E diele, 05.04.2020, 01:25 PM (GMT+1)

Plus » Historia

Ja si u retushua historia e Shqipërisë

E hene, 21.09.2009, 11:57 AM


Nga Mentor QUKU

Retushohet Mid’hat Frashëri dhe Atë Gjergj Fishta Kongresi i Manastirit u quajt nga bashkëkohësit, me të drejtë, kongresi i pajtimit të shqiptarëve. Të gjitha mashtrimet, apo retushimet që iu bënë gjatë kohës, deri më sot, kanë deformuar dhe rrethuar me mister këtë ngjarje madhore. Politikat e mbrapshta, sidomos ato antishqiptare, u përpoqën të çmontonin edhe mesazhin historik të kësaj ngjarjeje. Pyesim se cila është arsyeja e manipulimit të historisë së Kongresit të Manastirit? Përgjigja është e thjeshtë: Për shkak të dy protagonistëve, Mit’hat Frashërit, kryetar i Kongresit të Manastirit dhe At Gjergj Fishtës, kryetar i Komisionit të Alfabetit, si dy personazhe që u shpallën armiq të betuar nga regjimi komunist.

Procesverbali i vendimit të Kongresit të Manastirit

Shfletojmë vëllimin, kushtuar përgatitjeve, punimeve dhe jehonës së Kongresit të Manastirit, “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”, botuar në Tiranë, 1972. Ky botim përbën një shembull ku tregohet se deri në çfarë shkalle politika e deformonte të vërtetën historike dhe mesazhin e saj. Libri ndahet në katër pjesë. Në pjesën e parë, nën okelion “Studime dhe kontribute”, janë përjashtuar kontributet e dy titullarëve të këtij evenimenti, Mid’hat Frashërit dhe Atë Gjergj Fishtës. Në këtë libër sulmohet Austria e cila në të vërtetë qe promotori dhe mbrojtësi më i madh i çështjes kombëtare, i kulturës dhe i arsimit shqip. Sulmohen gjithashtu jezuitët të cilët qenë të parët që zbatuan vendimet e Kongresit të Manastirit, duke botuar, revistën e tyre Elçija, me alfabetin e sapomiratuar në Manastir, që në prill 1909. Në pjesën e dytë të librit, paraqitur nën okelion “Artikuj dhe lajme nga shtypi shqiptar”, përfshihen botime nga të gjitha organet e shtypit shqiptar, ku ishin e ku nuk ishin, por nuk kishte vend për të vetmet kronika të kohës që gjëndeshin në dy organet e shtypit shqiptar, në Selanik, që drejtoheshin nga Mid’hat Frashëri, gazeta Lirija dhe revista Diturija. Në pjesën e tretë, të paraqitur në okelion “Materiale arkivore” ku botohen gjëra të dorës së dytë e të tretë, nuk përfshihen dokumentet bazë që flisnin drejtpërdrejt për punimet e Kongresit të Manastirit. Në AQSH ruhet një kopje e daktilografuar e vendimit të Kongresit të Manastirit, që, mesa duket, është bërë gati për botim. Një nga zyrtarët e shtetit ka vënë, në fund të fletës, me laps, shënimin: “Të botohet pa firma, ose të hiqen tre emrat, ose të lihen vetëm firmat e fundit”. Në antitezë me këtë veprim kemi sjelljen e revistës Leka e cila ribotoi, në mënyrë autenike dhe të plotë kronikën e Kongresit të Manastirit, të Mid’hat Frashërit, nga Lirija, shoqëruar me shënimin: “Na të “Lekës” zhvillimin e këtyne ndolljeve po i botojmë, si mbas dokumentave qi po nxjerrim prej fletoreve t’ona e të hueja e prej librave t’asajë kohë, 1908-1912, aq me randsi për të mkamun të kësaj Shqypni, të cillen e gzojmë sot.”

Dy fotografitë e Kongresit të Manastirit

E dhimbshme është mënyra se si u veprua me dy fotot e famshme të delegatëve të Kongresit të Manastirit. Marubët e Shkodrës, andej nga vitet ’30, i morën nga revista Diturija e Mit’hat Frashërit, dhe i ribotuan në mënyrë dinjitoze, autentike, në formë kartolinash. Gjesti i tyre përbën një akt patriotik sepse me këtë mënyrë ata popullarizuan çastin historik, së bashku me mesazhin për bashkimin e shqiptarëve. Deri vonë, shqiptarët kanë patur për zemër që të dërgonin urimet e mesazhet e tyre për festa, përmes këtyre kartolinave. Ata në këtë mënyrë tregonin kënaqësinë dhe krenarinë e tyre për Kongresin e Manastirit, si dhe për mesazhin e bashkimit kombëtar që dha ai. Ndryshe u veprua me këto dy dokumente fotografike pas vitit 1944 nga regjimi komunist. Ata ose nuk u botuan, ose u botuan duke fshirë në mënyrë të trashanike imazhet e Mid’hat Frashërit e të Atë Gjergj Fishtës. Në ndonjë rast, u përpoqën të pikturonin me kujdes njollat, apo hapsirat boshe që krijoheshin nga fshirja fatale. Ishin dy autoritete absolute të kohës, të cilët me veprën e tyre letrare, kulturore dhe atdhetare kishin zënë vend në ranglistën e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar, emrin e të cilëve nuk mund ta fshinte asnjë lloj ideologjie.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT