E premte, 29.03.2024, 03:49 PM (GMT)

Faleminderit

Perurimi i shtëpisë muze të Dedë Gjo’ Lulit

E diele, 03.06.2007, 08:07 PM


Fjala e rastit, mbajtur ditën e perurimit të shtëpisë muze të Dedë Gjo’ Lulit, në Bardhaj të Traboinit-Hot-Malësi, 6 prill 2006

Prof. Ass. Dr. Romeo Gurakuqi

Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar autoritete,

Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar, është një ditë përpara në hapat e njëpasnjëshëm të risistemimit të historisë sonë në faktet e rrjedhat e saj të vërteta. Sot, më 6 prill 2006, Malësia dhe Shqipëria përkujton një festë të madhe më rëndësi kombëtare: ajo përkujton me respekt dhe krenari 95 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar të Bratilë të Deçiqit, për herë të parë pas shekujsh robërie. Gjithashtu, në këtë ditë të shënuar, të gjithë shqiptarët, në Veri dhe në Jug, po plotësojnë një detyrim të madh moral, po kurorëzojmë një endërr të ligjshme, po mbajnë një amanet të kahershëm të gjyshërve të tanë, po promojmë rindërtimin e shtëpisë së prijësit legjendar të Malësisë, Heroit të Kombit Shqiptar, Dedë Gjo’ Luli. Kjo shtëpi nuk është një monument i zakonshëm. Kjo shtëpi përfaqëson një Piramidë të Lirisë, një Piramidë për Birin e Lirisë që gjithë jetën e Tij ia kushtoi atdheut, mëvetësimit dhe përparimit në kontinentin të cilit i përkiste. Sot në këtë ditë të parë të shënuar ngritjes së Flamurit Kombëtar, të gjithë përkulemi me respekt para gjyshërve dhe baballarëve të medhenj, para veprës së Dedë Gjo’ Lulit, këtij prijësi të pamposhtur të Malësisë. Falë vetmohimit të tyre ne e kemi sot shumë pranë endrrën europiane, falë përpjekjeve të tyre ne shqiptarët mendojmë sot si popull europian, falë përpjekjeve të tyre ne jemi në listën e popujve që e shohin të orientuar lirinë. Malësisë dhe bijve të saj, këtu në trojet stëgjyshore dhe në diasporë, i përket merita e jashtëzakonshme e mos reshtjes së përpjekjeve për të realizuar këtë vepër nderimi ndaj birit më të shquar të këtij trualli, me të cilin krenohen të gjithë shqiptarët. Ju të nderuar motra dhe vëllezër të Malësisë Shqiptare, që po dini të nderoni pambarimisht bijtë e bijat e shqipes europiane, ata që i kanë dhënë nder e lavdi këtij kombi, dje dhe sot, ju perket një falenderim e mirënjohje e veçantë nga të gjithë ne. Ju, që njëlloj si baballarët tuaj, po dini që të orientoheni për nga përparimi dhe e ardhmja, ju që e mbajtët të gjallë Malësinë Shqiptare edhe nën peshën e errësirës së djeshme, pa tjetër do të dini të ndërtoni edhe të ardhmen e kësaj piramide të kombit, në paqe, harmoni e më veshtrim nga Perëndimi i Diellit. Kulla e Dëdë Gjo’ Lulit të na shërbejë si një sinjal dhe premtim i parë i mbajtur ndaj gjyshërve tanë. Unë mendoj se Kulla e Dedë Gjo’Lulit e rindërtuar, nuk është një muze i zakonshëm historie. Ajo është permendore nderimi dhe një flamur shprese për një të ardhme ma të mirë të shqiptarëve, ajo është një kujtesë se ne nuk jemi një popull i braktisur, por një popull që shpreson për një të ardhme ma të mirë së bashku me popujt e tjerë të lirë të kontinentit të vjetër. Rindërtimi i Kullës së Ded Gjo’ Lulit, gjegjësisht i shtëpisë muze, realizohet në klimën europianizuese të rajonit ku jetojnë shqiptarët, dhe vetë shteti i tyre amë. Ajo realizohet sot në një Ballkan Perëndimor krejt ndryshe nga të paktën një dhjetëvejeçar më parë. Një Ballkan që ka filluar të mendojë dhe veprojë me mendjen e qytetarit europian, që rrezon barrierat e pakuptimta të ndërprerjës së komunikimit, dhe që ka hapur dyert e të ardhmes së vëllazëruar demokratike, por që ka shumë punë për të bërë në kapërcimin e së kaluarës jo europiane dhe fshirjen e fantazmave të së vjetrës. Ndërsa ne shqiptarët, më së pari duhet t’i fillojmë t’i fshijmë këto fantazma nga vetja jonë. Ne kemi të drejtë të nderojmë bijt e bijat tonë të shquar, se pa ata nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë, pa ata nuk mundemi dot të rindërtojmë identitetin tonë Arbnor dhe Europian. Vepra juaj sot vëllezër të Malësisë, i nderon të gjithë shqiptarët, mbasi një popull që nderon bijtë e lirisë, ata që i kanë ndriçuar atdheut të ardhmen, dhe jo shërbëtorët e pushtuesit, e meriton lirinë, përparimin dhe rendin demokratik.

Kush ishte Dedë Gjo Luli? Unë do të dëshiroja të sillja që në krye të kësaj fjalë si më të goditurin, njërin nga cilësimet e shumta që Mary Edit Durham i ka bërë Atij. Në një raport të muajit gusht 1911 anglezja e famshme, mikja e madhe e popullit shqiptar në përgjithësi dhe e Malësisë në veçanti, i mvesh Dedë Gjo Lulit cilësimin e famshëm të Pierre Bayard (1473-1524) për fisnikun francez (Chevalier sans peur et sans reproche). Ajo shkruan se Deda është „një Kalorës-fisnik shqiptar i ndershëm që nuk njeh frikën“. Ose cilësimi tjetër në të njejtin raport: „A gallant old boy“, gjëgjësisht „Një kalorës i mrekullueshëm burrëror“ [1]. Dedë Gjo’ Luli, ka qenë një bir i zakonshëm i Malësisë së Pamposhtur Shqiptare, të cilin, virtytet e larta morale dhe atdhetare, shkolla e jetës së këtyre anëve, aftësitë e veçanta, nevojat jetësore për mbijetesë ndaj pushtuesve, e ngritën në majën e strategut popullor, fisnikut prijës e heroit popullor. Në qoftë se do të duhej të gjendej një cilësim i saktë për te, unë do të thoja se ai ishte një Kalorës i Bardhë i Rilindjes Kombëtare. Si një Kastriotas i denjë, ai e udhëhoqi popullin e këtyre anëve në një periudhë të trazuar të Historisë së Shqipërisë, së paku nga Kriza Lindore deri në Luftën e Parë Botërore, ai diti të orientohej drejtë me krahun më përparimtar te Lëvizjes Rilindase, në një kohë kur pjesë të tëra të kombi flinin gjumin aziatik; ai diti të firmoste për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët pa dallim krahine, ideje dhe feje, kur të tjerë flirtonin me robëruesit; Ai diti të presë siç dinë burrat e Malësisë Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin, siç diti të presë me armë hordhitë e Bedri Pashës e Turgut Pashës.

Përsonalisht nuk jam biograf i këtij Kalorësi të Bardhë të Alpeve Shqiptare, por Zoti me ka ndihmuar që emrin e tij ta gjej të regjistruem në mënyrë të pandërprerë, në dhjetra dokumente historike të kancelerive perëndimore, duke filluar, se paku nga viti 1883. Këo dokumente tashmë i kam bërë të njohura për publikun e gjërë dhe atë shkencor. Është ndoshta një rast i radhë: një strateg popullor i Maleve të Shqipërisë i regjistruar pambarimisht në dokumentet diplomatike të kancelerive perëndimore. E pabesueshme për ndokend, por ma se e vertetë. Dedë Gjo Luli ishte dhe mbetet një legjëndë e dokumentueme nga historia, një legjendë pa asnjë njollë, një legjendë që nuk u tundua as para shumave të mëdha me para që i ofruan pushtuesit.[2]

Jo rastesisht varrin e tij, françeskanet shqiptarë, këta burra patriotë, njerëz të fjalës, nismëtarë veprash të dobishme fetare e kombëtare, shkrimtarë me vleftë, poetë dore së parë, e vendosen pranë varrit të poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta. Jo rastësisht eshtrat e Dedë Gjo’ Lulit armiqtë e brendshëm të kombit shqiptar i humbën së bashku me eshtrat e autorit te Lahutës së Malësisë. Por pavarësisht nga kjo, ato nuk mundën të humbasin emrin e tyre. Ai jetoi së bashku me zemrën e popullit të thjeshtë, ai jetoi dhe ja ku i kemi sot këtu mes nesh, të rikthyer triumfalisht, ashtu siç i ka hije Heronjve e Poetëve Kombëtare, na rikthehen se bashku me Nanen tonë të madhe Tereze, së bashku me Adem Jasharin, së bashku me ata që i dhanë nder e lavdi këtij kombi, së bashku me ata që vendosen themelet e identitetit të pandarë dhe europian të shqiptarëve.

Dedë Gjo’ Luli ishte një trim i edukuem në votrën shqiptare, i pajisur me tiparet e nalta të malsorëve shqiptare, i qetë i matun, i thjeshtë, i drejtë, i premë në kuvend dhe trim i palëkundun në luftë. Formimi i tij atdhetar u lind bashkë te, ndersa idetë e tij mbi lirinë u konsolidua në kohën kur shqiptarët e ftilluar kërkonin të njiheshin si komb, pikërisht në vitet e Krizës Lindore 1875-1878. Pikërisht kjo kohë qe për Te caku i kthesës vendimtare. Andrra dhe qellimi i jetës së tij ishte një Shqipëri e lirë si në kohë të Gjergj Kastriotit. Qysh atëherë “Kombi Shqiptar” dhe Shqipnija e lirë” u banë për Te gjithshka, u kthyen në qëllim të tanë jetës dhe veprimtarisë së Tij.[3] Anëtar i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, komandant i luftëtarëve shqiptarë në mbrojtje të Hotit dhe Grudës ne vitet e betejes së madhe, bashkëdrejtues i kryengritjes së Malësisë më 1883, Delegat i Malësisë në Kuvendin e Pejës, organizator dhe garant i besës së përgjithshme midis bajrakëve të Malësisë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX. Në dekadën e parë të shekullit XX, Deda u afrue gjithnji e ma shumë me djelminë shkodrane, me intelektualët atdhetarë të kësaj kryeqendre të Shqipërisë, si Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Risto Siliqi, Nush Koçi, Spiridion Kacarosi, duke përvijuar në krahun më të përparuar të ideologjisë kombëtare të Rilindjes.[4] Një vend të veçantë në aktivitetin e tij politik zë periudha sprovave te mëdha të viteve 1910-1914, që për Dedë Gjo’ Lulin kulmon me kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911. Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është një nga ngjarjet më me rëndësi të historisë së re shqiptare dhe në veçanti, momenti më i dallueshem i lëvizjes rilindëse në krahinën e Shkodrës. Kryengritja që shpërtheu me 24 mars të vitit 1911, në Malësinë e Madhe, nuk shpërtheu si rezultat i intrigave të qarqeve të caktuara të vendeve fqinje, por, në radhë të parë, si rezultat i precipitimit të kontradiktës themelore në Shqipëri, skajshmërisë së këtij precipitimi në vatren më veriperëndimore të vendit, ku dhuna e ushtruar në vijimësi, mosrealizimi i premtimeve për një zgjidhje të kërkesave të malësorëve, gjendeshin në kufij të patolerueshëm.

Momenti i parë kulmor që vulos karakterin e kryengritjes dhe që shpreh shkallën nacionale të ndergjegjësimit të malësorit është ngritja e flamurit shqiptar me 6 prill 1911, në Bratilë të Deçiqit. Kjo sepse Malësorët gjatë kryengritjes luftuan për një ideal, luftuan vetëm për pavarësinë e Shqipërisë. Veprimet luftarake të kryengritësve shqiptarë, do të zgjojnë vëmendjen dhe interesin e forcave patriotike shqiptare dhe posaçërisht vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare, e cila në këtë moment ishte tepër e interesuar në ruajtjen e status-quo-së politike të Perandorisë Turke.

Shpirti i kryengritjes së vitit 1911 edhe kësaj radhe qe “Heroi i Traboinit”, Dedë Gjo’ Luli, Ky burrë energjik me karakter të fortë, që nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të të drejtave të malësorëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi, madje edhe atëherë kur iu nënshtrua kërcënimeve dhe joshjeve nga më të veçantat[5].

Kryengritja e vitit 1911 pati rëndësinë e vet mbasi e detyroi qeverinë xhonturke që për herë të parë të ulej në bisedime me shqiptarët dhe të nënshkruante një marrëveshje mes të barabartësh, që përbënte një bazë të parë juridike për kërkesat e ardhshme autonomiste të patriotëve shqiptarë. Një fitore tjetër e rëndësishme e kryengritjes ishte themelimi i një ndërgjegjeje politike prej masave të gjëra të popullsisë shqiptare. Kështu, Kuvendi i udhëheqësve të kryengritësve malësorë dhe patriotëve më të shquar, do të shënojë një moment kthese në planin e trajtimit politiko-diplomatik të kryengritjes. Në Memorandumin e Greçes, ose “Librin e Kuq”, u miratuan kërkesat për krijimin e një province autonome shqiptare, përkatësisht bashkimin e të katër vilajeteve në një të vetëm. Memorandumi i Greçes pati një rëndësi të posaçme pasi doli nga gjiri i kryengritjes dhe u përshkua nga karakteri kombëtar. Platforma e Greçës do të bëhej edhe pas gushtit 1911 dhe vitit 1912, një gur i randësishëm në procesin tranzitor të mëvetësimit të Shqipërisë. Kërkimet ma të fundit arkivore me kane cue ne perfundimin se kryengritja e Malësisë nuk ka përfunduar në gusht të viti 1911, por vetëm është vetëpërmbajtur, për t’u rindezur në përiudhën vijuese deri në fund të vitit 1912. Një meritë të jashtëzakonshme në këtë drejtim ka pasur Dedë Gjo’ Luli, i cili, ashtu sikur diti ta shkrepë pushkën i pari, diti me mençuri të mbajë ndezur flakën e lirisë deri në ditët e para të lindjes së shtetit të parë bashkëkohor shqiptar të mbretëruar nga Princ Wilhelm Wied.

Zonja dhe zotërinj, duke nderuar sot jetën dhe veprën e Dedë Gjo’ Lulit, ne përkujtojmë njëkohsisht të gjithë bijtë dhe bijat e Malësisë që dhanë jetën për liri, deshmorët që përkrah Dedës luftuan për ngritjen e flamurit kombëtar në maje të maleve shqiptare, dëshmorët që luftuan për një atdhe më vete.

Faleminderit

Bardhaj (Hot) më 6 prill 2006

[1] Public Record Office, Foreign Office. 371. 1231, doc. No. 32236 Miss Durham to Consul –General Spence, Podgorica, August 4, 1911.

[2] Public Record Office, Foreign Office.371.1231 doc.no 34676, Sir G. Lowther to Sir Edward Grey, Constantinople, August 27, 1911, Enclosure 1 in No. 1. Vice-Consul Summa to Sir G. Lowther, Scutari, Le 18 aout,1911. Turqit i ofruan atij shuma të majme në të holla për të bindur malësorët që të dorëzoheshin si dhe një rrogë të majme vjetore, por Ai e refuzoi në mënyrë kategorike të tradhëtonte popullin e tij për para Dokumentet historike tregojnë se ai në asnjë moment, e aq më pak pas 4 gushtit 1911, nuk iu nënshtrua pushtuesit shekullor.

[3] Pal Doçi, Dedë Gjo’ Luli, Tiranë 2003, fq 22.

[4] Pal Doçi, Dedë Gjo’ Luli, Tiranë 2003, fq 45

[5]Raspa Vincenzella, Le Opere di Eugenio Vaina e Camillo Libardi sulla insurrezione del 1911 nel Nord Albania, tezë doktorature mbajtur në Università degli Studi di Roma, Facoltà di Lettere e Filosofia, Anno Accademico 1969-1970, Relatore Prof. Ernesto Koliqi, faqe 146.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora