Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Disa mendësi tejet të gabuara mbi vetëvrasjen

| E diele, 23.09.2007, 05:29 PM |


Jorida Rustemi - Magjistër në Psikologji Klinike e Këshillim

Paragjykime të rrezikshme:

Disa mendësi tejet të gabuara mbi vetëvrasjen

Për fat të keq, edhe kur flitet për një fenomen kaq serioz si vetëvrasja, të shumtë janë ata që bazohen në idetë e pasakta e të përcipta që gjerësisht qarkullojnë në shoqërinë tonë. Opinioni publik tenton të heqë përgjegjësitë nga vetja duke e klasifikuar vetëvrasjen si një ngjarje të paparashikueshme nga mendja njerëzore, e për rrjedhojë të paracaktuar e të diktuar nga logjika e 'profecisë që përmbushet'. Mendësi të tilla mund të përkthehen në fatalitetin vetëvrasës të atyre që me zë të mekur kërkojnë dëshpërueshëm ndihmën tonë, ndaj dhe duhen njohur. Kështu, mendohet se:

Njerëzit që flasin për vetëvrasje, nuk kanë ndërmend ta bëjnë. Në fakt, tre nga katër prej atyre që i janë larguar me dashje jetës, ua kanë bërë me dije këtë qëllim të tjerëve. Zakonisht personat paralajmërojnë, përmes atyre që thonë a bëjnë. P.sh., ata mund të shprehen se të tjerët do të ishin më mirë pa ta, ndërsa në raste të tjera bëjnë dhurata të papritura e të pashpjegueshme shpesh duke falur sende me vlerë apo që kanë domethënie personale.

?shtë e lehtë të përcaktohen motivet që kanë çuar në vetëvrasje. E vërteta është që ne e kemi mjaft të vështirë të kuptojmë arsyet përse njerëzit vetëvriten. Mund të hamendësojmë, por jo domosdoshmërisht të jemi të saktë. Kupa mund të ketë kohë që është mbushur, e ajo çka vëmë re ne mund të jetë thjesht gjykimi ynë i cekët i situatës. Motivet mund të jenë të dukshme ose të fshehura: agresivitet i kthyer së brendshmi, shtrembërim psikologjik për të nxitur ndjenja të fajit te të tjerët, përpjekje për të marrë me dhunë dashurinë e të tjerëve, tentativë për të shlyer gabime të së shkuarës, tentativë për t'iu larguar ndaj ndjenjave të papërshtatshme për nga normat sociale a personale (psh atyre incestuale a homoseksuale), dëshira për t'u ringjallur, dëshira për t'u bashkuar me një person të dashur tashmë të vdekur, dëshira apo nevoja për t'iu larguar stresit, shtrembërimit, dhimbjes a boshllëkut emocional.  

Të gjithë ata që vetëvriten kanë kaluar gjendje depresive. Vërtetë, por jo të gjithë. Pjesa më e madhe e atyre që vetëvriten nuk janë të dëshpëruar. Ata madje mund të shfaqen të qetë e në paqe me veten pas pjekjes së vendimit. Megjithëse personat që vetëvriten janë përgjithësisht të palumtur, ata funksionojnë brenda logjikës e në kontakt me realitetin.

Përmirësimi i gjendjes emocionale shpie në uljen e rrezikut për vetëvrasje. Fakt është që personat e kryejnë atë pikërisht atëherë kur dhimbja e tyre shpirtërore duket se lehtësohet. Në këtë moment është provuar që ata gjejnë fuqinë e duhur për të vënë në jetë aktin.

Kush ka frikë nga vrasja nuk ia heq vetes. E megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kanë ndjenja të mbivendosura që luhaten midis dëshirës së madhe për të jetuar dhe 'nevojës' për t'iu larguar situatës së pashpresë.

Vetëvritet ai që ndjehet vetëm. Megjithëse gjithë reflektimi që çon në vetëvrasje ndodh brenda mendjes së personit, shpesh është e mundur që arsyeja kryesore të jetë marrëdhënia e dhimbshme me bashkëshortin, fëmijët, të dashurin, apo dikë tjetër të rëndësishëm.

Nuk duhet përmendur litari në shtëpinë e të varurit'. E thënë ndryshe Nuk i duhet folur rreth vetëvrasjes, pasi personi mund të drejtohet drejt marrjes në shqyrtim të atij veprimi. Në fakt, të mos flasësh me një person që ka mundësi të kryejë vetëvrasje mbi problemet e tij, nuk do të çojë askund tjetër veçse në izolim akoma më të madh dhe do ta bëjë të ndjehet i mbytur në problemet e tij. Një sy i jashtëm do ta ndihmonte të rishikonte në një dritë më realiste problemet që nga këndvështrimi i tij ngjajnë të pakapërcyeshme.

Praktikisht, nëse dyshoni se dikush pranë jush ka qëllim të dëmtojë veten, mbani parasysh ato që u thanë më lartë dhe ndiqni këshillat e mëposhtme:

Përpiquni:
     
Të flisni hapur e qartë mbi shqetësimin që keni rreth gjendjes së tjetrit.
Të shfaqni interes për gjendjen e tij.
Të ruani qetësinë gjatë bisedës.
Të jeni pozitiv, duke nxjerrë në pah rrugëzgjidhjet  përkundrejt veprimit të pashpresë.
Të shmangni premtimin e gjërave të pamundura e për rrjedhojë të pabesueshme.
Të viheni në kontakt me një profesionist të shëndetit mendor.
 

Mos bini në gabimin që:

Të rrisni ndjenjat e fajit te tjetri.
Të premtoni të mbani sekretin.
Të shfaqni gjykime morale mbi vetëvrasjen.
Të minimizoni problemin.
Ta lini personin vetëm.
Të përfshiheni më shumë se duhet te problemi dhe te zgjidhja e tij.
 
Nëse dëshironi të ndani mendimet apo problemet tuaja me psikologen, shkruani në postën elektronike në rustemi_jorida@yahoo.com