E premte, 29.03.2024, 07:55 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Si i thonë “të dua” në gjuhën e tij?

E diele, 23.09.2007, 04:49 PM


Mos u ngrys kur partneri nuk e vë re mënyrën tënde të të thënit “faleminderit”, “më fal” dhe “të dua”, sepse ndoshta nuk ke zgjedhur gjuhën e përshtatshme. Bëj zgjedhjet e duhura duke nisur nga leximi i këtij manuali

Mjaft me zënkat pa fund se kush e ka fajin. E dëgjon dhe në ëndërr atë gërr-mërr-in e pedantizmit, tek si molë gërryen kohën që kaloni bashkë? Çikërrimat fryhen dhe i marrin frymën një lidhjeje të paqtë? Kujtoni rastet kur dallgët uleshin me një rreze buzëqeshjeje që hapte pastaj tërë qiellin me gazin që ju kapte. Mbetet aq e lehtë, mjafton të mësosh ndonjë sekret më shumë, të duash t’i zbatosh dhe ndryshimin do e ndjeni në çdo dimension të lidhjes. Të mos ndërpresësh betejën sa të arrihet rezultati i barazimit, nuk është aspak taktikë e menduar mirë. Aq më tepër kur secili kujton se ai ka të drejtë t’i bjerë bilbilit përfundimtar. Nuk do të thotë se kur ngre flamurin e bardhë ke humbur, marrëdhënia nuk është luftë. Ama duhet dhe pak grintë. Rëndësi ka mos të të verbojë inati. Mund t’ia dalësh. Pa provo njëherë këto këshilla

Dëgjo më shumë, fol më pak

Komunikimi është 85 për qind dëgjim dhe 15 për qind të folur. Sa më pak përpiqesh për të folur pa dëgjuar aq më shumë e ndihmon komunikimin. Përpiquni të dilni nga shtëpia, për të ecur, mos merrni telefonat me vete dhe thjesht shih në sy partnerin tek të flet. Është shumë bukur në një lidhje të kuptosh se partneri të dëgjon.

Seks: Thjesht mos e refuzo

Shko me partnerin, edhe kur nuk do! Shpesh dëshira ngjallet më vonë. Kur ti e lë të vazhdojë, do ta gjesh veten duke e shijuar. Sa më shumë e provon seksin, aq më shumë trupi yt do ta dojë atë. Do ndjesh më shumë energji dhe sensualitet dhe partneri do ta vërë re këtë ndryshim seksual.  

Fshihi problemet e vogla

Bën mirë që ca çështjeve të mos iu kthehesh. Nuk shmangen çështjet kyçe, por kur bëhet fjalë për vogëlsi të së përditshmes, çiftet e suksesshme kanë pranuar të injorojnë problemet e vogla. Nuk ia vlen t’i rëndosh gjërat duke këmbëngulur për të fituar çdo kauzë.

Trajtoje dashurinë si një miqësi dhe ndjehu e lirë

Çiftet më të lumtura e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, afeksion dhe empati. Ata i zgjedhin fjalët me kujdes, duke shmangur ato sjelljet helmuese për jetën në çift: kritikat, pozicionin mbrojtës, mospërfilljet, mburojat, dhe ndihen të lidhur emocionalisht. Jep dashurinë që ti dëshiron të marrësh. Nxirr jashtë shumë dashuri dhe vlerësim dhe do të kthehet. Mënjano ankesat dhe llogaritë e tepërta dhe kështu do jetë dhe për ty.

Për të ndryshuar lidhjen, ndrysho veten

Shumicën e herëve ne mendojmë: unë kam të drejtë dhe ai po gabon. Duhet ta bind të ndryshojë. Po e vërteta është që po të ndryshojë njëri nga ju dhe lidhja me shqetësimet e saj do ndryshojë. Ti pretendoni pse duhet të ndryshojë unë? Po kur të mbushet mendja të bësh lëshimin e parë gjithmonë thua: “Pse prita kaq gjatë?”

Mos e tepro me komente të ashpra

Kur je e lodhur ose e frustruar, është e lehtë të rrëshqasësh në të qenit kritike me partnerin. Kujtohu, shprehjet apo sjelljet negative mbajnë shumë peshë. Sigurohu që për çdo veprim “të ashpër” të kryesh pesë veprime “të ëmbla” për ta balancuar: një prekje, një e qeshur, një puthje, një gjest dashurie, një kompliment. 

Lufto për dashurinë

Thënë hapur, nuk ekziston ndonjë martesë e mirë, po që nuk ka pasur konflikt. Shumë njerëz përpiqen që të mos nisin konfliktin, po dy njerëz që jetojnë bashkë diku do përplasen. Po ta menaxhosh me kujdes dhe zgjuarsi, konflikti do t’i japë martesës një goditje energjike. Ti mund të kesh një marrëdhënie më të plotë dhe interesante.

Seksi ka rëndësi, koha e kaluar bashkë ka dhe më shumë

Shpesh përqendroheni në programimin e seksit, e zhvendosni në majën e prioriteteve dhe nuk dilni gjëkundi. Por, po të fokusoheni në kohën  e kaluar bashkë, duke shkuar në kinema, duke punuar për një projekt bashkë, atëherë një jetë e mirë seksuale nuk do mungojë.

Mos kërko medoemos dikë që e ka gabim dhe dikë që e ka mirë

Është e lehtë të gjendesh në një betejë se kush ka të drejtë dhe kush gabim, por kjo ju pengon për të zgjidhur problemin. Askush nuk do ndëshkohet, po ta ketë gabim dhe as do marrë medalje po të ketë të drejtë, kështu që mos kërko të gjesh fajtorin, thjesht përpiquni të zgjidhni problemin.

Fjalët janë si ushqimet- ushqeni njëri-tjetrin me më të mirat

Shprehja e ndjenjave të buta dhe mirëkuptimit të njëri-tjetrit do komunikonte respekt dhe do e bënte partnerin të ndihej i dashuruar. Mund ta mohosh se ndodh kështu? Sigurisht që jo, prandaj investo në ushqimin e lidhjes.

Mos e ki mendjen te barazia; përqendrohu te ndershmëria

Nuk ka pse të jetë gjithçka 50 me 50. Të kesh ndjenjën që çdokush po bën atë që është e drejtë, dhe pse jo gjithmonë është e barabartë, e bën të lumtur një martesë. Kjo nuk aplikohet vetëm në punët e shtëpisë, po në vetë lidhjen tuaj.

Mos harroni se keni qenë partnerë para se të ishit prindër. Po të keni fëmijë mos lini mënjanë lidhjen dhe marrëdhënien tuaj dhe të përqendroheni vetëm te fëmijët. Bëjeni lidhjen me njëri tjetrin- jo vetëm si prindër por dhe si të dashur – një prioritet.

Shpërbleje me monedhën që ai njeh

Secila prej nesh dëshiron që partneri ta shpërblejë për diçka që kemi bërë. Po kjo pagesë duhet bërë në monedhën që njohim. E njëjta vlen dhe për partnerin, sepse kur ti bën për ta falënderuar diçka që ai s’e vë re atëherë nuk ia ka vlejtur. Mundohu të zbulosh çfarë kërkon partneri dhe fol në gjuhën e tij.

Mos harroni sukseset e lidhjes suaj

Për të sjellë më të mirën në lidhjen tuaj duhet të fokusoheni te çfarë keni bërë si duhet në të kaluarën. Për shembull, në rast se po përpiqeni të ndryshoni zakonin e të grindurit shpesh, kujtoni rastet kur grindjet i keni përfunduar me humor ose në një mënyrë miqësore. Çdo çift ka një listë me përvoja kur ata kanë menaxhuar si duhet situatën dhe është e rëndësishme t’i mbash mend, se sa të përqendroheni në rastet kur zënkat kanë shkuar keq.

Shihni situatat me sytë e njëri-tjetrit

Shpesh konflikti lind duke e ngarkuar negativisht atë që bën partneri. Në vend që t’i thuash vetes se partneri është treguar kokëbosh dhe acarues, përpiqu që ta mendosh situatën sipas pikë vështrimit të tij. Pyet veten: ç’ka menduar? Veprimi nuk ndryshohet, por duke kuptuar arsyet, ndryshon këndvështrimi për problemin dhe e bën më të lehtë komunikimin rreth tij.

Mbill besim dhe korr intimitet

Çështjet e besimit janë si shkëndijat në një pyll të thatë, ti duhet të merresh me to sa më shpejt të jetë mundur, si kur është diçka e madhe, si një flirt apo diçka e vogël si ndarja e sekreteve martesore me mikeshën e ngushtë. Ju duhet t’i zhdukni arsyet për mungesën e besimit që të ndiheni të sigurt për t’i besuar njëri-tjetrit thellësisht. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora