E premte, 03.04.2020, 09:41 PM (GMT+1)

Plus » Shoqëria

Beqari nga hiri apo pahiri

E diele, 23.09.2007, 05:21 PM


Nga Jorida Rustemi
Magjistër në Psikologji dhe Këshillim

Pikësëpari dua t'ju kërkoj t'i lexoni me dashamirësi këto radhë, pasi nuk kanë për qëllim të sulmojnë a lëndojnë ndokënd, por thjesht të ndihmojë të parit e beqarisë si nga pozitat e epërme të atyre që s'kanë të bëjnë me të, ashtu edhe nga pozitat indiferente (kinse, ndoshta) të pësuesve.

Stilet jetësore të beqarëve kanë ndryshuar vitet e fundit dhe gjithnjë e më shumë beqaria po shihet si një alternativë e vlerë, kundrejt martesës. Askush s'mund ta mohojë besimin, tashmë të provuar dhe statistikisht, që sa më e hershme martesa, aq më e lartë mundësia për t'u ndarë. Dhe e kundërta, ka vlerë: sa më e vonë martesa, aq më shumë bëhet e mundur  marrja e një vendimi të pjekur e të qëndrueshëm në kohë.

Në fakt ka disa forca që e tërheqin njeriun drejt martesës, e të tjera që mund ta bëjnë ta shikojë beqarinë si më të këndshme. E siç ka arsye të mira e të këqija për t'u martuar, po të tilla ka edhe për të qëndruar beqarë. Presioni i familjarëve, dëshira për t'u larguar nga shtëpia, frika nga pavarësia, vetmia dhe mungesa e zgjedhje/zgjidhjeve të tjera, janë shtysat më të gabuara për martesë, e në të kundërt me to qëndrojnë dëshira për të krijuar familje, ndjenjat e dashuria për tjetrin, siguria, statusi social dhe prestigji. Disa shtysa negative që i drejtojnë njerëzit ndaj beqarisë janë komunikimi i varfër, mërzia, mungesa e lumturisë, zemërimi, dhe ndjesia e të qenit në kurth brenda marrëdhënies. Ndërsa shtysa pozitive për ta zgjedhur beqarinë janë mundësitë për ngritje profesionale, dëshira për të qenë i pavarur, dëshira për të lëvizur dhe liria për të ndryshuar. Njerëzit duhet t'i shqyrtojnë me vëmendje arsyet e tyre për të qëndruar beqarë apo për t'u martuar, pasi martesa sot është një zgjidhje personale dhe jo diktat social.

Përgjithësisht beqarët janë persona të orientuar ndaj karrierës e arritjeve, kanë arsim të lartë e liri më të madhe personale, gjë që i bën shpesh edhe më të pëlqyeshëm nga punëmarrësit. Veçanërisht femrat që qëndrojnë beqare kanë një inteligjencë mbi mesataren dhe janë pozitivisht arriviste. Ndoshta është po kjo arsyeja që i bën ta kenë më të vështirë të gjejnë mashkullin “me këmbë të palidhura” të të njëjtit nivel- këta janë lidhur që më parë, e me nivel më poshtëm se i tyri. E nëse kujtojmë edhe faktin që femrat janë më të shumta në numër se meshkujt, e që të parat në radhën e lindjes apo vajzat e vetme janë me kërkesë të lartë ndaj vetes, zgjedhja bëhet më e vështirë.

Beqarët përbëjnë në fakt një grup shumë të ndryshëm. Përveç atyre më të rinjve e të pamartuar ndonjëherë, në këtë grup bëjnë pjesë edhe të ndarët, të divorcuarit, e të mbeturit të ve.  Ndaj është e vështirë të bëhen përgjithësime, pasi asnjë stereotip i vetëm nuk mund t'i përshkruaj ata. E megjithatë, ekzistojnë disa paragjykime, ndër të cilët po zgjedh njërin për të provuar pavërtetësinë: Thuhet që beqarët janë persona të vetmuar e fatkeqë. Në  fakt të jesh vetëm, nuk do të thotë të jesh i vetmuar. Është paragjykimi social ai që mund ta çojë dikë drejt martesës dhe kur ai nuk e dëshiron një gjë të tillë. Kjo po që do ta bënte më të palumtur e të mbyllur në vetvete. E parë në një shtrirje kohore, ndjesia e vetmisë prej të qenit vetëm është e lartë midis adoleshentëve dhe të rriturve të rinj, e bie gjatë moshës së rritur të mesme e të vonë. Kjo pasi nëse personi di ta vlerësojë veten e t'i japë mundësinë asaj për të qenë e pavarur e papritshmëri jorealiste, ka mundësi të gjejë interesa të tjerë për t'u ndjerë i plotësuar. Ata që jetojë vetëm dinë ta përdorin ligjin e kompensimit: kanë kontakte më të gjera me personat jashtë familjes e më shumë ndërveprim social se të martuarit.

Beqaria e suksesshme është mëse e mundur dhe varet nga aftësia dhe mundësia për të qenë ekonomikisht i pavarur, autonom për nga aspekti social dhe psikologjik (për të ecur me këmbët e tyre), si dhe bindja se ky status është zgjedhje e jo shtrëngim prej rrethanave. Edhe njëherë këndvështrimi del në plan të parë.

Në përgjithësi beqarët mendojnë se mënyra më e mirë për t'u ndjerë të plotësuar është karriera. E megjithatë ata marrin kënaqësi edhe nga miqtë, aktivitetet kulturore, pasionet e tyre, ushtrimet fizike dhe mbi të gjitha lidhjet romantike. Duhet mbajtur parasysh se ideja e "beqarit të stazhionuar" është më shumë një mit. Sikurse edhe të martuarit, ata kërkojnë vijimësi të ndjenjave, intimitetit dhe të kënaqësisë në jetë. 'Beqarët e lumtur i gëzohen jetës dhe kërkojnë dikë me të cilin ta shijojnë atë, ndërsa të palumturit kërkojnë dikë që t'i bëjë të lumtur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT