Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shevki Sh. Voca: Ali Pashë Tepelena - Politikani, diplomati dhe ushtaraku i vetëformuar (IV)

| E diele, 27.09.2009, 06:47 PM |


ALI PASHË TEPELENA - POLITIKANI DIPLOMATI DHE USHTARAKU I VETËFORMUAR

(IV)

Nga Shevki Sh. Voca

Meqenëse Ali Pasha ishte një sundimtar i një pashallëku me një pozicion strategjik për marrëdhëniet e Stambollit me fuqitë evropiane, ai pati një politik të jashtme tepër aktive. Për nevojat dhe interesat e tyre, shtetet e fuqishme të kohës qoftë ajo Franceze apo Angleze nëpërmes diplomacisë përpiqeshin që ta përvetësonin Ali Pashën, e gjithashtu në këtë drejtim punonte edhe Rusia cariste.  Marrëdhëniet dhe afrimet e tij herë me njerën e      herë me tjetrën fuqi, nuk ishin të përcaktuara vetëm nga qëndrimet e Portës së Lart, por në disa raste edhe nga interesat e tij politike. Fuqitë evropiane si Rusia, Franca dhe Anglia vendosën lidhje të drejtpërdrejta me Pashallëkun e Janinës dhe akredituan përfaqësuesit e tyre diplomatikë pranë Ali Pashë Tepelenës[43]. Marrëdhënie diplomatike  të ngushta dhe të veçanta me Ali Pashën vendosën Britania dhe Franca. Por duhet cekur se edhe ai vet ishte i etur për aleanca të tilla, madje edhe kur këto aleanca ishin një shkelje e hapur e qëndrimeve diplomatike zyrtare të Shtetit Osman. Me që këto dy fuqi e konsideronin pashanë si një faktor madhor në gjeopolitikën e kohës, ata për këtë emruan konsujt e vet në Janinë. Franca kishte derguar për konsull Fransoa Pukvilin (1770-1838), ndërsa Anglia, Uilliem Martin Likun (1777-1860). Të dy këta të akredituar kanë lënë pas shkrime me kujtime interesante të kaluara në Janinë.

     Fransoa Pukvili kishte studiuar teologjinë, por Revolucioni  Francez e ndalon të bëhet prift. Ai pastaj vazhdon studimet në mjekësi në të cilën edhe doktoron, por ai më tepër u mor me profesione të tjera si gjeologji, etnografi, etnopsikologji, histori të disa popujve të Ballkanit, veçmas të grekëve dhe të Greqisë. Pukvilli përafër nëntë vjet qëndron pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (mars 1806-shkurt 1815), si konsull i përgjithshëm frëng. Me shpresë se do ta bënte për vete Napoleonin për qëllime të pavarësisë dhe të zgjerimit të pashallëkut të tij, Pashai i Janinës sillet në fillim shumë miqësisht me këtë diplomat. Ai lirisht korrespondon, i viziton apo i pranon në vizitë shumë shqiptarë epirot e të tjerë. E shoqëron edhe vetë Aliun në shumë ekskursione dhe vizita. Në këtë kontekst është shumë me rëndësi se nën autoritetin e këtij veziri, Pukvilli i pajisur me një pasaportë dhe i shoqëruar me një ushtar të tij dhe shumë përcjellës të tjerë, në pranverën e vitit 1807 bën një udhëtim të gjatë udhëpërshkrues nëpër shumë vise e krahina të Shqipërisë Veriore…Pas kthyerjes së tij në Francë do t’i përpunojë dhe sistemojë ato për t’i botuar në veprën “Udhëtimi në Greqi”, Paris 1820. Ajo përbëhet prej tri vëllimeve me gjithsej 1760 faqe. Vëllimin e dytë ua kushton shqiptarëve si etnos, dokeve e zakoneve, prejardhjes, gjuhës, veshjes, kushteve të jetës dhe mënyrës së jetesës etj. Më vonë ai e riboton atë me titullin “Udhëtimi nga Greqia”, Paris 1826-1827. Me rëndësi për shqiptarët është edhe vepra e tij “Kujtim mbi Greqinë dhe Shqipërinë gjatë sundimit të Ali Pashës”[44].

“Mjerisht urrejtja e Pukvilit kundër Ali Pashës, cinizmin që e ka pasur kundër këtij despoti e shtyjnë autorin të shkruajë kundër shqiptarëve, duke mos pas as më të paktën simpati për këtë race. Mbase edhe dy shkaqe të tjera kontribuan për opinionin e tij:

E para gjendja turbulente në të cilën ndodhej vendi ynë, luftat e parreshtura në mes vendasve, keqësia dhe pamëshirësia e rrëfyer në këto zihje dhe, aq më tepër akoma, gjakëftohtësia dhe pëlqimi sadist me të cilët Ali pasha dhe familja e tij derdhnin gjakun e njeriut;

E dyta simpatia e madhe e autorit për grekët, një admirim dhe adhurim intelektual rrjedhur prej studimit të literatures antike”, shkruante Lumo Skendo (Mithad Frashëri), në Diturija, 1927,nr. 1, f. 1-14[45].                         

Episod tragjike për Pukëvilin ishte kur Aliu arrinë me njerëzit e tij t’i vjedhë e t’i lexojë raportet e tij ndaj qeverisë franceze si dhe përgjigjet e të dytëve përpara se të arrinin në duart e secilës pale, kështu Aliu i dinte edhe qëllimet e Pukëvilit dhe ato të qeverisë franceze… Kur më vonë Pukëvili e mësoi këtë gjë, luajti mendsh, por Aliu, duke qeshur e përshëndeti me qetësi dhe paternalisht kur ai largohej nga Janina: “ Mësova,- i tha,- gjithçka, që shkruaje kundër meje dhe të lavdëroj për zilinë. Të lumtë! Punove mjaft mirë për padronin tend dhe madje me tepricë”[46]. Ali Pasha këtë konsull e quante “Qafir Pukvil”.

Uliam Martin Liku ishte ushtarak dhe diplomat anglez, studiues i lashtësisë dhe njohës i vendeve të Ballkanit. Liku kreu misione të rëndësishme për qeverinë britanike në pjesë të ndryshme të Perandorisë Osmane. Liku në Ballkan për herë të parë shkel në vitin 1802 në Athinë, ndërsa në Shqipëri vjenë kah fundi i vitit 1804. Gjatë viteve 1804-1807 kur mendohej se francezët mund të sulmonin Shqipërinë dhe Greqinë, ai ngarkohet me mision nga qeveria angleze me pëlqimin e Portës së Lartë, të bëjë kërkime topografiko-ushtarake në Shqipërinë e Jugut dhe në Greqi. Në vitin 1807, pas fillimit të luftës Anglo-Turke, me ndihmën e Ali Pashë Tepelenës, Liku arrin që në bisedimet me Portën e Lartë, të vendoset paqja midis Anglisë dhe Turqisë. Pas kësaj në vitin 1809 ai emërohet përfaqësues (agjent) diplomatik i Britanisë së Madhe pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës në Janinë[47].

     Marrëdhëniet mes Aliur dhe kapitenit Lik duket se kanë qenë të paqarta. Deri në fund të qëndrimit të tij në Janinë, Aliu vazhdoi t’i drejtohej Likut me letrat e tij si “Miku im më fisnik dhe i dashur”, por në realitet nuk duhet të ketë gjithmonë kështu. Në fakt, gjatë muajve të parë të qëndrimit të Likut në Janinë, ku francezët ende zotëronin  ishujt jonianë, Aliu i dha të kuptonte se e konsideron Likun jo vetëm si  një të dërguar britanik, por edhe si një peng të mundshëm. Kështu, ai u shkroi britanikëve në mënyrë shumë të qartë se nëse do ta braktisnin, duke e lënë pa ndihmë përpara rrezikut francez që po ravijëzohej, ai nuk do të nguronte fare ta mbante Likun të burgosur politik, shkruan në kujtimet e veta Robert Aderi ambasador i atëhershëm britanik në Stamboll[48].

Liku e takoi për herë të parë Aliun më 1807, (sipas librit “Bonaparti musliman”, shkruar nga Katherine Fleming, kurse Shpëtim Mema në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë” shkruan se Liku gjatë arritjes së tij në Tepelen në prag të vitit të ri 1805 takohet me Ali Pashën), kur britanikët e dërguan në Janinë për ta pyetur  Aliun se çfarë do të bënte nëse qeveria osmana do të humbiste kontrollin mbi territoret e saj europiane. Liku ishte porositur t,i premtonte Aliut se nëse do të deklaronte pavarësinë në rrethana të tilla, ai mund të mbështetej në asistencën navale britanike kundër Francës dhe Rusisë. Liku e dinte mirë se në oborrin e Aliut kishte agjent francezë, ndaj u përpoq të garantonte fshehtësinë e iniciativës britanike, duke shkuar te një port i paracaktuar, në bregdetin shqiptar, ku e dinte se Aliu merrte letra të huaja drejtuar Janinës…Kështu Liku bëri sikur u largua, doli për ca milje në det, dhe pastaj u rikthye natën në vendin e fshehtë të paracaktuar, në plazhin në veri të Prevezës.

Liku gjatë periudhës së viteve 1804-1810, kishte ndërmarr një sërë udhëtimesh nëpër Shqipërinë e Jugut, në Greqi dhe në Maqedoni. Të dhëna mjaftë interesante ai  merr prej agait të Kardhiqit, Demir Dostit, prej të cilit arrin të mbledh informata të shumta për gjendjen ekzistuese politike në vend dhe për ndarjen gjeografike, etnike dhe administrative të Shqipërisë në këtë kohë. Ndësa Likun gjatë vizitës së tij që i bëri Sulit të famshëm, e shoqëroi Petro Korçari, kryearhitekti i pashait të Janinës. Anglezi Likë, përshtypjet e tija nga  udhëtimet e kaluara dhe qëndrimet pranë oborrit të sundimtarit të Janinës, shumë vjet më vonë, në vitin 1835, i boton në veprën e tij “ Udhëtimi në Greqinë e Veriut”. Megjithatë, konkluzionet  e kërkimeve të tij gjatë këtyre udhëtimeve, ai i jep që në veprat më të hershme të tij “ Kërkime në Greqi”, “Përmbledhje historike e Revolucionit Grek”, dhe më pak në veprën tjetët trevëllimshe “Udhëtime në More”. Por me këtë rast nuk duhet me lënë pa u thënë se Liku përveç që ishte një përfaqësues dhe zëdhënës i një fuqie më të madhe të kohës si dhe shkencëtarë i profesionit, ai është gjithashtu  edhe një nga studiuesit e parë të huaj dhe autori më i rëndësishëm anglez i shek. të kaluar që ngre dhe trajton problemin e gjuhës dhe të prejardhjes së popullit shqiptar[49]. Për Likun dhe Pukvilin të cilin e përmendëm më parë mund të shkruhet edhe shumë më tepër, por ne për shkak natyrës së këtij shkrimi nuk vazhdojmë më tepër.   

Franca ishte fqinji më i afërt i Epirit, pasi që traktati i Kampo Formios i   nënshkruar më 17 tetor 1797, komfirmonte zotërimin francez mbi ishujt jonianë dhe fitorja e 1805-ës e Napoleonit mbi forcat austriake në betejën e Austerlicit që përfundoi me marrjen e Dallmacisë nga Franca. Shtatë ishujt në Detin Jon ishin: Korfuzi, Qefalonia, Zante, Santa Maura, Itaka, Cerigo dhe Pakso, nga të cilat më e rëndësishmja ishte Korfuzi për shkak madhësisë dhe pasurisë që kishte.

Përfaqësuesi francez, Pukvili ia kishte soll Aliut premtimin e Bonapartit se do ta ngarkonte me qeverisjen e Korfuzit nëqoftëse ky do të merrte pjesë në dëbimin e Rusëve nga ishulli. Pas plasjes së luftës ruso-osmane më 1806 , Aliu arrestoi konsujt rusë në

territorin e vet dhe sulmoi ishullin e Shën-Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe martallozët grekë.    

Në anën tjetër marrëveshjet spektakolare ndërmjet carit dhe perandorit u nënshkruan në Tilsit, në Prusinë lindore, në korrik të vitit 1807. Aleksandri ishte zotuar se do të hynte në luftë me Napoleonin kundër Anglisë ndërkohë që perandori francez mori masa për prishjen e marrëdhënieve me Turqinë. Kishin kaluar njëzetvjet nga marrëveshja e Rusisë me Anglinë për luftë kundër Francës. Në mënyrë krejt të paturpshme, Perandori Napoleoni e tradhëtoi sulltanin, në momentin kur pa se për Francën ishte shumë më e favorshme një aleancë me Rusinë. Megjithatë, kjo lidhje ishte një rrezik shumë i madh, që nuk mund të sigurohej me një shtrëngim duarsh. Mosmarrëveshjet linden në momentin e shqyrtimit të problemit të ndarjes së provincave turke. Kur Aleksandri kërkoi ta merrte për vete Kostandinopojën, Napoleoni u përgjigj: “Kostandinopojën! Kurrë! Është perandoria e botës!”[50]. Kjo përgjigje e nxehtë si dhe përgjigjet  të tjera të këtij lloji të paraqitura në të ardhmen, tregonin qartë se Napoleoni kishte synimet e tij mbi Kostandinopojën si qëllim përfundimtar të fushatave të tij pushtuese. Dhe Napoleoni përsëri i ripushtoi të Shtat Ishujt dhe territoret e varura prej tyre, midis tyre dhe Pargën, duke shkaktuar kështu tërbimin e madh të Ali Pashës së Janinës.

Gjatë bisedimeve në Tilsit, Ali Pasha dërgoi përfaqësuesin e tij për t’i kujtuar Bonapartit premtimin e dhënë mbi Korfuzin, por ai as që e përfilli atë. Atëherë Aliu u bë pengesa vendimtare në planet e Bonapartit për marrjen e Butrintit, gjoja për të mbrojtur më mirë kanalin e Korfuzit, ndonëse Porta e Lartë e kishte dhënë pëlqimin për një veprim të tillë. Në shkurt të vitit 1808 gjenerali Bertje kërkoi me ultimatum dorëzimin e Butrintit. Ali Pasha këtë ultimatum ia bëri të ditur popullit shqiptar i cili e përkrahu qëndrimin e tij. Bonaparti hoqi dorë nga Butrinti[51]. T,u shkëpusje ishujt francezëve nuk ishte detyrë e thjesht. Bonaparti e kishte kuptuar rëndësinë e fitores së tij. Në kujtimet e tij ai nënvizon rëndësinë e ishujve jonianë që, së bashku me zotërimet e tjera franceze, i siguronin praktikisht një kontroll të plotë mbi Mesdhe. “ Më duket,- shkruante Bonaparti,- se maksima e parë e Republikës që tani e tutje duhet të jetë të mos braktisë kurrë Korfuzin, Zanten, etj. Në këtë mënyrë do të gjejmë burime për tregtinë tonë, të cilat do të kenë rëndësi të madhe për ne dhe për rrjedhat e ardhshme në Europë”. Zotërimi i këtyre ishujve garantonte dominimin në Adriatik. Bonaparti i kishte shkruar  Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’i shprehur gëzimin e tij që ato ranë në duart e Francës: “ Korfuzi dhe Zante na bëjnë zotër të Adriatkut; këta ishuj janë shumë të rëndësishëm për ne”[52].

Mirëpo, sadoqë Napoleoni për njëkoh të gjatë e quante Evropën kontinentale si pronë të veten dhe nuk dëshironte asnjë ndërhyrje në punët e tij, si dhe që dihej se ai ishte

një ushtar i lindur dhe se beteja për të do të thoshte mish e verë, përfundimi i karrierës së tij ndodhi ashtu që ai si duket as që ka mund të parasheh. Prej vitit 1803 e deri më 1814

kundër këtij perandori u luftua nga të gjitha fuqitë Evropiane, dhe pas humbjeve dhe disfatave ai iu dorëzua Anglezëve, të cilët e burgosin në ishullin e Shën Helenës ku dhe vdiq më 1821.

Ali Pashë Tepelena pas këtij armiqësimi me Rusinë dhe Francën, nuk i mbeti tjetër përveçse të orientohet kah Anglia. Dhe në fund të vitit 1807, ai dërgoi në Londër përfaqësuesin e vet, Seit Ahmetin, për të bërë të ditur se ishte gati të ndërmjetësonte në Stamboll për paqe midis Anglis dhe Portës dhe të ndihmonte forcat angleze  kundër atyre franceze. Qeveria angleze i premtoi se do ta njihte Aliun si sundimtar të pavarur në    pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, me kusht që t’i paguante një tribut vjetor për qeverisjen e ishujve jonianë dhe t’i linte flotës angleze portin e Polermos. Pasi u arrit paqja midis Londrës dhe Stambollit, në shkurt të vitit1809 qeveria angleze i dërgoi një pajisje të plotë artilerike me predha ndezëse që ishte një nga prodhimet e fundit të armatimit. Në këtë vitë në Shqipëri erdhi poeti i shquar romantik anglez, lordi Xhorxh Bajron me shokun e tij të ngushtë Xhon K. Hobhaus. Të dy këta kanë lënë pas, shkrime interesante rreth përshtypjeve të tyre gjatë vizitës së bërë në Shqipëri, si dhe për Ali pashë Tepelenën dhe të tjerët nga familja e pashait.

Anglezët e përkrahën Aliun në zgjerimin e pashallëkut të tij në drejtim të Shqipërisë Jugore. Në vjeshtën e këtij viti forcat e Ali pashës pushtuan Beratin. Pas Beratit Aliu i kthehet Himarës, ku vritet një pjesë e madhe e luftëtarëve. Himara u thye. Në dhjetorin e vitit 1810 ushtria e Aliut sulmoi qytetin e Gjirokastrës. Banorët e qytetit u bashkuan me forcat rrethuese, prandaj kalaja u dorëzua pa luftë[53]. Tani i erdhi rradha Kardhiqit për të cilën Aliut nuk i kalonte ditë apo natë, e që mos t’i kujtohej nëna e cila deri në shtratin e vdekjes atij ia përkujtoi armiqt e Kardhiqit dhe Hormovës që bashkë me të bijën  Shanishanë i kishin keqtrajtuar deri në poshtërime më të rënda.

[43]Grup autorë “Historia e Popullit Shqiptar për shkollat e mesme”, fq.130, viti bot. 1996.

[44] Dr. Veli Veliu “Shqiptarët………” fq.257-258.

[45] Lumo Skendo, “Udhëtarët e huaj…….” Fq. 39.

[46] Aristidh  P. Kola,  “Ali Pashë Tepelena”, në <EKSKLUZIVE> nr.36, prill 2003, fq.64.

[47]Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, fq. 24; “Bonaparti Musli…vep..cit..fq.151.

[48] Bonaparti musl….fq.151-152.

[49] Shpëtim Mema, vep..e cit…fq.28.

[50] Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, fq.244, dhe Ferdinand Schevell, “Ballkani historia dhe qytetërimi”, fq,236.

[51] Petrika Thëngjilli, vep..e cit..fq.284-285.

[52] Bonaparti Musl…vep…e cit…fq.116.

[53] Petrika Thëngjilli, vep…e cit..fq.285-286.