E premte, 03.04.2020, 09:26 PM (GMT+1)

Reportazh

Nëpër udhë të Krasniqes në Valbonë

E shtune, 22.09.2007, 07:21 PM


Shkruan: Ben Andoni

Biseda është bërë në kufirin e pak minutave. Burri i dobët me dhëmbët e shkatërruar, që dikur ka qenë polic, më ka treguar se rruga për në Valbonë është katastrofë. E ka paraqitur me një koeficient të llahtarshëm. E kemi parë si guakë.
Vështirësitë i ka shtuar me një përshkrim të tmerrshëm: Larg, gomat që dërrmohen, gurët... Pas kësaj, sytë pas xhamave të tij të lugëta, kanë pritur. “Kemi qenë edhe herë tjetër, i themi. Bash në dimër dhe rruga nuk ishte kaq e keqe”. Me të njëjtin seriozitet, që më ka treguar tmerrin, me aq elegancë e ka marrë kthesën. Gjithsesi, pazari, ka qëlluar i paqëm. Në mes kanë qenë emra të njohur, miqësi...dhe një aradhë fjalësh respekti tip-shqipnie. Më pas ora dhe takimi.
...
Burri është i saktë të nesërmen dhe kjo paralajmëron në ditët e fundit të verës dhe fillim-vjeshtën, mbarësi. Ka një Opel të vjetër, por që e mban me bukë atë dhe familjen. Më thotë se deri në atë orë (08.00 të mëngjezit) ka bërë një rrugë në Fierzë, një në Gjakovë dhe...Fillon e flet pafund. Për kohën, jetën..gjithçka. Nuk e dëgjoj, ndjek instinktivisht një flutur të bardhë me sy dhe herë pas here bisedojmë me një kosovare, që është e etur për të njohur Krasniqen. Ky epizëm nuk i bën përshtypje shoferit tonë, por në çdo dekik për të konfirmuar saktësinë e muhabetit të tij, e konfirmon...se ‘jam pa shkollë’! Në fakt, ndër vise të Krasniqes, më hyn pak në sy shkolla e tij, por më shumë më bën përshtypje mënyra sesi janë përshtatur në ditët tona, këta pinjollë bëmash hipotetikë. Në rrugë, si rrugëtarë, janë të këndshëm dhe kanë një lloj qetësie, që e shprehin me ecjen e tyre të lehtë. Nuk duan ta rëndojnë tokën. Edhe aq, ajo mban shumë. Të përshëndesin me kokë dhe kaq... “Oja...”, piskat sipas mënyrës së tij, shoferi, për të na treguar miqësi. Nuk do shumë të kuptosh, sapo lë në drejtim të Margegajt qytetin, se rruga i ka ruajtur njësoj kapriçiot e saj. Një peizazh pragvjeshtor e ka mbuluar kudo vendin. Ka pak njerëz rrugës, por të gjithë të përshëndesin përzemërsisht: “Ditë të bardhë”, “Rrugë të lehtë”, “T’u ngjat”... Dikur, këtu bënim shëtitje, thotë pakuptim shoferi, që pak nga pak na del një bashkëbisedues, më fal, monologues i këndshëm. Në një skaj të qytetit, në një pirg, kanë plasur bacën Bajram. Atë që ka qenë dikur në qytet. “E shikoni rrezikun”, na shpjegon duke qeshur. Ka marrë përsipër ciceronin dhe nuk lë më shteg për asgjë.

Ndër Krasniqe
 
Krasniqja ishte në gjak me Berishën...Nikaj është tash në gjak me Krasniqen, por tash ka gjak dhe brenda fisit..., kujtoj Durhamin.
Nga tollovia e madhe e muhabetit më kthjell Shoferi, që quhet Kujtim. “Aj, po nuk janë këta Krasniqet e sotme. Tash u duhet të jetojnë dhe jeta asht e vështirë...”. Në të vërtetë, janë aq të zënë me përditmërinë, sa pak përshtypje u bëjnë gjërat. Një burrë që mban një thes në kuriz, shmanget nga rruga dhe shkon diku, por heshturi derisa të kalojmë...Fisnik. Kështu, i afrohemi nga pak komunës së Margegajt...Në një kthesë, vazhdon me asfalt, rruga që kryetari e ka shtruar deri në ndërtesën e komunës së tij. Rexh Byberaj nuk ka bërë asgjë më shumë. I kujtoj shoferit-ciceron që shtatë muaj të shkuar, zotëria më ka thënë se do të shtrohej rruga. “Ashtu i shtron ai”, ma kthen me shpoti. E kujtoj kryetarin, që më ka mbushur kokën me shpresë dhe më ka befasuar. Kur më ka thënë me një fytyrë të qetë se ishte me katër fëmijë dhe gruaja i kishte vdekur. I nipi i të famshmit Haxhi Zeka dhe se “këtë vend e ka fal Zoti, sepse ka polimetale, ujëra dhe po të kishte investime do të hahej me rrugë floriri. Fati i mirë është që këtë vit rruga do të shtrohet me asfalt... “. Rruga nuk është shtruar, ndërsa ai qenka rimartuar. E kujtoj me respekt për optimizmin e tij. Çuditërisht, nga ana tjetër, malazezët e kanë përfunduar punën e tyre deri në kuotën 25. Ndërsa, presin. Shqiptarët kinse “punojnë”. Qetë. Në komunën e kryetarit, që ka marrë dhe mandatin e tretë, asgjë nuk rrjedh. E kuptoj shpotinë e shoferit. Mundohet të përzërë një flutur të bardhë. “Sa shumë paska”, i them. “Ani...i ke tanë rrugës”, ma kthen i bezdisur...

Si erdhën Krasniqët

Durhami e jep legjendën e ardhjes së tyre nga Bosnja . Kur e kam njohur unë fisin, ata ishin të gjithë katolikë, përveç tri shtëpive, ato të bajraktarëve, të cilët u myslimanizuan shtatë brezni më parë, pasi morën ndere të mëdha nga turqit në një luftë kundër Ulqinit. Marash Uci, mjeku trashëgimtar i fisit, një plak i zgjuar e tepër i këndshëm më tha se stërgjyshi i Hotit, Geg Lazi pati ardhur nga Bosnja dhe mbërriti bashkë me familjen e vet, pak kohë pasi u ndërtua kisha e Grudës. Kur erdhën ata gjetën dy njerëz, “Anas”, që jetonin në ato troje dhe u vendosën në mes të tyre. Nga këta “Anas” e kanë prejardhjen dymbëdhjetë shtëpi të Hotit dhe mund të martohen me pasardhësit e Geg Lazit. Ai nuk më tha dot nga cila pjesë e Bosnjes kishin ardhur ata. Gega ishte kreu i një familje të madhe lopçarësh, të cilët u shpërngulën drejt Jugut, padyshim për të shpëtuar që të mos bëheshin raja të ndonjë çifligari mysliman. Geg Lazi kishte tri vëllezër: Piper Lazi, Vaso Lazi dhe Krasni Lazi. Piperi dhe Vasoja, siç do të shohim, ishin stërgjyshërit e fiseve Piperi dhe Vasojeviç, të cilët u kthyen në malazez në shekullin e XVIII. Krasni ishte stërgjyshi i fisit mysliman shqiptar Krasniqi...Kështu nga të katër, tani janë dy serbofonë e ortodoksë dhe një shqipfolës katolik dhe tjetri shqipfolës mysliman...

Për në Valbonë

I harrojmë. Vajza kosovare, e cila është e bashkuar me ne, e ka tretur vështrimin tutje. Eshtë bash Krasniqe dhe ka ardhur të shikojë vendin e saj. Të shkruajë, mbase. I është dukur si përrallë. Në këtë vend duket se përshtat imazhet dhe tregimet e njerëzve të saj. Nuk i ka njohur. Po mos të jetë ajo skamja...që të shoqëron nga një rrugë e stërlodhur, ndoshta nuk do ishte kaq e paqme. E përhumbur ledhaton me sy fluturat dhe shpesh qafa e bukur dhe e gjatë i mbetet e tendosur prej syve, që ngulen vetiu ndër maja malesh, që nuk ua di toponiminë. I ndjen të sajat. “Thirrja e tokë-gjakut”. “Jemi afër Shoshanit - më thotë tek Ura e parë drejt Alpeve. Valbona është bash e kthjellët dhe këtu është fillimi i grykës”. Eshtë vendi, ku shumica e fotografëve që pretendojnë se kanë bërë Valbonën, kanë kursyer të shkrepurat e tyre më tej… Tutje, një fshat, mbi një si të ngritur, që rrethohet nga Valbona në jug dhe lumi i Mullarekës në lindje. Na e tregojnë si vendlindja e Haxhi Zekë Biberajt. Shtëpitë nuk më tregojnë asgjë. E shikoj me sy kosovaren, që të më thotë më shumë. Nga ajo marr një pulitje sysh dhe asgjë më tepër. Nga këtej e më tutje, pos një pluhuri të madh që vjen nga rruga, e cila gjarpëron paralel me lumin, asgjë më shumë. Zgjerimi i parë është në Klysyrë. Nga një rrugë këmbësore, lidhet me fshatin e Bradozhnicës. Nuk e dimë si mund të jetojnë, por në këto vise, dikur gjërat ishin të përcaktuara. Nga një anë Krasniqe, në tjetër Gash...nëse lëvizte dikush pak më tutje, dhe prekte kullotat, përfundonte në një rrëke gjaku që vadiste shekujt...Në fakt tani nuk ka rrëkej gjaku, por kumt harrese. Madhështia e maleve mbi 2000 metra të mëson se je në një vend epik, por bash të varfër...Çuditërisht ka tym. Zjarre të vegjël, me të cilat nuk merret askush. Nga mendimet na shkëput shoferi. “A po na tregoni, ndonji send”, më thotë. Që ti tregosh barcaleta, këtu nuk bën ndonjë çudi. Por ai më piskat më fort. “Po pse vikat kaq fort?”-e pyes. “Sepse ne tropojanët,- më thotë, bërtasim ngaqë nuk dëgjojmë prej gurgullimës së Valbonës”. “Ti nuk ke fat, -më thotë pastaj heshtazi, por sërish me dy nota sipër meje. Valbona është tretur”. Pas pak, në të majtë del Shpaiku, një shpellë karstike dhe vetëm në dalje të urës së dytë në hapjen tjetër të luginës shfaqet me 122 shtëpitë e tij Dragobia. Di që ka edhe 23 kulla fshati. Kemi përshkuar 15 kilometra nga qyteti, që më duken mbi 50 km të tilla. “Këtu ka qenë Enveri dhe më tregon një vend, ku dikur ka shërbyer si rezidencë e tij. “Heu Enver!”. E tall pak. Dragobia është shumë e paqtë për emrin që ka. Një ish-repart ushtrie, tash i braktisur, është rrethuar nga varre jo të mira. Pak kafshë ushqehen, sipër varreve. Dhe shtëpi rreth e rrotull, zhytyr në punët stinore. Ndalojmë. Në bar-kafenë e vetme, një djalosh i fuqishëm, shërben. Sakaq vijnë dhe burra të tjerë. Ankohen. Të qesëndisin. Ankimi i bën më shqiptarë. Por, kur i thua pse nuk e ndryshojnë vetë fshatin, mbesin. Vajza nga Krasniqja, për herë të parë qesh me zë. Në mjedis malësorësh, që tash u mungojnë qeleshet, armët e gjata dhe eshtrat, duhet të shikojë, sesi pinë birra me kanaçe dhe ‘ankohen’ Krasniqët e saj...Qesh. Çuditërisht, dy flutura të bardha ndjekin njëra-tjetrën. Një tavolinë më tutje, na ngasin me muhabet. Aq tragjikisht m’i tregojnë se i kanë punët, sa thua, që këtu duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Por, ai që më flet më shumë, ka një trup atleti dhe të 50 vitet e tij, e tregojnë se nuk ka bërë aspak jetë të mundimshme. Një djal i ri, që nuk flet dhe rri i përhumbur...pi Rothmans. Vajza përvidhet pakëz. Shikon lokalin. Një femër e bukur dhe një peizazh idilik i qëndrojnë përballë. Pse i mban?-e pyet djalin. Dhe, vetë përgjigjet. “Do një vajzë kaq të bukur dhe vendin tënd e do bash kështu?”. Po bash, i përgjigjet djali, që tash i është dorëzuar hireve të saj...Një flutur e bardhë, arrin të kthehet e vetme dhe qarkon sërish tavolinën, kurse tjetra e gjuan nga sipër. Dhe, fluturat janë të mëdha këtu. Por, ka kaq shumë syresh. Sa shumë, o Zot. Ndahemi. Na afrojnë birrë dhe raki. Mikpritja është e çmuar dhe pa asnjë kusht këtu. Na ftojnë të qëndrojmë. Jemi miq tash...

Rrugës

Gryka e Motinës, që shikohet pak më andej, mbetet e futur në kreshtat e Majës së Hekurave. Në Kika në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit (fshat që shtrihet në një pllajë në 1800 metra lartësi) dhe në të majtë, në mes të pyllit me ahe e pisha, është shpella e Dragobisë...Tregojnë se bash ai që vrau Bacën ishte nga Dragobia. “Patjetër, pse kush do vinte këtu”, i përgjigjemi shoferit. Në Çerep, pak më parë, ishte edhe kontakti i parë me Malin e Zi, ku përtej kemi fshatin Vuthaj, banuar sërish nga shqiptarë. Çuditërisht shikoj flamurin amerikan të ngritur mbrapsht, njësoj si përpjekja e Redfordit në filmin, që ka realizuar vetë në një burg. Shpresoj, mos të ndjellë keq. Më pas, lugu akullnajor i Valit, i cili shtrihet midis majës së Alisë e asaj të Poplukës në jugperëndim të Jezercës. Gurë pa fund janë rrokullisur në rrugë, si rezultat i ndonjë shpërthimi, që bëhet tash për të hapur rrugën...Lugina në fakt, merr frymë vetëm në Dragobi, ku dalin edhe dy lugina të tjera që përfaqësojnë përrenj të ndryshëm… Dhe, pas saj, lugina e Valbonës vjen e ngushtohet e ngushtohet pafund, derisa përfundon në kanionin e Shoshanit dhe futet në pellgun e Tropojës, ku humbet karakterin e saj. Sërish flutura të bardha...dhe thana, që i janë përkulur pluhurit të rrugës. Një grua e vetme, në një shtëpi karakatinë, të shikon befas. Me dinjitet. “Ani dinjitetin, kurrkush nuk ua merr këtyre njerëzve”, më thonë sytë e gruas...Një mulli i braktisur, dy centrale, që nuk punojnë dhe pyje dhe pyje pafund. Me trungje, që i ngjiten qiellit pa ndalim. Një hotel nxjerr kokën, kur i afrohemi pak nga pak burimeve të Valbonës...
Shoferi, tash po kthjellohet. E kam dëgjuar si në jerm, kur më tregon pa fund dhe më jep sofizma. Jemi moshatarë, çuditërisht. Mbërrijmë, atje ku fillon fshati i Valbonës (Selimajt). Pasardhësit e Krasniqëve jetojnë në 40 shtëpi të tipit alpin dhe shtrihen nga Kikat e deri në Fushë të Gjësë. Në krahun e djathtë kemi 31 shtëpi të fshatit Rrogam, që shkojnë nga Fusha e Gjëse deri tek ujëvara e Valbonës... Çuditërisht, shtëpitë më duken më të begata dhe ndërtimet më të bukura. Shoferi lodron me vajzën, por ajo përkulet e vetme në lum dhe mbetet e prekur me ujin. Do që ta ndiej Valbonën ndryshe...Pak tutje saj, burimet kanë shterur, ndërsa ish-hoteli i madh mbi lum, është dëmtuar më 1997. Edhe këtu ka pasur dëmtim?! Gati 100 vjet më parë këtu ka qenë dhe Ippen. Nuk duket se ka ndryshuar shumë, veç ndërtesave të tipit alpin dhe mirëqenies së banorëve, që duken të rehatuar në një shekull krejt tjetër.

Lugina e Valbonës

Bash në këtë vend, Teodor Ippen do të shkruante: Lugina e Valbonës mbërrin deri në vargun kryesor të Alpeve shqiptaro-folëse, ajo afrohet me pjesën e sipërme të Luginës së Leshnicës dhe prej Thethit të atyshëm kalohet në krye të luginës së Valbonës përmes Qafës së Valbonës. Prej atje, pjesa e sipërme e luginës së Valbonës i bie rrotull luginës së Currajt, duke u qarkuar e kufizuar në tri anë nga Curraj e Thethi, si edhe nga Vunsaj; kjo pjesë përmban vetëm kullota verore, këto, bjeshkët e Rrogamit e të Valbonës u përkasin fshatarëve të Shalës së Sipërme; bjeshkët e tjera u takojnë Krasniqëve. Lugina e Valbonës është një luginë e gjerë, pjellore, që ka mjaft tokë për ara; një kurriz i ulët e ndan Valbonën prej Tropojës, që rrjedh më tej në lindje, e që vjen e dedhet më pas te lumi i parë.
Lugina banohet nga dy fiset Krasiqi dhe Gashi, aty ku Valbona derdhet në Drin bregu i saj i djathtë i takon fisit Mërturi. Fshatrat e Krasniqes janë përposhtë luginës: Maraj që ka një urë mbi Valbonë, Kolmeshaj, Kolgecaj, Bujal, Markaj, Bunjaj, Fangu, Mulosmanaj, Grija, Dega, Ponari, Dushaj, Demushaj, Gegusen. Në Gash gjenden fshatrat Hasanaj, Ahmetaj e mjaft të tjerë. Thuhet se Krasniqët kanë 3000 dhe Gashët 4000 vetë; të dyja këto fise janë krejt muhamedane tani, deri para dyqind vjetësh kanë qenë katolike dhe sot ekzistojnë rrënoja të shumta kishash në krahinën e Krasniqit.

Poshtë maleve

Jezercën e identifikoj sërish. E mbuluar nga mjegulla dhe krejt e bukur. Në pragun e Qafës së Valbonës, lugina zgjerohet menjëherë midis bllokut të lartë të Jezercës në të majtë dhe vargut malor të Zhaborreve dhe Grykave të Hapëta në të djathtë… Janë disa përrenj të Shëmtimës (nga e majta) dhe ai i Krasniqes (djathtas). Në fshatin e Valbonës përfundon edhe përroi i Kukajt…Kemi ecur bash në qendër të Alpeve Lindore midis bllokut të Jezercës, Kollatës, e vargmalit Qypi i Gracit-Rupë në veri e verilindje dhe vargut malor nga Maja e Boshit-Maja e Hekurave në jug e juglindje. Fundin e kësaj lugine e kemi mbërritur pasi kemi përshkuar Shoshanin, Këlcyrën, Dragobinë, Valbonën e Rragamin. Në të njëjtin vend, sikur koha të mos ketë lëvizur, gjej një djalë të qashtër si vetë natyra... Idajet Selimi, 28 vjeç, është sërish, por në klub tashmë shërben një njeri i tij. Inxhinier topograf. Sërish më qesh njësoj. Kanë punë për fat. Merren me blegtori dhe me lëndë drusore. Përgatiten për dimër, paçka se dimër nuk ka. Çuditërisht nuk i bën përshtypje një flakë, që është tejet në male...Kanë edhe një asistencë. I besojnë Berishës. Besojnë për turizëm. E mbaj mend, që më ka thënë dikur për një kredi...Kujtoj, si kemi folur dikur për Bjeshkët: Krasniqen me Shalën dhe Kelmendin etj..

Priftërinjtë në Krasniqe

...Pas kësaj françeskanët kthehen në Bunjaj të Krasniqit, por iu desh që edhe këtë vend ta braktisin meqë banorët atje ishin myslimanë. Një pjesë e banorëve të fshatrave Bunjaj, Kolgecaj dhe Kolmeshaj kishin mbetur katolikë dhe i ndihmonte për punët e shpirtit një misionar nga Toplana, derisa u hap më 703 një famulli në Krasniq në fshatin Grija. Mirëpo në vitin 1708 muhamedanët e shkatërruan famullinë, kurse priftin, një tirolez, atë Hilarionin e goditën me tridhjetë kërbaçë në shputat e këmbëve...
Më 1710 u ndërtua sërish në Grijë, famullia, megjithatë mbas disa viteve-data e saktë nuk dihet-françeskanëve iu desh ta braktisin përfundimisht Krasniqin, meqë të gjithë pjesëtarët e fisit kishin përqafuar myslimanizmin...
...
Këtu e mbyllim. Na kanë sqaruar për Krasniqët, pasardhësit e tyre, por duke na ngatërruar për të gjitha. Por, janë krenarë se janë Krasniq, “të bukur-serbisht” Çuditërisht shoferi është bërë lirik. Tashmë ndjek një flutur të bardhë, ndërsa vajza ka tretur diku vështrimin. Fotografohet. I është bashkuar kujtimeve të saj dhe me sa duket po i rivendos me një rregull të ri. Këtu poshtë maleve, shikoj sesi një flakë po e merr dalëngadalë një shpat. Por, askujt nuk i bën përshtypje. I lutem dikujt, të bëj diçka. “ E dimë vetë”, më thotë. Kthehemi. Pa folur. Në rrugë, një furgon i ngarkuar dhe mbi veti, si në një ndonjë lokalitet të Perusë, na kërkon t’i bëjmë rrugë. I hapim dhe mbetemi buzë lumi, që rrjedh i qetë, ndër shkëmbinj. Dhëmbët e llahtarshëm dhe syzet e lugëta të shoferit, më duken tash të këndshme në kthim. E kujtoj edhe pas ca ditësh, kur një spiker kumton se në Valbonë janë djegur shumë drurë. Hesht. Eshtë ende verë e bukur në këtë skaj të Krasniqes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT