Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arnold Schwarzenegger, Guvernatori me muskuj që qeveris Kaliforninë

| E merkure, 23.09.2009, 10:56 AM |


Jeta e tij do të ndryshonte kryekëput që kur zgjodhi të shfaqej në ekran. Por, edhe 360 gradë të tjera transformimi në karrierën e tij do të vinin kur Arnold Schwarzenegger të merrte vendimin e madh, të përfshihej në politikë. Nuk e kishte dhe aq të vështirë, pasi karriera si aktor i kishte siguruar një famë që e ëndërronte kushdo, një popullaritet, pa të cilit do të vinin vrik votat e popullit të Kalifornisë. Ai lindi në një fshat të Austrisë, dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe ai, qysh i vogël do të tërhiqej marrëzisht pas muskujve voluminozë. Do të braktiste leksionet e katekizmit, me të cilat e kishte ushqyer familja e tij, për t’u marrë vetëm me sport. “Familja ime ishte shumë e varfër, nuk kishim as shtëpi dhe as banjë, e cila ndodhej pak metra në fund të oborrit”. Babai i tij do t’i ushqente dashurinë për futbollin, por kur mbushi 14 vjeç zgjodhi një tjetër rrugë, te merret me bodybilding. Shkonte çdo ditë në palestër, edhe atëherë kur ishte mbyllur, të shtunën e të dielën, duke hapur një dritare sekrete, mes të cilës hynte vjedhurazi në fundjavë për t’u stërvitur. Pasioni për këtë sport e kishte rrëmbyer Arnold Schwarzenegger aq fort, sa zgjodhi të merrte pjesë në 'Mister Olimpi', në vend që të shkonte në funeralin e të atit! Edhe pse zgjodhi të largohej nga Austria, kurrë nuk e ka mohuar origjinën, lidhjen e ngushtë që ka me vendlindjen. "Në Austri kam mësuar gjithçka, kam fituar disiplinën dhe rrënjën e mia janë austriake, madje edhe sensi i të ndjerit i sigurt në çdo gjë që bën vjen po prej andej. Zemra ime do të vazhdojë të jetojë në Austri, ndërsa Amerika është vendi ku mësova gjëra të reja, që më vlejtën për të ardhmen, karrierën time", - thotë ai.

Aktori-politikan

Djaloshi trupmadh, as që e kishte menduar se orët e gjata në palestër do të ishin një ogur i mirë për të ardhmen e tij. Çdo pikë djerse që kishte derdhur, e kishte justifikuar. Kishin filluar rolet e para: ai do të kthehej në një simbol për Amerikën, një emër që do të justifikonte imazhin e njeriut të pamposhtur, që përballet me të ligën. Kontratat e njëpasnjëshme bënë që ai djaloshi varfanjak të ecte me hapa gjigante në botën e kinemasë. Në vitin 1978, gjatë lojërave të tenisit në Forest Hills, ai njihet me Maria Shriver, mbesa e ish-presidentit John Kennedy, e cila do bëhet pak vite më pas gruaja e jetës. Por, gjithçka do të ndryshonte në vitin 2001, pak pasi kishte përfunduar xhirimet e filmit "Terminator 3", Arnold do të refuzonte të gjitha ofertat për t'u përfshirë në politikë. Ai ndihej i lodhur nga filmat aksion, pasi në shumicën e rasteve atij i jepeshin vetëm rolet e të fortit dhe më në fund, vendosi të hiqte dorë, të tregonte një anë tjetër, pasionin për politikën. "Kam studiuar për Shkenca Politike dhe gjithmonë më ka joshur kjo fushë. Nuk kam qenë shumë i përfshirë, dhe falë fondacionit tim kam ndihmuar në jetën sociale, por më pas vendosa të përfshihem personalisht. Të isha ballë për ballë me qytetarët, fëmijët mbanin armë nëpër shkolla, shumë familje jetoni jashtë. Vendosa të ndihmoj drejtpërdrejt", - thotë ai në intervistën e parë pas zgjedhjes në postin e guvernatorit të Kalifornisë. Ishte i bindur për fitoren. Nuk dyshonte në asnjë hap që po merrte dhe kjo ishte një arsye e fortë që e shtynte të ishte mes politikanëve të tjerë, edhe pse ndryshimi do të ishte e madh. Përveçse më shtatlartë, se të tjerët, me një fizik sportisti, ai do të shquhej edhe për dinamikën e tij të mendimit për zgjedhjen e çështjeve jetike, ato sociale, pse jo edhe ato të politikës. "E di shumë mirë se diskutimet e mia do të ngjajnë më shumë demokrate, ndërkaq që unë jam republikan. Por, kjo lidhet me etikën politike. Politikanët, edhe ata më kompetentët, kalojnë më shumë kohë duke shkruar programet sesa t'i zbatojnë në realitet".

Dashuria e vjetër, kinemaja

Ardhja e tij në krye të Kalifornisë ishte një habi. Gruaja e tij ishte mbesa e një prej politikanëve më të njohur dhe bashkimi i më republikanit më muskuloz, ishte një sfidë për familjen më prestigjioze demokratike në Amerikë (Kenedi), duke i siguruar atij një vend të padiskutueshëm në krye të postit të guvernatorit të Kalifornisë. Fakti që kishte lindur në Austri, nuk ishte kurrsesi një arsye për të refuzuar postin e guvernatorit, pse jo edhe atë të presidentit. "Tani kishte ardhur koha të përballesha me probleme më të rëndësishme. Jo si misionet për të shpëtuar botën që kisha në filma, por akoma më të rëndësishme: kriza ekonomike që kishte përfshirë Kaliforninë, problemet sociale në shkolla si dhe drejtat për mbrojtjen e lirive të njeriut. Por atëherë kur askush nuk e priste, teksa në ekran ai shfaqej me petkun e guvernatorit, Arnold firmos në një fshehtësi të plotë kontratën për filmin "Terminator 4" dhe brenda pak kohësh kishte arritur të përfundonte xhirimet e filmit. Arlond Schwarzenegger konfirmoi se pasioni i tij për filmin nuk mund të zhdukej kaq lehtë, por këtë herë, ndryshe nga xhirimet e tjera, ai hyri në histori si i vetmi guvernator i cili pranon të luajë një film. Përpos karrierës politike dhe asaj në kinema, ai është edhe menaxheri i disa bizneseve të tij, duke u renditur pothuajse për çdo vit nga revista ekonomike "Forbes", në listën e njerëzve më të pushtetshëm, kjo jo vetëm për muskujt, por edhe për pasuritë e paluajtshme që ka nën pronësi të familjes së tij.
Gazeta Shqiptare