E marte, 23.04.2024, 08:06 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Enciklopedi artificiale e një shtet-kombi artificial

E marte, 22.09.2009, 06:00 PM


Enciklopedi artificiale  e një shtet-kombi  artificial

Nga Valon Kurtishi

Masmedia sllavishtfolëse e Fyromit është e mbushur ditëve të fundit me informacione optimiste për promovimin e Enciklopedisë së re maqedonase nga Akademia e shkencave dhe arteve të këtij vendi. Sipas informacioneve të këtyre mediave, enciklopedia është përgatitur nga Qendra për studime leksikografike nën drejtimin e akademik Bllazhe Ristevskit me pjesëmarjen e reth 260 bashkëpunëtorëve shkencorë, të gjithë me përkatësi etnike sllave, të ndarë në bullgarë, sërbë, sllavë që ndjehen si  maqedonas etnikë, arumunë të sllavizuar, disa pak shqiptarë të sllavizuar ortodoksë e ca apatridë të tjerë shqiptarë myslimanë gjithashtu. Këtë botim voluminoz dhe luksoz e ka financuar qeveria e Fyromit nga buxheti republikan i cili mbushet me kontributet e gjithë taksapaguesve që jetojnë në këtë shtet artificial. 35 % e këtyre taksapaguesve janë me përkatësi etnike shqiptarë, kurse edhe reth 15-20 % e taksapaguesve të tjerë të këtij vendi janë me kombësi jomaqedonase. Pjesa që mbetet, reth 40-45 % e popullsisë janë sllavishtfolës të papërcaktuar etnikisht që nën ndikimin e propagandave komuniste të Titos dhe Llazar Kolishevskit sot mbahen si ose mendojnë se janë, maqedonas etnikë. Kjo është një kombësi e re e formuar më 1945 me dekretet administrative të Presidiumit të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë për të evituar përçarjen e madhe brendasllave të komunistëve sërbë me Titon në krye dhe atyre bullgarë me Georgi Dimitrovin në lidhje me 25.000 km katrorë të Maqedonisë së Vardarit, e cila që nga viti 1912 ishte në përbërje të Sërbisë.
Kështu pra, me paratë e gjithë qytetarëve të këtij vendi është financuar një enciklopedi të cilën e kanë përpiluar vetëm punonjës shkencorë sllavë dhe disa pak shqipfolës apatridë.
Kundër falsifikimeve të kësaj pseudo-enciklopedie kanë reaguar një numër i personaliteteve të njohura shkencore shqiptare si zv. Kryetari i ASHASH z.Muzafer Korkuti, historiani dhe politikani i njohur z. Sabri Godo, historiani Pëllumb Xhufi etj. Për herë të parë në reagimet ndaj çoroditjeve tipike të “akademikëve maqedonas” janë përzier edhe ambasadat e huaja në një akt të paprecedentë diplomatik. Këto ditë ishim dëshmitarë të reagimeve të ambasadës amerikane dhe asaj britanike në lidhje me përfshirjen e tyre në politikën ballkanike dhe maqedonase të viteve 1997-2001. Enciklopedia i akuzonte këto dy shtete demokratike perëndimore për ndihmë dhënë terrorizmit ndërkombëtar!!!.Duket se kësaj specie të “akademikëve” u mbetet akoma inati i ndërhyrjeve amerikano-britanike në favor të paqes e demokracisë së pari në Kosovë më 1999 dhe më vonë në Maqedoni më 2001 e në vazhdim.
Po ç’përmban botimi në fjalë?
Sipas informacioneve të pakta që i jep shtypi i shkruar dhe mediat vizive në gjuhën shqipe kemi të bëjmë me qëndrime të rezikshme dhe tendencioze kundër të vërtetave historike. Kemi të bëjmë me shtrembërime të frikshme të fakteve historike pikërisht në pjesët që kanë të bëjnë me kulturën shqiptare këtu. Falsifikate të tilla në momente kyçe të historisë së Ballkanit kanë botuar në të kaluarën akademitë respektive të Beogradit dhe Athinës. Çuditërisht, tezave të tilla joshkencore u bën jehonë edhe botimi i fundit i Akademisë së Shkupit.
Grekët dhe sërbët thonë se shqiptarët i prunë turqit nga Kaukazi në Ballkan për ti  “nënshtruar dhe mbajtur nën kontroll popullsitë autoktone të krishtera ballkanike”. Këtë e tha Vuk Drashkoviqi i Partisë çetnike sërbe në polemikën e tij të para njëzet viteve me Ismail Kadarenë në “Le Mond Diplomatique” të Parisit. Njëzet vite më vonë tezave të tilla të dalë boje të shovinizmit greko-sërb gjeti tu bëjë jehonë Bllazhe Ristevski me kompaninë e tij të “akademikëve” sërbë e bullgarë shumica dërmuese e të cilëve janë  shkolluar në Beograd te Vasa Cubrilloviqi i mirënjohur. Pra, në enciklopedinë e vitit 2009 jepen falsifikatet e njëjta që tashmë dy shekuj i plasojnë në Europë qarqet e “Naçertanies” sërbe dhe “Megali-idesë” greke. Akademikët maqedonas nuk kanë bërë asnjë “gjetje të re shkencore” në këtë drejtim. Thjesht kanë kopjuar kolegët e tyre grekë e sërbë te të cilët duke pasur parasysh moshën shumica edhe kanë magjistruar e doktoruar.
“Maqedonët antikë skanë lidhje me shqiptarët e sotëm; gjuha e maqedonëve antikë nuk ka lidhje me gjuhën e sotme shqipe; ilirët janë popull pa asnjë lidhje me maqedonët antikë; Ilirët nuk kanë qenë një popullsi unike dhe nuk kanë aritur shkallën e shtetformimit d.m.th Ilirët nuk kanë pasur shtet; gjuha ilire nuk ka asnjë lidhje me shqipen e sotme; Leka i madh është etnikisht maqedonas, në kuptimin sllav modern; artefaktet ilire në Fyrom janë maqedonase sllave; shqiptarët nuk kanë ekzistuar në këto treva para ardhjes së turqve; kishat katolike dhe ortodokse në Fyromin perëndimor nuk janë shqiptare por etnike maqedonase; xhamitë janë turke nuk janë shqiptare; Skënderbeu është maqedonas etnik; Shqiptarët kanë rënë në fushat e Fyromit nga malet e Shqipërisë së veriut në shekullin e XVII; shqiptarët të sjellë nga turqit këtu; shqiptarët nuk kanë luftuar kundër turqve; vetëm 20 mijë shqiptarë në shekulllin e XIX në Maqedoninë historike; lëvizjet kaçake - plane për shpopullimin e zonave sllave nga banorët origjinalë sllavë dhe për kolonizimin e këtyre zonave me shqiptarë të egër; Shqiptarët si hajdutë, kaçakë, të egër, bashkëpunëtorë të barbarisë turke; shqiptarët nuk kanë marë pjesë në kryengritjen e shën Ilisë; Shqipëria ka okupuar një pjesë të vogël të “Maqedonisë etnike” në vitin 1912; Shqiptarët kanë ndihmuar okupatorin fashist në luftën e dytë botërore; Balli kombëtar ka qenë organizatë fashiste; Shqiptarët janë turq dhe si të tillë emigruan me dëshirën  e tyre në vitet 30 dhe 50 në Turqi; Nënë Tereza është “shkupjane” jo shqiptare; UÇK ishte një organizatë terroriste e cila e prishi stabilitetin në oazën ballkanike të paqes”, etj, etj.
Siç shihet, enciklopedia në fjalë është produkt dhe rjedhojë e kompleksit të thellë të inferioritetit që mbizotëron sot te pjesë të gjera të shoqërisë sllvishfolëse në IRJM. Kjo pastaj reflektohet edhe në qarqe të caktuara vendimmarrëse në politikë, tek grupet opinionbërëse si dhe në rethet shkencore të cilët dalin me produkte të tilla fund e krye të manipuluara si kjo enciklopedi. Këto botime duhen shikuar edhe si formë presioni ndaj shqiptarëve të këtushëm dhe si mënyrë për të larguar vëmendjen nga problemet serioze identitare dhe kombformuese që i ka komuniteti sllav sot në raport me kulturat tjera sllave dhe atë greke që e rethojnë. Librat e këtillë janë katalizatorë të urrejtjes ndëretnike  dhe shërbejnë dhe mund të krijojnë situata shpërthyese politike me pasoja të rezikshme për shoqëri të caktuara. Siç duket ata që botojnë pamflete të këtilla nuk e duan Fyromin në kufijtë e sotëm. Një precedent i tillë shumë i rrezikshëm është shumë i afërt në kohë dhe në hapësirë. Në shtator të vitit 1986 në gazetën beogradase “Veçernje novosti”, Akademia sërbe e shkencave dhe arteve botoi një memorandum në dy pjesë me titujt përkatës, “Kriza në shoqërinë dhe ekonominë jugosllave” dhe “Statusi i Sërbisë dhe i kombit sërb”, i cili pak vite më vonë çoi në shkatërrimin e Jugosllavisë me 22 milionë banorë. Fenomenet shoqërore kanë tendencën të përsëriten nëse nuk studiohen si duhet në mënyrë që të evitohen gabimet e njëjta.
Inteligjencia shqiptare në IRJM si avangardë e shoqërisë shqiptare këtu, ka pjesën e vet të fajit për këto falsifikate të ulta që i boton Akademia e shkencave dhe arteve të Shkupit. Inteligjencia shqiptare këtu, ose ajo pjesë vogël e shoqërisë tonë që mund të evidentohet si e tillë, nuk plotëson kushtin themelor të definicionit të një intelektuali të vërtetë, e ajo është: të qenit aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare dhe vëzhgues i përhershëm kritik i fenomeve dhe proceseve në një shoqëri të caktuar. Siç duket, shitblerja masive e diplomave dhe hiperproduksioni i kuadrove në dy Universitetet në gjuhën shqipe në vend, ka filluar të japë efektet e para serioze të krijimit të një pseudo-inteligjencie e cila nuk është në gjendje as të reagojë shkencërisht ndaj falsifikateve të tilla, e lëre më tu paraprijë edhe ajo me botime origjinale të vetat.
Së pari duhet sqaruar mirë njëherë e përgjithmonë pjesëmarja e akademikëve shqiptarë në atë Akademi shoviniste antishqiptare. Të jepen përgjegjësi nëse ka faktorë shqiptarë kompetentë aty. Llogaridhënia është  parim themelor i funksionimit të shoqërive të avancuara perëndimore. Identifikimi i problemit, dhënia e zgjidhjes për atë çështje problematike, aplikimi në praktikë i metodave dhe matja e rezultatit në fund të procesit janë këto format si vepron perëndimi i përparuar. Duke mos pasur kapacitete vendore intelektuale që do të punonin në përpilimin e një enciklopedie të veçantë shqiptare në Fyrom, zgjidhje e vetme dhe më e mençur për momentin është kyçja serioze dhe e drejtpërdrejtë e atyre pak punonjësve shkencorë nga IRJM në projektet e Akademisë shqiptare të shkencave dhe arteve me seli në Tiranë. Akademia e shkencave dhe arteve të Shqipërisë e botoi tash së fundmi fjalorin e vet enciklopedik në bashkëpunim të mangët dhe joserioz me disa pak punonjës shkencorë jashtë Republikës së Shqipërisë, kryesisht nga Prishtina. Përpilimi i një enciklopedie shqiptare ose kyçje e shkencëtarëve të vërtetë shqiptarë të Kosovës dhe Fyromit në enciklopedinë tiranase është zgjidhja e vetme e mençur për çështjet në fjalë.
Është koha e fundit që Republika e Shqipërisë të fillojë të ndërhyjë fuqishëm dhe të vendosë rend në Fyrom. Jo me sllavët po tek shqiptarët e këtushëm. Organet shtetërore të Shqipërisë së pari duhet të vendosin rend dhe ligj në Universitetet shqiptare këtu. Se aty brumosen elitat shumë të dobëta shqiptare të cilat pastaj pranojnë dhe bile edhe bashkëhartojnë enciklopedi të tilla antishkencore vetëm e vetëm që të ruajnë privilegjet e tyre personale. Nga këto gjoja-universitete dalin politikanët që paradoksalisht janë pjesë e qeverisë dhe pastaj vetë reagojnë kundër qeverisë “së tyre” kur ajo financon enciklopedi të tilla, apo kryen edhe akte tjera shumë më të rënda se kjo. Organet arsimore të Republikës  të Shqipërisë të ndihmojnë në shkollimin e kuadrove në fushën e historisë dhe albanologjisë sepse këto dy sfera kanë rënë në nivele katastrofale në universitetet shqiptare të Fyromit. Dhe në fund, organet shtetërore të Republikës së Shqipërisë të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e mbylljes së përkohshme të pseudo-universiteteve shqiptare në IRJM dhe të rishkollimit detyrues të kuadrit mësimdhënës nga këto shkolla në Tiranë për një periudhë të caktuar kohore.
Analistët, historianët, studiuesit, akademikët, universitetet, media, shoqëria civile shqiptare e Fyromit u bënë bashkë si rallëherë në refuzimin e këtij botimi tendencioz antishqiptar. Kjo është pozitive dhe shumë e  rëndësishme pasi shërben për forcimin e kohezionit nacional të shqiptarëve këtu. Megjithatë reagimet e tilla nuk duhet të jenë fundi i këtij aksioni gjithëpopullor. Duhet të fillojë një lëvizje e re kombëtare te shqiptarët në Fyrom e cila do ti largojë përfundimisht të gjitha ndikimet e huaja asimiluese bashkë me plasuesit dhe amplifikuesit e tyre nga gjiri i shoqërisë shqiptare këtu. Koha nuk pret.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora