen. Kjo bënë të ditur se ka kaluar në lindje të lumit Llap e cila vinte pranë kalasë së Gllamnikut, Tenezhdollit, Siqevës, për në Prishtinë. Kuptojmë se ushtria serbe përmes kësaj rruge, nuk ka mundur të vijë deri në Prishtinë, si thotë Nikolajeviqi, sepse ushtria osmane më parë kishte zbritur në këtë rrugë dhe e mbante në kontroll malin në anën e djathtë të rrjedhës së Bërrnicës, pra kuptojmë se ushtria osmane e kontrollonte suken e Grashticës (Kassovës, Q.N), kalanë e Siqevës, Sharbanin, Rimanishtën dhe fshatrat përrreth. Kjo e dhënë na shtynë të mendojmë dhe të pyesim se ushtria rasiane a  ka lëvizur në drejtim të Kosovës? Në drejtim të Fushës së Kosovës nga ky rrugëtim i cekur, besohet se kanë mund të lëvizin formacione të popullatës shqiptare nga Toplica dhe Shala (Belasica) dhe t’i bashkohen ushtrisë shqiptare të feudalëve shqiptarë dhe popullatës shqiptare nga Kassova. Nga burimet historike dihet se në këtë betejë morën pjesë dhe feudalë shqiptarë nga Shqipëria si:  Gjergj i II Strazimir Balsha, Gjon Kastrioti, Vëllezërit Junt dhe Teodor Korona Muzaka,  i cili dhe u vra në këtë betejë.  Musa Arbanasi-Kasegjia mori pjesë në këtë betejë, vlen të ceket se sot një kodër në malet e Albanikut, pranë Belasicës, e mban emrin Musincë.
Në mbarim të shekullit të XIV, tërë Llapin dhe Bervenikun e sundonin musiqët.
Musiq Stefani zotërues i Llapit dhe Bervenikut, hero i këngëve popullore tona, shkruan Mita Rakici, ai ishte edhe tezak i princ Llazarit.  Me këtë vërehet qartë përvetësimi i përkatësisë etnike të Musa Arbanasit.
Bazuar në defterët e regjistrimeve të popullatës së këtyre viseve pas betejës së Kosovës, tregojnë për shumë emërtime të vendeve maleve dhe lumenjve të arbanasve të këtyre anëve. Fshati Arbanas në nahijen e Llapit, në krye të lumit Llap, nga defterët e vilajetit VLK 1435, na del si: Mali i Arbëneshit, Lumi i Arbëneshit.  Defterët e kësaj kohe tregojnë për shtrirjen e fshatrave shqiptare në tërë sanxhakun e Nishit,  por dhe në Bullgari. Arbanashka Petrila përmendet për herë të parë në librin e tregtarit raguzian, Mihail Llukarit, nga viti 1431/32. Ky fshat me të njëjtin emër haset edhe në defterin e vilajetit Vlk, të vitit 1455. Në defterët e mëvonshëm të vitit 1497/98, na del si Petrili i Arbanashit.  Ilaz Rexha, bazuar në hartat austriake, me të drejtë e bënë unifikimin e këtij fshati me Petrilën e sotme ndërmjet Tullarit dhe Maqedoncit në rajonin e Medvegjës. Fshati Arbanashevik i nahijes së Kllopotnikut, haset në defterët e vitit 1477/87, në Sanxhakun e Vushtrrisë.  Pastaj Arbanashi i Toplicës në defterët e shekullit XV-XVI, në rajonin e Prokuples.  Arbanasi i Prokupit haset në defterin e sanxhakut të Krushecit, në shekullin e XVI.
Në defterin osman në rrethinën e Prokuplës, është regjistrua një vendbanim i lashtë me emrin Alban, edhe sot në Toplicë ekziston vendbanimi në formën e shtrembëruar Alabana.
Në hapësirën e trekëndshit Medvegjë-Bojnik-Rudar, përmendet në vitin 1431/32, Hrospinzi Arbaneso, dhe Bernica e Arbanasit. Në defterët sumar të timareve nga viti 1477 dhe 1487, ky vendbanim gjendet në rajonin e Topanicës (në nahijen e Krivarekës së Novobërdës).
Arbanashi haset dhe në defterët e sanxhakut të Qystendilit, në shekujt XV dhe XVI, pastaj fshati Arbanas në rrethin e Kumanovës etj.  
Humanisti raguzan, Tuberoni, popullatën që e sundonte Llazari, i quan dardanë, ilirë dhe maqedonas. Po ashtu edhe francezi, Filip de Mezier, i cili pas betejës kaloi nëpër këto treva, këtë betejë e vendosi në territorin e arbërit dhe me këtë la vend të kuptohet përbërja etnike arbërore e Kosovës.
Duhet vënë në dyshim pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në këtë betejë, të përvetësuar dhe shndërruar në mit nga historiografia serbe e shekullit të XIX-XX.
Nga mungesa  e dokumenteve të shumta autentike për këtë ngjarje, pastaj për  veprimtarinë dhe jetën e këtij personaliteti të ngritur, duke u bazuar më shumë në gojëdhëna të ndryshme, se sa në dokumente autentike, mund të shtrojmë pyetjen se: vallë, a mund të jetë fshati Kopiliq në Drenicë, vendi ku ka lindur Milush Kopili apo është fshati ku është kidnapuar dhe vrarë Milush Kopili pas vrasjes së sulltan Muratit  I.? Nuk duhet përjashtuar mundësinë se vendlindja e tij të ketë qenë fshati Kopiliq në Drenicë, por vendbanimi i tij të jetë Quka e Kopilit në fshatin Mramur. Nëse e pranojmë pozitën e rëndësishme në shoqëri të Milush Kopilit, si dhëndër i princ Llazarit, dhe rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Gallapit në këtë periudhë, e veçanërisht minierat e Artanës pranë Qukës së Kopilit, duke veçuar ato të fshatit Mramur, Keqekollë, Grashticë, Sharban, Bervenik, Kizhnicë, Shashkoc, Janjevë, Gllamë etj., mund të pohojmë se duke u bazuar  në të dhënat dhe traditën popullore te banorët e kësaj malësie, dhe interesin ekonomik për të jetuar në këtë rajon të pasur, se vendbanimi  i Milush Kopilit është fshati Mramur, përkatësisht Quka e Kopilit.
Nga burimet e shkruara të shekullit XV, vërehet se Novobërda i kishte repartet e veta që i nënshtroheshin administratës xehetarie të këtij qyteti. Në ligjin xehetar të Novobërdës, të vitit 1488, përmenden xeheroret si në vijim: Blaviç, Buliç, Rim, dhe Mirkame. Në ligjin e vitit 1994, i shtohen dhe repartet e xeheroreve Markofic, Jarkofqe, Yzerkofqe dhe Siriniq.  Në këtë kohë Novobërda ishte Has i sulltanit dhe në kuadër të saj ishin këto nahije: Troboshiça, Dobriçani, Leskovci, Ostrovica, Morava dhe Mali i Zi i Shkupit.  Nga kjo kuptojmë se nën mbikëqyrjen e Novobërdës ishin edhe minierat në malet e Karadakut (Malit të Zi), dhe në besimin e Milush Kopilit, si dhëndër i princ Llazarit. Kjo dëshmohet edhe me vetë emrin e malit Kopilaq në komunën e sotme të Vitisë.
Pas vrasjes së sulltan Muratit I, djalit të tij Jakupit dhe princ Llazarit në postin e fronit perandorak, erdhi biri tjetër i sulltan Muratit I, Bajaziti I –Jildrim (rrufeja), vasal të të cilit bëhen: Gjon Kastrioti, Lekë Dugagjini dhe Milica (bashkëshortja e princ Llazarit). Pas vrasjes së princ Llazarit, bashkëshortja e tij Milica, ia dha për grua të bijën Oliverën, e cila bëhet sulltaneshë e shtetit Osman, të bijën tjetër të Maricës e kishte për grua Vuk Branku, dhe i cili më parë ishte baxhanak me Milush Kopilin, tani u bë baxhanak edhe me sulltan Bajazitin I.
Nga kjo kuptojmë se në mes të sulltan Bajazitit dhe Vuk Brankut, krijohet një miqësi dhe koalicion në dëm të princave tjerë të Ballkanit.
Edhe sulltan Murati II ishte i martuar me Marën nga Rashka (Rrasia), me të cilën kishte njëmbëdhjetë fëmijë. Mara ishte motra e despotit të Rrasisë Gjergj Stefanit. Njëri nder fëmijët e Marës ishte dhe sulltan Mehmeti II (1451-1481). Gjergj Stefani ishte edhe daja i aristokratit Balshës së III (sundimtarë i Shqipërisë veriore, Malit të zi të sotëm dhe Dalmacisë). Gjergj Stefani, sipas burimeve Bizantine (Laonik Halkokondili), ishte despot i Rrasisë. Rrasia ishte vend në afërsi të Jeni Pazarit (Tregut të ri, në sanxhakun e sotëm), shqip rrasë-rrasa, pllakë guri ku edhe sot nga ky vend nxirren rrasa mermeri. Pas vdekjes së Balshës së III (1421), i cili nuk kishte trashëgimtar, zotërimet e tij kaluan në duar të Gjergj Stefanit. Më 06. Prill 1453, u bë rrethimi i Konstantinopojës. Gjergj Stefani si vasal dhe si mik i sulltanit, ishte i detyruar për ta ndihmuar atë dhe ushtarakisht. Sulltani në afërsi të mureve të Konstantinopojës kishte sjellë muratorë të shkathët nga Artana, për të hapur hendeqe nëntokësore, për të depërtuar brenda qytetit të fortifikuar. Më 29. maj 1453, pushtohet Konstantinopoja, me ç’rast vritet edhe perandori i fundit Bizantin, Konstantini XI. Më 1471, Konstantinopoja shndërrohet në kryeqytet të P. Osmane, por me emrin e ri Stamboll.
Në gjithë këtë rrëmujë të krijuar në territorin e Kosovës së sotme, shtrohet pyetja se; çfarë pozite në shoqëri kishte popullata shqiptare në vilajetin e Vuk Brankoviqit? Kush luftonte kundër P. Osmane? Shikuar logjikisht, kundër ushtrisë Osmane luftonin masat e gjëra popullore, të udhëhequra nga ndonjë prijës vendor, pa përkrahje ushtarake nga Vuk Brankoviqi, por as nga perandori Bizantin, i cili priste fundin e tij. Edhe pse kundër P. Osmane ishin formuar disa formacione ushtarake që zhvillonin kryengritje të herëpashershme në këto treva, ishte e pamundur të mbroheshin nga sulmet e ushtrisë Osmane, e përkrahur nga vasaliteti dhe miqësia e Vuk Brankoviqit, duke forcuar radhët për ta pushtuar përfundimisht Artanën, kishte arritur të shkatërrojë qytetet në rrethinën e saj. Në këto rrethana, kryengritje më të organizuar kishin formuar në trevat shqiptare, princat e Kastriotëve dhe Dukagjinëve, të cilët së bashku me princat hungarezë bartën barrën për mbrojtjen e krishterimit në Evropë. Popullata shqiptare e Artanës, në masë të madhe ishte shpërngulur kah përendemi, por numri më i madh i tyre përdorej si krahë pune në minierat e Artanës me rrethinë dhe ishin mobilizuar si ushtarë.